ATV

Author: ATVLive

  • Rama e nis ditën me fotoalbumin e vizitës së Von Der Leyen në Tiranë

    Rama e nis ditën me fotoalbumin e vizitës së Von Der Leyen në Tiranë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mëngjesin e sotëm e ka nisur me fotoalbumin e vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen në Tiranë.

    “Mirëmëngjes dhe me FotoALBUMIN e vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, dje në Tiranë në nisje të turit të saj ballkanik nga Shqipëria e ulur në tryezën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

    Von Der Leyen pritet të vizitojë edhe Prishtinën. Sipas njoftimeve, ajo do të jetë në Kosovë të shtunën.

  • Nis fushata e egër kundër Piculës, Beogradi mbushet me postera të raportuesit të PE-së për Serbinë

    Nis fushata e egër kundër Piculës, Beogradi mbushet me postera të raportuesit të PE-së për Serbinë

    Grupi ultra i djathtë serb “Nashi” u mburr në një deklaratë dërguar mediave se kishin vendosur postera në disa qytete të Serbisë kundër Tonin Piculës, raportuesit të ri të Parlamentit Evropian (PE) për Serbinë.

    Ky grup, i cili e quan veten konservator, deklaroi se postera janë ngjitur nëpër disa vende të Beogradit.

    Në poster, fotografia e Tonin Piculës është e shënuar me simbolet e formacioneve ustashjake nga Lufta e Dytë Botërore dhe me shkurtesën Shteti i Pavarur i Kroacisë (NDH), e cila përmendet edhe në mbishkrimin e posterit “reporter për NDH”.

    Emërimi i socialdemokratit Tonin Picula si raportues i PE për Serbinë, i njohur për kritikat e ashpra ndaj Beogradit zyrtar dhe pushtimit rus të Ukrainës, tërhoqi shumë vëmendjen e publikut serb.

    Me tone negative kanë reaguar edhe zyrtarë të lartë shtetërorë, ndërsa përfaqësuesit politikë kroatë, të cilët janë edhe pjesë e Qeverisë së Serbisë, i kanë mirëpritur këto zgjedhje.

    Ndër të parët që ka reaguar ka qenë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se nuk do të ngutet me komente dhe se do të punojë me Piculën, por se “e ka kuptuar shumë mirë mesazhin e Parlamentit Evropian”.

    Vartësit e tij ishin shumë më të drejtpërdrejtë. Kështu, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se zgjedhja e Tonin Picula nga Kroacia për raportues të BE-së për Serbinë është një “shenjë e qartë se nuk ka asgjë në rrugën e Serbisë drejt BE-së”.

    “Të emërosh Picula si raportues të Parlamentit të BE për Serbinë dhe të presësh që ai të jetë objektiv është si të presësh që qeveria kroate të kërkojë falje për krimet e kryera kundër serbëve në -Oluja,” tha Vulin.

    Kryetari i Kuvendit Popullor të Serbisë ka komentuar me sarkazëm emërimin e Picula.

    “Të lumtë. Kuptuam gjithçka”, ka komentuar presidentja Ana Brnabiq në rrjetin social X.

  • Rreth 25 milionë amerikanë hedhin votën në shtetet e pavendosura

    Rreth 25 milionë amerikanë hedhin votën në shtetet e pavendosura

    Ndërsa miliona amerikanë u drejtohen qendrave të votimit, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, kërkon mbështetjen e votuesve të pavendosur në Pensilvani dhe republikani Donald Trump zhvillon tubime në shtetin e Xhorxhias.

    Gati 25 milionë amerikanë kanë votuar personalisht ose me postë, sipas të dhënave nga Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridës. Disa shtete amerikane mundësojnë votimin e hershëm.

    Disa shtete, mes tyre Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, shtete të pavendosura, shënuan pjesëmarrje rekord javën e kaluar në ditën e parë të votimit të hershëm.

    “Votat e hedhura në Xhorxhia janë në nivele rekord”, tha republikani Trump gjatë një tubimi me temë fetare dhe zgjedhore në Zebulon të shtetit të Xhorxhias. “Votat e hedhura në çdo shtet janë në nivele rekord. Ne po ecim shumë mirë dhe shpresojmë se mund ta rregullojmë vendin tonë”.

    Pjesëmarrja e fuqishme në votimet e hershme vjen pasi Nënpresidentja Harris dhe ish Presidenti Trump gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë në shtetet fushëbetejë ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë deri në zgjedhjet e 5 nëntorit.

    Ditët e fundit, kandidati Trump është përpjekur të fitojë mbështetjen e rrymave fetare të krishtera, me shpresën që të lënë mënjanë shqetësimet e tyre lidhur me komentet tij të shpeshta plot ngjyrime.

    Kandidati republikan, për cilin tubimet kanë qenë elementi kryesor i fushatave që nga vitit 2015, tha në Zebulon të Xhorxhias se ndihej i trishtuar që po i vjen fundi kohët së tij si politikan.

    Nëse i fiton zgjedhjet e nëntorit, zoti Trump do të drejtojë vendin për katër vjet, në mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Pas qytetit Zebulon, zoti Trump zhvillon një tubim në Duluth të Xhorxhias i shoqëruar nga gazetari Tucker Carlson dhe ish kandidati i pavarur për president, Rober F. Kennedy Jr.

    Nënpresidentja Harris zhvillon një tubim në Pensilvani në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve të pavendosur dhe ndryshuar ekuilibrin e garës së ngushtë, ku edhe një përqindje e vogël votash mund të jetë vendimtare.

    Demokratja Harris i shfrytëzoi komentet e shefit të kabinetit të ish Presidentit Trump, John Kelly, i cili tha për gazetën New York Times se zoti Trump e plotëson “përkufizimin e përgjithshëm si fashist” dhe se i admironte diktatorët. Zonja Harris, e cila ka argumentuar se republikani Trump përbën kërcënim për demokracinë amerikane, i quajti komentet e zotit Trump të cituara nga zoti Kelly si “thellësisht shqetësuese dhe tepër të rrezikshme”.

    Drejtuesit e fushatës së republikanit Trump i kanë hedhur poshtë komentet e zotit Kelly, duke i cilësuar ato si “histori të dala boje”.

    Zonja Harris nuk arriti ta bindë zotin Trump për një debat të dytë presidencial të drejtuar nga rrjeti CNN, pasi ajo u cilësua si fituese e debatit të parë në shtator të organizuar nga rrjeti ABC News.

    Pensilvania dhe Xhorxhia janë ndër shtetet që do të përcaktojnë se kush do t’i fitojë zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë. Të dy kandidatët ka të ngjarë të zhvillojnë tubime të tjera në këto shtete para zgjedhjeve të 5 nëntorit.

    Nga 7 shtetet kyçe, Pensilvania është më e madhja dhe ka 19 elektorë, numrin më të lartë ndër ato që konsiderohen shtete vendimtare.

    Në dy garat e fundit, kandidati që ka fituar në Pensilvani, ka fituar edhe zgjedhjet presidenciale. Diferenca në të dyja rastet ka qenë e ngushtë, me disa dhjetëra mijëra vota në një shtet me miliona votues. Ndërsa sondazhet tregojnë se gara është tepër e ngushtë, Pensilvania mund të përcaktojë fituesin e Shtëpisë së Bardhë.

  • Ky është bilanci tragjik nga sulmi në Ankara

    Ky është bilanci tragjik nga sulmi në Ankara

    Tre njerëz janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur të mërkurën, si pasojë e një sulmi në ndërtesën e kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.

    Yerlikaya nuk dha më shumë hollësi rreth sulmit në TUSAS, e cila është kompani në pronësi të shtetit turk, në periferi të kryeqytetit Ankara.

    Nuk është e qartë se kush qëndron pas këtij sulmi.

    Televizioni privat NTV raportoi se grup sulmuesish mbërritën në hyrje të ndërtesës së kompanisë me një taksi dhe se sulmuan personelin e sigurisë. Një nga sulmuesit e shpërtheu një bombë, ndërsa të tjerët ia dolën të futen brenda ndërtesës.

    NTV-ja raportoi se të shtënat me armë brenda ndërtesës vazhduan dhe se disa punonjës mund të jenë marrë peng.

  • Publikohen pamjet, momenti kur terroristët futen të armatosur në kompaninë e hapësirës ajrore në Ankara

    Publikohen pamjet, momenti kur terroristët futen të armatosur në kompaninë e hapësirës ajrore në Ankara

    Një sulm ka goditur selinë e kompanisë turke të hapësirës ajrore dhe mbrojtjes Tusas pasditen e sotme (23 tetor 2024), 50 kilometra larg kryeqytetit Ankara.

    Ka të paktën 10 të vdekur dhe të plagosur, dhe sulmi është ende në zhvillim. Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, e quajti këtë një sulm terrorist pa dhënë detaje të mëtejshme.

    Televizioni “HaberTurk” ka raportuar se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës. Mediat raportuan se një shpërthim i ndjekur nga të shtëna është dëgjuar në kompleks.

    Forcat e sigurisë, ambulancat dhe zjarrfikësit janë dërguar në vendngjarje, raportoi televizioni NTV. Punonjësit e kompanisë janë zhvendosur në një zonë të sigurt, sipas HaberTurk.

  • ​Vendimi i Sllovakisë për mbyllje të Zyrës Ndërlidhëse po shihet si mesazh se njohja e Kosovës është larg

    ​Vendimi i Sllovakisë për mbyllje të Zyrës Ndërlidhëse po shihet si mesazh se njohja e Kosovës është larg

    Vendimi i Sllovakisë për të mbyllur Zyrën Ndërlidhëse në Kosovë po konsiderohet mesazh që ky shtet – i cili ruan marrëdhënie të mira me Serbinë – është larg njohjes së Kosovës. Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, vendimi ka të bëjë me politikën anti-kosovare të kryeministrit sllovak, Robert Fico.

    Nga Ministria e Jashtme e Sllovakisë thanë për KosovaPress se vendimi është marrë për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe “zvogëlimit të buxhetit”.

    “Sipas vendimit të qeverisë sllovake, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Sllovakisë në Prishtinë do të mbyllet deri më 31 dhjetor 2024 për shkak të riorganizimit të rrjetit diplomatik dhe zvogëlimit të buxhetit”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga Bratisllava.

    Pavarësisht kësaj, Ministria e Jashtme e Kosovës i tha KosovaPress-it se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me shtetin sllovak.

    Sllovakia është një nga pesë shtetet e bllokut që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Shtetet e tjera janë Spanja, Qipro, Greqia dhe Rumania.

    Sllovakia e konsideron Serbinë partner kyç në Ballkanin Perëndimor.

    Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci nuk përjashton mundësinë që vendimi për mbyllje të zyrës të jetë marrë në bashkëpunim me Moskën e Beogradin.

    “Pushteti i kryeministrit Robert Fico, kryeministrit të Sllovakisë, është i orientuar komplet pro Moskës. Këtë, kohëve të fundit nuk e fsheh pavarësisht që janë vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ky regjim i tij është komplet i dirigjuar nga Moska dhe unë nuk e përjashtoj mundësinë që vendimi të jetë marrë në bashkëpunim me Moskën dhe gjithsesi me Beogradin. Kjo nuk duhet të shqetësojë Kosovën, nuk duhet të shqetësojë Kosovën sepse ka të bëjë me relacione të tjera që kanë të bëjnë me implikimet ndërkombëtare dhe është problem më i madh për Bashkimin Evropian dhe NATO-n që brenda radhëve të veta ka kalin e Trojës siç është Sllovakia, siç është Hungaria dhe të tjera. Nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë edhe një vend tjetër, të bëjë lëvizje të tillë”, deklaron Koci.

    Mbylljen e Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë, Koci e konsideron hap prapa drejt njohjes nga shteti sllovak.

    “Është largim, dërgojnë mesazhin që jo vetëm që nuk do të mbajmë zyrën por njohja është shumë larg, gati e pamundur. Por edhe kjo mendoj që nuk duhet të shqetësojë Kosovën sepse është evidente që Kosova si rast sui-generis do të duhej të gjejë rrugë të tjera për afirmim ndërkombëtar dhe të bashkëpunojë me ata që janë aleatë të vërtetë të Kosovës. Është evidente që brenda Bashkimit Evropian ka shumë zëra që nuk janë në favorin e Kosovës dhe kjo ndoshta nuk është keq edhe për të dalluar kush janë aleatët tanë të vërtetë dhe e dyta mendoj se është sinjal për udhëheqësit e Kosovës dhe për të gjithë klasën politike që të bashkëpunojnë më shumë me ata që janë aleatët tanë të vërtetë”, shton ai.

    Edhe Besar Gërgi nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) konsideron se vendimi i shtetit sllovak ka të bëjë me politikën e përgjithshme anti-kosovare.

    “Kjo [vendimi për mbyllje të zyrës në Kosovë] ndërlidhet me politikën e përgjithshme të qeverisë sllovake, të kryeministrit Robert Fico që ka qenë dukshëm anti-kosovare. Duhet të kujtojmë që ai ka qenë kryeministër edhe në vitin 2008 kur e kemi shpallur pavarësinë dhe ai ka qenë vendimtar në mos-njohjen e pavarësisë. Dhe në ditët e fundit kemi pasur shumë lëvizje në aksin Beograd-Bratislavë. Fillimisht ministri i Jashtëm sllovak, Juraj Blanar vizitoi Beogradin ku kishte takime me ministrin serb dhe sipas të gjitha gjasave edhe kjo çështje u diskutua aty dhe po ashtu dje dhe pardje me vizitë në Bratislavë ka qenë presidenti serb Vuçiq së bashku me kryeministrin hungarez, Viktor Orban ku me sa shihet këto dy takime të shpejta kanë pasur ndikim që Sllovakia të marrë këtë qëndrim pak më radikal, pak më antagonist kundër Kosovës”, shprehet ai.

    Për më tepër, ai thotë se mund të ketë regres me marrëdhëniet sllovake dhe shkëputje të marrëdhënieve zyrtare me Qeverinë e Kosovës.

    “Kjo [vendimi] pa dyshim që ka një mesazh politik që bart në vete dhe që është se shteti sllovak nuk dëshiron të ketë marrëdhënie zyrtare me Qeverinë e Kosovës… Pa dyshim do të ketë ndikime negative, sepse nuk është që kanë qenë marrëdhënie shumë të zhvilluara, kanë qenë në fazat më të hershme. Kemi pasur disa takime në nivele të drejtuesish teknik të ministrive të vendit tonë dhe Sllovakisë. Dhe me këtë vendim politik nga ana e Bratisllavës do të ketë një regres në marrëdhëniet sllovake dhe me gjasë do të na duhet të presim që të vije një qeveri e ardhshme që të jetë më pro-perëndimore se kjo e tanishmja”, përfundon Gërgi.

    Pavarësisht vendimit për mbyllje, Ministria e Jashtme e Kosovës tha më herët të mërkurën se vendi është i përkushtuar që të forcojë raportet me Sllovakinë, qoftë përmes “Zyrës ndërlidhëse por edhe përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian e global”.

    “Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, bazuar edhe në sqarimet e këtij njoftimi, vlerëson se vendimi është pjesë e një riorganizimi të brendshëm të rrjetit diplomatik të Sllovakisë. Ristrukturimet e tilla të rrjeteve diplomatike në përputhje me objektivat strategjik dhe resurset e kufizuara janë evidente edhe në shtete të tjera. Kosova mbetet e përkushtuar për të ruajtur dhe forcuar marrëdhëniet që ka zhvilluar me Sllovakinë qoftë përmes zyrës ndërlidhëse qoftë përmes takimeve në forume të tjera në nivel rajonal, evropian dhe global”, thuhet në këtë përgjigje të MPJD-së.

  • Vazhdon shkyçja e konsumatorëve për mos përditësim të të dhënave në KESCO

    Vazhdon shkyçja e konsumatorëve për mos përditësim të të dhënave në KESCO

    Edhe gjatë tetorit janë duke vazhduar aksionet për shkyçje për konsumatorët që nuk i kanë përditësuar të dhënat e tyre në KESCO, sipas afatit të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi.

    Të gjithë konsumatorët të cilët furnizohen me energji elektrike nga KESCO, e kanë obligim ligjor që të lidhin kontratë të furnizimit me kompaninë. Rregullimi i marrëdhënieve kontraktuale me furnizuesin është process i thjeshtë dhe i lehtë për të gjithë konsumatorët anekënd Kosovës. Mjafton të vizitohet pika më e afërt dhe aty do t’u sqarohet i gjithë procesi.

    Përpos konsumatorëve të amvisërisë, KESCO ka vazhduar edhe takimet me konsumatorët biznesorë për t’i informuar sa më shumë rreth këtij procesi, sepse ata që përfitojnë më së shumti nga kjo padyshim që janë vet konsumatorët. Në rradhë të parë rregullohet komunikimi konsumator – kompani, pastaj kemi një adresë të saktë për dorëzim të faturave, kemi numrin e saktë të telefonit për të ndarë informata rreth planifikimit nga rrjeti i shpërndarjes, askush nuk mund të ju lë borxhe sepse njehsori vendoset në emrin e atij\asaj që e shfrytëzon energjinë elektrike, e shumë të tjera.

    Kushdo që nuk e bën këtë brenda dy javësh që nga data e informimit prej furnizuesit, në këtë rast KESCO-s, shkyçet nga rrjeti elektrik. Këtë e bëjmë në vazhdimësi, posa të kalon ky afat i përcaktuar nga legjislacioni, dhe do të vazhdojmë të bëjmë aksione të tilla edhe ditëve në vazhdim.

    Marrë parasysh rolin e rëndësishëm që kanë të dhënat e sakta dhe të përditësuara në sektorin e energjisë, KESCO po ndërmerr masa proaktive për të rritur efikasitetin operacional, për të siguruar kënaqëshmërinë e konsumatorëve dhe për të mbështetur pajtueshmërinë rregullative.

    Misioni i KESCO-s është të krijojë partneritet me konsumatorët, ku ofrimi i zgjidhjeve të besueshme energjetike për ta dhe mbajtja e të dhënave të sakta janë dy nga parakushtet thelbësore për t’u arritur këto tu fuqizuar sa më tepër ky partneritet.

  • Ambasada amerikane: Krenare me punën e USAID në Kosovë

    Ambasada amerikane: Krenare me punën e USAID në Kosovë

    Ambasada e SHBA-së në Kosovë, me rastin e 25 vjetorit të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), thotë se është krenare për punën që kjo organizate humanitare bënë në Kosovë.

    Në një postim në Facebook, ambasada amerikane ka thënë se ndihma për zhvillim e USAID-it tregon një mënyrës se si SHBA-ja e ndihmoi popullin e Kosovës, të rimëkëmbet nga tmerret e luftës.

    “Krenar që ju bashkohemi festimeve të 25 vjetorit të USAID-it – Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar këtu në Kosovë. Ndihma për zhvillim është një pjesë e madhe e mënyrës se si SHBA-ja e ndihmoi popullin e Kosovës të rimëkëmbet nga tmerret e luftës dhe ndihmoi që Kosova të bëhet ajo që është sot”, deklaron Ambasada e SHBA-ve në Kosovë.

    Drejtoresha e degës së Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë, Mary Eileen Devitt, ka thënë të martën se prej vitit 1999, kjo agjenci amerikane ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës.

  • Bill Gates dhuron 50 milionë dollarë për Kamala Harris

    Bill Gates dhuron 50 milionë dollarë për Kamala Harris

    Themeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, ka dhuruar rreth 50 milionë dollarë për një organizatë joqeveritare që mbështet kandidaten demokrate për president Kamala Harris, shkruan New York Times.

    Në një prononcim për gazetën amerikane, Gates as nuk i konfirmoi dhe as nuk i mohoi akuzat për dhurimin, por tha se “këto zgjedhje janë ndryshe”. Gates është i shqetësuar për politikat ekonomike të kandidatit republikan për president Donald Trump dhe shkurtimet e mundshme të planifikimit familjar dhe programeve globale të shëndetit, të cilat janë çështje kyçe për Fondacionin Bill & Melinda Gates.

    Ish-gruaja e Bill Gates, Melinda, gjithashtu mbështeti Harris dhe bëri një donacion të madh për fushatën e saj. Pretendimet për dhurimin e Gates vijnë pasi parashikimet po ndryshojnë në lidhje me shanset e Kamala Harris për të mundur Trumpin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

    Platforma Polymarket (Polymarket), e cila merret me parashikimin e rezultateve të zgjedhjeve bazuar në tregun e basteve, parashikoi se Trump ka një shans 64 për qind për të fituar zgjedhjet, të cilat do të mbahen më 5 nëntor. Miliarderi Stanley Druckenmiller tha javën e kaluar në një intervistë me Bloomberg se ekspertët e tregut po llogarisin në fitoren e Trump.

  • Von der Leyen mbërrin në Tiranë, pritet nga Rama

    Von der Leyen mbërrin në Tiranë, pritet nga Rama

    Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka mbërritur në Tiranë, për të zhvilluar vizitën e saj të parë në Shqipëri, në kuadër të turit në Ballkanin Perëndimor.

    Në pamjet e siguruara nga Report Tv, shihet momenti kur Von Der Leyen takohet me kryeministrin Rama dhe më pas përshëndet edhe ministrat socialist dhe presidentin Bajram Begaj.

    Vizita e Presidentes së KE-së vjen pak ditë pas çeljes së negociatave për grup-kapitullin e parë mes Shqipërisë dhe Unionit.