ATV

Author: ATVLive

  • Zhduket një grua në Gjilan

    Zhduket një grua në Gjilan

    Policia e Kosovës njofton se një grua në Gjilan është zhdukur. Kjo grua është larguar nga shtëpia dy ditë më parë dhe nuk dihet vendndodhja e saj, raporton KP.

    “Gjilan 12.05.2025, 07:40. Është raportuar se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Sipas policisë, rasti është nën hetime.

  • ​Sekuestrohet një sasi e marihuanës në Gjakovë, i dyshuari lihet i lirë

    ​Sekuestrohet një sasi e marihuanës në Gjakovë, i dyshuari lihet i lirë

    Një person është arrestuar në Gjakovë pasi gjatë një kontrolli në shtëpinë e tij, Policia e Kosovës ka sekuestruar substanca të dyshuara narkotike. Sipas policisë, në shtëpinë e tij janë gjetur rreth 2.52 gram marihuanë dhe dy qese najloni me rreth 1.84 gram kokainë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, raporton KosovaPress.

    “Rr. Domenik Përgegaj, Gjakovë 13.05.2025, 22:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 2.52 gram si dhe dy qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë rreth 1.84 gram. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    Policia e Kosovës vazhdon angazhimin e saj në luftën kundër narkotikëve, duke realizuar aksione të koordinuara dhe duke bashkëpunuar me institucione të tjera për të garantuar sigurinë dhe rendin publik.

  • ​Rama për Lojërat Mesdhetare: Nuk lejojmë t’i humbasim ato

    ​Rama për Lojërat Mesdhetare: Nuk lejojmë t’i humbasim ato

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama deklaron se kryeqyteti është në hap me kohën sa i përket përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare – me plane të qarta për infrastrukturën dhe ndërtimin e stadiumit të ri.

    Në një intervistë për KosovaPress, ai thekson se megjithëse niveli lokal është aktiv dhe i organizuar, mungesa e institucioneve qendrore po ngadalëson procesin.

    Ai bën thirrje për bashkëpunim të shpejtë për të mos rrezikuar këtë mundësi historike për Kosovën.

    “Lojërat Mesdhetare janë nesër sa i përket kohës që e kemi për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për Lojërat Mesdhetare. Ne si kryeqytet kemi vazhduar me procesin, me përpilimin masterplanit të fshatit olimpik për Lojërat Mesdhetare edhe detalizimit të tij, kështu që jemi dy hapa përpara për fat të mirë, mirëpo mungesa e krijimit të institucioneve të nivelit qendror normalisht që e pamundëson zhvillimin e shpejtë i cili ishte dashur të jetë në zhvillim e sipër për stadiume, për hapësira të ndryshme, për arena e të tjera për Lojërat Mesdhetare”, thotë Rama.

    I pari i Komunës së Prishtinës thekson se janë në komunikim të vazhdueshëm me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare duke i informuar ata për çdo hap që po merret në funksion të përgatitjeve për mbarëvajtjen e këtyre lojërave në Kosovë, që mbahen pas pesë vjetësh.

    “Edhe në takimet tona që i kemi pasur me ICMG [Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare] ju kemi treguar dhe ju kemi dhënë besimin atyre, e kanë parë që faktikisht ne jemi përpara me planifikime si kryeqytet prandaj për momentin jemi në rregull por nuk duhet të ndalemi sepse koha ecën tepër shpejtë”, vijon tutje Rama.

    Duke parë se ende nuk është ndërmarrë asnjë hap për ndërtimin e stadiumit kombëtar, Rama bën të ditur se komuna do ta ndërtojë një stadium të ri, të kategorisë së katërt të UEFA-s që do ta kryejë këtë funksion.

    “Ne kemi propozuar dhe kemi planifikuar dhe do ta ndërtojmë stadiumin e kryeqytetit, i cili do t’i ketë të gjitha kapacitetet edhe për Lojërat Ndërkombëtare, pra do të jetë i kategorisë së katërt të UEFA-s që i mundëson të gjitha nevojat për lojëra ndërkombëtare. Por a do të trajtohet ai si stadium kombëtar apo jo, ajo mbetet të shihet, por po them që neve na duhet një stadium i ri i kryeqytetit të cilin e kemi planifikuar dhe të cilin do ta ndërtojmë”, bën të ditur Rama.

    Ai ka folur për rrezikun potencial që Kosova të humb të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare, pikërisht për shkak të vonesave në ndërtimin e infrastrukturës sportive, duke thënë në asnjë mënyrë nuk do të lejojnë që kjo të ndodh.

    “Ne për fat të mirë kemi shumë mundësi si kryeqytet t’i shtyjmë proceset përpara dhe nuk do ta lejojmë këtë gjë [dështimi i organizimit të Lojërave Mesdhetare] të ndodh. Po them që uroj që qeveria të formohet sa më parë dhe në bashkëpunim me nivelin lokal, pra me kryeqytetin, t’i shtyjmë proceset sa më shpejtë sepse sa më shpejtë aq më mirë, dhe aq më nikoqirë të mirë do të jemi. E kemi vetëm një rast ndoshta në histori të vendit tonë, të kryeqytetit dhe të Kosovës që të jemi nikoqirë të këtyre lojërave të mrekullueshme dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që të organizohemi në mënyrën më të mirë që të jemi nikoqirët më të mirë, sepse kjo e tregon nivelin e ngritjes së shoqërisë sonë në nivelin ndërkombëtar, prandaj uroj që qeveria të formohet sa më parë dhe t’i shtyjmë proceset sa më parë, sepse sa më parë ne t’i kryejmë punët tona të cilat na nevojiten atëherë mund të futemi edhe në detaje dhe t’i kemi lojërat ndërkombëtare më të mira deri më tani. Këtë ne e synojmë”, thotë Rama.

    Thirrje për intensifikim të punëve në përgatitjet për Lojërat Mesdhetare së fundi kanë bërë edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

    Për KosovaPress, ata kanë thënë se kanë frikë se Kosova me këtë ritëm të punëve mund të mos jetë gati që në vitin 2030 këto lojëra të organizohen në vendin tonë./kp

  • ​Avokati i Popullit në takimin me Trendafilovën shpreh shqetësimin për punën e Speciales

    ​Avokati i Popullit në takimin me Trendafilovën shpreh shqetësimin për punën e Speciales

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka pritur në takim kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, të martën në Prishtinë. Aty, Qelaj ka ngritur shqetësimin rreth punës së Speciales.

    Sipas komunikatës, Avokati i Popullit ka ngritur shqetësimin nëse në Hagë po respektohen parimet për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të të akuzuarve.

    Takimi, sipas Avokatit të Popullit, u zhvillua me kërkesë të Trendafilovës.

    “Fillimisht, Avokati i Popullit potencoi shqetësimin e tij nëse po garantohet një gjykim i drejtë dhe i paanshëm sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me të drejtat e të akuzuarit në procedurë, e që janë të përcaktuara edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në këtë aspekt, Avokati i Popullit foli në lidhje me barazinë e armëve në raport me provat dhe mënyrën se si janë siguruar këto prova, e në veçanti duke iu referuar provave që sigurohen nga Republika e Serbisë, duke pasur parasysh që Serbia është një shtet që ka qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës janë të akuzuarit”, thuhet në komunikatë.

    Në komunikatë thuhet se është brengosëse mënyra se si funksionon gjykata dhe se “lë për të dyshuar në pavarësinë e gjykatave të niveleve që veprojnë brenda kësaj gjykate, dhe kjo nuk është në frymën e standardeve ndërkombëtare që garantojnë gjykimin e drejtë në raport me shkallëshmërinë e procedurës dhe që ndërlidhen pastaj me të drejtën për një mjet efektiv juridik”.

    “Për më shumë, ma shqetësuese e bën faktin se Avokati i Popullit është pjesë e kësaj strukture e kjo është në kundërshtim me parimet e Parisit që përcaktojnë se Avokati i Popullit duhet të jetë institucion i pavarur, i themeluar me ligj ose Kushtetutë, i zgjedhur në një mënyrë transparente dhe ushtron mandatin e tij në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar nga asnjë autoritet, gjë që Avokati i Popullit në Dhomat e Specializuara nuk duket që i plotëson këto standarde”, theksohet më tej në këtë shkrim.

    Veç tjerash, në takimin e djeshëm me kryetaren e Speciales, Avokati i Popullit ka ngritur shqetësimin edhe për përgjimin e bisedave dhe vizitave në paraburgim.

    “Konsiderojmë se përkundër faktit se këto mund të jenë të lejuara me ligj por cenojnë parimin e privatësisë, jetës familjare edhe cenojnë mbrojtjen efektive nëse këto përgjime ndodhin edhe në raport me ekip mbrojtëse të të akuzuarve. Avokati i Popullit e konsideron se problem në vete është kohëzgjatja e paraburgimit. Kjo kohëzgjatje dhe mos ndryshimi i masave me masa tjera alternative sikur Gjykata nuk u beson institucionet e Kosovës se ata mund të garantojnë respektimin e atyre masave dhe të garantojnë një proces të rregullt dhe të papenguar”, deklaron Institucioni i Avokatit të Popullit.

    Avokati i Popullit theksoi edhe çështjen e “kompensimit të viktimave që nuk janë në standard të njëjtë për të dëmtuarit që te rastet që gjykohen në Republikën e Kosovës sepse të gjithë duhen trajtuar njësoj”.

    Po ashtu, ritheksoi nevojën për më shumë transparencë publike dhe ruajtjen e ekuilibrit mes drejtësisë dhe të drejtave themelore të njeriut.

    Gjykata Speciale ka seli në Hagë të Holandës dhe personel ndërkombëtar.

    Atje po gjykohen për krime të pretenduara të luftës ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Specialja është kritikuar në vazhdimësi për mungesë të transparencës./KosovaPress

  • ​Një tarifë masive e Trump ende ekziston për disa nga eksportet më të lira të Kinës

    ​Një tarifë masive e Trump ende ekziston për disa nga eksportet më të lira të Kinës

    Blerësit morën një lehtësim të vogël këtë javë nga një tarifë gjigante për mallrat e lira dhe pa taksa nga Kina, të cilat më parë ishin të lira. Por tarifat që mbeten ende pritet të prishin zakonet e blerjeve të miliona amerikanëve që blejnë në faqet e tregtisë elektronike me çmime ultra të ulëta si Shein dhe Temu.

    Administrata Trump ka ulur tarifën e saj për pakot “de minimis”, ose dërgesat e mallrave me vlerë tetëqind dollarë ose më pak, që vijnë nga Kina nga njëqind e njëzet për qind në pesëdhjetë e katër për qind dhe ka ulur normën nga nga njëqind e dyzet e pesë për qind në tridhjetë për qind për pakot nga transportuesit komercialë. Një opsion me tarifë fikse prej njëqind dollarësh gjithashtu nuk do të rritet në dyqind dollarë për artikull postar nga një qershori, siç ishte planifikuar më parë, sipas një urdhri ekzekutiv të lëshuar të hënën dhe i cili hyn në fuqi pas mesnatës së së mërkurës, shkruan CNN, transmeton KosovaPress.

    Ndryshimi është simbolik i gjendjes së luftës tregtare SHBA-Kinë. Marrëdhënia po përmirësohet, por ka ende shumë për të bërë përpara se të kthehet në nivelet para janarit. Të mërkurën, Kina i uli tarifat e saj të përgjithshme mbi mallrat amerikane në dhjetë për qind për nëntëdhjetë ditë, ndërsa taksat amerikane mbi shumicën dërrmuese të produkteve kineze kanë rënë në tridhjetë për atë periudhë. Tarifat amerikane vijnë përveç taksave që ishin tashmë në fuqi përpara se Presidenti i SHBA-së Donald Trump të fillonte mandatin e tij të dytë.

    Urdhri ekzekutiv i së hënës lehtëson tarifën prej njëqind e njëzet për qind për pakot postare de minimis. Norma e re prej pesëdhjetë e katër për qind zbatohet vetëm për dërgesat e trajtuara nga shërbimet postare si USPS. Dërgesat nga UPS, FedEx dhe kompani të tjera të dërgesave të shpejta do të përballen në vend të kësaj me tarifën bazë për mallrat kineze, të cilën SHBA-të e ulën në tridhjetë për qind, duke qenë ende dëmtuese për shumë biznese dhe konsumatorë.

  • ​Tërmet i fuqishëm në Greqi

    ​Tërmet i fuqishëm në Greqi

    Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 të shkallës Rihter është regjistruar në orën 01:50 të mëngjesit të së mërkurës në zonën detare mes ishujve të Kretës, Kasos dhe Karpathos, duke shkaktuar shqetësim tek banorët.

    Tërmeti shkaktoi shqetësim te banorët e ishujve të Egjeut jugor dhe në Kretën lindore, ku u ndje veçanërisht, megjithëse epiqendra e tij ishte në një thellësi prej 60 km.

    Ai u ndje gjithashtu në disa zona të Atikës dhe përgjatë bregdetit të Turqisë.

    Nuk ka raportime për të lënduar apo për dëme materiale, ndërsa sizmologët shprehen se pavarësisht fuqisë së lëkundjes, nuk do të ketë tërmete të tjera, raporton TopChannel.

    Ndërkohë nëpërmjet numrit 112 është dërguar mesazh tek banorët me paralajmërim për cunami dhe kërkesë që të largoheshin nga brigjet.

    Kreu i OASP (Organizata për Planifikimin Antisizmik) Efthymios Lekkas theksoi se bëhet fjalë për një tërmet që ndodhi pikërisht mbi harkun grek, pra në vendin ku përplasen pllakat tektonike evropiane dhe afrikane dhe se nuk ka asnjë lidhje absolutisht me tërmetet në Santorini apo me tërmetin që ndodhi në Turqi.

    Pavarësisht distancës relativisht të madhe të Iraklios nga epiqendra, tërmeti u ndje si tre “valë” me intensitet të ndryshëm dhe me ndjesinë e zgjatjes për të paktën 15 sekonda.

  • ​Liderë botërorë urojnë Ramën

    ​Liderë botërorë urojnë Ramën

    Liderë botërorë e kanë uruar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama pasi partia e tij doli e para në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.

    Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia Socialiste kryeson thellë me numër të mandateve. Partia e Edi Ramës ka marrë shkuar në 83 mandate.

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer e ka uruar Ramën, siç ka shkruar ai, për “fitoren historike”, në zgjedhjet e 11 majit.

    “Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin për të sjellë rezultate për njerëzit e zakonshëm në të dy vendet tona”, ka shkruar Starmer në X.

    Ramën e ka uruar edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

    “Urime për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj sukses në shërbim të popullit shqiptar. E vlerësojmë shumë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar”, ka shkruar Zelensky në X.

    Më herët, Ramën e kanë uruar edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Spanjes, Pedro Sanchez dhe ai i Kroacisë, Andrej Plenkovic./KP

  • ​Përfundon numërimi i votave brenda vendit në Shqipëri

    ​Përfundon numërimi i votave brenda vendit në Shqipëri

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka përfunduar procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave për votimin brenda territorit të Shqipërisë, në përputhje me afatet e parashikuara në Kodin Zgjedhor.

    Procesi ka përfshirë të gjitha subjektet zgjedhore, partitë politike dhe koalicionet në 12 qarqet e vendit.

    Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, numri i zgjedhësve në listën brenda vendit ishte 3.467.962, ndërkaq kanë votuar 1.458.251 zgjedhës – duke shënuar një pjesëmarrje prej 42.21%. Janë konsideruar të vlefshme 1.402.820 vota, ndërsa 55.334 vota janë shpallur të pavlefshme.

    Procesi i votave nga jashtë vendit vijon, raporton Atsh.

    Në vijim të përpunimit të rezultateve, KQZ njoftoi se procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave të zgjedhësve nga jashtë vendit është ende në vijim.

    Deri më tani janë numëruar dhe vlerësuar 75.414 fletë votimi nga gjithsej 194.889, që përbën rreth 39% të totalit të votave nga jashtë.

    Procesi i numërimit për votat nga jashtë ka përfunduar për qarkun Kukës.

    Ndërkohë, ka përfunduar numërimi dhe vlerësimi i votave për kandidatët me votim preferencial (të listës së hapur) në disa qarqe dhe zona të administrimit zgjedhor.

  • ​26 vjet nga masakra serbe në Qyshk

    ​26 vjet nga masakra serbe në Qyshk

    Sot mbushen njëzet e gashtë vjet nga Masakra e Qyshkut, në të cilën forcat pushtuese kriminale serbe kanë vrarë dhe masakruar barbarisht dyzet e katër burra.

    Masakra e katërmbëdhjetë majit ishte vetëm njëra nga të shumtat që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

    Dhjetëra pjesëtarë të grupit paramilitar serb “Çakallët” janë arrestuar dhe dënuar në Beograd.

    Në Qyshk është kryer një nga krimet më monstruoze nga shteti i Serbisë: policia dhe bandat qeveritare, pas një sulmi të egër – gjatë të cilit kanë përdhunuar gratë shqiptare dhe kanë plaçkitur gjithçka që kanë mundur të marrin me vete – kanë vrarë të paktën dyzet e katër civilë, në tri shtëpi të fshatit të cilat i kanë djegur.

    Fshati është rrafshuar me tokë, ndërsa nga aty janë dëbuar më shumë se katërqind civilë./KP

  • ​“Shkodra elektronike” e çon Shqipërinë në finalen e Eurovizionit

    ​“Shkodra elektronike” e çon Shqipërinë në finalen e Eurovizionit

    Kënga “Zjerm” nga “Shkodra elektronike” e ka kthyer Shqipërinë në finalen e garës evropiane të këngës – Eurovizion.

    Në qytetin Bazel të Zvicres, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca shkëlqyen me performancën e tyre në skenë.

    “Zjerm” u kualifikua në mes të dhjetë shteteve fituese të natës së parë gjysmëfinale.

    “Shndrit, shndrit” ishte reagimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale.

    Kjo fjalë përmendet mbi tridhjetë herë në fund të këngës “Zjerm”.

    Norvegjia, Shqipëria, Suedia, Islanda, Holanda, Poloni, San Marino, Estonia, Portugali, Ukraina, janë dhjetë shtetet finaliste të gjysmëfinales së parë të Eurovizion 2025./KP