ATV

Author: ATVLive

  • Kurti: Çdo diskriminim ndaj grave duhet të luftohet

    Kurti: Çdo diskriminim ndaj grave duhet të luftohet

    Lëvizja Vetëvendosje sot mbajti mbledhjen e katërt të Këshillit të Përgjithshëm të organizatës “Gratë për Vetëvendosje”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se çdo diskriminim ndaj grave duhet të luftohet dhe sipas tij, gjërat mund të bëhen më ndryshe, më drejtë, që të mos jenë përballë me burrat, por krahë njërit-tjetrit.

    “Mbledhjet e këshillit janë me më rendësi se të gjitha të tjera, është thelbësore për të diskutuar hapur dhe dashamirësi. Meqë po mblidhemi në një kohë qe nga zgjedhjet na ndanë më pak se pesë muaj është e udhës të diskutojmë. Kur flasim për barazi mes njerëzve ndonjëherë mund të duhet sikur vështirë e arritshme, por kjo nuk është e vërtetë. Kjo pabarazi na është trashëguar dhe na është mirëmbajtur kryesisht nga burrat. Kur gratë kanë sukses, e dimë që ato janë përpjekur dy herë më shumë se burrat, ndërsa kur burrat kanë sukses, ata zakonisht janë ndihmuar nga gratë. Pra gratë janë mbështetëse të suksesit të burrave”, ka theksuar Kurti.

    Tutje, Kurti ka theksuar se roli i shtetit është dhe ka qenë aktiv në mbrojte të grave, që padrejtësisë konsiderohen me pak të rëndësishme.

    “Një ndërhyrje është t’i edukojnë fëmijët në frymën gjinore, edukimin e fëmijëve duhet ta bëjnë gjithëpërfshirës. Gjerat mund të bëhen më ndryshe më mirë dhe më drejtë që gratë mos të jenë përpara por përkrahë njërit-tjetrit. Roli i shtetit është dhe ka qenë aktiv në mbrojte të grave, që padrejtësisë konsiderohen me pak të rëndësishme. Ne jemi votuar nga gratë për shkak se përfaqësojmë këtë bindje. Gratë nuk duhet të diskutojnë vetëm në çështje gjinore por edhe politike, ekonomike, në çdo temë të përfshihen edhe gratë.

    Për herë të parë kemi prezantuar shtesat për fëmijë 410 mijë dhe për lehona 60 mijë. Për herë të parë kaq shumë vajzë dhe gra te punësuar. Kur kemi parasysh qe këto tre vite i patëm kërcënimet më të mëdha në vendin tonë bëhet e qartë sa i jashtëzakonshëm është avancuar vendi ynë. Nuk kemi pasur asnjëherë më shumë kohë për të përgatitur për zgjedhje se sa tani, nuk kemi pasur përkrahje se sa tani, mund të krenohemi për përparimet që ka bërë Kosova.”, ka thënë Kurti.

  • PDK-ja i përgjigjet Brestovcit për mbeturinat: Nuk do të mund t’i manipuloni 70 milionë euro

    PDK-ja i përgjigjet Brestovcit për mbeturinat: Nuk do të mund t’i manipuloni 70 milionë euro

    Leutrim Retkoceri, shefi i asamblistëve të PDK-së në Komunën e Prishtinës, ka reaguar ndaj akuzave të drejtorit të Shërbimeve Publike në Kryeqytet, Bekim Brestovci, siç tha ai, kthim në gjendjen e mjerueshme të qytetit në raport me pastrimin.

    Retkoceri, në një postim në Facebook, ka deklaruar se Komuna e Prishtinës nuk do të mund t’i keqpërdorin paratë që shkojnë për KRM “Pastrimi”

    “Interesi publik mbi të gjitha! Kuvendi i Kryeqytetit i tha po mbrojtjes së ndërmarrjes publike, duke kryer detyrën që ka për ta ndihmuar ardhjen e pjesës së parë financiare prej 24.1 milionë euro nga total 70 milionë sa janë zotuar nga qeveria gjermane dhe BE për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet”.

    “Ata që qeverisin sot me Prishtinën e me menaxhimin e mbeturinave që kanë qëllim falimentimin e ndërmarrjes publike KRM “Pastrimi” dhe janë të lidhur ngushtë me kompani private që i shpërblyen me miliona euro dhe kontrata njëburimore kanë arsye të shqetësohen, sepse as 24.1 milionë euro e as 70 milionë nuk do të mund t’i manipulojnë dhe t’ua shpërndajnë kompanive të ‘dostave’”, ka thënë Retkoceri.

    Tutje, ai ka thënë se ndihma e madhe prej 70 milionë euro do të jetë reforma që i duhet pastrimit të regjionit të Prishtinës nga mbeturinat.

  • BE-ja analizon agjendën e reformave të vendeve të Ballkanit para pagesave të para, mbi 800 milionë euro në pyetje për Kosovën

    BE-ja analizon agjendën e reformave të vendeve të Ballkanit para pagesave të para, mbi 800 milionë euro në pyetje për Kosovën

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është zgjedhur në krye të këtij institucioni edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, do t’i mbledhë udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në një drekë pune në Bruksel, më 19 shtator.

    Me këtë takim, ajo do që të dëshmojë se edhe në mandatin e ri, do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

    Megjithatë, qëllim kryesor i këtij takimi është diskutimi për “agjendat e reformave dhe rritjes”, të cilat gati të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga BE-ja në maj të këtij viti.

    Von der Leyen ka qenë personalisht e angazhuar në promovimin e këtij plani, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian dhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së.

    Sipas burimeve në BE, takimi i von der Leyenit me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një rast i mirë për të parë se ku kanë arritur këto vende me përgatitjet e tyre për t’i realizuar qëllimet e këtij plani.

    Secili vend është dashur ta përgatisë një agjendë reformash, të bazuar në rekomandimet paraprake të trupave të BE-së.

    Këtë e kanë bërë tashmë pesë vende të rajonit, ndërsa Bosnje e Hercegovina është e vetmja, e cila, për shkaqe të brendshme politike, nuk e ka bërë ende.

    Kosova, ndërkaq, ka qenë ndër vendet e para që e ka dorëzuar planin e saj në Komisionin Evropian.

    Pritjet në BE kanë qenë që, në mes të shtatorit, Komisioni Evropian t’i miratonte këto agjenda të vendeve të rajonit. Pritej që kjo të ndodhte edhe para takimit të 19 shtatorit, por procesi është shtyrë për muajin tetor.

    Si arsye jozyrtare përmendet fakti se Bosnje e Hercegovina nuk e ka dorëzuar ende planin e saj. Dhe, marrë parasysh se në këtë vend së shpejti do të zhvillohen edhe zgjedhjet lokale, këtë nuk pritet ta bëjë deri në tetor.

    Këto vonesa mund të ndikojnë, pastaj, që të mos realizohet qëllimi i Presidencës hungareze të BE-së, që pagesat e para për vendet më të avancuara, të bëhen para fundit të këtij viti.

    Sipas një përllogaritjeje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë, Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

    Llogaritja për shumën financiare që do t’i takojë secilit vend, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.

    Por, gjatë prezantimit të këtij plani, vendeve të rajonit u është thënë qartë se nëse nuk i kryejnë reformat pas një apo dy vjetësh, atëherë shuma do t’u shpërndahet vendeve tjera.

    Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.

    Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.

    Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni.

    Përfituese të këtyre mjeteve janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Serbia.

    Plani ka po ashtu qëllim të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e tregut të përbashkët në rajon, i cili gradualisht do të integrohej në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian.

    Ky plan, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk e ka në asnjë mënyrë qëllim që të krijojë një alternativë të zgjerimit të BE-së, por ta bëjë anëtarësimin e këtyre vendeve në BE më të lehtë.

    Në BE vazhdojnë të rikujtojnë se për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga Plani i Rritjes, vendet e rajonit duhet t’i përmbushin disa kushte, prej të cilave ato kryesoret kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe sigurimin e procedurave për kontrollin financiar sipas standardeve evropiane.

    Për Kosovën dhe Serbinë, si kusht specifik përmendet edhe përparimi në rrugën drejt normalizimit të raporteve – gjë që përfshin angazhimin e tyre konstruktiv në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Nëse nuk do të ketë përparim në normalizimin e raporteve, sipas diplomatëve në BE, vendet që do të identifikohen si jokonstruktive, do të mund të kenë pasoja edhe përmes bllokimit të pagesave nga Plani i Rritjes.

    Kosova, aktualisht, është nën disa masa ndëshkuese të BE-së – për shkak të tensioneve në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe – të cilat përfshijnë ndaljen e pagesave nga Instrumentet e Para- Anëtarësimit të BE-së (IPA).

    Plani i Rritjes është i veçantë dhe nuk është i përfshirë në IPA.

    Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si paketë prej 6 miliardë eurosh, është konsideruar si plani më ambicioz i saj për këtë rajon.

    Shuma prej afro 900 milionë eurosh për Kosovën do të jetë, po ashtu, shuma më e madhe që ajo përfiton nga BE-ja në një paketë të veçantë. /REL

  • Prindërit e nxënësve të shkollës “Dardani” nga nesër bojkotojnë procesin mësimor: Orari i papërshtatshëm për fëmijët tanë

    Prindërit e nxënësve të shkollës “Dardani” nga nesër bojkotojnë procesin mësimor: Orari i papërshtatshëm për fëmijët tanë

    Prindërit e nxënësve të klasës II/4 të Shkollës Fillore të Mesme e Ulët “Dardani”, kanë vendosur të bojkotojnë procesin mësimor nga nesër, sepse sipas tyre orari i propozuar për vitin shkollor 2024-2025 është i papërshtatshëm.

    Përmes një komunikate për media, thuhet se orari i propozuar për fëmijët në klasën e dytë është nga ora 15:00 deri në 18:25.

    Sipas tyre, ky orar është tejet i papërshtatshëm për fëmijët, pasi çrregullon tërësisht dinamikën e tyre ditore, raporton Ekonomia Online.

    “Shumë prej nesh, si prindër që punojnë, i dërgojmë fëmijët në qëndrim ditor nga ora 07:30 e mëngjesit, dhe ky orar i ri do të thotë se ne mund t’i marrim fëmijët vetëm rreth orës 19:00 pasdite. Është shkencërisht e vërtetuar se orare të tilla nuk janë efektive për fëmijët, pasi çrregullojnë procesin e mësim nxënies. Për më tepër, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 50, Pika 4, thekson qartë se “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve.

    Ne besojmë fuqishëm se ky orar për nxënës të moshës 7-8 vjeç nuk e merr parasysh interesin më të mirë të fëmijëve tanë. Ndërsa një orar i tillë mund të jetë i pranueshëm në situata të jashtëzakonshme, Kosova dhe sistemi ynë arsimor nuk po kalojnë nëpër ndonjë periudhë të tillë. Prandaj, ne, prindërit e nxënësve të klasës II/4, kemi vendosur unanimisht të bojkotojmë procesin mësimor nga e Hëna date 16.09.2024, deri sa të na ofrohet një orar më i përshtatshëm për fëmijët tanë”, thuhet në komunikatë.

  • Serbia me masa ndaj Kosovës, Staroviq thotë se aplikimi i tyre nis në nëntor

    Serbia me masa ndaj Kosovës, Staroviq thotë se aplikimi i tyre nis në nëntor

    Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale në Serbi, Nemanja Staroviq ka deklaruar se pakoja e masave e miratuar nga Qeveria serbe “për t’i mbrojtur të drejtat e serbëve dhe interesat kombëtare e vitale shtetërore në Kosovë” është më gjithëpërfshirësja që ka ndërmarrë Serbia në 25 vjetët e fundit.

    Staroviq nënvizoi se disa nga masat do të fillojnë të aplikohen që nga fillimi i nëntorit.

    “Kemi kërkesa të qarta për bashkësinë ndërkombëtare, që janë shumë mirë të argumentuara dhe të bazuara, dhe që përfshijnë rikthimin në ‘status quo ante’, pra në kohën para se Albin Kurti të shembte dhe rrëzonte Marrëveshjen e Brukselit me veprimet e tij njëanshme,” tha Staroviq për RTS.

    Ai theksoi se pakoja përfshin një dimension politik-juridik, si dhe një dimension socio-ekonomik.

    Sipas tij në muajin e ardhshëm, Kuvendi i Serbisë do të shpallë Kosovën si “zonë e mbrojtur sociale”.

    “Këtë do ta rregullojmë përmes një zgjidhjeje ligjore adekuate në gjashtë javët e ardhshme, si dhe praktikisht përmes rishikimit të buxhetit për vitin 2024 dhe projektbuxhetit për vitin 2025,” shtoi Staroviq.

    Në mesin e masave, Staroviq përmendi ndihmën prej 20,000 dinarë për 5,000 individë dhe familje të “rrezikuara socialisht” në Kosovë, si dhe pagat e plota prej 60,000 dinarë për 300 të papunë.

    Po ashtu, ai theksoi shpërndarjen e teksteve shkollore falas dhe shtesat për ushqim për fëmijët.

    Staroviq njoftoi gjithashtu se disa nga masat do të fillojnë të aplikohen që nga fillimi i nëntorit, disa nga fillimi i dhjetorit, dhe disa do të presin deri në fillim të janarit.

    Të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, prezantoi pesë masa për Kosovën.

    Sipas prezantimit, aty përfshihen kthimi në gjendjen e “para vendimeve të njëanshme të Kosovës; shpalljen e Kosovës si zonë nën mbrojtje të posaçme speciale; përforcim të mëtejmë të institucioneve serbe në Kosovë; themelimin e një prokurorie të posaçme për ndjekjen penale të keqpërdorimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në zonën e Kosovës; dhe vendimin për paligjshmërinë e të gjitha institucioneve në Kosovë të themeluara pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë”.

  • Arrestohet një burrë në Gjilan, dyshohet për dhunë në familje

    Arrestohet një burrë në Gjilan, dyshohet për dhunë në familje

    Është arrestuar një person në Gjilan, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj një gruaje.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, viktima ka marrë tretman mjekësor për lëndimet e shkaktuara.

    Gjatë kontrollit, autoritetet kanë sekuestruar një pistoletë me kalibër 9×19 mm, e cila posedonte leje valide, si dhe 15 fishekë të po të njëjtit kalibër.

    Me vendim të prokurorit, pas intervestimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • I sanksionuari i Amerikës Vulini thotë se Serbisë nuk i duhet BE-ja nëse i pret njohja e Kosovës

    I sanksionuari i Amerikës Vulini thotë se Serbisë nuk i duhet BE-ja nëse i pret njohja e Kosovës

    Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin deklaroi se Serbia është në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, por se nuk vendos për shpejtësinë e saj.

    “Nëse në rrugë na pret njohja e Kosovës, detyrimi për të lehtësuar martesat e të njëjtës gjini apo pjesëmarrja në konfliktin me Rusinë dhe Kinën, ne as nuk duhet të shkojmë në atë rrugë”, tha Vulini në një intervistë për Veçernje Novosti.

    Ai theksoi se “derisa të na thonë këtë, na takon neve t’i përmbahemi neutralitetit tonë ushtarak, reformave që na përshtaten dhe të përpiqemi ta forcojmë Serbinë në kohën e ardhshme”.

    I pyetur nëse Serbia me blerjen e avionëve francezë Rafal ka bërë kthesën më të madhe drejt Perëndimit deri më tani, Vulini tha se ky ishte një vendim pragmatik dhe jo politik, dhe se Serbia do të mbrojë qiejt e saj me “rafal” dhe “miga”.

    Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin, gjatë takimit të tyre të fundit në Rusi, nuk përmendi “Rafalët”, “por përmendi shkëmbimin tregtar, marrëveshjen e gazit dhe mbështetjen e Rusisë për çdo luftë serbe”, përcjellë Danas.

    Vulin që është në listën amerikane të personave të sanksionuar vizitoi Rusinë muajin e kaluar.

  • Ekstradohet nga Italia në Shqipëri Agron Tufa, i dënuar me 30 vjet burgim

    Ekstradohet nga Italia në Shqipëri Agron Tufa, i dënuar me 30 vjet burgim

    Ekstradohet nga Italia, shtetasi Agron Tufa, i dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje.

    Agron Tufa, i dënuar nga Gjykata e Krujës me 30 vite burgim për vrasje me dashje, është ekstraduar nga Italia në Shqipëri.

    52-vjeçari u kap në Bari, Itali, në muajin janar 2024, gjatë operacionit policor të koduar “Informacioni”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë italiane.

    Ai ishte shpallur në kërkim ndëkombëtar, pasi në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje.

    Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri, në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.

  • E plagosën një qen, arrestohen dy persona në Skenderaj

    E plagosën një qen, arrestohen dy persona në Skenderaj

    Dy persona janë arrestuar në Skenderaj dje më 14 shtator pasio e kishte plagosur qenin e një personi tjetër.

    Në raportin 24-orësh të policisë thuhet se ata i kishte lajmëruar në polici pronari i qenit.

    Nga të dyshuarit janë konfiskuar dy pushkë gjuetie. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Akuzohen për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve, ish-asamblistit të LVV-së dhe të tjerëve në 2025-ën u parashkruhet lënda

    Akuzohen për huliganizëm dhe sulm ndaj policëve, ish-asamblistit të LVV-së dhe të tjerëve në 2025-ën u parashkruhet lënda

    Gjashtë të akuzuarve për huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar gjatë protestave të 2015-ës, ish-asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemit, Luan Hotit, Naim Bunjakut, Kushtrim Avdimetajt, Veron Hasanit dhe Ardian Huliti, pritet që më 18 nëntor 2025 këto vepra tu parashkruhen.

    Sipas Kodit Penal të Kosovës (KPK), dënueshmëria për të dy veprat penale “Huliganizëm” dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” del të jetë deri në 5 vite burgim, ndërkaq rasti sipas akuzës së prokurorisë ka ndodhur më 17 dhe 18 nëntor të vitit 2015, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “1. Kushdo që merr pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë personave, e cila me veprime të përbashkëta e privon personin tjetër nga jeta, i shkakton lëndime të rënda trupore personit tjetër, shkakton rrezik të përgjithshëm, shkakton dëm pasuror në vlerë prej njëzetmijë (20.000) Euro apo më shumë ose kryen vepra tjera të rënda të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim apo tenton të kryejë vepra të tilla, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet nenin 412 i KPK-së që flet për veprën penale të “Huliganizmit”.

    “2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të lehtë trupor të personit zyrtar apo ndihmësi të tij ose përfshin kanosje për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet”, thuhet në nenin 410 paragrafi 2 i KPK-së që flet për “Sulmin” ndaj personit zyrtar.

    Dhe se duke llogaritur afatin e parashkrimi del se parashkrimi relativ i këtyre veprave bëhet pas pesë viteve, ndërsa parashkrimi absolut bëhet pas dhjetë viteve nga kryerja e veprës penale.

    “1.4. pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet burgim;” thuhet në kapitullin e dhjetë nenin 106 që flet për parashkrimin e ndjekjes penale.

    Në çfarë faze gjendet procesi gjyqësorë ndaj gjashtë të akuzuarve?

    Fillimisht, ndaj të akuzuarve Kushtrim Avdimetaj, Veron Hasani dhe Ardian Hulit është veçuar procedura penale dhe se ndaj të njëjtëve po mbahet shqyrtimi gjyqësor.

    Ndërkaq, ndaj Egzon Azemit, Luan Hotit dhe Naim Bunjakut ende nuk është arritur të mbahet shqyrtimi fillestar, në të cilin rast gjykatës është Eroll Gashi, ndërsa prokuror Blerim Igrishta.

    Më 3 shtator 2024 kishte dështuar të mbahej shqyrtimi gjyqësorë ndaj Azemit, Hotit dhe Bunjakut pasi që ky i fundit mungoi për shkaqe shëndetësore.

    Lidhur me zvarritjen e këtij rasti “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje një javë më parë Gjykatës Themelore të Prishtinës, mirëpo e njëjta deri në publikimin e këtij raporti nuk kanë kthyer përgjigje.

    Çka thuhet në Dosjen e Prokurorisë ndaj këtyre të akuzuar?

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 17 dhjetor 2015, gjashtë të akuzuarit e lartcekur më 17 dhe 18 nëntor 2015, kanë marrë pjesë në turmë-protestën e organizuar në të cilën protestë edhe përkundër që se forcat e rendit po mbanin situatën nën kontroll ata kishin sulmuar seriozisht Policinë e Kosovës duke e goditur me gurë, kubëza betoni dhe mjete tjera të forta.

    Në aktakuzës thuhet se, si pasojë e goditjeve nga të akuzuarit, lëndime të lehta trupore kishin pësuar të zyrtarët policorë: Ismail Sadiku, Naim Berisha dhe Ekrem Vllasi si dhe nga këto veprime të të pandehurve ishte shkaktuar dëm i konsiderueshëm material.

    Andaj, për këto veprime të akuzuarit po ngarkohen se kanë kryer veprat penale “Huliganizëm” nga neni 412 paragrafi 1 dhe “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare” nga neni 410 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.