ATV

Author: ATVLive

  • Procesi i Berlinit hyn në vitin e 11-të

    Procesi i Berlinit hyn në vitin e 11-të

    Liderë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të disa vendeve të Perëndimit, do të mblidhen të hënën në kryeqytetin gjerman, me ftesë të kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scolz, për t’i diskutuar objektivat e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Shkurt për Procesin e Berlinit

    Organizohet prej vitit 2014, me iniciativë të kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel, pas një pauze të vendosur nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në proces të zgjerimit të bllokut evropian.

    Procesi i Berlinit nuk e ka një strukturë fikse, pra nuk e ka një mekanizëm qendror koordinues, dhe mbahet në vende të ndryshme.

    Ndër vite, takimet janë mbajtur në Tiranë, Londër, Paris, Vjenë apo Poznan.

    Nuk ka as mekanizëm ndëshkues.

    Përveç Qeverive të vendeve të Ballkanit – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – dhe 10 vendeve partnere perëndimore, në takimet e Procesit të Berlinit marrin pjesë edhe institucionet e Bashkimit Evropian, institucionet financiare ndërkombëtare dhe organizata rajonale.

    Ai është zgjeruar ndër vite, dhe derisa të mbahet samiti kryesor, sikurse ky i 14 tetorit, përgjatë vitit mbahen edhe një mori takimesh në nivele ministrore, si dhe shumë evente anësore me fokus në fushën digjitale, biznesore, të rinjtë, shoqërinë civile, çështjet gjinore dhe konferencat shkencore.

    Në faqen zyrtare të platformës thuhet se “Procesi i Berlinit i ndihmon Ballkanit Perëndimor dhe banorëve të saj të jenë më të afërt me njëri-tjetrin”.

    Por, sa është arritur ky objektiv?

    E vërtetë që takimet e liderëve të Ballkanit janë bërë të shpeshta dhe fotografitë e tyre të përbashkëta janë kthyer në diçka normale.

    Megjithatë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë konsideruar me raste pengesë në zbatim të disa marrëveshjeve.

    Njëjtë, edhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga ana e Bosnje e Hercegovinës, ka penguar marrëveshje tjera. Njëra prej tyre është ajo për lëvizje të lirë.

    Banorët e dy vendeve vazhdojnë të pajisjen me viza nëse duan të vizitojnë njëri-tjetrin.

    Synimet kryesore

    Përveç përmirësimit të bashkëpunimit rajonal, synim tjetër i Procesit të Berlinit është edhe rritja e bashkëpunimit të Ballkanit me BE-në, në mënyrë që rajoni të ketë standarde evropiane, dhe që banorët e Ballkanit të shohin rezultate konkrete.

    Nisma është e fokusuar në zhvillim ekonomik, siguri energjetike, agjendë të gjelbër, partneritet për klimën, rritjen e lidhjeve në rajon përmes projekteve infrastrukturore dhe përfshirjen e e plotë të komuniteteve në procese shoqërore.

    Ndër marrëveshjet më me nam janë ato për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe ajo që njihet si ‘Agjenda e Lishshmërisë” për përshpejtim të rritjes ekonomike dhe krijim të vendeve të punës përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave.

    Asnjëra prej tyre nuk është zbatuar pikë për pikë.

    Çfarë është arritur ndër vite?

    Marrëveshja për “roaming” apo heqjen graduale të tarifave për telefoninë mobile dhe internetin, ka hyrë në fuqi në vitin 2023.

    Çfarë pritet nga takimi i 14 tetorit?

    Njohësit e çështjeve politike kanë përmendur lansimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal 2.

    Rruga për arritje të marrëveshjes është zhbllokuar pasi Kosova ka hequr ditë më parë një ndalesë në mallrat prej Serbisë, në pikëkalimin në Merdare.

    Zyrtarët gjermanë në veçanti i kanë bërë thirrje të vazhdueshme Kosovës që të hiqte atë masë, me argumentin se po shkelte Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), dhe se po rrezikonte pjesëmarrjen në nismat rajonale.

    Masat kufizuese u vendosën në qershor të vitit 2023, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga autoritetet serbe. Zyrtarët policorë u liruan ndërkohë, por masa mbeti në fuqi.

    Zyrtarët evropianë përmendin vazhdimisht nevojën e kryerjes së reformave të nevojshme nga vendet e Ballkanit, në mënyrë që rajoni të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe Rusia të mos ketë asnjë mundësi për destabilizim as të këtij rajoni, por as të BE-së përmes tij.

    Aktualisht vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë anëtare, në dhjetor të vitit 2022./REL/

  • ​Shqipëria kërkon hakmarrjen ndaj Gjeorgjisë

    ​Shqipëria kërkon hakmarrjen ndaj Gjeorgjisë

    Kombëtarja Shqiptare të futboll vazhdon rrugëtimin e saj në Ligën e Kombeve dhe sot do të përballet me Gjeorgjinë, rival nga i cili është mposhtur dhe kërkon hakmarrje.

    Kuqezinjtë udhëtojnë në “Mikheil Meskhi Stadium” në Tbilisi, atje ku objektivi i vetëm është fitorja pas dy humbjeve radhazi, raporton KosovaPress.

    Gjeorgjia është liderë e grupit me gjashtë pikë, aq sa ka edhe Çekia në vendin e dytë. E treta është Shqipëria me tri pikë, aq sa ka edhe Ukraina në vendin e fundit.

    Ndeshja Gjeorgji-Shqipëri zhvillohet nga ora 18:00.

  • ​Interesim i madh për adoptimin e fëmijëve pa kujdes prindëror

    ​Interesim i madh për adoptimin e fëmijëve pa kujdes prindëror

    Numri i familjeve potenciale për adoptim është më i lartë se sa numri i fëmijëve pa kujdes prindëror. Nga të gjitha rastet e trajtuara gjatë periudhës janar-shtator 2024, në Klinikën e Gjinekologjisë, prej 26 rasteve të trajtuara, 11 prej tyre kanë rezultuar në braktisje. Ndërsa në vitin 2023, prej 30 rasteve të trajtuara vetëm katër fëmijë janë braktisur.

    Për momentin në SOS Fshatrat e Kosovës janë 31 fëmijë të moshave të ndryshme deri në 18-vjeç. Shkak i pritjes së gjatë për adoptim, për të cilin ndodh se familjet presin deri në 10 vjet, sipas drejtorit të Qendrës për Punë Sociale, Bajram Shala po është numri i vogël i fëmijëve me status për adoptim.

    “Numri i familjeve potenciale për adoptim është më i lartë se sa numri i fëmijëve pa kujdes prindëror me status të zgjidhur e potencial për adoptim, është shumë i vogël. Kjo ndodh për shkak që ka numër të lartë të familjeve që parashtrojnë kërkesa dhe janë të vlerësuara pozitivisht për adoptim, por numri i fëmijëve me status për adoptim është i vogël. Andaj, kjo është arsyeja e pritjeve të gjata”, ka thënë Shala në një përgjigje me shkrim.

    Punëtorja sociale në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, Hafize Hamza-Geci ka potencuar se gjendja ekonomike është ndër shkaqet kryesore të braktisjes së fëmijëve.

    “Vitin 2023 kemi pasur rënie të numrit të fëmijëve të braktisur në klinikën tonë. Gjithsej, kemi trajtuar 30 raste, kurse në braktisje, refuzim të kujdesit ndaj fëmijës së tyre kanë rezultuar 4 raste. Këtë vit, deri më 30 shtator 2024 kemi një ngritje shumë më të madhe të braktisjes së fëmijëve, pas lindjes nga prindërit. Nga të gjitha rastet që janë trajtuar gjatë 2024, prej 26 rasteve, 11 kanë rezultuar në braktisje. Arsyet më të shpeshta të braktisjes së fëmijëve menjëherë pas lindjes nga nënat, janë shkaqe ekonomike, por edhe arsye të ndryshme, si braktisja e partnerit dhe mospërkrahja e familjes së tyre”, ka potencuar Geci.

    Drejtoresha e SOS Fshatit, Ora Bytyçi, tregon se momentalisht në SOS janë gjashtë familje, të cilat jetojnë në banesa me qira. Ai ka theksuar se SOS Fshatrat nuk përkrahen financiarisht nga qeveria, si çdo organizatë tjetër aplikojnë për grande me projekte.

    “Momentalisht, kujdesemi për 31 fëmijë të moshave të ndryshme deri në 18-vjeç. Momentalisht, kemi 6 familje SOS. Ne, kemi vendosur që së bashku me SOS nënat dhe tezet që të marrin banesa me qira në Prishtinë… Kur fëmijët tanë arrijnë moshën 18-vjeç, ne kemi edhe programin e gjysmë pavarësimit. Në programin e gjysmë pavarësimit i kemi 12 të rinj, ndërsa ata të cilët kanë kaluar edhe atë trevjeçarin e gjysmë pavarësimit, janë mbi 30 të rinj… Për momentin, nuk përkrahemi financiarisht nga shteti, sigurisht i kemi disa prej projekteve që aplikojmë dhe fitojmë grante, por aplikojmë si çdo organizatë tjetër. Në të ardhmen shpresojmë të jemi në buxhetin e Republikës së Kosovës sepse, këta fëmijë janë të Kosovës, janë brengë e secilit prej nesh”, ka thënë ajo.

    Fëmijët pa përkujdesje prindërore janë në kompetencë të organit të kujdestarisë në Qendrën për Punë Sociale, i cili sipas kompetencës territoriale dhe mandatit si dhe në përputhje me dispozitat e ligjeve që rregullojnë mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të fëmijëve ndërmerr hapa e veprime për mbrojtjen e fëmijës. /kp

  • ​10 vjet nga droni shqiptar në Beograd

    ​10 vjet nga droni shqiptar në Beograd

    Më 14 tetor 2014, në orën 21:27 është ndërprerë ndeshja Serbi-Shqipëri që luhej në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian France 2016.

    Ndërprerja ishte paralajmëruar po thuaj që para fillimit: Ishte ndaluar pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të Himnit Kombëtar Shqiptar.

    Në këto kushte, të rënduara dhe të vështira për ekipin shqiptar, filloi ndeshja.

    Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante gjyqësinë që, sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë që gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.

    E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën 42.

    Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, më ngadalë e duke valëvitur nga një dron, në fushën e lojës, afrohej flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit dhe me mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”.

    Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.

    Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare e lojtarët e kombëtares vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.

    Pas kësaj, topi u “harrua” dhe filloi beteja fizike ndërmjet lojtarëve të dy ekipeve. Nga tribunat e shikuesve zbriten spektatorët serbë të cilët mësyn lojtarët shqiptarë. Një konfrontim fizik i pabarabartë të cilin lojtarët e kombëtares e braktisen duke kërkuar shpëtim në zhveshtoren e vet.

    Pjesëtarët e sigurimit, në vend se të mbronin lojtarët shqiptarë, u bënë bashkë me spektatorët e lojtarët serbë duke i goditur me grushte e karrige derisa ata sa u futen në kthinën e vet të stadiumit.

    Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja.

    Lojtarët shqiptarë, pasi e morën veten, e dorëzuan flamurin e rënë fushë te zyrtarët e UEFA-s dhe rreth orës 3 mëngjesit u kthyen në Tiranë, transmeton Koha.net.

    Zhvillimi ndeshjes së ndërprerë Serbi – Shqipëri pastaj vazhdoi në tryezat politike.

    Politikanë serbë na quajtën të pa civilizuar e vizita e paraparë e Edi Ramës në Beograd u shty për më shumë tri javë, pasi vëllai tij akuzohej ta kishte lëshuar dronin.

    E kur shkoi Edi Rama në Serbi, në konferencën shtypit me Aleksandar Vuçiqin, natyrisht se nuk u harruan droni, ndeshja e as Kosova.

    Batutat dhe fjalët lakonike thuheshin anglisht e shqip e serbisht me cinizëm por edhe me maturi.

    Dhe këtu përfundoi “pjesa e parë” politike për ta vazhduar pjesa e dytë sportive e ndeshjes:

    Komisioni Disiplinor i UEFA-së vendosi më 24 tetor 2014 që ndeshjen e ndërprerë ta regjistrojnë në favor të Serbisë, derisa dy kombëtaret të dënoheshin me nga 100 mijë euro, Serbisë t’i hiqeshin dy pikë dhe dy ndeshje t’i luante pa tifozë.

    Pas ankesës së Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik të këtij viti, 3 pikët e ndeshjes kaluan në anën e Shqipërisë.

    Në ndërkohë ishte “zbuluar” edhe autori i dronit, Ismail Morina, Ballisti i cili bënte jetë të dyfishtë: Në famën e flamurit të tij e në dyshimin që ai të jetë vërtet autori i lansimit dhe i fshehjes e ruajtjes nga sigurimi serb nga i cili, thoshte ai, kërkohej për t’u vrarë.

    Kështu deri në prag të ndeshjes që u zhvillua më 8 tetor në Elbasan Arena ndërmjet Shqipërisë e Serbisë, kur Ismail Morina u burgos me akuzë për armëmbajtje pa leje dhe me posedim të biletave të falsifikuara për këtë ndeshje.

    Takimi Shqipëri – Serbi përfundoi me rezultatin 0: 2 dhe ai la shumë për të dëshiruar, sidomos për angazhimin e lojtarëve në fushë dhe të spektatorëve në tribuna. Edhe këtë radhë në ndeshje ka qenë e përzierë politika: Edi Rama uroi fitoren e ekipit serb, ndërsa tifozë të kuqezinjve, bashkë me udhëheqjen e lojtarët u “armatosen” për betejën në Erevan.

    Mrekullia ndodhi në kryeqytetin armen: Ndeshja Armeni – Shqipëria përfundoi me rezultatin 3:0 dhe Serbia, tash, ashtu siç tha kapiteni i Kombëtares Lorik Cana, kampionatin evropian France 2016, do ta shikojë nga televizioni e me këtë edhe ndeshjet e Shqipërisë në këtë garë në të cilën ajo është për herë të parë.

  • ​Avioni i parë amerikan me shpejtësi më të madhe se zëri

    ​Avioni i parë amerikan me shpejtësi më të madhe se zëri

    Më 14 tetor të vitit 1947, një avion amerikan ishte i pari që fluturoi me një shpejtësi më të madhe se ajo e zërit. Ky avion u quajt X-One.

    Avioni eksperimental ishte projektuar në mënyrë të tillë, që të mund të parandalonte shtjellën e ajrit që përplaset në sipërfaqen e avionit me shpejtësinë e zërit. Fluturimin e parë me avionin e kreu piloti i forcave ajrore Charles Yeager, i njohur me pseudonimin “Chuck”.

    Avioni X-One kishte formën e një plumbi, me krahë të shkurtër, dhe atë e lëshuan nga trupi i një bombarduesi të modifikuar të Luftës së Dytë Botërore.

    Kapiteni Yeager i ndezi të 4 motorët e raketës dhe kreu fluturimin me shpejtësinë e zërit, duke përshkruar distancën 10 mijë e 500 metra me një shpejtësi rekord prej 1 mijë e 56 kilometrash në orë. Avioni i Chuch Yegar-it ndodhet në Muzeun Kombëtar të Hapësirës në Uashington.

  • Serbët e Kosovës me pasaporta serbe nga sot mund të udhëtojnë në vendet e BE’së pa viza

    Serbët e Kosovës me pasaporta serbe nga sot mund të udhëtojnë në vendet e BE’së pa viza

    Bartësit e pasaportave serbe nga Kosova, të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, prej sot mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së, pasi ka hyrë fuqi Rregullorja për heqjen e vizave, e cila është publikuar në Gazetën Zyrtare të BE-së më 23 shtator.

    “Kjo Rregullore është plotësisht e detyrueshme dhe zbatohet drejtpërdrejt në shtetet anëtare në përputhje me Traktatet”, shkruan në dokument, raporton televizioni publik serb RTS.

    Danijell Apostolloviq, ambasadori i Serbisë në BE, ka thënë se ky është një lajm i mirë, sepse sipas fjalëve të tij, “eliminoi padrejtësinë dhe trajtimin diskriminues të BE-së ndaj serbëve nga Kosova”, sepse ata ishin të fundit nga Ballkani Perëndimor që iu mundësua regjimi pa viza.

    Ai ka thënë se vendimi ishte rezultat i një lufte diplomatike të zyrtarëve serbë.

    “Siç e dini, pala prishtinase e kundërshtoi miratimin e këtij vendimi, me argumente “të pakuptimta”, e cila edhe një herë tregoi jokonstruktivitet dhe mbi të gjitha qëndrim çnjerëzor ndaj qytetarëve dhe se qëllimi i tyre nuk është normalizimi i përditshmërisë së njerëzve. Për fat të mirë argumentet e palës sonë fituan”, ka thënë Apostolloviq.

    Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për komisioneren Ilda Johansson, për Matjazh Nemec, i cili ishte raportues për këtë çështje, si dhe deputetë të shumtë të Parlamentit Evropian që e miratuan këtë vendim me shumicë votash. Prej tyre 406 votuan për, 97 ishin kundër, përkujtoi ambasadori Apostolloviq.

    Më 18 shtator, në Strasburg, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian (PE) dhe Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) nënshkruan ligjin për heqjen e vizave për serbët e Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë, të cilat Kosova i cilëson si ilegale.

    Më 22 korrik, Këshilli i BE-së miratoi vendimin për heqjen e vizave për mbajtësit e këtyre pasaportave.

  • KQZ-ja diskuton për buxhetin për vitin 2025

    KQZ-ja diskuton për buxhetin për vitin 2025

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbaj mbledhjen e radhës në të cilën parashihet që të shqyrtohet dhe miratohet qarkorja buxhetore për vitin 2025.

    Sipas njoftimit për medie, mbledhja do të filloj në ora 13:30 në zyrat e KQZ.

    Rendi i plotë i ditës:

    1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së

    2. Procesverbali i mbledhjes së KQZ Nr.53, 54 dhe 55/2024

    3. Aktivitetet e SKQZ

    4. Raportet e Këshillave 4.1.1 Shqyrtimi dhe miratimi i Qarkorës së Buxhetit 2025/2, qarkorja finale dhe kufijtë buxhetor.

    5. Të ndryshme

  • Zhduket një grua në Prizren

    Zhduket një grua në Prizren

    Një grua është raportuar e zhdukur në Prizren.

    Lidhur me rastin, policia ka nisur hetimet.

    “Është raportuar se viktima femër kosovare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e saj. Njësitë relevante policore janë duke e hetuar rastin për të cilin është njoftuar prokurori”, thuhet në raportin policor.

  • IML pa staf mbështetës, s’ka sociolog e psikolog

    IML pa staf mbështetës, s’ka sociolog e psikolog

    Në Institutin e Mjekësisë Ligjore nuk ka staf mbështetës. Mjeku mundohet ta kryejë funksionin e psikologut për mbështetje të viktimës nga dhuna. E domosdoshme shihet mbikëqyrja e viktimës nga profesionistë të shëndetit mendor e social.

    Në Institutin e Mjekësisë Ligjore, stafi i ekspertëve kryen dokumentimin e dëmtimeve dhe pjesës klinike mjeko-ligjore.

    Por në këtë institut mungon stafi mbështetës.

    “Ne nuk kemi staf mbështetës, sociolog, psikolog për mbështetjen e mëtutjeshme të viktimave. Por fatkeqësisht ne funksionojmë në këto kushte që i kemi dhe mundohet mjeku me e marrë detyrën ose funksionin që e kish kry psikologu në një situatë tjetër”, tha doktoresha Bergita Curri.

    Prandaj nga IML e shohin më se të nevojshme që stafi mbështetës të jetë pjesë e këtij instituti.

    “Do të kishte qenë mirë me e pasë një psikolog, sidomos për faktin se ne kemi të bëjmë me viktimat e moshës së ulët, ndonjëherë kemi edhe fëmijë të cilët është shumë e vështirë me i qetësu edhe me i sjell deri në situatën që ata të bashkëpunojnë për ta kryer ekzaminimin”, tha ajo.

    Punën e profesionistëve të shëndetit mendor e social e tregon sociologu Genc Xërca.

    “Mund të dimë gjendjen e viktimës çfarë është. Pastaj të jepen predispozita dhe këshillime se si të vazhdohet më tutje me trajtime; a të kthehet në rrethin e mëparshëm tek familja apo t’i gjindet ndonjë strehim i përkohshëm dhe adaptimi apo integrimi në shoqëri. Pra këto kapacitete psikologjike dhe sociale janë të domosdoshme që ta mbikëqyrin viktimën dhe të jepin rekomandime”, tha Xërca.

    Nga Ministria e Drejtësisë është paraparë renovimi i Institutit të Mjeksësisë Ligjore në vlerë mbi 800 mijë euro.

  • Grupi parlamentar i VV-së mban konferencë për medie

    Grupi parlamentar i VV-së mban konferencë për medie

    Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje sot do të mbajë konferencë për media.

    Ngjarja nis nga ora 11:00 në zyret e këtij grupi në Kuvendin e Kosovës.

    Nuk dihet se kush do të jenë folësit apo cila do të jetë tema që do të trajtohet.