ATV

Author: ATVLive

  • Policia në Shtime shqipton 15 gjoba, kryesisht për parkingje të parregullta

    Policia në Shtime shqipton 15 gjoba, kryesisht për parkingje të parregullta

    Policia e stacionit në Shtime ka nisur sot një aksion në rrugët e Shtimes për largimin e veturave nëpër vend parkingje të ndaluara me shenja të komunikacionit rrugor.

    Ky aksion ka ardhur nga disa ankesa të qytetarëve të Shtimes , të cilët vazhdimisht janë ankuar se shoferët e ndryshëm po e pengojnë qarkullimin e lirë të këmbësorëve nëpër trotuaret e dedikuar për ta.

    Aksioni ka për qëllim lirimin e trotuareve dhe të rrugëve nga parkingjet e parregullta.

    Veç, vërejtjeve të shumta policore për drejtuesit e automjeteve, sot gjatë ditës policia ka shqiptuar 15 gjoba për kundërvajtje në komunikacion, kryesisht për parkingje të parregullta .

    “Policia e stacionit në Shtime do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me synim që trotuaret në qytetin e Shtimes të jeni të lira për këmbësorë. Ndërsa, ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që shkaktohen në komunikacionin rrugor, të njoftojnë menjëherë policinë përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë : 192,0290/326-250 & 0290/322-406”, thuhet në komunikatë.

  • I akuzuari për vrasjen e 2017-ës në Prishtinë: Ju kërkoj falje prindërve të të ndjerit

    I akuzuari për vrasjen e 2017-ës në Prishtinë: Ju kërkoj falje prindërve të të ndjerit

    I akuzuari Agron Vllasaliu gjatë dhënies së mbrojtjes të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka shprehur keqardhje për familjarët e të ndjerit N.S dhe tha se asnjëherë nuk ka qenë qëllimi që t’ia marrë jetën dikujt.

    “Më vjen keq për krejt familjen e të ndjerit, ju kërkoj falje prindërve të tij për këtë që kam bo, asnjëherë nuk ka qenë arsyeja me ia marrë jetën dikujt”, tha i akuzuari Vllasaliu.

    Këtë deklarim, Vllasaliu e bëri në rastin ku së bashku me të akuzuarin Arlind Ahmeti po ngarkohen se pas marrëveshjes paraprake më 24 nëntor 2017 në qendër të Prishtinës kishin vrarë N.S., raporton “Betimi për Drejtësi”.

    I akuzuari Vllasaliu ka deklaruar se në natën kritike, përveç tani të akuzuarit Arlindit që e ka njohur, personat tjerë nuk i ka njohur më parë, e as nuk ka pasur të bëjë asgjë me ta dhe se as nuk e di arsyen pse i ka sulmuar.

    Ai po ashtu deklaroi se në natën kritike kur kanë mbërritur te “Kafet e vogla”, në veturë ka hyrë Behar Salihu, me të cilin kanë biseduar aq kohë sa për një xhiro të shkurtër me veturë.

    Vllasaliu ka thënë se herën e dytë kur janë kthyer te “Kafet e vogla”, Behari erdhi duke e goditur nga dritarja e veturës duke tentuar që ta nxjerrë nga vetura.

    Sipas tij, në momentin kur ka shtënë me armë përballë ka pasur vetëm Beharin dhe se pa dashur ta lëndojë dikënd, ka shtënë në drejtim të asfaltit.

    “Vjen i fut dy duart në veturë, një person që kurrë në jetë s’e kam pa, më godet dhe munohet me aq fuqi sa ka me më nxjerrë nga vetura duke më kapur për tesha”, ka deklaruar i akuzuari Vllasaliu.

    Gjtihashtu, lidhur me bisedën e zhvilluar në veturë mes Beharit dhe Arlindit, i akuzuari theksoi se “me sa e di kërkesa e Beharit ka qenë droga”, ndërsa Arlindi i ka thënë se nuk ka drogë.

    Vllasaliu tha se pas atij rasti nuk e ka takuar as të akuzuarin Arlind dhe as nuk ka qenë në dijeni se dikush ka humbur jetën. Tha se këtë e ka kuptuar kur është arrestuar në Francë dhe e kanë njoftuar se akuzohet se për vrasje.

    I pyetur nga mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Fanol Krasniqi, i akuzuari ka thënë se lidhur me atë nëse dikush dikujt i ka kërkuar besë, sot është hera e parë që e dëgjon këtë, pasi që për asnjë moment nuk është kërkuar besa.

    Mbrojtësi i tij, avokati Florent Latifaj ka kërkuar nga gjykata të sqarohet edhe koha sa ka qenë i mbrojturi i tij në paraburgim në Francë gjatë kohës së ekstardimit, pasi që nuk është llogaritur deri më tani.

    Për këtë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Alban Ajvazi kërkoi që Prokuroria t’ua sigurojë këtë informacion, ndërsa prokuror Bashkim Zeqaj kërkoi kohë që ta sigurojë këtë informatë.

    Më pas, seanca e sotme është ndërprerë për të vazhduar për një datë tjetër.

    Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Kurse, Vllasaliu gjendej në arrati.

    Por, Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

    Kurse, më 13 dhjetor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë sërish e kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti, duke i dënuar me nga 21 vjet burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të tani të ndjerit N.S, në vitin 2017 në Prishtinë.

    Ndërsa, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023, me rastin e ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, mbrojtësve të të akuzuarit Arlind Ahmeti, avokatit Asdren Hoxha dhe avokatit Fitim Malokaj, si dhe mbrojtësit të të akuzuarit Agron Vllasaliu, avokatit Florent Latifaj, ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 13 korrik 2021, Agron Vllasaliu akuzohet se më 24 nëntor 2017, në bazë të marrëveshjes paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin N.S dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

  • Grushtet e forta të Dubois, Joshua suspendohet nga boksi

    Grushtet e forta të Dubois, Joshua suspendohet nga boksi

    Anthony Joshua është suspenduar nga boksi pas humbjes së tij brutale nga Daniel Dubois javën e kaluar.

    Boksieri britanik u eliminua në raundin e pestë në Wembley para 96,000 tifozëve nga rivali vendas 27-vjeçar, raporton Daily Mail.

    Dubois ruajti titullin e tij në peshën e rëndë IBF me fitore mbresëlënëse, duke rrëzuar katër herë kundërshtarin e tij.

    Sipas protokollit, Joshua-s tani i ndalohet të hyjë në ring për 28 ditë, me Bordin Britanik të Kontrollit të Boksit që zbaton rregullin.

    Shoqata e Komisioneve të Boksit dhe Sporteve Luftarake thekson se është procedurë standarde për boksierit që të marrin pezullime mjekësore pas humbjes me nokaut dhe nokaut teknik.

    Ndalimi i shkurtër nuk ka gjasa të pengojë Joshua-n duke pasur parasysh se kundërshtari i tij i ardhshëm nuk është caktuar ende pasi ai këmbënguli se do të vazhdojë të boksojë.

  • Konjufca pranon peticionin nga SBAShK-u për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale

    Konjufca pranon peticionin nga SBAShK-u për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

    Në bazë të Ligjit për nisma legjislative, kryetari Konjufca pranoi në mënyrë solemne nismën legjislative të nënshkruar nga qytetarë, me propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, të dorëzuar nga përfaqësues të sindikatës SBAShK.

  • NATO-ja nis dislokimin e 200 pjesëtarëve të Forcës së Reagimit në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut

    NATO-ja nis dislokimin e 200 pjesëtarëve të Forcës së Reagimit në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut

    Rreth 200 pjesëtarë të Forcës Aleate të Reagimit të NATO-s do të dislokohen në Ballkanin Perëndimor nga 30 shtatori deri më 16 tetor për të kryer stërvitje që synojnë rritjen e gatishmërisë dhe mbështetjen e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

    Në komunikatën për media të lëshuar nga KFOR-i thuhet se kjo është hera e parë që një njësi e ARF-së dislokohet që nga themelimi i saj në korrik të këtij viti.

    “Një kontingjent ushtarak prej rreth 50 pjesëtarësh do të jetë në Kosovë dhe një nyje komanduese e përparme prej rreth 150 pjesëtarësh do të vendoset në Maqedoninë e Veriut. Personeli i dislokuar do të kryejë aktivitete stërvitore për të ruajtur nivelin e lartë të gatishmërisë dhe për të testuar aftësitë e tyre. Një pjesë e shtabit të ARF-së do të integrohet përkohësisht në strukturat komanduese dhe kontrolluese të misionit të KFOR-it, me detyrën për të identifikuar kërkesat e mbështetjes logjistike, infrastrukturore dhe operacionale për KFOR-in, në rast të një përforcimi të konsiderueshëm të qëndrimit të tij”, thuhet në komunikatë.

    Ky dislokim i ARF-së, së bashku me vendosjen e vazhdueshme të Forcës Rezervë Strategjike (SRF) në Kosovë, dërgon mesazh të qartë të vendosmërisë dhe angazhimit të fortë të NATO-s për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.

  • Rama në shkollën “Faik Konica”, shikon implementimin e mësimit tërëditor

    Rama në shkollën “Faik Konica”, shikon implementimin e mësimit tërëditor

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me nënkryetaren, Jehona Lushaku, kanë vizituar shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, ku kanë parë nga afër nisjen e mësimit gjithëditor, raporton EO.

    Kreu i Prishtinës tha se implementimi i këtij programi është pozitiv për fëmijët, ndërsa meritat ia atribuon drejtoreshës së Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriu. Rama tha se edhe ushqimi në këtë program është i veçantë për fëmijë.

    “Sot filluam me mësimin tërëditor, është vazhdimësi e dy shkollave të mëparshme tashmë jemi këtu në ‘Faik Konicë’ dhe do të shkojmë në shkollën e radhës. Desha të vijë dhe me përjetuar mënyrën e mësimit tërëditorë dhe ndryshimet që janë vërë pas një pune të madhe që është bërë prej administratës së kryeqytetit në krye me drejtoreshën Jehonën. I gjithë stafi kanë qenë pjesë e këtij procesi. Shujtat të cilat janë nutricione janë të mirë-dizajnuar për shëndetin e fëmijëve tanë. Përveç këtyre shujtave, pamë edhe klasë të ndryshme, si klasa e filmit që kanë mundësi nxënësit me shikuar dhe diskutuar për atë film me qenë kritik. Po ashtu në klasën e biologjisë ku i pamë një numër të madh të nxënësve duke mësuar për prindërit. Me pajisjet digjitale të cilat i mundëson nxënësve që të ndërlidhen me çfarëdo mësimi në formën digjitale për informata shtesë. Vizituam edhe klasën ku bëhet mësimi tërëditor”, deklaroi Rama.

    Rama shpreson që mësimit tërëditor të implementohet në të gjitha shkollat e Kryeqytetit, por që kërkon investime për shkolla të reja.

    “Ne në Kosovë është e re dhe po shfrytëzojmë këtë sistem që nxënësit tanë të kenë mundësinë që ato që i lexojnë dhe t’i kuptojnë dhe t’i diskutojnë. Kjo krijon një sistem më të mirë që të thellohet edukata. Ishin të gjithë nxënësit e entuziazmuar dhe shpresojmë që të vazhdojmë në të gjithë territorin e Prishtinës, planifikimet janë bënë por na duhet investime të tjera për shkollat e reja. Jemi zotuar që çdo klasë të ketë edhe panelet teknologjike. Transformim në kryeqytet në edukimin arsimor në shkollat fillore dhe të mesme do të jetë një element që do ta marrë e gjithë Kosova, me një sistem fantastikë për të ardhmen tonë”, u shpreh Rama.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunë e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka potencuar se hapja e një shkolle me mësim tërëditor është ditë e rëndësishme pasi “ngritë cilësinë e arsimit në kryeqytet”.

    “Është e rëndësishme që sot ne po vazhdojmë hapjen edhe të një shkolle me mësim tërëditor. ‘Faik Konica’ është një shkollë ikonike dhe kur shënohet këtu janë shënuar shumë reforma të arsimit, dhe kjo është një lloj përmbushje të misionit në funksion të fëmijëve dhe të planifikimit të prindërve. Është bërë për qëllimet më të mira që ngritja cilësisë së arsimit të ndodh në qendër të Prishtinës. Kemi përdorur një model të ndarjes së shkollës, paralelet gjashtë deri nëntë kanë shkuar në një shkollë tjetër, në shkollë tjetër të afërt dhe kemi përdorur hapësirat e mbetura për të krijuar hapësira për klasat e para dhe të pesta”, tha Lushaku-Sadriu.

    Po ashtu ajo foli edhe për ushqimin që do ta kenë këta nxënës.

    “Kryeqyteti ka ndarë edhe buxhetin për kuzhinën qendrore dhe do të jap shujtat e ngrohta për të gjithë nxënësit e shkollës ‘Faik Konica’. Me këtë ne po e përmbushim dhe po e shendojmë shkollën në një vend lumturie krahas një vendi ku edhe aplikohet mësimdhënia me metoda bashkëkohore”, shtoi ajo.

    Drejtoresha e shkollës ‘Faik Konica’, Jehona Uruqi tha se nxënësit e kanë mirëpritur mësimin gjithëditor, teksa konsideron se kjo kurrikulë ka krijuar hapësira për aktivitet të ndryshme shtesë.

    “I gjithë procesi ka shkuar ashtu siç është planifikuar, përveç mësimit të rregullt janë realizuar edhe aktivitete shtesë të cilat plotësojnë mësimin tërë ditor dhe mundësojnë realizimin e kutikulës bazë. Në shkollë është bërë një riorganizim i tërësishëm ku përveç klasave aktuale janë përdorur edhe hapësira të cilat ndihmojnë realizimin e aktiviteteve në hapësira të ndryshme të cilat do të ndihmojnë edhe realizimin e kilikues. Nxënësit e kanë pritë me entuziazëm ashtu siç e kemi pritur edhe ne tani është dita e parë dhe vërehet një buzëqeshje e tyre, dhe besoj që edhe ditëve në vijim do të ambientohen më të gjitha hapësirat e shkollës”, tha Uruqi.

  • Rritet numri i të prekurve me kancer në Kosovë, mbi 1 mijë raste të reja brenda një viti

    Rritet numri i të prekurve me kancer në Kosovë, mbi 1 mijë raste të reja brenda një viti

    Nga viti në vit vërehet rritje e rasteve të prekura nga kanceri. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) numri i rasteve të reja me kancer është rritur në vitin 2023, krahasuar me vitin paraprak. Në vitin 2023 janë regjistruar mbi 1 mijë raste të reja me kancer, më shumë se sa një vit më parë.

    Sipas të dhënave të ASK-së gjatë vitit 2022 ishin gjithsej 3110 raste të reja të prekura nga kanceri. Ndërkaq në vitin 2023 janë gjithsej 4 mijë e 165 raste të reja me kancer. Nga këto raste 2 085 të rasteve janë femra dhe 2 080 meshkuj.

    “Nëse shikohet në përgjithësi niveli i vizitave në Institucionet shëndetësore, e kryesisht atyre parandaluese është rritur, nëse shikojmë numrin e të gjitha vizitave në të gjitha nivelet e vizitave qofshin ato në shëndetin primar, sekundar apo edhe në atë terciar. Tek të prekurit me kancer vërehet një rritje e ndjeshme nga viti 2022 ku kishte 3110 raste të reja të prekura nga kanceri derisa në vitin 2023 kemi 4165 raste të reja”, thuhet në raportin e ASK-së.

  • Dëshmitari flet për persona të ndaluar nga UÇK-ja: Disa janë gjetur të vdekur e janë quajtur kolaboracionistë

    Dëshmitari flet për persona të ndaluar nga UÇK-ja: Disa janë gjetur të vdekur e janë quajtur kolaboracionistë

    Pas dëshmitarit të 92-të, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 93-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Ahmet Rrahmanaj i cili mban kodin 04278, në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Matt Halling. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ky prokuror, dëshmitari ka qenë pjesë e UÇK-së dhe do të flas për persona të ndaluar në Zonën e Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Dëshmitari 04278 ka qenë anëtar i Policisë Ushtarake të UÇK-së në njësitin “Lumi”. Ai do të jep të dhëna për veprimtarinë gjatë luftës, si ka funksionuar kjo njësi dhe persona që janë mbajtur të ndaluar në Zonën e Malishevës”, tha Halling.

    Rrahmanaj ka folur për disa persona të cilët i njeh, e që sipas tij janë arrestuar dhe ndaluar nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e që disa prej tyre edhe janë gjetur të vdekur.

    Në një deklaratë të mëhershme për Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), dëshmitari kishte folur për një roje pylli në Komunën e Klinës, që ishte vrarë me pretekstin se ishte kolaboracionist.

    Rrahmanaj tha se ky person e kishte emrin Avdyl Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Për mua nuk ka qenë kolaboracionist, për arsye se e kam njohur personalisht, por ndoshta për arsye që ushtronte funksionin e rojtarit të malit në atë kohë ku ishte i vetmi dhe nga të rrallët i punësuar pranë autoriteteve të dhunshme të asaj kohe të Serbisë”, tha dëshmitari.

    Rrahmanaj po ashtu tha se nuk e di kohën se kur është vrarë ky person, por mendohet nga fundi i ‘98-ës ose fillimi i ‘99-ës. Ndërsa se kush e ka vrarë Gashin, dëshmitari tha se nuk ka njohuri.

    Ai deklaroi se një person me emrin Fetah Rudi e njihte dhe se ka qenë anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), aktivitet të cilin e ka ushtruar para, gjatë dhe pas luftës.

    Ai shtoi se 90 % të ushtarëve të UÇK-së, kanë qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Dëshmitari tha se ka dijeni se Rudi ishte ndaluar nga UÇK-ja.

    “Është periudha kur unë nuk kam qenë polic ushtarak, por me rrëfimin e Fetahut si mik, po. E kam ditur”, tha Rrahmanaj, duke shtuar se një gjë të tillë ai ia kishte thënë në korrik të 1999-ës kur dëshmitari kishte ardhur në Kosovë.

    “Fetah Rudi më ka treguar se pas një problemi që ka ndodhur në mes disa ushtarëve të UÇK-së, Fetahun e kanë shoqëruar dhe arrestuar. Dyshimet e tij janë që për shkak të aktivitetit të tij politik për arsye se ai bënte lëvizje në atë kohë edhe pse ishte ushtar i UÇK-së, ai udhëtonte drejt Prishtinës për të qenë pjesë e mbledhjeve të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha dëshmitari.

    Pas arrestimit, Rrahmanaj tha se Rudin e kanë dërguar në fshatin Bubël.

    “Një shtëpi aty ku kanë qenë si Shtab i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe është mbajtë në njërën nga banjat aty të shtëpisë”, tha dëshmitari.

    Rrahmanaj theksoi se Rudi ishte arrestuar së bashku me një kushëri të dëshmitarit, i cili ishte akuzuar për vjedhje. Sipas tij, Fetah Rudi i ka thënë atij që e kanë dërguar në një gjyq ushtarak, e pastaj e kanë lënë të lirë.

    Ndërsa për një person të quajtur Ramiz Hoxha, dëshmitari kishte thënë për ZPS-në që është quajtur si kolaboracionist serb, i cili është vrarë edhe pse nuk ka qenë kolaboracionist.

    “Pas një kërkesë të fshatarëve të fshatit Bellanicë që të dalin t’i mbledhin të korrat e vjeshtës, në atë kohë misrin dhe pasulin, po nuk ishin të lirë që të kryenin këtë aktivitet për arsye se policia serbe ishin shumë afër fshatit ku ishin arat me të mbjella. Ata morën vendim që të shkojnë të bisedojnë dhe t’i njoftojnë ushtrinë Serbe që do t’i kryejnë këto punë në arat e tyre. Pasi kanë ngjarë këto bisedime dhe kanë fillu t’i mbjellin të korrat e vjeshtës, është marrë Ramiz Hoxha”, tha dëshmitari.

    Sipas Rrahmanajt, Hoxha e ka luajtur rolin e përkthyesit të banorëve të fshatit pasi që kishte jetuar në Slloveni dhe kishte njohuri të gjuhës serbe.

    Sipas tij, këtë gjë ia kishin konfirmuar dëshmitarët, banorët e fshatit, vëllai i Hoxhës dhe djali i tij. Tha se Ramiz Hoxhën e kanë marrë nga xhamia.

    “Thuhet se ata kanë shkuar në xhaminë e fshatit ku ai ka qenë duke kryer ritualin ditor dhe kanë kërkuar hoxhën e fshatit dhe Ramizi del aty dhe thotë që unë kam qenë përkthyesi në atë takim dhe mundem t’ua shpjegojë. Ramiz Hoxhës i kanë thënë që duhet të vish me ne. Flitet që ka kërku edhe vëllai i tij që të shkojë me atë, pro ata i kanë thënë që ti nuk mundesh”, tha dëshmitari, duke shtuar se kjo xhami gjendet në fshatin e Ramiz Hoxhës.

    Ai tutje shtoi se thuhet që Ramiz Hoxhën e kanë futur në bagazhin e makinës dhe kur ka kërkuar vëllai i tij që të shkojë më atë, anëtarët e UÇK-së i kanë thënë që nuk ka vend për atë.Dëshmitari tha se për makinën flitet që ka qenë e UÇK-së, por që nuk dihet me saktësi për shkak se sipas tij njerëzit kanë qenë të maskuar.

    Po ashtu, Rrahmanaj tha se në bagazh të makinës ka qenë edhe një person tjetër, i cili është gjetur i vdekur bashkë me Ramiz Hoxhën.

    “Ishte edhe një tjetër njeri në të dhe ai është gjetur i vdekur bashkë me Ramizin”, tha dëshmitari, duke shtuar se ky person ishte Selman Binishi.

    Dëshmitari deklaroi se pas 10 minutave këta persona janë gjetur të vdekur një apo dy kilometra larg xhamisë. Ai thotë se trupat i gjeti djali i Ramizit dhe një bashkëfshatar i tij.
    “Thuhet se i kanë gjetur në çastet e fundit”, tha dëshmitari, duke shtuar se Ramiz Hoxha nuk ishte kolaboracionist.

    Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar për të vazhduar më pas me mbrojtësin e viktimave, gjë e cila iu lejua nga trupi gjykues.

  • ​Dy vjet nga aplikimi për anëtarësim në BE, qeveria thotë se Kosovës po i bëhet padrejtësi

    ​Dy vjet nga aplikimi për anëtarësim në BE, qeveria thotë se Kosovës po i bëhet padrejtësi

    Qeveria e Kosovës thotë se po i bëhet padrejtësi vendit me zvarritjen e shqyrtimit të aplikimit për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas ekzekutivit kosovar opinioni i BE-së ndaj këtij aplikimi dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm që duhet të merren nga unioni evropian. Dy vjet nga aplikimi, në qeveri shpresojnë që presidenca hungareze e Këshillit të BE-së të trajtojë me seriozitet të merituar kërkesën e Kosovës. Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës akuzojnë qeverinë se s’ka punuar asgjë në integrimet evropiane, derisa këtë proces e ndërlidhin edhe me dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkaq, njohësit e integrimeve evropiane janë skeptik se do të ketë vendim pozitiv nën presidencën e Hungarisë.

    Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, thotë për KosovaPress se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale.

    “Ne mendojmë se është e padrejtë që Kosovës të mos i jepet mundësia që të vlerësohet në baza meritokracie mbi nivelin e përgatitjes dhe gatishmërisë institucionale. Opinioni nga ana e BE-së dhe marrja e pyetësorit, janë hapa të domosdoshëm të cilat duhet të ndërmerren. Kemi punuar ngushtë me presidencat e Këshillit të BE-së përgjatë kësaj periudhe, dhe shpresojmë që ajo aktuale hungareze ta trajtojë me seriozitetin e merituar kërkesën tonë për aplikim”, thekson Kadiu në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

    Ai shton se aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit-vend kandidat për anëtarësim në BE ishte si rezultat siç thotë ai i progresit të gjithmbarshëm dhe sinjal i fuqishëm i vullnetit, gatishmërisë dhe vendosmërisë për të bërë hapa përpara në procesin e integrimit evropian dhe rrugës drejt BE-së.

    “Aplikimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetorin e para dy viteve, erdhi si rezultat i progresit të gjithmbarshëm që njohu vendi, i cili u pasqyrua bindshëm edhe në Raportin për Vendin për Kosovën 2022 të vetë Bashkimit Evropian. Gjithashtu, aplikimi ishte edhe një sinjal i fuqishëm i vullnetit, gatishmërisë, dhe vendosmërisë për të bërë hapa përpara në procesin e integrimit evropian dhe rrugës drejt BE-së. Tashmë 8 vite nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, Kosova vijon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat, kur shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë marrë atë menjëherë, në raste edhe pak javë pas nënshkrimit të asaj marrëveshjeje”, thuhet më tej në përgjigjen e Kadiut.

    Mirëpo, kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, në Kuvendin e Kosovës, Rrezarta Krasniqi, thotë për KosovaPress se qeveria s’ka punuar asgjë për integrim evropian.

    Marrjen e statusit të vendit-kandidat për anëtarësim në BE, ajo e ndërlidh edhe me dialogun Kosovë-Serbi.

    “Me 15 dhjetor të këtij viti bëhen 2 vjet që nga aplikimi i Kosovës për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne tashmë kemi masa nga Bashkimi Evropian sepse kjo qeveri s’ka punuar asgjë në integrim evropian. Sa i përket përkrahjes edhe pse jemi opozitë ne jemi gëzuar këtij aplikimi, mirëpo po shohim se kemi ngecje në procesin integrues sepse të gjitha proceset janë të lidhura me dialogun Kosovë-Serbi”, thotë ajo.

    Në anën tjetër, profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, është skeptik se do të ketë lëvizje nën presidencën hungareze për dhënien e statusit Kosovës si vend-kandidat për anëtarësim në BE.

    Megjithatë, ai shton se edhe nëse Kosova merr dritën e gjelbër, anëtarësimi në BE në rrethana aktuale është i pamundur për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendeve të BE-së.

    “Të dyja palët po luajnë një poker (ping-pong) me sy mbyllur. Është e kotë BE-ja çka po thotë, mirëpo edhe Kosova. Pa njohjen e Kosovës ne nuk mund të bëhemi anëtarë sipas Traktatit të Lisbonës. Kjo i bie që Këshilli i Evropës e autorizon komisionin evropian për me pa si është gjendja, por para se të merret vendimi duhet të kyçet edhe Parlamenti Evropian…Edhe nëse kushtimisht po themi se mund ta marrim statusin e vendit-kandidat, po themi mund të gjendet ndonjë vrimë por që të bëhemi anëtarë duhet gjithsesi aprovimi i 27 vendeve të BE-së, e kjo është misioni pamundur”, thekson Arifi.

    Kosova ka aplikuar për marrjen e statusit vend-kandidat për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022. Aplikimi deri tani nuk është shqyrtuar nga asnjë vend që ka pasur presidencën e Këshillit Evropian, ndërkaq deri më 31 dhjetor 2024, presidencën e Këshillit e ka Hungaria.

    Kosova vijon të mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE./kp

  • Mediat zvicerane e konfirmojnë: Amir Saipi ka vendosur që ta përfaqësojë Kosovën

    Mediat zvicerane e konfirmojnë: Amir Saipi ka vendosur që ta përfaqësojë Kosovën

    Mediat zvicerane kanë konfirmuar se portieri shqiptar Amir Saipi ka vendosur që ta përfaqësojë Kosovën dhe jo Zvicrën.

    Këtë e ka bërë të ditur më saktësisht mediumi Corriere Del Ticino, të cilët kanë konfirmuar se numri një i gjigantit zviceran Lugano ka vendosur që ta vesh fanellën e ‘Dardanëve’.

    24-vjeçari për shumë kohë kishte qenë zgjedhja e parë e portës për grupmoshat U21 të Zvicrës, teksa edhe përzgjedhësi Murat Yakin e kishte ftuar disa herë tek kombëtarja A.

    Saipi i lindur në Schaffhausen ka pasaportë të dyfishtë, por që shkaku i konkurrencës së madhe tek Zvicra nuk ia doli që të gjejë hapësirat e nevojshme.

    Duke marrë parasysh përvojën që ka Saipi në kampionatin zviceran si dhe falë paraqitjeve me Zvicrën, do të jetë një përforcim tejet i madh për Kosovën dhe do ta rrisë si kualitetin ashtu edhe konkurrencën.

    Përndryshe, Kosova do t’i luajë dy ndeshje gjatë muajit tetor, ndaj Lituanisë në udhëtim dhe ndaj Qipros në ‘Fadil Vokrri’ në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Deri atëherë mbetet të shihet se a do të ketë zhvillime të reja, por që sipas raportimeve nga Zvicra kjo punë tashmë mund të konsiderohet si e kryer./Telegrafi/