ATV

Author: ATVLive

  • Kurti në SHBA, nderohet me Çelësin e Qytetit në Waterbury

    Kurti në SHBA, nderohet me Çelësin e Qytetit në Waterbury

    Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, Zëvendësministren e saj, Liza Gashi, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka, u mirëpritën në një organizim madhështor nga mërgata jonë në Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” në Waterbury, Connecticut.

    Mes pjesëmarrësve të shumtë në këtë pritje ishte dhe Kryetari i Qytetit të Waterbury, Paul K. Pernerewski Jr., Senatori amerikan Richard Blumenthal si dhe Shefi i Policisë së Waterbury, Fred Spagnolo.

    Kryeministri Kurti falënderoi bashkatdhetarët për pritjen e përzemërt. Njëkohësisht falënderoi për Kryetarin e Qytetit, Pernerewski e Senatorin Blumenthal për praninë e tyre dhe fjalët e tyre mbështetëse, dhe për nderimin me Çelësin e Qytetit.

    “Ne e dimë që ju jeni jashtë atdheut, por po ashtu e dimë që ju jeni brenda kombit dhe duke qenë brenda kombit kemi përgjegjësi për njëri tjetrit, e duhet të punojmë bashkë sa më shumë për një kontribut sa më të madh edhe shoqëror e familjar por e dhe shtetëror e kombëtar ashtu që shqiptaria që do t’ia lëmë brezave pas nesh të jetë shumë më e mirë se sa ajo që e kemi gjetur” tha kryeministri Kurti gjatë adresimit të tij.

    Ai tha se gjatë këtyre tri vjet e gjysmë të qeverisjes jemi përpjekur që të japim shembullin e kontributit për vendin tonë, ashtu që të investojmë aty ku ka më së shumti nevoja.

    Duke reflektuar mbi të arriturat e shtetit të Kosovës 25-vjet pas çlirimit, ai shtoi se Kosova është histori e dyfishtë suksesi: i intervenimit të NATO-s që e ndali gjenocidin e Serbisë si dhe rritjes ekonomike të kombinuar me progres demokratik.

    “Për të dy këto rrëfime të suksesit, në zemër të tyre i kemi ShBA-të, që ishin aleati, miku dhe partneri ynë më i madh dhe i pazëvendësueshëm, edhe për çlirim e pavarësim, por edhe për zhvillim e demokratizim. Andaj faleminderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës me të cilat ne gjithnjë ndajmë vlera, interesa, parime dhe qëllime të përbashkëta” deklaroi Kryeministri Kurti.

    Të pranishmit që kishin ardhur të dielën për të mirëpritur delegacionin nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i përshëndeti me një fjalë rasti edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz. Ndër të tjera ajo u shpreh:

    “Siç ka ditur mërgata jonë e çmuar të rreshtohet pas presidentit Rugova në luftën për liri dhe pavarësi, siç kemi ditur të kontribuojmë të gjithë së bashku në mbrojtën dhe çlirimin e vendit përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu edhe sot do të dimë të rreshtohemi pas institucioneve të Republikës së Kosovës të cilat garantojnë një përparim të republikës sonë, një të ardhme më të mirë dhe një luftë të vendosur për të vërtetën”.

    Ndërkaq në fjalën e tij, Kryetari i Qytetit të Waterbury, Paul K. Pernerewski Jr., që numëron një komunitet prej 12 mijë shqiptarëve, tha se komuniteti shqiptar në Waterbury është ndër më të mëdhenjtë në Amerikë dhe se ata kontribuojnë çmueshëm në jetën shoqërore të qytetit. Ai u shpreh nderuar që sot qyteti po mirëpret kryeministrin Kurti dhe në emër të tij dhe qytetarëve, tha se ka kënaqësi që t’ia dhurojë Çelësin e Qytetit, si vlerësim ndaj udhëheqjes dhe përkushtimit të Kryeministrit për nxitjen e miqësisë ndërkombëtare dhe simbol që dyert të qytetit të Waterbury janë gjithmonë të hapura për të.

    Më tej, Senatori Richard Blumenthal i shprehu mirëseardhjen kryeministrit Kurti në Connecticut, duke e quajtur atë një person që e di mirë se çfarë do të thotë të luftosh për liri dhe për vendin, dhe se e admiron kurajën dhe qëndresën e tij. Ai shtoi se e gjithë Amerika do të qëndrojë përkrah Kosovës, teksa përballemi me Serbinë dhe Rusinë. Ai shprehu dëshirën që ta vizitojë Kosovën bashkë edhe me senatorë të tjerë amerikanë dhe rikonfirmoi mbështetjen e tij për Kosovën si dhe komunitetin shqiptar në Amerikë.

    Në kuadër të organizimit mikpritës kishte edhe një program kulturor-artistik me këngë dhe valle tradicionale.

  • Qeveria ndan 100 mijë euro në përkrahje të koalicionit global kundër ISIS-it

    Qeveria ndan 100 mijë euro në përkrahje të koalicionit global kundër ISIS-it

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka mbajtur një mbledhje elektronike në të cilën ka marrë dy vendime.

    Në këtë mbledhje sipas njoftimit Qeveria ka marr vendim që të ndajë 100,000.00 euro në përkrahje të koalicionit global kundër ISIS/DAESH.

    Gjithashtu Qeveria ka emëruar Komisionin ad hoc të pranimit për pozitën e kategorisë së lartë drejtuese: Inspektor i përgjithshëm, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

  • ZPS për dëshmitarin e 92-të: Ka qenë i ndaluar dhe keqtrajtuar nga UÇK-ja

    ZPS për dëshmitarin e 92-të: Ka qenë i ndaluar dhe keqtrajtuar nga UÇK-ja

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 92-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili ka kodin W04590 dhe është me masa mbrojtëse në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në seancë private, pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori, Cezary Mihailzcuk, ku sipas përmbledhjes se lexuar nga ai, ky dëshmitar është ndaluar në 1998-ën në një bazë të UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Sipas ZPS-së, në vitin 1998 dëshmitari ishte civil shqiptar i Kosovës kur ishte ndaluar në një bazë të UÇK-së ku i ishte nënshtruar keqtrajtimit”, ka thënë prokurori Mihailzcuk.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth një ditë e që nga kjo kohë, 40 minuta janë ndarë për ZPS-në, ndërsa, ekipet e mbrojtjes kanë parashtruar se i duhen rreth dy orë.

    Kurse, rrjedha e seancës nuk dihet përveç asaj që u dëgjua betimi solemn i dëshmitarit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • ​Ndryshimi i ligjit për skemat pensionale, SBASHK kërkon mbështetjen e deputetëve

    ​Ndryshimi i ligjit për skemat pensionale, SBASHK kërkon mbështetjen e deputetëve

    Pas dorëzimit të peticionit me mbi 30 mijë nënshkrime nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK) të mbledhura në kuadër të një nisme qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale, kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj ka bërë të ditur se kanë zhvilluar edhe një takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Pas këtij takimi, Jasharaj ka deklaruar se Konjufca u premtoi se brenda kompetencave të veta do te angazhohet që kjo nismë me kohë të shkojë në organet gjegjëse.

    Jasharaj derisa ka theksuar sfidat që synojnë të paraqesin, ka kërkuar që e njëjta nismë të merret parasysh nga të gjithë, pasi siç tha ai, po e bëjnë për të mirën e një shtrese që është e ndjeshme dhe ka nevojën më të madhe nga shteti.

    “Sapo dolëm me kryetarin e Kuvendit, e njoftuam për iniciativën qytetarë që janë arritur për një kohë shumë të shkurtër të mbledhim 20 mijë 606 nënshkrime. Ne filluam me këto nënshkrime për të zënë procedurat lidhur me nismën legjislative të qytetarëve për miratimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti. Kryetari na përgëzoj për angazhimet që i kemi bërë duke vlerësuar punë të madhe mbledhjen e nënshkrimeve, po ashtu na premtoj që brenda kompetencave të veta, do të angazhohet që kjo nismë me kohë të shkoj në organet gjegjëse, te komisionet dhe KQZ-ja, në mënyrë që sa me shpejtë të fitojë të gjitha këto mbështetje dhe të kalojë në parlament. Dhe në jemi të sigurtë që deputetet e pozitës dhe opozitës, do ta votojnë këtë nismë tonën, ngase kemi biseduar me shefat e grupeve parlamentare dhe nga të gjithë kemi marrë mbështetjen në emër të deputetëve që ata i kanë në subjektet politike. Pra, po e bëjmë një gjë për të mirën e një shtrese që është e ndjeshme dhe ka nevojën më të madhe nga shteti dhe nga ne, pra, për pensionistet, dhe shpresojmë që vitet e 90-ta, do t’iu kthehen si e drejtë e garantuar punëtorëve të arsimit, por ne po angazhohemi edhe për ata që janë dëbuar nga puna. Pjesë e këtij projektligji është që edhe të njihen edhe viteve 2000 dhe 2001, deri në momentin kur filloj së funksionuari TRUST-i…Koston me siguri do të shoh qeveria dhe shteti, mirëpo është një numër i konsiderueshëm, kemi me mijëra të pensionuar në sektorin e arsimit

    Ndryshimet në Ligjin e skemave pensionale kanë të bëjnë me kërkesën që vitet e 90-ta dhe ato pasuese deri kur ka filluar së funksionari Trusti Pensional i Kosovës, të njihen si kontributdhenëse, dhe jo të mbesin vetëm me pensionin e pleqërisë pas dekadave të kaluara në punë./kp

  • Policia në Ferizaj heq 12 patentë-shoferë, shqipton mbi 1500 gjoba

    Policia në Ferizaj heq 12 patentë-shoferë, shqipton mbi 1500 gjoba

    Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se për një javë ka shqiptuar 1513 gjoba kundërvajtëse dhe ka hequr 12 patentë-shoferë për drejtuesit që kanë shkaktuar kundërvajtje më të rënda në komunikacion, raporton EO.

    Në një komunikatë për media, bëhet e ditur se për këtë periudhë janë raportuar edhe 32 aksidente, prej tyre 11 aksidente me lëndime me po aq të lënduar, ndërsa aksidente me dëme materiale janë raportuar 21.

    PK-ja ka apeluar tek qytetarët që t’i raportojnë shkeljet eventuale të pjesëmarrësve në trafik.

    “Policia Rajonale e Ferizajt do të vazhdojë me aktivitete të shtuara, me synim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor dhe apelojmë tek shoferët që të bëjnë kujdes në komunikacionin rrugor. Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë : 192,0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në komunikatë.

  • Regjimenti i parë i këmbësorisë në FSK përfundon ushtrimin fushor “Iron Platoon”

    Regjimenti i parë i këmbësorisë në FSK përfundon ushtrimin fushor “Iron Platoon”

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar ushtrimi fushor “Iron Platoon”, i cili është realizuar në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të këmbësorisë dhe planifikimit vjetor.

    “Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të këmbësorisë, dhe planifikimit vjetor, K1B e Regjimenti i parë të Këmbësorisë, ka realizuar ushtrimin fushor “Iron Platoon”. – thuhet në njoftim.

    FSK thotë se ky ushtrim kishte për qëllim përfundimin e qitjeve dhe manovrave me municion real në nivel Togu, Operacione Sulmuese dhe Sulm në Objektivë, ku janë përdoruar sistemet e armatimit të togut të manovrës.

    “Në ushtrim janë marrë për bazë mësimet e mësuara nga Operacioni “INTERFLEX”, më specifikisht: luftimet nëpër pozicione luftuese (transhe), reagimi i parë në fushëbetejë, taktikat dhe teknikat individuale të luftimit”, thuhet më tej.

  • ​Hamilton zbulon betejën e gjatë me depresionin

    ​Hamilton zbulon betejën e gjatë me depresionin

    Shtatë herë kampioni i Formula 1, Leëis Hamilton luftoi me depresionin për vite të tëra që në moshë të re, pasi u përball me presionin e ndjekjes së një karriere në motorsport dhe u përball me ngacmimet në shkollë.

    Hamilton , i cili ka garuar në gara që kur ishte gjashtë vjeç, tha se ai gjithashtu ka luftuar me depresionin si i rritur dhe e ka pasur të vështirë të nis udhëtimin e tij, përcjellë KosovaPress.

    “Unë mendoj se ishte presioni i garave dhe vështirësive në shkollë si dhe ngacmimi. Nuk kisha me kë të flisja,” tha Hamilton për “The Times”. Kam luftuar me shëndetin mendor gjatë jetës sime, depresionin që në moshë shumë të hershme kur isha, për shembull, 13 vjeçar kur isha e deri në të njëzetat, kisha disa faza vërtet të vështira”, shtoi ai.

    Hamilton bëri debutimin e tij në Formula 1 në vitin 2007 kur ishte 21 vjeç, duke u bërë piloti i parë me ngjyrë. Ai fitoi kampionatin vitin e ardhshëm dhe plotësoi rekordin e Michael Schumacher prej shtatë kampionate në vitin 2020.

    Britaniku tha se ndihej më i pjekur sot sesa ishte më herët në karrierën e tij.

    “Ju po mësoni për gjërat që ju janë transmetuar nga prindërit tuaj, duke vënë re ato modele, si reagoni ndaj gjërave, si mund t’i ndryshoni ato,” tha ai. “Pra, ajo që mund të më ketë zemëruar në të kaluarën nuk më zemëron sot. Unë jam shumë më i rafinuar.”

    Piloti i Mercedes, i cili do t’i bashkohet Ferrarit vitin e ardhshëm, është i gjashti në kampionat, me garën e radhës të vendosur në Austin muajin e ardhshëm.

  • Skemat Pensionale, SBAShK-u dorëzon nënshkrimet për miratimin e projektligjit

    Skemat Pensionale, SBAShK-u dorëzon nënshkrimet për miratimin e projektligjit

    Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), ka dorëzuar të hënën në Kuvendin e Kosovës një peticion me 20,458 nënshkrime të mbledhura në kuadër të një nisme qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale, raporton EO.

    SBAShK synon me këtë nismë të adresojë disa prej sfidave që përballen punonjësit e arsimit dhe sektorëve të tjerë publikë që përfitojnë nga skemat pensionale, duke kërkuar ndryshime në përfitimet e pensionistëve.

    Ndryshimet në Ligjin e skemave pensionale kanë të bëjnë me kërkesën që vitet e 90-ta dhe vitet pasuese deri kur ka filluar së funksionuari Trusti Pensional i Koosvës, të njihen si kontributdhënëse që do të ishte ndihmesë jo vetëm për të punësuarit e arsim, por edhe për gjithë të tjerët që të arrijnë vitet e duhura kontributpaguese dhe të gëzojnë pension të punës e jo të mbesin vetëm me pensionin e pleqërisë pas dekadave të kaluara në punë.

    Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj tha se zhvilluan edhe takim me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Ai shtoi se Konjufca u premtoi që brenda kompetencave të tij, do të angazhohet që kjo nismë të shkon me kohë te organet gjegjëse, në mënyrë që sa më shpejt të kaloj në parlament.

    “Sapo dolëm me kryetarin e Kuvendit e njoftuam për iniciativën qytetarë që janë arritur për një kohë shumë te shkurtër të mbledhim 20 mijë 606 nënshkrime. Ne filluam me këto nënshkrime për të zënë procedurat lidhur me nismën legjislative të qytetarëve për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti. Kryetari na përgëzoi për angazhimet që i kemi bërë duke vlerësuar punë të madhe mbledhjen e nënshkrimeve po ashtu na premtoj që brenda kompetencave të veta do te angazhohet qe të shkoj në organet gjetëse, tek komisionet dhe KQZ-ja, në mënyrë që sa me shpejt të fitojë të gjitha këto mbështetet dhe të kalojë në parlament. Besoj që edhe deputetët e pozitës dhe opozitës do ta votojnë këtë, kam folur me shefat e grupeve parlamentare dhe kemi marrë mbështetje. Po bëjmë të mire për një shtresë të ndishme dhe ka nevojë më të madhe nga shteti, është fjala për pensionistet dhe shpresoj që viteve të 90-ta do t’iu kthehet si e drejtë e garantuar punëtorëve të arsimit por ne po angazhohemi edhe për ata që janë dëbuar nga puna. Po angazhohemi që të njihen edhe viteve 2000 dhe 2001 deri në krijimin e TRUST-it”, theksoi Jasharaj.

  • ​Vazhdon periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

    ​Vazhdon periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Sipas KQZ-së gjatë periudhës 120 ditore (29 gusht – 26 dhjetor 2024) për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, qytetarët me të drejtë vote mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe nëse dëshirojnë edhe ta ndërrojnë atë, duke e caktuar sa më afër vendbanimit të tyre.

    KQZ ka njoftuar se parashtrimi i kërkesës për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës mund të bëhet përmes platformës së vendosur në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org apo në vegzën direkte http://qv.kqz-ks.org dhe kjo do të shqyrtohet nga shërbimi votues i KQZ-së.

    “Ndërrimi i Qendrës së Votimit është i mundur edhe duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, në komunën përkatëse. Për informata shtesë, qytetarët mund të kontaktojnë në këtë linjë ndihmëse pa pagesë 0800 55 555”, thuhet në njoftim.

  • ​Shtyhet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

    ​Shtyhet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

    Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot në orën 11:00, është shtyrë për një ditë tjetër.

    “Për mbajtjen e saj do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit pa u bërë të ditura arsyet e shtyrjes.