ATV

Author: ATVLive

  • Budallët, rrjetet sociale dhe çikat e reja të Gjakovës

    Budallët, rrjetet sociale dhe çikat e reja të Gjakovës

    Këtyre ditëve full tregime ka pasë për gjakovarë. Vëllaznimi edhe futboll edhe basketboll ka fituar ndaj ekipeve nga Prizreni, dy gjakovarë Mimoza dhe Milani janë emrat më të përfolur një politikën e Kosovës dhe afërsisht 20 cika të reja të Gjakovës e kanë pre dhe lëndu veten!

    Ju kam thënë bre, shumë ka budallë në atë rrjet! Me ua rikujtu sërish? Qe njeri:

    Rreth 20 nxënëse në Gjakovë janë lënduar këtyre ditëve me mjete të mprehta, për shkak të një sfide në tiktok!

    Edhe herën e kaluar rreth tragjedisë në Badovc dhe përgjegjësisë që e ka shteti, edhe kësaj radhe për lëndimet në Gjakovë dhe përgjegjësitë që i kanë prindërit, nuk po dua të bëj ironi e sarkazëm.

    Kjo punë nuk relativizohet! Mirë shumë që kanë reaguar drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit dhe boll keq nëse gjakovaret e reja janë kah prehen e sakatohen e prindërit e tyre nuk po e dinë këtë punë. Besomëni shumë temë më e rëndësishme është nëse cikat e reja i çmontojnë mprehëset e lapsave që ta prejnë veten në pjesë të caktuara të trupit, sesa Vëllaznimi, e Mimoza e Milani temat tjera.

    Edhe e di që ky nuk është problem veç i Gjakovës, s’është që cikat e reja në Gjakovë prej s kthjellëti kanë vendosur të bijnë në depresion.

    Fjala është për një trend global, aq shqetësues, sa që është dashur ‘Amnesty International’ të merret me të. Saktë – Amnesty International!

    Kjo organizatë ndërkombëtare e ka bërë një eksperiment. Hulumtuesit e saj kanë hapë llogari në tiktok dhe janë paraqitur si 13 vjeçarë. E para gjë që kanë vërejtur është tiktoku nuk ta verifikon moshën. Pra, edhe mund ti kesh 8 vjet, e të paraqitesh si tinejxher, por edhe mund të jesh shumë më i vjetër, edhe të paraqitesh si fëmijë dhe të përcjellësh çka bëjnë fëmijët.

    Mirëpo, për pedofilinë flasim tjetër herë – ti kthehemi eksperimentit.

    Gjëja e dytë që kanë vërejtur hulumtuesit e ‘Amnesty International’ është që pasi i kanë kapërcyer videot me breakdance edhe budallë – tiktoku gjithnjë e më shumë u ka vendosë në feed video që lidhen me kriza në shëndet mendor – depresion, vetë lëndim dhe vetëvrasje.

    Pasi kanë kaluar vetëm 5-6 orë duke shikuar video në tiktok, gati 50%, gati cdo e dyta video që iu është shfaqë hulumtuesve të ‘Amnesty International’ ka qenë video që lidhet me shëndetin mendor dhe me potencial dëmtues.

    Kjo është pjesa kur algoritmi ti vendosë videot në mënyrë automatike. Kur hulumtuesit i kanë kaluar vetëm 20 minuta, duke kërkuar video të këtilla manualisht ma shumë se gjysma e videove që u janë shfaqur më pas në feed-in “for you” kanë qenë video ku lavdërohet, normalizohet ose inkurajohet vetëvrasja!

    Pra, nuk jemi kah flasim për njëzet cika të reja të Gjakovës që mund të jenë viktima të një sfide idiotike, por për një trend global dhe shumë shqetësues.

    Tash, për krejt juve prindër që po thoni, ku kemi vakt na me lexu raporte të ‘Amnesty International’ – nëse jeni kah e shikoni këtë video, mundeni me e lexu, sepse në përshkrim të kësaj videoje në youtube, e kam vendosur linkun e atij raporti.

    Për krejt ju që po thoni, punë e madhe që e ke qite linkun, na s dimë anglisht – po iu them merreni raportin, jepjani ChatGPT ose google-it edhe ua përkthen në shqip.

    Me fjalë tjera, internetin mund ta përdorni edhe për tu bërë më të dijshëm edhe për të parandaluar të keqen për ju dhe fëmijët tuaj, jo veç për tu bërë më tupa!!!

    Edhe nja dy gjëra për tiktok – Qeveria e Kosovës e ka ndaluaar këtë rrjet për punëtorët e vet!

    Nëse nuk e keni këtë info – qe njeri:

    Pra, Albini e ka ndalu. Nëse mendoni që jeni më të meçëm se Albin Kurti – në rregull jemi – vazhdoni ta përdorni!

    Hajgaren anash, një rrjet të Kinës, që po shihet që fare pak e filtron përmbajtjen e vet, Qeveria e Kosovës e ka ndaluar, kurse që nga shkurti i këtij viti, Bashkimi Evropian ka nisur hetime ndaj tiktokut. Arsyet pse ka nisë procedura ndaj tiktokut janë rreziqet e mundshme për mirëqenien fizike dhe mendore të personave, respektimin e të drejtave të fëmijës si dhe ndikimin në proceset e radikalizimit.

    Mirëpo, nga një hulumtim i thjeshtë, del që tiktoku nuk është veç problem i do cikave të reja që e prejnë veten vend e pa vend, e as i fëmijëve dhe gjeneratës së re në Kosovë.

    Ky rrjet social dhe të tjerët, janë telashe e të rriturve. Budallë që janë yje të reality showeve, yje të showeve të inskenuara, prostituta, kriminelë, vrasës dhe kuptohet hoxhallarë e gazetarë – krejt janë kah e përdorin tiktokun për të gjetur më shumë publik.

    Edhe derisa të rriturit i njekin budallët e prostitutat në telefona, prej fëmijëve, nuk po pres që lexojnë raporte të ‘Amnesty International’ ose çfarëdo raporte tjera.

    Kuptohet, nga politikanët ka kohë që nuk pres gjë – edhe sot u mbledh Kuvendi edhe sot dështoi seanca. Një pjesë të madhe të deputetëve i kemi të lodhtë, përveç se të padijshëm!

    Kryetarët e Komunave, pak ma zi se deputetët, sot gati ishin rrahë ndërmjet vete…

    Mirëpo, prapë edhe këta që rrejnë edhe këta që rrehen, janë aty me votë, ne i kemi zgjedhë – ama challengat edhe budallët e rrjeteve sociale nuk i kemi zgjedhë ne – na i ka imponuar algoritmi.

    Sa më shpejt ta shpëtoni veten e fëmijët nga rrjetet sociale – aq më mirë!!!

  • Arrestohet Naser Hafizi

    Arrestohet Naser Hafizi

    Drejtori i Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Naser Hafizi, është arrestuar para pak minutash në Aeroportin e Prishtinës.

    Hafizi, dyshohet për përfshirje në aferën e faljes së borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit.

    Ai nuk u gjet të martën në vendin e tij të punës kur Policia e Kosovës zhvilloi një bastisje në Ministrinë e Mjedisit, e as në shtëpinë e tij dhe ndaj tij u lëshua urdhër arrest.

    Hafizi është arrestuar porsa ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës, raporton Paparaci.

    Hafizi dyshohet për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar” me rastin e faljes së borxheve për kompanitë e ambalazhuesve të ujit.

  • AKP përfshin 55 asete në shitjen përmes likuidimit numër 69

    AKP përfshin 55 asete në shitjen përmes likuidimit numër 69

    Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shpallur shitjen e aseteve përmes likuidimit numër 69, ku janë përfshirë 55 asete/njësi atraktive të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat paraqesin një mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore.

    Në rajonin e Mitrovicës ofrohen tri asete, një kombinim të tokave bujqësore dhe një lokali me tokë, së bashku me një depo, duke përfaqësuar një mundësi të mirë për ata që synojnë të investojnë në pronat rurale dhe tregtare.

    Në rajonin e Pejës ofrohen 25 asete, që paraqet edhe ofertën më të madhe të aseteve. 24 asete janë toka të kategorive të ndryshme, një portofolio e larmishme për investitorët që kërkojnë të zgjerohen në sektorin bujqësor apo atë të ndërtesave komerciale, ndërsa një aset për shitje është objekt.

    Në rajonin e Prishtinës ofrohen 20 asete, përfshirë 10 toka bujqësore, 4 lokale, një zyrë dhe asete të luajtshme të ndërmarrjes shoqërore Ingeniering.

    Në rajonin e Prizrenit ofrohen 7 asete. Në Prizren ofrohet një kombinim të tokave bujqësore, lokaleve dhe një aset i luajtshëm, duke përfaqësuar një zgjedhje të mirë për investitorët që kërkojnë mundësi në rajonet turistike.

    Në këtë valë ofrohen për shitje edhe 4 lokale në Podgoricë, Mali i Zi. Lokalet afariste me sipërfaqe që variojnë nga 75 metra katrorë deri në 232 metra katrorë, janë të pozicionuara në lokacione atraktive në Podgoricë.

    Blerësit mund të konkurrojnë për njërin nga këto asete apo mund të konkurrojnë për më shumë asete.

    Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes shitjes së aseteve me likuidim numër 69 duhet të dorëzohen në sallën e konferencave – hoteli “Grand” Prishtinë më datën 30.10.2024, nga ora 10:00-12:00. Hapja e ofertave do të bëhet të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.

    Palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, rruga “Dritan Hoxha numër 55”, Prishtinë apo në numrin e telefonit 383 (0) 38 500 400.

  • ​“Ekonomia kreative në perspektivë”, Hajdari: Klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm

    ​“Ekonomia kreative në perspektivë”, Hajdari: Klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm

    Të rinjtë janë më kreativ sesa vetë politikat qeverisëse dhe se kreativiteti historikisht ka qenë një mënyrë për adresimin e sfidave. Kështu u tha në panelin diskutues të ministrave “Ekonomia kreative në perspektivë”, e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

    Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari tha se industria kreative në Kosovë është shumë dimensionale falë rinisë që po kontribuon në këtë.

    Ajo tha se ky sektor i ekonomisë kontribuon në rritjen ekonomike dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare në fushën e kulturës.

    Hajdari potencoi se ka filluar strategjia për specializim të mençur që zbulon katër shtyllat që sjellin më shumë kreativitet.

    Ajo theksoi se Kosova është lidere në Ballkanin Perëndimor për industrinë kreative, derisa shtoi se klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm.

    “Ky sektor i ekonomisë kreative apo industrisë kreative kontribuon në rritjen ekonomike por edhe në promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare…26:58 Ne kemi filluar me strategjinë për specializimin të mençur ku i zbulon katër shtylla kryesore që sjellin kreativitet më shumë ose ndryshueshmëri të Kosovës që është më konkurrente në rajon sesa vendete tjera. Pikërisht, Kosova është lidere në Ballkanin Perëndimor për industrinë kreative. Kjo është konkluduar nga enter discovery survey…Përveç kësaj strategjia, industria e ka tash politikën industriale që është deri në vitin 2030, ndër objektivat e kësaj politike është edhe inovacion i produktit…Klima e të bërit biznes është përmirësuar dukshëm, gjithsej vetëm nga ministria jonë ne kemi finalizuar dhe miratuar 21 ligje për ndërmarrësinë, industrinë, pronësinë industriale, rritjen e konkurreshmërisë”, tha Hajdari.

    Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci potencoi se kreativiteti historikisht ka qenë një mënyrë për adresimin e sfidave.

    Ajo tha se nxënësit dhe studentët janë më kreativ sesa vetë politikat e qeverisë.

    Në kuadër të këtij paneli, Nagavci tha se kanë përpiluar programe të ndryshme me partnerët dhe organizatat e shoqërisë civile që të zhvillohen shkathtësitë e buta që nga moshat më të hershme.

    Nagavci përmendi se janë punësuar këshilltarë për karrierë nëpër shkolla për nxënësit nga klasa e 6 deri në klasën e 9.

    “Kreativiteti historikisht ka qenë një mënyrë për adresimin e sfidave dhe problemeve, vazhdon të jetë i tillë…34:25 Kemi pasur programe të shumta në bashkëpunim edhe me partnerët, bashkëpunëtorët dhe organizatat e shoqërisë civile në mënyrë që të zhvillohen shkathtësitë e buta qysh prej moshës më të hershme…Kemi filluar gjatë mandatit tonë edhe me punësimin e këshilltarëve të karrierës në shkollat e mesme të ulëta, prej klasës së 6 deri në klasën e 9…Tashmë ne kemi filluar që tri vite implementimin e suksesshëm të mësimit dual. Kemi më shumë se 1 mijë e 500 nxënës të cilët nga klasa e dhjetë vazhdojë mësimin dual, ku 51 për qind të shkollimit të tyre e zhvillojnë në biznese dhe ndërmarrje”, potencoi Nagavci.

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se janë bërë disa ndryshime në ligje, duke përfshirë atë për Kinematografinë, për çka tha se mbështetja shtetërore tashmë shkon deri në 90 ose 100 për qind të vlerës së realizmit të filmave.

    Përveç kësaj, ai tha se në kuadër të Ligjit të ri për Artin dhe Kulturën po punohet me një vizion të ri zhvillimore.

    Çeku potencoi se financimi për kulturë në rajon është në rënie, përderisa në Kosovë po shënon rritje.

    “Ligji i ri për kinematografinë, për shkak të potencialit industrial të filmit e ka shpallur si sektor të interesit të veçantë publik. Mbështetja shtetërore tashmë shkon deri në 90 ose 100 për qind të vlerës së realizmit të filmave…Ligji i ri për Artin dhe Kulturën që pak e thjeshtëzon atë legjislacioni që ka qenë edhe i vjetër por edhe i pa harmonizuar. Po punohet me një vizion të ri zhvillimor, ku njihet skena e pavarur kulturore si vlerë e shtuar për zhvillimin e vendit tonë. Ligji për të drejtat e autorit ka ekzistuar ligji, por në është realizuar asnjëherë tarifa e ritransmetimit ose të drejtave që burojnë nga ata që krijojnë nga autori, tashmë është edhe ligji i ri dhe është zhbllokuar ajo mosmarrëveshja e shumë viteve më parë…Është ligji i përbashkët i yni, ligji i pagave. Njihet si pjesë e veçantë pjesa e krijuesve dhe performuesve, është ngritur paga e drejtuesve, menaxhmentit dhe pjesës dërrmuese performuese dhe krijuesve…Në rajon financimi për kulturën është në rënie, përderisa në vendin tonë është në ngritje”, tregoi Çeku.

    Pjesë e panelit diskutues ishte edhe ekspertja në fushën e ekonomisë kreative nga UNDP, Gokçe Dervishoglu Okandan. Ajo tha se kontributi i qeverive në këtë fushë është relevant, derisa potencoi se ka dallime sa i përket ekonomisë kulturore apo politikave në gjithë botën, sepse sistemet qeveritare janë të ndryshme.

    “Pse duhet t’i japim potencial, fokus këtij bashkëpunimi. Kemi këtu tri ministri. Një mënyrë e qeverisjes, mënyrë e re është kjo ndërdisiplinore. Kjo ka të bëjë me shumë fusha…Ministrja e përmendi ngjarje të ndryshme, ngjarje të cilat e nxisin dinamizmin ekonomik, por edhe kohezionin social…Kjo është një mision shumë i rëndësishëm lidhur me atë që ka të bëjë me diplomacinë kulturore ku mblidhen shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme. Ka dallime sa i përket ekonomisë kulturore apo politikave në gjithë botën, sepse sistemet qeveritare janë të ndryshme…Unë konsideroj se kontributi i të gjitha ministrive është shumë relevante, angazhimi i të rinjve. Kjo dëshmon se është një plan i shëndoshë”, tha Dervishoglu Okandan.

    Ndërkaq, drejtoresha e Future by Lund nga Universiteti i Lundit, Charlotte Lorentz Hjorth tha se Bashkësia Evropiane viteve të fundit e ka njohur kulturën kreativ dhe financimet për hulumtimet dhe inovacionet brenda fushës së industrisë kreative.

    Ajo shtoi se të gjitha përpjekjet në këtë fushë janë bërë që të kenë një inovacion të disiplinave të ndryshme.

    “Jemi pjesë e iniciativave evropiane dhe bashkësia evropiane viteve të fundit e ka njohur këtë kulturën kreative dhe financimet për hulumtimet dhe inovacionet brenda fushës së industrisë kreative. Arsyeja për këtë është se nevoja për zgjedhjen e sfidave komplekse që janë adresuar edhe më herët…Ky është ai sektori i shpresës në Evropë. Ne kemi vendosur që diku në vitin 2017-2018 që universiteti i Lundit të jetë pjesë e partneritetit të BE-së dhe gjithashtu edhe të kemi një ekosistem…Të gjitha meritat që i kemi arritur deri më tani është që të kemi një inovacion të disiplinave të ndryshme”, theksoi Hjorth. /kp

  • Rrahmani: Presim pikët e plota në dy ndeshjet

    Rrahmani: Presim pikët e plota në dy ndeshjet

    Sulmuesi i Kosovës në futboll, Albion Rrahmani ka thënë se “dardanët” e kanë studiuar mirë kundërshtarin e ditës së shtunë, Lituaninë dhe se do të mundohen të shfrytëzojnë pikët e dobëta dhe të marrin pikët e plota.

    “Lewa” i Kosovës pret pikë maksimale edhe ndaj Qipros në ndeshjen që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

    “Jemi mirë të përgatitur dhe atmosfera është shumë e mirë për këtë ndeshje. Shpresojmë në rezultat pozitiv. Të nisim mbarë në ndeshjen e më parë e me pas të marrim pikë edhe në ndeshjen kthyese në ‘Fadil Vokrri’. E kemi analizuar mirë kundërshtarin dhe jemi duke punuar në të gjitha pikat ku mund ta dënojmë kundërshtarin”, ka thënë Rrahmani.

  • Ushtarët e FSK-së e realizojnë me sukses trajnimin Taktikat me Njësi të Vogla

    Ushtarët e FSK-së e realizojnë me sukses trajnimin Taktikat me Njësi të Vogla

    Komanda e Forcave Tokësore në kuadër të planit të trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve luftarake ka realizuar me sukses Trajnimin Taktika me Njësi te Vogla.

    Trajnimi Taktika me Njësi të Vogla është një ndër trajnimet më specifike dhe të veçanta që realizon Komanda e Forcave Tokësore, i adaptuar nga programi trajnues Pri-Rengjers i Ushtrisë Amerikane, që është një trajnim i karakterit profesional dhe sfidues, i cili ndihmon pjesëtarët që të përgatiten për detyra ku kërkohet sfidë dhe angazhimi i lartë fizik dhe psikik për përmbushjen e misionit.

    “Komanda e Forcave Tokësore në kuadër të ngritjes së kapaciteteve luftarake ka vazhduar të realizoj me profesionalizëm, përkushtim dhe disipline trajnime të nivelit të avancuar për të arritur qëllimin dhe objektivat FSK-së, me qëllim të përmbushjes së misionit mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

  • Erdogan i dhuron Shqipërisë dronë kamikazë, Rama: Nuk duhet të shqetësohet askush

    Erdogan i dhuron Shqipërisë dronë kamikazë, Rama: Nuk duhet të shqetësohet askush

    Kreu i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kanë nënshkruar tri marrëveshje pas takimit të përbashkët.

    Rama e falënderoi Erdoganin për dronët kamikazë, të cilët tha se Turqia ia ka dhuruar Shqipërisë.

    “Dhurata nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme”, ka thënë Rama në konferencë për media.

    E, një prej marrëveshjeve të nënshkruara ishte “deklarata e synimit mbi bashkëpunimin në fushën e sigurimeve në bujqësi të mbështetur nga shteti midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë të Republikës së Turqisë”.

    Marrëveshja e radhës ishte “Protokoll ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Lartë të Arsimit të Republikës së Turqisë për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike, Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri”.

    Marrëveshja e tretë ishte ajo për “Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencisë për Media dhe Informim të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës së Republikës së Turqisë për bashkëpunim në fushën e marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin”./A2News

  • Ndahet çmimi Nobel për Letërsinë, fituesja është autorja Han Kang

    Ndahet çmimi Nobel për Letërsinë, fituesja është autorja Han Kang

    Çmimi prestigjioz i është dhënë romancieres koreano-jugore Han Kang për “prozën e saj intensive poetike që përballet me traumat historike dhe ekspozon brishtësinë e jetës njerëzore”.

    Veprat e saj përfshijnë ‘Vegjetarianin’, ‘Librin e Bardhë’, ‘Veprat Njerëzore’ dhe ‘Mësimet Greke’.

    Han, 53 vjeçe, e filloi karrierën e saj me një grup poezish në një revistë të Koresë së Jugut, përpara se të bënte debutimin e saj në prozë në 1995 me një përmbledhje me tregime të shkurtra.

    Më vonë ajo filloi të shkruante vepra më të gjata në prozë, veçanërisht “Vegjetariane”, një nga librat e saj të parë që u përkthye në anglisht. Romani, i cili fitoi Çmimin Ndërkombëtar Man Booker në vitin 2016, përshkruan përpjekjen e një gruaje të re për të jetuar një ekzistencë më “si bimore” pas vuajtjes së maktheve makabre për mizorinë njerëzore.

    Han është autorja e parë koreano-jugore që fiton çmimin e letërsisë dhe vetëm gruaja e 18-të nga 117 çmimet e dhëna që nga viti 1901.

  • Poeti Lulzim Tafa nderohet nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin në letërsi

    Poeti Lulzim Tafa nderohet nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin në letërsi

    Në një ceremoni solemne të organizuar të enjten, profesori dhe poeti i njohur, Lulzim Tafa, është nderuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, për kontributin e dhënë në fushën e letërsisë shqipe.

    Në praninë e personaliteteve të shumta publike të Kosovës e Shqipërisë, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Sh.T. Petrit Malaj, i ndau poetit Tafa mirënjohjen, duke çmuar lart veprën dhe kontributin e Tafajt për artin dhe letërsinë shqipe.

    “Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë shpreh mirënjohjen e thellë për kontributin në fushën e letërsisë, si poet dhe shkrimtar. Vepra juaj e ka pasuruar kulturën dhe artin tonë kombëtar. Anëtarësimi juaj si akademik i jashtëm në Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë është nder i merituar, na forcon lidhjet kulturore dhe shkencore të Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë”, tha ndër të tjera ambasadori Malaj.

    Ndërsa poeti Lulzim Tafa, duke shprehur falëndërimet e tij theksoi se është thellësisht i nderuar që e merr këtë mirënjohje.

    “Ndihem shumë i lumtur që jam në mesin tuaj dhe bashkë me ju kam kënaqësinë ta pranoj këtë mirënjohje… nderime të tilla nuk e bëjnë shkrimtar më të madh apo më të rëndësishëm, por më të sigurt në punën e tij krijuese”, u shpreh Tafa.

    Për veprën e Lulzim Tafës, fjalët më të mira i thanë edhe personalitete e pjeësmarrës në këtë ceremoni. Ndërsa edhe më madhështore e bëri atë, deklamimi i njërës nga poezitë monumentale të Lulzim Tafës (“Sa shpejt më harroi nana”), nga ambasadori shqiptar, Petrit Malaj.

    Kujtojmë se poeti Lulzim Tafa është i njohur për poezitë e tij dhe është në mesin e poetëve më të përkthyer shqiptarë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare.

    Përpos çmimeve, mban shumë tituj nderi në akademi e në universitete botërore.

    Në gjysmën e dytë të muajit prill të këtij viti, Lulzim Tafa ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

  • Uragani Milton goditi Floridan, mbi tre milionë njerëz pa energji elektrike

    Uragani Milton goditi Floridan, mbi tre milionë njerëz pa energji elektrike

    Më shumë se 3 milionë njerëz në Florida janë pa energji elektrike që nga ora 3:58 (07:58 GMT), sipas Poweroutage.us, i cili gjurmon furnizimet, shkruan Reuters.

    Zonat më të prekura janë në bregun perëndimor, veçanërisht Hardee, Manatee, Sarasota, Charlotte dhe Hillsborough.

    Guvernatori i Floridës Ron DeSantis raportoi se Milton kishte shkaktuar të paktën 19 tornado që shkaktuan dëme në shumë qarqe, duke shkatërruar rreth 125 shtëpi, shumica prej tyre shtëpi të lëvizshme.

    “Në këtë pikë, është shumë e rrezikshme për të evakuuar në mënyrë të sigurt, kështu që ju duhet të strehoheni në vend”, tha DeSantis pasi njoftoi rënien në tokë.