ATV

Author: ATVLive

  • Vdes një grua pas një aksidentit mes tri veturave në Bresalc të Gjilanit

    Vdes një grua pas një aksidentit mes tri veturave në Bresalc të Gjilanit

    Në aksident trafiku mes tri automjeteve në Bresalc të Gjilanit la të vdekur një person.

    Rastin e konfirmoi zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

    Si pasojë e aksidentit u lënduan tre persona, por një grua rreth 46-vjeçare nuk mundi të iu bëjë ballë plagëve të marra.

    “Ju njoftojm se në aksidentin e trafiku mes tri automjeteve, që ka ndodh me datë 31.10.2024 rreth orës 15;00h ,ku si pasoj e këtij aksidenti kanë qenë të lënduar tre persona. Ata janë dërguar me urgjencë në qendrën emergjente në Gjilan për ndihmë mjekësore. Pasagjerja shtetase e Kosovës (1978), si pasojë e lëndimeve të marra në aksident ka ndërruar jetë ku vdekjen e saj e kanë konstatuar mjekët në QE-Gjilan. Me vendim të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në obduksion. Hetues policor të aksidenteve nga njësiti i trafikut rajonal janë duke hetuar rrethanat e këtij aksidenti të rëndë.”, ka thënë ai.

    Hetues policor të aksidenteve nga njësiti i trafikut rajonal janë duke hetuar rrethanat e këtij aksidenti të rëndë.

  • ​Sondazhi: Votuesit në Miçigan ndanë në mënyrë të barabartë Harris e Trump

    ​Sondazhi: Votuesit në Miçigan ndanë në mënyrë të barabartë Harris e Trump

    Votuesit amerikanë në Miçigan janë të ndarë në mënyrë të barabartë midis nënpresidentes, njëherësh kandidates demokrate për president Kamala Harris dhe ish-presidentit nga radhët e republikanëve Donald Trump, sipas një sondazhi të Washington Post të publikuar të enjten.

    Shteti i fushëbetejës mbetet një sfidë në javën e fundit të zgjedhjeve të planifikuara për të martën e ardhshme.

    Sondazhi tregon se votuesit e regjistruar në shtet janë të ndarë në 47% për Trump dhe 45% për Harris. Mes votuesve të mundshëm, shifrat ndryshojnë pak, me Harris që kryeson me 47% ndaj 46% të Trump.

    Të dy marzhat bien brenda kufirit të gabimit të sondazhit prej 3.7 pikë përqindjeje, duke e lënë garën shumë afër për të thirrur.

    Me 15 vota elektorale, Miçigan, së bashku me Pensilvaninë dhe Wisconsin, formuan një “mur të kaltër” për presidentin Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

    Arizona, Xhorxhia, Nevada, Karolina e Veriut, Pensilvania dhe Wisconsin janë gjashtë shtetet e tjera kyçe në zgjedhje, të cilat janë thelbësore sepse SHBA nuk zgjedh drejtpërdrejt presidentët e saj.

    Në vend të kësaj, procesi zhvillohet përmes Kolegjit zgjedhor, ku 538 përfaqësues votuan në përputhje me rezultatet e tyre shtetërore.

    Secili kandidat duhet të sigurojë 270 vota të Kolegjit zgjedhor për të shpallur fitoren. Zgjedhësit ndahen në shtete bazuar në popullsinë e tyre dhe shumica e shteteve i japin të gjithë elektorët e tyre cilitdo kandidat që fiton shtetin në votimin e përgjithshëm.

    Megjithatë, modeli fituesi i merr të gjitha nuk përdoret në Nebraska dhe Maine, të cilat në vend të kësaj i shpërndajnë votat e tyre në mënyrë proporcionale bazuar në rezultatet e tyre përfundimtare.

    Dita e zgjedhjeve, duke përfshirë zgjedhjet presidenciale dhe ato të kongresit, është caktuar për 5 nëntor. /AA

  • ​Promovohet romani i njohur “Zgjerimi” i shkrimtarit austriak Robert Menasse

    ​Promovohet romani i njohur “Zgjerimi” i shkrimtarit austriak Robert Menasse

    Romani “Zgjerimi” i shkrimtarit austriak Robert Menasse, është vlerësuar i nevojshëm për kuptimin dhe mënyrën e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian. Leximi është organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë në bashkëpunim me Ambasadën e Austrisë në Prishtinë.

    Menasse të enjten lexoi pjesë nga romani i tij në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

    Pjesë e këtij aktiviteti ishin ambasadorë të akredituar dhe përfaqësues të Universitetit të Prishtinës.

    Ambasadori i Austrisë në Prishtinë, George Schnetzer, vuri në pah se romani “Zgjerimi” ka fituar disa çmime ndërkombëtare. Ai tha se ky libër është i pari që merret me çështje të zgjerimit të BE-së, por veçon edhe rastin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

    “Si roman është vijimësi i romanit ‘Kapital’ që është botuar në vitin 2015 e sipas ekspertëve është i pari roman që merret me BE-në dhe me çështje të zgjerimit të BE-së, por merret më konkretisht me rastin e Shqipërisë. Autori ka bërë shumë hulumtime si në Bruksel ashtu edhe në Shqipëri. Ai është botuar në vitin 2022 dhe është shpallur si fitues i çmimit evropian të librit në Gjermani”, tha ai.

    Zëvendës shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, tha se ky roman jep detaje mbi mënyrën e vendimmarrjes në Bashkimin Evropian.

    “Në institucionet e BE-së në Bruksel bëhen shumë përpjekje për komunikimin për të gjetur se si mënyrat e vendimmarrjes për BE-në të jenë të kuptueshme për publikun pasi që ka shumë gjuhë dhe shumë media. Kjo nuk është e lehtë. Unë kam punuar për 15 vjet në BE dhe mund të them se zotëri Menasse ia ka dalë të prezantojë punën e Brukselit në romanin e tij”, tha ajo.

    Autori Robert Menasse tregoi detaje mbi përmbajtjen e librit të tij. Ai duke lexuar disa fragmente të romanit, tha se ka përdorur shumë simbolika të cilat sipas tij janë fenomen i pushtetit. Po ashtu, foli për planet e zgjerimit të BE-së dhe nacionalizmin në vendet anëtare për idetë e zgjerimit.

    “Simbolet duket se kanë rëndësi të jashtëzakonshme në politikë, sidomos kur politika nuk është në gjendje të zgjidhë problemet. Atëherë duhesh zëvendësuar kënaqësinë e votuesve dhe këtë e bën përmes simboleve. Tash është bërë madje e rrezikshme sidomos për politikën evropiane, pasi mund t’iu jepet shembull sesa e pakuptimtë është kjo. Elita e BE-së, burokraten, që kohë pas kohe munden me gjet narrativë të BE-së, pasi s’ka një simbol që shtetasve të BE-së iu jep një identitet dhe kështu me radhë… Si gjithçka në histori ka dinamika që janë në kontradiktë me njëra-tjetrën, ka shtete ku shumica e popullsisë ka frikë nga zgjerimi dhe nuk dëshirojnë zgjerimin. Për shembull, ka ide të çmendura kur, për shembull, dëgjojnë fjalën shqiptar dhe të asociojnë me mafioz… Zgjerim i madh me Rumaninë dhe Bullgarinë – ky zgjerim u bë pak si shpejt dhe tash me përvojën dhe problemet e atëhershme, andaj tash po ecën kaq ngadalë”, theksoi ai.

    Romani “Zgjerimi” u konsiderua i domosdoshëm për lexim edhe nga të pranishmit. /KP

  • ​Para-aplikimi në SEPA, guvernatori Ismaili takoi kreun e DG FISMA

    ​Para-aplikimi në SEPA, guvernatori Ismaili takoi kreun e DG FISMA

    Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili dhe zëvendës guvernatori Dardan Fusha kanë diskutuar sot gjatë një takimi me John Berrigan, drejtor i përgjithshëm për stabilitet financiar, shërbime financiare dhe tregjeve të kapitalit në DG FISMA mbi para-aplikimin e BQK-së për anëtarësim në Zonën e Unike të Pagesave në Euro (SEPA), që u dorëzua më 14 tetor 2024.

    Diskutimet u përqendruan në reformat dhe përparimin e rëndësishëm nga BQK në harmonizimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë përgatitjen e ndryshimeve ligjore të nevojshme që mundësuan para-aplikimin për anëtarësim në SEPA.

    Gjatë takimit, DG FISMA konfirmoi pranimin e para-aplikimit të BQK-së duke njohur punën e madhe të kryer nga BQK-ja për të arritur këtë moment të rëndësishëm. Para-aplikimi gjithashtu është dorëzuar në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC).

    Takimi theksoi nevojën për miratimin përfundimtar të dy ligjeve kryesore – Ligjin për bankat dhe Ligjin për shërbimet e pagesave që do t’i lejojnë DG FISMA të ofrojë një vlerësim të plotë, me komentet dhe rekomandimet përkatëse gjatë kësaj faze fillestare.

    DG FISMA rikonfirmoi zotimin e saj për të trajtuar në mënyrë efikase para-aplikimin, duke pritur pranimin e legjislacionit të miratuar përfundimisht për të ofruar udhëzime të mëtejshme mbi hapat pasues që duhen ndjekur drejt anëtarësimit përfundimtar në SEPA.

    BQK shprehu gatishmërinë për të adresuar me prioritet çdo sugjerim nga DG FISMA, ndërkohë që gjithashtu shprehu besimin se Kuvendi në përputhje me procedurat ligjore do të përshpejtojë miratimin e projektligjeve.

    Pas përfundimit të kësaj faze, procesi do të vazhdojë në Këshillin Evropian të Pagesave (EPC), ku një vendim përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në SEPA mund të pritet vitin e ardhshëm si pjesë e iniciativës më të gjerë të integrimit të Ballkanit Perëndimor.

    BQK shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Komisioni Evropian, në veçanti DG FISMA dhe DG NEAR, gjatë këtij procesi të rëndësishëm. BQK gjithashtu shprehu mirënjohjen për mbështetjen nga Banka Botërore dhe partnerë të tjerë për arritjen e dorëzimit të para-aplikimit.

    Integrimi në SEPA pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike, duke përfshirë një kursim vjetor të vlerësuar rreth 55 milionë euro nga tarifat për transferet ndërkombëtare.

    Ky takim pasoi mbledhjen e 14 tetorit 2024, ku guvernatori Ismaili realizoi takimin me Koopman nga DG NEAR dhe një takim tjetër me drejtorin e Përgjithshëm të EPC-së së bashku me guvernatorë të tjerë rajonalë, si pjesë e procesit të integrimit rajonal të udhëhequr dhe mbështetur fuqishëm nga BE. Plani për Rritje i filluar së fundi është një ndër instrumentet kryesore që synon për arritjen e këtyre objektivave.

  • ​IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Prishtinë

    ​IPK rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve policorë në Prishtinë

    Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Njësitit të Reagimit të Shpejtë në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë, nën dyshimet se sot kanë arrestuar dhe shoqëruar një qytetar.

    Arrestimi i punonjësit vendor të sigurimit të Misionit EULEX ka ardhur pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private të cilën ishte duke drejtuar një zyrtar policor para hyrjes së parkingut të EULEX-it afër stadiumit “Fadil Vokrri”.

    Punonjësi vendor i sigurimit ishte në detyrë të sigurimit të auto-parkingut të veturave të EULEX-it në kohën e incidentit.

    Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë disa veprime fillestare hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent, i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes.

    Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se zyrtarët e përfshirë në këtë rast kanë kryer veprën penale keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.

    Hetuesit e IPK-së në koordinim më Prokurorinë e Shtetit do të vazhdojnë të ndërmarrin veprime tjera hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave që ndërlidhen me rastin.

  • Osmani viziton kampuset e Dohas, thotë se po punohet që studentët e Kosovës të kenë po të njëjtat kushte

    Osmani viziton kampuset e Dohas, thotë se po punohet që studentët e Kosovës të kenë po të njëjtat kushte

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar kampuset e universiteteve amerikane në Doha.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani thotë se ka diskutuar lidhur me këtë ekselancë në arsim, ku shton se synimi është që këto mundësi të vijnë sa më afër studentëve të Kosovës.

    “Universitete prestigjioze amerikane, si Carnegie Mellon, Georgetown, Northwestern, etj., kanë hapur kampuset e tyre në Doha, në kuadër të Education City, i financuar nga Qatar Foundation. Kjo është një dëshmi e ekselencës në arsim, e cila përfshin praktikat më të mira në ligjërim, hulumtim dhe zhvillim të aftësive. Sot diskutuan për partneritete që synojnë ta sjellin këtë ekspertizë dhe këto mundësi sa më afër studentëve dhe stafit tonë akademik, në mënyrë që të performojnë dhe navigojnë me sukses në një botë gjithnjë në zhvillim”, ka shkruar e para e vendit.

  • Vihet gurthemeli i një xhamie të re në qytetin e Gjilanit

    Vihet gurthemeli i një xhamie të re në qytetin e Gjilanit

    Është vënë një gurëthemel i xhamisë së re në Lagjen e Spitalit në qytetin e Gjilanit, përcjell Ekonomia Online.

    Në njoftim u tha se ndërtimi i kësaj xhamie e cila pritet të jetë më e madhja në Gjilan do të plotësohen të gjitha kërkesat e shumë banorëve për ndërtimin e një xhamie në këtë pjesë.

    Mirëpo, Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim Tërnava, u shpreh se ndërtimi i kësaj xhamie do të mundësojë adhurimin e Krijuesit dhe në veçanti do të shërbejë në edukimin e brezave të rinj në frymën islame e kombëtare.

    Ndërkaq edhe kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, tha se është mjaft i gëzuar me këtë projekt dhe sipas tij përveçse kjo xhami do ta zbukurojë Gjilanin do të ndikojë edhe në edukimin e brezave të rinj.

  • AGK: Të shqetësuar me rastin e gjetjes së pajisjes gjurmuese në veturën e Vehbi Kajtazit

    AGK: Të shqetësuar me rastin e gjetjes së pajisjes gjurmuese në veturën e Vehbi Kajtazit

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për rastin e gjetjes së një pajisjeje gjurmuese në veturën e gazetarit kosovar, Vehbi Kajtazi.

    Në reagimin e lëshuar për media thuhet se këtë e konsiderojnë si një rast të paprecedentë, AGK bën thirrje që autoritetet e sigurisë të hetojnë rastin në detaje dhe të zbardhin sa më shpejt rrethanat e kësaj ngjarjeje.

    “AGK do të përcjellë me vëmendje zhvillimet lidhur me rastin në fjalë, deri në sqarimin e tij të plotë nga autoritetet e sigurisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

  • Fillon pastrimi i shtretërve të lumenjve dhe rrjedhave ujore në Prishtinë

    Fillon pastrimi i shtretërve të lumenjve dhe rrjedhave ujore në Prishtinë

    Komuna e Prishtinës njofton se me qëllim të parandalimit të vërshimeve dhe ruajtjen e mjedisit, po bëhet pastrimi i shtratit të lumit Prishtevka dhe largimin e mbeturinave në zonën e njohur si “Fusha e Pajtimit.”

    Sipas Komunës ky aksion synon të përmirësojë cilësinë e mjedisit dhe të minimizojë rrezikun e përmbytjeve në qytet.

    “Njëkohësisht, Kryeqyteti kërkon mbështetjen dhe bashkëpunimin e qytetarëve për të mbajtur hapësirat publike të pastra dhe për të parandaluar ndotjen, duke kontribuar kështu në një ambient më të sigurt dhe më të shëndetshëm për të gjithë”, thuhet në njoftim.

    Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama bashkë me ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca, inspektuan nga afër procesin e pastrimit.

    Rama informoi se pastrimi i tillë i shtretërve të lumenjëve do të bëhet edhe në zonat tjera të Prishtinës.

  • ​Rizvanolli dhe FMN diskutojnë zhvillimin e projekteve konkurruese për energji të erës prej 150 MW

    ​Rizvanolli dhe FMN diskutojnë zhvillimin e projekteve konkurruese për energji të erës prej 150 MW

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli mirëpriti në takim shefin e misionit të FMN-së në Kosovë, David Amaglobeli me delegacionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), që po vizitojnë Kosovën, në kuadër të vlerësimit vjetor për Artikullin IV.

    Në komunikatë thuhet se ky mision synon të vlerësojë zhvillimet ekonomike të Kosovës dhe përpjekjet për rritje të qëndrueshme dhe inkluzive ekonomike.

    “Gjatë këtij takimi, delegacioni i FMN-së dhe Ministrja Artane Rizvanolli diskutuan përparimin në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Një ndër temat kryesore të diskutuara ishte përparimi në projektet konkurruese prej 150 MË për energjinë nga era, të cilat janë duke u dizajnuar nga Ministria e Ekonomisë me mbështetje të USAID-it dhe me IFC-në si këshilltar kryesor të transakcionit”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se Rizvanolli informoi delegacionin mbi progresin në dizajnimin e projekteve konkurruese të energjisë nga era, të cilat synojnë të promovojnë investime të qëndrueshme në këtë sektor me potencial të lartë për Kosovën.

    Këto projekte konkurruese do të bashkëfinancohen nga Qeveria e Kosovës përmes fondeve të mundësuara nga marrëveshja e fundit me FMN për një program mbështetës, që synon përmirësimin e infrastrukturës së gjelbër dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.