ATV

Author: ATVLive

  • Siguria e nxënësve, Komuna e Obiliqit në bashkëpunim me USAID përurojnë parkingun në Plemetin

    Siguria e nxënësve, Komuna e Obiliqit në bashkëpunim me USAID përurojnë parkingun në Plemetin

    Mungesa e një parkingu në shkollën me shqiptarë dhe komunitet ashkali si dhe në atë me serbë në fshatin Plemetin të Obiliqit ka rrezikuar jetën e nxënësve.

    Prandaj, komuna e Obiliqit, në bashkëpunim me kontratën sociale të USAID-it, kanë përuruar sot parkingun në kuadër të projektit “ Përmirësimi i kushteve të sigurisë në shkollat e Plemetinit”, për të garantuar kushte më të mira të sigurisë për nxënësit.

    Nënkryetari i komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi ka thënë se si komunë janë të angazhuar të bashkëpunojnë me të gjitha organizatat të cilat veprojnë në Kosovë, për një jetë më të mirë.

    “Si komunë jemi të angazhuar që të bashkëpunojmë me të gjitha organizatat të cilat aktivitetin e tyre e bëjnë në Republikën tonë, e sidomos me USAID-in me të cilin kemi nënshkruar dhe jemi në mesin e pesë komunave që kemi nënshkruar kontratën sociale”, ka thënë Mjekiqi.

    Ndërsa, nënkryetari i komuniteteve në Obiliq, Sllavisha Jakovleviq ka shtuar se ky projekt është i rëndësishëm në kuptimin e sigurisë të dy objekteve të shkollave.

    “Dëshirojmë që të dëshmojmë që bashkëjetesa është e mundshme. Së bashku me qytetarët kemi marrë pjesë në realizimin edhe të një projekti. Meqenëse nga aspekti financiar nuk është projekt i madh, megjithatë është i rëndësishëm në kuptimin e sigurisë të dy objekteve të shkollave”, ka shtuar ai.

    Po ashtu, kryetari i këshillit të fshatit, Vahudin Ibrahimi shpreson që në të ardhmen t’i përkrahin me projekte të cilat i nevojiten dy shkollave.

    “Ndoshta është një projekt i vogël por është për sigurinë e nxënësve tonë. Shpresojmë në të ardhmen që të na përkrahin me projekte të cilat i nevojitën këtyre dy shkollave paralele njëra serbe, njëra “Pandeli Sotiri”, është shprehur Ibrahimi.

    Ky projekt i USAID ka kushtuar rreth 24 mijë euro./KP

  • ​Hoxha: Ftoj shqiptarët ta mbushin “Air Albanian” për sfidën me Ukrainën

    ​Hoxha: Ftoj shqiptarët ta mbushin “Air Albanian” për sfidën me Ukrainën

    Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht ditën e hënë përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Ukrainës (7 shtator, “Epet Arena”) dhe Gjeorgjisë (10 shtator, “Air Albania”), të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

    Në kuadër të këtyre dy sfidave të rëndësishme për kuqezinjtë, mesfushori Arbër Hoxha foli për objektivat e Shqipërisë në këtë kompeticion dhe se si po shkojnë përgatitjet e Kombëtares.

    Hoxha u shpreh se skuadra po përgatitet maksimalisht për të marrë rezultate pozitive në këto dy ndeshje të para të Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Mesfushori kuqezi vlerëson dy kundërshtarët ndërsa tregon objektivat e Kombëtares në këtë edicion të ri të Ligës së Kombeve, që është vendi i parë në grup. Ndër të tjera, Hoxha i bën thirrje tifozëve shqiptarë të jenë të pranishëm në stadiumin “Air Albania” në ndeshjen kundër Gjeorgjisë, më 10 shtator.

    “Së pari dua të fokusohemi te ndeshja e parë me Ukrainën, që e kemi më 7 shtator. Është një kundërshtar i fortë, ka lojtarë shumë cilësorë në radhët e veta. Kemi edhe disa ditë për të përgatitur ndeshjen dhe të fokusohemi 100% që të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje. Është një ndjenjë e madhe sepse është ndeshja ime e parë në stadiumin “Air Albania”. I bëj thirrje shqiptarëve që të jenë sa më të shumtë dhe të mbushin stadiumin”, ka thënë Hoxha.

    Objektivi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve?

    “ Duke marrë parasysh që është një mundësi shumë e mirë për Botërorin, pse mos të renditemi në vendin e parë. Kemi skuadra shumë të forta në grup, por ne do të japim maksimumin gjithmonë për kombëtaren tonë”, ka thënë Hoxha.

  • Agjencia e OKB-së për Motin paralajmëron “alarm të kuq” pas nxehtësisë rekorde

    Agjencia e OKB-së për Motin paralajmëron “alarm të kuq” pas nxehtësisë rekorde

    Rritja e temperaturave duhet të nxisë “alarm të kuq” global, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Mot dhe Klimë të mërkurën, pas rekordeve të thyera sërish në gusht.

    Bota ka regjistruar sërish rekord në temperaturat mesatare të gushtit, për herë të dytë radhazi, kanë treguar të dhënat preliminare të një agjencie të Bashkimit Evropian për Klimën.

    Australia, Japonia dhe disa pjesë të Kinës dhe Norvegjisë kanë regjistruar gushtin më të nxehtë ndonjëherë në histori, sipas agjencive meteorologjike.

    “Është e qartë se temperaturat po rriten përtej asaj që do të dëshironim”, ka thënë Celeste Saulo, udhëheqëse e Organizatës Botërore të Meteorologjisë.

    “Kjo po ndodh sepse veprimi ynë nuk është i mjaftueshëm”.

    Ndonëse temperatura e saktë mesatare globale për këtë gusht nuk dihet, Shërbimi i BE-së për Motin, ka thënë se shifra do të jetë mbi rekordin e vitit të kaluar – 16.82 gradë Celsius.

    Saulo ka bërë thirrje për monitorim më të mirë dhe mbështetje të agjencive për motin, meqë beson se “duhen më shumë burime”.

    Teksa ka marrë pjesë në një forum, ajo ka bërë të ditur se Singapori do të jetë qendër rajonale për monitorim të ndotjes së shkaktuar nga zjarret e tokave të punuara dhe tymit.

    Duke qenë vetëm njëra prej dy qendrave të tilla në botë, kjo qendër do të ofrojë informacion më kualitativ për zjarret dhe parashikimet për ndotje.

  • Rizvanolli në Forumin Strategjik të Bledit diskuton për zhvillimin në fushën e energjisë

    Rizvanolli në Forumin Strategjik të Bledit diskuton për zhvillimin në fushën e energjisë

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë pjesëmarrjes së saj në Forumin Strategjik të Bledit, është takuar me ministrin slloven të Mjedisit, Klimës dhe Energjisë, Bojan Kumer, dhe atë të Ekonomisë, Turizmit dhe Sportit, Matjaz Han.

    Gjatë takimit të ministres Rizvanolli me ministrin Kumer u diskutua për zhvillimin në fushën e energjisë, për rritjen investimeve dhe kapaciteteve të reja të energjisë së gjelbër dhe në veçanti për projektet e energjisë nga era.

    Ndërsa në takimin që ka zhvilluar me Ministrin Han, u diskutua për rritjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë, bashkëpunimin e ndërsjellë mes kompanive kosovare dhe sllovene, ku ministrja Rizvanolli e njoftoi për progresin që ka shënuar Kosova në zhvillimin ekonomik.

    Po ashtu, ministrja Rizvanolli theksoi se për të dytën herë sivjet në Slloveni, mikpritja ishte e ngrohtë dhe diskutimet produktive, ndërsa u shpreh se mezi pret që t’i mirëpresim në Kosovë, me shpresë që kjo do të jetë në kuadër të një forumi ekonomik të përbashkët.

    Ndërsa, dy ministrat slloven shprehen gatishmërinë dhe vullnetin për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik me Kosovën.

  • Ambasadori britanik: Pata një mëngjes interesant në Vushtrri, shpresoj ta vizitoj sërish

    Ambasadori britanik: Pata një mëngjes interesant në Vushtrri, shpresoj ta vizitoj sërish

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, raporton EO.

    Pas vizitës në komunë, kalanë e qytetit dhe përcjelljes së punimeve në sheshin “Adem Jashari”, ambasadori ka thënë se pati një mëngjes interesant me kryetarin Idrizi, më të cilin tha se diskutuan edhe për zhvillimin ekonomik të Vushtrrisë.

    Hargreaves ka shtuar se shpreson ta vizitojë sërish komunën e Vushtrrisë për t’i parë zhvillimet e ardhshme.

    “Ka qenë një ditë e mrekullueshme. Jam shumë mirënjohës ndaj kryetarit dhe ekipit të tij për mikpritjen e ngrohtë sot”.

    “Një mëngjes shumë interesant, patëm një diskutim interesant për ekonominë, për zhvillimin ekonomik në Vushtrri dhe përreth. I pamë edhe disa nga vendet historike të qytetit. Shpresoj që do ta vizitoj sërish dhe t’i shoh zhvillimet e ardhshme”, ka thënë ai për EO.

    Edhe kryetari i Vushtrrisë e ka cilësuar të veçantë vizitën e ambasadorit, për të cilën iu falënderua.

    “Sot është një ditë e veçantë për neve dhe qytetin e Vushtrrisë sepse kemi mysafir ambasadorin e Britanisë së Madhe, shkëlqesinë e tij, Jonathan Hargreaves. Fillimisht vizituam komunën, kalanë e qytetit dhe tani jemi këtu duke i përcjellur punimet në sheshin Adem Jashari. Është vizitë e veçantë e falënderoj ambasadorin shumë që ka gjetë kohë me i’u përkushtu komunës së Vushtrrisë sot”, ka thënë Idrizi.

  • ​BDI: Skandaloze qëndrimet e Vlen kundër gjuhës shqipe

    ​BDI: Skandaloze qëndrimet e Vlen kundër gjuhës shqipe

    Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që qëndrimet e hyzmeçarëve të VMRO dhe shkelësve të vullnetit të shqiptarëve, kundër gjuhës shqipe janë skandaloze dhe të papranueshme.

    Sipas BDI-së, çdo ditë, të parët e hyzmeçarëve, kryevazalët, dalin me qëndrime arsyetuese për deklaratën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese kundër gjuhës shqipe dhe përsërisin qëndrimet e VMRO DPMNEsë.

    “Ky hap do të jetë goditja e rradhës dhe më e rëndë që i bëhet Marrëveshjes së Ohrit, legjitimitetit etnik, barazisë në vend dhe marrëdhënieve ndëretnike. Darko Kostadinovski u zgjodh anëtar në Gjykatën Kushtetuese si propozim i VMRO DPMNE, konkretisht ish Presidentit Ivanov, ndërsa u bë kryetar në kohën e kësaj qeveria me legjitimitet monoetnik. Justifikimi nga VLEN dhe mediat e afërta me to për sakatosjen e gjuhës zyrtare shqipe është skandaloz dhe flet ata që janë të shitur, por edhe që po e shesin kombin shqiptar për pozitat e tyre. Presupozimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kryetarit të saj është presion politik mbi gjykatësit dhe bëhet me porosi nga qeveria me legjitimitet monoetnik për ti poshtërsuar shqiptarët”, thuhet në reagim.

  • Malaj: Po punojmë për skemë të re për pensione më të larta

    Malaj: Po punojmë për skemë të re për pensione më të larta

    Ministri i Financave të Shqipërisë, Petrit Malaj deklaroi sot se deri në fund të vitit parashikohet ulje e nivelit të borxhit me 0.7 % krahasuar me vitin 2023, duke çuar atë në nivelin 58.2 %.

    Gjatë një konference për shtyp, Malaj foli për performancë pozitive të ekonomisë gjatë këtij 7-mujori, ndërsa lajmëroi ndërmarrjen e një reforme në skemën e pensioneve, e cila siç theksoi ai ka nevojë për një skemë vizibile që siguron pensione më të larta për njerëzit.

    “Në fokus do të jetë përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave. Sfidë personale do të jetë adresimi i çështjeve të pensioneve, një çështje që na përket të gjithëve, pa ngjyrim majtas apo djathtas. Po punojmë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për të gjithë skemën e pensioneve, e cila nuk është në ditët më të mira të saj. Na duhet një skemë vizibile që siguron pesione më të larta për njerëzit”, tha ai.

    Ai foli dhe për sfidat tij si ministër Financash.

    “Përmirësimi i stabilitetit makroekonomik dhe administrimi prudent i buxhetit të shtetit dhe borxhit publik. Në fokus është përmirësimi i mbledhjes së të ardhurave, dhe alokimi i investimeve publike në ato sectorë që kanë kontributin më të madh në ekonomi.

    Në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, faktor të rëndësishëm do të luajë dixhitalizimi, përfshirja e inteligjencës artificiale, projekt për të cilin po punohet me Microsoft. Shpenzimet buxhetore do të orientohen e kanalizohen atje ku ka nevoja sociale, pa humbur fokusin në investimet në sektorë prioritare”, deklaroi Malaj./ATSH

  • ​Britania e Madhe dhe SHBA me opinione të ndara për Izraelin, kjo është arsyeja

    ​Britania e Madhe dhe SHBA me opinione të ndara për Izraelin, kjo është arsyeja

    Britania e Madhe dhe SHBA kanë opinione të ndara lidhur me politikat e tyre në lidhje me Izraelin dhe luftën e tij me Hamasin, pasi qeveria pezulloi disa shitje armësh në vend.

    Të hënën, Sekretari i Jashtëm David Lammy njoftoi se 30 nga 350 licencat e eksportit të armëve në Izrael do të pezulloheshin.

    Ky veprim shënoi divergjenca e parë e shitjes me shumicë të Mbretërisë së Bashkuar me SHBA-në që nga sulmet e 7 tetorit dhe erdhi ndërsa zyrtarët amerikanë po rikonfirmonin mbështetjen e tyre për Izraelin.

    Javën e kaluar, Kamala Harris i tha CNN se nuk do të lëkundet në mbështetjen e saj ndaj Izraelit.

    “Më lejoni të jem shumë e qartë. Unë jam e qartë dhe e palëkundur në angazhimin tim për mbrojtjen e Izraelit dhe aftësinë e tij për të mbrojtur veten,” tha ajo.

    Më pas, të martën, Matt Miller, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit tha se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar nuk kishte asnjë ndikim në SHBA dhe se ata nuk do të ndalonin shitjet e armëve.

    Ai tha: “Ata arritën në këtë përfundim. Ne kemi rishikime që janë në vazhdim”.

    Miller tha se të dy vendet kishin folur përpara njoftimit, por se qëndrimi i SHBA mbeti i pandryshuar.

    Duke u larguar nga një pyetje se si ndiheshin SHBA për vendimin e Mbretërisë së Bashkuar, Miller në vend të kësaj tha: “Mbretëria e Bashkuar është një vend sovran, është një vendim që përfundimisht ata duhet ta marrin.”/SkyNews

  • Krasniqi: 4 shtatori është datë historike për Kosovën

    Krasniqi: 4 shtatori është datë historike për Kosovën

    Deputetja Rrezarta Krasniqi, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, ka theksuar rëndësinë e 4 shtatorit si një datë historike për Kosovën, duke përmendur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në dhe Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilat forcojnë lidhjet e Kosovës me BE-në dhe SHBA-në.

    Ajo vlerëson rolin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në këto arritje, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të këtyre marrëveshjeve për të ardhmen euroatlantike të vendit.

    Postimi i plotë:

    4 shtatori është datë historike për Kosovën

    Nga shpallja e pavarësisë, dy marrëveshjet më të rëndësishme për Kosovën janë: Marrëveshja për Stabilizim Asociim me BE-në e vitit 2015 në Qeverinë Mustafa dhe Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020. E para vendos marrëdhënie kontraktuale formale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian sikurse çdo vend tjetër që aspiron anëtarësimin në BE. Ndërkaq, marrëveshja e dytë e vendos Kosovën në një tjetër trajektore të konsolidimit të shtetësisë dhe fuqizimit ekonomik.

    Marrëveshja e 4 shtatorit është historike sepse është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në shtëpinë që ka sjellë gjithmonë gjëra të mira për Kosovën.

    Kryeministri Avdullah Hoti do të mbetet në histori për Marrëveshjen e Washingtonit.

    Lidhja Demokratike e Kosovës është lidhja më e sigurtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Marrëveshjet në Shtëpinë e Bardhë i sjellin vetëm të mira Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet sepse është e domosdoshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

    Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!🇽🇰🇺🇸

  • Vizita e shefit të CIA-s në AKI – U zbulua pllaka me porosi të veçantë

    Vizita e shefit të CIA-s në AKI – U zbulua pllaka me porosi të veçantë

    Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI), në faqen e saj zyrtare ka njoftuar për vizitën dhe takimin që kreu i CIA-s, William Burns, kishte pasur me kreun e AKI-së, Petrit Ajetin, më 22 gusht.

    AKI ka bërë të ditur se në shenjë mirënjohjeje për SHBA-në, CIA-n dhe personalisht William Burns, në objektin qendror të AKI-së është vendosur pllaka simbolike ku janë të vendosura dy emblemat e dy agjencive, CIA dhe AKI.

    Pllakën e kanë zbuluar dy drejtorët, Petrit Ajeti dhe William Burns.

    Në këtë pllakë, përveç emblemave të dy agjencive, qëndron mesazhi që ia kishte transmetuar oficeri ushtarak amerikan Joseph Burns të birit të tij, William Burns-it: “Asgjë nuk mund të të bëjë më krenar sesa shërbimi me nder ndaj vendit tënd!”