ATV

Author: ATVLive

  • Osmani e Tërnava flasin për angazhim të përbashkët kundër gjuhës së urrejtjes ndërfetare

    Osmani e Tërnava flasin për angazhim të përbashkët kundër gjuhës së urrejtjes ndërfetare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.

    Në komunikatën për media thuhet se në takim është diskutuar për angazhimin e Bashkësisë Islame në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, traditën e tolerancës ndërfetare dhe nevojës për vazhdimin e kultivimit të saj.

    Osmani shprehu vlerësimin e thellë për përpjekjet e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për dialog, mirëkuptim dhe unitet ndërmjet të gjithë komuniteteve fetare në Kosovë.

    “Në një kohë ku paqja dhe mirëkuptimi global janë më të rëndësishme se kurrë, Kosova është krenare që vazhdon ta mbajë lart nivelin e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare”, ka theksuar Osmani.

    Në takim u potencua roli jetik i të gjitha bashkësive fetare dhe nevoja e një angazhimi të përbashkët kundër gjuhës së urrejtjes dhe në favor të tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.

  • Kurti takohet me Çanakun, flasin për raportet Kosovë-Serbi dhe Kishën Ortodokse në Mal të Zi

    Kurti takohet me Çanakun, flasin për raportet Kosovë-Serbi dhe Kishën Ortodokse në Mal të Zi

    Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, mirëpriten në Prishtinë për një mëngjes pune bashkëthemeluesin dhe ish-udhëheqësin e Lidhjes së Social Demokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, i shoqëruar nga Mitropoli i Kishës Ortodokse të Malit të Zi, Boris Bojoviq.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se gjatë bisedës u diskutua mbi çështje aktuale, zhvillimet në rajon, pasojat e vazhdueshme të agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që lufta atje vazhdon të paraqes për sigurinë e kontinentit të Evropës dhe rajonin e Ballkanit.

    “Millan Çanak, djali i Nenad Çanak, që po ashtu ishte në këtë takim e i cili së fundmi është kthyer nga një mision humanitar në Ukrainë, ndau nga përvoja e tij atje dhe foli për gjendjen në terren, trimërinë dhe moralin e lartë të ushtrisë ukrainase në fushëbetejë dhe për mobilizimin qytetar për rezistencë. Në takim u diskutua edhe për raportet e Kosovës me Serbinë, për historikun, aktualitetin dhe perspektivën e tyre, dhe për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Ndër tjera theksohet se Kurti tha se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka shpërfaqur qartë rreziqet që regjimet autoritare paraqesin për shtetet fqinje, përveçse për të drejtat e njeriut dhe mirëqenien e popullatës vendëse.

    Ai veçoi rëndësinë që demokratizimi i shoqërive, pluralizmi partiak, sundimi i ligjit, mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi rajonal kanë në përballje me këto rreziqe, krahas mbështetjes të vazhdueshme ndaj Ukrainës në luftën e saj çlirimtare – të cilën Republika e Kosovës po e mbështetet fuqishëm me gjithë kapacitetet e saj.

  • BE mirëpret thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në Kosovë

    BE mirëpret thirrjet e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në Kosovë

    Bashkimi Evropian, duke iu referuar masave dhe thirrjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për serbët në Kosovë, u kërkoi të dyja vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

    Ai i bëri komentet në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar disa kërkesa dhe masa të Vuçiqit, që parashtroi javën e kaluar.

    Mes tjerash, ato përfshijnë shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, si dhe kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre.

    Komunat në veri, aktualisht, udhëhiqen nga shqiptarë, pasi banorët lokalë serbë i bojkotuan zgjedhjet në atë zonë.

    Kryetarët serbë, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të komunitetit dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022, kur tensionet ishin të larta për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

    Stano tha se BE-ja, vazhdimisht, i ka bërë thirrje Beogradit që të inkurajojë riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe Prishtinës që ta mundësojë atë.

    “Marrëveshjet e dialogut i parashikojnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës”, tha Stano.

    “Në këtë kontekst, impelementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai, duke iu referuar, po ashtu, kërkesës së Vuçiqit për themelimin e këtij asociacioni në Kosovë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka komentuar deri më tash kërkesat e Vuçiqit.

    Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Qeverinë e tij që nga e premtja e kaluar, por nuk ka marrë përgjigje.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Vuçiq po tenton të ruajë në Kosovë “atë që nuk e ka më”.

    “Ai [Vuçiq], faktikisht, po e kërcënon Republikën e Kosovës përmes konferencës së tij për shtyp, mirëpo ky është një kërcenim, i cili, ta them të drejtën, nuk na bën shumë përshtypje. Ne nuk frikësohemi, nuk shqetësohemi, sepse në atë pjesë të vendit janë institucionet e Kosovës, janë institucionet e sigurisë, janë institucionet politike, janë komunat që funksionojnë… Është shans i humbur i qytetarëve që kanë mendime të tjera për të marrë pjesë në procesin politik edhe për të qenë bashkëpjesëmarrës në procesin politik. Pas kësaj që ka ndodhur, vendi e ka marrë një drejtim të ri”, tha Konjufca.

    Stano përsëriti thirrjet për shmangien nga retorika nxitëse dhe, siç tha, hapat e njëanshëm.

    “Retorika nxitëse dhe mashtruese, si dhe veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara shkojnë kundër dialogut. Ato vënë në rrezik normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe sigurinë e qytetarëve të tyre”, tha Stano.

    “Rruga përpara për të dyja palët është konfirmimi i angazhimit të tyre konstruktiv në procesin e normalizimit. Rasti i parë për këtë është takimi i kryenegociatorëve më 17 shtator në Bruksel”, tha zëdhënësi i BE-së.

    Radio Evropa e Lirë mori vesh nga burime të besueshme në BE se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, e kanë konfirmuar shkuarjen në Bruksel.

    Nuk është ende e qartë nëse do të kenë takim të përbashkët, apo vetëm veç e veç me zyrtarët e BE-së.

  • Gjendet i vdekur një burrë që ishte raportuar i zhdukur në Vuçë të Leposaviqit

    Gjendet i vdekur një burrë që ishte raportuar i zhdukur në Vuçë të Leposaviqit

    Është gjetur i vdekur një person në ditën e pestë të kërkimit në fshatin Vuçë të Leposaviqit.

    Kjo u bë e ditur nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, ku thuhet se gjetja e fshatarit është bërë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, zjarrëfikësit dhe bashkëfshatarët e të ndjerit.

    “Është gjetë trupi i pa jetë në ditën e 5 të kërkimit i fshatarit nga fshati Vuçë e Leposaviqit nga Pjestarët e Policisë së Kosovës në bashkpunim me Shoqatën Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, zjarrëfiksit dhe bashkfshatarë”, thuhet në postimin e tyre të plotë.

  • Dita Ndërkombëtare e Demokracisë – Në Kuvend hapet “Panairi i organizatave të shoqërisë civile”

    Dita Ndërkombëtare e Demokracisë – Në Kuvend hapet “Panairi i organizatave të shoqërisë civile”

    Për nder të Ditës së Demokracisë, Kuvendi i Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh. Njëra ndër to ishte edhe “Panairi i organizatave të shoqërisë civile”, raporton EO.

    Përfaqësuesja e Institutit Demokratik të Kosovës, Violeta Haxholli ka thënë se ky panair ka për qëllim prezantimin të gjitha publikimet dhe hulumtimeve të tyre gjatë këtij viti tek deputetët e Kosovës dhe qytetarët që do të vizitojnë këtë panair.

    “Ne si përfaqësues të Institutit Demokratikë të Kosovës, marrim pjesë çdo vit në këtë panair që organizohet nga Kuvendi i Kosovë për nder të shënimit të Ditës së Demokracisë në Kosovë. Qëllimi është që të gjitha shoqatat e shoqërisë civile të prezantojnë të gjitha gjatë publikimet këtij viti apo me herët në mënyrë që qytetarët që do të vijnë në Kuvend do të kenë mundësinë që të njoftohen më shumë me punën e organizatave te shoqërisë civile, pastaj mundësia e shkëmbimit e këtyre informacione me deputetët e Kosovës që janë prezent dhe akterët tjerë në Kuvend. Ka një numër të madh të organizatave që monitoron punën e Kuvendit, ky është qëllimi ynë që të prezantojmë punën tonë dhe të shkëmbejnë informacione edhe me deputetët e Kuvendit dhe të evokojmë të gjeturat që dalin nga hulumtimet tona dhe panairi është mundësi për ta bërë”, ka thënë Haxholli.

    Blerina Recica nga organizata INDEP ka thënë për EO se kjo organizatë ka të bëjë me fushën e demokracisë dhe transparencës në institucionet e Kosovës.

    “Ne si organizatë punojnë nga viti 2011 punojmë në fushën e demokracisë dhe transparencës. Kemi të bëjmë me llogaridhënie në institucionet në Kosovë e ministrive. Kjo organizatë më shumë kemi të bëjmë me llogaridhënie me politikat e gjelbëra me fokus të veçantë të energjisë së ripërtrishme”, ka thënë Reçica.

  • Hamza takon ambasadorin e Finlandës: Kosova të gjitha sfidat i ka përballuar dhe tejkaluar me përkrahjen e aleatëve

    Hamza takon ambasadorin e Finlandës: Kosova të gjitha sfidat i ka përballuar dhe tejkaluar me përkrahjen e aleatëve

    Kandidati i PDK’së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se sot është takuar me ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen.

    Hamza ka thënë se Finlanda është mike e Kosovës dhe përkrahëse e madhe e integrimit euroatlantik.

    Ai bëri të ditur se në takim është biseduar për zhvillimet politike në vend, rritjen e bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

    “Ditën e sotme e nisa me një takim me Ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen. Finlanda është një mike e Kosovës dhe një përkrahëse e madhe e integrimit tonë euroatlantik. Ne biseduam për zhvillimet politike në vend, për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe për sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.”

    Kryetari i Mitrovicës ka shtuar se sfidat deri tani Kosova i ka tejkaluar me përkrahjen e aleatëve.

    “Kosova, të gjitha sfidat e deritashme, duke u bërë partnere konstruktive, i ka përballuar dhe i ka tejkaluar me përkrahjen e aleatëve!”.

  • ​Përfitimet e inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor diskutohen në Kuvend

    ​Përfitimet e inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor diskutohen në Kuvend

    Në shënimin e Ditës së Demokracisë sot është mbajtur tryeza e diskutimit në Kuvend, “Zgjedhjet dhe teknologjia: Ndikimi në demokracinë moderne”, organizuar nga D4D dhe NDI. Aty u tha se teknologjia është esenciale në organizmin e zgjedhjeve pasi përmirëson dhe lehtëson shërbimet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit, subjektet politike dhe me vëzhguesit e zgjedhjeve.

    Ish drejtori i NDI në Kosovë, Carlo Binda tregoi përfitimet e përdorimit të inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor, mirëpo shtoi se për të siguruar që ai nuk minon bazat e demokracisë duhet të vendosen kornizat adekuate ligjore.

    “Ka disa përfitime nga përdorimi i inteligjencës artificiale në zgjedhje, pavarësisht nëse jeni një komision zgjedhor që përdor inteligjencën artificiale gjeneruese, për shembull, për të zhvilluar materiale për edukimin e votuesve, kjo ju lejon shpejtë të prodhoni materiale të dobishme trajnimi për qendrat e votimit dhe punëtorët që mund të keni dhe dëshironi të punësoni. Ka raste në Shtetet e Bashkuara ku disa nga shtetet janë bashkuar përmes një konsorciumi për të punuar me inteligjencën artificiale për të qenë në gjendje të bëjnë një kontroll të regjistrimit të votuesve dhe ta bëjnë atë proces shumë më efikas, ku zakonisht do të mbështeteshit në qeniet njerëzore dhe analizat njerëzore, tani mund të mbështeteni në inteligjencën artificiale. Por kornizat, kornizat ligjore duhet të jenë të vendosura për të siguruar që përdorimi i inteligjencës artificiale nuk po minon bazat e shprehjes demokratike dhe në Shtetet e Bashkuara, MB, ata tashmë kanë filluar të trajtojnë legjislacionin dhe politikat rreth përdorimit të AI, veçanërisht në procesin demokratik”, tha ai.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se megjithëse digjitalizimi ndihmon procesin zgjedhor, kjo e fundit nuk guxon tërësisht të varet nga teknologjia.

    “Teknologjia është esenciale në kuptimin e organizimit të zgjedhjeve, madje edhe qenësore përtej dëshirës sonë. Në masë të madhe imponohet në kuptimin e zhvillimeve të gjithmbarshme dhe ambientimi që ndodh shoqërisë dhe vet qytetarëve me teknologjinë. Teknologjia sikurse çdo aspekt tjetër i procesit zgjedhor i ka përparësitë dhe mangësitë….Në raport me zgjedhjet teknologjia është e dobishme sidomos në regjistrimin e votuesve, ndarjen e zonave zgjedhore, trajnimin e zyrtarëve të administrimit të zgjedhjeve dhe veçmas për partitë politike në kuptimin e mesazhit elektoral. Kosova është përpjekur të ecë në drejtimin e përfshirjes së teknologjisë në procesin e administrimit të zgjedhjeve, duke synuar të lehtësojë administrimin e zgjedhjeve, por natyrisht me një qasje të kujdesshme në kuptimin që garanton gjithëpërfshirës dhe siguri të procesit zgjedhor”, tha ai.

    Ndërkaq, shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri, tha se digjitalizimin e administrimit zgjedhor e kanë pasur prioritet në reformën e miratuar zgjedhore.

    “(Në kuadër të reformës zgjedhor) Kemi arrit me i adresu shumë të meta që kanë qenë në ligjin e kuar dhe që kanë qenë gjithmonë duke u rritur më shumë, pikërisht në ballafaqimin me të rejat e fundit që kanë sjell edhe rrjetet sociale dhe digjitalizimi. Digjitalizimi dhe IA janë një hap përpara dhe ne si shoqëri duhet ta ndjekim me legjislacion dhe rregulla, pasi ligji që ka qenë në fuqi ka pasur kuptim në vitin 2010 por në vitin 2024-2025 nuk ka kuptim. Ajo çka ofron teknologjia, mënyrën e regjistrimit, mënyrën e votimit, numërimit të votave është shumë me avancuar sesa ka qenë para 1 dekade”, theksoi Tahiri.

    Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, i cili tha se ky institucion ka arritur t’i digjitalizojë shumë nga operacionet zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Tashmë është e ditur se teknologjia informative po bëhet çdo ditë e më shumë pjesë e pazëvendësueshme e proceseve zgjedhore në vende të ndryshme të botës dhe natyrisht edhe në Kosovë. Teknologjia informative ofron mundësi të shumta që i ndihmojnë institucioneve të menaxhimit të zgjedhjeve, siç është KQZ-ja, që të përmirësojnë efikasitetin e zgjedhjeve, transparencën dhe rrjedhimisht besueshmërinë e qytetarëve dhe të akterëve të tjerë në procesin zgjedhor…Në javën e parë pas shpalljes të datës së zgjedhjeve, KQZ ka pranuar softuerin e zhvilluar me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë, përmes së cilit digjitalizohen shumë nga operacionet zgjedhore, avancohen disa prej shërbimeve që ekzistonin më herët dhe përmbushen kërkesat e reja që dalin nga Ligji i ri për Zgjedhjet e Përgjithshme. Përgjithësisht, përmes softuerit, KQZ do të përmirësojë dhe lehtësojë shërbimet që ndërlidhen drejtpërdrejtë me votuesit, subjektet politike dhe me vëzhguesit e zgjedhjeve”, tha ai./KP/

  • Budapesti po përgatitet për përmbytjet më të madhe të dekadës

    Budapesti po përgatitet për përmbytjet më të madhe të dekadës

    Pasi stuhia “Boris” solli shira të rrëmbyeshëm dhe përmbytje katastrofike në pjesë të Evropës Qendrore dhe Lindore, autoritetet e Budapestit nuk po i lënë asgjë fatit. Niveli i ujit në Danub është rritur tej mase. 350 ushtarë janë angazhuar në mbrojtjen nga përmbytjet.

    Me kërkesë të disa qarqeve, ministri i Mbrojtjes Kristóf Szalay-Bobrovniczky urdhëroi vendosjen e ushtarëve për përgatitjet e mbrojtjes nga përmbytjet në vendbanimet Mosonmagyaróvár, Neszmély, Pilismarót dhe përgjatë lumit Lajta.

    Ministri i Brendshëm Sándor Pinter tha në një konferencë për shtyp të dielën se qeveria ka autorizuar departamentin e ministrisë së brendshme për të organizuar mbrojtjen nga përmbytjet.

    Parashikimet thonë se niveli i ujit të Danubit dhe Lajtës do të arrijë, e ndoshta edhe do ta kalojë nivelin e ujit të vitit 2013, kur Budapesti u godit nga përmbytje të paprecedentë.

  • ​Deputetët dhe ambasadori i Hungarisë flasin për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    ​Deputetët dhe ambasadori i Hungarisë flasin për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Pas takimit që ka zhvilluar Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë me ambasadorin e Republikës së Hungarisë në Kosovë, Bela Bozsik, kryetarja në këtë komision, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se kanë diskutuar për disa çështje që Kosova të ndihmohet për të ecur përpara në agjendën e saj evropiane.

    Ndërsa ka shtuar se kanë biseduar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

    “Kemi diskutuar për raportet që Kosova ka me Hungarinë, por me theks të veçantë për atë që Hungaria tashmë e ka kryesimin e presidencës së BE-së, dhe sigurisht se brenda kësaj periudhe kohore sa ata e mbajnë kryesimin e presidencës synimi është që ne si Kosovë t’i shtymë përpara çështjet që konsiderojmë se janë me interes të shtyhen përgjatë kësaj periudhe kohore. Sigurisht kemi diskutuar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe qëndrimet që deputetët që janë anëtarë të Këshillit të Evropës nga Hungaria kanë mbajtur në këtë proces dhe ideja është të gjendet një gjuhë e përbashkët me ta dhe t’i bëjmë ata të kuptojnë sa e rëndësishme është të votohet pro anëtarësimit të Kosovës, sepse këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje që ka të bëjë specifikisht me Kosovën, por është shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës edhe për faktin se kjo ndikon shumë edhe në rritjen e stabilitetit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më pas edhe në vet BE-në”, tha Kryeziu-Hyseni.

    Kryeziu ka thënë se kanë dërguar një ftesë te homologu në Budapest dhe presin që deri në fund të këtij viti Komisioni për Politikë të Jashtme i Hungarisë të vizitojë Kosovën.

    “Ne synojmë që të rrisim bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Hungarinë edhe në nivelin ndërparlamnetar, prandaj kemi dërguar një ftesë tek homologu në Budapest dhe presim që Komisioni për Politikë të Jashtme i Hungarisë të vizitojë Kosovën deri në fund të këtij viti në mënyrë të intensifikojmë raportet nderparlamentare, por edhe të njëjtën kohë të ndërtojmë një bashkëpunim të mirëfilltë në mënyrë që deputetët të mund të shohin nga afër se sa e rëndësishme është që Kosova të ndihmohet për të ecur përpara në agjendën e saj evropiane”, ka shtuar ajo.

  • ​Së shpejti nis renovimi i Muzeut Kombëtar të Kosovës

    ​Së shpejti nis renovimi i Muzeut Kombëtar të Kosovës

    Dyert e Muzeut Kombëtar të Kosovës do të jenë të mbyllura për rreth një vit për vizitorët për shkak të renovimeve që do të fillojnë së shpejti, ndërkohë që aktivitetet dhe komunikimi me vizitorët do të vazhdojë në forma alternative.

    Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu në një intervistë për KosovaPress tregon se renovimet, të cilat përfshijnë depo, laboratorë, sallat ekspozuese, zyrat e punës dhe hapësira e oborrit, do të fillojnë në një të ardhme të afërt dhe kapin koston prej rreth 3 milionë eurosh.

    “Tanimë, të gjitha procedurat kanë përfunduar, nënkupton nënshkrimin e kontratës për caktimin e organeve mbikëqyrëse menaxherëve të kontratës dhe udhëheqësve të drejtpërdrejt dhe pritet shumë shpejtë të fillojë renovimi i ndërtesës së muzeut. Ndërtesa i nënshtrohet në tërësi renovimit dhe kjo nënkupton prej hapësirave të depove, laboratorëve, sallave ekspozuese dhe normalisht hapësirave të punës, zyrave ku qëndron stafi profesional dhe hapësira e oborrit… Secila pjesë e institucionit të muzeut e ka rëndësinë dhe peshën e vet. Nëse flasim për hapësirat e depove dhe laboratorëve mendoj që është esenciale për faktin që aty trajtohen dhe aty bëhet kujdesi ndaj fondit muzeor, tepër e rëndësishme…Kostoja, kontrata e nënshkruar është afërsisht tre milionë, është publike. Kurse sa i përket kohëzgjatjes është 10 muaj për fillim dhe përfundim të punimeve”, tha Aliu.

    Megjithëse muzeu do të jetë i pa qasshëm për vizitorët gjatë rinovimit, Aliu thotë se janë duke shqyrtuar mundësitë për të mbajtur komunikimin me të interesuarit.

    “Ne jemi duke e shqyrtuar mundësinë për të parë se cila do të jetë mënyra dhe forma e komunikimit me publikun, në momentin që institucioni i muzeut do të mbyllet dhe nuk do të jetë i qasshëm për vizitorët. Cilat do të jenë ato aktivitete tash nuk mund të them diçka, sepse ende nuk janë finalizuar dhe kërkojnë një procedurë të shqyrtimit dhe miratimit me këshillin drejtues të muzeut dhe me Ministrinë e Kulturës. Besoj që do të ketë diçka”, tha Aliu.

    Aliu ka theksuar nevojën për rritjen e numrit të stafit në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

    “Mendoj se institucioni i muzeut ka nevojë për staf. Kjo është adresuar edhe në rregulloren që muzeu e ka përmbyllur dhe e ka dorëzuar në ministri sa i përket organizmit të brendshëm dhe sistematizimit të vendeve të punës. Është një numër i punëtorëve profesional, tekniku po ashtu edhe staf mbështetës që arrin në shifrën 100 punëtorë. Ndoshta mund të duket shumë, por në anën tjetër nuk mund të them që ky numër i punëtorëve duhet të plotësohen tani. Mendoj që në një periudhë tre deri në pesë vjet në një planifikim afatmesëm, ky numër duhet të plotësohet”, tha Aliu.

    Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Kosovës thotë se ka pasur rritje të numrit të vizitorëve në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

    “Ka pasur rritje këtë vit në krahasim me periudhën dhe vitin e kaluar në tërësi. Ka pasur ndryshime edhe sa i përket vizitorëve. Vitin e kaluar kemi pasur një numër të jashtëzakonshëm të diasporës. Këtë vit, po ashtu, ka pasur vizitorë edhe nga diaspora, por shquhet për turistë ndërkombëtarë. Sa i përket vizitorëve, nëse flasim për periudhën janar-qershor, flasim për një numër afër 8 mijë vizitorë. Kemi pasur një mbyllje të përkohshme për të rikujtuar defektin që kemi pasur në sistemin e alarmit në sallat ekspozuese. Ajo mbyllje duket se ka rezultuar me një numër cilësor në kuptimin e statistikave. Muaji korrik dhe gusht, çdo ditë, përjashto të hënën, numri i vizitorëve ka qenë mbi 100 vizitorë gjatë ditës”, tha ai./KP