ATV

Author: ATVLive

  • Minutat e Hoxhës – Sporti, fëmijët dhe shteti

    Minutat e Hoxhës – Sporti, fëmijët dhe shteti

    Shumica e emisioneve te futbollit janë shndërruar në panaire të budallallëkut, të llafeve palidhje, qyfte. Mirëpo, ata e kryejnë një funksion. Funksioni i shumicës së atyre që dalin në emisione të sportit është që të mos ketë në media analizë të meçme për sport, posaçërisht për futboll dhe kur nuk ka analizë të meçme, atëherë janë dy opsione:

    I pari – me ua leshu rrugën, për shkak se e di që nuk mundesh me argumentu në të njëjtën mënyrë, me të njëjtin fjalor dhe me të njëjtin decibelazh;

    I dyti – me sabër e me mirëkuptim të tentosh të shpjegosh pse jemi në këtë gjendje dhe pse viteve të ardhshme situata do të jetë më e keqe se që është tani.

    Tri zhvillime të muajve të fundit kanë treguar saktë se qysh i kemi punët në sport. E kemi një prej trajnerëve më të mirë të xhudos në botë, që e ka përpiluar një nga programet më të mirë kombëtare në botë dhe që na shpëtoi me fytyrë në Lojëra Olimpike.

    Qeveria dhe Komuna e Prishtinës i kanë shkelë të gjitha afatet e mundshme për themelimin e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare dhe kanë treguar që jemi shtet joserioz dhe jonormal.
    Dhe, kuptohet kërsiti një skandal i ri në futboll, e u pa fillimi i fundit të një gjenerate të futbollistëveeee.

    Vedat Muriqi i ka 30 vjet, Amir Rrahmani 30, Milot Rashica 28, , Valon Berisha 31, në tetor Fidan Aliti i mbush 31 e Leart Paçarada 30.

    Në kushte normale kishim thënë që shkoi kjo gjeneratë dhe vjen tjetra dhe jemi në rregull, por në Kosovë nuk jemi në rregull. Infrastrukturën sportive e kemi të keqe, trenerat i kemi të këqij, sistemin arsimor e kemi për faqe të zezë. Sukseset në sport në planin afatgjatë e kemi edhe më vështirë ti arrijmë sepse fëmijët i kemi tupa, edhe kemi më pak se në të kaluarën. Kjo është tema më e rëndësishme për të cilën kush s flet. Mw pak kemi potencial për sportistë cilësorë.

    Qe një parametër – çdo e dyta cikë e re që shkon në klasë të gjashtë është e trashë ose shumë e trashë. S më besoni mua – qe njeri!

    46% e nxënëseve të klasës së gjashtë janë mbipeshë ose obeze. Reagimi i parë është: A kanë more këto cika të reja nënë a babë a, a shikon kush çka pinë, çka hanë, a rrinë, a ngajnë… a veç i lëmë gjithë ditën me shiku budallë edhe prostituta në tiktok.

    Përgjegjësia e prindërve është një gjë – mirëpo, nuk është përfundimtare.

    Qe ky tjetri, shefi i atij të parit.

    Pra, edhe nëse prindërit i lejojnë fëmijët e tyre të trashen e të deformohen, telashja është më e thellë. Nuk e di cilët talent e kanë shkarravitë, e cilët idiotë e kanë miratu një planprogram shkollor ku fëmijët i kanë dy orë edukatë fizike në javë, mirëpo, tash ka të dhëna shkencore që kanë bërë shumë dëm të madh.

    Edhe dëmi nuk ndalet këtu. Qe shefi i ri i krejt këtyne.

    Ky dëm është i pariparueshëm dhe shkaktohet përkrah dëmit të madh që testi PISA e dëshmon vazhdimisht.

    E pariparueshme është edhe gjendja e infrastrukturës sportive në vend dhe është menduar që më në fund e kemi një zgjidhje…

    Kur Prishtina e fitoi të drejtën e për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Qeveria e kishte një plan super ambicioz, që ti shpërndajë ato në krejt Kosovën, qe besa edhe në Shqipëri dhe kështu të investojë 200-300 milionë Euro për pesë vjet dhe të kemi infrastrukturë sportive për 4 dekadat e ardhshme.

    Mirëpo, në vikend janë bërë një vit që kur iu dha Prishtinës, gjegjësisht Kosovës e drejta ti organizojë Lojërat Mesdhetare dhe shteti me komunën nuk janë marrë vesh ende se kush çka ka me punu. Shteti dhe komuna që një vjet nuk e kanë themeluar as komitetin organizativ të lojërave.

    Shteti dhe komuna, për shkak të inateve të tyre, nuk e kanë shkru asnjë fjali në plan, nuk e kanë vizatu asnjë vijë në projekt, nuk e kanë shtru as një rend beton, nuk e kanë qitë asnjë tullë, për një vjet.

    Për më tepër, meqë këta nuk merren vesh ndërmjet vete, tash si duket vëllezërit grekë dhe mesdhetarë duhet të na pajtojnë midis vete.

    Diku kah fundi i këtij muaji pritet që sërish në Greqi të ketë takim ndërmjet Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, dhe dëgjoni mirë: Qeverisë së Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

    Lojërat Mesdhetare nuk i nënkuptojnë veç 200-300 milionë Euro në infrastrukturë sportive. Në kushte normale do të duhej të organizoheshin kampionate ballkanike e evropiane si ngjarje testuese nga 2028-a e tutje. Do të duhej të krijoheshin kuadro për pritje, organizim, mjekësi sportive, teknologji, transmetime dhe kuptohet, meqë në Lojëra Mesdhetare garojnë 26 shtete, me më shumë se gjysma nuk e kanë njohur Kosovën, duhet të kemi kontakte diplomatike me to.

    Çdo ditë që janë kah zvarriten punët për organizimin e tyre, kushton në të gjitha aspektet!

    Kosova s ka stadium nacional, s ka arenë nacionale të sporteve me dorë, s ka qendër kombëtare të atletikës, nuk ka bazen olimpik, ka marrë obligim ti ndërtojë këto objekte deri më 2030 dhe as që ka nisë diçka.

    Është një dallim themelor ndërmjet Albin Kurtit e Agim Ademit – ose ndërmjet krerëve të institucioneve dhe krerëve të federatave.

    A është përgjegjësi e federatave kur humbin ekipet kombëtare? Natyrisht që po! Ama prej Presidentëve të federatave përgjegjësi kërkon anëtarësia.

    Nëse krejt klubeve të futbollit në këtë vend, iu pëlqen Agim Ademi, shkojmë tutje, në rregull jemi.

    Nëse krejt klubeve të basketbollit iu pëlqen Arben Fetahu – #neshkojmeperpara, s’ka pse të zgjatet. Po edhe nëse gjysmës së klubeve të ping pongut nuk iu pëlqen Nehat Çitaku, e ai fiton 18:17 në Kuvend – njeri është Kryetar dhe këtu diskutimi mshelet!

    Në anën tjetër për sistem të keq arsimor, për infrastrukturë të keqe, për mungesë të investimeve kapitale në sport – fajet i ka shteti, i ka Qeveria ose Komuna! Eh këtu përgjegjësi kërkojnë qytetarët!

  • ​Silvinjo: Kombëtarja është e hapur për çdo shqiptar

    ​Silvinjo: Kombëtarja është e hapur për çdo shqiptar

    Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës përballë Gjeorgjisë mbrëmjen e sotme në “Arenën Kombëtare”, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Në konferencën përpara ndeshjes, trajneri i Kombëtares, Sylvinho u shpreh se të gjithë lojtarët janë gati dhe se pret një ndeshje të bukur në Tiranë.

    “Do mundohemi të bëjmë një përfaqësim sa më të mirë. E kam thënë që ky është një grup i ekuilibruar. Ukraina është shumë e fortë. Gjeorgjia gjithashtu dhe trajneri ka bërë një punë të mirë. Çdo trajner e përgatit skuadrën për ta fituar. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur, stadiumi do të jetë plot. Ne duam të përfaqësojmë sa më mirë kombin në ndeshjen e nesërme.

    Përgjatë një ndeshje mund të bësh 5 ose 2 ndryshime në varësi të situatave. Skuadra ishte e vendosur mirë me Ukrainën. Është kohë shumë e vogël për të rikuperuar për lojtarët. Sot do të jetë stërvitja e parë pas kthimit nga Praga. Gjithë stafi dhe ne do të vendosim se cilët do të jenë lojtarët e duhur për t’u hedhur në fushë.

    Do të shohim gjendjen fizike të lojtarëve. Kemi 23 lojtarë të gatshëm, të gjithë janë në formë të mirë. Është akoma shumë herët, ndoshta nesër pas drekës do të kemi një pamje më të gjerë.

    Prej një viti e gjysmë qëkur kemi bërë ndeshjet me Kombëtare, kemi nisur me skemën 4-3-3. Uzuni atë kohë ka luajtur si sulmues krahu, tani e kemi thirrur si sulmues qendre. E njëjta gjë ka ndodhur me Bajramin, e kemi thirrur si mesfushor krahu dhe më pas është spostuar në qendër. E kemi nisur me 4-3-3, por është transformuar dhe si 4-2-3-1 dhe gjatë lojës është kthyer në 4-2-2-2. Por do të vendoset në bazë të gjendjes së lojtarëve. Bajrami është lojtarë që ka nevojë për hapësirë, i kemi mundësitë dhe çdo gjë do të vendoset më pas.

    Është bërë një punë e mirë nga stafi. Lojtarët e dinë që duhet të sjellin shumë forcë dhe të posedojnë topin, sepse futbolli të konsumon shumë energji. Dua të rikujtoj një shprehje të Klopp. Nëse nuk bën gabime nuk ke pse kthehesh në mbrojtje. Gjithsesi Gjeorgjia është shumë e fortë. Shumë e bukur për t’u parë, shumë e organizuar dhe besoj se do të jetë një ndeshje vërtet e bukur.

    Kvara si Maradona? Nuk dua të futem në krahasime të tilla. Ai është fantastik, por Gjeorgjia ka dhe shumë lojtarë të tjerë të mirë. Ai nuk është krahasim i duhur, por Kvara është një lojtar klasi. Është nder të luash kundër tij, njësoj siç ishte kur luajtëm kundër Lewandowskit. Ne kemi lojtar të mirë gjithashtu që mund do të arrijnë në po atë nivel.

    Ne kemi studiuar dhe e kemi parë prej muajsh ekipin e Gjeorgjisë. Të tre kundërshtarët e grupit janë të fortë, por diferenca mes Gjeorgjisë dhe të tjerët është që në Europian, ata u kualifikuan nga grupi. Do të jetë një ndeshje e vështirë. Mendoj se ata si ekip janë rritur shumë. Doja t’i jepja komplimente skuadrës, trajnerit dhe federatës së Gjeorgjisë. Gjithashtu dhe ne po rritemi shumë. Mendoj se do të bëjmë një ndeshje shumë të mirë. Në momentin që nis ndeshje janë 90 minuta që duhen të luhen.

    Manaj, Laçi dhe Ismajli? Më pëlqen që ne kemi krijuar këtë marrëdhënie mes nesh ku mund të diskutojmë dhe të ndajmë shumë gjëra bashkë. Futbolli është si jeta dhe mund të kthehet si mundësi më vonë. Gjimshiti nuk ishte pjesë e Euro 2016 dhe në Euro 2024 ishte kapiten i Kombëtares. Nuk kam asgjë personale me lojtarët. ‘Rikujtoj një shprehje të Ancelottit. Një lojtar mund të mërzitet me mua si trajner, por jo me mua si Carlo’. Kujtoj se kemi bërë një Europian të bukur, ku mund të pësonim 4-5 gola. Unë e shoh si një cikël i ri që duhet të përmirësohet. Kombëtarja është e hapur për të gjithë. Tashmë kemi sjellë Zekën dhe Spahiun. Më pëlqen që lojtarëve i është krijuar ideja që duhet të përmirësohen për të qenë pjesë e formacionit.

    Nuk mund të bëj krahasime me 2 vite përpara. Të dyja ekipet kanë ndryshuar shumë. Do të jetë një ndeshje e fortë. Ata kanë lojtarë dhe një trajner shumë të mirë. Ne do të futemi në lojë për të bërë një paraqitje të mirë. Nuk mund të bëj një parashikim, por besoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur.

    E kam parë ndeshjen e Gjeorgjisë me Rep. Çeke. Grupi është i balancuar. Nuk ka ndonjë ekip që mund t’i fitojë të gjitha ndeshjet. Rep. Çeke dhe Gjeorgjia e njohin mirë njëra-tjetrën. Ky është një kompeticion shumë i vështirë, duke parë që luhet për vetëm tre muaj. Por deri në nëntor kemi shumë kohë përpara”, u shpreh Sylvinho. /TCH/

  • ​Ligji për KPMShC dërgohet për dekretim pa nenet e rrëzuara nga Kushtetuesja

    ​Ligji për KPMShC dërgohet për dekretim pa nenet e rrëzuara nga Kushtetuesja

    Komisioni për Administratë Publike e ka dërguar për dekretim te presidentja, Vjosa Osmani Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, pa shtatë nene të cilat Kushtetuesja i vlerësoi si të pavlefshme. Deputetë të opozitës thanë se partia në pushtet ka shkelur qëllimshëm Kushtetutën, pavarësisht paralajmërimeve se ky ligj ka shkelje.

    Kryetari i Administratës Publike, Valon Ramadani tha se Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës procedohet për dekretim nga presidentja.

    “Me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastet KO232/23 dhe KO233/23 të datës 23 korrik të vitit 2024 lidhur me Ligjin numër 08L180 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit 06L048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Në bazë të nenit 91, paragrafi 2 të rregullores së Kuvendit, kërkohet nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal që në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të përgatis tekstin e ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës pa nenet e shpallura të pavlefshme, neni 2, 6, 7,8, 9, 10 dhe 11 ”, deklaroi ai.

    Mbi dhjetë shkelje kushtetuese, siç tha deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku i ka bërë partia në pushtet.

    “Ne kemi kritikuar vazhdimisht këtë qeveri që ka ardhur me stupcë në krahë për arsye se e ka kundërshtuar qëllimshëm edhe duke e ditur që do të ketë shkelje kushtetuese. Dhe nuk është hera e parë që kemi një shkelje kushtetuese, janë mbi 10 shkelje kushtetuese që qeveria dhe mazhoranca në këtë legjislaturë në krye me Vetëvendosjen e ka sjellur vendin tonë… Me këtë aktgjykim realisht LVV me prapaskenë Dejona Mihallin dhe shumë të tjerë kanë dashur që të kapin këto institucione dhe të denigrojnë shërbyesit civil duke ja larguar edhe kompetencat”, deklaroi Lushtaku.

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu deklaroi se pozita me vetëdije ka shkelur kushtetutën me aprovimin e këtij ligji.

    “Gjatë gjithë procesit në gjitha fazat kemi tërhequr vërejtjen se komisioni është në tentativë të shkeljes së Kushtetutës, në aprovimin e disa neneve në projektligjin e cekur. Megjithatë ky komision ka vazhduar dhe e ka proceduar në kuvend po ashtu edhe në kuvend është tërhequr vërejtja se me aprovimin e këtij ligji po shkelet Kushtetuta, prapë se prapë nuk është dëgjuar zëri i opozitës. Jemi në shkelje të Kushtetutës dhe si komision sot ne jemi në humbje të kohës”, u shpreh ai.

    Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani tha se kërkuar që të ftohet në raportim bordi i RTK-së, për të raportuar lidhur me shkrimin kundër portaleve.

    “Në muajin korrik ne kemi kërkuar nga kryetari, i kemi informuar të gjithë por bashkë me Mërgim Lushtakun në emër të anëtarëve që jemi të PDK në këtë komision që të thirret një mbledhje dhe të raportojë bordi i RTK-së lidhur me shqetësimet të cilat janë në opinion, i kemi parë gjatë këtyre muajve që kanë qenë shqetësime mjaft të mëdhaja, jo vetëm të opinionit publik duke përfshirë shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. Ky shqetësim është jashtëzakonisht i madh, kemi dorëheqje të anëtarëve të bordit, drejtorit të përgjithshëm. Kemi deklarime që janë të përfshirë edhe AKI-ja në lajmet e rreme të pa sakta, të pa verifikuara”, u shpreh ai.

    Më 20 tetor 2023 deputetët e LDK-së depozituan rastin në Gjykatën Kushtetuese duke argumentuar dhe faktuar të gjitha shkeljet kushtetuese të këtij Ligji. /kp

  • Fillon seanca për plagosjen që ndodhi në muajin mars mes Sekiraqëve dhe Capave, i dyshuari paraqitet në gjykatë me jelek antiplumb

    Fillon seanca për plagosjen që ndodhi në muajin mars mes Sekiraqëve dhe Capave, i dyshuari paraqitet në gjykatë me jelek antiplumb

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca për rastin e plagosjes që ndodhi në muajin mars mes Sekiraqëve dhe Capave.

    I akuzuari, Shkumbin Sekiraqa, djali i Salih Sekiraqës, është paraqitur në gjykatë me jelek antiplumb. /atvlive.tv

  • ​Asllani: Te Shqipëria kam më shumë liri se te Interi

    ​Asllani: Te Shqipëria kam më shumë liri se te Interi

    Në prag të ndeshjes së Ligës së Kombeve të Shqipërisë kundër Gjeorgjisë së Kvicha Kvaratskhelia, Kristjan Asllani foli në konferencën për shtyp Kush e prezantoi kështu kundërshtarin e mbrëmjes.

    Ai ka thënë se fitorja ndaj Ukrainës duhet harruar dhe fokusi të jetë tek Gjerogjia pasi ata janë një ekip në rritje, përcjellë KosovaPress.

    “Gjeorgjia është një ekip i madh dhe po rritet. Ne u përgatitëm mirë, duhet të harrojmë ndeshjen kundër Ukrainës dhe të shohim përpara. Objektivi ynë është të mbledhim sa më shumë pikë Kemi një grup të fortë, e dimë se çfarë synojmë”, tha Asllani, përcjellë KosovaPress.

    Por a do ta vlerësojë trajneri i Interit Simone Inzaghi pozicionin në të cilin luan Asllani në kombëtare? “Nuk e di, mendoj se është normale që trajneri të shikojë ndeshjet e mia. Marcelo Brozovic luajti në Inter dhe unë e luajta atë rol. Vetëm këtu jam më i lirë. Kur luaj afër golit është më e lehtë për mua, por nuk kam shënuar shumë gola”, tha në fund ai.

  • Prokuroria kërkon dënimin e zyrtarit policor të akuzuar për marrje ryshfeti, mbrojtja lirimin e tij

    Prokuroria kërkon dënimin e zyrtarit policor të akuzuar për marrje ryshfeti, mbrojtja lirimin e tij

    Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, prokurorja Ardita Beqiraj-Hyseni në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënimin e të akuzuarit Fidan Mati, kurse mbrojtësi i tij, avokati Korab Bokshi kërkoi lirimin e Matit.

    Në këtë rast, Fidan Mati akuzohet se në cilësinë e zyrtarit policor ka marrë 100 euro nga e dëmtuara A.F., të cilën e kishin ndaluar për tejkalim të shpejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Prokurorja Beqiraj-Hyseni tha se pas mbajtjes së seancave të kësaj çështjeje dhe administrimit të provave, ka ardhur në përfundim se është vërtetuar që i akuzuari Mati ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

    Ajo kërkoi që t’i falet besimi i plotë deklaratave të dëshmitarëve dhe të dëmtuarës, të cilat i cilësoi të ligjshme dhe të besueshme.

    Beqiraj-Hyseni i propozoi gjykatës që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe si rrethanë rënduese ta marrë dashjen, faktin se i njëjti është person zyrtar dhe prishjen e imazhit të Policisë së Kosovës, ndërsa si rrethanë lehtësuese ta marrë sjelljen korrekte gjatë shqyrtimit gjyqësor, si dhe në fund propozoi që gjykata t’i shqiptojë edhe dënim plotësues.

    Ndërsa, avokati Bokshi tha se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, se provat janë të pamjaftueshme dhe se ato nuk janë të besueshme.

    Në fund i propozoi gjykatës që ta aplikojë parimin “in dubio pro reo” dhe ndaj të mbrojturit tij të merret aktgjykim lirues.

    Në seancën e mbajtur më 4 shtator 2024, i akuzuari Mati ishte deklaruar i pafajshëm.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë më 6 nëntor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fidan Mati, të cilin po e akuzon se në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Gjakovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar të holla në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se zyrtari policor Flamur Frrokaj e kishte ndaluar automjetin të cilin po e drejtonte A.F. dhe e kishte njoftuar të njëjtën se e kishte tejkaluar shpejtësinë nga 50km/h ku ishte duke vozitur në 80km/h, dhe se asaj duhet t’i shqiptohet gjobë 300 euro dhe t’i konfiskohet patentë shoferi për 6 muaj.

    Sipas aktakuzës, e dëmtuara njofton zyrtarin policor se jeton jashtë vendit- në Zvicër dhe kërkon nga zyrtari policor mos t’ia marrë patentë shoferin, ku i njëjti e drejton të dëmtuarën të shkojë tek kolegu i tij, i pandehuri Mati i cili ishte në veturën e policisë.

    Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara kur afrohet tek automjeti i policisë, i pandehuri Mati ia kërkon 300 euro, teksa e njëjta ishte përgjigjur se 300 euro nuk i ka por vetëm 100. Ai ishte pajtuar me këtë shumë të të hollave dhe e udhëzon që këto të holla t’i fut në librezë dhe mos ta vërejë askush.

    Gjthnjë sipas aktakuzës, e dëmtuara shkon në veturën e saj. i merr 105 euro dhe i vendos në librezë, më pas ia jep të pandehurit Mati, ndërsa pasi ai i pranon këto të holla, ia kthen librezën duke mos i dhënë asnjë dëshmi-dokument, për këtë lloj pagese.

    Për këtë, i akuzuari Mati po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par 1. të Kodit Penal.

  • U rrëzua nga Gjykata Kushtetuese – Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil procedohet pa 7 nene

    U rrëzua nga Gjykata Kushtetuese – Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil procedohet pa 7 nene

    Komisioni Për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ka diskutuar për rrëzimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese për Komisionin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil, raporton EO.

    Ligji u procedua për shpallje nga presidentja pa nenet 2,6,7, 8,9,10,11, të cilat janë shpallur në kundërshtim nga Gjykata Kushtetuese.

    Kryetari i këtij komisioni, Valon Ramandani, ka kërkuar që në përputhje me aktgjykimin, të përgatitet teksti i ligjit për ndryshim.

    “Kërkohet nga komisioni funksional që në përputhje me aktgjykimin të përgatisë tekstin e ligjit për ndryshim, sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e Kuvendit”.

    Sipas deputetit të PDK-së, Isak Shabani, ky ligj në kundërshtim me Kushtetutën ka pasur qëllim marrjen e kompetencave nga Këshilli Prokurorial.

    Krahas kësaj, Shabani ka kërkuar të flitet edhe për dorëheqjet e Bordit të RTK-së.

    “Ka vonesa të pakuptueshme me fillimin e komisioneve. Sot është thirrur mbledhja vetëm me një pikë të rendit të ditës edhe pse kemi pasur edhe pika për të diskutuar. Ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën. E dimë që qëllimi i atij ligji ka pasur me marrë shumë kompetenca nga Këshilli Prokurorial, kjo e ka vërtetuar që kërkesa e grupit parlamentar ka qenë e arsyeshme. Kemi miratuar projektligj në kundërshtime me Kushtetutën e Republikës. Në muajin korrik kemi kërkuar kryetarit që me u mbajt një mbledhje me bordin e RTK-së në lidhje me shqetësimet në opinion. Ky shqetësim është jashtëzakonisht i madh, kemi dorëheqje të anëtarëve të bordit”.

    Ndërsa, për vonesat, Ramadani ka thënë se nuk mund të ketë mbledhje pa nisur sesioni i Kuvendit.

    “Së paku në disa çështje duhet të hulumtohet, nuk ke drejtë me thirrë në komision përveçse nëse ke 40 nënshkrime. Nuk kemi drejtë me kërkuar mbledhje derisa fillon sesionin. Dje ka filluar komisioni, jemi në mbledhjen e parë që po mbahet dhe është mirë që të shikohet rregullorja. Kushdo që ka nënshkrime ne jemi të gatshëm me thirr në raportim.

    Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se disa herë kanë tërhequr vërejtjë se komisioni ka tentativë për shkelje të Kushtetutës, por zëri i opozitës nuk është dëgjuar.

    “Kjo mbledhje është thirrur si mbledhje e rregullt, por më intereson me ditë a ka të drejtë në mbledhje të tilla deputeti me ngrit edhe një çështje tjetër gjatë gjithë procesit e kemi tërhequr vërejtjen se komisioni ka tentativë për shkelje të Kushtetutës, por prapë se prapë nuk është dëgjuar zëri i opozitës, sot jemi në humbjen e kohës, shumë lehtë me procedurë me projektligj nga ky komision pa shkelje”, ka thënë Veliu.

    Ndërsa, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se kjo qeveri ka mbi 10 shkelje kushtetuese e se “pikërisht me këtë aktgjykim, Vetëvendosje me prapaskenë, Dejona Mihali ka dashur të kap këto institucione”.

    “Është fundi i mandatit të kësaj qeverie, secili jemi përgjegjës për punët dhe angazhimet dhe për shkeljet kushtetuese. Kjo qeveri që ka ardhur me stupc në krahë ka kundërshtuar qëllimshëm Kushtetutën, ka mbi 10 shkelje kushtetuese. Pikërisht me këtë aktgjykim, Vetëvendosje me prapaskenë, Dejona Mihali ka dashur të kap këto institucione. Ne po duhet të kthehemi prapa me keqardhje, duhet të kthehemi nga tre-katër herë me një ligj vetëm për t’iu bindur që keni bërë shkelje kushtetuese”, ka thënë Lushtaku, raporton EO.

  • ​KDI: Zgjedhjet pritet të ndikojnë në performancën e sesionit vjeshtor të Kuvendit

    ​KDI: Zgjedhjet pritet të ndikojnë në performancën e sesionit vjeshtor të Kuvendit

    nstituti Demokratik i Kosovës(KDI) e ka vlerësuar të dobët sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës. Sipas tyre, në këtë sesion ka dështuar mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit, si dhe ka vazhduar trendi i mungesës së kuorumit në seanca plenare. Në anën tjetër potencuan se zgjedhjet e caktuara më 9 shkurt 2025, pritet të ndikojnë në performancën e sesionit vjeshtor të Kuvendit.

    Hulumtuesja në KDI, Violeta Haxholli, në konferencë për medie të martën, tha se mazhoranca gjatë sesionit pranveror ka miratuar 36 projektligje nga të cilat vetëm 1 për qind janë të agjendës legjislative të vitit 2024.

    “Gjatë sesionit pranveror, Kuvendi ka shfaqur mangësitë e zakonshme. Seanca të cilat janë zhvilluar apo kanë përfunduar në mungesë të kuorumit, deputetë të cilët kanë munguar kanë pamundësuar përfundimin e seancave, mbikëqyrje e ulët dhe pak ligje në krahasim me sesionet e kaluara… Vetëm tre projektligje nga ato që janë miratuar në sesionin pranveror janë të agjendës së qeverisë të vitit 2024. Më pak se 1 për qind e agjendës legjislative të këtij viti është përmbushur, ndërkaq rreth 99 për qind të kësaj agjende mbetet për trajtim gjatë sesionit vjeshtor. Nga projektligjet e miratuara 20 prej tyre janë marrëveshje ndërkombëtare ndërkaq janë 15 projektligje dhe një projekt-kod që rregullojnë tema dhe çështja të ndryshme…Sa i përket rolit mbikëqyrës të Kuvendit, ky rol nuk është përmbushur kënaqëshëm përgjatë këtij sesioni. Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe deputetët nuk kanë ftuar asnjëherë për raportim kryeministrin. Nuk është organizuar ndonjë interpelancë ndaj kryeministrit apo ministrave”, tha ajo.

    Ai theksoi se zgjedhjet e caktuar parlamentare më 9 shkurt 2025, do të ndikojnë në performancën e sesionit vjeshtor të Kuvendit, megjithatë kërkoi nga deputetët që të jenë të përgjegjshëm.

    “Zgjedhjet do të ndikojnë shumë në performancën e sesionit vjeshtor, megjithatë duke pasur parasysh se kanë mbetur shumë pika të pa trajtuara nga sesioni pranveror siç e keni pa edhe seanca e kësaj të enjte është me pika të bartura. Deputetët duhet t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe këtyre përfundimit të këtyre pikave. Krahas fushatës zgjedhore që do të karakterizojë këtë sesion duhet të tregohet një nivel më i lartë i përgjegjshmërisë së deputetëve”, shtoi ai.

    Krahas këtyre, Haxholli kërkoi rol më proaktiv të kryeparlamentarit Glauk Konjufca për shqiptimin e sanksioneve në rastet kur deputetët apo ministrat shkelin rregullat e Kuvendit.

    Ajo theksoi se në sesionin pranveror në Kuvend ka pasur 525 mungesa, apo 24.3 për qind e deputetëve kanë munguar./KP/

  • Deschamps ka besim se Mbappe do t’iu rikthehet golave

    Deschamps ka besim se Mbappe do t’iu rikthehet golave

    Trajneri i Francës, Didier Deschamps, tha se ai nuk ka shqetësime për formën e Kylian Mbappes dhe pret që sulmuesi i ri i Real Madridit të rikthehet tek golat sapo ta gjejë formën e tij optimale.

    Pasi Franca hapi fushatën e saj në Ligën e Kombeve me një humbje 3-1 nga Italia në Paris, Deschamps vendosi një ekip startues shumë më ndryshue kundër Belgjikës të hënën, me Mbappe dhe Antoine Griezmann që mbetën në stol në fitoren e tyre 2-0.

    Mbappe pati vështirësi në Euro 2024 pasi theu hundën kundër Austrisë dhe priti katër ndeshje përpara se të shënonte golat e tij të parë në ligë për Real Madridin pas lëvizjes së tij nga Paris St Germain.

    “Ekipi francez do të jetë gjithmonë më i fortë me të dhe jam i bindur se brenda një muaji ai do të jetë më i mirë”, tha Deschamps. “Ka kërkesa shumë të larta në klubin e tij. Nuk kam asnjë shqetësim me Kylian”, shtoi ai, përcjellë KP.

    Deschamps thotë se ai po përdor Ligën e Kombeve si një platformë për të zgjeruar grupin e talenteve që ka në dispozicion dhe planifikon të vazhdojë në këtë rrugë pavarësisht nga rezultatet.

  • SBAShK-u me nismë për mbledhjen e nënshkrimeve, kërkon ndryshime të skemës pensionale

    SBAShK-u me nismë për mbledhjen e nënshkrimeve, kërkon ndryshime të skemës pensionale

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se kanë iniciuar një nismë për mbledhjen e nënshkrimeve për ndryshimin e skemën pensionale në vend, raporton EO.

    Sipas tij, kjo nismë ka për qëllim që punëtorëve të arsimit viteve te 90-ta t’u llogariten si vite kontributdhënëse, ndërsa është i bindur në mbledhjen e mbi 10 mijë nënshkrimeve.

    “Duke respektuar qëndrimet e përfaqësueseve të SBAShK-ut që nga çerdhet e deri në universitet, kemi ardhur me një përfundim të fillojmë me një nismë me mbledhjen e nënshkrimeve nga anëtarësia jonë por edhe nga qytetarët që t’i drejtohemi Kuvendit të Kosovës që të ndërrojnë pjesën e ligjit për skemën pensionale. Kohëve të fundit me ndryshimin e bërë janë mohuar te drejtat e punëtorëve të arsimit”, ka thënë Jasharaj, teksa shpreh bindjen se ligjvënësve do t’u dërgohen më shumë se 10 mijë nënshkrime.

    “Kjo nismë ka për qëllim që t’i kthehet e drejta që e ka bërë vet parlamenti punëtorëve të arsimit viteve te 90-ta që këto vite te jenë vite kontributdhënëse që të marrin pensionin e plotë që do të ndihmonte jo vetëm punëtorëve të arsimit po të gjithë sektorët publike, që të arrijnë kriterin për 15 vite. Jam i sigurt se jo vetëm 10 mijë po shumë më shume nënshkrime do të mblidhen për nja afat shumë të shkurtër dhe do t’ia dërgojmë organeve përgjegjëse”, ka thënë Jasharaj.