ATV

Author: ATVLive

  • Bislimi i kërkon BE-së të reagojë me vendosmëri pasi Serbia e shpalli Kosovën “zonë të veçantë sociale të mbrojtur”

    Bislimi i kërkon BE-së të reagojë me vendosmëri pasi Serbia e shpalli Kosovën “zonë të veçantë sociale të mbrojtur”

    Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe shefi i Ekipit Negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të reagojë në mënyrë të vendosur ndaj veprimeve të Serbisë, pasi dje Qeveria serbe ka miratuar një projektligj për shpalljen e Kosovës “zonë të veçantë sociale të mbrojtur”, raporton Express.

    “Cili është perceptimi i BE-së për fytyrën e vërtetë të Serbisë? Ai që në mënyrë të pabesueshme përpiqet të shfaqet si “konstruktiv” duke deklaruar përkushtimin e tij ndaj procesit apo ai që miraton projektligje të tilla dhe shkel vazhdimisht marrëveshjet dhe cenon integritetin dhe sovranitetin tonë territorial? BE-ja si ndërmjetës duhet të përgjigjet dhe të reagojë në mënyrë të vendosur”, ka shkruar Bislimi në “X”.

    Numri dy i Qeverisë ka thënë se Serbisë në mënyrë të vazhdueshme e pengon procesin e dialogut, duke shkelur parimet dhe frymën e marrëveshjeve dhe sipas Bislimit, veprimet e njëpasnjëshme te Serbisë nxjerrin në pah konstruktivitetin e rrejshëm.

    “Përmes lëvizjeve të vetë Serbisë në terren, duke përfshirë nxitjen e përshkallëzimeve në 3 vitet e fundit, sulmin në Banjska, sulmet kundër institucioneve tona, inkursionin në territorin tonë dhe rrëmbimin e policëve, barrikadat në veri, MIG-të që fluturojnë pranë kufirit tonë duke vendosur ushtria në gatishmëri të plotë dhe të lartë luftarake dhe tani, me projektligjin e persekutimit të paraqitur dje, konstruktiviteti i tyre i rremë vazhdon të ekspozohet”, ka shtuar tutje Bislimi.

  • IKD paralajmëron padi ndaj Ministrisë së Financave, shkas Kontrata kolektive

    IKD paralajmëron padi ndaj Ministrisë së Financave, shkas Kontrata kolektive

    Tërheqja nga Kontrata Kolektive në mënyrë të njëanshme dhe pa paralajmërim nga Qeveria aktuale e Kosovës, me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Federatës së Shëndetësisë, përbëjnë cenim të të drejtave sociale të garantuara me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.

    Kështu u tha gjatë prezantimit të publikimit të raportit “Mungesa e kontratave kolektive- Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve” nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) së bashku me BSPK-në dhe SBASHK-u.

    Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj ka thënë se kjo gjendje pengon ndjeshëm sigurinë dhe drejtësinë sociale në vend dhe dialogun social. Ai ka paralajmëruar edhe padi ndaj Ministrisë së Financave.

    Duke kritikuar Qeverinë Kurti, ai është shprehur se cak i sulmeve të vazhdueshme të kryeministrit Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati janë sindikatat dhe përfaqësuesit e tyre.

    “Sindikatat dhe përfaqësuesit e tyre ishin cak i sulmeve të vazhdueshme të kryeministrit Kurti, ministrit Murati dhe eksponentëve të tjerë të partisë në pushtet…3:41Tërheqja nga Kontrata Kolektive në mënyrë të njëanshme dhe pa paralajmërim nga MASHT-i, me kontratën që kishin me SBAShK-un dhe në anën tjetër tërheqja nga Kontrata Kolektive në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Federatës së Shëndetësisë, përbëjnë cenim të të drejtave sociale të garantuara me legjislacionin në fuqi në Kosovë dhe sipas standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Punës.. 8:19 Ne do të shtrojmë padi kundër Ministrisë së Financave”, ka thënë Jakaj.

    Ndërsa, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli theksoi se si BSPK, kanë dërguar rreth 50 komunikata Qeverisë Kurti, për dialog social dhe konstituim të Këshillit Ekonomiko Social, por siç tha ai ‘pa sukses’.

    “Shumicën e mjeteve që i kemi përdorur në forma sindikale është edhe forma e komunikatave që brenda një kohe shumë të shkurtër kemi bë diku 50 komunikata, njëfarë forme me i bë presion Qeverisë që të kemi dialog social dhe të kemi konstituim të Këshillit Ekonomiko- Social. Është një dështim shumë i madh i institucioneve tona, dhe do të kërkohet përgjegjësi e madhe”, ka shtuar Hykolli.

    Po ashtu, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj konsideron se Qeveria Kurti me qëllim ka një qasje armiqësore ndaj sindikatave.

    “Konsideroj Qeveria Kurti me qëllim ka një qasje tepër të gabuar ndaj dialogut social dhe ka një qasje që i merr përmasat edhe armiqësore ndaj sindikatave, veçmas kur ato i sheh si të forta. Hekuran Murati, me veprimet e tij, barrikadave të bëra, me ngërçin e krijuar në mënyrë artificiale, me Këshillin Ekonomik Social, duke e bllokuar në tërësi funksionimin e tij, ka dëshmuar se është kundër dialogut dhe kundër sindikatave”, ka theksuar ai.

    Hulumtuesi tjetër i IKD-së, Gzim Shala ka kërkuar që kërkesat sindikale të dëgjohen dhe dialogohen nga ana e Qeverisë së Kosovës. /kp

  • Dëshmon Fatmir Sopi, thotë se nuk kishte përçarje mes UÇK-së dhe LDK-së

    Dëshmon Fatmir Sopi, thotë se nuk kishte përçarje mes UÇK-së dhe LDK-së

    Përgatiti: Nora Luta

    Ish-pjesëtari i UÇK-së, Fatmir Sopi, sërish u ul në bankën e dëshmitarit në Gjykatën Speciale, por këtë herë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

    Sopi, i cili dëshmoi edhe në procesin ndaj Salih Mustafës, u ftua nga ZPS-ja të flasë për vijat e raportimit në Zonën Operative të Llapit.

    “Sopi ka qenë në brigadën 153, si zëvendëskomandant i Brigadës deri në momentin e demobilizimit të UÇK-së në shtator të 1999-ës. Z. Sopi jep informacione lidhur me formimin, strukturën stërvitjen dhe operacionet e brigadës 153, njësive të tjera të UÇK-së që operonin në atë zonë duke përfshirë edhe BIA-n, vijat e raportimit në Zonën Operative të Llapit dhe vendndodhjet e UÇK-së në atë rajon”, tha Cezary Mihailzcuk, prokuror.

    E Sopi gjatë ballafaqimit me pyetje nga ZPS-ja rreth identifikimit të një fotografie që ishte realizuar në Zllash, e quajti Hashim Thaçin hero të gjallë.

    Pasi tha se në zonën e Llapit, nuk kanë ekzistuar mundësitë që të organizojnë mbrojtje civile, theksoi se kanë qenë të organizuar në operacione ushtarake.

    Sopi, i cili tha se UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, theksoi se nuk ka pasur përçarje mes saj dhe LDK-së.

    Dëshmia e Sopit përfundoi këtë të hënë, ndërsa seanca vazhdoi me dëgjimin e një dëshmitari të mbrojtur.

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të vazhdojë edhe të martën.

  • Gjimnazi Dr. Shaban Hashani, pa mësimdhënës të fizikës

    Gjimnazi Dr. Shaban Hashani, pa mësimdhënës të fizikës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Prej se ka filluar vitit i ri shkollor, 6 paralele të klasës së 11-të, në Gjimnazin “Dr. Shaban Hashani”, në Ferizaj, nuk e kanë mbajtur orën e lëndës së fizikës.

    Në vend të saj, atë ose e zëvendësuan me një orë tjetër ose orarin mësimor e përfunduan më herët.

    “Vjen profesoresha që është zëvendësim, e mban orën, por shpeshherë kemi edhe studente, është shqetësuese.

    Zakonisht, ose një profesor tjetër e ka majtë landën e vet, ose ka ndodhë ndonjë profesor pauzë që ka pasë një orë e ka mbajtë orën më herë, kaniherë ka ndodhë që kanë shku n’shpi”, tha drejtoresha e gjimnazit, Hajrije Nebihu.

    Për dy mësimdhënëset që shkuan në pushim të lehonisë, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë, zëvendësim gjeti vetëm për njërën.

    “E kemi pasë konkursin e s’kemi pasë kandidat, jemi mundu që në afatin e dytë e kemi plotësu normën e kemi bë një zgjidhje të përkohshme deri të na kthehet punëtorja e cila është në pushim të lehonisë”, tha drejtori i arsimit, Afrim Llabjani.

    Llabjani thotë se përveç fizikës, Ferizaj po përballet edhe me mungesë të mësimdhënësve të matematikës e të teknologjisë.

    “Problematikën e kemi edhe në matematikë e në teknologji, fatkeqësisht ne nuk kemi pasë kandidat dhe është dashtë me përsëritë konkursin”, tha Llabjani.

    Llabjani thotë se për pozitat e hapura mund të aplikojnë edhe nga komuna të tjera, vetëm të kenë kualifikime.

  • Gjykimi për krime lufte në Ozdrim të Pejës ndaj Milorad Djokovic

    Gjykimi për krime lufte në Ozdrim të Pejës ndaj Milorad Djokovic

    Përgatiti: Nora Luta

    Halit Gashi u largua nga Gjykata e Prishtinës pa e përfunduar dëshminë edhe këtë të hënë.

    Gashi nga marsi ka filluar rrëfimin e tij për ngjarjen në Ozdrim të Pejës, gjatë luftës, ku për përfshirje në vrasjen e 14 civilëve Prokuroria Speciale e bën përgjegjës Millorad Gjokoviqin.

    Por, Gashi nuk i beson ankesës së Gjokoviqit, rreth disa dokumenteve, që u bënë shkas që edhe kjo seancë të ndërpritet.

    Prokuroria Speciale pretendon se mbrojtja po e përdor këtë strategji për prolongim të këtij procesi.

    Paraprakisht i akuzuari në fillim të seancës tha se nuk dëshiron të marrë pjesë në këtë gjykim, pasi nuk i ka pranuar shkresat, të cilat pretendon se do t’i shërbenin të përgatitej për t’i parashtruar pyetje dëshmitarit.

    Gjuha e Gjokoviqit, i cili nuk dëgjonte sqarimin e gjykatës, nisi të ashpërsohej jo vetëm ndaj gjykatës, por edhe ndaj prokurorit.

    Gjykata, pasi tha se nga Shërbimi Korrektues konfirmuan se ia kanë dorëzuar shkresat, i shqiptoi vërejtjen e fundit Gjokoviqit për pengim të procesit gjyqësor dhe përdorim të gjuhës së papërshtatshme.

    Ndërkohë, mbrojtja nuk u pajtua me vendimin e gjykatës, së cilës i kërkoi që t’i shqiptojë vërejtje edhe Prokurorisë.

    Por, në fund gjykata vendosi që ta shtyjë seancën për këtë të premte, dhe brenda kësaj periudhe do të marrë në formë të shkruar verifikimin nëse Gjokoviq i ka pranuar të gjitha dokumentet.

  • Në E-KOSOVA përzgjidhet mjeku familjar

    Në E-KOSOVA përzgjidhet mjeku familjar

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Deri në fund të vitit, qytetarët mund ta përzgjedhin mjekun familjar.

    Përzgjedhja e tij bëhet nëpërmjet platformës E-Kosova, por edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare.

    Ndërsa, për ata që nuk e bëjnë përzgjedhjen brenda afatit të caktuar, Ministria e Shëndetësisë do t’ua përcaktojë mjekun.

    “Pas përfundimit të periudhës për përzgjedhjen e mjekut familjar, në kuadër të QKMF-ve përkatëse krijohet një komision i cili bën përzgjedhjen e mjekut familjar për qytetarët, që nuk e kanë përzgjedhur mjekun e tyre familjar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

    Derisa një mjek parashihet t’i ketë rreth 2500 pacientë, në Prishtinë e në Fushë-Kosovë pritet të ketë telashe sa i përket këtij procesi, për shkak numrit të lartë të banorëve.

    Megjithatë, parashihet rritja e stafit.

    “Disa banorë do të mbesin pa e bërë përzgjedhjen e mjekut familjar dhe disa të tjera që nuk janë banorë të Prishtinës, sigurisht që jemi duke bërë kampanjë duke i njoftuar qytetarët që punojnë në Prishtinë, banojnë kanë shtëpi, por që nuk janë të regjistruar në bashkësinë familjare, jemi duke i inkurajuar që të regjistrohen në bashkësinë lokale. Do të rritet numri i banorëve, me rritjen e numrit do të përfitojmë edhe punëtorë shëndetësor e infermierë më shumë”, tha Bujar Gashi, drejtor i QKMF-së në Prishtinë.

    Sido që të jetë, përzgjedhja e mjekut po vlerësohet e rëndësishme, andaj apelohet te qytetarët ta bëjnë një gjë të tillë.

    Në bazë të të dhënave paraprake nga platforma E-Kosova, kur përzgjedhja e mjekut ishte vetëm si Pilot Projekt në 3 komuna dhe dy QMF-të në Prishtinë, mbi 1% e popullatës të komunave përkatëse kanë bërë përzgjedhjen e mjekut familjar.

  • Kurti e Konjufca të ndryshëm rreth planit franko-gjerman

    Kurti e Konjufca të ndryshëm rreth planit franko-gjerman

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Kryeministri Albin Kurti e kryekuvendari Glauk Konjufca, kanë dallime sa i përket planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se varianti “merre ose leje” i bie heqje dorë nga shtetësia e Kosovës.

    “Unë mendoj që gjithkush që mendon që drafti që i është dorëzuar… nëse mendon ndokush që ky është një dokument përfundimtar, i cili për Kosovën është “merre ose leje”, i bie që Kosovës i është marrë një ingerencë shumë shtetërore, që e ka të garantuar edhe me procesin e dialogut edhe madje me Kushtetutë”, tha Konjufca.

    Por ndryshe deklaronte shefi i Qeverisë vitin e kaluar, teksa shpjegonte para deputetëve se plani i ishte ofruar “merre ose leje”.

    “Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatik për Kosovën”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Dallimet mes krerëve të shtetit në çështje madhore, sipas analistit Belgzim Kamberi, kanë qenë të shpeshta, megjithatë për këtë të fundit thotë se mund t’i ngjajë një fushate parazgjedhore, tash kah fundi i mandatit.

    Kryekuvendari Konjufca kritikoi BE-në duke thënë se ka qasje diskriminuese për Kosovën.

    Ndër të tjera, Konjufca foli edhe për asociacionin, për të cilin tha se Kosova mund të jetë vonuar, por nuk ka pasur afate kohore për këtë gjë.

    Ai, gjithashtu, kritikoi Serbinë se marrëveshja e Ohrit për ta është vetëm asociacion dhe se nuk ka vullnet që t’i zbatojë pikat e tjera.

  • Pushteti e opozita pajtohen për qëndrim në sallë, por jo edhe për votim

    Pushteti e opozita pajtohen për qëndrim në sallë, por jo edhe për votim

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pas disa seancash bojkoti, pushteti e opozita u pajtuan që në seancën e radhës të diskutojnë bashkërisht, por jo edhe të votojnë.

    Megjithatë, Kreu i kuvendit, Glauk Konjufca, beson se kanë ende shumicën parlamentare dhe se kuvendi mund të funksionojë vetëm me ta, ani pse me sarkazëm, e thumboi opozitën, konkretisht LDK-në.

    Por, ajo që tha Konjufca e befasoi goxha shumë shefin e grupit parlamentar të LDK-së.

    Ndërkaq, sa u përket nismave e projektligjeve, opozita nuk ka ndërruar mendje për votim.

    Teksa, PDK-ja dhe Aleanca thonë se nuk do të votojnë asgjë çfarë vjen nga pushteti, LDK-ja përjashton marrëveshjet ndërkombëtare.

    Praninë në sallë e konfirmuan edhe në seancën kur për miratim do të vijë buxheti për vitin e ardhshëm, por votimi i tij thonë se varet nga bashkëpunimi i partisë në pushtet me opozitën.

    Ndërkaq, sa i përket kësaj jave, u caktua që të mërkurën të ketë vazhdim të pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara, ndërkaq të enjten seancë e re.

  • Shumica e komunave të Kosovës nuk ndajnë buxhet të ndarë për mirëmbajtjen e kanalizimit atmosferik

    Shumica e komunave të Kosovës nuk ndajnë buxhet të ndarë për mirëmbajtjen e kanalizimit atmosferik

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Menaxhimi i sistemeve të kanalizimit, me legjislacionin në fuqi, iu takon komunave.

    Mirëpo, disa prej tyre, sa i përket menaxhimit të kanalizimit atmosferik, thonë se përgjegjësia kalon te KRU-të.

    Kështu të paktën thuhet në një raport të Organizatës Rilindja e Gjelbër, ku mes tjerash vihet në pah edhe mungesa e strategjisë së komunave, në lidhje me këtë çështje.

    ‘’Jo të gjitha komunat e dinë specifikisht se përgjegjësi ose kompetencë e kujt është, trajtimi i ujërave të zeza apo të ndotura është kompetencë e KRU-së, kompanive rajonale të ujërave e komunat për drenazhimin, këtë rast i referohet kanalizimit atmosferik’’, tha Dijesa Morina nga “Rilindja e Gjelbër”.

    Ndërkaq, sa i takon gjendjes së kanalizimit atmosferik, sipas vlerësimit të komunave ajo është përgjithësisht e mirë.

    Mirëpo të kundërtën e thonë ambientalistët.

    “Komuna e Skenderajt ka probleme, ngase nuk janë të ndarë ujërat e kanalizimit dhe ujërat nga të reshurat atmosferike dhe aty është problem kapaciteti i fabrikës është i limituar i kufizuar”, tha Shyqyri Dumani, ambientalist.

    “Nuk e kemi gjendjen të mirë, kemi ndryshimet klimatike që po trokasin në derë, kemi vërshimet e shpeshta dhe të paplanifikuara, duhet të punojmë në këtë drejtim për përmirësimin e gjendjes”, tha Krenare Salihu, drejtoreshë e organizatës “Eko Pana”.

    Komunat dallojnë dukshëm njëra nga tjetra, për ndarje të buxhetit për këtë çështje. Buxheti komunal që ndahet për këtë qëllim varion prej 0 deri në 150 mijë euro. Ndërsa, disa komuna nuk ndajnë fare buxhet me justifikimin se mirëmbajtja është obligim i KRU-ve.

  • Jean-Denys Choulet emërohet përzgjedhës i Kosovës në Basketboll

    Jean-Denys Choulet emërohet përzgjedhës i Kosovës në Basketboll

    Kombëtarja e Kosovës në Basketboll është bërë me trajner të ri duke e emëruar në këtë post, Jean-Denys Choulet.

    “Trajneri me shumë përvojë, Jean-Denys Choulet do të jetë përzgjedhës i Kosovës në basketboll”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

    “Ai u emërua përzgjedhës me vendim nga Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe do të fillojë punën në nëntor, në përgatitjet dhe ndeshjet e Kosovës A, që do t’i kenë si mysafire ndaj Zvicrës dhe Irlandës në udhëtim (21 dhe 24 nëntor)”.

    “Dardanët kanë një fitore dhe një humbje në këtë grup parakualifikues për Kupën e Botës 2027”.

    “Jean-Denys Choulet ka nënshkruar kontratë 3 vjeçare me Federatën e Basketbollit të Kosovës”.