ATV

Author: ATVLive

  • Maqedonci nënshkruan marrëveshje mjekësore me Turqinë

    Maqedonci nënshkruan marrëveshje mjekësore me Turqinë

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka nënshkruar të mërkurën marrëveshjen për bashkëpunim me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Yasar Guler, për bashkëpunim në fushën mjekësore.

    Vendimi fillimisht u miratua në mbledhjen e të mërkurës nga Qeveria e Kosovës, e më pas u bë i ditur edhe nga ministri Maqedonci.

    “Me këtë rast ndërmjet dy ministrive tona u nënshkrua edhe protokolli i rishikuar i bashkëpunimit në fushën e trajtimit mjekësor, përmes të cilit mundësohet ofrimi i kuotave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet mjekësore ushtarake turke”.

    “Me këtë marrëveshje kuota e trajtimeve mjekësore falas në dispozicion të ushtarakëve tanë rritet nga 50 në 75 në vit apo për 50% më shumë”, ka sqaruar ai.

    Ai ka treguar edhe se çfarë parashihet që të plotësohet me këtë marrëveshje.

    “Marrëveshja mundëson realizimin e ushtrimeve të përbashkëta në fushën e mjekësisë ushtarake, trajnime mjekësore para zbarkimeve ushtarake, shkëmbimin e personelit mjekësor, veprimtaritë shkencore dhe shkëmbim i informacionit mjekësor, edukim profesional për pjesëtarët e FSK-së në Akademinë Mjekësore Ushtarake të Turqisë në mjekësi të përgjithshme, stomatologji, infermireri dhe farmaci”.

    Mbi 300 ushtarakë të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri tani sipas të dhënave të dikasterit të mbrojtjes janë trajtuar pa pagesë në institucionet e specializuara shëndetësore ushtarake turke.

    Më 29 janar, Kosova dhe Turqia kishin nënshkruar marrëveshjen ushtarake kornizë, me qëllim të bashkëpunimit për shërbimin e personelit ushtarak.

    Kjo marrëveshje përfshinte shkëmbimin e personelit ushtarak, shkollimet, trajnimet e përbashkëta, investimet në industrinë e mbrojtjes si dhe trajtimi shëndetësor i pjesëtarëve të FSK-së në Turqi.

  • Rohde: Bujqësia dhe energjia e ripërtëritshme janë kyçe për të ardhmen e Kosovës

    Rohde: Bujqësia dhe energjia e ripërtëritshme janë kyçe për të ardhmen e Kosovës

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Ambassador Jörn Rohde, shprehet i kënaqur që iu bashkua ministrit Faton Peci në panairin Agri-Rinew 2024 në Prishtinë!

    “Bujqësia dhe energjia e ripërtëritshme janë kyçe për të ardhmen e Kosovës. Jam i lumtur për skemën e granteve Gjermani-Kosovë që është vendosur të nxisë inovacionin dhe rritjen rurale! Së bashku për një të ardhme të qëndrueshme”, shkroi Rohde në postimin e tij në platformën X.

  • Osmani falënderon USAID-in: Pas luftës, kur ëndrrat u shkatërruan, një dorë na u zgjat – ajo e popullit amerikan

    Osmani falënderon USAID-in: Pas luftës, kur ëndrrat u shkatërruan, një dorë na u zgjat – ajo e popullit amerikan

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka falënderuar USAID-in i cili qëndroi pranë Kosovës tash e 25 vjet.

    Me anë të një mesazhi, e para e shtetit thotë se pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, kur plagët ishin të freskëta dhe ëndrrat u shkatërruan, një dorë na u zgjat. Ishte dora e miqësisë, dora e partneritetit – dora e popullit amerikan.

    “Faleminderit për 25 vjet mbështetje të pakursyer! Na presin edhe shumë vite të tjera bashkëpunimi akoma më të suksesshme përpara”, ka shkruar Osmani në Facebook ku ka ndarë edhe mesazhin e saj me anë të një videoje.

    “25 vjet më parë, pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, kur plagët ishin të freskëta dhe ëndrrat u shkatërruan, një dorë na u zgjat. Ishte dora e miqësisë, dora e partneritetit – dora e popullit amerikan. Sot, ne shohim trashëgiminë e partneritetit tonë me USAID-in, në çdo cep të vendit tonë”, ka shkruar më tej Osmani në një postim tjetër në “X”.

  • Gjuajtje me armë pas një rrahje në Prishtinë, 4 të lënduar, 13 të arrestuar

    Gjuajtje me armë pas një rrahje në Prishtinë, 4 të lënduar, 13 të arrestuar

    Një incident ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në Prishtinë, ku disa persona janë përfshirë në një përleshje, e cila ka përfunduar edhe me shkrepjen e armës së zjarrit, raporton Gazeta Sinjali.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 1 të mëngjesit, ku katër persona kanë mbetur të lënduar.

    Sipas Policisë, një person është lënduar nga arma e zjarrit, ndërsa tre të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e përleshjes ku janë përdorur edhe mjetet e forta.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se në lidhje me këtë rast janë arrestuar disa persona, ku 13 prej tyre janë dërguar në mbajtje.

    “Sot rreth orës 01:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

    Bazuar në informacionet e deritanishme raportohet për katër persona të lënduar, njëri prej të cilëve dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes ku dyshohet të jenë përdorë mjete të forta. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

    Deri tani nga ana e policisë janë identifikuar, arrestuar dhe dërguar në majtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë ajo.

  • KE-ja miraton Agjendat e Reformës për Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

    KE-ja miraton Agjendat e Reformës për Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë

    Komisioni Evropian e ka bërë hapin kyç për të mundësuar pagesat e para për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Plani i Rritjes dhe reformave, duke miratuar në takimin e 23 tetorit agjendat e reformave për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë.

    Komisioni Evropian tha se e mori këtë vendim pasi shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë pëlqimin e tyre për këto agjenda.

    Bosnjë e Hercegovina ka mbetur vendi i vetëm për të cilin agjenda e reformave nuk është miratuar ende. Ky shtet ishte i vetmi që nuk dorëzoi me kohë agjendën e reformave.

    “Në planet e tyre ambicioze të reformave, pesë qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor shprehin përkushtimin për reformat fondamentale dhe socio-ekonomike të cilat do t’i ndërmarrin për të siguruar rritje dhe konvergjencë me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes, gjatë periudhës prej vitit 2024 deri më 2017”, u tha në njoftimin e BE-së, përcjell Radio Evropa e Lirë.

    Plani i Rritjes është në vlerë të përgjithshme prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat, 2 miliardë do të jenë para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në formë të kredive të favorshme.

    Krahasuar për kokë banori, Kosova do të jetë përfituesja më e madhe nga kjo paketë, pasi shteti do të përfitojë më shumë se 820 milionë euro.

    Miratimi i agjendave të reformave është përshëndetur edhe nga presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.

    “Jam e impresionuar me punën që kanë bërë partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor në agjendat e tyre të reformave. Kjo dëshmon se ata janë të përkushtuar që të ketë sukses Plani i Rritjes. Ky është një udhërrëfyes i ynë për të afruar pranë nesh ekonomitë e Ballkanit Perëndimorë dhe për t’u mundësuar ndërmarrjeve të tyre qasjen dhe mjetet për të konkurruar në tregun tonë unik. Secili përfiton dhe është një hap i madh drejt BE-së”, deklaroi von der Leyen.

    Agjendat e reformave përqendrohen në fushat me prioritet si sundimi i ligjit, të drejtat themelore, qeverisja, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, kapitali njerëzor dhe zhvillimi i një mjedisi biznesor.

  • Eurodeputeti holandez: BE duhet të jetë më e ashpër ndaj Serbisë, situata në Kosovë të mos destabilizohet

    Eurodeputeti holandez: BE duhet të jetë më e ashpër ndaj Serbisë, situata në Kosovë të mos destabilizohet

    Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten thotë se Serbinë aktualisht po e udhëheq një qeveri problematike.

    Ai thotë se asnjë ndërkombëtar që përkrah vlerat evropiane nuk pret që Beogradi të vazhdojë me mashtrime.

    Eurodeputeti ka thënë se janë mediat që kontrollohen nga qeveria serbe me narrativat e tyre, që po ndikojnë edhe tek qytetarët e Serbisë.

    “Jemi përballë një qeverie problematike. Unë nuk jam kundër Serbisë apo popullit serb, por ne kemi problem me qeverinë. Ne duhet t’u themi qartë autoriteteve serbe se çfarë presim prej tyre dhe çfarë jo. Ne nuk duam që ata të vijnë në Bruksel dhe të thonë se qëllimi i Serbisë është të bëhet anëtare dhe pastaj kur të kthehen në Beograd të mos thonë fjalë kaq të bukura për rrugën evropiane. Ndonjëherë ata madje vendosin të hipin në një aeroplan dhe të shkojnë në Moskë në vend që të marrin pjesë në bisedime në nivel evropian”, tha Reuten.

    “Duhet të jemi më të vendosur ndaj qeverisë serbe edhe kur bëhet fjalë për kërkesat që situata në Kosovë të mos destabilizohet më tej. Bashkimi Evropian duhet të jetë më i ashpër ndaj Serbisë kur bëhet fjalë për këto gjëra”, tha ai.

    I pyetur se si i interpreton sondazhet e fundit të opinionit publik, të cilat kanë treguar se mbështetja për BE-në dhe integrimin europian ka rënë, ai mendon se “duhet parë nga këndvështrimi se janë informacione që ju serviren”.

    “Mediat janë nën kontroll të qeverisë dhe ndjek narrativën që imponon qeveria. Unë jam në dispozicion edhe për këtë lloj debati, sepse është një debat për të ardhmen evropiane të qytetarëve të thjeshtë. Ata mund të fitojnë shumë në rrugën e euros dhe të humbasin shumë nëse Serbia është një faktor destabilizues në rajon”, tha ai.

    I pyetur nëse mesazhi i tij mund të arrijë tek qytetarët e Serbisë, ai shprehet se shpreson.

    “Edhe pse Serbia nuk është ende anëtare e BE-së, mendoj se është në interes të qytetarëve serbë dhe në interesin tonë të kërkojmë mbrojtjen e mjedisit kur bëhet fjalë për këto projekte. Ky është parimi bazë kur ndërtohet një biznes me mirëbesim dhe transparent. Besoj se është në interesin e njerëzve, por duhet ta vendosim në një kontekst ku po ndihmojmë kompanitë dhe aktorët nga të dyja palët që të zbatojnë rregullat. Është mirë që bashkëpunojmë, por bashkëpunimi duhet të jetë sipas ligjit”, thekson ai.

  • ​INDEP shpreh optimizëm për tregun e përbashkët rajonal

    ​INDEP shpreh optimizëm për tregun e përbashkët rajonal

    Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka mbajtur Seminarin “Roli i tregut të përbashkët rajonal (CRM) në të ardhmen ekonomike të Kosovës dhe integrimin evropian në 6 shtete të Evropës Juglindore”.

    Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Zhvillimore, Burim Ejupi u shpreh optimist se pas mbajtjes së Samitit të Berlinit për herë të dhjetë, do të ketë përmirësime për një treg të përbashkët rajonal.

    “Me 10 vjetorin e Samitit të Berlinit, ndoshta do të shohim pak dritë dhe për një treg të përbashkët rajonal. I kemi këtu pengesat që ishim para tri viteve që u nënshkrua marrëveshja në Berlinit mes liderëve për lëvizjen e lirë, njohjen e profesioneve…Kosova ka ecë një hap përpara edhe pse Bosnja e Hercegovina nuk i ka pranuar ende. Ka problem në njohjen e dokumenteve të Kosovës. Jemi më optimist që po presim që kjo nisma e tregut të përbashkët rajonal ka me qenë një sukses i radhës që për mendimin tim, besoj që në vitin 2030 do të jetë ajo data kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do t’i bashkohen familjes së Bashkimit Evropian”, tha Bujupi.

    Ndërkaq, drejtori Kërkimor i CDI dhe Koordinator i Forumit të Connectivity Tirana, Ardian Hackaj përmes një videolidhje online potencoi se objektivi kryesor i këtij turneu rajonal është bashkimi me kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Përveç kësaj, ai tha u theksua roli që kanë organizatat e shoqërisë civile jo vetëm për monitorimin, por edhe në angazhimin dhe takimin e agjendave të bashkëpunimit rajonal.

    “Ky zingjir ngjarjesh vjen në pak se tre javë nga samiti i Berlinit që ishte ngjarja shumë e suksesshme…Kjo gjithashtu vjen pas miratimit të listës së reformave për planin e rritjes e që është shumë e mirë, sepse tregon përparim jo vetëm drejtë bashkëpunimit rajonal, por edhe drejt përpjekjeve që po bën secili prej vendeve tona drejt anëtarësimit. Objektiv kryesor i këtij turneu rajonal është që tu bashkohemi kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor, mësimet e samitit si dhe duam të theksojmë rolin që kanë organizatat e shoqërisë civile jo vetëm për monitorimin, por edhe në angazhimin dhe takimin e agjendave të bashkëpunimit rajonal si dhe në disa politika që na afrojnë më shumë drejt anëtarësimit”, potencoi Hackaj.

    Integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është prioritet i Gjermanisë, tha këshilltarja e Lartë e Përfaqësuesit Special të Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Valeska Esch në një fjalë rasti përmes një videolidhje online.

    Ajo potencoi se tregu i përbashkët rajonal ka për qëllim të arrijë një treg të integruar në rajon që sipas saj “vërtetë do t’i ngjajë tregut të përbashkët të BE-së”.

    “Qeveria gjermane dëshiron të shohë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen plotësisht në Bashkimin Evropian sa më shpejtë që të jetë e mundur. Kur filloi procesi i Berlinit para 10 vjetësh ideja ishte që të kemi një formë konkrete që do të forconte bashkëpunimin rajonal. Sepse në fund të fundit, kjo i bashkon vendet më afër Bashkimit Evropian dhe të mbështetet lidhshmëria në të gjitha aspektet jo vetëm të infrastrukturës por edhe integrimin ekonomik, shkëmbimin mes shoqërive e kështu me radhë. Të gjitha arritjet e procesit të Berlinit kanë të njëjtin qëllim, që të bashkohen vendet më afër anëtarësimit në BE, sidomos tregu i përbashkët rajonal ka për qëllim të arrijë një treg të integruar në rajon që vërtetë do t’i ngjajë tregut të përbashkët të BE-së…Çdo hap i integrimit ekonomik rajonal tanimë bëhet në bazë të standardeve të BE-së, që sipas pikëpamjes tonë është vlerë e vërtetë shtesë”, tha Esch.

    Ndërkaq, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj u shpreh se përvjetori i dhjetë i Samitit të Berlinit ishte sukses, për shkak se u zhbllokua edhe CEFTA.

    Zulfaj tha se marrë parasysh që tregu i përbashkët rajonal është i lidhur drejtpërdrejt me planin e BE-së për rritje, do të ketë më shumë përpjekje për kryer punë brenda rajonit.

    “Gjatë tri vjetëve të fundit që nga viti 2022 kemi bërë shumë përparim sepse në vitin 2020 kishim tregun e përbashkët rajonal që u miratua në Sofie. Që nga ajo kohë kemi hyrë në një fazë të re të procesit të Berlinit ku kemi prekur problemet konkrete të rajonit që po ashtu nuk janë të lehta për tu zgjidhur. Mendoj se me këto probleme praktike që po zgjedhë procesi i Berlinit po u jep diçka konkrete qytetarëve si njohjen e diplomave, lëvizjen e lirë me letërnjoftime, karta identiteti…18:01 Përvjetori i 10 ishte sukses edhe për shkak se zhbllokuam CEFTA-n por edhe sepse ishim në gjendje të nënshkruanim një marrëveshje të re për akcesin në arsimin e lartë…Kemi marrëveshjen e mobilitetit që duhet ratifikuar, por edhe të tjerat që duhet zbatuar. Duke marrë parasysh që tregu i përbashkët rajonal tani është i lidhur drejtpërdrejt me planin e BE-së për rritje, do të kemi shumë më shumë incentiva, nxitje për kryer punë brenda rajonit”, u shpreh Zulfaj. /kp

  • Nuredin Ibishi, dëshmitari i 97-të në Hagë në rastin e krerëve të UÇK-së

    Nuredin Ibishi, dëshmitari i 97-të në Hagë në rastin e krerëve të UÇK-së

    Nuredin Ibishi është paraqitur në Gjykatën Speciale të Hagës.

    Komandant ‘Leka’ do të dëshmojë në rastin e krerëve të UÇK-së.

    Ai është dëshmitari i 97-të në rastin e Thaçit dhe të tjerëve.

    Para tij, dëshmoi Fadil Geci.

  • ARKEP autorizon kompaninë botërore të internetit të ofrojë shërbime në Kosovë

    ARKEP autorizon kompaninë botërore të internetit të ofrojë shërbime në Kosovë

    Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka lëshuar autorizim të përgjithshëm për kompaninë Starlink, e cila ofron shërbime satelitore të qasjes në internet, raporton EO.

    Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, ka theksuar se ky autorizim është hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.

    Ai ka shtuar se Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mbarë botën në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve tjera të emergjencave kombëtare, dhe se autorizimi do të hap mundësi për qasje në internet në çdo lokacion të Kosovës.

    “Këtë javë, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për kompaninë Starlink që ofron shërbime satelitore të qasjes në internet. Ky autorizim paraqet hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasje në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës. Starlink, ndër të tjerash, është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mbarë botën në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve tjera të emergjencave kombëtare”.

    “Zhvillimi i sektorit i komunikimeve elektronike në vendit tonë do të vazhdojë mbi parimin e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës e në të mirë të bizneseve, institucione dhe secilit qytetar pa dallim. Komunikimet elektronike janë e drejtë e secilit qytetar, ato po ashtu janë mundësi e të bërit biznes për kompanitë tona dhe investitorë privatë të dëshmuar që vijnë nga shtetet tona mike”, tha Kurti.

  • Haradinaj takon Kasanofin në SHBA, flasin për pranimin e Kosovës në NATO

    Haradinaj takon Kasanofin në SHBA, flasin për pranimin e Kosovës në NATO

    Kryetari i subjektit opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, në Uashington të Shteteve të Bashkuara.

    Haradinaj tha se angazhimi i udhëheqjes amerikane është i domosdoshëm që të arrihet një marrëveshje strategjike mes dy shteteve, duke shtuar se ky angazhim është i domosdoshëm edhe sa i përket përparimit të Kosovës drejt integrimit euroatlantik, përfshirë në NATO.

    “Në këtë takim, theksova nevojën për një kontratë afatgjate që për synim ka anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO, pasi ky është një hap jetik për garantimin e sigurisë dhe paqes së qëndrueshme në rajon”, shkroi Haradinaj në Facebook.

    Kosova ka vendosur si synime të saj strategjike anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO.

    Në fund të vitit 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, por aplikimi i Prishtinës ka ngecur në sirtarët e bllokut evropian.

    Ndërkaq, sa i përket NATO-s, aleancës ushtarake e cila ka mision paqeruajtës në Kosovë, Prishtina fillimisht kërkon që të bëhet pjesë e Partneritetit për Paqe, e më pas një anëtarësim të plotë në këtë aleancë.

    Haradinaj tha se të gjitha arritjet e Kosovës që nga vitet ’90 dhe procesi i shtetndërtimit janë bërë në partneritet të ngushtë me SHBA-në.

    “Edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO duhet të jetë një fitore e përbashkët”, shkroi Haradinaj në Facebook.

    Ndryshe, Kasanof në fillim të tetorit vizitoi Kosovën dhe Serbinë. Ai tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti, komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.

    “Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë më 11 tetor.

    Kosova është kritikuar nga SHBA-ja, por edhe Bashkimi Evropian, për disa hapa të ndërmarra nga Qeveria që kanë ndikim në komunitetin serb, sikurse heqja nga përdorimi për pagesa me para të gatshme i dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele, që funksionojnë sipas sistemit serb, e tjera.

    SHBA-ja disa herë i ka cilësuar këto veprime si “të pakoordinuara” dhe “të njëanshme”, duke e paralajmëruar Kurtin se veprime të tilla mund të ndikojnë negativisht në cilësinë e partneritetit mes dy vendeve.