ATV

Author: ATVLive

  • Ambasadori kinez: Kina e Serbia “miq të çeliktë”

    Ambasadori kinez: Kina e Serbia “miq të çeliktë”

    Ambasadori kinez në Serbi, Li Ming ka thënë se lidhja miqësore e Kinës me Serbinë duhet të shërbejë si model për marrëdhëniet mes Kinës dhe Bashkimit Evropian.

    Me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, ai ka shprehur mirënjohjen e tij për “miqtë serbë që mbështesin zhvillimin e marrëdhënieve kino-serbe të cilat vendosin një pikë referimi për bashkëpunim mes Kinës dhe BE-së dhe një model për komunitetin ndërkombëtar”.

    “Sapo kemi festuar 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për miqtë tanë serbë, të cilët i kushtojnë vëmendje dhe mbështesin zhvillimin e marrëdhënieve kinezo-serbe për një kohë të gjatë”, tha ambasadori, deklarata e të cilit u transmetua nga Tanjug.

    Li Ming lartësoi raportet mes vendit të tij dhe Serbisë dhe tha se Kina dhe Serbia janë “miq të çeliktë që kanë ndarë të mirat dhe të këqijat së bashku – vitet e fundit, nën udhëheqjen strategjike të krerëve të shteteve të dy vendeve, marrëdhëniet kino-serbe kanë hyrë në një fazë të re të zhvillimit të fuqishëm me të dyja palët që mbështesin me vendosmëri njëra-tjetrën, ato mbështesin interesat thelbësore dhe rrugët e zhvillimit”.

    Ai ka folur edhe për bashkëpunimin në biznes mes Serbisë, e cila është një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian por që nuk e pengon të ruajë marrëdhënie të tilla me Kinën, si dhe me Rusinë.

    “Ne gjithashtu arritëm rezultate të frytshme të bashkëpunimit në projekte të mëdha si fabrika e çelikut HBIS Smederevo dhe hekurudha e shpejtë Beograd-Budapest, ku Kina u bë burimi më i madh i investimeve në Serbi dhe partneri i saj i dytë tregtar. Në maj të këtij viti presidenti Xi Jinping erdhi në një vizitë shtetërore në Serbi dhe arriti një konsensus të rëndësishëm me presidentin Aleksandar Vuçiq, duke udhëhequr bashkërisht marrëdhëniet kinezo-serbe në një rrugë të re të ndërtimit të një komuniteti me të ardhme të përbashkët”, tha ambasadori kinez.

    “Marrëdhëniet midis Kinës dhe Serbisë kanë vendosur një pikë referimi për bashkëpunimin midis Kinës dhe BE-së dhe një model për komunitetin ndërkombëtar. Kina dhe Serbia kanë perspektiva të gjera për bashkëpunim dhe miqësi të thellë. Le të bashkohemi dhe të jemi gjithmonë miq të mirë që trajtojnë njëri-tjetrin sinqerisht, partnerë të mirë në bashkëpunim në të cilin fitojnë të gjithë, një shembull i mirë në promovimin e drejtësisë dhe një besimtar i mirë në komunikimin ndërpersonal, së bashku do të ushqejmë marrëdhëniet tona dhe do të dëshmojmë se si pema e miqësisë kino-serbe bëhet më e fortë dhe jep më shumë fryte, të mirën e dy kombeve”, tha ambasadori Li Ming dhe në fund shtoi: I uroj Republikës Popullore të Kinës prosperitet, rroftë miqësia mes Kinës dhe Serbisë!”.

    Kina e sheh Serbinë dhe Hungarinë si porta hapëse për ta shtrirë ndikimin e saj në Bashkimin Evropian, si dhe ka interesa të tjera që dëshiron t’i realizojë duke lidhur aleanca me dy autokratët Aleksandar Vuçiq dhe Viktor Orban.

    Për shembull, BYD e Kinës, një komani e automjeteve elektrike, e cila vitin e kaluar shiti më shumë automjete elektrike se Tesla, planifikon të ndërtojë fabrikën e saj të parë në Evropë në Hungari. Duke ndërtuar makina brenda BE-së, Pekini mund të shmangë kërcënimin e tarifave për makinat elektrike të importuara nga Kina.

    Në maj 2024, presidenti kinez Xi Jinping udhëtoi për të takuar qeveritë pro Pekinit në Serbi dhe Hungari.

    Sidoqoftë përfitimet më të mëdha Serbia i merr nga Bashkimi Evropian edhe pse ka dështuar që të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në edhe kësaj radhe. Partnerët kryesorë tregtarë të saj janë Gjermania, Italia, si dhe Kina e Rusia.

  • Mark Rute: NATO qëndron me Ukrainën

    Mark Rute: NATO qëndron me Ukrainën

    Shefi i NATO-s Mark Rutte siguroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy se qëllimi i tij si kreu i aleancës ushtarake është të sigurojë mbështetjen që Ukraina të fitojë.

    Rutte vizitoi në kryeqytetin ukrainas në udhëtimin e tij të parë si sekretar i përgjithshëm i aleancës.

    Ai tha se ai zgjodhi Kievin si udhëtimin e tij të parë “për t’jua bërë të qartë Ukrainës, popullit të Ukrainës dhe të gjithëve se NATO qëndron me Ukrainën”.

    Nga ana tjetër Zelenskyy kritikoi tha se Perëndimi nuk duhet të vonojë, por duhet të ndihmojë Ukrainën për furnizimin e armëve me rreze të gjatë.

    Shefi i NATO-s Mark Rutte siguroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy se qëllimi i tij si kreu i aleancës ushtarake është të sigurojë mbështetjen që Ukraina të fitojë.

    Rutte vizitoi në kryeqytetin ukrainas në udhëtimin e tij të parë si sekretar i përgjithshëm i aleancës.

    Ai tha se ai zgjodhi Kievin si udhëtimin e tij të parë “për t’jua bërë të qartë Ukrainës, popullit të Ukrainës dhe të gjithëve se NATO qëndron me Ukrainën”.

    Nga ana tjetër Zelenskyy kritikoi tha se Perëndimi nuk duhet të vonojë, por duhet të ndihmojë Ukrainën për furnizimin e armëve me rreze të gjatë.

    “Ne kemi nevojë për sasi dhe cilësi të mjaftueshme të armëve, duke përfshirë armë me rreze të gjatë, që për mendimin tim partnerët tanë tashmë po e zvarritin”, tha Zelenskyy.

    Udhëheqësi ukrainas u bëri thirrje gjithashtu anëtarëve të NATO-s që të marrin një rol më aktiv për të ndihmuar vendin e tij për të shmangur sulmet ajrore ruse.

    “Ne do të vazhdojmë të bindim partnerët tanë për nevojën për të rrëzuar raketat dhe dronët rusë,” tha më tej Zelenskyy.

  • Haradinaj: Nëse Kurti i mbërrin 25 për qind të votave, i lumi ai për veti

    Haradinaj: Nëse Kurti i mbërrin 25 për qind të votave, i lumi ai për veti

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në “Paradoks” është shprehur i bindur se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i marrin 25 për qind të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025.

    “Kuk e shoh Kurtin që i kalon najherë 30 për qind në zgjedhje. Edhe 25 kur e mbërrin, i lumi ai për veti. Nuk po them se do të jetë partia e parë”, ka thënë Haradinaj.

    Sipas tij, këtë do t’ia pamundësojë keqqeverisja e tij në katër vjetët e fundit.

    “Sepse filluan që të gjithë t’ia kuptojnë mashtrimin dhe do t’ia dhënë për fytyre. I dolën dy deputetë, një degë në Drenas. Ne jemi në proces të rritjes sonë, mundemi edhe ne të jemi fitues. Por nuk besoj se Kurti do t’i fitojë zgjedhjet. E shihni sa me gëzim po thonë ata po luftojnë për vend të dytë”, ka thënë ai.

  • Deputeti i VV-së: Lëvizja “Vetëvendosje” i ka kaluar përmasat e një subjekti politik

    Deputeti i VV-së: Lëvizja “Vetëvendosje” i ka kaluar përmasat e një subjekti politik

    Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, subjektin politik të cilit i takon e krahason me Lidhjen Demokratike të Kosovës të kohës së Ibrahim Rugovës të fillim e viteve 90-ta dhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të fundviteve të 90-ta.

    ‘’ VV i ka kaluar përmasat e një subjekti politik. VV sot është Lëvizje gjithëpopullore me krahasua me LDK-në e fillim viteve të 90’ta dhe UÇK-në e fund viteve 90-ta dhe VV nuk është më thjeshtë subjekt politik, por lëvizje gjithë popullore që po kërkon dhe po dëshiron edhe po e zbaton ligjshmërinë në gjithë territorin e Kosovës’’, deklaron deputeti Thaçi.

  • Kurti për AP: Fitorja e Rusisë në Ukrainë do ta trimëronte Serbinë ekspansioniste

    Kurti për AP: Fitorja e Rusisë në Ukrainë do ta trimëronte Serbinë ekspansioniste

    Kryeministri i Kosovës tha të enjten se rajoni i Ballkanit ka gëzuar shkallën më të madhe të paqes, lirisë dhe demokracisë gjatë 25 viteve të fundit, por se kjo mund të ndryshohet nëse Rusia fiton në Ukrainë dhe inkurajon ekspansionizmin serb.

    Albin Kurti, i cili ka shërbyer si lider i Kosovës që nga viti 2021, tha se ishte e rëndësishme që Perëndimi të qëndrojë i bashkuar në mbështetje të Ukrainës, ndërsa ajo mbrohet nga agresioni rus.

    Në një intervistë me Associated Press, Kurti argumentoi se një Rusi më e fortë do të trimëronte Serbinë – dhe se jo vetëm Kosova, por edhe Bosnja, Mali i Zi dhe “ndoshta Maqedonia e Veriut” do të rrezikoheshin nga ato që ai i përshkroi si ambicie ekspansioniste serbe.

    “Këto 25 vite në këtë shekull, ky ka qenë një çerek shekulli me shkallën më të lartë të paqes, lirisë dhe demokracisë në Ballkan”, tha Kurti.

    Bisedën, Kurti me AP-në e zhvilloi në misionin diplomatik të Kosovës në Varshavë. Misioni u hap pasi Polonia dhe Kosova vendosën marrëdhënie konsullore në vitin 2022.

    I pyetur se çfarë do të thoshte për Kosovën dhe Ballkanin nëse Rusia do të fitonte në Ukrainë, Kurti tha se “me Serbinë si një hegjemon rajonal dhe përfaqësues rus, këto 25 vite paqeje, lirie dhe demokracie në Ballkan, të paprecedentë në histori, janë sërish në rrezik”.

    “Presidenti despotik Putin do të inkurajohej të vazhdojë më tej me përpjekjet e tij për destabilizimin, aq më tepër nëse ai ndihet i suksesshëm në Ukrainë”, tha Kurti. “Me të vërtetë nuk dua të besoj se ai mund të fitojë teorikisht. Por vetë të menduarit e tij se (ai) mund të fitojë është mjaft problematike”.

    Kurti vizitoi Poloninë ndërsa kombi i Evropës Qendrore përgatitet të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian 27-anëtarësh në janarin e ardhshëm. Një nga qëllimet e tij është që Kosova të anëtarësohet në BE, por pesë nga anëtarët e BE-së ende nuk e njohin Kosovën – Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia.

    Kurti vuri në dukje se Spanja në fillim të këtij viti njohu pasaportat e Kosovës për ata që e vizitojnë vendin.

    “Pra, ka këto hapa të vegjël”, tha ai. “Por ju e dini, këta hapa të vegjël nuk bëjnë një hap të madh të domosdoshëm, që është njohja”.

  • Rritet niveli i manganit në Badoc, IKSHP rekomandon që uji nga ky liqen të mos përdoret për pije

    Rritet niveli i manganit në Badoc, IKSHP rekomandon që uji nga ky liqen të mos përdoret për pije

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se ditën e djeshme ekipet e tyre kanë marrë 16 mostra nga një zonë që furunizohet me ujë nga Liqeni i Badocit, pas njoftimit për ngritje të vlerave të manganit, ku prej tyre 15 kanë rezultuar me tejkalim të standardit të lejuar manganit.

    Nga IKSHP kanë rekomanduar që për këtë periudhë uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret vetëm për higjienë personale dhe ambientale.

    Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L.

    “Të dhënat e analizave të bërë dhe krahasimi i tyre me të dhënat e ditëve paraprake si dhe përvoja nga situata e vitit 2023, na tregojnë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet ne njoftim.

    Sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, norma e lejuar për Mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L.

    Bazuar në këto rezultate, IKSHP ka dalë me disa rekomandime për Ujësjellësin “Prishtina”:

    Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive;

    Të përcjellet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndares;

    Zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit;

    Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;

    Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;

    Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.

    “IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu””, thuhet në fund të njoftimit.

    Me një situatë të tillë, Kosova është përballur edhe vitin e kaluar.

    Paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndrrimit të stinëve. IKSHP ka thene se kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni.

    Edhe pse Mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç.

  • Me këtë ndeshje nis xhiro e tetë e Superligës

    Me këtë ndeshje nis xhiro e tetë e Superligës

    Në këtë fundjavë do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll. Sot do të zhvillohet ballafaqimi i parë ku ndeshen Ferizaj dhe Dukagjini.

    Të dy skuadrat po kalojnë nëpër një formë shumë të dobët të rezultateve, andaj lufta për tri pikë në këtë ballafaqim do të jetë shumë e fortë, raporton KosovaPress.

    Dukagjini ka gjashtë pikë në vendin e tetë, kurse Ferizaj është i nënti me katër pikë. Ndeshja do të zhvillohet në Ferizaj me fillim nga ora 15:00.

  • ​Java Botërore e Hapësirës

    ​Java Botërore e Hapësirës

    Java Botërore e Hapësirës është ngjarja më e madhe vjetore hapësinore në botë, e cila ndihmon në ngritjen e fuqisë punëtore, edukon publikun për aktivitetet hapësinore dhe nxit bashkëpunimin ndërkombëtar në shtrirjen dhe arsimin në hapësirë.

    Kjo ditë u shpall përmes rezolutë së 6 dhjetorit 1999 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për të shënuar kontributet e shkencës dhe teknologjisë së hapësirës në përmirësimin e gjendjes njerëzore.

    Tema e Javës Botërore të Hapësirës për 2021 është “Gratë në hapësirë”, e cila synon rritjen e ndërgjegjes për çështjen e diversitetit gjinor në sektorin e hapësirës dhe identifikimi i pengesave me të cilat po ballafaqohen gratë kur hyjnë në karriera të lidhura me hapësirën.

    Sipas raporteve, 20-22 për qind e të gjithë fuqisë punëtore të industrisë hapësinore përbëhet nga gra.

    Ndryshe, që nga fillimi i Epokës së Hapësirës, Kombet e Bashkuara pranuan se hapësira e jashtme i shtoi një dimension të ri ekzistencës së njerëzimit.

    Duke njohur interesin e përbashkët të njerëzimit në hapësirën e jashtme dhe duke kërkuar t’u përgjigjet pyetjeve se si hapësira e jashtme mund të ndihmojë në përfitimin e njerëzve të Tokës, Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën e saj të parë në lidhje me hapësirën e jashtme – “Pyetja e përdorimit paqësor të hapësirës së huaj”.

    Më 10 tetor 1967, “Magna Carta of Space”, e njohur gjithashtu si Traktati mbi Parimet që Drejtojnë Veprimtaritë e Shteteve në Hulumtimin dhe Përdorimin e Hapësirës së Huaj, duke përfshirë Hënën dhe Trupat e tjerë Qiellorë, hyri në fuqi.

    UNOOSA sot është zyra e Kombeve të Bashkuara përgjegjëse për promovimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në përdorimet paqësore të hapësirës së jashtme.

    Ajo shërben si sekretariat për komitetin e vetëm të Asamblesë së Përgjithshme që merret ekskluzivisht me bashkëpunimin ndërkombëtar në përdorimet paqësore të hapësirës: Komiteti i Kombeve të Bashkuara për Përdorimet Paqësore të Hapësirës (COPUOS).

    UNOOSA është gjithashtu përgjegjëse për zbatimin e përgjegjësive të sekretarit të Përgjithshëm sipas ligjit ndërkombëtar të hapësirës dhe mbajtjen e Regjistrit të Kombeve të Bashkuara të Objekteve të Hapur në Hapësirën e Huaj.

  • Izraeli sinjalizon për zgjerimin e ofensivës në Liban

    Izraeli sinjalizon për zgjerimin e ofensivës në Liban

    Ushtria izraelite ka paralajmëruar banorët që të evakuohen nga komunitete në jug të Libanit që janë jashtë zonës të shpallur neutrale nga Kombet e Bashkuara, duke sinjalizuar se do të zgjerojë ofensivën tokësore të nisur më herët gjatë kësaj jave kundër Hezbollahut, grupit militant që është edhe parti politike dhe që kontrollon shumicën e Libanit jugor.

    Forcat izraelite thanë se kanë goditur rreth 200 caqe të Hezbollahut në mbarë Libanin, përfshirë depo të armëve dhe pika të kontrollit. Sulmet ajrore kanë vazhduar gjatë natës dhe ka pasur një seri shpërthimesh masive në periferi të Bejrutit.

    Luftimet kanë detyruar pothuajse 1.2 milion persona të largohen nga shtëpitë e tyre në Liban, sipas zyrtarëve në Liban.

    Të paktën nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë përleshjeve me militantët e Hezbollahut në jug të Libanit, ku Izraeli nisi më herët gjatë kësaj jave atë që tha se ishte një ofensivë e kufizuar tokësore.

    Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban tha se “më shumë se 10 sulme të njëpasnjëshme” kanë goditur caqe në periferi të Bejrutit, duke thënë se sulmet e fundit ishin “ndër më të fuqishmet” që kur Izraeli ka nisur ofensivën në Liban.

    Ushtria izraelite nuk ka komentuar lidhur me cakun e sulmeve, por disa media dhe analistë kanë spekuluar se vendndodhja dhe madhësia e sulmit kanë lënë të kuptohet se personi i shënjestruar mund të ketë qenë Hashem Safieddine, i cili gjerësisht konsiderohet si personi që mund ta marrë udhëheqjen e Hezbollahut.

    Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

    Në javët e fundit, sulmet ajrore izraelite në Liban kanë vrarë udhëheqësin e Hezbollahut Hassan Nasrallah, dhe disa komandantë të lartë. Qindra sulme të tjera ajrore në pjesë të ndryshme të Libanit të kryera që nga mesi i shtatorit kanë vrarë të paktën 1.276 persona, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit.

    Pothuajse 2.000 persona janë vrarë dhe më shumë se 9.000 janë plagosur në Liban që kur nisën luftimet pothuajse një vit më parë.

    Shumica e sulmeve izraelite janë kryer në zonat ku Hezbollahu ka prani të madhe.

    Hezbollahu dhe Izraeli kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore në zonën kufitare që nga tetori i vitit të kaluar, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

    Frika është rritur se konflikti mund të zgjerohet, teksa Irani, armiku i përbetuar i Izraelit, më herët gjatë javës gjuajti pothuajse 200 raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e udhëheqësve të lartë të Hezbollahut./REL

  • Qytetarëve serbë në veri u shkojnë paralajmërime për ndërprerje të rrymës, 15 ditë afat t’i shlyejnë borxhet

    Qytetarëve serbë në veri u shkojnë paralajmërime për ndërprerje të rrymës, 15 ditë afat t’i shlyejnë borxhet

    Qytetarët e komunitetit serb në veri të Kosovës janë duke marrë ditëve të fundit paralajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike, për shkak të borxheve të papaguara.

    Paralajmërimet, që i pa Radio Evropa e Lirë, jepen nga kompania serbe, Elektrosever, e krijuar në bazë të Marrëveshjes për Energjinë, e cila është arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Afati për shlyerjen e borxheve për rrymën e konsumuar është 15 ditë.

    Zyra e Rregullatorit për Energji, e cila monitoron punën e kompanisë Elektrosever, konfirmon se një numër i madh i qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nuk i paguajnë faturat e energjisë elektrike.

    “Energjia elektrike llogaritet nga subjekti i autorizuar [Elektrosever], faturat shpërndahen, por niveli i pagesës së faturave nga qytetarët është ende i ulët”, thonë nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

    Megjithatë, në përgjigjen e tyre nuk specifikohet saktësisht se sa qytetarë nuk i paguajnë faturat në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    “Në bazë të raportit që kemi marrë së voni nga Elektroseveri, llogaritet se në veri janë rreth 23 mijë konsumatorë. Sipas legjislacionit aktual dhe licencave të lëshuara, është përgjegjësi e Elektroseverit që t’i marrë të gjitha masat për pagesën e energjisë elektrike”, thuhet në përgjigje.

    Kompania Elektrosever mori licencën për të punuar në Kosovë në qershor të vitit 2023. Ndërsa, në fillim të këtij viti nisi dërgimin e faturave të para te konsumatorët.

    Ata nuk e paguan rrymën e shpenzuar që nga paslufta në Kosovë, më 1999.

    Si funksionon kompania Elektrosever?

    Elektrosever është një kompani në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS, e cila është e regjistruar në Kosovë sipas ligjeve të Kosovës.

    Ajo buron nga Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për Energjinë, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

    Në faqen e internetit të kompanisë Elektrosever thuhet se, në bazë të licencës së marrë në Kosovë, ajo ka të drejtë të blejë dhe të shesë rrymë në tregun e energjisë elektrike, t’i rishesë kapacitetet e tepërta me çmime të dakorduara, si dhe të importojë dhe eksportojë energji elektrike.

    Pse qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike?

    Predragu nga Mitrovica e Veriut nuk i paguan faturat e rrymës, sepse beson se njehsori i tij është i vjetër dhe se faturat për shpenzimet e tij janë joreale.

    Ai thotë se faturat i merr rregullisht, por se e ka paguar vetëm të parën, të cilën e ka marrë në shkurt të këtij viti. Të tjerat thotë se nuk do t’i paguajë, sepse janë “anormale”.

    “Njehsori është i vjetër, i paraluftës… Askush nuk ka ardhur ta shikojë. Vijnë disa fatura anormale, nga 90 deri në 200 apo 250 euro”, thotë Predragu.

    Ai shton se pret që në periudhën e ardhshme ta ndërrojë njehsorin, që do ta lexonte bilancin e ri dhe në bazë të të cilit do t’i paguante faturat.

    Në fund të prillit, Elektroseveri nisi ndërrimin e njehsorëve të vjetër dhe vendosjen e të rinjve në objektet e reja që nuk kishin, por ky proces është ende në zhvillim e sipër.

    Njehsor të vjetër të rrymës ka edhe Nenadi, por ai thotë se i paguan rregullisht faturat.

    Ai tregon se, gjatë periudhës së verës, ka paguar mesatarisht 10 euro në muaj dhe thotë se mban rregullisht evidencë për rrymën e shpenzuar.

    “Unë paguaj [rregullisht] që të mos më grumbullohen faturat. Rryma duhet paguar. Një vendim i tillë është marrë dhe zyrtarët [e Elektroseverit] më kanë thënë se [faturat] duhet të paguhen”, thotë Nenadi.

    Aleksandra nga Mitrovica e Veriut thotë se nuk ka dashur t’i paguajë faturat për rrymën e shpenzuar, kur ka filluar shpërndarja e tyre në fillim të vitit, por se, ndërkohë, ka ndërruar mendje.

    “Kam paguar faturën e parë… e cila ishte si një paradhënie. Më pas, kam bërë një pauzë të gjatë, por tani i kam shlyer të gjitha faturat”, thotë Aleksandra.

    Sipas saj, njehsorët e energjisë elektrike në veri të Kosovës e llogaritin vetëm rrymën e shtrenjtë dhe kjo është arsyeja përse disa amvisëri kanë fatura të larta.

    Çfarë thonë nga Elektroseveri?

    Kompania Elektrosever nuk iu përgjigj pyetjeve nëse qytetarët e komunave në veri të Kosovës i paguajnë rregullisht faturat, sa konsumatorë ka, çfarë masash do të merren ndaj atyre që nuk paguajnë dhe të ngjashme.

    Por, më 23 shtator, kjo kompani e njoftoi opinionin se paralajmërimi për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike do t’u dërgohet të gjithë konsumatorëve, borxhi i prapambetur i të cilëve është mbi 100 euro.

    Kompania, gjithashtu, u bëri thirrje qytetarëve që t’i mundësojnë qasjen në njehsorë, në mënyrë që të regjistrohet konsumi, dhe i ftoi sërish ata që të lidhin kontrata me Elektroseverin për furnizimin me energji elektrike.

    Nga Elektroseveri i kanë thënë më herët REL-it se ata që nuk kanë paguar faturën e parë preliminare dhe nuk kanë nënshkruar kontratë me ta, automatikisht bëhen konsumatorë të Kompanisë për Furnizim me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO).

    Por, në njoftimin e fundit thanë se Elektroseveri ka të drejtë ligjore që t’ua pezullojë furnizimin me energji elektrike konsumatorëve që nuk kanë kontratë me ta, si dhe atyre që nuk kanë mundësuar qasjen në njehsorë.

    “Furnizimi i sigurt dhe i qëndrueshëm me energji elektrike arrihet me shlyerjen e rregullt të faturave”, thuhet në njoftim.

    Në KESCO nuk iu përgjigjën pyetjes nëse kanë konsumatorë në komunat në veri të Kosovës.

    Në qershor të vitit 2023, Kosova dhe Serbia nënshkruan një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë, e cila u arrit në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

    Pas kësaj, në fillim të dhjetorit të vitit 2023, BE-ja njoftoi se kompania serbe, Elektrosever, ka nënshkruar një kontratë komerciale me Kompaninë Kosovare të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS).