ATV

Author: ATVLive

  • IKD paralajmëron padi ndaj Ministrisë së Financave, shkas Kontrata kolektive

    IKD paralajmëron padi ndaj Ministrisë së Financave, shkas Kontrata kolektive

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në planifikim ishin nga viti 2021, mirëpo 90 % e projektligjeve që lidhen me mbrojtjen sociale të punëtorëve, nuk janë miratuar nga kjo legjislaturë.

    Kështu, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, dëmtohen të drejtat e punëtorëve në vend.

    Përveç mosratifikimit të projektligjeve, IKD-ja kritikon specifikisht Ministrinë e Financave, për mungesën e Këshillit Ekonomiko-Social.

    “Asnjë punëtor nuk është i mbuluar nga kontratat kolektive, nuk ka një ligj të përditësuar të punës, nga viti 2010, dhe punëtorët janë të detyruar që ta zgjedhin rrugën gjyqësore”, tha Naim Jakaj nga IKD.

    Gjatë diskutimit të raportit të IKD-së, “Mungesa e kontratave kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”, përfaqësuesit e sindikatave, thanë se me mungesën e tyre, Kosova s’ka demokraci të plotë.

    “Ajo që dua të them se është pritur që do të kemi ditë më të mira për punëtorin publik dhe privat. Konsideroj se Qeveria Kurti me qëllim ka një qasje të gabuar ndaj dialogut social dhe merr masat armiqësore ndaj sindikatave. Fajtori kryesor është ministri i Financave dhe Transfereve”, tha Rrahman Jasharaj nga SBASHK.

    “Shumicën e mjeteve që i kemi përdor në forma sindikale janë edhe komunikata, 50 komunikata i kemi dërguara për t’i bërë presion qeverisë që të kemi dialog social dhe konstituim të Këshillit Ekonomiko Social. Është një dështim shumë i madh i institucioneve tona, do të kërkohet përgjegjësi”, tha Atdhe Hykolli nga BSPSK.

    Mirëpo, nëse Ministria e Financave nuk ndërmerr hapa për funksionimin e Këshillit Ekonomik Social, IKD-ja do ta padisë këtë ministri.

    Ndërkohë, sindikatat kishin protestuar në maj të këtij viti në ditën e punëtorëve ku kishin shprehur 11 kërkesa për të cilat nuk pati ndonjëherë diskutim mes dy palëve, për realizimin e tyre.

  • Gjykimi për sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në veri, dëshmon mjekja Daniela Sokoviç

    Gjykimi për sulmin terrorist ndaj zyrave të KKZ-së në veri, dëshmon mjekja Daniela Sokoviç

    Përgatiti: Nora Luta

    Në gjykimin për sulmin terrorist ndaj zyrës së Komisionit Zgjedhor në veri, në dhjetor të 2022-ës, të martën ishte radha e dëshmitarëve të mbrojtjes.

    Por, në këtë seancë u paraqit vetëm Daniela Sokoviq, një nga tre personat e ekipit mjekësor që ishin në Autoambulancën, për të cilën Prokuroria Speciale pretendon se u shfrytëzua për bartjen e granatave të dorës.

    Madje, PSRK-ja paraqiti fotografi duke i propozuar si prova në këtë gjykim.

    Organi i akuzës beson se pikërisht këto mjete u përdorën, jo vetëm në këtë rast, por edhe në sulmet e tjera të organizuara në veri.

    Mbrojtja tha se ndaj këtyre provave do të paraqesë kundërshtimet me shkrim.

    Megjithatë, dëshmitarja, e cila pohoi se paguhet nga Serbia, dhe punon në Qendrën e Mjekësisë paralele në veri, tha se atë ditë shkuan për të ofruar ndihmë në bazë të një thirrjeje anonime.

    Të njëjtën përgjigje Sokoviq e dha edhe në pyetjen e prokurorit special Bekim Kodraliu, i cili tha se në video-incizime shihet Lune duke biseduar me një person brenda autoambulancës.

    Ndërkohë, dëshmitarja u sfidua me pyetje edhe nga Gjykata.

    Millun Milenkoviq, Dejan Pantiq, Aleksandar Vllajiq dhe Miomir Vakiq, sipas PSRK-së, bashkë me persona të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë kryer sulm terrorist duke hedhur granata dore dhe shok bomba në zyrën e KKZ-së, duke rrezikuar jetën e zyrtarëve shtetërorë.

    Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë në nëntor.

  • Aksioni “Freeshopi”, Policia arreston policin që po blinte narkotikë

    Aksioni “Freeshopi”, Policia arreston policin që po blinte narkotikë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Këtu në parkun e qytetit, njësiti antidrogë zhvilloi operacionin “Freeshopi” në mbrëmjen e së premtes.

    Cak i kishin disa persona që dyshoheshin që po bënin tregti me narkotikë, por përfunduan duke e arrestuar edhe një koleg të tyre polic që ishte jashtë detyrës zyrtare.

    Pas arrestimit, janë bastisur edhe shtëpitë e të dyshuarve, ku janë gjetur 370 gramë lëndë narkotike, një peshore, tri thika dhe para të gatshme në vlerë prej afro 5000 euro.

    Kështu, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka filluar hetimet, teksa ka kërkuar edhe caktimin e masës së sigurisë prej 30 ditësh paraburgim.

    “Me urdhër të prokurorit kujdestar janë ndaluar tre personat e dyshuar për 48 orë, ku një nga të dyshuarit ka rezultuar të jetë zyrtar policor. Rasti penal është filluar në drejtim të veprës penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike”, thuhet në përgjigjen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.

    Sa i përket zyrtarit policor, hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me inspektoratin policor.

    “Me të pranuar informacionin, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e IPK-së. Si pjesë e procedurave, ai është suspenduar”, thuhet në përgjigjen nga IPK.
    Seanca për caktimin e masës së sigurisë, do të mbahet paraditen e së mërkurës.

  • Musk: Në të ardhmen, do të ketë më shumë robotë se sa njerëz në botë

    Musk: Në të ardhmen, do të ketë më shumë robotë se sa njerëz në botë

    Në të ardhmen do të ketë më shumë robotë se sa njerëz në botë, tha sipërmarrësi amerikan Elon Musk, i cili iu drejtua pjesëmarrësve të konferencës së investimeve në Riad përmes një video. Ai shprehu optimizëm për zhvillimin e inteligjencës artificiale, por vuri në dukje se ka një shans 10 deri në 20 për qind që gjërat të shkojnë keq dhe përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se AI mund të përbëjë një “kërcënim ekzistencial”, sipas Bloomberg.

    Sipas Musk, sistemet e Inteligjencës Artificiale janë dhjetë herë më të mirë sesa ishin në 12 muajt e mëparshëm dhe “ndoshta në një ose dy vitet e ardhshme” ata do të jenë në gjendje të bëjnë gjithçka që njerëzit mund të bëjnë.

    Elon Musk njoftoi se kompania e tij SpaceX do të nisë anijen kozmike Starship në Mars pas dy vjetësh dhe se anija kozmike do të ketë një ekuipazh njerëzor për katër vjet.

  • Murati ka një sqarim shtesë për rritjen e pagave në sektorin publik nga viti i ardhshëmmn

    Murati ka një sqarim shtesë për rritjen e pagave në sektorin publik nga viti i ardhshëmmn

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se rritja e pagave për sektorin publik në vitin e ardhshëm do të bëhet për të gjithë shërbyesit civilë, e jo vetëm për kategoritë e prezantuara sot në një tabelë në konferencë për media.

    Murati këtë sqarim e ka bërë me anë të një postimi në ‘Facebook’, shkruan Insajderi.

    “Rritja do të jetë 110 euro në muaj për secilin punonjës të sektorit publik. Hyrja në fuqi e rritjes do të jetë e ndarë në dy faza – ku faza e parë prej janarit pagat rriten për 55 euro, ndërsa faza e dytë prej korrikut ku rritja bëhet 110 euro.

    Pra pagat rriten për të gjithë shërbyesit publikë, e jo vetëm për pozitat që i shfaqëm në tabelë gjatë konferencës. Tabela e shfaqur ishte vetëm për të ilustruar se si do dukej rritja për disa prej pozitave në sektorin publik”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij.

    Në tabelën krahasimore të prezantuar sot në konferencë, përmendeshin vetëm mësuesit, policët, infermierët, zjarrfikësit dhe ushtarët.

    Qeveria Kurti rriti pagat për sektorin publik që nga viti i ardhshëm në prag të zgjedhjeve parlamentare, data e së cilës është caktuar 9 shkurti i 2025-ës.

    “Përderisa në të kaluarën pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit dhe atë vetëm në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji”, deklaroi Kurti sot në konferencë.

  • 840 euro mësuesit: Abdixhiku me tabelë tregon sa do të rriten pagat me koeficientin prej 150 euro

    840 euro mësuesit: Abdixhiku me tabelë tregon sa do të rriten pagat me koeficientin prej 150 euro

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar përsëri pasi Qeveria Kurti vendosi që nga janari të rriten pagat për 55 euro për punëtorët e sektorit publikë.

    Abdixhiku ka shkruar se punëtorët nuk i kanë pagat anipse janë përballur me rritjet të çmimeve dhe në javën e parë të qeverisjes së tij do t’i rriten pagat.

    “Me krizën e madhe të inflacionit, me rritjen e paprecedentë të çmimeve, të gjithë shërbyesit publik meritojnë paga të dinjitetshme nga shteti për të cilin punojnë.”

    “Këto paga nuk i kanë sot! Këto paga do t’i kenë që nga java e parë e Qeverisë sonë! Ky është dallimi!Ky është ndryshimi!” – ka shkruar ai.

    Më tej, ai ka publikuar një tabelë se sa do të rriten pagat me koeficientin prej 150 eurove të premtuar nga LDK-ja.

  • Kurti: Me Qeverinë tonë pagat rriten çdo fillim vit, më herët vetëm në fushata

    Kurti: Me Qeverinë tonë pagat rriten çdo fillim vit, më herët vetëm në fushata

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se më herët pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit, dhe atë vetëm në fushatë.

    Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se Qeverinë Kurti rritja e pagave po bëhet në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave

    “Nga janari i vitit të ardhshëm zyrtarët publikë do të kenë paga më të larta. Më herët pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit, dhe atë vetëm në fushatë. Me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji. Vitin e ardhshëm pagat për punonjësit e sektorit publik do të rriten për 110 euro”.

    “Rritja do të bëhet në dy faza. Faza e parë fillon në janar të vitit të ardhshëm dhe parasheh një rritje prej 55 euro, kurse faza e dytë hyn në fuqi nga korriku i vitit 2025, për të plotësuar totalin prej 110 euro rritje, apo një njësi më lartë të koeficientit të pagës bazë”, ka thënë Kurti.

    Më tej, Kurti ka shtuar se rritja buxhetore është shpërndarë mbi-proporcionalisht tek ata që kanë pagat më të ulëta, “duke zvogëluar kësisoj edhe më tej hendekun në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët”.

    ” Pra, për mësuesin, policin, ushtarin, infermierin, zjarrfikësin, rritja në përqindje do të jetë rreth 18-20%, kurse për pozitat më të larta rritja në përqindje do të jetë 6-7%. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritjeje do të jetë rreth 120 milionë euro, e që bashkë me rritjen që kemi bërë për pensionet dhe për shtesat për fëmijë, e sjell totalin në 280 milionë euro më shumë para në xhepat e qytetarëve vetëm nga këto tre masa”.

  • ​AAK: Nuk e mbështesim rritjen e pagave, është mashtrim

    ​AAK: Nuk e mbështesim rritjen e pagave, është mashtrim

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se rritja e pagave në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm, është e kundërligjshme me ligjin aktual për buxhetin.

    Deputeti Tahiri ka thënë se rritja e pagave nga janari i vitit 2025 ‘është mashtrim’.

    “Ajo çka keni pa sot në konferencën e Kryeministrit dhe Ministrit të financave, në esencë është skandaloze, në përmbajte është mashtrim dhe në kuptimin e plotë të komunikimit të një politike publike është dështim. Ajo çka ka ndodhur në këtë konferencë, shpërfaq një mashtrim që në esencë nuk e rrite pagën. Për shkak se rritja e njësive në formë hierarkie të koeficientit që gjendet në shtojcën e ligjit të pagave mundet të ndodhë vetëm në qoftë se ky ligj i nënshtrohet një procesim konsultimi dhe amandamentimi në Qeveri dhe pastaj në dy lexime në parlament”, ka thënë Tahiri.

    Sipas Tahirit, rritja e pagave për 80 mijë punëtorë në sektorin publik, ‘është blerje votash për zgjedhjet që do të mbahen në shkurt 2025’.

    “Ajo çka ka ndodhur, është për momentin e kundërligjshme dhe për të hyrë në fuqi do të duhej të hy në një procedurë ligji i pagave. Me mashtrua një korpus prej 80 mijë njerëzve, prej të cilëve kërkon me këtë qasje, të bëhet një blerje votash”, ka shtuar ai.

    Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga janari i vitit të ardhshëm të rris pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro.

    Nga kjo rritje do të përfitojnë, mësuesit, policët, infermierët, ushtarët dhe zjarrfikësit.

    Sipas prezantimit të tabelës, mësuesit aktualisht kanë 616 euro pagën bazë, ndërkaq me rritje do të marrin 726 euro.

    Policët nga 550 euro do të marrin 660 euro, infermierët nga 605 do të marrin 715 euro, zjarrfikësit nga 550 euro do të marrin 660 euro dhe ushtarët nga 616 euro do të marrin 726 euro.

    Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro./kp

  • Publikohen rezultatet e testit fizik për kandidatët që kanë aplikuar për ushtarë aktiv

    Publikohen rezultatet e testit fizik për kandidatët që kanë aplikuar për ushtarë aktiv

    Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka publikuar rezultatet e testit fizik të datës 29.10.2024.

    Në njoftim bëhet e ditur se kandidatët që kanë aplikuar për ushtarë aktiv kanë të drejtë ankese dy ditë: 30 dhe 31 tetor, shkruan Insajderi.

    “Ankesa duhet të dërgohet në e-mailin zyrtar të Zyrës së Rekrutimit: [email protected] me titull Ankesë dhe në përmbajtje të ankesës të jetë i specifikuar kodi i aplikimit”, thuhet në njoftim.

    Linkun e rezultateve mund ta gjeni KËTU

  • SPAK-u sekuestron një apartament të ish-ministrit të Shëndetësisë, Beqaj

    SPAK-u sekuestron një apartament të ish-ministrit të Shëndetësisë, Beqaj

    Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri (SPAK) të martën është sekuestruar një apartament i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

    Ish-ministri ndodhet në paraburgim që prej korrikut.

    SPAK-u ka thënë se në kuadër të hetimeve ndaj tij është identifikuar një pasuri e paluajtshme, apartament banimi në Lungomare, në qytetin bregdetar të Vlorës.

    Sipas Prokurorisë, në korrik të këtij viti është kryer një kontroll, ku janë siguruar të dhëna me interes për hetimin.

    “Kjo pasuri, apo investimet e kryera për mobilimin e saj, nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të”, ka thënë Prokuroria.

    Sipas hetimeve, në vitin 2016 apartamenti është blerë nga një shtetas që rezulton të ketë lidhje me ish-ministrin, në vlerë të 67 mijë eurove.

    Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ish-ministri i Shëndetësisë dhe bashkëshortja e tij, proces që ka zgjatur dy vjet.

    Vlera e investuar shkon në 50 mijë euro.

    Më pas, në vitin 2020 është lidhur kontratë qiraje mes personit që e bleu apartamentin dhe bashkëshortes së ish-ministrit Beqaj.

    “Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të pronës së paluajtshme deri në fillim të vitit 2019”, ka bërë të ditur Prokuroria.

    SPAK-u thotë se këto fakte vërtetojnë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e çdo veprimi, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës.

    Për këtë arsye SPAK ka kërkuar sekuestrimin e pronës dhe vendimi është zbatuar nga Policia e Vlorës.

    Ish-ministri i Shëndetësisë i Shqipërisë, Ilir Beqaj është arrestuar më 4 korrik.

    SPAK tha se në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj, në bashkëpunim me vartës të tij, gjatë viteve 2022-2023, kanë kryer procedura prokurimi fiktive, në kundërshtim me marrëveshjet e firmosura nga Shqipëria dhe Komisioni Evropian.

    Bëhet fjalë për të paktën tetë shërbime të prokuruara.

    Sipas Prokurorisë, tenderët që janë zhvilluar me prokurim të thjeshtë, janë urdhëruar nga Ilir Beqaj.

    Beqaj dha dorëheqje nga posti i drejtorit të Agjencisë nëntorin e vitit të kaluar, pasi iu caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim daljeje jashtë shtetit”, për shkak të hetimeve për dosjen “Sterilizimi”.

    Përveç Beqajt, u arrestuan edhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj agjencie.

    Pas hetimeve dhe kërkesës së SPAK-ut, gjykata caktoi masë arresti për Beqajn dhe dy bashkëpunëtorë të tij.

    Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohen për kryerje të veprave penale, “korrupsion pasiv”, “korrupsion aktiv”, “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”, “mashtrim” si dhe “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë”.

    Ndërkohë, Ilir Beqaj është duke u hetuar edhe një rast tjetër të ndarë, i cili lidhet me dyshimet për abuzime në koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.

    Prokuroria e akuzon atë për “shpërdorim të detyrës” në lidhje me një kontratë 10-vjeçare për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale.