Djali 27-vjeçar i familjes Podrimqaku nga Vitomirica e Pejës, Laurant Podrimaqku që u largua qe po kërkohej qe disa ditë, u gjet pa shenja jete gjatë ditës së sotme. Ky rast tronditi gjithë familjen, që s’dinin gjë për fatin e tij, nga mesdita e së shtunës.
Sinjali ka mësuar se i riu është gjetur i vdekur sot në fshatin Gllaviçicë në Pejë, jo shumë larg veturës me të cilën kishte dalë nga shtëpia.
Bazuar në informacionet e para, 27-vjeçari dyshohet se i ka dhënë fund jetës.
Viktima, djali i një zyrtari të SHKK-së dhe vëllai i një zyrtari policor, ishte larguar nga shtëpia të shtunën pasi ishte kthyer nga Hungaria.
Për rastin ka raportuar mediumi gjatë ditës së djeshme, pasi Policia nisi hetimin, kur babai i viktimës raportoi për dyshimet se i biri ia kishte marrë armën zyrtare.
Lidhur me rastin, Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se intervistomi i tij nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndodhur, sipas tij, “për një çështje koti”.
“Kam qenë i intervistuar për një çështje koti, për rrugën Prishtinë – Podujevë., për një padi që e ka bërë një operator ekonomik, i cili është ankuar në OSHP pa të drejtë . Në fund, vendimi i OSHP-së ka ardhë pas gjashtë muajsh, i cili nuk i ka dhënë të drejtë atij operatori ekonomik, na ka dhënë të drejtë neve si autoritet kontraktues dhe për shkak se unë kam qenë nënshkrues i kontratave, jam ftuar në një intervistë”, tha Durmishi.
Ai tha se intervistomi i tij ka ndodhur pas këtij vendimi të OSHP-së vetëm për këtë çështje të padisë së operatorit ekonomi, dhe nuk ka pasur diçka tjetër në atë intervistë.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rruga e cila do ta lidh Suharekën me Brezovicën, nuk kalon kah livadhet e familjes së tij, të cilat ndodhen në Mushtisht të Komunës e Shtërpcës.
Ai thotë se rruga është larg livadheve të familjes së tij për një kilometër e gjysmë apo dy kilometra.
“Jo, nuk kalon nëpër pronat e mija. Kjo është rrugë regjionale, nuk është rrugë lokale. Problemi është se kjo rrugë, është një prej rrugëve regjionale e cila nuk ka përfundu, nuk është ndërtuar asnjëherë me asfalt, pra është rrugë regjionale e regjistruar nga Ministria e Infrastrukturës para shumë vite, edhe para luftës ka qenë rrugë regjionale. Pra, problemi është se e ka fillu procedurën e prokurimit komuna e Suharekës dhe është gabim, që rrugët që i takojnë nivelit të Ministrisë, me i kontraktu komuna e me i financu Ministria. Ne financojmë plotë rrugë lokale me 100%, por procedurat i kryejnë komunat, njëjtë është edhe për rrugët nacionale, regjionale e autoudhët. Dhe, ata e kanë shkëputur kontratën të cilën e kanë pasur me operatorin ekonomik, e kanë pasur një kontratë vetëm për me e hapë trasenë atje. Tash, ne e kemi projektin si Ministri për përfundimin e komplet për me e lidh Suharekën me Brezovicën. Kjo rrugë nuk është rrugë e fshatit tim, pra është rrugë regjionale që e lidh Brezovicën me Suharekën. Ne e kemi filluar procedurën e prokurimit, është larg atyre livadhe që i kanë përmendur më shumë se një kilometër e gjysmë, dy kilometra, rruga është larg atyre livadheve që janë të familjes time”, tha Durmishi. /atvlive.tv
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha tregoi kur përfundojnë dy rrugët në të cilat është duke u punuar, rruga Prishtinë – Mitrovicë dhe rruga Prishtinë – Podujevë.
Ai thotë se se RRUGA Prishtinë – Mitrovicë do të përfundojë në muajin shkurt 2025.
“Për një vit po e përfundojmë rrugën Prishtinë – Mitrovicë, e cila ka zgjatë që 15 vite më shumë. Në shkurt bëhen një vit kur kemi filluar rrugën për Mitrovicë. Në shkurt e ka afatin se e ka me ditë kalendarike. Në shkurt atij i përfundon afati për me e dorëzu projektin. Atje është rruga duke përfundua, deri në Vushtrri janë shtuar asfalt katër shiritat, janë duke u vendosur pajisjet elastike dhe trotuaret dhe ne presim deri në fund të nëntorit deri në Vushtrri me përfundu. Ndërkohë, strukturat janë duke përfundu në pjesën e ‘bypasit’ për me u lidhë ajo pjesa deri në Smrekonicë. Sipas dinamikës që është duke u zhvillua, ajo do të përfundojë në afatin që është paraparë”, tha Durmishi.
Ndërsa rruga Prishtinë – Podujevë, sipas Durmishit, do të përfundojë në Vit të Ri.
“Në Podujevë, rruga përfundon deri në vit të ri, eventualist, mundemi me i pasë te strukturat, e kam fjalën për kur është me dy nivele, te Vranidolli dhe te ura e Lluzhanit, mund të mos përfundojë komplet pjesa e urave deri në vit të ri, por në fillim të vitit të ardshëm përfundon komplet si projekt, por rruga me katër korsi, përfundon me Vit të Ri”, tha Durmishi.
Një vit e gjysmë nga Deklarata e Përbashkët për të Zhdukurit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vucic, ende nuk ka nisur zbatimi i saj.
Kjo përkundër se me marrëveshjen bazë dhe shtojcën, çështja e të zhdukurve gjatë luftës cilësohej si urgjencë – dhe palët ishin zotuar për bashkëpunim të ngushtë në identifikimin e zonave potenciale të varrezave dhe për gërmime.
Që atëherë Kosova dhe Serbia nuk janë marrë vesh për Termat e Referencës së Komisionit të Përbashkët për monitorimin e punës së Grupit Punues ekzistues.
Krahas njoftimit se kjo temë u diskutua të enjten në nivel kryenegociatorësh në Bruksel, BE-ja konfirmoi për ATV-në se nuk ka marrëveshje ende.
“Zbatimi i Deklaratës së Përbashkët nuk ka filluar ende. Kjo do të ndodhë pasi palët të pajtohen për Termat e Referencës të Komisionit të Përbashkët, i cili parashihet të monitorojë zbatimit e Deklaratës së Përbashkët, në mbështetje të punës së Grupit Punues të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Por, pa dhënë detaje, blloku 27-anëtarësh njoftoi se janë në pritje të zhbllokimit të situatës.
“Derisa një marrëveshje është në arritje, Përfaqësuesi i Posaçëm Lajcak është në pritje të komenteve për një çështje të fundit të hapur. BE-ja përsërit se në fund të fundit kjo ka të bëjë me njerëzit – me familjet e atyre që janë ende të zhdukur – dhe kjo çështje nuk duhet të politizohet. Mungesa e angazhimit vetëm sa e vonon edhe më shumë përparimin shumë të nevojshëm në këtë çështje të rëndësishme”, thuhet më tej në njoftimin e BE-së.
Pa treguar hollësi, në kabinetin e zëvendëskryeministrit për dialog, Besnik Bislimi, thanë se Serbia po e bllokon zbatimin e deklaratës së përbashkët.
“Serbia insiston të shtohet një “side letter” krah deklaratës së përbashkët, duke zvarritur edhe më tej fillimin e zbatimit të saj. Për të ardhur keq është fakti që Serbia vijon ta keqpërdorë për qëllime politike një çështje të një urgjence humanitare siç është ajo që lidhet me personat e pagjetur”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Në mars të këtij vitit, në një intervistë për ATV-në, zëvendëskryeministri Bislimi kishte thënë se Serbia kishte kërkuar ndryshimin e një neni i cili ka për qëllim rregullimin e mos-marrëveshjeve në Grupin Punues.
Në këtë kontekst, pa dhënë sqarime ai kishte thënë se është element që e prek mënyrën e funksionimit të Grupit Punues dhe se ka pasur dakordim paraprak që të largohet pjesëmarrja e UNMIK-u.
Më shumë se 1600 persona ende mbesin në listën e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit.
Nga janari i vitit 2025, të gjithë punëtorët e sektorit publik do t’i marrin pagat me nga 55 euro rritje.
Vlera e koeficientit mbeti e njëjtë, por Qeveria të martën njoftoi për rritjen për 0.5 të sasisë së koeficienteve për njësi.
Ndërkaq një rritje tjetër e pagave, sipas Kryeministrit Albin Kurti, do të bëhet në korrik të 2025-tës.
“Me fjalë të tjera, dikush që e ka koeficienti 5.6 në janar i bëhet 6.1 e në korrik 6.7…”, tha Kurti.
Sipas Ministrit të Financave, në këtë formë do të ketë barazi te të gjitha kategoritë.
|
Kjo rritje, sipas Kurtit, do t’i kushtojë buxhetit rreth 120 milionë euro në vit.
Gjatë qeverisë Kurti, pagat në sektorin publik u ndryshuan në vitin 2023, pas miratimit të Ligjit për Paga, ku disa u ngritën, e pati paga që edhe u ulën. Ndërsa, në vitin 2024, u aplikua
rritja e koeficientit nga 105 në 110 euro.
Kurti dhe Murati njoftuan po ashtu se buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.6 miliardë euro, që është më i lartë se buxheti i vitit të kaluar.
Qeveria pritet të mbajë takim të mërkurën, ku pritet ta miratojë buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, për të cilin Kurti tha se shpreson se ai do të gjejë mbështetje pastaj në Parlament.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar përgatitjet për procesin zgjedhor që do të mbahet në fillimshkurt të vitit të ardhshëm. Ky institucion rishtazi ka hapur disa tenderë për blerje të kabinave për votim dhe obligime të tjera të nevojshme për procesin.
Këto zgjedhje KQZ-së do t’i kushtojnë më shtrenjtë se zakonisht, meqë fillimisht pritet që i gjithë procesi të monitorohet nga kamera të sigurisë, për të cilat KQZ-ja ka hapur tender në vlerë prej mbi 1 milion eurosh.
Gjysmë milioni euro KQZ-së do t’i kushtojë edhe shtypja e fletëvotimeve për lista zgjedhore e kandidatë për deputetë, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Gjithashtu, me 130 mijë euro të tjera, KQZ-ja do të blejë kabina për votim e gjëra të tjera që nevojiten për procesin.
Për t’i monitoruar votimet, KQZ-ja ka në plan t’i angazhojë mbi 23 mijë persona.
Sipas njohësit të zgjedhjeve, Shemsi Jashari, Qeveria duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë ndarjes buxhetore për këtë proces, pasi nga ai varet e ardhmja e qeverisjes së vendit.
“Qeveria duhet të sigurohet që ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për zhvillimin e të gjitha aksioneve gjatë ditës së zgjedhjeve, prandaj është shumë e rëndësishme një buxhet i mjaftueshëm të sigurohet për KQZ-në në mënyrë që të mos jenë mjetet financiare ato që do ta pengonin një organizim dhe mbarëvajtje të mirë të këtij procesi zgjedhor”, tha Jashari.
Ndërkaq, sa i përket monitorimit të procesit me kamera, si formë e re, preferohet që rëndësi e veçantë t’i kushtohet vendosjes së tyre nëpër qendra të votimit.
“Duhet që KQZ-ja përveç që t’i ndjekë procedurat për vendosjen e kamerave, të sigurohet që në kuadër të manualeve mënyrës se si rregullohet klasa apo objekti përkatës i vendvotimit të mos i vendosë kamerat prapa shpinës së votuesve, ato duhet në një hapësirë që vetëm garanton që ka qasje për të gjitha palët e përfshira”, tha Eugen Cakolli, hulumtues në IKD.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë do të përdoren 38 qendra Komunale të Numërimit, në të cilat do të bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë, që gjithashtu KQZ-së do t’i kushtojë gjysmë milioni euro për blerje të pajisjeve teknologjike.
Dikush është kah rrenë nga pak dhe dikush po e flet të vërtetën, ama jo të plotë. Ose po rrejnë komunat, ose po rrejnë mësuesit, ose po rrenë Hekuran Murati.
Meqë ti verifikojë mijëra mësues nuk është fort praktike, meqë me komuna dihet situata, çka vlen për një – vlen për të gjitha – sonte po merremi me Hekuran Muratin.
Javëve të fundit kemi raportuar se si disa komunave i janë bllokuar xhirollogaritë, ose nuk i kanë dalë pagat të gjithëve, për shkak të obligimeve nga kontrata kolektive dhe lëndëve që komunat i humbin në gjykata tash e sa vjet! Rasti i fundit Suhareka! Qe diçka që s’kam menduar që do e them zëshëm në mikrofon:
Deri këtu e ka mirë. Ama duke e njohur Hekuranin dhe duke e ditur që ky vend i ka dhejtëra mijëra arsimtarë, vendosëm ti hyjmë kësaj teme pak më seriozisht dhe t’ua përimtësojmë në stilin e minutave të Hoxhës.
Kontrata kolektive është marrëveshje që parashihet me liogj dhe në rastin e arsimtarëve është nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës, në njërën anë dhe Sindikatës së Bashkuar për Arsim e Kulturë, në anën tjetër.
Kontrata koleketive ndërmjet Qeverisë dhe SBASHK-ut janë nënshkruar më 2017 dhe më 2021. Këtu ndër të tjera parashihet që:
Punëtorët (anëtarë të SBAShK-ut) në vitet jubilare të punësimit përfitojnë shpërblimin jubilar në vlerë:
2.1 për 10 vjet të përvojës së punesë në vlerë të 50% të një page bazë.
2.2 për 20 vjet të përvojës së punesë në vie ë të 75% të një page bazë.
2.3 për 30 vjet të përvojës së punesë në vlerë të një page bazë.
2.4 për 40 vjet të përvojës së punesë në vlerë të 150 % të një page bazë.
2.5 Shpërblimi jubilar paguhet nga punëdhënësi, i punësuari ka plotësuar kushtet e shpërblimit sipas kritereve të nenit 8.
2.6 Shpërblimi jubilar paguhet në Festën e 7 Marsit të çdo viti.
Nëse mendoni që ndalen me kaq privilegjet e mësuesve – gabim i keni. Kontrata kolektive parasheh që çdo vit paga e arsimtarëve të përshtatet me shkallë të inflacionit, pastaj kompensim për shujta ushqimore ditëve të punës, dy Euro në ditë pune, 0,50/o të pagës bazë, për çdo vit të plotë të përvojës në punë, atyre që udhëtojnë që udhëtojnë në vendbanimet e komunës përkatëse ku punojnë u paguhen shpenzimet e rrugës 70% të biletave të trafikut urban dhe me rastin e pensionimit i paguhen edhe tri paga, bile bile specifikohet jo më larg se 30 ditë nga pensionimi.
A është kjo mënyrë politike e favorizimit të SBASHK-ut? Padyshim që po!
A i meritojnë arsimtarët këto privilegje? Pa dyshim që po!
A e kemi sistemin arsimor për faqe të zezë, arsimtarët e padijshëm dhe fëmiëjt tupa? – fatkeqësisht po!!!
Mirëpo, ky nuk është problemi i kësaj kontrate – kjo kontratë e ka një telashe themelore! Nënshkruese e saj është Qeveria, kurse arsimtarët janë punëtorë të Komunave.
Edhe një herë – MASHTI ka nënshkruar kontratë me SBASHK-un për një listë të gjatë të privilegjeve për arsimtarë, arsimtarët janë anëtarë të SBASHK-ut, ama janë punëtorë të komunave, jo të ministrisë!!!
Kështu, kur Qeveria nuk alokon mjete të posaçme për kontratën kolektive, arsimtarët nuk e padisin Qeverinë, por Komunën dhe e fitojnë lëndën edhe në shkallë të parë dhe të dytë.
Çka tash? Komunat detyrohen ti paguajnë arsimtarëve edhe pagat për 10 vjet punë edhe pagat për 20 vjet punë edhe pagat për 40 vjet punë edhe pagat për 40 vjet punë edhe tri paga për pension edhe para për shujta edhe për udhëtim!
Ku i marrin komunat paret? I marrin ose nga mallra e shërbime, ose nga investime kapitale. Pra, e lënë mangu ndonjë rrugë, ose ujësjellës, ose sallë ose park dhe i paguajnë arsimtarët.
Ku është problemi? Problemi është se ka Kryetarë te komunave të fund të vitit që i kanë harxhu 80, 90 ose 102% në rastin e Malishevës, këtë e vërtetova prapë, njeri i ka harxhu mbi 100% të investimeve kapitale. Kur i përfundon investimet kapitale i blen mallrat e shërbimet dhe i humb lëndët nga paditë e arsimtarëve – të bllokohet xhirollogaria.
Tash, do thoni ju, po sa arsimtarë në këtë vend dalin n pension brenda vitit, ose i mbushin 40 vjet punë – as nuk e di as nuk e kam ndër mend me e hulumtu. Ajo çka e di, është sa kontrata kolektive KUSHTON.
Për tri vjet i ka kushtua komunave mbi 120 MILIONË EURO. 120,000,000 Euro! Ka komuna që i sakaton si p.sh. Suharekën që ia bllokon xhirollogaritë.
Kuptohet në Prishtinë nuk e kanë këtë problem. Për dy vjet Prishtinës i janë marrë më shumë se 10 milionë nga kontrata kolektive, ama meqë Përparim Rama nuk kryen investime kapitale dhe nuk din me mshelë asnjë projekt – njërit i teprojnë paret, i paguan mësuesat dhe shenjë nuk ia lë kjo punë.
Tash, dikush mund të thotë po krejt ideja e Hekuranit qenak që me i sakatu kryetarët e komunave, t’ua ndal investimet kapitale që ata të mund të paguajnë arsimtarët.
Unë nuk po them ashtu, edhe pse kur e sheh që për investime të reja kapitale, Suharekës nga Qeveria i shkojnë më pak se 2 euro për kokë banori e Shtimes më shumë se 102 Euro për kokë banori del shihet që po favorizohen komunat e Vetëvendosjes.
Deri këtu pra, jemi kah flasim për situatë që kjo qeveri e ka trashëguar dhe nuk ka pasur gatishmëri që ta zgjidhë, duke dashur të komplikojë jetën komunave.
Mirëpo, këtë muaj Qeveria ka shkuar përtej, janë dy qëndrime palidhje të tij>
Edhe çka që ka qenë Ramë Likaj? Njeri ka qenë ministër, qysh je ti sot. Nëse po thoni kemi duhet ti zbatojmë marrëveshjet e qeverive të kaluara, pse nuk po e zbatoni një marrëveshje të Ramë Likajt?
Kush po thotë? Ti po thu a? Jo Hekuran, nuk kallëzon ti a është shkelje ligjore, konstaton gjykata!
Tash po kthehemi në fillim:
1. Nëse mendon që është shkelë ligji në kontratë kolektive, atakoje në GJykatë, shliroji komunat dhe mundësoju që dhjetëra miliona Euro çdo vit të shkojnë në projekte kapitale
2. Për më tepër nëse je i bindur që është e paligjshme kontrata kolektive, pse po lejon me shku paret e thesarit në xhirollogari të arsimtarëve, nëse arsimtarët po përfitojnë nga një kontratë joligjore? Paramenoje e ke një rast në Han të Elezit, komuna u ka borxh 240 mijë euro arsimtarëve, i paguan edhe 120 mijë euro tjera shpenzime për përmbarues, gjykata dhe avokatë! 50% haraç n përmbarues dhe shpenzime tjera. Nëse është e paligjshme Hekuran, atakoje n Gjykatë!
3. Por, nëse je kah rren dhe kontrata është e ligjshme, atëherë pafytyrësi është të thuash e ka nënshkruar Ramë Likaj, edhe pse pajtohem unë me ty që Rama ia ka huqë i shkreti, po çka me ba Ministër ai – Ministër ti!
Në pozitën e Koordinatorit për Cilësinë dhe Sigurinë e shërbimeve shëndetësore, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare,”Dr. Hafir Shala”, Komuna e Drenasit e pranoi një kandidat me diplomë të shkollës së mesme.
Mirëpo, në mesin e aplikuesve pati edhe kandidatw me diplomë universitare, që rrjedhimisht plotësuan kriteret e kërkuara në konkurs.
Pranimi i kandidatit që ka vetëm diplomë të shkollës së mesme, sipas mantelbardhëve, bie ndesh me qarkoren Informative të QKMF-së e rregulloren e brendshme, ku thuhet se për pozitën e caktuar duhet kualifikim i lartë profesional.
Për këtë, ata kërkuan anulimin e konkursit e po ashtu dorëzuan edhe padi në Gjykatën Themelore në Drenas.
Megjithatë, sipas opozitës, emërimi i një kandidati me kualifikim më të ulët se tjetri, përbën shkelje të rregullores së brendshme të QKMF-së.
“Po fatkeqësisht shkeljet kanë qenë të njëjta, Qarkoren Informative 01/2019 paragrafi 3.2 i saj, rregulloren e Brendshme të QKMF-së, neni 17, të cilën vetë e kanë miratuar dhe vetë po e shkelin”, tha Egzona Verbovci nga LV.
Me situatë të njëjtë kjo komunë është përballur edhe dy vjet më parë. Në vitin 2022, kandidati i njëjtë ishte emëruar po në këtë pozitë, mirëpo Gjykata në qershor të këtij viti e ka anuluar konkursin e moçëm, me arsyetimin se gjatë emërimit të tij ka pasur shkelje.
“Situata e rëndon edhe më tepër çështjen, e kur gjykata ka vendosë që nuk i plotëson e ti nuk e respekton, e hap konkurs e personin e njëjtë e kualifikon për pozitë është shkelje e bazës ligjore, këtë kandidat që e ka refuzu nuk është dashtë me shti as në intervistë”, tha Arton Demhasaj nag Organizata “ÇOHU”.
Komuna e Drenasit përmes konkursit të fundit, ka përzgjedhur edhe kryeinfermieren, në Kujdesin parësor shëndetësor. Sipas vendimit, në këtë pozitë është emëruar Afërdita Krasniqi.
As të martën, komuna e Suharekës nuk mori përgjigje rreth zhbllokimit të xhirollogarisë bankare, që iu bllokua pasditen e së hënës.
Sipas kryetarit, nëse Ministria e Financave nuk i del në ndihmë, mbi 1 mijë e 300 punëtorë rrezikojnë të mbesin pa paga.
Ndërkaq, sipas Asociacionit të komunave, në pozitë si të Suharekës ndodhen edhe të gjitha komunat e vogla e të mesme në Kosovë.
Por, ministri i Financave thotë se ankesat u drejtuan në adresë të gabuar. Madje, sipas tij, ka tendencë nga komunat që faji t’i hidhet Qeverisë.
Megjithatë sipas monitoruesve të Qeverisjes Lokale, në momentin që komunave u është deleguar kjo përgjegjësi, ekzekutivi do të duhej t’ua ndante paratë e nevojshme.
Për shkak të kontratës kolektive, Vitia nuk pati buxhet për t’i ekzekutuar pagat e shtatorit për mësimdhënësit. Kjo u bë me dy javë vonesë vetëm pas ndërhyrjes së Ministrisë së Financave.