ATV

Author: ATVLive

  • Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar gjykimi për Masakrën e Dubravës

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka vazhduar gjykimi për Masakrën e Dubravës

    Përgatiti: Nora Luta

    25 vjet pas, i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Agron Ramadani, për ditën kritike rrëfeu të mërkurën para trupit gjykues të Gjykatës së Prishtinës.

    Kjo gjykatë për përfshirje në këtë masakër po e gjykon Gavrilo Milosavlevicin.

    Ramadani, që ishte në një qeli me Ukshin Hotin, tregoi se përveç keqtrajtimeve fizike, gjatë prillit të 1999-s, përjetuan edhe dhunë psikike nga gardianët të nacionalitetit serb.

    E një muaj pas edhe ishte plagosur.

    Ramadani tha se gardiani me nofkën Gagi, e keqtrajtoi të burgosurin Shkëlzim Zllanoga, madje e kishte detyruar edhe të këndojë në gjuhën serbe.

    Të akuzuarin, ish-i burgosuri politik e përshkroi si keqtrajtues, por identifikimi i drejtpërdrejtë në sallën e gjykimit nuk iu lejua nga gjykata, pas ankesës së mbrojtjes.

    Por, dëshmitari e kishte identifikuar atë edhe në polici.

    Megjithatë, Ramadani tha se të akuzuarin e njeh shumë mirë dhe i dorëzoi gjykatës disa fotografi.

    65-vjeçari nga Istogu, Gavrilo Milosavleviç, akuzohet se individualisht dhe në bashkëkryerje me forcat serbe, mori pjesë në masakrën e Dubravës.

    PSRK-ja është duke hetuar edhe persona të tjerë të dyshuar për përfshirje në këtë masakër, gjatë së cilës u vranë 160 persona, e mbetën të plagosur më shumë se 300.

  • Njohësit: Qeveria shkeli Ligjin per Pagat ne Sektorin Publik me rritjen e koeficientit dy here

    Njohësit: Qeveria shkeli Ligjin per Pagat ne Sektorin Publik me rritjen e koeficientit dy here

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Asnjë koeficient në këto tabela të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, nuk do të vlejë nga janari, prej kur pritet të hyjë në fuqi vendimi i qeverisë për rritjen e pagave. Të gjithë zyrtarëve do t’u rritet koeficienti për 0.5, dhe po kaq edhe në korrik 2025, që do të thotë dy herë nga 55 euro rritje.

    Njohësit thonë se kjo formë përbën shkelje ligjore.

    “Neni 42 i Ligjit e kufizon mundësinë e qeverisë apo partive në pushtet që të ndryshojnë strukturën, komponentët apo nivelin e koeficienteve tanimë të përcaktuar në katalogun që është pjesë e ligjit, pikërisht për këtë qëllim është vendosur ky nen…”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD.

    Ndërsa, Neni 9 i po këtij ligji ia lejon qeverisë përcaktimin e vlerës monetare, çdo vit, me Ligjin për Buxhetin. Aktualisht vlera e koeficientit është 110 euro.

    Që të shmanget pabarazia, Miftaraj konsideron se ka mundësi ligjore të tjera.

    “Nëse paga e presidentes është shumë e madhe, merr vendim rriti pagat vetëm për mësimdhënësit, policët, zjarrfikësit, sepse edhe në këtë formë nuk ka barazi, sepse koeficienti është rritur tek të gjithë njësoj..”, tha Miftaraj.

    Ndërsa, Arton Demhasaj nga ÇOHU thotë se rritja e pagave do të duhej të ishte paralel me zhvillimin ekonomik.

    Ligji për Paga në Sektorin Publik u miratua në fund të vitit 2022.

  • Poetët e njohur, Lulzim Tafa dhe Sali Bashota, kanë mbajtur orë letrare me lexues

    Poetët e njohur, Lulzim Tafa dhe Sali Bashota, kanë mbajtur orë letrare me lexues

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Lindja, dashuria dhe vdekja, janë kryetemë gati në çdo vepër të poetit Lulzim Tafa.

    Për rëndësinë e dashurisë mes fillimit dhe fundit të jetës, të mërkurën, Tafa foli edhe para studentëve të kolegjit AAB.

    Gjatë orës letrare, rëndësi të veçantë iu kushtoi kolegëve të ndjerë, me të cilët kishte ndarë momentet më të
    veçanta, e prej të cilëve motivohej ta pasuronte çdo faqe të veprave të tij.

    “Nuk e harroj asnjëherë kur Vehbi Kikaj ma zgjati dorën dhe më tha: në të ardhmen ti do të bëhesh shkrimtar… Ali Podrimja më thirrte në telefon dhe vetëm fillonte (i thotë disa vargje), ma mbyllte telefonin, pas 5 minutash më thërriste përsëri dhe më pyetke a të pëlqeu poezia që sapo e shkrova”, tha Tafa.

    Kujtimet më të mira që lanë pas këta shkrimtarë, Tafa i kujtoi bashkë me poetin Sali Bashota.

    Në këtë rast, edhe Bashota thuri fjalët më të mira për Tafën.

    “Luli është poet i veçantë në formën e të shkruarit, bën për vete çdo lexues dhe vargjet e tij kanë shumë kuptim”, tha Bashota.

    Lexuesit e poezive të Tafës, patën disa pyetje për të.

    “A ka raste kur nuk mund ta përshkruash një gjendje me fjalë?”, tha Xhevahire Izmaku, profesoreshë.

    “Shpesh, por shkrimet ashtu si gjumin nuk i lus, deri të më vijë ndjenja e shkrimit”, tha Tafa.

    Bashkëbisedimi mes të dy poetëve dhe lexuesve, u realizua në kuadër të PEN Qendrës së Kosovës, në mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

    Poeti Lulzim Tafa është i njohur për poezitë e tij dhe hyn në mesin e poetëve më të përkthyer shqiptarë, njëherësh laureat i shumë çmimeve ndërkombëtare.

    Përpos çmimeve, mban shumë tituj nderi në akademi e në universitete botërore.

  • Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2025, me vlerë 3.6 miliardë euro

    Qeveria miraton projektbuxhetin për vitin 2025, me vlerë 3.6 miliardë euro

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Si rrallëherë, qeveria thirri mbledhje me vetëm një pikë në rend dite.

    Në mbledhjen e 227-të ekzekutivi miratoi projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove, më i larti deri më tani.

    “Rekordi historik i një qeverie që e çon mandatin deri në fund dhe miraton 4 buxhete. Ky i vitit 2025 buxheti shënon nivelin 3.6 miliardë euro, 8.7 për qind më i lart se buxheti i kaluar”, tha kryeministri Albin Kurti.

    Nga shuma totale, 916 milionë do të ndahen për paga në sektorin publik.

    Rritje të buxhetit do të ketë edhe për institucionet e sigurisë, e atë të shëndetësisë.

    “Mallra dhe shërbime 105 milionë për nevojat e shëndetësisë, 87 milionë të tjera për nevojat e sigurisë dhe mbrojtjes, municion pajisje të nevojshme, policia dhe ushtria t’i kryejnë detyrat”, tha Kurti.

    100 milionë euro të tjera shtesë do të shkojnë për pensionistët, ndërkaq shuma më e madhe është ndarë për investime kapitale, plot 930 milionë euro.

    “Investime kapitale në infrastrukturë 930 milionë euro, ndërtim të rrugëve dhe hekurudhave, rruga Prizren – Tetovë. Investime edhe në furnizimin me ujë për zonën e Anamoravës, Investime në pjesën veriore të vendit”, tha Kurti.

    200 milionë të tjera do të shkojnë për infrastrukturë sportive, veçanërisht për Lojërat Mesdhetare 2030.

    Tutje, kryeministri përmendi edhe rritjen e buxhetit për komuna, në total 788 milionë, apo 240 milionë më shumë sesa kur morën mandatin.

    Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se ky buxhet do të jetë në mbështetje të qytetarëve dhe familjeve.

    Krejt në fund, kreu i ekzekutivit pati një mesazh për qytetarët, karshi premtimeve të partive tjera.

  • Shtyhet sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Shtyhet sërish votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Deputetët u bënë bashkë për të mbajtur seancë këtë të mërkurë.

    Por edhe pse opozita ishte prezente, ajo nuk mori pjesë në asnjë votim.

    Andaj për kalimin e projektligjeve u kërkua më shumë vëmendje nga deputetët e pushtetit.

    “Arsyeja përse kemi ardhur në seancë është për t’i miratuar këto projektligje”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Me votat e pozitës disa projektligje u miratuan, por për disa votat e tyre nuk mjaftuan.

    Marrëveshjet ndërkombëtare u shtynë për një seancë tjetër.

    “Po e shoh që nuk ka atmosferë që të votohen dhe kërkoj nga Sekretaria e Kuvendit që pikën e 6, 7 dhe 8, të tria marrëveshjet ndërkombëtare të barten kurdo që ka mundësi Kuvendi t’i trajtojë në ndonjë seancë të ardhshme”, tha Konjufca.

    Por, për projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fetilizimin e asistuar mjekësor, si dhe atë për gjendjen civile pati kundërshtime edhe nga vetë deputetët e Vetëvendosjes.

    Ndërkohë, opozita mori fjalën në kuvend për një propozim. Megjithatë, ajo u kërkua nga mazhoranca që të mos votohet.

    Kritika nga opozita pati edhe për programin kombëtar për integrim evropian 2024-2028, por pavarësisht kësaj, programi u miratua.

    Në Kuvend nuk i morën votat e mjaftueshme Projektrezoluta për përgjimet e Mimoza Kusari Lilës me Milan Radojcic, ajo për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Kosovës, e as ajo për skandalet dhe keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës.

  • Mjegull e vranësira, parashikimi i motit për të mërkurën

    Mjegull e vranësira, parashikimi i motit për të mërkurën

    Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell gjatë ditës, ndërsa në orët e mëngjesit pritet të ketë mjegull e vranësira të ulëta nëpër lugina dhe ultësira.

    Era do fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut me shpejtësi prej 6-30 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 6 deri në 8°C, ndërsa ato maksimale prej 16 deri në 19°C. /MeteoKosova/

  • Lushtaku: Sektori publik nuk e ka pritur mirë rritjen të pagave, Qeveria ka luajtur me termin ‘rritje të koeficientit’

    Lushtaku: Sektori publik nuk e ka pritur mirë rritjen të pagave, Qeveria ka luajtur me termin ‘rritje të koeficientit’

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Mërgim Lushtaku, në emisionin COMPAS në ATV, duke komentuar rritjen e pagave nga Qeveria e Kosovës, tha se sektori publik nuk e ka pritur mirë këtë rritje të pagave.

    “Besoj se në fund të mandatit po shihet se kjo Qeveri është shumë e lodhur dhe njëkohësisht po dërgon dobësi edhe në arritjen e kërkesave që e kanë edhe sektori publik edhe privat dhe në këtë aspekt, ne i shohim edhe sindikatat, i shohim edhe sektorin publik në përgjithësi në të gjitha kategoritë, nuk e kanë pritë mirë këtë rritje të pagave nëse mund të quajmë rritje të pagave. Këta kanë luajtur me termin rritje të koeficionetit që pastaj mos me ra keq në publik, sidomos ndaj atyre që marrin paga në sektorin publik”, tha Lushtaku.

    Ai ka thënë se kjo vlerë e koeficientit nuk është një rritje e madhe në krahasim me rritjen e çmimeve në përditshmëri, që sipas tij, e ka varfëruar edhe Qeverinë Kurti. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin COMPAS në ATV, në videon më poshtë:

  • Tragjedia në Burgun e Hajvalisë në Prishtinë, gazetari zbulon detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Tragjedia në Burgun e Hajvalisë në Prishtinë, gazetari zbulon detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Brenda qelisë së tij në Burgun e Hajvalisë në Prishtinë, duke e përdorur jelekun e burgut, një person është vetëvrarë, raporton për emisionin COMPAS gazetari i ATV-së, Armand Hoti, direkt nga vendi i ngjarjes.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës, tashme ka themeluar një komision hetimor që po mirret me rrethanat e zbardhjes së këtij rasti, ndërkaq nga komunikata nga SHKK ka lëshuar oficerët që gjendeshin aty brenda, kanë tentuar që ta dërgojnë atë në QKUK, por ai nuk arriti të mbërrij atje me shenja jete.

    “Ajo çka ne kemi kuptuar nga burimet tona, është se personi i cili ka bërë vetëvrasjen, është Aleks Gerbi, pra është po i njëjti person, i cili gjatë muajit shtator është kapur në një plantacion droge, ku Prokuroria Themelore e Pejës në bashkëpunim me Policinë kanë kapur rreth një ton drogë”, raporton gazetari Hoti.

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin COMPAS në ATV, në videon më poshtë:

  • A ka dështuar vettingu në drejtesi? – Flet Albert Zogaj nga KGJK

    A ka dështuar vettingu në drejtesi? – Flet Albert Zogaj nga KGJK

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, duke folur për idenë e vettingut, tha se pako e reformës që tashmë është e dakortësuar tanimë në mes të Qeverisë dhe Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Porkurorial, po edhe e Akademisë së Drejtësisë është një pako gjithëpërfshirëse që ka adresu të gjitha çështjet që kanë qenë objekt diskutimi për shumë çështje në sistemin e drejtësisë.

    “Është një pako që ka edhe vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por sigurisht ka edhe përspektivën e raportit të Venecias, vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të vlerësimit që ne e kemi i bërë bashkë të gjitha institucionet. Është një pako që në momentin që miratohet, besoj se ka me e përmbyll për një kohë të gjatë çështjen e nevojës për reformë në sektorin e drejtësisë dhe sigurisht që ka me e hapë një pjesë të dytë për diskutimin e saj që është pjesa e insititucioneve dhe që besoj se kjo pako duhet të çmohet dhe vlerësohet nga të gjithë, për faktin që ka legjitimuar të gjitha institucionet dhe ka edhe zotime të institucioneve për zbatimin”, tha Zogaj.

    Ai tha se kjo pako e dakortësuar dhe që pritet miratimi, është që nuk varet më as nga KGJK dhe as nga Këshilli Prokurorial, por ekskluzivisht nga Qeveria.

  • Zogaj për rastin Sekiraqa: Në asnjë vend në botë, nuk mund të shkarkohet një gjyqtar nëse nuk ka marrë një vendim në kundërshtim me ligjin

    Zogaj për rastin Sekiraqa: Në asnjë vend në botë, nuk mund të shkarkohet një gjyqtar nëse nuk ka marrë një vendim në kundërshtim me ligjin

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në emisionin CONTEXT në ATV, i pyetur që nëse një gjyqtar që merr vendim për me e mabjtë të lirë Enver Sekiraqën apo një tejtër që shqipton 8 muaj burgim për dhunimin e një të miture, ai tha se në asnjë vend të botës, nuk shkarkohet një gjyqtar për një vendim në këtë mënyrë apo në një mënyrë tjetër, por thotë ai, nëse merr një vendim në kundërshtim me ligjin.

    “Secili gjyqtar që merr një vendim në kundërshtim me ligjin me qëllim me e ndihmu një palë, me e dëmtu një palë apo me përfitu për veti, kryen vepër penale. Pra, ne duhet me e provu në çdo rast kur kemi diskutim mbi një vendimmarrje se gjyqtari ka pasur një motivacion, me e dëmtu dikë, me e favorizu dikënd ose me përfitu për veti, pastaj ne nuk flasim për një standard të aplikimit të ligjit, por po flasim për një konsum të veprës penale nga ana e gjyqtarit, i cili automatikisht nënkupton që të suspendohet dhe kalon në një proces dhe shkarkohet. Për derisa, nuk mund të rrëzohet prezumimi i paanësisë së gjyqtarit në proces, pra për derisa ekziston prezumimi se ai ka qenë i paanshëm në proces, por mund të ketë pasë vlerësime të gabuara, absolutisht nuk mund të shikohet vendimmarrja”, tha Zogaj.