ATV

Author: ATVLive

  • “Komunikata e 59-të”, Fadil Geci për Ramë Bujën: Më tha kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve

    “Komunikata e 59-të”, Fadil Geci për Ramë Bujën: Më tha kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve

    Dëshmitari Fadil Geci ka vazhduar dëshminë edhe të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku tha se kur ka biseduar me Ramë Bujën lidhur me komunikatën e 59-të, ai i ka thënë që ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.

    “Më ka thanë që kemi bisedu në Shtab aty. Ai e di atë, por thotë që kam pas pasoja edhe unë pse kam folë për ju, bile më thotë se unë kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve e ju keni pas të drejtë edhe ju mirë na e keni ba se keni pas të drejtë. Ju kam thanë mani e nuk më kanë ngu, le ta bajnë me shnet e le të mbajnë përgjegjësinë”, tha Geci, duke shuar se Ramë Buja personalisht ia ka thënë këto fjalë.

    Ndërsa, për deklaratën lidhur me shkruesin e komunikatës 59-të, dëshmitari tha se i qëndron prapa, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Mesazhi është i qartë: ai shqiptar që na ka njoftë mirë kush jem na e e ka shkru komunikatën 59, mundet me kanë tulifar nacie tjetër, por jo shqiptar. Mundet me e kontrollu me thanë që jam shqiptar, po në zemër e në gjak nuk mundet me kanë shqiptar. Këtë e kam thënë dhe është e vërtetë”, tha Geci.

    Dëshmitari Geci u pyet edhe për Sabit Gecin, të cilin për ZPS-në e kishte quajtur bashkëfshatar dhe se sipas tij kanë qenë së bashku me një klasë.

    “Unë mund të gaboj, por Sabiti ka qenë në burg për një aksident në komunikacion e që është dalë prej burgu më 1997, është kyç”, u shpreh Geci.

    Musli Gecin dhe Hetim Gecin, dëshmitari tha se i njeh shumë mirë dhe për këtë të fundit ai tha se është dajë i Adem Jasharit.

    Më pas, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi të cilat mbanin numra për secilin që ishte aty e që iu kërkua identifikim nga ana e tij.

    “I njoh. Disa 2-3. Numri 5 është Rexhep Selimi. Numër 3, Sylejman Selimi dhe numër 2, ‘Kapuçi’ një hero i Kosovës. Po më del prej menje por na me këtë nofkë e kemi njohur të gjithë, komandant Kapuçin”, tha dëshmitari për njërën nga fotografitë.

    Ai tha se Komandant Kapuçi është vrarë duke luftuar me armikun, prandaj edhe është hero dhe sipas tij të gjallët është vështirë sipas tij të jenë heronj.

    Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi e dytë, e që tha se në numër 3 ishte Rexhep Selimi, ndërsa sipas tij me numër 2 mundet të jetë Abedin Rexha.

    Geci tha se nuk e di se ku është realizuar fotografia, por që Rexhep Selimi i cili është i pranishëm në sallë, mund ta dijë më mirë.

    Edhe në një fotografi të tretë, Geci tha se është Rexhep Selimi e që mundet me qenë edhe Abedin Rexha, por që sipas tij nuk është i sigurt.

    Ndërsa, në fotografinë e katërt, dëshmitari identifikoi dy vëllezërit Jashari (Sahit dhe Musë Jasharin), ndërsa për personat tjerë ai tha se nuk po i njeh.

    Në prova materiale, u pranuan të gjitha fotografitë që iu prezantuan dëshmitarit.

    Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ZPS ka dorzuar një parashtrim ku ka kërkuar që t’i ndryshojë listën e provave dhe të fus tri prova të tjera që do t’i përdorë me dëshmitarin 04758 dhe gjithashtu ftoi trupin gjykues që të përdorte një kalendar të përshpejtuar.

    Mbrojtja e viktimave nuk pati kundërshtime lidhur me këtë. Ndërsa, avokati i Veselit, Rodney Dixon tha se ju duhet që ta shikojnë dokumentin në mënyrë që t’i paraqesin parashtrimet e tyre.

    Gjyqtatri Smith urdhëroi që një gjë të tillë të bëhet pas pushimit të orës 11:00 dhe si rrjedhojë palët do t’i paraqesin parashtrimet e tyre.

    Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Blinken zbarkon në Tel Aviv për bisedime me liderët izraelitë

    Blinken zbarkon në Tel Aviv për bisedime me liderët izraelitë

    Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka mbërritur në Tel Aviv në udhëtimin e tij të njëmbëdhjetë në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në Gaza nga Izraeli tetorin e kaluar, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor. Blinken, duke filluar turneun e tij rajonal saktësisht dy javë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, do të takohet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Zyrtarët amerikanë shpresojnë për përparim.

    Blinken pritet të theksojë nevojën që Izraeli të lejojë më shumë ndihmë humanitare në Gaza dhe të diskutojë sigurimin e lirimit të pengjeve të mbetura izraelitë në Gaza.

    Blinken dhe Lloyd Austin, sekretari i mbrojtjes, paralajmëruan në një letër të përbashkët javën e kaluar se Izraeli mund të përballet me pasoja – duke përfshirë bllokimin e mundshëm të transferimeve të armëve në të ardhmen – nëse nuk ndërmerr hapa të menjëhershëm për të lejuar ndihmën në Rripin e Gazës brenda muajit të ardhshëm.

    SHBA, aleati më i fuqishëm i Izraelit dhe furnizuesi i armëve, i ka dërguar Izraelit më shumë se 10,000 bomba shumë shkatërruese 2,000 paundëshe dhe mijëra raketa Hellfire që nga fillimi i luftës së saj në Gaza, në të cilën mbi 42,000 palestinezë janë vrarë nga ushtria izraelite, shkruan The Guardian.

  • ​Ikja e mjekëve, problem rajonal

    ​Ikja e mjekëve, problem rajonal

    Numri i profesionistëve shëndetësorë që po synojnë punësim në vendet evropiane nuk ka shënuar rënie, sipas përfaqësuesve të mjekëve në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Kushtet e papërshtatshme të punës dhe pagat e ulëta po konsiderohen prej arsyeve kryesore që mantelbardhët po e braktisin rajonin.

    Bedri Ramadani me prejardhje nga Kosova, ka 25 vjet që jeton dhe punon në Gjermani.

    Ai është zëvendësdrejtor i Klinikës së Kardiokirurgjisë në Duseldorf dhe thotë se kushtet e punës atje janë shumë të mira.

    Ramadani nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të shërbejë edhe në Kosovë por thotë se politika e këtij vendi duhet të mbështesë institucionet shëndetësore, në mënyrë që mjekëve tu krijohen kushte më të përshtatshme të punës.

    “Me siguri janë faktorë të ndryshëm që ndikojnë [në largimin e mjekëve] por unë mendoj se perspektiva të cilën të rinjtë këtu [në rajon] nuk e shohin dhe ndërrimi i politikave të ndryshme që nuk u japin të rinjve perspektivë, vendosin të dalin jashtë për një përparim profesional më të mirë… Ne duhet të rinjtë t’i motivojmë, natyrisht edhe politika duhet ta mbështesë shëndetësinë shumë, duhet të krijohen kushte. Ne kemi mjekë shumë të talentuar këtu dhe besoj që mundemi të bëjmë edhe me të arritura edhe më të mëdha në mjekësi”, thotë Ramadani.

    Numri i saktë i profesionistëve shëndetësorë që largohen nga Kosova, nuk dihet. Por një tregues është numri i atyre që e kërkojnë certifikatën e etikës dhe profesionit – dokument që shërben për t’u punësuar jashtë vendit.

    Deri në fund të këtij viti pritet që numri i profesionistëve shëndetësorë që e kërkojnë këtë certifikatë të tejkalojë njëqindëshin, thotë kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu.

    “Deri më sot (17 tetor) kemi 93, gjithmonë parashohim që deri në fund të vitit do të jenë mbi 100 apo 110…Nuk qëndron fakti që ka rënë numri. Kur deklarohet se ka rënë numri, bie për 30 apo 40 për qind. Lëvizja e tillë nuk ndodhë, lëvizjet 10-15 për qind nuk janë ato të cilat janë të prekshme. Ministria e Shëndetësisë apo kushdo tjetër nuk kanë të dhëna. Ne i kemi ato të dhëna të vet-deklarimit përmes kësaj certifikate, por nuk duhet harrur se një pjesë e mirë e shteteve, sidomos Zvicra, Britania e Madhe, skandinavët nuk e kërkojnë këtë dokument. Përveçse, pas aplikimit atje për licencim i verifikojnë tek ne, nëse janë këto dokumente valide. Prandaj, ky numër mund të jetë edhe më i madh, më i vogël assesi. Nuk ka rënie që mund ta deklarojmë”, thotë Sejdiu.

    Edhe nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë (KKUMSH) përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress thonë se gjatë vitit të kaluar, numri i mjekëve që kanë kërkuar certifikatën që shërben për të punuar jashtë vendit, është rreth 150.

    Sipas KKUMSH-së shumica prej tyre janë mjekë të përgjithshëm.

    “Në vitin 2022 janë lëshuar 191 certifikata të sjelljes së mirë, ndërsa në vitin 2023 këtë dokument e kanë kërkuar 147 mjekë. Kjo certifikatë tërhiqet nga mjekë që kërkojnë të punojnë jashtë vendit. Nga mjekë që aplikojnë për master apo specializim jashtë vendit. Nga ata që shkoj nëpër trajnime apo shkolla verore apo për kualifikime të ndryshme. Për mjekë që punojnë vullnetarisht në organizata humanitare dhe nga ata që punojnë me organizata ndërkombëtare për projekte brenda Shqipërisë. Shumica janë mjekë të përgjithshëm që kanë tërhequr këtë certifikatë”, thuhet në përgjigjen e KKUMSH-së.

    Sipas këtij këshilli, disa nga vendet ku aplikojnë mjekët shqiptarë janë janë Italia, Gjermania, Anglia, Shtetet e Bashkuara, Kanada, Franca, Zvicra e Austria.

    Përafërsisht shifër të njëjtë me Kosovën, përmend edhe kryetari i Shoqatës së Mjekëve në Maqedoninë e Veriut, Nevzat Elezi.

    “Është fakt se në Maqedoni kemi një numër bukur të mirë nga ajo që marrim nga të dhënat e Odës së Mjekëve të Maqedonisë, shohim se një numër i madh i doktorëve marrin licenca për jashtë…Është mirë që ne të bëjmë përmirësimin e kushteve, qofshin kushtet e punës ku ata duhet të tregojnë dijeninë e tyre ose në anën tjetër në aspektin financiar të mund të rrisim rrogat sa më shumë t’i mbajmë të rinjtë këtu. Fatkeqësisht më të mirët ndoshta neve na largohen nga vendi për arsye se ata ndjejnë veten edhe më të sigurt[në vendet evropiane]…Nga Maqedonia nuk kemi numër të largimit mbi 100 këtë vit. Është diku afër 100 të larguar në Evropë nga ajo që ne kemi marrë nga të dhënat e Odës së Mjekëve”, thotë Elezi.

    Kosova po përballet problemin e largimit të personelit shëndetësor tash e disa vjet.

    Numri më i madh i atyre që largohen janë infermierë.

    Paga e infermierëve në Kosovë sillet rreth 500 euro, ndërkaq për mjekët shkon deri mbi 1.000 euro./KP

  • ​Real Madrid-Dortmund, formacionet e mundshme

    ​Real Madrid-Dortmund, formacionet e mundshme

    Borussia Dortmund dhe Real Madridi do të takohen në një përsëritje të finales së UEFA Champions League të sezonit të kaluar sonte në mbrëmje. Liga e Kampionëve rikthehet të martën dhe liderët aktualë të fazës së ligës, Borussia Dortmund, do të shpresojnë të vazhdojnë fillimin e tyre mbresëlënës në kompeticion kur të ndeshen kundër Real Madridit në stadiumin “Santiago Bernabéu”.

    Gjigantët spanjollë e kanë nisur fushatën e tyre në Champions League me një fitore dhe një barazim dhe do të shpresojnë të marrin tre pikët të martën për të rritur shpresat e tyre për të përfunduar në tetëshen më të mirë.

    Borussia Dortmund ka pasur vështirësi në ndeshjet si mysafirnë Bundesligë këtë sezon, por një paraqitje e fortë në Madrid do të ishte një deklaratë e madhe e kredencialeve të tyre. Por Verdhezinjtë do të duhet të përballen pa të dëmtuarit Karim Adeyemi, Julien Duranville, Yan Couto dhe Gio Reyna të martën. Edhe pse Pascal Gros duhet të jetë në gjendje të paraqitet në fushë, përcjellë KosovaPress.

    Ndërsa Real Madridi ka bërë një fillim të ngadaltë të sezonit, ata gjithmonë duket se gjejnë një mënyrë për të fituar kur ka më shumë rëndësi. Dy ndeshje të vështira e presin Carlo Ancelotti-n në harkun kohor prej katër ditësh me përballjen e CL kundër Borussia Dortmundit që do të pasohet nga El Clasico në La Liga.

    Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior ishin të dy në objektivin e Real Madridit kundër Celta Vigo të shtunën. Dhe ata të dy do të jenë të etur për të vazhduar atë ecuri kundër Borussia Dortmund.

    Jude Bellingham do të jetë një tjetër lojtar për t’u parë teksa do të përballet me ish-klubin e tij për herë të dytë. Real Madridi do të duhet të përballet pa të dëmtuarit Dani Carvajal, David Alaba dhe Brahim Diaz të martën.

    Këto janë formacionet e mundshme:

    Real Madrid: Courtois – Militão, Tchouaméni, Rüdiger – Vázquez, Valverde, Camavinga, Mendy – Bellingham, Vinicius – Mbappe

    Borussia Dortmund: Kobel – Ryerson, Anton, Schlotterbeck, Bensebaini – Can, Groß, Sabitzer – Brandt, Gittens – Guirassy

  • BE i kërkon OKB-së që të mos i lërë krimet e Rusisë të pandëshkuara

    BE i kërkon OKB-së që të mos i lërë krimet e Rusisë të pandëshkuara

    Rusia dhe lidershipi i saj duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për krimet ndërkombëtare dhe të luftës që po kryejnë kundër Ukrainës, si dhe kundër ligjit ndërkombëtar dhe sigurisë globale.

    Kështu deklaroi Stavros Lambrinidis, Përfaqësuesi i Përhershëm i BE-së në OKB, i cili foli në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, raporton korrespondenti i Ukrinform.

    “Rusia vazhdon qëllimisht të minon sigurinë globale të ushqimit. Të gjitha vendet duhet të dënojnë pa mëdyshje këto sulme ndaj lirisë së lundrimit dhe sigurisë globale të ushqimit”, tha diplomati.

    Ai theksoi se nëse krimet ndërkombëtare të kryera nga Rusia mbeten të pandëshkuara, kjo do të nënkuptonte hyrjen në një “botë shumë të errët”.

    “Rusia dhe lidershipi i saj duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për kryerjen e një lufte agresioni dhe për krimet e tjera më të rënda sipas ligjit ndërkombëtar, si dhe për dëmin masiv të shkaktuar nga lufta”, theksoi diplomati evropian.

    Në lidhje me këtë, ai kujtoi të paktën gjashtë urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, përfshirë kundër liderit rus, Vladimir Putin, për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm dhe largimit të fëmijëve ukrainas nga vendi i tyre.

    Ai gjithashtu deklaroi se BE-ja mbështet një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë bazuar në Kartën e OKB-së. Për këtë, shtoi ai, Rusia, si një shtet agresor, duhet të tërheqë trupat e saj nga i gjithë territori i Ukrainës. Çdo propozim serioz për paqen duhet të bazohet në Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare, siç u tha qartë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në rezolutat e saj, theksoi diplomati.

    “Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve që dëshirojnë paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, përfshirë pjesëmarrësit në samitin e ardhshëm të BRICS në Rusi, që t’ia përcjellin këtë mesazh të OKB-së me zë të lartë dhe qartë udhëheqjes ruse”, vuri në dukje Lambrinidis.

    Përveç kësaj, ai u bëri thirrje vendeve të treta që të ndalojnë çdo ndihmë për Rusinë në luftën e saj të agresionit.

    “Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe të mbrojmë Kartën e OKB-së. Si përgjigje ndaj agresionit të Rusisë dhe do ta bëjmë këtë për aq kohë sa të duhet”, përfundoi diplomati.

    Siç raportoi më herët Ukrinform, gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën, Shtetet e Bashkuara shprehën besimin e tyre se Rusia nuk është më në gjendje të mbajë luftën kundër Ukrainës pa ndihmën e Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës./Ukrinform/

  • ​Totti mund t’i rikthehet futbollit

    ​Totti mund t’i rikthehet futbollit

    Legjenda e Romës dhe Italisë, Francesco Totti ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e rikthimit nga pensioni. Ish-sulmuesi italian, fitues i Kupës së Botës 2006, thotë se mund t’i rikthehet futbollit shtatë vjet pas pensionimit të tij.

    “Kurrë mos thuaj kurrë në jetë. Disa lojtarë u kthyen në lojë pas disa vitesh”, tha ish-sulmuesi gjatë një eventi në Sportitalia Village, përcjellë KosovaPress.

    “Duhet të stërvitem mirë për të luajtur në Serie A. Disa klube të Serisë A më thirrën kohët e fundit. Ndodhi muajin e kaluar dhe më bënë të mendoj për këtë. Ndjeva pak çmenduri. E pyeta veten: ‘Pse më kërkojnë akoma pas kaq vitesh?’ Do të isha gati për dy muaj.”

    Ish-portieri i Lazios, Marco Ballotta është lojtari më i vjetër që ka bërë një paraqitje në Serie A me 44 vjet, një muaj dhe tetë ditë. Gigi Buffon është i dyti, pasi ka luajtur në maj 2021 me Juventusin në moshën 43 vjeç, tre muaj dhe 14 ditë.

    Totti u tërhoq në fund të sezonit 2016-17 pasi e kaloi të gjithë karrierën e tij te Roma. 48-vjeçari shënoi 307 gola në 786 paraqitje me “Giallorossët”, duke fituar një titull historik të Serie A në “Stadio Olimpico” në 2000-01 nën drejtimin e Fabio Capello.

    Gjatë karrierës së tij si lojtar, ai gjithashtu fitoi dy Coppa Italia dhe një Supercoppa Italiana. Ai u bë golashënuesi më i mirë i Serie A në 2006-07, duke shënuar 26 gola.

    Totti shënoi nëntë gola në 58 ndeshje me kombëtaren e Italisë. Ai njoftoi tërheqjen e tij ndërkombëtare pasi fitoi Kupën e Botës 2006.

  • Zhduket një femër në Prizren, policia jep detaje

    Zhduket një femër në Prizren, policia jep detaje

    Një femër është raportuar e zhdukur në Prizren. Sipas Policisë së Kosovës, viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk ka njohuri për vendndodhjen e saj.

    “Prizren, 21.10.2024 – 10:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk ka njohuri për vendndodhjen e saj, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

  • Policia shqiptoi 2 mijë e 88 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia shqiptoi 2 mijë e 88 gjoba trafiku brenda 24 orëve

    Policia e Kosovës për 24 orë ka shqiptuar 2 mijë e 88 gjoba. Kështu njofton raporti i policisë, sipas të cilit aksidente trafiku me fatalitet janë raportuar 2, aksidente trafiku me të lënduar janë regjistruar 20 si dhe aksidente trafiku me dëme materiale janë regjistruar 32.

    Sipas policisë brenda 24 orëshit janë arrestuar 20 persona, ndërsa 8 janë në mbajtje.

  • Fadil Geci sot vazhdon dëshminë e tij në Speciale

    Fadil Geci sot vazhdon dëshminë e tij në Speciale

    Ish-deputeti i LDK-së, Fadil Geci, do të vazhdojë edhe sot dëshminë tij në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

    Seanca e së martës pritet të nisë në orën 9:00, ndërkohë që transmetimi i saj bëhet 45 minuta më vonë.

    Geci në nisje të dëshmisë së tij të hënën, ka sqaruar përmbajtjen dhe ndikimin e komunikatës së 59-të të UÇK-së. Në këtë komunikatë vëllai i Fadilit, Gani Geci, ishte etiketuar si tradhtar pas vrasjes së komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha.

    Atij nga ZPS-ja iu treguan deklaratat e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit lidhur më komunikatën. Në deklaratën e Selimit thuhej se Thaçi e ka shkruar komunikatën e 59-të.

    Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka treguar se dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë.
    Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.

    ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit përfshirë këtu Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.

  • Deputeti gjerman: Nëse Serbia dëshiron BE, duhet ta njohë Kosovën

    Deputeti gjerman: Nëse Serbia dëshiron BE, duhet ta njohë Kosovën

    Deputeti gjerman dhe raportuesi për Kosovën në Bundestag, Thomas Hacker, e cilëson procesin e Berlinit një sukses të madh, teksa falënderon Kosovën që zhbllokoi marrëveshjen e CEFTA-s.

    “Samiti i Procesit të Berlinit ishte një sukses i madh. Ne arritëm të zhbllokonim Marrëveshjen e CEFTA-s midis gjashtë anëtarëve, gjashtë shteteve të Ballkanit perëndimor për Tregtinë e Lirë. Diçka e tillë shtyhej vit pas viti dhe tani më në fund ranë dakord. Mendoj se ishte vërtetë sukses i madh dhe jam mirënjohës ndaj Qeverisë së Kosovës veçanërisht e cila në fund bëri të mundur të hapej rruga për një marrëveshje të rëndësishme”, tha Hacker.

    Sa i përket dialogut, Hacker vlerëson se duhet një qasje e re dhe se Lajçak nuk ka qenë i drejtë. Sipas tij, masat ndaj Kosovës janë të padrejta dhe duhet të hiqen menjëherë.

    Duke kritikuar ato që i sheh si veprime jo demokratike e të dëmshme të Serbisë, deputeti gjerman thotë se për të hyrë në BE, vendi duhet të njohë Kosovën.

    “Aktualisht në rrugën e integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE, ky dialog bilateral është një nga gjërat më të rëndësishme. Kemi pasur shumë përpjekje për të zgjidhur problemet, për të hequr pengesat por sado që vazhdojmë gjithmonë bëhen hapa prapa. Prandaj është e nevojshme një fillim i ri i dialogut. Ne kemi parë marrëveshje që Vuçiq i ka konsideruar të vlefshme pa nënshkrim, dhe gjysmë ore më pas ka thënë se marrëveshja është kundër kushtetutës së vendit të tij. Ne tani do të kemi një të dërguar të ri për dialogun. Miroslav Lajçak largohet në fillim të vitit të ardhshëm. Unë mendoj që kemi mundësinë për një fillim të ri të dialogut. Gjatë muajve të fundit, Lajçak nuk konsiderohej më si një ndërmjetës i drejtë. Tani shpresoj që të kemi një të tillë”, tha Hacker për A2Cnn.