ATV

Author: ATVLive

  • Kardiologjia Invazive këtë vit synon rekord të intervenimeve, funksionojnë me dy salla operative

    Kardiologjia Invazive këtë vit synon rekord të intervenimeve, funksionojnë me dy salla operative

    Shërbimi i Kardiologjisë Invazive në kuadër të Klinikës së Kardiologjisë, ka shënuar numër rekord të intervenimeve, përfshirë procedura të koronarografisë dhe stentimeve. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike, Daut Gorani.

    Gorani ka thënë se këtë vit synojnë të shënojnë rekord të numrit të diagnostikimit dhe intervenimit, pasi vitin e kaluar kanë përfunduar 4100 procedura diagnostike të koronarografisë dhe 2800 procedura intervente të stentimit.

    Ai ka thënë se aktualisht kanë funksionalizuar edhe sallën e kateterizimit në Prizren, e cila punon dy herë në javë.

    “Ne kemi bërë një regjistrim të numrit të gjithmbarshëm të procedurave që i kemi realizuar deri tani. Vitin e kaluar, kemi punuar jashtëzakonisht shumë, kemi shënuar një rekord për herë të parë me numër kaq të madh të procedurave. Kanë qenë 4100 koronarografi dhe dikund 2800 intervenime (stentime). Po ashtu edhe sivjet jemi në rrugë të tejkalojmë rekordin e vitit të kaluar, meqenëse është bashkëngjitur edhe salla e kateterizimit në Prizren, të cilët ne po ashtu e mbulojmë me staf, janë edhe dy, tre kolegë vendor që punojnë atje. Punojmë dy herë në javë 24 orë në Prizren, ndërsa në QKUK punojmë çdo ditë. Mesatarja e punës është 15 pacientë në ditë. Sivjet po ashtu kemi një numër shumë të madh për nëntë muaj dhe numri i gjithmbarshëm i vitit të kaluar dhe sivjet deri në shtator, është 7200 procedura të koronarografisë dhe 4760 procedura të stentimit”, ka thënë Gorani.

    Gorani ka thënë se aktualisht funksionojnë me dy salla operative dhe se nganjëherë shfrytëzojnë edhe sallën e cila gjendet në Klinikën e Neurologjisë.

    “Në këto sallat tona, po ashtu edhe elektrofiziologjia, elektrostimulimi pra implantimi i pacemakerëve (bateria për zemër). Ne i kemi dy salla, salla një dhe salla dy dhe në rast nevoje ndonjëherë, e shfrytëzojmë edhe sallën e Neurologjisë. Po ashtu, në këto salla kemi filluar edhe me mbylljen e defekteve të sëmundjeve strukturale të zemrës. Këtë muaj, do të vazhdojmë procedurën e mbylljes së defektit Interatrial (vrima në zemër) nën mbikëqyrjen e profesionistëve nga Italia, ndërkohë stafi vendor komplet e bën punën”, u shpreh ai.

    E sa i përket numrit të pacientëve në këtë klinikë, Gorani i ndanë në dy grupe. Ka thënë se ka pacientë që kryejnë kontrolle të rregullta por edhe pacientë neglizhentë.

    “Ne kemi një shumëllojshmëri të pacientëve. Kemi pacientë janë shumë të vetëdijesuar për shëndetin e vet dhe vijnë e bëjnë kontrolle me rregull, bëjnë ekzaminime të duhura, trajtimin e duhur të problemeve të tyre kardiake, mirëpo natyrisht kemi edhe shumë pacientë neglizhentë, kemi pacientë të cilët nuk janë kujdesshëm, sidomos në ushqim, kanë obezitet në trajtimin e diabetit e abuzues të duhanit. Është një numër i pacientëve që janë të vetëdijshëm, disa janë të pakujdesshëm për shëndetin e tyre”.

    “Sidoqoftë, kushtet janë shumë më të mira për trajtimin e sëmundjes së zemrës. Përveç kushteve, natyrisht ka nevojë për përtëritjen e teknologjisë. Ne presim së shpejti të marrim një aparat të ri për kateterizimin e zemrës, është procedurë e sipër furnizimi me një aparat të tillë, pastaj janë aparate tjera për procedura të sofistikuara mjekësore”, ka thënë Gorani për EO.

    Gorani ka thënë se klinika që ai e drejton nuk është imune në largimin e stafit shëndetësor, por jo me një largim masiv të tyre. Ai ka thënë se vetëm dy mjekë janë larguar për në sektorin privat, ndërsa shtatë infermierë kanë migruar jashtë vendit.

    “Në anën tjetër, stafi është trajnuar jashtëzakonisht shumë. Ne kemi një numër prej 18 kardiologëve invaziv, disa prej kardiologëve janë vërtetë brilant në punën e tyre. Stafi i mesëm po kemi (largim) dikund shtatë punëtorë nga stafi i mesëm që janë larguar nga ne e kanë shkuar në shtetet tjera, për shkak të pagave më të mira, ndërsa nga mjekët nuk kemi pasur deri tani. Kemi një apo dy mjekë që kanë shkuar në sektorin privat, mirëpo ka edhe kërkesa të mëdha që të na bashkëngjiten stafit invaziv dhe kolegët që vijnë zakonisht me performancë cilësore”, ka deklaruar Gorani.

  • E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

    E diela me diell dhe vranësira, temperaturat arrijnë në 22 gradë

    Sot, moti në Kosovë parashihet të jetë me diell e pjesërisht i vranët.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të lëvizin nga 3 deri në 22 gradë Celsius.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-6 gradë celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-22 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i juglindjes”, njofton IHMK-ja.

  • Deputetja Fjolla Ujkani zhvillon një takim të rëndësishëm në kuadër të Procesit të Berlinit

    Deputetja Fjolla Ujkani zhvillon një takim të rëndësishëm në kuadër të Procesit të Berlinit

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Në një darkë pune, ajo u takua me Manuel Sarrazin, Përfaqësues Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, dhe Anna Lührman, Ministre e Shtetit në Zyrën për Punë të Jashtme të Federatës Gjermane.

    Përmes një postimi në Facebook, Ujkani theksoi se Gjermania mbetet një aleate e fuqishme e Kosovës, duke kontribuar në rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

  • Qarkullimi i tregtisë me pakicë dhe numri i të punësuarve, ky sektor shënon rënie

    Qarkullimi i tregtisë me pakicë dhe numri i të punësuarve, ky sektor shënon rënie

    Në muajin korrik të këtij viti, indeksi i qarkullimit të tregtisë me pakicë përveç tregtisë së automjeteve dhe motoçikletave kishte rritje më të madhe te tregtia me pakicë jo në dyqane, (Përmes postës apo internetit) 194.23%; Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje 92.98%. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, rënie kishte te: Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara -60.58%; Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuar -30.41%, krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak (Korrik 2023).

    “Ndërsa, indeksi i numrit të të punësuarve kishte rritje më të madhe te: Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara 43.45%; Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje 37.31%; Ndërsa rënie kishte te: Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara -60.58%; Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuar -30.41% krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak (Korrik 2023)”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

    Kurse, sa i përket indeksit të fondit të pagave dhe mëditjeve në muajin korrik indeksi i fondit të pagave dhe mëditjeve kishte rritje me te madhe te Tregtia me pakicë jo në dyqane, tezga ose tregje 61.32%; Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara 46.7%; Ndërsa rënie kishte te: Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara -28.73%; Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara -5.05% krahasuar me muajin e njëjtë të viti paraprak (Korrik 2023).

  • ​Opozita prezanton rezolutën, s’ka kuorum për votim

    ​Opozita prezanton rezolutën, s’ka kuorum për votim

    Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim rezoluta e partive opozitare në lidhje me komunikimin e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i akuzuari për sulmin terrorist në Banjska, Milan Radoiçiq.

    Pas debatit parlamentar, shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, prezantoi rezolutën, ku kërkohet hetimi penal ndaj Kusari-Lilës dhe shkarkimi i saj nga pozita e shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së.

    “Kuvendi i Kosovës kërkon nga Prokurori i Shtetit si institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi të ndjekjes penale të iniciojë hetim penal në përputhje me legjislacionin në fuqi ndaj Mimoza Kusari-Lila, në lidhje me komunikimin e saj me kryeterroristin Milan Radoiçiq. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës kërkon nga Grupi Parlamentar shkarkimin e Mimoza Kusari-Lila”, tha ai.

    Krahas kësaj, ai kërkoi sërish publikimin e fotove me Radoiçiq, të cilat i ka paralajmëruar Kusari-Lila.

    “Vetëm një fotografi ekziston me Radoiçiq në Kosovë. Fotografia e Mimoza Kusarit të Vetëvendosjes me Radoiçiq. S’keni mundur asnjëherë me gjet tek asnjë qytetari tjetër në bashkëpunim me Radoiçiq përveç linjës me Vetëvendosjes. Të jeni të bindur se çka do që kishin pasur ata sot, dje pardje do t’i kishin publikuar moti, s’kanë asnjë të vetme”, tha ai.

    Pas kësaj kryesuesi Enver Hoxhaj mbylli punimet e seancës së sotme të jashtëzakonshme. /kp

  • ​Suspendohet zyrtari policor për keqpërdorim detyre

    ​Suspendohet zyrtari policor për keqpërdorim detyre

    Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtar policor me detyrë në pikë kalimin kufitar në Han të Elezit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së në interes të hetimit të rastit.

    Zyrtari policor tashmë i suspenduar, më 3 tetor 2024, gjatë kryerjes së detyrës në pikë kalimin kufitar Han i Elezit, nuk ka vendosur në sistem të të dhënave të Policisë së Kosovës të dhënat një personi të dyshimtë i cili është ndaluar më vonë nga Maqedoninë e Veriut nën dyshimet për kontrabandë me narkotikë.

    Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

  • ​Radev hap ekspozitën kushtuar alfabetit glagolitik në Poloni

    ​Radev hap ekspozitën kushtuar alfabetit glagolitik në Poloni

    Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev hapi një ekspozitë kushtuar alfabetit glagolitik në bibliotekën Jagiellonian në Krakov – Poloni.

    “Bullgarët, si trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të veprës së vëllezërve të shenjtë Kiril dhe Metodi, të shpallur nga Papa Gjon Pali II si bashkëpatronët e Evropës, janë të detyruar ta ruajnë dhe zhvillojnë këtë trashëgimi. Ne e vlerësojmë shumë që jemi së bashku me Poloninë në këtë mision fisnik”, tha presidenti bullgar, cituar nga Sekretariati i tij i Shtypit të enjten.

    Duke vënë në dukje lidhjet e thella historike dhe kulturore midis Bullgarisë dhe Polonisë, kreu i shtetit bullgar shprehu mirënjohjen për kontributin e studiuesve polakë në promovimin e rolit të Bullgarisë në formimin e kulturës sllave dhe trashëgimisë kulturore botërore.

    Ekspozita “Tregime nga Glagolitic Times”, u përgatit nga një ekip i udhëhequr nga profesori i asociuar Javor Miltenov nga Instituti i Gjuhës Bullgare i Akademisë Bullgare të Shkencave dhe paraqet fakte pak të njohura për alfabetin më të vjetër sllav dhe rolin e Bullgarisë në ruajtjen e tij.

    Për herë të parë ekspozohen edhe dorëshkrime origjinale të vlefshme në gjuhën glagolitike dhe cirilike, të cilat gjenden në Bibliotekën Jagielloniane.

    Në hapjen e ekspozitës në Bibliotekën e Universitetit Jagiellonian morën pjesë Drejtori i saj Prof. Remigiusz Sapa dhe rektori i Universitetit Prof. Piotr Jedynak. Ceremonia e hapjes mblodhi në Bibliotekën Jagielloniane studentë të bullgarologjisë, përfaqësues të komunitetit bullgar, studiues të Institutit të Filologjisë Sllave të Universitetit.

    Kreu i shtetit bullgar vuri në dukje se këtë vit shënohet 1161 vjetori i krijimit të alfabetit glagolitik, i cili, së bashku me alfabetin cirilik, është i ngulitur thellë në zhvillimin kulturor dhe shpirtëror të popullit dhe shtetit bullgar dhe ka bërë një kontribut i padiskutueshëm në zhvillimin e hapësirës kulturore sllave. Ne kemi për detyrë të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë pasuri, tha Radev, duke theksuar rolin e studentëve të studimeve bullgare në Krakov.

    Sipas fjalëve të presidentit, thellimi i kontakteve ekonomike midis Bullgarisë dhe Polonisë do të kontribuojë gjithashtu në rritjen e interesimit të të rinjve të të dy vendeve për kulturën e vendeve të tyre.

    “Kjo ekspozitë ofron një mundësi për të treguar se sa i rëndësishëm është vendi i Bullgarisë si një vend ku janë krijuar monumente jashtëzakonisht të vlefshme të kulturës dhe shkrimit,” tha nga ana e tij drejtori i Bibliotekës Jagielloniane, Sapa. Rektori Jedynak vuri në dukje në hapjen e ekspozitës se sllavistika është rreth 200 vjet e vjetër në Universitetin Jagiellonian, ndërsa Studimet Bullgare janë rreth 100 vjet dhe mësohen si fushë dhe drejtim më vete për 80 vjet.

    Presidenti Radev dhe drejtuesit e Universitetit dhe të Bibliotekës diskutuan për shkëmbimin intensiv shkencor midis Bullgarisë dhe Polonisë, si dhe perspektivat për zhvillimin e partneriteteve të ardhshme.

    Rumen Radev më herët gjatë ditës i ndau Konsullin e Nderit të Bullgarisë në Krakov, Wieslaw Nowak me Distinktivin Presidencial të Nderit për mbështetjen e tij në përhapjen e gjuhës dhe kulturës bullgare dhe kontributin e tij të përgjithshëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Ndër iniciativat e mbështetura nga Konsulli i Nderit është hapja e një dege të Shkollës së Dielës Bullgare në Krakov, me emrin e shkrimtares bullgare Dora Gabe. Ambientet e shkollës, të ofruara pa pagesë nga Wiesław Nowak, janë gjithashtu vendi kryesor i takimit të diasporës bullgare në të gjithë rajonin. Si Konsull Nderi i Bullgarisë, Nowak ka realizuar një sërë aktivitetesh për promovimin e gjuhës dhe kulturës bullgare në Poloni, si dhe për promovimin e bashkëpunimit dypalësh ekonomik midis dy vendeve.

    Presidenti Radev priti një takim me konsujt e nderit të Bullgarisë në Poloni. Gjatë bisedimeve u diskutuan perspektivat për aktivitete të përbashkëta ndërmjet Polonisë dhe Bullgarisë. /BTA

  • Kasanof në veri të Mitrovicës, takon shoqërinë civile

    Kasanof në veri të Mitrovicës, takon shoqërinë civile

    Ndihmës sekretari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka qëndruar sot në veri të Mitrovicës.

    Ai ka takuar pjesëtarët e shoqërisë civile nga komuniteti serb, me të cilët ka biseduar rreth aktualitetit politik, situatës së përgjithshme në veri, si dhe tema tjera me interes për komunitetin këtu.

    Pas takimit që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, Kasanof nuk ka dashur të flasë për media.

    Në anën tjetër, Jovana Radosavljeviq, drejtoreshë e Iniciativës së Re Shoqërore, njëherësh pjesëmarrëse në këtë takim, ka thënë se kanë ngritur shqetësimin për arrestimin më të fundit të aktivistit politik Aleksandër Arsenijeviq dhe faktin sipas saj se popullit po i mohohet protestimi në mënyrë ligjore dhe paqësore.

    “Epo, është një numër i … ne ngritëm shqetësimin për arrestimin më të fundit të aktivistit politik Aleksandër Arsenijeviq dhe faktin se popullit po i mohohet protestimi në mënyrë ligjore dhe paqësore, kemi diskutuar veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës të cilat shpërfillin nevojat e komunitetit lokal duke mbyllur institucionet dhe duke mos ofruar alternativa, flasim këtu për institucionet paralele siç quhen të sistemit serb dhe zhvendosjen e jetës së serbëve të Kosovës nga veriu në Serbinë Qendrore. Ne diskutuam hapat e përgjithshëm përpara… dhe cilat janë implikimet e mundshme të zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë”, theksoi ajo.

    Emisari amerikan dje ka takuar ndaras në Prishtinë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, dhe sot ka takuar po ashtu liderët e opozitës në Kosovë.

  • ​Admirali i NATO-s për dialogun: Qeveritë që veprojnë njëanshëm përshkallëzojnë tensionet

    ​Admirali i NATO-s për dialogun: Qeveritë që veprojnë njëanshëm përshkallëzojnë tensionet

    Në kampin “Film City” në Prishtinë është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it nga gjeneralmajori Ozkan Ulutash te komandanti i ri Enrico Barduani. Në ceremoni morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministra e ambasadorë të huaj në Kosovë.

    Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali Stuart B. Munsch tha se qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme në dialog, përshkallëzojnë tensionet e brendshme dhe rajonale, duke dëmtuar njëherësh edhe reputacionin e tyre si partnerë të besueshëm ndërkombëtarë.

    “NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura. E them sërish, NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE-ja si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura. Të veprosh jashtë këtij dialogu, të veprosh pa përkushtim të vërtetë ndaj këtij dialogu ose të grindesh se çfarë duhet të përfshihet ose përjashtohet nga ky dialog, janë veprime që nuk do të arrijnë asnjë siguri kuptimplotë. Për më tepër, qeveritë që veprojnë në mënyrë të njëanshme jashtë këtij dialogu në mënyrë të panevojshme përshkallëzojnë tensionet e brendshme dhe rajonale dhe dëmtojnë në mënyrë të panevojshme reputacionin e tyre si partnerë ndërkombëtarë të besueshëm”, deklaroi ai.

    Presidentja Osmani në fjalën e saj gjatë kësaj ceremonie ka folur mbi bashkëpunimin e deritanishëm të institucioneve të Kosovës me misionin e NATO-s, duke përmendur edhe sfidat gjatë këtyre viteve.

    “Sigurisht që gjatë këtyre 25 viteve jemi përballur edhe me sfida, ku më e rëndësishmja është akti i agresionit me të cilin u përballëm në shtator të vitit të kaluar. Dua të falënderoj forcat e NATO-s që qëndruan me ne dhe u përballën dhe ndaluan atë agresion, dhe dua të falënderoj veçanërisht gjeneralin Ulutash që u sigurua që ne të katërfishojmë sasinë jo vetëm të pajisjeve, por edhe të njerëzve, burrave dhe grave me uniformë, të cilët na ndihmojnë ta mbajmë vendin tonë të sigurt së bashku me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë. Pra, gjeneral Ulutash, ju falënderoj nga zemra për profesionalizmin tuaj, për përkushtimin tuaj dhe për bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha institucionet e Kosovës në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vendin tonë”, deklaroi ajo.

    Osmani u shpreh se populli i Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me misionin KFOR.

    “Për mbi 25 vjet që jeni me ne në çdo hap të rrugës për ta bërë Republikën e Kosovës një vend të sigurt, të qetë dhe paqësor. Në 75 vjet të historisë së NATO-s, nuk ka asnjë udhëheqës të vetëm të anëtarëve të NATO-s që të mos pajtohet se misioni më i suksesshëm, jo vetëm më i madhi dhe më i gjatë, por edhe më i suksesshëm i NATO-s është ai i KFOR-it… Në emër të vendit tim, dua të tregoj dhe të angazhohem edhe një herë se populli i Kosovës dhe institucionet tona do të vazhdojnë të punojnë krah për krah me KFOR-in, si dhe me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë për t’u siguruar që do të mbetet paqësorë, vend i qetë dhe i sigurt siç është, ai që ofron siguri dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e tij, pavarësisht prejardhjen e tyre”, tha Osmani.

    Komandanti i deritanishëm i KFOR-it, Ozkan Ulutash tha se fatkeqësisht ka ende shumë sfida dhe tension në Kosovë.

    “Fatkeqësisht, shumë sfida mbesin dhe tensionet ende vazhdojnë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të cilin NATO dhe KFOR-i në terren e mbështesin plotësisht si kornizën e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve, vazhdon të përballet me pengesa. Megjithatë, unë mbetem optimist se me këmbëngulje të durim dhe një qasje konstruktive nga të gjitha vendet, këto pengesa mund të kapërcehen. Gjatë mandatit tim KFOR-i ka kontribuar me sukses në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në mbarë Kosovën, në përputhje me mandatin tonë të gjatë të OKB-së, përmes një qëndrimi të dukshëm fleksibël dhe të adaptueshëm, ne kemi ndihmuar në parandalimin e rreziqeve, përshkallëzimit dhe situatave që mund të kishin quar në incidente ose paqëndrueshmëri. Ne kemi përforcuar më tej rolin tonë si një forcë e paanshme që punon me të gjitha komunitetet për të nxitur një ndjenjë sigurie për të gjithë njerëzit”, tha Ulutash.

    Pas pranimit të komandës, komandanti i ri i KFOR-it Enrico Barduani tha se situata e sigurisë vazhdon të evoluojë dhe se jetike është uniteti.

    “Pas 25 viteve të pranisë së NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka kontribuar në konsolidimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë. Megjithatë, sfidat mbeten dhe situata e sigurisë vazhdon të evoluojë – prandaj është jetike që ne të vazhdojmë të ecim përpara së bashku. Pikërisht në këtë frymë kam zgjedhur moton e mëposhtme latine për mandatin tim: “Unitas omnia vincit” (fiton uniteti i të gjithë njerëzve). Uniteti është thelbësor nëse arrijmë misionin tonë”, përfundoi ai.

    Në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, presidentja Osmani ka nderuar me medalje ushtarake presidenciale gjeneralin Ulutash, për shërbimin si komandant i këtij misioni në Kosovë. /KP

  • Ahmeti: Nga e hëna fillon qarkullimi i linjës së re të autobusit në Janjevë

    Ahmeti: Nga e hëna fillon qarkullimi i linjës së re të autobusit në Janjevë

    Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka njoftuar se nga e hëna fillon qarkullimi i linjës së re të autobusit në Janjevë, raporton Ekonomia Online.

    Përmes një postimi në Facebook, Ahemti ka theksuar se pas kërkesave të shumta nga banorët e Janjevës, sot është nënshkruar marrëveshjen me Komunën e Prishtinës, për linjën më të re të transportit publik.

    “Me kënaqësi ju njoftojmë se nga sot, Janjeva dhe Prishtina janë edhe më afër njëra-tjetrës, pas kërkesave të shumta nga banorët e Janjevës dhe bashkëpunimit mes Komunës së Lipjanit dhe Komunës së Prishtinës, sot është nënshkruar marrëveshja për linjën e re të transportit publik që lidh Janjevën me kryeqytetin. Dëshiroj të shpreh falënderimin tim të veçantë për Kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për mbështetjen dhe përkushtimin e treguar në realizimin e kësaj kërkese, si dhe për gatishmërinë e tij për të forcuar bashkëpunimin mes dy komunave”.

    Autobusët do të qarkullojnë me katër linja ditore nga Janjeva për në Prishtinë.