ATV

Author: ATVLive

  • Këtë vit, mbi 3 mijë kosovarë kërkuan azil në BE – Kosova e Shqipëria kryesojnë në Ballkan

    Këtë vit, mbi 3 mijë kosovarë kërkuan azil në BE – Kosova e Shqipëria kryesojnë në Ballkan

    Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë me një diferencë të dukshme krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit për nga numri i kërkesave azil për në Bashkimin Europian, në gjysmën e parë të këtij viti.

    Raporti i fundit i Agjencisë Europiane për Azilin (EUAA) thotë se 3,778 kërkesa për azil u paraqitën për herë të parë në një vend të Bashkimit Europian nga shtetasit e Shqipërisë nga janari deri në qershor të këtij viti.

    Numri më i lartë i kërkesave për azil të shtetasve nga Shqipëria u regjistrua në Itali, Greqi dhe Francë

    Edhe numri i kërkesave për azil nga shtetasit e Kosovës në një vend të Bashkimit Europian ishte i lartë, duke shënuar 3,375 persona kërkesa në gjysmën e parë të këtij viti.

    Ndërkohë vendet e tjera të rajonit të Ballkanit kanë një numër më të ulët kërkesash të shtetasve të tyre të paraqitura për herë të parë për azil në një vend të Bashkimit Europian në 6 muajt e parë të këtij viti.

    Sipas raportit të EUAA shtetasit e Maqedonisë së Veriut paraqitën 1,872 kërkesa për azil , të Serbisë 1,660 kërkesa, të Bosnje Hercegovinës 750 kërkesa dhe të Malit të Zi 182 kërkesa.

    Nga të dhënat e publikuara më herët nga Agjencia Europiane për Azilin rreth 2,700 kërkesa të shtetasve nga Shqipëria të mbledhura gjatë vitit të shkuar janë në pritje për t`u shqyrtuar, ndërsa norma e njohjes së azilit është tejet e ulët për shtetasit shqiptarë duke mos e kaluar 3 për qindëshin e totalit të kërkesave që paraqiten në vendet e Bashkimit Europian.

    Ndërkohë, sipas një raporti të sapopublikuar të Agjencisë europiane të statistikave EUROSTAT, shtetasit nga Shqipëria përbëjnë gjithashtu numrin më të lartë të leje qëndrimeve të marra në një vend të Bashkimit Europian përgjatë vitit 2023 nga rajoni i Ballkanit.

    Sipas EUROSTAT 74,938 shtetas nga Shqipëria morën leje qëndrimi për herë të parë në një vend të Bashkimit Europian në vitin 2023, ndërsa nga Kosova ishin 45568 shtetas që u pajisën me leje qëndrimi.

    Sipas EUROSTAT rreth 41,760 shqiptarë morën leje qëndrimi për arsye familjare, 13,144 për arye të tjera të papërcaktuara, ndërsa 2,450 për arsye edukimi. /REL

  • Sondazhi i RCC: Konflikti, frika më e madhe në rajon, vetëm 12 % e qytetarëve kanë shpresë

    Sondazhi i RCC: Konflikti, frika më e madhe në rajon, vetëm 12 % e qytetarëve kanë shpresë

    Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) e ka prezantuar sot në Tiranë edicionin e 10-të të Ballkan Barometrit, sondazhit më të madh të opinionit publik dhe biznesit në rajon.

    Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu dhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, folën para prezantimit të gjetjeve të Barometrit të Ballkanit në një diskutim të hapur.

    Ndërsa në vitin 2020 26% e qytetarëve të rajonit ishin të mendimit se Ballkani Perëndimor u jepte shpresë, tani kjo vlen vetëm për 12%. Në vitin 2024, ndjenja dominuese është “Konflikti” me 22%, sipas sondazhit.

    “Barometri i Ballkanit zbulon se rritja e çmimeve dhe inflacioni janë shqetësimi më i madh këtë vit për njerëzit e Ballkanit Perëndimor, të cilët gjatë dekadës së fundit shqetësoheshin më shumë për situatën ekonomike dhe papunësinë. Ky ndryshim nuk vjen si befasi, pasur parasysh se inflacioni në Ballkanin Perëndimor është gati dyfishi i atij të BE-së (respektivisht 8,1% e 3,4%), ndërsa çmimet e ushqimeve janë pothuajse të njëjta si në BE. Megjithatë, BPV-ja jonë është vetëm gjysma e asaj të BE-së”, tha Bregu, ndërsa prezantoi të dhënat e dala nga sondazhi.

    “Gjërat po ndryshojnë – jo vetëm rrethanat rreth nesh, por edhe perspektivat tona. Mbështetja për anëtarësimin në BE, nisur me 39% në 2015, arriti kulmin me 62% në 2021 dhe prej atij momenti nisi rënia. Sot, ajo qëndron në 54% —më e ulëta në gjashtë vitet e fundit. Lodhja nga zvarritja e zgjerimit, ndonëse më pak, është reflektuar edhe në qarqet e biznesit. Ndërsa mbështetja për anëtarësimin në BE midis liderëve të biznesit ka zbritur me 7% gjatë vitit të kaluar, me 64% ende në favor ajo vazhdon të mbetet më e lartë se në mesin e publikut të gjerë. Pavarësisht kësa, shumë qytetarë mbeten me shpresë. Dyzetë e tre për qind besojnë se anëtarësimi në BE do të ndodhë deri në vitin 2035, kurse një e katërta mendon se do të marrë më shumë kohë. “Në mënyrë inkurajuese, më pak njerëz se vitin e kaluar, 18%, besojnë se ekonomia e tyre nuk do të anëtarësohet kurrë në BE—një rënie prej 10 pikësh prej vitit 2022”, shtoi ajo.

    Sondazhi vjetor, siç thotë RCC, “është kryer me gjashtë mijë njerëz dhe 1200 biznese nga i gjithë Ballkani Perëndimor”.

    “Që prej fillimit në 2015-ën, anketa ka biseduar me mbi 65,000 qytetarë dhe afro 13,500 biznese duke pasqyruar opinionet e tyre”, thotë RCC

    Bregu e vlerësoi si notë pozitive faktin se “besimi tek bashkëpunimin rajonal është në rritje”.

    “Këtë vit, një rekord prej 82% e qytetarëve shprehën mbështetjen e tyre për të – rezultati më i lartë që nga fillimi i Brometrit të Ballkanit në 2015. Kjo thekson se bashkëpunimi rajonal ka vlerë të vetën, në vend që të vështrohet në kontekstin e integrimit evropian, si ka ndodhur vitet e kaluara. Megjithatë, politika nacionaliste vazhdon të shihet si pengesë e madhe për bashkëpunimin rajonal. Ndërsa besimi dhe optimizmi në rajon mbeten të kujdesshëm, ka shenja përmirësimi në mënyrën se si njerëzit perceptojnë këto çështje, pasi opinioni publik evoluon aq shpejt sa guximi politik lejon”, tha Bregu.

    Disa nga gjetjet kryesore të Barometrit të Balkanit:

    Sentimenti publik është përmirësuar: nga 35% në vitin 2015 në 49% tani.

    Në vitin 2020, 26% e qytetarëve të rajonit ishin të mendimit se Ballkani Perëndimor u jepte shpresë, por tani kjo vlen vetëm për 12%. Në vitin 2024, ndjenja dominuese është “Konflikti” me 22%.
    20% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor shpresojnë për anëtarësim në BE deri në vitin 2030, ndërsa 23% presin që kjo të ndodhë ndërmjet 2030 dhe 2035.

    Në vitin 2015, 27% besonin se do të ndodhte deri në vitin 2020 dhe 21% deri në vitin 2025.
    Më pak njerëz, 18%, besojnë se ekonomia e tyre nuk do të anëtarësohet kurrë në BE, një rënie prej 10 pikësh nga viti 2022.

    Në vitin 2021, kur pyetëm qytetarët nëse ishin të gatshëm të punonin në Ballkanin Perëndimor, vetëm 7% u përgjigjën pozitivisht, ndërsa tani në 2024ën, 22% e tyre janë të gatshëm për këtë.
    Besimi në institucionet mbetet në nivele të ulëta: partitë politike vazhdojnë të gëzojnë më pak besim me 74%.

  • ​Presidenti bullgar komenton takimin me presidenten e shtetit të Maqedonisë së Veriut

    ​Presidenti bullgar komenton takimin me presidenten e shtetit të Maqedonisë së Veriut

    Presidenti Rumen Radev komentoi vizitën e presidentes së shtetit të Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska-Davkova në Sofje javën e kaluar. Ajo mbërriti të premten dhe u mirëprit nga homologu i saj bullgar. “Unë pres që kjo aspiratë e deklaruar për hapje, për konstruktivizëm të merret nga qeveria e Maqedonisë së Veriut”, tha Radev të hënën.

    “Të jemi të qartë, kjo nuk ka qenë as vizitë shtetërore e as vizitë pune dhe shpresoj se së shpejti presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të bëjë një vizitë shtetërore me të gjitha ceremonitë zyrtare sipas protokollit dhe kjo do të kontribuojë edhe në marrëdhëniet tona”, shtoi ai.

    Radev tha se është e rëndësishme se çfarë do të bëjë Bullgaria tani e tutje për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut.

    Ministria e Jashtme e Maqedonisë së thirri të hënën ambasadorin bullgar në Shkup Zhelyazko Radukov për të shpjeguar pse mungonte flamuri kombëtar i Maqedonisë së Veriut në një foto të Presidentëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të bërë në Sofje të premten.

    Në foto, Rumen Radev nga Bullgaria dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga Maqedonia e Veriut shihen duke qëndruar para flamujve të Bullgarisë dhe BE-së, por jo të Maqedonisë së Veriut.

    Të shtunën, kabineti i presidentes së Maqedonisë së Veriut tha se do të kërkonte një shpjegim nga pala bullgare.

    Për shkak të fotos, Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e quajti një dështim diplomatik vizitën e Siljanovska-Davkovës në Sofje, ndërsa diplomatët komentuan për TV Telma se ajo që ndodhi ishte shpërfillëse dhe nënçmuese ndaj Maqedonisë së Veriut.

    Megjithatë, diplomatë të tjerë nga Shkupi komentuan se vizita e Siljanovska-Davkovës në Sofje nuk ishte zyrtare dhe nuk ishte me ftesë të palës bullgare, prandaj takimi i saj në ndërtesën e Administratës së Presidentit ishte joformal dhe protokolli nuk kërkonte vendosjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut./BTA-KP

  • I akuzuari për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë dënohet me dy vite burgim me kusht dhe 9 mijë e 500 euro gjobë

    I akuzuari për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë dënohet me dy vite burgim me kusht dhe 9 mijë e 500 euro gjobë

    Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie mes Prokurorisë Speciale dhe të akuzuarit Sllobodan Miletiq, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe me 9 mijë e 500 euro gjobë të akuzuarin Miletiq për sulmin gjatë protestave të majit 2023 ndaj KOFR-it dhe Policisë së Kosovës.

    Shpallja e aktgjykimit u bë të hënën nga gjykatësi i rastit, Vesel Ismaili, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, Miletiq u dënua me dy vjet burgim, të cilin nuk do ta vuajë me kusht që brenda periudhës 4-vjeçare të mos kryejë vepara penale. Ndërkaq, për “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim iu zëvendësua me 9 mijë e 500 euro gjobë.

    Gjobitjen, i akuzuari është i detyruar ta paguajë në afatin prej 15-ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

    Paraprakisht, i akuzuari Miletiq kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale dhe u bë leximi i aktakuzës nga prokurori special, Bekim Kodraliu.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 9 shtator 2024, i akuzuari Sllobodan Miletiq akuzohej se më 29 maj 2023 prej orës 06:00 e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin ku gjendet Komuna e Zveçanit në koordinim me të pandehur të tjerë, ka marrë pjesë në mënyrë aktive në grupin e personave që kryejnë vepra penale serioze.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, përmes dhunës ka sulmuar dhe kanosur seriozisht pjesëtarët e KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe me armë zjarri, nga të cilat janë lënduar të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre nga predhat e armëve të zjarrit si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që ishin në detyrë zyrtare për të garantuar rendin dhe qetësinë publike.

    Prandaj, për këto veprime Miletiq ngarkohej për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” nga neni 402, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 2, dhe nenin 31 të Kodit Penal.

    Ndërkaq në pikën e dytë të aktakuzës, Miletiq thuhet se në të njëjtën orë dhe datë si në pikën e parë të akuzës, sërish në koordinim me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore.

    Aktakuza thotë se përkundër urdhrit për shpërndarje të qetë të turmës dhe refuzimit për të hyrë në objektin e komunës, bashkë me të pandehurit tjerë kishin filluar të ushtrojnë dhunë të pakontrolluar, përmes mjeteve të forta, mjeteve shpërthyese të improvizuara e me armë zjarri, ku kishin lënduar së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre nga ta nga predhat e armës së zjarrit dhe kishin shkaktuar dëme materiale në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës, si dhe në veturat e gazetarëve që po mbulonin ngjarjet e asaj dite. Ishte bërë djegia e plotë e disa veturave dhe u shkaktua dëmtim fizik në masë të madhe tek disa persona, duke shkaktuar rrezik për jetën dhe trupin e shumë njerëzve.

    Për këto veprime, Miletiq ngarkohej edhe për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” nga neni 404, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

  • Deputetët Haliti e Hyseni në Varshavë për mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

    Deputetët Haliti e Hyseni në Varshavë për mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

    Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti aktualisht gjendet në Varshave.

    Atje, bashkë me deputetin Driton Hysenin po marrin pjesë në mbledhjen e Asamblesë Paramentare të NATO-s në Poloni.

    Në një postim në Facebook ku ka shpërndarë edhe fotografi, Haliti thotë se “duke ndarë përvojat tona parlamentare, po ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi”.

  • Partia konservatore zvicerane kërkon referendum kundër Eurovizionit

    Partia konservatore zvicerane kërkon referendum kundër Eurovizionit

    Unioni Federal Demokratik Zviceran (EDU) po fillon një referendum për të parandaluar zhvillimin e Eurovision Song Contest në Bazel nga 13 deri më 17 maj 2025. Partia po mbledh nënshkrime për të kundërshtuar një kredi të dhënë nga Parlamenti kantonal i Bazelit.

    Daniel Frischknecht, president i EDU-së së vogël, ultra-konservatore të Zvicrës, njoftoi të hënën se periudha e grumbullimit kishte filluar me botimin në gazetën kantonale Basel-City të shtunën, transmeton albinfo.

    EDU ka besim se “me ndihmën e shumë banorëve të Bazelit”, do të jetë në gjendje të sjellë një referendum kundër kredisë prej 34.9 milionë CHF. Kjo do t’i mundësonte elektoratit të kantonit Basel-City të vendosë për kredinë në kutinë e votimit.

    Huaja u miratua nga Parlamenti kantonal i Bazelit të mërkurën e kaluar teksa shumica e të gjitha grupeve parlamentare ishin pro. Qeveria kishte kërkuar shpenzimet për fusha të ndryshme, si infrastruktura, siguria, shpëtimi, transporti, akomodimi, aktivitetet e mirëseardhjes dhe eventet mbështetëse. Vendi kryesor do të jetë St. Jakobshalle, shkruan swissinfo.

    Që të zhvillohet referendumi, duhet të mblidhen dhe të dorëzohen të paktën 2000 nënshkrime të vërtetuara deri më 26 tetor. Partia e vogël e krishterë kishte njoftuar më herët se do të nisë një referendum kundër shpenzimeve publike për “ngjarjen propagandistike”. Sipas Këshillit qeveritar, votimi do të bëhet më 24 nëntor.

  • Babë e bir dënohen me 36 vjet burgim për vrasjen e ndodhur vitin e kaluar në Rahovec

    Babë e bir dënohen me 36 vjet burgim për vrasjen e ndodhur vitin e kaluar në Rahovec

    Gjykata Themelore në Gjakovë i ka shpallur fajtorë babë e bir, Enver dhe Emir Sylkën dhe i ka dënuar me 36 vjet burgim (së bashku) për vrasjen e N.V., në shtator të vitit të kaluar në Rahovec.

    Aktgjykimi u shpall të hënën nga kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas aktgjykimit, i akuzuari Emir Sylka për veprën penale të “Vrasjes së rëndë” është dënuar me 22 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” është dënuar me 1 vit burg. Ndaj tij, gjykata ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 23 vitesh.

    Ndërsa, i akuzuari Enver Sylka për veprën penale “Vrasje e rëndë në shtytje” është dënuar me 13 vjet burgim.

    Të akuzuarve, në dënimin e shqiptuar do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Të njëjtëve, gjykatësi Dobraj bëri të ditur se iu vazhdohet paraburgimi.

    Palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 janar 2024 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Emir Sylka akuzohej se më 19 shtator 2023, në Rahovec, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.V., dhe vuri në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

    Në aktakuzë thuhet se Emir Sylka ditën kritike ishte duke punuar në lokalin e tij, kur u telefonua nga babai i tij, i pandehuri Enver Sylka, i cili i tregoi lidhur me fjalosjen me të dëmtuarin L.V., dhe e ftoi të shkonte në pronën e tyre. I pandehuri Emir mori veturën e tij dhe shkoi me shpejtësi në vendin e lartpërmendur, ku së bashku me të pandehurin Enver shkuan drejt rrugës për te dera e të dëmtuarëve duke bërtitur “dilni jashtë”. Prapa tij ishte i pandehuri Enver dhe afër stallës dolën të dëmtuarit N.V., dhe L.V. Posa afrohen te dera e oborrit të tyre, i pandehuri Emir filloi të shante dhe bërtiste me fjalët “a po doni me fol tash a po jav q… nonen”. Në këto momente, i ndjeri N.V., mori një shkop druri dhe filloi sulmi.

    Sipas aktakuzës, në ato momente i pandehuri Enver i drejtohet të pandehurit Emir me fjalët “gjuj, gjuj”, dhe menjëherë i pandehuri Emir nxjerr nga brezi dhe shtie katër herë në drejtim të të dëmtuarve, duke e goditur N.V,. në pjesën e gjoksit, i cili për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, u dërgua për trajtim në QKUK në Prishtinë dhe më 22 shtator 2023 ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Ndërsa, të dëmtuarin L.V. e goditi në këmbë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhe më pas dy të pandehurit me qetësi u futën në veturat e tyre dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

    Me këtë, Emir Sylka akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 i Kodit Penal.

    Gjithashtu, Emir Sylka ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, pasi kishte poseduar armën e tipit revole e prodhimit turk SUB Elite 9mm, me të cilën ka kryer veprën penale të lartcekur dhe e mbajti atë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa leje nga organet kompetente. Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Sylka akuzohej se më 19 shtator 2023, me dashje ka shtyrë djalin e tij, të pandehurin Emir Sylka, për të kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” ndaj të ndjerit N.V., si dhe duke vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit L.V.

    Në aktakuzë thuhet se pas një mosmarrëveshjeje që kishte pasur në pronën e tij me të dëmtuarin L.V., për këtë mosmarrëveshje disavjeçare ishte i njoftuar edhe i pandehuri Emir. Ashtu që, i pandehuri Enver e telefonoi djalin e tij, Emirin, duke i thënë se “erdh L.V. dhe më kërcënoi se ti nuk guxon me vazhdu me punu dhe ka ardhur edhe vëllai i tij N.V.”. I pandehuri Emir, i pajisur me armë, erdhi me shpejtësi me veturën e tij dhe shkoi në vendin e lartcekur.

    Për këtë, Enver Sylka akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në shtytje”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 32, paragrafi 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

  • 15 viktima nga përmbytjet katastrofike në Evropën Qendrore

    15 viktima nga përmbytjet katastrofike në Evropën Qendrore

    Shkon në 15 numri i viktimave pas përmbytjeve katastrofike që kanë përfshirë Evropën Qendrore si pasojë e stuhisë “Boris”.

    Zonat kufitare midis Republikës Çeke dhe Polonisë janë goditur më rëndë. Disa ura janë shembur dhe shtëpitë u shkatërruan, ndërsa fshatra dhe qytete në Rumaninë lindore janë të zhytura në ujë.

    Më shumë se 12,000 njerëz janë evakuuar në Republikën Çeke ndërsa është konfirmuar edhe viktima e parë. Qeveria polake është mbledhur për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

    Banoret përshkruajnë situatën si të tmerrshme, duke thënë se ishte më e keqe se përmbytjet e vitit 1997.

    Jan Prihoda, banor i Jestenik: Ne shohim dëmin e tmerrshëm. Në vitin 1997 nuk ishte kështu këtu, ishte thatësirë në këtë vend. Por tanimë situata është e tmerrshme.

    Në Republikën Çeke lumi Morava ka dalë nga shtrati duke detyruar autoritetet që të mbyllin shkollat dhe objektet shëndetësore. Mijëra zjarrfikës, oficerë policie dhe ushtarë janë vendosur në terren, ndërsa qeveria po punon ende për të përcaktuar shkallën e dëmit.

    Në Rumani, përmbytjet vranë gjashtë persona gjatë fundjavës dhe një zjarrfikës austriak. Në Sllovaki dhe Budapest po përgatiten për më shumë përmbytje pasi po ngrihet niveli i lumit Danub.

    Gjendja e fatkeqësisë natyrore është shpallur edhe në një zonë të Austrisë. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në një postim në X, dha nje mesazh për të prekurit nga përmbytjet dhe tha se BE do të ofrojë mbështetje.

    Ne Republikën Çeke dhe Poloninë, këto janë përmbytjet më të rënda në gati tre dekada.

  • ​Sporti mjet thelbësor në zhvillimin e demokracisë

    ​Sporti mjet thelbësor në zhvillimin e demokracisë

    Sporti është mjet thelbësor për zhvillimin e demokracisë në Kosovës, por edhe në njohjen dhe ndërkombëtarizimin e shtetësisë së Kosovës. Kështu është thënë në panelin e diskutimit me temë “Sporti dhe demokracia: Një vizion i ri për të ardhmen”.

    Në këtë panel morën pjesë deputet të kuvendit të Kosovës si dhe përfaqësues të federatave të ndryshme sportive të Kosovës.

    Me këtë rast, ish-drejtori i NDI në Kosovë, Alex Chavarria në fjalën e tij potencoi rëndësinë e madhe që sporti ka në zhvillimin e demokracisë përmes aktiviteteve të ndryshme që sjellin bashkimin e njerëzve dhe thyen barriera të mëdha ndërmjet tyre.

    “Është shumë me rëndësi të shohim se sa i rëndësishëm është roli i zhvillimit të demokracisë. Sporti i bashkon njerëzit, i rrëzon barrierat sociale dhe promovon përfshirjen dhe barazinë. Mendoj që këtë nuk e kuptojmë sa duhet në jetën tonë të përditshme…Si i tille, nuk ka dyshim se sporti ka ndikim të thellë në demokracinë e Kosovës, është ndjenjë e krenarisë nacionale, kombëtare që mund të krijohet nga ndërveprimi sportiv sepse kështu duhet të veprojmë me shoqërinë…Sporti ia ka dhënë mundësinë Kosovës që të njihet ndërkombëtarisht gjithashtu dhe që atëherë, kanë qenë tri Lojëra Olimpike që kur Kosova është bërë pjesë dhe nëse kam numëruar mirë, i keni pesë medalje të arta”, theksoi

    Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Elixa Hoxha ka vënë në pah rëndësinë që ka sporti për imazhin e Kosovës jashtë vendit, duke e arritur këtë në formën më të mirë përmes sukseseve të mëdha në garat sportive ndërkombëtare.

    “Nëse flasim për kulturë dhe për sport, zakonisht Kosova ndryshon në sytë e të tjerëve si imazh dhe si brenda i një shteti të ri për shkak të sukseseve që kjo kategori e njerëzve ose kjo platformë sportive u krijon mundësi edhe të rinjëve por edhe krijon një pikëpamje të re dhe një mundësi të re të leximit të potencialit të shtetit se çfarë mund të jetë nga brenda dhe çfarë mund t’i jap Evropës dhe botës një shtet me një shoqëri shumë të re”, theksoi Hoxha.

    Ndërsa kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës kërkoi më shumë gjithëpërfshirje të grave në vendimmarrje nëpër federatat sportive, duke theksuar se FBK është shumë e përkushtuar në këtë drejtim.

    Fetahu: FBK përkrah gjithërfshirjen dhe parimin e demokracisë në organet e saj.

    “Ne e kemi këtu deficitin si vend, jo vetëm në basketboll por në të gjitha sportet besoj dhe ne kemi vendosur që ato t’i subvencionojmë në të gjitha nivelet. Prej garave shkollore që organizohen si pjesë e programit Sport në shkolla e deri tek garat seniore, nëse merresh me basketboll në Kosovë, nuk do të paguash asgjë. Kjo ishte për ta trajtuar çështjen e barazisë gjinore dhe të gjithpërfshirjes si parime të tjera të demokracisë. Masat stimuluese janë aty jo vetëm për femrat, masat stimuluese kemi edhe për të rinj, por edhe për veteran, kemi edhe më programin Sport në shkolla”, tha Fetahu.

    Në panel gjithashtu u kërkuar më shumë përfshirje të grave në proceset vendimmarrëse të të gjitha feteratave dhe organizatave të ndryshme sportive në vend. /kp

  • Ministrja gjermane në Kosovë, Osmani e pret në takim

    Ministrja gjermane në Kosovë, Osmani e pret në takim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministren e shtetit për Evropë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë, Anna Lührmann.

    Nga ky takim mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje, ndërsa nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë me gazetarë.

    Gjermania ka kërkuar të gjendet një mundësi që Kosova t’i largojë masat e sigurisë për mallrat serbe, në mënyrë që të arrihet pajtim për ndryshim të statusit të përfaqësimit në CEFTA.

    Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka paralajmëruar se Kosova mund të mbetet jashtë Procesit të Berlinit. Ai thotë se “nëse Kosova e bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së”.

    Osmani ka konfirmuar së fundmi se ekziston kërcënimi që Kosova të largohet nga Procesi i Berlinit.