ATV

Author: ATVLive

  • Shkolla pa fotokopje, mësimdhënësit printojnë testet për nxënës me shpenzime personale

    Shkolla pa fotokopje, mësimdhënësit printojnë testet për nxënës me shpenzime personale

    Mësimdhënësit në shkollën fillore të mesme të ulët “Fadil Hisari”, në Prizren detyrohen t’i printojnë materialet për nxënësit me shpenzime personale në mungesë të pajisjes.

    Njëri nga mësimdhënësit që deshi të mbes anonim, i ka thënë KosovaPress-it, që ata po detyrohen të printojnë literaturën dhe materiale tjera të nevojshme në shkollore nëpër fotokopje private në qytet.

    Drejtoresha e Arsimit në Prizren, Luljeta Veselaj-Gutaj tha se kjo shkollë ka buxhet të mjaftueshëm për të siguruar pajisje për printimin e materialeve shkollore.

    Derisa tregoi se nuk ka ndonjë informacion zyrtar rreth kësaj situate, Veselaj-Gutaj tha për KosovaPress, se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të renovimeve në këtë shkollë dhe se mund të ketë pasur ndonjë prishje.

    “Zyrtarisht nuk jam e informuar por shkollat e para, Komuna e Prizrenit, respektivisht Drejtoria e Arsimit e ka buxhetin e ndarë për shkollat dhe secila shkollë në bazë të kapacitetit të numrit të nxënësve e ka edhe pjesën e buxhetit. Që konsideroj se shkollat që janë më të mëdha siç është ‘Fadil Hisari’, kanë buxhet për të siguruar një fotokopje. E dyta shkolla ka qenë në renovim, ka mundësi që ka pasur ndonjë prishje ose pengesë dhe ajo mund të evitohet…Ne jemi në fazën finale të furnizimit me mjete siç janë kompjuterë, fotokopje dhe gjëra të tjera të shkollave ku ka mungesë dhe se javën e ardhshme besoj se do të fillojmë me shpërndarjen e tyre. Nëse është kështu siç po thoni ju, do ta pajisim edhe me një fotokopje”, tha Veselaj-Gutaj.

    Shkolla fillore e mesme e ulët “Fadil Hisari”, në Prizren është ndër shkollat me numrin më të madh të nxënësve në këtë komunë. Më 31 maj të këtij viti janë përuruar renovimet në këtë shkollë, me rastin e 44-vjetorit të themelimit të saj.

  • 10 veprime të thjeshta që jua zgjasin jetën

    10 veprime të thjeshta që jua zgjasin jetën

    Shkencëtarët në Universitetin Stanford kanë kryer një studim që zbuloi disa nga sekretet që mund të na ndihmojnë të jetojmë deri në 95 vjeç.

    Disa rezultate të studimeve të tjera na japin një vështrim më të afërt në gjërat e përditshme nga një këndvështrim tjetër, si p.sh. këpucët tuaja. Rezulton se këto gjëra mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në jetëgjatësinë tuaj.

    Këto 10 gjëra të habitshme me të vërtetë mund ta zgjasin jetën tonë. Të gjitha këto rregulla janë të thjeshta, por efektive.

    Vizitohuni gjithmonë nga i njëjti mjek

    Shkencëtarët në Universitetin e Exeter kanë provuar se nëse vizitoni të njëjtin mjek për vite me rradhë, ju në fakt po e zgjasni jetën tuaj.

    Ky rregull zbatohet jo vetëm për mjekët e përgjithshëm, por edhe për një kirurg, një psikiatër dhe mjekë të tjerë.

    Mjekët mund të kujtojnë karakteristikat e pacientëve të tyre dhe të vërejnë nëse diçka ndryshon. Nëse e ndërroni dhe shkoni tek një mjek i ri, ata duhet t’i zbulojnë problemet tuaja shëndetësore që nga fillimi.

    Planifikojeni buxhetin tuaj dhe kurseni para për të ardhmen

    Ekspertët financiarë dëshirojnë të heqin paralele midis shëndetit financiar dhe fizik. Grupi i studiuesve amerikanë ka zbuluar se njerëzit më të vjetër se 50 vjeç, të cilët kanë përjetuar një goditje negative të pasurisë, kishin një rrezik të dukshëm në rritje të vdekshmërisë.

    Së pari, vetë stresi nuk kontribuon në shëndetin e mirë. Së dyti, kur njerëzit humbasin para, ata humbasin një mundësi për t’u kujdesur për shëndetin e tyre dhe për t’u vizituar nga mjekët e mirë.

    Ndaj, ekspertët rekomandojnë që të filloni të përgatiteni për pensionin tuaj 10 vite para se të largoheni nga puna juaj. Ju gjithashtu duhet të jeni të përgatitur emocionalisht për të përballuar humbjet financiare.

    Hani më shumë yndyrna

    Sipas hulumtimit të paraqitur në American Heart Association’s Epidemiology and Prevention, njerëzit që konsumojnë yndyrna të monounsaturuara si ulliri, avokado, farat dhe vajra të tjera pakësojnë rrezikun e vdekjes të shkaktuar nga problemet kardiovaskulare me 16%.

    Nëse gjithashtu shtoni disa yndyrna shtazore, të tilla si produkte të qumështit, vezë, pulë, mish të kuq dhe peshk në dietën tuaj, ju do të zvogëloni rrezikun e vdekjes me rreth 25%.

    Kujdesuni për funksionin dhe shëndetin e zorrëve

    Sipas studimeve të kryera nga shkencëtarët në Universitetin McGill, sekreti i jetëgjatësisë është e gjitha tek zorrët. Bakteret e dobishme që jetojnë në to zgjasin jetën tonë.

    Probiotikët kanë një ndikim të mirë në përthithjen e produkteve që hamë dhe na ndihmojnë të thithim substanca më të dobishme.

    Është e rëndësishme pasi shkencëtarët kanë provuar tashmë se zorrët janë të lidhura me trurin tonë dhe është “rrëmuja” në kokë që shkakton sëmundje të traktit gastrointestinal.

    Vishni këpucë dhe rroba të rehatshme

    Gjërat që na sjellin gëzim dhe rehati në mënyrë indirekte zgjasin jetën tonë.David Rosenbaum, një doktorant në filozofi 65 vjeçar, pohon se një nga arsyet pse ai arriti të mbijetojë këtë kohë është për shkak se ai mban këpucë të rehatshme.

    Këpucët na ndihmojnë të kontrollojmë aktivitetin tonë: duke veshur këpucë të rehatshme, ecim rreth 10.000 hapa në ditë, gjë që është shumë e rëndësishme për shëndetin tonë.

    Mos u shtrini në divan

    Ju mund ta zgjatni jetën nëse ulni sasinë e kohës që kaloni duke qëndruar ulur në zyrë ose duke u shtrirë në divan përpara televizorit. Nuk rekomandohet të qëndroni ulur më shumë se 2 orë ose të kaloni më shumë se 2 orë para televizorit në ditë.

    Nëse i ndiqni këto rregulla, do ta zgjasni jetën tuaj me afro 3 vite.

    Flini më gjatë në fundjavë

    Tani mund të ndalosh së fajësuari veten se fle në fundjavë!

    Bazuar në studimet e Torbjörn Akerstedt, një shkencëtar nga Suedia, të fjeturit në fundjavë mund të na shpëtojë nga problemet shëndetësore dhe madje të zvogëlojmë rrezikun e vdekjes së parakohshme.

    Pastrojeni rregullisht shtëpinë tuaj

    30 minuta aktivitet fizik në ditë dhe 5 herë në javë reduktojnë rrezikun e vdekjes së parakohshme të shkaktuar nga sëmundjet kardiovaskulare.

    Kjo teori u provua nga Scott Lear dhe nga kolegët e tij të McMaster University. Përveç kësaj, ju as nuk keni nevojë të shkoni në palestër.

    Duhet të kaloni pak kohë duke bërë në punët e shtëpisë si larja e dyshemesë ose marrja e pluhurave. Këto aktivitete na ndihmojnë.

    Nëse keni kohë për të ecur kur shkoni apo dilni nga puna juaj, ju kontribuoni edhe më shumë në shëndetin tuaj.

    Punoni shumë

    Shkencëtarët e Harvardit janë të sigurt se njerëzit që vendosin qëllime dhe bëjnë gjithçka për të arritur qëllimet e tyre kanë jetën më të ndritshme.

    Kështu, ata që humbin rininë dhe nuk përpiqen të ndërtojnë karrierën e tyre ka të ngjarë të ndërrojnë jetë më herët se kolegët e tyre të suksesshëm.

    Jeta gjithmonë ndryshon dhe ato gjëra për të cilat kemi ëndërruar në moshën 20 vjeçare nuk janë aq interesante në moshën 30 vjeçare dhe duken qesharake në 40 vjeçare.

    Ndaj, është me të vërtetë e rëndësishme të mos jeni dembelë: vendosni qëllimet edhe nëse ato janë të rëndësishme vetëm për ju! Arrijini ato qëllime dhe vendosini vetes sërish të reja.

    Bisedoni më shumë me njerëzit që ju kuptojnë

    Njerëzit të cilët kanë miq dhe të afërm mbështetës dhe të besueshëm jetojnë më gjatë.

    Nuk ka rëndësi nëse keni shumë miq ose vetëm një mik të mirë që ju kupton. Nuk ka të bëjë me sasinë, por me cilësinë.

    Ju mund të ndërtoni një karrierë të jashtëzakonshme dhe të fitoni shuma të mëdha parash, por nëse nuk keni dikë që ju mbështet, jeta juaj nuk mund të jetë 100% e lumtur. Ndërkohë, njerëzit e lumtur jetojnë më gjatë sesa ata të palumturit.

  • Çmimet e papërballueshme për qytetarët – Kaçaniku: Qeveria po merret me popullizëm e mashtrime

    Çmimet e papërballueshme për qytetarët – Kaçaniku: Qeveria po merret me popullizëm e mashtrime

    Rritja e çmimeve të produkteve bazike ka vazhduar ka qenë e dukshme, sidomos gjatë muajve të fundit, raporton Ekonomia Online. Çmimet e produkteve si buka, qumështi, vezët dhe mishrat kanë pësuar rritje prej 20-50% në disa raste.

    Kurse energjia elektrike dhe karburantet kanë pësuar rritje të konsiderueshme në disa raste duke tejkaluar 30%.

    Për krejt këtë situatë kryetari i organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, i tha Ekonomia Online, se Qeveria nuk e njeh qytetarin konsumator dhe nuk bënë politika të favorshme për të.

    Kaçaniku shtoi se mbi 90 për qind vendi ynë importon produkte dhe se asnjë premtim nuk është zbatuar që importi të zëvendësohet me prodhime vendëse.

    “Kur të nis nuk ka të ndalur, arsyet janë të shumta, por që ne kryesisht bazohemi në ndikimin e tregut global, janë ndikimin e krizave dihet botërisht që Republika e Kosovës është importuese e madhe shumë pak prodhojmë mbi 90 për qind importojmë, së bashku me importet i importojmë edhe çmimet e ngritura dhe inflacionit. Brenda vetës ne nuk kemi ende potencial as kapacitet që të mbrohemi nga inflacioni i importuar, ne vetëm duhet të presim kur të ndalet por tek ne nuk do të ndalet kurrë. Qeveria nuk mund të ndërmarrë asgjë nëse nuk ka platformë, shtylla e parë që i mungon Qeverisë është njohja qytetarja e konsumator dhe bërja e politikave të favorshme për qytetarët konsumatorë”.

    “Nevoja para konsumit është elementi kryesore e socio-ekonomike dhe pa nevojë nuk ka prodhim, arsyeja tjetër është sepse ne nuk kemi strategji të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, prandaj nuk kemi ku të bazohemi. Asnjë propozim dhe as një premtim nga 99-ta e këndej nuk është marrë parasysh dhe nuk janë zbatuar. E kam fjalën për prodhimet e importuara do të zëvendësohen me prodhimet vendore. Jo që Kosova nuk ka dituri, por sikur dikush qëllimisht e pengonte, do ta thirrja Qeverinë që së bashkë me tregtinë të bëjnë një marrëveshje që të paktën mos ta injoroj prodhimin vendor. Dikush qëllimisht e injoron prodhimin vendor sepse nuk ka përfitime të mëdha aty, por më shumë ka përfitime te prodhimet e importit. Pastaj aty bëhen disa marrëveshje që Qeveria nuk i njeh, ndërsa ne si qytetarë ne i njohim sepse po ballafaqohemi me to çdo ditë të cilat Qeveria nuk i sheh”.

    Për Qeverinë, Kaçaniku ka potencuar se më shumë po merret me popullizëm dhe gjithë kjo, sipas tij, është bërë për vota.

    Siç theksoi ai, niveli qendror ka mashtruar qytetarët “kinse me rritje të pensioneve”, por në fakt qytetari ka kontribuar si taksa pagues i buxhetit të shtetit.

    “Këtë vendim Qeveria nuk ka mandat të caktoj reciprocitete, e të merret me popullizëm, me politizime por ka mandatin të bëjë politika të mira. Dhe politika e mirë ka të bëjë me njohjen e qytetarit konsumator dhe këtë nuk e ka bërë, kemi pasur ligje të mira të cilat kjo Qeveri por edhe të tjerat kanë qenë dashur t’i zbatojnë, janë marrë me popullizma, dhe kjo po bëhet për vota”.

    “Asnjë legjislaturë qeveritare nuk ka bërë asgjë për qytetarin konsumator, asnjëra, sepse nuk e njohin qytetarin konsumatorë, njëherë është taksa pagues si i tillë është zgjerues kryesor i buxhetit të shtetit, pra po financojmë shtetin Qeverinë dhe ia japim në mirëbesim që ta menaxhojnë. Ky buxhet Qeveria nuk e njeh qytetarin konsumator në asnjë trajtë tjetër, na mashtroi edhe me ngritje të pensioneve, kinse dikush po jep nga buxheti i tij”, potencoi Kaçaniku.

    “Të gjitha taksat i kanë marrë ose prodhuesit ose tregjet tjera, por qytetari konsumator nuk e ka shijuar, ne shumë shtrenjtë po na kushton kjo klasë politike. Ne nga të gjitha anët jemi të rrethuar nga ata që vetëm duan të kapin të zhvatin dhe ne jemi në shtetin tonë kemi mbetur si fëmijë vonjak”.

    Edhe qytetarët mendojnë që krahas pagave në Kosovë, çmimet e produkteve janë të papërballueshme për ta. Xhafer Berisha tha se krahas premtimeve të dhëna nga Qeveria, nuk është bërë asgjë për realizimin e kërkesave të qytetarëve.

    “Çmimet kanë shkuar astronomike, sipas premtimeve që ka dhënë kjo Qeveri nuk i ka mbajtur premtimet, çmimet kanë shkuar shumë lartë, kurse pagat janë dobëta. Këtu çmimet janë katastrofale dhe të papërballueshme, por po duhet disi me ia dalë sidomos shtresa të cilat kanë problemet financiare, shpresojmë që kjo Qeveria në ardhje do të merret me hallet e qytetarëve të cilët janë të papërballueshme dhe nuk janë as reale as njerëzore krahas premtimeve të dhëna, e shumë dikaster të tjera kanë ngecur të cilat çmimet kanë shkuar kurse pagat nuk janë askund”.

    “Kërkesa e Kurtit është që t’i përmbush premtimet e dhëna. Nuk janë askund ato premtime krahas me çmimet ekzistuese. Qytetari po i vuan këto çmime dhe këto standarde që i kemi katastrofale”, ka thënë Berisha.

    Muharrem Hoxha ka deklaruar se çmimet janë të papërballueshëm e sidomos për pensionistët që nuk kanë të ardhur tjetër përpos 120 eurove, raporton EO.

    “Çmimet nuk ka nevojë me pyet sepse po e dimë se sa po përballohet, sidomos ata që kanë mbetur me pension të pleqërisë 120 euro, çka me bë me ta nuk i dalin as më barna e jo për gjëra të tjera. Të gjitha po i bëjnë për me marrë vota, duhet të rrisin pagat, pastaj edhe blerja dhe prodhimi bëhet më e madhe, për ata edhe po ikin njerëzit, unë i kam katër fëmijët në perëndim. Djalin e kam me magjistër dhe arsimtar por ka ikë jashtë vendin”.

    Edhe Fatmir Berisha tha se të ardhurat janë të pakënaqshme, krahasuar me shtrenjtimin e vazhdueshëm çmimeve, raporton EO.

    “Rritje të çmimeve sa të duash por të përballueshme aspak. Tregu i lirë i dikton këto, janë të pa përballueshme sepse jeta shumë e shtrenjtë të ardhurat jo të kënaqshme. Kishte me qenë mirë që të ardhurat të rriten dhe çmimet të zvogëlohen. Si pensionist jam deri diku i kënaqur me këtë Qeveri”.

  • Brestovci: Kryeqytetit do t’i shtohen edhe tri kompani të pastrimit, ndryshon edhe orari i mbledhjes së mbeturinave

    Brestovci: Kryeqytetit do t’i shtohen edhe tri kompani të pastrimit, ndryshon edhe orari i mbledhjes së mbeturinave

    Problemi me mbeturina në Kryeqytet siç duket po i vjen fundi, pasi 2 mijë kontejnerë dhe tri kompani tjera private do të angazhohen për pastrimin e Kryeqytetit. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci.

    Brestovci ka thënë se krahas kompanisë “Pastrimi”, do të hapin angazhojnë edhe tri kompani tjera për grumbullimin e mbeturinave, ndërsa do të ndryshojë edhe orari i mbledhjes së mbeturinave. Ai ka thënë se prioritet i tij mbetet mbulimi komplet qytetit me kontejnerë të rinj.

    “Jemi duke shkuar, jemi duke e ekzekutuar një vizion edhe një strategji të cilën e kemi të kryetarit Rama. Ne siç e din opinioni publik, qysh në fillim të marrjes së mandatit tim si drejtor i Shërbimeve Publike, e kemi pajisur Kryeqytetin me 1370 kontejnerë, tani veç e kemi nënshkruar kontratën e dytë për ta pajisur edhe pjesën tjetër të Kryeqytetit me 2000 kontejnerë dhe presim që kjo kontratë maksimalisht deri më 10 dhjetor të jetë e përmbyllur. Kështu që do ta kemi komplet qytetin të pajisur me kontejnerë të rinj”.

    “Në anën tjetër, e dimë që në fillim të marrjes sime të mandatit e kemi angazhuar një operator ekonomik privat për të bërë bartjen e mbeturinave, sepse Ndërmarrja ‘Pastrimi’ me mekanizmin që e ka, nuk është as për afërsi në mundësi për të ofruar një shërbim cilësor, kështu që edhe kjo e ka dhënë një rezultat tepër të madh”, u shpreh Brestovci.

    Brestovci ka thënë se nga viti i ardhshëm do të shpallet tenderi për kompanitë private. Ka thënë se synojnë që të angazhojnë kompani private për grumbullimin e mbeturinave.

    Ai ka thënë se do të ndryshojë edhe orari i mbledhjes së mbeturinave, në mënyrë që këto intervenime të bëhen para orës 7 e mëngjesit.

    “Ajo çfarë ne po bëjmë, është që ne po përgatitemi për shpalljen e tenderit për vitin e ardhshëm 2025, ku Prishtinën do e ndajmë në mes të tri dhe pesë zonave plus një zonë rurale, që nënkupton përveç ndërmarrjes ‘Pastrimi’ do të jenë së paku edhe tre operatorë ekonomik privat të kyçur në grumbullimin e mbeturinave sepse po duam që të fusim pak më shumë konkurrencë dhe të ofrojmë shërbim më cilësor, por njëkohësisht po duam që ta shkurtojmë edhe kohën e intervenimit për grumbullimin e mbeturinave sepse kamionët për grumbullim të mbeturinave shpesh herë shkaktojnë edhe tollovi në komunikacion, kështu që synimi jonë është që krejt këto intervenime të bëhen dhe të përfundojë para orës 7 e mëngjesit në mënyrë që në qarkullim t’i kemi vetëm kamionët në ato destinacione apo lokacione ku grumbullimi i mbeturinave bëhet më shumë se një herë në ditë”, ka thënë Brestovci.

    Drejtori i Shërbimeve Publike ka thënë se do të pastrohen edhe deponitë ilegale, të cilat nuk janë pastruar qëllimisht pasi kanë dashur që qytetarët fillimisht t’i hedhin mbetjet vëllimore edhe ato ndërtimore, më pastaj të pastrohen.

    “Hapi tjetër që e kemi bërë në këtë drejtim, tani kemi pastruar edhe të gjitha deponitë ilegale, është një prej aksioneve më të mëdha të cilat kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës për pastrimin e deponive ilegale”.

    “Nuk e kemi bërë deri më tani qëllimisht dhe ka qenë pjesë e strategjisë sonë sepse ne kemi dashur që paraprakisht të krijojmë kushtet për qytetarët që ata të kenë ku t’i hedhin edhe mbetjet vëllimore edhe ato ndërtimore, e pastaj të bëjmë sanimin e deponive ilegale të krijuara pikërisht nga këto dy komponentë mbetjesh, kështu që ne veç në shtator kemi filluar tani me grumbullin e organizuar të mbetjeve ndërtimore dhe atyre vëllimore, kështu që i kemi përcaktuar 101 lokacione në Kryeqytet ku njëherë në javë vendosen kontejnerët për mbetjet vëllimore dhe ditën e njëjtë të javës pasuese vendoset për mbetjet ndërtimore”, ka deklaruar Brestovci.

  • Gjuhet me gurë treni Prishtinë-Pejë, Trainkos: Jemi në rrezik

    Gjuhet me gurë treni Prishtinë-Pejë, Trainkos: Jemi në rrezik

    Ndërmarrja publike Trainkos Sh.A. deklaron se po ballafaqohet vazhdimisht me aktivitete të rrezikshme që kanë për qëllim të dëmtojnë imazhin, sigurinë e udhëtarëve dhe integritetin e shërbimeve tona.

    Një incident i fundit ndodhi më 26.10.2024 në segmentin hekurudhor Prishtinë-Pejë, ku një grup të rinjsh gjuajtën me gurë trenin 761.

    “Ky akt i dhunshëm është një dëshmi e qartë se ne, si ndërmarrje dhe si qytetarë që përdorim këtë transport, jemi në rrezik.

    Pamja e këtyre vagonëve lë përshtypjen se gjenden në vatra të luftës, ndërkohë që këta vagonë kanë ardhur në vitin 2017 të rifabrikuar me një kosto prej 1.2 milion eurosh, mjete këto të taksave të punonjësve të ndërgjegjshëm që e duan shtetin. Dëmtohen nga persona të pa ndërgjegjshëm, duke shkatërruar pasurinë publike dhe shtetërore” thuhet në njoftim të Trainkosit.

    “Defektet në lokomotivat tona, si ajo e datês 25.10.2024 te treni 761 dhe datës 14.10.2024 në linjën Prishtinë-Pejë, në kilometrin 37+500, si dhe vendosja e barrikadave me gurë në hekurudhë, i konsiderojmë akte sabotimi me elemente terroriste. Këto veprime synojnë të shkaktojnë frikë, dëme dhe pengesa të rënda për përdoruesit e transportit hekurudhor.

    Ne jemi të vendosur të ruajmë integritetin tonë dhe do të vazhdojmë me reforma në brendësi të ndërmarrjes. Nuk do të biem pre e këtyre shantazheve. Është e rëndësishme të theksojmë se këto veprime nuk cenojnë vetëm Trainkos-in, por rrezikojnë gjithashtu sigurinë kombëtare dhe interesin publik” thuhet tutje në njoftim.

  • Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me bashkëpunëtorë marrin pjesë në konferencën e IACP Boston

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me bashkëpunëtorë marrin pjesë në konferencën e IACP Boston

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës me bashkëpunëtorë marrin pjesë në konferencën vjetore të Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë 2024 në Boston, Massachusetts.

    Më 18-23 tetor 2024, Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Kolonel Gazmend Hoxha me bashkëpunëtorët e tij Nënkolonel Veton Elshani, Kapiten Bajram Shabani si dhe eprorë të tjerë nga Policia e Kosovës morën pjesë në Konferencën vjetore Ndërkombëtare të Shefave të Policisë (IACP) në Boston, Massachusetts.

    Policia e Kosovës mori pjesë në mbi 30 seminare dhe seanca plenare të kombinuara që përfshinin teknologjinë e Inteligjencës Artificiale, besimin e komunitetit, ndërtimin e besimit përmes marrëdhënieve me mediat, reduktimin e aksidenteve në trafik si dhe seminarin ukrainas mbi policimin gjatë luftës.

    Kjo ngjarje e rrjetëzimit dhe bashkëpunimit strategjik ka përfshirë shkëmbim përvojash me delegatë nga mbi 100 vende duke përfshirë ata nga Ballkani; Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut si dhe me zyrtar te Shteteve te Bashkuara te Amerikës.

    Në ditën e fundit, nga Drejtori i Përgjithshëm Gazmend Hoxha dhe Drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut Alexander Janev, në një sallë të mbushur plot me delegatë nga e gjithë bota, u bë prezantimi me temën Bashkëpunimi Ndërkombëtar Kufitar: ‘Krimi i organizuar dhe terrorizmi në tranzicion’ që përfshinte raste që nxirrnin në pah bashkëpunimin e vendeve si rasti i monedhave të falsifikuara të Maqedonisë së Veriut si dhe kur vendet nuk e bëjnë këtë bashkëpunim rasti i sulmit në Banjskë, me 24 shtator 2023. Prezantimi i rastit të Banjskës u vlerësua shumë lart, si njëri nder rastet më të suksesshme të menaxhuara nga Policia e Kosovës.

    Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë (IACP), është shoqata profesionale më e madhe dhe më me ndikim për udhëheqësit dhe liderët e policisë në mbarë botën.

  • Gjashtë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Gjashtë vjet nga nënshkrimi i MSA-së me Bashkimin Evropian

    Kosova ka nënshkruar më 27 tetor 2015 në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje u cilësua e një rëndësie historike për integrimin politik, ligjor dhe ekonomik të Kosovës në Bashkimin Evropian.

    Marrëveshja për Stabilizim Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.

    Nënshkrimi i MSA-së u bë nga ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Edhe pse MSA vlerësohet si një veprim i rëndësishëm i ecjes drejt BE-së, Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.

  • Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën pas sulmeve të Izraelit në Iran

    Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën pas sulmeve të Izraelit në Iran

    Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të hënën pas sulmeve hakmarrëse të Izraelit ndaj Iranit, sipas misionit të Izraelit në OKB.

    Irani ka kërkuar këtë mbledhje, duke pretenduar se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar me sulmet e drejtpërdrejta ndaj tij herët të shtunën.

    Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit, misioni i përhershëm i Iranit në OKB theksoi se veprimet e Izraelit “përbëjnë një shkelje të rëndë të sovranitetit dhe integritetit territorial” të Iranit dhe janë “një shkelje e flagrant e ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”.

    Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, e cilësoi kërkesën e Iranit si “një përpjekje tjetër për të na dëmtuar, këtë herë në arenën politike”, duke u zotuar se do të “mbronte të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur.”

    Pretendimin se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar Danon e quajti“të çuditshëm”, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.

    “Irani nuk do të lejohet të vazhdojë të fshihet pas aleatëve të tij; sa kohë që Irani vazhdon të kërcënojë dhe të përpiqet të na dëmtojë, ai do të paguajë çmimin”, tha ai.

  • Moti për ditën e sotme

    Moti për ditën e sotme

    Sot në Kosovë na pret mot me diell dhe mjaft i ngrohtë për këtë periudhë kohore. Pas një mëngjesi mjaft të freskët, vende-vende me mjegull dita vijon stabile dhe e këndshme me temperatura maksimale nga 18 deri në 22 C°.

    Në Shqipëri dhe rajon sot na pret mot ne diell dhe i ngrohtë pothuajse veror në mesditë ku temperaturat mund të shkojnë deri në 26 C° në viset më të ngrohta të Shqipërisë. Në viset tjera nga 20 deri në 25°C.

    Edhe fillimi i javës së re i ngrohtë dhe stabil. Nga e marta ulje të lehta të temperaturave dhe destabilizim i lehtë i atmosferës./MeteoBallkan

  • Sot akrepat e orës u kthyen një orë mbrapa

    Sot akrepat e orës u kthyen një orë mbrapa

    Sot akrepat e orës u kthyen një orë mbrapa.

    Kur ora shkoi në 3 të mëngjesit, akrepat u kthehen 1 orë pas, duke shënuar kështu orën 02:00.

    Ora diellore do të qëndrojë në fuqi deri më 31 mars 2025, kur si gjithmonë në orën 03:00 të mëngjesit do të hyjë në fuqi ora verore.