ATV

Author: ATVLive

  • 7 vjedhje dhe 3 raste të dhunës në familje brenda 1 jave në rajonin e Ferizajt

    7 vjedhje dhe 3 raste të dhunës në familje brenda 1 jave në rajonin e Ferizajt

    Shtatë raste të vjedhjeve dhe tri raste të dhunës në familje janë regjistruar gjatë një aktiviteti në parandalimin e indicenteve të policisë rajonale në Ferizaj.

    Kështu ka njoftuar policia përmes një komunikate për media, ku ndër të tjera ka treguar se në rajonin e Ferizajt janë arrestuar 38 persona të kërkuar me urdhëresa të gjykatave kompetente për vepra të ndryshme penale.

    Njoftimi i plotë i policisë:

    Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërrmarrë një sërë aktivitetesh në parandalim të inicenteve. Gjatë javës që shkoi, nga data 14-20/10/2024 janë raportuar :

    Veprat penale kundër pasurisë, 7 raste të vjedhjeve, të cilat kanë ndodhur: 6 në Ferizaj dhe 1 në Shtërpë.

    Veprat penale të dhunës në familje

    Në rajonin e Ferizajt janë raportuar 3 raste të dhunës më familje, prej tyre : 1 rast në Ferizaj, 1 rast në Shtërpcë dhe 1 rast në Han të Elezit. Ndërsa me vendim tëprokurorit të shtetit 1 person pasi është intërvistuar nga policët hetues të dhunës në familje është ndaluar në mbajtje, kurse 2 persona të tjerë janë liruar për procedurë të rregullt hetimore.

    Realizimi i urdhëresave të gjykatës

    Në rajonin e Ferizajt policia ka arrestuar 38 persona të kërkuar me urdhëresa të gjykatave kompetente për vepra të ndryshme penale.

  • Pesë njerëz gjenden të vrarë në një shtëpi në ShBA, ndalohet një adoleshent

    Pesë njerëz gjenden të vrarë në një shtëpi në ShBA, ndalohet një adoleshent

    Zyrtarët e rendit gjetën pesë njerëz të vrarë nga një sulm me armë në një shtëpi në juglindje të qytetit Seattle të shtetit Uashington në ShBA të hënën në mëngjes. Policia tha se një adoleshent është dërguar në mbajtje.

    Disa njerëz e telefonuan linjën emergjente rreth orës 5 të mëngjesit për të raportuar të shtëna në qytetin Fall të shtetit Uashington, tha zëdhënësi i policisë lokale, Mike Mellis, në një konferencë për gazetarë të hënën pasdite, raporton agjencia “Associated Press”.

    Policët ndaluan menjëherë një adoleshent, ndërsa një i ri tjetër, që ishte lënduar, u dërgua në një spital në qytetin Seattle, tha zëdhënësi Mellis. Të dy adoleshentët jetojnë në shtëpinë ku u gjetën trupat, shtoi ai.

    Zëdhënësi tha se policët që hynë në shtëpi gjetën pesë trupa. Dy ishin të të rriturve, ndërsa tre u përshkruan si adoleshentë të rinj. Nuk është publikuar akoma ndonjë emër.

    Porsa u zbuluan trupat, ne kuptojmë qartazi se kjo është skenë krimi shumë domethënëse” – tha zëdhënësi.

    Sipas tij, në sulm duket se ishin të përfshirë anëtarë të një familjeje, por shtoi se autoritetet nuk dinin ende se çfarë lidhje saktësisht kishin njerëzit mes vete. Ai gjithashtu tha se nuk kishte rrezik të vazhdueshëm ndaj komunitetit.

    “Nuk kam arsye për të menduar se do të ketë ndonjë arrestim shtesë” – tha më tej zëdhënësi i policisë lokale.

    Adoleshenti i ndaluar u dërgua në qendrën për ndalimin e të miturve në distriktin King, sipas zëdhënësit Mellis. Adoleshenti do të paraqitet në gjykatë në seancën dëgjimore fillestare të martën ose të mërkurën, tha zyra e prokurorit lokal.

    Një fqinj i tha televizionit “King TV” se një çift me pesë fëmijë jetonte në shtëpinë ku ndodhi rasti. “Unë thjesht jam në shok të plotë, po vazhdoj të shpërthej në lot” – tha ai.

  • Maqedonci: Nuk do të lejoj që dikush tjetër pos meje të jetë dera e Ministrisë së Mbrojtjes

    Maqedonci: Nuk do të lejoj që dikush tjetër pos meje të jetë dera e Ministrisë së Mbrojtjes

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka komentuar sërish situatën me ushqim në FSK.

    Ai ka thënë se e ka njoftuar edhe presidenten Osmani për situatën, për të cilën tha se nuk ka qenë e madhe siç është raportuar në media.

    Maqedonci ka komentuar edhe raportet me zv/ministrin Maqedonci.

    “Mund të them me përgjegjësi të plotë se unë jam dera, e cila është e hapur, për të gjithë ata që kanë çështje rreth Ministrisë së Mbrojtjes, dhe nuk ka nevojë, dhe nuk do të ketë nevojë, por edhe nuk do të lejoj, që dikush tjetër të jetë dera e Vetëvendosjes apo cilësdo strukturë, brenda Ministrisë së Mbrojtjes”, shtoi Maqedonci.

    “E kam siguruar dhe gjithashtu e kam njoftuar se që në asnjë moment, asnjë pjesëtarë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nuk ka pasur mungesë të ushqimit, pavarësisht që është stërmadhuar çështja e ushqimit, në asnjë rast dhe asnjë ditë, asnjë pjesëtarë i FSK-së nuk ka mbetur pa ushqim”, deklaroi Maqedonci në Dukagjini.

  • Begaj niset sot drejt BeH-së, pritet me nderime ushtarake

    Begaj niset sot drejt BeH-së, pritet me nderime ushtarake

    Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bosnje-Hercegovinë të martën dhe të mërkurën, më 22 dhe 23 tetor.

    Para Presidencës së BeH-së është planifikuar një pritje ceremoniale me nderime ushtarake, e cila do të pasohet nga një takim tete-a-tete i anëtarëve të Presidencës së BeH me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Begaj.

    Pas takimit janë planifikuar deklarata për shtyp.

    Janë planifikuar edhe takime të presidentit Begaj me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Krishto dhe anëtarët e kolegjiumit të të dy dhomave të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës.

  • Brestovci: Në fund të marsit të 2025-ës, synojmë adoptimin e 1 500 qenë endacakë

    Brestovci: Në fund të marsit të 2025-ës, synojmë adoptimin e 1 500 qenë endacakë

    Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka thënë se deri në fundit të marsit të vitit të ardhshëm synojnë që t’i largojnë nga rrugët mbi 1 500 qenë endacakë.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Brestovci ka thënë se arrijnë që brenda javës t’i trajtojnë deri në 50 qenë, ndërsa nga 11 shtatori kur është funksionalizuar strehimorja, kanë kapur 268 qenë endacakë.

    “Të them të drejtën është duke shkuar shumë mirë, është duke komplet sipas dinamikës që e kemi paraparë për këtë fazë sepse pastaj do të rrisim dinamikën. Më gëzon fakti se nga 11 shtatori kur e kemi funksionalizuar qendrën e veterinarisë e deri më sot i kemi kapur 268 qenë të cilët janë trajtuar dhe të gjithë këta janë dhënë për adoptim. Kështu që po punojmë me këtë ritëm, diku ndërmjet 40 dhe 50 qenë brenda javës”.

    “Ka javë kur kushtet klimatike janë pak më të vështira me shi, ku pastaj edhe frekuenca e qenve të kapur është pak më e ulët, mirëpo jemi në një dinamizëm qysh e kemi paraparë. Po them se dinamizmin do ta shtojmë në momentin e funksionalizimit të strehimores sonë, sepse pastaj edhe nëse kemi pak nevojë për të pritur deri sa një adaptues t’i krijojë kushtet në bazë të kontratës për adoptimin e qenve, atëherë mundet që qentë të cilët janë të kapur t’i lejmë për disa javë në këtë procesin e socializmit brenda qendrës sonë të strehimit”.

    Brestovci ka thënë se për vitin e ardhshëm synojnë që t’i largojnë qentë endacakë nga hapësirat publike, përfshirë sheshet, kampusi universitar e institucionet arsimore e shëndetësore.

    “Deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm dhe në bazë të buxhetit të paraparë që e kemi, synimi jonë t’i largojmë nga hapësirat publike, njëkohësisht t’i trajtojmë dhe t’i japim në adaptim prej 1300 deri në 1 500 qenë maksimumi. E dimë që me këtë numër nuk do të zgjidhet problemi me qenë endacakë tërësisht, mirëpo do ta krijojmë një zonë të mbrojtur nga qentë endacakë që përfshinë të gjithë qendrën e kryeqytetit, duke filluar nga sheshet, kampusi universitar, të gjitha hapësirat ku kemi shkolla e çerdhe e qendrat e mjekësisë familjare. Do na mbetet diçka edhe për vitin 2025 për shkak limitit buxhetor që e kemi”.

    “Ne për t’u përballur edhe për pjesën tjetër të mbetur të qenve endacakë, i kemi drejtuar një kërkesë me shkrim Qeverisë së Kosovës dhe nëse do të kemi mbështetje financiare nga ta, atëherë natyrisht që intensiteti jonë do të jetë që deri në shtator të vitit të ardhshëm ta kemi përfundimisht të zgjidhur problemin me qentë endacakë në Kryeqytet dhe kjo më mos të mbetet temë e Kryeqytetit”, ka thënë Brestovci, teksa tregon edhe për shumën e kërkuar nga ekzekutivi.

    “Ne kemi parashtruar një kërkesë në vlerë prej 3 milionë euro jo vetëm për kapje por edhe për disa pajisje të cilat do të na nevojiteshin për ta pajisur qendrën tonë të veterinarisë edhe me pajisje shtesë”, u shpreh Brestovci.

  • ​Vazhdon procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët

    ​Vazhdon procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Sot vazhdon procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët. Seanca është parapa të nis nga ora 09:00 deri në 16:30.

    Një ditë më parë në seancë publike, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci e ka nisur dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Geci ishte thirrur nga prokuroria që të jap informacione lidhur me autorësinë e asaj që njihet si komunikata 59-të si dhe për kërcënimet që ai pretendon se Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi i kanë bërë Tahir Zemajt.

  • I dërguari amerikan në Bejrut për bisedime me zyrtarët libanezë

    I dërguari amerikan në Bejrut për bisedime me zyrtarët libanezë

    I dërguari amerikan Amos Hochstein ishte të hënën në Bejrut për bisedime që synojnë arritjen e një zgjidhjeje për konfliktin përgjatë kufirit Izrael-Liban, pjesë e një përpjekjeje diplomatike që riktheu në rajon edhe Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, me qëllim arritjen një armëpushimi në Rripin e Gazës.

    Zoti Hochstein u tha gazetarëve se kishte patur një takim “dobishëm” me kryetarin e parlamentit të Libanit Nabih Berri dhe se gjatë qëndrimit në Liban ai do të bisedonte me anëtarët e qeverisë, ushtrinë dhe këdo tjetër që është i gatshëm të punojë që vendi të rikthehet në rrugën e “sigurisë, qëndrueshmërisë dhe mirëqenies ekonomike”.

    Ai vuri theksin tek Rezoluta 1701 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në fund të luftës së fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut në 2006 dhe përfshin thirrjen që Hezbollahu të tërheqë luftëtarët e tij në veri të lumit Litani të Libanit dhe që Izraeli të tërheqë forcat e tij nga Libani.

    I dërguari amerikan Hochstein tha se askush nuk bëri ndonjë përpjekje për ta zbatuar Rezolutën, duke shtuar se vetëm angazhimi i palëve për zbazimin e saj, nuk mjafton. Ai përsëriti se synimi është që të ndërtohet besimi tek të dyja palët se Rezoluta do të zbatohet dhe të garantohet që konflikti të mos përsëritet brenda një muaji apo një viti.

    “Qytetarët e Libanit, si të gjithë në rajon, duan të shkojnë në shtëpi, të ndërtojnë një të ardhme paqësore, të sigurt dhe të begatë për veten dhe familjet e tyre”, tha zoti Hochstein.

    Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u nis të hënën për një vizitë një javore në Lindjen e Mesme në përpjekje për të rigjallëruar procesin e negociatave për arritjen e armëpushimit në Gazë dhe për të siguruar lirimin e pengjeve që ende po mbahen nga Hamasi në një kohë kur Izraeli po planifikon një sulm hakmarrës ndaj Iranit.

    Sipas zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit Matthew Miller, Sekretari Blinken do të diskutojë gjatë vizitës së tij planet për periudhën pas konfliktit dhe të theksojë nevojën “për gjetjen e një zgjidhjeje që u mundëson palestinezëve të rindërtojnë jetën e tyre dhe të realizojnë aspiratat e tyre të lirë nga tirania e Hamasit”, siç tha ai.

    Ndërkohë, ushtria izraelite kërkoi falje të hënën për vrasjen e tre ushtarëve libanezë në një sulm në Libanin jugor.

    Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se sulmi i së dielës goditi një automjet të ushtrisë libaneze dhe se Izraeli nuk vepron kundër ushtrisë libaneze.

    Ushtria libaneze nuk ka luajtur rol në konfliktin, i cili është përshkallëzuar gjatë muajit të kaluar, pasi Izraeli zgjeroi sulmet ajrore dhe trupat izraelite ndërhynë në jug të Libanit. /VOA

  • Hoxha për mënyrën e arrestimit të Metës: Policia u detyrua të përdorte forcën

    Hoxha për mënyrën e arrestimit të Metës: Policia u detyrua të përdorte forcën

    Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Ervin Hoxha, ka reaguar në lidhje me komentet dhe deklaratat e analistëve për arrestimin e ish-presidentit Ilit Meta.

    Në një postim të gjatë në Facebook, Hoxha shpreh keqardhjen për etiketimet fyese ndaj policisë, që sipas tij kryen detyrën.

    “Kam ndjekur me vëmendje dhe respekt opinionet e një sërë analistësh të angazhuar mbrëmë, lidhur me ndalimin e shtetasit Ilir Meta nga Policia e Shtetit. Fjalori ka qenë ekstrem për mënyrën sesi u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ndaj shtetasit në fjalë. Janë përdorur etiketime të rënda ndaj policisë dhe janë akuzuar efektivët e saj për faje, që nuk i kanë bërë, dhe reagimi ndaj rezistencës me forcë të personit, që kishin detyrë të ndalonin është nxjerrë jashtë kontekstit të ngjarjes. Janë hedhur edhe variante alternative për mënyrën se si duhej kryer, ku duhej kryer, e kur duhej kryer ndalimi i shtetasit Ilir Meta, për shkak të asaj çka ai ka përfaqësuar në dekadat e jetës politike shqiptare. Nuk dua të bëj asnjë polemikë me zotërinjtë dhe zonjat e angazhuara, në ekranet e këtij diskutimi. Ata kishin mbrëmë, përtej pozicionimeve të njohura, edhe avantazhin e spektatorit në dhënien e gjykimeve, jashtë dinamikës dhe tensionit të ngjarjes”, shkroi Hoxha në Facebook.

  • Publikohet analiza për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së për 12 komuna

    Publikohet analiza për zbatimin e rekomandimeve të ZKA-së për 12 komuna

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) sot mban konferencën në të cilën do të publikohet analiza gjithëpërfshirëse mbi përsëritjen dhe nivelin e ulët të zbatimit të rekomandimeve të dalura nga raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për 12 komuna të Kosovës.

    Analiza e hartuar së bashku me Aleancën Qytetare të Transparencës AQT përfshinë komunat: Ferizaj, Graçanicë, Gjakovë, Kaçanik, Kamenicë, Lipjan, Mitrovicë, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Rahovec, Skenderaj.

    Analiza gjithpërfshirëse ofron një pasqyrë të performancës së komunave bazuar në opinionet e përgjithshme të ZKA-së, llojin e gjetjeve dhe nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve. Po ashtu, në këtë analizë janë bërë edhe krahasimet në mes të viteve 2022 dhe 2023, si dhe synohet të paraqiten shkaqet dhe rrethanat që po shpiejnë në përsëritjen e gjetjeve të auditorit për komuinat nga viti në vit.

    Panelistë në këtë diskutim do të jenë: Vlora Spanca, Auditore e Përgjithshme e Republikës së Kosovës, Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit, Kadri Rahimaj, kryetar i Komunës së Kamenicës, Mirlinda Tishukaj Sadiku, anëtare e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës dhe Hajdar Beqa, anëtar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike në Kuvendin e Kosovës.

  • Moti sot në Kosovë: Mëngjesi me mjegull, gjatë ditës me diell

    Moti sot në Kosovë: Mëngjesi me mjegull, gjatë ditës me diell

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se moti sot në vendin tonë do të jetë me diell.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-20 gradë Celsius.

    Në mëngjes nëpër ultësira parashihet mjegull e radiacionit.