ATV

Author: ATVLive

  • Ambasadori britanik për aksionin në veri: Veprimet e tilla rrezikojnë të nxisin tensione

    Ambasadori britanik për aksionin në veri: Veprimet e tilla rrezikojnë të nxisin tensione

    Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka reaguar lidhur me aksionin e djeshëm në veri, ku u mbyllën pesë institucione paralele ilegale atje.

    Hargreaves, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar se veprimet e tilla kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, sepse sipas tij, rrezikojnë të nxisin tensione.

    “Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë. Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit”, ka shkruar të premtën në X, Hargreaves.

    Të premten Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion për ndërprerjen e aktiviteteve në pesë objekte që janë shfrytëzuar nga komunat ilegale.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se aksioni është realizuar bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë.

  • ASK tregon shkaqet e zgjatjes së afatit për regjistrimin e diasporës

    ASK tregon shkaqet e zgjatjes së afatit për regjistrimin e diasporës

    Procesi i regjistrimit për mërgatën ishte planifikuar të përfundojë më 31 gusht të këtij viti, por pas ankesave Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që këtë afat ta shtyjë deri në fund të këtij viti.

    Më shumë se 600 mijë mërgimtarë kanë përfunduar procesin e regjistrimit të popullsisë, prej tyre rreth 300 mijë janë regjistruar fizikisht nëpër komuna dhe mbi 300 mijë të tjerë në platformën E-diaspora deri më tani.

    Me numrin më të madh të diasporës të regjistruar deri më tani prin Gjermania, pasuar nga Zvicra, Suedia, Franca.

    Menaxheri i projektit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Ylli Shala ka thënë për KosovaPress se përveç formatit online, ASK-ja ka dërguar nga një zyrtar në shtatë komunat më të mëdha të Kosovës, të cilët po asistojnë personat që nuk kanë njohuri të mjaftueshme në aspektin e teknologjisë.

    Sipas ASK-së, numri i personave që jetojnë jashtë vendit është më shumë se 600 mijë, andaj edhe shtyrja e afatit iu ndihmon atyre që të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm.

    Shala ka bërë të ditur se ka kërkesa të shumta nga disa shoqata në diasporë, që të shtyhet për një kohë më të gjatë regjistrimi i popullsisë pasi nuk kanë informacione të mjaftueshme.

    Shala fton të gjithë diasporën të regjistrohen në platformën e E-diaspora, e cila nuk merr më shumë kohë se 5 deri në 10 minuta.

  • Hidhet një mjet shpërthyes në Leposaviq, dyshohet të jetë shok bombë

    Hidhet një mjet shpërthyes në Leposaviq, dyshohet të jetë shok bombë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se pas mesnatës në afërsi të objektit të ish-komunës ilegale në Leposaviq, është hedhur një mjet shpërthyes i cili dyshohet të jetë shok bombë.

    Sipas njoftimit të policisë, njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, për të kryer ekzaminime dhe hetime lidhur me rastin.

    Policia ka bërë të ditur se nuk është raportuar për lëndime, derisa hetimet për rastin janë duke vazhduar nga njësitet kompetente policore.

  • Sesioni vjeshtor – PDK e AAK paralajmërojnë vazhdim të hetimeve në Komisione Hetimore

    Sesioni vjeshtor – PDK e AAK paralajmërojnë vazhdim të hetimeve në Komisione Hetimore

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë thënë se në sesionin vjeshtor të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojnë me punën e tyre me Komisionet Hetimore për të shpërfaqur “keqpërdorimet e Qeverisë që kanë bërë me buxhetin e shtetit”.

    Ata kanë thënë se kjo legjislaturë ka dështuar edhe në aspektin e miratimit të Ligjeve më të rëndësishme për qytetarët, kështu duke mos përmbushur zotimet e tyre.

    Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se si opozitë në sesionin vjeshtor do të vazhdojnë punën me Komisionin Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2023-2024, ku sipas tij, do të vazhdojnë të shpërfaqin çdo keqpërdorim të kësaj qeverie.

    “Ne do të vazhdojmë punën aty të Komisioni Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore për vitin 2023-2024, atu ku e kemi lënë për keqpërdorime të cilat kanë ndodhur me subvencionim e për fat të keq tani këto subvencionime vazhduan edhe këtë vit ende pa përfunduar punën procesi hetimor i filluar nga Kuvendi i Kosovës dhe vazhdojmë të shpërfaqmi çdo dobësi dhe çdo keqpërdorim të kësaj qeveri. Ne kemi iniciuar edhe Komisionet Hetimore për sektorin e energjisë dhe për rezervat shtetërore ku tani jemi në një situatë ku mazhoranca ka bllokuar këto Komisione. Shpresoj që Prokuroria të jetë më aktive dhe këto keqpërdorime dhe abuzime të buxhetit të ndalohen, ne do të shpërfaqim edhe gjatë këtij sesioni për aq kohë sa ka mbetur, janë më pak se katër muaj punë të Kuvendit dhe kjo qeveri tani është qeveri në detyre dhe në ikje”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se mazhornaca ka dështuar edhe në sektorin e miratimit të ligjeve duke mos arritur të përmbushin zotimet e tyre.

    Haxhiu ka thënë se me këtë mazhorancë është degraduar puna e Kuvendit të Kosovës.

    “Është dështim edhe në sektorin e legjislacionit, nuk ka arrit të përmbushin as një nga zotimet e tyre. Ligji për shëndetësi, Ligji për Fertelizimin e Asistuar mjekësor po bëhen një vit që është në Kuvend dhe nuk kalon, Ligji për tekste shkollore ka kaluar me kontrabandë dhe vjedhje të votave në Kuvend diçka që nuk ka ndodhur as një herë. Është degraduar puna e Kuvendit me këtë mazhorancë ajo çka kemi parë janë propaganda të natyrave të ndryshme por që në realitet Kosova me këtë qeveri ka shënuar një rritje të varfërisë dhe me qeverinë Kurti jemi vendi me i varfër në Evropë pas Ukrainës e cila ndodhet në luftë”, ka thënë ai.

    Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se dy komisione hetimore të më hershme të Kuvendit të Kosovës, nuk kanë arritur që të përfundojnë punën e tyre për shkak të bojkotit të mazhorancës.

    Ai ka thënë se pozita është munduar që të pengoj ecurinë e punës edhe të Komisionit Hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore, sipas tij, shkeljet e kësaj qeverie në raport me iniciativat që ndërmerr opozita janë rutinore dhe të përditshme.

    “Komisionet Hetimore janë themeluar por ju e dini që dy komisione Hetimore paraprake të cilat veç kanë filluar shumë ma herët punën nuk kanë arritur ta përmbyllin për shkak të bojkotit të mazhornacës. Ju e dini rastin e fundit ku jam unë kryesues i Komisionit Hetimor për subvencionimin e tekste shkollore, ju i dini ato lëvizjet të cilat i ka bërë grupi i mazhorancës pa pranin time, pa pranin e nënkryetarit që nuk kanë pasur të drejt fare të ftojnë mbledhje për shkak se unë nuk kam pasur kuorum. Kjo ka qenë arsyeja që të shkojmë në pushim, të ndërpremë punën dhe të vazhdojmë me datën 9 shator. Opozita fare nuk ka qenë e pranishme në intervistimin e palëve të cilat kanë ardhur aty. Madje janë bërë edhe pa pranin e ekspertëve. Shkeljet e kësaj qeverisje në raport me iniciativat që ndërmerr opozita janë rutinore dhe të përditshëm”, ka thënë ai.

    Dreshaj ka thënë se nga vlerësimet e organizatave jo qeveritare del që puna e Kuvendit për sesioni e kaluar nuk ka qenë e mirë, sipas tij, ajo vlerësohet si qeverisja me e dobët duke marr parasysh numrin e ligjeve të cilat kanë kaluar në Kuvend.

    “Keni pasur dhe prononcime të organizatave tjera jo fitimprurëse të cilat funksionojnë në Kosovë dhe merren me menaxhimin e punës së Kuvendit, vlerësimet e tyre nuk janë të mira lidhur me punën. Madje vlerësojnë me keq se në këtë qeverisje sa qe qeverisjet paraprake në raport me numrin e ligjeve të cilat kanë kaluar në Kuvend. As një ligj bazik nuk ka kaluar në këtë qeverisje, krejt janë ligje sektoriale, ose amandamentime të ligjeve paraprake të cilat nominohen, ose numërohen si suksese të punës. Ju them që as një ligj bazik i cili është premtuar nga kjo qeverisje nuk është sjell në Kuvend dhe nuk ka kaluar në Kuvend, Ligji për Shëndetësi, Ligji për Sigurime Shëndetësore, Ligji për Skema Pensionale, këto janë tri ligjet e mëdha bazike që kanë pasur për të kaluar as njëri nuk janë ardhur për tu debatuar”, ka thënë ai.

  • Lista Srpska mbrëmë thirri konferencë për mediume të caktuara, ankohen gazetarët serbë në veri

    Lista Srpska mbrëmë thirri konferencë për mediume të caktuara, ankohen gazetarët serbë në veri

    Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Srpska, mbrëmë ka mbajtur një konferencë për media pas aksionit që ndërmori Policia e Kosovës për mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale të Serbisë në veri të vendit.

    Por, Lista Srpska konferencën e ka planifikuar vetëm për gazetarët që ajo ka dashur. Për këtë ka ngjallë revoltë te gazetarët e mediave, përfshirë edhe atyre në veri që raportojnë në gjuhën serbe.

    E këtë herë shumica e mediave, përfshirë edhe Kontakt Plus, nuk ishin të informuar për këtë ngjarje, tha ky medium në gjuhën serbe.

    “Duke marrë vesh nga kolegë të caktuar nga terreni, gazetarët e redaksive lokale dolën në konferencë për shtyp. Mirëpo, kur mbërritën në vendngjarje, u tha se ngjarja nuk ishte për mediat që ata gazetarë përfaqësonin, por për disa të caktuara. Meqë nuk na lejuan të marrim pjesë në konferencë, audienca e medias sonë u privua nga informacioni, i cili në këtë moment është jashtëzakonisht i rëndësishëm për publikun, për shkak të ngjarjeve të sotme në veri të Kosovës”, ka shkruar ky medium.

    Gjithashtu edhe KoSSev u ankua për këtë. Mediumi raportoi se Lista Srpska u përpoq ta pengojë gazetarin e tyre.

    KoSSev thotë se edhe korrespondenti i Zërit të Amerikës, i cili gjithashtu raportoi për këtë situatë, nuk ishte i ftuar në këtë konferencë.

  • Vitia: Procesi i pritjeve në QKUK do të digjitalizohet, lista e barnave esenciale është në nivel të lartë

    Vitia: Procesi i pritjeve në QKUK do të digjitalizohet, lista e barnave esenciale është në nivel të lartë

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë për Ekonomia Online, ka bërë të ditur se procesi i pritjeve në QKUK do të digjitalizohet, me investime të fokusuara në sportele “ku bëhen të gjitha tollovitë”.

    Sipas Vitisë, kjo do ta zgjidhë një problem të kamotshëm të qytetarëve, e përveç digjitalizimit, do të investohet edhe në kushte komode gjatë pritjes.

    Tutje, ministri, ka folur edhe për listën e barnave esenciale, e cila tani është në nivelin më të lartë ndonjëherë, duke mbuluar 70-75 të barnave në QKUK.

    Madje, ai ka thënë se në disa klinika specifike, ku kostoja për trajtimin e pacientëve është më e lartë, siç është klinika onkologjike, kjo shifër shkon në mbi 95 për qind.

    “Një problematikë që është paraqitur edhe nga pacientët, janë pritjet e gjata në ambiente aspak komode. Kemi identifikuar se kjo është për shkak të infrastrukturës dhe mos-digjitalizimit të procesit të pritjes. Në radhë, do të kemi investime në sportele, nyjet kyçe ku bëhen të gjitha këto tollovi. Kështu digjitalizohet procesi i pritjes, rregullohen ambientet ku presin qytetarët dhe bëhet ‘paitent floë’, pra rrjedha e pacientit, që qytetarët të presin sa më pak, por edhe nëse ka raste që presin, të jetë pritje në kushte komode”.

    “Lista e barnave esenciale edhe në QKUK, edhe në sistemin primar, tani pas nënshkrimit të shumë kontratave është në një nivel që më herët nuk ka qenë kurrë në Republikën e Kosovës. Sa i përket barnave në QKUK, kjo listë është diku 70 apo 75% e përmbushur për momentin, por në disa klinika specifike ku edhe kostoja për trajtimin e pacientëve është më e lartë, siç është klinika onkologjike, kjo shifër shkon në mbi 95%”.

    “Në nivelin primar janë nënshkruar shumë kontrata të cilat më herët, për shkaqe të ndryshme, kryesisht që nuk ka pasur operatorë të interesuar për të garuar në procesin e prokurimit, tanimë një pjesë e mirë është zgjedhur dhe për herë të parë kontratat që janë nënshkruar në Ministrinë e Shëndetësisë sa i përket barnave arrijnë nivelin 70%, kurse për materiale shpenzuese shkon mbi 95%”.

    Ai ka thënë se Komiteti për Listën e Barnave Esenciale vazhdimisht bën përditësim të kësaj liste në bazë të kërkesave të profesionistëve shëndetësor, teksa ka marrë shembull atë të Klinikës së Gjinekologjisë për barna për fertilizimin e asistuar mjekësor.

    “Komiteti për Listën e Barnave Esenciale vazhdimisht bën përditësim të kësaj liste në bazë të kërkesave të profesionistëve shëndetësor. Ne synojmë që sivjet ta funksionalizojmë edhe shërbimin e fertilizimit të asistuar mjekësor në Klinikën Gjinekologjike, ku përveç aparaturave që tashmë janë duke u montuar dhe ambienteve që kanë përfunduar, nevojiten edhe disa barna, të domosdoshme për këtë procedurë. Me kërkesën e drejtorit të Gjinekologjisë, Komiteti i Listës së Barnave Esenciale veçse e ka marrë si kërkesë dhe besoj që shumë shpejt do ta përditësojë listën dhe t’i fusë edhe këto barna.”

    “Aty ku kemi mundësi, brenda buxhetit, sepse e tha edhe kryeministri që gjatë një viti qytetarët tanë kanë nevojë për rreth 120-130 milionë euro barna. Një pjesë të madhe e mbulon shteti, mirëpo jo qind për qind dhe ne po punojmë që në pjesën ku ngarkohet më së shumti xhepi i qytetarëve, ta mbulojmë. Nuk mundemi që t’i fusim të gjitha kategoritë njëherë, por po punojmë që ta shtojmë volumin e kësaj liste”.

    E teksa foli për problemet në referimet e shumta nga spitalet dhe qendrat tjera në QKUK, Vitia ka thënë se po bëhen disa veprime që numri të ulet.

    “Ministria e Shëndetësisë ka dhënë udhëzimet. ShSKUK-ja tash është duke punuar në këtë drejtim. Kanë filluar disa investime në spitale regjionale, investime që do të vazhdojnë, për të rritur kapacitetin dhe përmirësuar cilësinë e shërbimeve. E dyta, ajo çka po bën ShSKUK-ja, çdo referim që bëhet duhet të jetë referim i arsyeshëm dhe duhet të raportohet. Kjo na ndihmon edhe neve si Ministri e Shëndetësisë që t’i hartojmë politikat tona të investimeve, në kuptimin që është problem i referimit, mungesa e resurseve njerëzore, të hapim vende pune për këto pozita. Nëse është edukimi i vazhdueshëm profesional, bashkë me QKUK-në, të bëhet edukimi. Ndërsa, nëse është mungesa e hapësirave ose e pajisjeve, të investojmë në hapësira dhe pajisje të reja, që numri i referimeve të ulet. Procesi ka filluar, çdo referim bëhet në koordinim me QKUK-në dhe Klinikën Emergjente”.

  • O’Brien paralajmëron Kurtin: Ndërpriti veprimet e pakoordinuara, ndikojnë negativisht në partneritetin tonë

    O’Brien paralajmëron Kurtin: Ndërpriti veprimet e pakoordinuara, ndikojnë negativisht në partneritetin tonë

    Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien ka reaguar pas aksionit të Qeverisë së Kosovës në veri që rezultoi me mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës.

    O’Brien tha se e mbështet deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë dhe i bëri thirrje urgjente kryeministrit Albin Kurti që t’i ndalë veprimet e pakoordinuara me miqtë ndërkombëtar, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në një postim në rrjetin “X”, O’Brien tha se SHBA është e shqtësuar nga veprimet e pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës.

    ” SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës.Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët. I bëjmë thirrje urgjente kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, tha ai.

    Veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës e detyruan edhe një herë në orët e vona të mbrëmjes që të reagojë Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

    Ishte një aksion i Policisë së Kosovës për mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës ai që provokoi reagimin e ashpër amerikan, të cilët u shprehën të zhgënjyer “me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në reagimin e SHBA-së thuhet se veprimet e fundit nuk janë në përputhje me premtimet e bëra nga Qeveria për koordinim.

    Veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës e detyruan edhe një herë në orët e vona të mbrëmjes që të reagojë Ambasadën Amerikane në Prishtinë.

    Ishte një aksion i Policisë së Kosovës për mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale në veri të Kosovës ai që provokoi reagimin e ashpër amerikan, të cilët u shprehën të zhgënjyer “me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës”.

  • Për dy muaj – AIP gjobit dy komuna dhe dy ndërmarrje publike, vlera e tyre mbi 60 mijë euro

    Për dy muaj – AIP gjobit dy komuna dhe dy ndërmarrje publike, vlera e tyre mbi 60 mijë euro

    63 mijë euro është vlera e gjobave në dy muajt e fundit të shqiptuara nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Gjoba kanë pësuar dy komuna dhe dy ndërmarrje publike për publikim të të dhënave personale si dhe për mohim në qasjen e dokumenteve publike. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, Komisionerja e AIP-it, Krenare Sogojeva-Dërmaku.

    Ajo ka thënë se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë parashtruar 393 ankesa, ku 63 prej tyre kanë qenë për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa 330 ankesa janë parashtruar për mohimin e qasjes në dokumente publike.

    Ndonëse kërkesat kanë qenë të shumta, Sogojeva-Dermaku ka thënë se në 80 për qind të rasteve, qytetarit u është ofruar qasja në dokumente publike pa pasur nevojë për shqiptimin e gjobave apo nxjerrjen e vendimeve.

    “Në AIP në sektorin edhe të mbrojtjes së të dhënave personale edhe të qasjes në dokumente publike për gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë parashtruar gjithsej 393 ankesa, 63 prej tyre janë për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa 330 ankesa janë parashtruar për mohimin e qasjes në dokumente publike. Si një problematik e vazhdueshme që po e sfidon edhe qytetarin edhe institucionin ton me një numër në rritje të ankesave të qytetarëve për mos ofrimin e qasjes në dokumente publike nga ana e institucioneve, agjencia ka vazhduar ti trajtoj, ka pasur diku 97 ankesa të bartura nga viti i kaluar mbetemi me një staf të kufizuar ne trajtimin e ankesave. Por gjithsesi ajo që është shumë me rendësi me përmend se në 80 për qind të rasteve qytetarit ju është ofruar qasja në dokumente publike pa pasur nevojë për shqiptimin e gjobave apo nxjerrjen e vendimeve nga ana e jonë”, ka thënë Sogojeva-Dërmaku.

    Sogojeva-Dërmaku ka thënë se për mohim e qasjen në dokumente publikë edhe këtë vit është gjobitur me tre mijë euro Komuna e Fushë-Kosovës.

    “Ne kemi një gjobë të shqiptuar për mohimin e qasjes në dokumentet publike, që është edhe për komunën e Fushë Kosovës, që në vazhdimësi është gjobitur për shkak të mos ofrimit të qasjes. Ajo çka dua të theksoj që kjo komunë është duke u gjobitur për shkak se nuk ofrohet qasje një ose dy personave, që në vazhdimësi kërkojnë edhe e shfrytëzojnë këtë të drejtën e tyre për të kërkuar qasje në dokumente publike”, ka thënë ajo.

    Komisioneria e AIP ka thënë se në dy muajt e fundit janë shqiptuar edhe tri gjoba, dy ndaj ndërmarrjeve publike KESCO dhe ujësjellësit KRU “Prishtina”, me nga 20 mijë euro secila, për shpërndarjen e faturave pa zarfe si dhe me 20 mijë euro është gjobitur Komuna e Gjakovës për publikimin e disa listave të qytetareve me të dhënat e tyre personale.

    “Në këtë dy mujor kemi shqiptuar tri gjoba, dy ndaj ndërmarrjeve publike, dhe një ndaj një komune në total shuma e këtyre gjobave është 60 mijë euro. Agjencia shkon me standardin e njëjtë me 20 mijë euro që është gjoba e parë e pastaj nëse përsëritet shkelja e njëjtë normalisht që gjoba shkon në rritje dhe dihet që gjobat që i lejon ligji për të dhënat personale janë dy deri në 4 për qind të qarkullimit dhjetor”, ka thënë ajo, teksa ka treguar se gjobë kanë shqiptuar edhe ndaj Komunës së Gjakovës për publikimin e disa listave të qytetareve me sëmundje të ndryshme”.

    “Ndërsa tek mbrojtja e të dhënave personale për gjashtë mujorin e parë ne nuk kemi pasur gjoba, por në këto dy muajt e fundit kemi shqiptuara gjoba një për Komunën e Gjakovës, që ka qenë publikimi i listave të qytetarëve me sëmundje të ndryshme, ndër këto të dhëna të qytetarëve ka pasur edhe të dhëna të fëmijëve. Po ashtu kemi dy gjoba të shqiptuara, një është për KESCO dhe tjetra është për ujësjellësin. Njoftojmë gjithë qytetarët se arsyeja pse ne kemi gjobitur këto dy ndërmarrje është se nga shkurti i këtij viti ne kemi filluar takimet me ta, kemi bërë thirrje që t’i plotësojnë kërkesat e ligjit të mbrojtjes së të dhënave personale. Ju kemi dërguar menjëherë shkresë dhe ju kemi caktuar një afat brenda të cilit ata kanë pasur mundësi që të përgatiten që t’i sigurojnë që të dhënat personale të mos bien ne duar të personave të pa autorizuar, data ka qenë deri me 30 qershor, përkundër kësaj kanë vazhduar në disa vende të shpërndaj përsëri fatura pa zarfe, apo t’i lënë faturat para hyrjes së shtëpisë”, ka thënë ajo.

    Ajo ka theksuar për ta është shqetësuese edhe rritja e numrit të ankesave nga qytetarët nga marketingu i drejtpërdrejtë.

    “Ne në fakt në gjashtë mujorin e parë të këtij viti sipas statistikave që i kemi, kemi diku 24 ankesa që janë për vendosjen e kamerave pa kritere ligjore, kemi 18 ankesa që i kemi pranuar për marketing të drejtpërdrejt. Edhe kemi 14 ankesa të tjera për publikim të të dhënave personale të individëve edhe kemi 3 ankesa për keq përdorim të të dhënave dhe një ankesë për mos vendosjen e masave të sigurisë. Numri i ankesave është në rritje edhe të mbrojtja, marketingu i drejtpërdrejta vazhdon që të mbetet një shqetësim i qytetareve, është me të vërtet shqetësuese edhe për ne pasi ka tre vite që në vazhdimësi e promovojmë të drejtën e qytetarit që të mos shqetësohet me mesazhet apo me telefonatat për marketing të drejtpërdrejt”, ka thënë ajo për EO.

  • “Rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm”, Stano reagon për aksionin e policisë në Veri

    “Rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm”, Stano reagon për aksionin e policisë në Veri

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka reaguar për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës ku mbylli pesë objekte të komunave ilegale.

    Stano, duke shpërndarë reagimin e djeshëm të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se hapat e fundit nga Kosova rrezikojnë përshkallëzim të mëtejshëm.

    “Deklarata për hapat e fundit të njëanshëm dhe të pakoordinuar në veri nga autoritetet e Prishtinës, duke rrezikuar përshkallëzim të mëtejshëm”, shkroi Stano në X krahas deklaratës.

    Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka reaguar për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës ku mbylli pesë objekte të komunave ilegale.

    Stano, duke shpërndarë reagimin e djeshëm të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se hapat e fundit nga Kosova rrezikojnë përshkallëzim të mëtejshëm, raporton Gazeta Express.

    “Deklarata për hapat e fundit të njëanshëm dhe të pakoordinuar në veri nga autoritetet e Prishtinës, duke rrezikuar përshkallëzim të mëtejshëm”, shkroi Stano në X krahas deklaratës.

  • Reagon Zyra e BE-së: Jemi të zhgënjyer me mungesën e koordinimit

    Reagon Zyra e BE-së: Jemi të zhgënjyer me mungesën e koordinimit

    Edhe Bashkimi Evropian është zhgënjyer për veprimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e komunave ilegale në veri.

    Në reagimin e tyre thuhet se BE është e zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë së Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtarë.

    “Operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar nën udhëzimet e Qeverisë së Kosovës, rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren”, thuhet në reagime.

    Tutje theksohet se EULEX është vendosur menjëherë për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë.

    “BE-ja dëshiron të përsëris se Kosova është angazhuar për de-përshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga qeveria e Kosovës”.

    Në reagimin e tyre thuhet se ky operacion policor i Kosovës në veri mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situatë, që sipas tyre, tashmë është e paqëndrueshme

    “BE do të dëshironte të përsëriste se operacioni aktual i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme.

    Zyrat e mbështetura nga Serbia parashikohet të adresohen dhe zgjidhen në Dialogun e lehtësuar nga BE. Presim që Kosova dhe Serbia të adresojnë dhe zgjidhin çështjet e hapura mes tyre në Dialogun e lehtësuar nga BE”.