ATV

Author: ATVLive

  • Petkoviq: Udhëheqësit serbë në veri nuk kanë falsifikuar asgjë, kanë punuar sipas ligjit

    Petkoviq: Udhëheqësit serbë në veri nuk kanë falsifikuar asgjë, kanë punuar sipas ligjit

    Nënkryetari i Listës Serbe, Dragisha Milloviq, ka thënë mbrëmë se është kërkuar nga kryetarët serbë të komunave paralele në veri të Kosovës të japin deklarata për shkak të nënshkrimeve të falsifikuar.

    Menjëherë ka pasuar reagimi i drejtorit të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, ku ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “vazhdon të kryejë terror në veri dhe se tani dëshiron të arrestojë përfaqësuesit politikë të popullit serb për të realizuar planin e tij – të dëbojë gjysmën e serbëve dhe të arrestojë gjysmën tjetër”.

    “Urdhëresat për marrjen në pyetje të liderëve të Listës Serbe si të dyshuar, për shkak të “gjoja” falsifikimit të dokumenteve, është tregues i persekutimit brutal politik të liderëve të serbëve nga veriu i Kosovës, i urdhëruar nga Albin Kurti, i cila do të ketë pasoja të mëdha”, ka shkruar Petkoviq në rrjetin social X, transmeton Paparaci.

    Sipas pretendimeve të tij, udhëheqja e institucioneve serbe “nuk ka falsifikuar asgjë dhe ka bërë gjithçka ekskluzivisht në përputhje me ligjin, duke ofruar shërbime si për serbët ashtu edhe për shqiptarët. Sikur Kurti ta kishte formuar Asociacionin, sot nuk do të ishim në këtë situatë”.

    “Beogradi menjëherë ka njoftuar komunitetin ndërkombëtar dhe KFOR-in për këtë akt të fundit të dhunës së Kurtit. Nëse veprimet maksimale të tyre janë njoftimet dhe dënimet verbale pa asnjë reagim konkret, bëhet e qartë se cila është prapavija e persekutimit të serbëve nga Kurti”, ka përfunduar Petkoviq.

  • ​Ministri i Jashtëm i Ukrainës Kuleba dorëzon dorëheqjen

    ​Ministri i Jashtëm i Ukrainës Kuleba dorëzon dorëheqjen

    Parlamenti i Ukrainës mori një letër dorëheqjeje nga Ministri i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba.

    Kështu thotë kryetari i parlamentit, Ruslan Stefanchuk, transmeton Ukrinform.

    Parlamenti do të shqyrtojë mocionin në një nga mbledhjet e tij të ardhshme, shtoi kryetari i parlamentit në një përshkrim në fotografinë e letrës së Kuleba.

    Siç raportoi më herët Ukrinform, Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi të martën ndryshimet e personelit në Kabinetin e Ministrave dhe Zyrën Presidenciale, duke i shpjeguar ato me nevojën për të forcuar disa fusha të qeverisë.

    Presidenti tha në një fjalim drejtuar kombit se ai “po llogariste në një peshë paksa të ndryshme për fusha të caktuara të politikës sonë të jashtme dhe të brendshme”.

    Të martën, parlamenti mori letra dorëheqjeje nga Ministri i Industrive Strategjike Oleksandr Kamyshin, Ministri i Drejtësisë Denys Maliuska, Ministri i Mbrojtjes së Mjedisit dhe Burimeve Natyrore Ruslan Strilets, Zëvendëskryeministrja për Integrimin Evropian dhe Euro-Atlantik Olha Stefanishyna, dhe kreu i Fondi i Pronës Shtetërore Vitaliy Koval.

    Presidenti Zelensky gjithashtu shkarkoi Rostyslav Shurma nga posti i Zëvendës Shefit të Zyrës Presidenciale.

  • Aksident mes dy biçiklistëve në Prizren, njëri dërgohet në QKUK

    Aksident mes dy biçiklistëve në Prizren, njëri dërgohet në QKUK

    Një person ka pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në mes dy biçiklistëve në Prizren.

    Policia përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se personi i lënduar pas tretmanit në spitalin rajonal në Prizren është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Ndërsa, në konsultim më prokurorin, biçiklisti tjetër është dërguar në mbajtje.

    “Ka ndodhur një aksident trafiku në mes dy biçiklistëve meshkuj kosovarë. Si pasojë lëndime ka pësuar njëri nga biçiklistët i cili pas tretmanit në spitalin rajonal në Prizren, është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në konsultim me prokurorin, biçiklisti tjetër është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

  • Vrasje në tentativë në Gjakovë, arrestohen tre persona

    Vrasje në tentativë në Gjakovë, arrestohen tre persona

    Tre persona janë arrestuar në Gjakovë të martën nga Policia.

    Të njëjtit dyshohen se për motive të pa njohura kanë sulmuar me mjete të mprehta-thika dy viktimat meshkuj kosovarë.

    Policia, përmes raportit 24 orësh ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, dhe njëri është liruar.

    “Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se për motive të panjohura kanë sulmuar me mjete të mprehta-thika dy viktimat meshkuj kosovarë. Lidhur me rastin viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, dhe njëri është liruar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • ​Shqipëria në stërvitje intensive për sfidën me Ukrainën

    ​Shqipëria në stërvitje intensive për sfidën me Ukrainën

    Kombëtarja shqiptare po vijon me përgatitjet për dy ndeshjet e para në UEFA Nations League ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Kuqezinjtë zhvilluan seancën e dytë stërvitore të martën në “Shtëpinë e Futbollit”.

    Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se trajneri Silvinjo ka pasur në dispozicion edhe Myrto Uzunin, Mario Mitajn, Jasir Asanin dhe Adrian Bajramin, ndërsa Enea Mihaj mbërriti pasditen e sotme në Tiranë dhe u la pushim nga stafi teknik.

    Stërvitja e djeshme nisi me punën në palestër e më pas trajneri Silvinjo së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike. Edhe në këtë seancë stërvitore me skuadrën u bashkuan disa lojtarë nga Kombëtarja U-21, Feta Fetai, Marcelino Preka, Adrion Pajaziti dhe Stiven Shpendi.

    Sot Kombëtarja do të zhvillojë seancën e radhës stërvitore, ndërkohë që të enjten ekipi do të udhëtojë drejt Pragës.

    Ndeshja Ukrainë–Shqipëri do të luhet të shtunën më 7 shtator, në orën 20:45 në stadiumin “Epet Arena” të Çekisë. /ATSH/

  • ​Norvegjia do të ndaj 53 milionë dollarë për dronët dhe mbrojtjen ajrore për Ukrainën

    ​Norvegjia do të ndaj 53 milionë dollarë për dronët dhe mbrojtjen ajrore për Ukrainën

    Qeveria norvegjeze do të ndajë 53 milionë dollarë për Fondin Ndërkombëtar për Ukrainën (IFU) për blerjen e dronëve dhe pajisjeve të mbrojtjes ajrore.

    Kështu thuhet në një deklaratë të publikuar në uebsajtin e qeverisë , transmeton Ukrinform.

    Donacioni është një bashkëpunim mes Britanisë së Madhe, Holandës, Lituanisë dhe Norvegjisë.

    “Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë pajisje ushtarake për të mbrojtur veten nga lufta e agresionit rus. Së bashku me vendet e tjera, Norvegjia do të bëjë gjithçka që mundemi për të kontribuar”, tha ministri i Mbrojtjes, Bjorn Arild Gram.

    Norvegjia ka kontribuar më parë në blerjen, ndër të tjera, për mbrojtjen ajrore, pajisje për pastrimin e minave, municione artilerie, automjete transporti, automjete inxhinierike, shtrues, pjesë këmbimi dhe pajisje për mirëmbajtjen e platformave dhe varkave të vogla ukrainase.

  • ​Kosova vazhdon me stërvitjen e radhës para ndeshjes me Rumaninë

    ​Kosova vazhdon me stërvitjen e radhës para ndeshjes me Rumaninë

    Të premten do të nis rrugëtimi i Kosovës në edicionin e ri të Ligës së Kombeve dhe përgatitjet e “Dardanëve” kanë filluar që nga dita e hënë.

    Trajneri Franco Foda theksoi në konferencë për media se objektivi është vetëm fitorja ndaj Rumanisë në “Fadil Vokrri”, e për më tepër edhe synimi për të qenë të parët në këtë grup, raporton KosovaPress.

    Pas stërvitjes së djeshme, “Dardanët” do të punojnë edhe sot në stërvitjen e radhës që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”. Stërvitja do të fillojë nga ora 11:00, ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës.

  • ​Mongolia shpjegon pse nuk arrestoi Putinin

    ​Mongolia shpjegon pse nuk arrestoi Putinin

    Mongolia është e varur nga energjia, kjo është arsyeja pse dështoi në ekzekutimin e një urdhër-arresti ndërkombëtar kundër presidentit rus, Vladimir Putin i akuzuar për krime lufte në Ukrainë.

    Kështu ka thënë zëdhënësi i qeverisë mongole në komentin e tij për Politico , transmeton Ukrinform.

    “Mongolia importon 95% të produkteve të saj të naftës dhe mbi 20% të energjisë elektrike. Ky furnizim është kritik për të siguruar ekzistencën tonë dhe të popullit tonë,” tha zëdhënësi.

    Ai shtoi se “Mongolia ka mbajtur gjithmonë një politikë neutraliteti në të gjitha marrëdhëniet e saj diplomatike, siç tregohet në deklaratat e deritanishme.”

    Zëdhënësi i qeverisë së Mongolisë shtoi gjithashtu se vizita e Putinit është “në përputhje me precedentin historik të krerëve të shteteve që së bashku festojnë përvjetorin e fitores nga forcat sovjetike dhe mongole mbi Japoninë në Betejën e Khalkhin Gol në 1939.”

    Siç raportoi Ukrinform, kreu i Kremlinit Vladimir Putin u takua me homologun e tij mongol të martën në Ulaanbaatar. Kjo është vizita e parë e Putinit në një vend që ka ratifikuar Statutin e Romës dhe do të arrestojë liderin rus me një urdhër të lëshuar nga GJNP në Hagë.

    Në mars 2023, Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë lëshoi një urdhër arresti kundër Putinit i akuzuar për dëbimin dhe transferimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse.

    ICC deklaroi se vendi është i detyruar të përmbushë kërkesat e Gjykatës.

    Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës dënoi Mongolinë për mosarrestimin e presidentit rus, Vladimir Putin, pavarësisht urdhër-arrestit të ICC.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-32 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-4m/s.

  • Revolucioni i fotografisë

    Revolucioni i fotografisë

    Më 4 shtator 1888, George Eastman, mori patentën për aparatin e tij fotografik, Kodak, i cili revolucionarizoi fotografinë.

    Aparati fotografik Kodak ishte si një kuti e vogël që mund të mbahej në dorë. Ai zëvendësoi aparatet e mëdha komplekse, që përdoreshin nga shumë fotografë profesionistë. Ajo që e dallonte aparatin e ri të zotit Eastman ishte zhvillimi i filmit të përkulshëm në letër.

    Ky film zëvendësonte pllakat e pavolitshme fotografike prej xhami, të cilat duhet të zhvilloheshin menjëherë pasi ishin ekspozuar.

    Kurse pronari i aparatit të ri Kodak mund të bënte 100 fotografi dhe pastaj ia dërgonte aparatin pa i hequr filmin, fabrikës Eastman në Rochester të shtetit të Nju Jorkut.

    Teknikët përpunonin filmin, stamponin fotografitë dhe pastaj ia kthenin të zotit bashkë me aparatin, të cilit i futnin një film të ri. Motoja e kompanisë ishte: “Ju shtypni butonin, pjesën tjetër të punës e bëjmë ne”.