ATV

Author: ATVLive

  • Guvernatori Ismaili: Lufta kundër financimit të paligjshëm kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar

    Guvernatori Ismaili: Lufta kundër financimit të paligjshëm kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar

    Identifikimi dhe zbutja e rreziqeve të pastrimit të parave kërkon një qasje gjithëpërfshirëse ku kombinohen kapacitetet e avancuara teknologjike, pajtueshmëria rregullatore si pa dyshim bashkëpunimi midis sektorëve publik dhe privat. Kështu ka theksuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili në panelin me temë “Rëndësia e bashkëpunimit ndër-institucional dhe partneritet publiko-privat për të trajtuar financat e paligjshme” me rastin e lansimit të Rrjetit të Përbashkët të Inteligjencës kundër Pastrimit të Parave në Republikën e Kosovës (JMLIN-K).

    Guvernatori Ismaili gjatë këtij paneli ka potencuar se pastrimi i parave nuk prek vetëm institucionet financiare individuale, por gjithashtu paraqet një rrezik më të gjerë për stabilitetin dhe integritetin e sistemit financiar. Ai ka shtuar se luftimi efektiv ndaj tij është thelbësor për ruajtjen e besimit dhe sigurimin e stabilitetit ekonomik të vendit.

    Sipas Guvernatorit Ismaili, lufta kundër financimit të paligjshëm, duke përfshirë pastrimin e parave, financimin e terrorizmit si dhe format tjera të krimit financiar, kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar ku bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit përmes partneriteve publiko-private është vendimtar në ruajtjen e sigurisë dhe integritetit të sistemit financiar.

    “Kompleksiteti në rritje dhe sofistikimi i krimeve financiare i nxitur edhe nga zhvillimet e hovshme teknologjike kërkon qasje të reja të bazuara në rrezik për parandalimin dhe luftimin e PP/FT. Prandaj një partneritet i fortë i tillë ofron një kornizë gjithëpërfshirëse ku organet e zbatimit të ligjit, rregullatorët dhe institucionet financiare mund të ndajnë informacionet, ekspertizën si dhe burimet në luftën e përbashkët”, citohet guvernatori Ismaili në komunikatë.

    I pari i BQK-së theksoi se krijimi i këtij rrjeti do të rrisë fuqishëm shanset e vendit tonë për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare si MONEYVAL dhe Task Forca e Veprimit Financiar (FATF), si pjesë e rëndësishme e proceseve tona integruese në institucionet dhe mekanizmat e Bashkimit Evropian.

    Guvernatori Ismaili tutje ka shtuar se përmes themelimit të këtij mekanizmi do të realizohen procese të rëndësishme në aspekt të sigurimit të pajtueshmërisë me standardet e parandalimit pastrimit parave dhe financimit. Këto aspekte, përveç avancimit të kornizës ligjore dhe rregullative që BQK-ja ka realizuar dhe po vazhdon në proces, bashkë me ligjet që së fundi janë proceduar, patjetër që e përafroi vendin tonë me kërkesat relevante të Bashkimit Evropian. Madje, kjo do ta ndihmojë edhe procesin e para-aplikimit për anëtarësim në SEPA si një ndër prioritetet tona, në të cila BQK po punon intensivisht me mbështetje të tjerë ndërinstitucionale.

    Në fund të fjalës së tij në panel, Guvernatori Ismaili u shpreh se identifikimi efektiv dhe zbutja e rreziqeve të pastrimit të parave kërkon një qasje dinamike, me shumë shtresa që integron teknologjinë, pajtueshmërinë, bashkëpunimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm. BQK me instrumentet e saj rregullatore dhe veprimet e ndërmarra të fokusuara në aspekt të integritetit dhe stabilitetit të sektorit financiar ka dëshmuar edhe praktikisht këtë zotim dhe qasje të saj.

    “Duke miratuar strategji të bazuara në rrezik, duke përdorur analitikë të avancuar dhe duke nxitur partneritete të forta, institucionet financiare dhe rregullatorët e Kosovës mund të ndërtojnë një mbrojtje të fortë kundër pastrimit të parave dhe të ndihmojnë në mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar”, ka përfunduar Guvernatori Ismaili.

    Rrjeti i Përbashkët të Inteligjencës kundër Pastrimit të Parave në Kosovë përbëhet nga autoritetet ligjzbatuese të vendit, mbështetur nga Njësia për Inteligjencë Financiare dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, ku edhe BQK ka pasur kontributin e saj përmes ekipeve profesionale dhe do të vazhdoj të mbetet e përkushtuar dhe angazhuar në të.

  • ​”Mbështetje ushtarake për të ndërtuar paqen”, i thotë Meloni Zelenskyt

    ​”Mbështetje ushtarake për të ndërtuar paqen”, i thotë Meloni Zelenskyt

    Objektivi i mbështetjes së Italisë është të vendosë Ukrainën në kushte për të negociuar për paqen, tha kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët për gazetarët në fund të një takimi dypalësh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky të enjten mbrëma në Romë.

    “Qëllimi i mbështetjes sonë është ta vendosim Ukrainën në pozitë që të jetë në gjendje të ndërtojë një tryezë për paqen. Një paqe që nuk mund të nënkuptojë një dorëzim si shumë, shumë, po sugjerojnë në mënyre frikacake. Kjo nënkupton mbështetje ushtarake dhe mbështetje për sektorin e energjisë”, theksoi Meloni.

    “Me Zelenskyn ramë dakord për rëndësinë e përfshirjes së akterëve ndërkombëtarë që mund të bindin Moskën të ulet rreth një tavoline dhe të negociojë në një mënyrë të besueshme. Duke bërë këtë, ne duhet të vazhdojmë të reagojmë me vendosmëri në mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe të tërthortë për përpjekjet ruse të luftës”, tha Meloni në një deklaratë të përbashkët për shtyp pas bisedimeve dypalëshe me presidentin ukrainas.

    Kryeministrja italiane njoftoi gjithashtu se një konferencë për rindërtimin e Ukrainës do të mbahet në Romë në datat 10-11 korrik të vitit të ardhshëm./ANSA/

  • Arrestohen dy persona për lëndim të rëndë trupor në Ferizaj

    Arrestohen dy persona për lëndim të rëndë trupor në Ferizaj

    Pas një raportimi se mbrëmë në rrugën ’Ilir Konushveci’’ në Ferziaj disa persona ishin përfshirë në një përleshje fizike, policia ka dal në vendin e ngjarjes dhe ka identifikuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë dy persona, ndërsa një tjetër është larguar në drejtim të panjohur.

    Nga hetimet e para është mësuar se pas një zënke mes tyre, lëndime trupore ka pësuar një person, të cilin për ndihmë mjekësore e kanë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

    Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe me vendim të prokurorit të shtetit i dyshuari Z.V. i moshës 55-vjeç është ndaluar në mbajtje për 48 orë, i dyshuari tjetër L.V. është liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa N.R mbetet në kërkim policor.

  • Erdogan në Beograd për takime me Vuçiqin dhe një forum biznesor

    Erdogan në Beograd për takime me Vuçiqin dhe një forum biznesor

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, në vizitën e tij dyditore në Serbi.

    Ceremonia e mikpritjes së Erdoganit, i cili ka arritur në mbrëmjen e së enjtes në Beograd, do të mbahet në orën 11:00 para Pallatit të Serbisë.

    Përveç takimit mes dy presidentëve, do të organizohet edhe një takim i lartë për bashkëpunim në mes të Serbisë dhe Turqisë.

    Pas këtyre takimeve, dy presidentët pritet të nënshkruajnë marrëveshje dhe të flasin para mediave.

    Pasi e ka pritur Erdoganin në aeroport, Vuçiq ka thënë se kthimi i presidentit turk në Serbi është një tjetër mundësi për t’i forcuar marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin.

    “Besoj se gjatë qëndrimit në Beograd, në do të punojmë për t’i përmirësuar lidhjet ekonomike, kulturore dhe politike mes shteteve tona”, ka thënë Vuçiq.

    Në ditën e mbërritjes së presidentit turk, Qeveria e Serbisë i ka miratuar disa memorandume mirëkuptimi në mes të Serbisë dhe Turqisë, në fusha si punësimi, siguria sociale, ekonomia, industria dhe teknologjia, media dhe informacioni, rinia dhe sporti, dhe si menaxhimi i emergjencave.

    Kjo është vizita e katërt e presidentit turk në Serbi, prej vitit 2017.

    Para vizitës në Beograd, ai ka qenë në Tiranë, prej ku i ka premtuar Shqipërisë dhurimin e dronëve kamikazë dhe ka marrë pjesë në përurimin e një xhamie të ndërtuar me financim të Turqisë.

    Në vizitën paraprake të Erdoganit në Beograd, në shtator të vitit 2022, Serbia ka thënë se dëshiron të blejë dronët Bayraktar, por blerja e tyre nuk është realizuar kurrë.

    Atëbotë ishte arritur një protokoll që u ka mundësuar shtetasve të Serbisë dhe Turqisë që të udhëtojnë në dy vendet vetëm me letërnjoftime.

    Turqia është e katërta në listën e shteteve prej ku ka importuar më së shumti Serbia më 2023.

    Kompanitë turke janë prezente në Turqi në tekstil, ndërtimtari, industri mekanike, banka dhe turizëm.

    Dy vendet kanë marrëdhënie të mira, por nuk pajtohen në çështjen e Kosovës.

    Ankaraja e njeh pavarësinë e këtij shteti, ndërsa Serbia jo.

  • Kurti merr pjesë në hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit të Teknologjisë KosICT 2024

    Kurti merr pjesë në hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit të Teknologjisë KosICT 2024

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, merr pjesë në hapjen e edicionit të 13-të të Festivalit të Teknologjisë KosICT 2024.

    Zyra e Kryeministrit njofton se ngjarja do të zhvillohet në Tech Park Prishtina, në Bërnicë, nga ora 10:00.

  • Mbi 2 mijë e 600 tiketa trafiku u shqiptuan gjatë 24 orëve të fundit

    Mbi 2 mijë e 600 tiketa trafiku u shqiptuan gjatë 24 orëve të fundit

    Policia e Kosovës ka shqiptuar 2 mijë e 606 tiketa trafiku gjatë 24 orëve të kaluara.

    Po ashtu bëhet e ditur se gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhur 16 aksidente trafiku me të lënduar dhe 36 me dëme materiale.

  • Pas takimit me krerët e shtetit Kasanof takon sot liderët e opozitës

    Pas takimit me krerët e shtetit Kasanof takon sot liderët e opozitës

    Zëvendës ndihmës Sekretari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, sot do të takojë edhe partitë opozitare.

    Një ditë pasi ka takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, diplomati amerikan do t`i takojë edhe liderët e tri partive opozitare.

    Kasanof liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së do t`i takojë në takime të ndara.

    Në ora 10:00 zyrtari i lartë i amerikan do ta takojë liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, raporton Nacionale.

    Në ditën e parë të vizitës së tij, Kasanof ka takuar liderët institucionalë.

    Fillimisht, ai ka takuar presidentes e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Pas takimit, Presidenca ka lëshuar komunikatë për media, ku janë treguar disa detaje të takimit.

    Sipas komunikatës, Osmani dhe Kasanof kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe rëndësinë e partneritetit ShBA-Kosovë.

    “Në këtë kontekst, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit.”, është thënë në komunikatën e Presidencës.

    Pa takimit me Osmanin, diplomati amerikane është takuar me kryeministrin Albin Kurti.

    Pas takimit, Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se temë kryesore e diskutimit ishte dialogu me Serbinë.

    “Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj. Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim. Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

  • Të paktën 11 persona të vdekur nga uragani Milton në Floridë

    Të paktën 11 persona të vdekur nga uragani Milton në Floridë

    Të paktën 11 persona kanë vdekur si pasojë e erërave që ka shtyrë përpara uragani Milton në Floridë, kanë thënë zyrtarët, ndonëse stuhia nuk ka qenë në përmasat katastrofike, siç ishte parashikuar.

    Uragani është shtrirë në Floridë të mërkurën pasdite, dhe ka lënë rrugë të bllokuara, si pasojë e rrëzimit të drunjve dhe kabllove elektrike.

    Rreth 3 milionë shtëpi dhe biznese janë pa energji elektrike.

    Autoritetet kanë thënë se erërat, dhe jo sasia e madhe e ujit, i kanë shkaktuar vdekjet e 11 njerëzve.

    “Ka qenë goxha e frikshme”, ka thënë Susan Stepp, 70-vjeçare, banore në brigjet lindore të Floridës, ku kanë vdekur katër banorë të një shtëpie për të moshuarit.

    “Kanë gjetur njerëz të vdekur në pemë”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

    “Do të dëshiroja që ata të ishin evakuuar”.

    Vdekjet janë regjistruar në qarkun Shën Lucia, në Volusia, në Petersburg dhe në qytetin Tampa.

    Uragani Milton ka zbarkuar në brigjet e Floridës si stuhi e kategorisë së tretë, duke goditur ashpër këtë rajon, që ende nuk është ngritur në këmbë nga uragani tjetër, Helene, i cili e ka goditur vendin dy javë më parë, dhe ka vrarë 237 persona.

    Shkencëtarët besojnë se shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhitë shkatërruese, janë bërë më të ashpra dhe më të shpeshta, për shkak të ndryshimeve klimatike.

    Secilën herë që ngrohet uji në sipërfaqe të oqeaneve, mundësitë për stuhi bëhen më të mëdha.

  • Sekuestrohen mbi 700 pula në Gjilan, dyshohet se u kontrabanduan nga Serbia

    Sekuestrohen mbi 700 pula në Gjilan, dyshohet se u kontrabanduan nga Serbia

    Dogana e Kosovës në Gjilan ka ndaluar një automjet, ku kishin vërejtur se në të ishin të ngarkuara 750 copë pula të gjalla, pa dokumente për prejardhjen e tyre.

    Dyshohet se ato janë kontrabanduar nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve ilegale.

    “Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan, malli dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohet në terminalin doganor-Dheu i Bardhë”, thuhet në njoftimin e Doganës.

  • Disa biznese dërgojnë në një bankë të Prishtinës 555 euro, monedha të falsifikuara

    Disa biznese dërgojnë në një bankë të Prishtinës 555 euro, monedha të falsifikuara

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ne një bankë të Prishtinës, nga disa biznese janë pranuar 555 euro, monedha të falsifikuara.

    Paratë janë konfiskuar, ndërsa rasti është duke u hetuar.

    “Ankuesi mashkull kosovar, menaxher i një banke private, ka raportuar se nga disa biznese kanë pranuar monedha të falsifikuara në vlerë prej 555 €. Me vendim të prokurorit, paratë janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftimin e PK-së.