Kryetar i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, duke folur për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit, tha se qytetarët kanë shpresuar në ndryshim, ndërsa sipas tij, për katër vite pushtet është parë se kjo shpresë është kthyer në mashtrim.
“Qytetarët e Kosovës kanë besuar në ndryshim dhe shpresë, e kanë pasur një grup politik të paprovuar, i cili nuk është kursyer në fjalët, në një lloj moralizimi politik që i ka pasë ba politikës së Kosovës, duke e prekur aty ku është i ndishëm qytetari, duke folur për atë që ka qejf me ndi qytetari dhe këta e lëshuan gjuhën e komunikimit deri në atë nivel sa që njerëzit, erdh një moment ndoshta, hajde t’i provojmë, ndoshta del diçka prej tyre, ka një ndryshim. Dhe kjo ngriti një shpresë të rrejshme, prandaj edhe njerëzit, pavarësisht kampeve politike ku kanë qenë, unë kështu të paktën në rrugëtim e sipër e kam kuptur, me ia dhanë një shansë vendit, këtij grupit, vetës ndoshta për një ndryshim. Çfarë ka ndodhur, për katër vite besoj se mjaftueshëm u pa që kjo Qeveri ishte një qeveri e mashtrimit, ajo shpresë u kthye në një mashtrim. Ai moralizim politik e kishte vetëm një objektivë, me ardhë deri në pushtet dhe me i përmbysë krejt ata që donin me ba diferencën me krejt të tjerët”, tha Limaj.
Intervistën e plotë të Fatmir Limajt në CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetar i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në emisionin CONTEXT në ATV, duke komentuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme, e cila nuk ishte përkrahur nga AAK-ja, vlerësoi se bëhej fjalë për një kurth të kryeministrit Kurti për PDK-në.
“Verës ka ndodhur gjëja më e mirë e mundshme që ka mujt me ndodh, që mos me ra në kurthin e Qeverisë. Më vjen mirë që shumica e partive opozitare nuk kanë ra në atë kurth, sepse koha e dëshmoi sepse prej qershorit deri tash e dini se çfarë zhvillimesh ka pasur”, tha Limaj.
Ai tha se kryeministri kishte nevojë për zgjedhje të shpejta, sepse sipas tij, ka pësuar debakël në qeverisje për katër vite.
“Aty u pa që Qeveria dhe kryeministri kishte nevojë për zgjedhje të shpejta pa pasur mundësi me bashkëbisedu, pa fushatë, pa asgjë, pa pasur mundësi me i trajtu këto gjëra si duhet, sepse ai e dinte dhe e din që ka pësuar debakël në qeverisje për katër vjet dhe atij nuk i konvenonte një fushatë normale ligjore siç është tash, sepse tash ka mundësi që njerëzit edhe me bashkëbisedu edhe me komuniku me qytetarin drejtpërdrejt edhe ka kohë të mjaftueshme edhe me e ba një rëngën të kësaj çfarë ka ndodhur në katër vite, por edhe me dhanë idetë për të ardhmen”, tha Limaj.
Intervistën e plotë të Fatmir Limajt në CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:
Për dikë që ka telashe të vishet, Besnik Bislimi shumë i ka qejf mediat.
Për më tepër, kurdo që njeri mundet, edhe jep këshilla:
Besoni ose jo, kësaj here kemi vendosur të përfillim një këshillë të Besnik Bislimit dhe kemi vendosur të shohim çka është puna e raportit vjetor të Komisionit Evropian!
Përpara i kanë thënë raporti i progresit, tash nuk i thonë më – ose dikush n Bruksel e ka marrë vesh që në Ballkan kurrë kurrkush progres nuk bën edhe ka qenë palidhje të mbahet ai emër, ose veç ata burokratët në Bruksel ia kanë ndryshu titullin, që ta shesin si produkt të ri dhe ti arsyetojnë rrogat, e ndërkohë popujt ballkanikë vazhdojnë të sundohen nga elita të korruptuara politike, të vuajnë nga sisteme jo efikase të drejtësisë, shëndetësisë e arsimit dhe të jetojnë në ambient të kontaminuar dhe të dëmtuar!
Mirëpo, titulli i dokumentit nuk është i rëndësishëm! E tash, aty ku dalloj unë me të tjerët, është që mënoj që as përmbajtja s’është bash fort e rëndësishme ose vendimtare, edhe tash ju kallëzoj PSE!!!
Raporti i Progresit, ose Raporti i Vendit për Kosovën botohet që gati 20 vjet, edhe një herë, gati 20 vjet, ma i vjetër është raporti i progresit sesa shteti i Kosovës.
Pra, nëse cilado qeveri ose cilado parti politike e kish marrë seriozisht raportin e progresit, ky vend kish pasë progres! Qeveritë janë ndërruar, ndonjëra ka pasur vlerësime të mira, ndonjëra të këqija, por aty-aty jemi!
Pse sivjet është interesant ky raport? Sepse është publikuar në javën kur dy kandidatë për KM kanë bërë mijëra kilometra duke kërkuar vota të diasporës, një tjetër ka qenë në Shtetet e Bashkuara, kurse i katërti është kah tenton të gërryejë terren në Kosovë. Më fjalë tjera jemi në fushatë!
Kjo është arsyeja pse një vlerësim është që ky është raporti më i keq për Kosovën i kohëve të fundit, kurse një vlerësim tjetër është që Kosova ka shënuar progres në gati të gjitha fushat përveç peshkatarisë dhe cila ishte ajo fusha tjetër…
Meqë jemi pajtuar që kosovarëve na frikësojnë tri gjëra: promaja, roamingu dhe leximi, e di që askush prej neve nuk hyn me e lexu krejt raportin e progresit dhe të konstatojë a ka punu mirë Qeveria Kurti, apo jo!
Veç se po kemi qejf të flasim për një dokument që nuk e kemi lexuar, edhe tu besojmë politikanëve, që po ashtu fort pak ka gjasa që e kanë lexuar, hajde të flasim çka ka në atë raport dhe si duhet matur progresi.
Raporti i Vendit vlerëson ecurinë e Kosovës në procesin e përafrimit të vet me kriteret e BE-së në 90 faqe dhe mbi 30 kapituj.
Në raportin e publikuar këtë javë përfshihet periudha prej 15 qershorit 2023 deri më 01 shtator këtë vit. P.sh. një pjesë e kritikave që i adresohen Kosovës për CEFTA dhe lëvizje të mallrave nuk vlejnë më sepse u hap kufiri për mallrat serbe dhe Kosova është sërish palë konstruktive.
Nëse raporti ish mshelë më 01 nëntor, e jo më 01 shtator, si progres do të numërohej miratimi i ligjit për mbrojtje të konsumatorit dhe ligjit për kripto asete, që ndodhi SOT në Kuvend.
Tash për këtë progres do të lexojmë në raportin e vitit të ardhshëm! Pra, po e shihni mund të shënohet si progres edhe diçka që në terren s’ ka hiç ndikim ose ka fare pak!
Kuptohet, raporti analizon gjendjen kërsh që e kemi në arsim, dhe gjendjen hiç të lavdueshme në shëndetësi dhe drejtësi dhe konstaton që Kosova ka bërë progres të kufizuaaaar.
E tash, zvkm aktual dhe të gjithë pararendësit e tij thonë që progresi i kufizuar, prapë është progres.
Ta sqarojmë këtë llaf – Komisioni Evropian i ka 5 vlerësime, për gjendjen aktuale në një fushë të caktuar, le të themi shëndetësi, ose gjyqësi ose ekonomi ose çkado!
Stad i hershëm i zhvillimi – që në përkthim nga Bruskelishtja bie kurrkah hiç!
Një farë niveli – ose some level – që në përkthim i bie 2sh,
Nivel i moderuar – që në përkthim i bie 3sh
Nivel i mirë – që në përkthim i bie 4sh dhe nivel i përparuar, që i bie pesëshe!
Na me lexu pritojmë, ama e kemi ditë që 4she edhe 5she Kosova nuk merr!
I kemi shtypë ctrl+f dhe e kemi pa që me 3sh jemi notuar në 5 kategori dhe në më shumë se 20 tjera kemi dysha ose njësha, ose në Brukselisht early stage and some level!
Atëherë pse është i rëndësishëm raporti për vendin? Është i rëndësishëm për Bruksel, është i rëndësishëm që të ketë letra dhe dokumenta për të parë qysh na sheh BE-ja dhe ku mendon BE-ja që
duhet të përparojmë më shumë dhe që qeveritë e Ballkanit të dinë për cilët sektorë me shku BE-së më i lypë pare!
E qysh është formula për qytetarët e Kosovës ta dinë a ka progres? Me info të dorës së parë!
A ke ujë, apo e ke të helmuar me Mangan? A kë rrymë, apo ke reduktime, a ke pare me e pagu rrymën? A tu ka rritë rroga ose pensioni? Nëse jo, a mundesh me të njëjtën rrogë me ble të njëjat gjëra që i ke ble vitn e kaluar, apo po blen më pak? A e ke fëminë të sigurt në shkollë, a po t kthehet fëmija prej shkollës më i dijshëm apo jo? A ka barna për nënën e babën tënd në depo t institucioneve, apo je kah i blen vetë? Sa ka pritë nëna ose baba yt për një kontroll të mjekut, a ka pritë më gjatë sesa vjet? Që sa je kah pret që të të zgjidhet një lendë në Gjykatë? A është i njëjti gjykatës që e ka lëndën tënde i njëjti që liron vrasës ,ose e njëjta që e dënon dhunimin me 8 muaj?
Për krejt këto pyetje – oooo bash sen s t vyen raporti i progresit. Vyen pak komunikim me familje, me njerëz të afërt që ua ka besën, vyen me dalë me pa qysh i ke punët në mahallë, e jo me nejtë me këqyrë budallë në tiktok dhe në rregull jemi!!!
Qindra punëtorë të sektorit publik, në shtator e tetor rrezikonin të mbesin pa paga për shkak të shpenzimeve që komunat i patën nga kontrata kolektive.
Dhe lidhur me problemet financiare që kjo kontratë po u sjell komunave Asociacioni i Komunave u është drejtuar deputetëve me kërkesë.
Asociacioni kërkon që në buxhetin për vitin 2025 të përshihen edhe shpenzimet që rrjedhin nga obligimet e kontratës kolektive.
Këtë nismë ligjore e përkrahin deputetë të opozitës. Madje, deputeti i PDK-së, Ferat Shala, tha se tashmë e ka pranuar dhe e ka lexuar letrën.
Por, letrën e Asociacionit të Komunave nuk e kanë lexuar disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndonëse, nuk është i sigurt nëse do ta përkrahë apo jo kërkesën e Asociacionit, Armend Muja tha se buxheti për komuna, megjithatë, tashmë është ndarë.
Deri më tani, kontrata kolektive komunave ua mori mbi 120 milionë euro.
Ndërkaq, me projektbuxhetin për vitin 2025, komunave u janë ndarë 788 milionë euro.
Më 22 korrik E.B dhe M.XH, u paraqitën për herë të parë në gjykatë si të dyshuar se ndihmuan Faton Hajrizin pas arratisjes nga burgu.
Në paraqitjen e radhës para organeve, dyshja e cila dyshohet se kreu veprën penale: dhënia e ndihmës – kryerësve pas kryerjes së veprës penale – duke e transportuar nga Smrekonica deri në Skenderaj, e ka pranuar fajësinë.
“Me rastin e marrjes në pyetje, në procedurën paraprake, kanë pranuar përgjegjësinë penale, duke paraqitur përmes mbrojtësve të tyre dhe kërkesën për marrëveshje mbi pranimin e fajësisë”, tha Valon Preteni, zyrtar për komunikim publik në PTHM.
Në këtë drejtim, Prokuroria Themelore e Mitrovicës tani është e gatshme të vazhdojë me hapat e mëtejmë në këtë procedurë.
“Prokurori i Shtetit, me të marrë raportin nga institucionet përkatëse të specializuara dhe pas zhvillimit të procedurës mbi negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ndaj të pandehurve do të ngrejë aktakuzë”, tha Preteni.
Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu më 6 korrik.
Disa ditë më vonë, dyshohet se vrau një polic në Serbi, vend në të cilin u neutralizua nga policia serbe, për t’u varrosur javë më pas në vendlindje.
Kanceri i gjirit vazhdon të jetë dominues prej të gjitha llojeve të tumoreve në vend. Madje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të lehtë të numrit të rasteve me këtë sëmundje malinje.
“Numri total i rasteve që ne kemi regjistruar në këto nëntë muajt e parë, është 1 mijë e 530 dhe del se mbi 24 për qind janë me kancer të gjirit…”, tha drejtori i Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi.
Ndërkaq, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, deri më tani janë kryer rreth 70 intervenime kirurgjike dhe 100 vizita specialistike.
“Këto intervenime jo vetëm që ndihmojnë në rikthimin e integritetit fizik, por gjithashtu kontribuojnë në rifitimin e besimit dhe shpresës për këto gra”, tha Violeta Zatriqi, drejtoreshë e Kirurgjisë Plastike.
Megjithatë, apel bëhet për kontrolle më të shpeshta.
“Lufta jonë kundër kancerit të gjirit nuk përfundon me këtë fushatë. Si institucione dhe si shoqëri ne jemi të përkushtuar për ta vazhduar këtë betejë”, tha zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.
“Në dhjetëvjeçarin e fundit kemi arritur të rrisim ndërgjegjësimin qoftë të stafit, qoftë të pacientëve lidhur me kancerin e gjirit”, tha Shkëndije Nuza, drejtoreshë e Radiologjisë në QKUK.
Gjatë muajit tetor, institucionet në vend kanë organizuar aktivitete të ndryshme për ndërgjegjësim në lidhje me kancerin e gjirit. /atvlive.tv
Në sallë qenë 78 deputetë. Por seanca nuk fillonte meqë deputetët opozitarë hezitonin të votonin për pjesëmarrje, e pushteti nuk i kishte numrat.
Kështu, seanca në të cilën pritej shqyrtimi i 27 pikave, vonoi të niste më shumë se një orë. Kur kryetari u rehatua ua citoi deputetëve të tjerë rregulloren.
Sidoqoftë, seanca vazhdoi me deklarime jashtë rendit të ditës, kurse deputetët opozitarë nuk i ndalën kritikat ndaj pushtetit.
Kritika për ish-partinë e tij pati edhe deputeti Haki Abazi, por fjala e tij ngjalli reagimet e nënkryetares së Kuvendit.
Pas deklarimeve jashtë rendit, deputetët u kthyen për votim të projektligjeve.
Është e paqartë nëse pajisjet nuk funksiononin, por gati çdo projektligj u desh që të votohej nga 2 apo 3 herë, që t’i merrte votat e mjaftueshme.
Opozita ishte deklaruar se nuk voton asgjë, por një projektligj kishte vota më shumë se deputetë shumica parlamentare.
Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën ka konstatuar “përparim të kufizuar” sa i përket lirisë së shprehjes. Madje, raporti thekson se ka pasur zhvillime të perceptuara si përpjekje të Qeverisë për kontroll mbi median.
Megjithatë, vlerësohet se mjedisi në të cilin punojnë gazetarët është edhe më i vrazhdë sesa e pasqyron raporti i Komisionit Evropian.
Për raportin dhe vërejtjet, qeveria nuk ktheu përgjigje gjatë ditës. Sidoqoftë, thekset e raportit, sidomos për lirinë e shprehjes, opozita i konsideroi si “goditjen më të madhe” kohëve të fundit.
Raporti mes tjerash ngre shqetësime për paqëndrueshmërinë e Transmetuesit Publik dhe dorëheqjet e shumta në mesin e drejtuesve dhe anëtarëve të lartë të Bordit.
Kurse, për sulmet ndaj gazetarëve, raporti thekson nivelin e lartë të pandëshkueshmërisë, gjë që është shqetësim serioz për lirinë e medias.
Në fund, potencon se rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme.
Fare pak përpjekje për të përmirësuar cilësinë në arsim ka bërë Kosova, shkruan në Raportin e Progresit të publikuar të mërkurën.
Dhe në mesin e rekomandimeve përmendet rishikimi i teksteve shkollore dhe vlerësimi i mësimdhënësve.
Megjithatë, sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Popovci, kritikat janë kryesisht të njëjtat me raportet e mëhershme. Por, shton ai, pak po punohet në përmirësimin e gjendjes.
“Në raportin e progresit e përmendet strategjia, dhe bëhen kritika për moszbatimin e saj, janë masa që parashihet me strategji por ka ngecje. Për numrin e inspektorëve për 23 mijë mësimdhënës e po ashtu po dështojnë konkurset, duhet bërë përpjekje për përmirësim”, tha Popovci.
Shqetësuese gjetjet e raportit i cilëson edhe njohësi i arsimit, Egzon Gashi.
“Fatkeqësisht kritikat janë me vend, nëse e shohim sistemin e arsimit, treguesit na tregojnë se jemi mbrapa jo vetëm në gjithë botën e po edhe rajon, fëmijët tanë nuk po trajtohen qysh duhet, dhe reflektohen edhe në punësim e edukim, duhet bërë reforma drastike, duhet me u prekë themeli i arsimit për me u ba ndryshime të mëdha”, tha Gashi.
Kritika ndaj Kosovës pati edhe për numrin e madh të të rinjve të papunë, e që nuk ndjekin arsimimin e lartë ose trajnime.
Megjithatë, Raporti vlerëson se Kosova, po bën përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsimit, ndonëse ka shënuar pak përparim në zbatimin e strategjisë së arsimit për vitet 2022-2026.
Për hapat që do t’i ndërmarrë MASHTI lidhur me përmirësimin e cilësisë së arsimit, ATV-ja adresoi pyetje në zyrën për informim në këtë dikaster, megjithatë askush nuk u përgjigj.
Saktësisht qe 29 ditë, uji i liqenit të Badocit nuk mund të shfrytëzohet për pirje e gatim, për shkak të pranisë së manganit.
Në njoftimin e fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, tha se vlerat e manganit në ujë kanë filluar të bien, por ende nuk është arritur shkalla e duhur.
Në mungesë të ujit të pijshëm, qytetarët po detyrohen të gjejnë alternativë tjetër.
Madje, ata ankohen se çmimi i ujit është ngritur.
“Çdo produkt u shtrenjtua, tash edhe uji, menxi pe presin situatën e me shtrenjtua, pe ki ka 1.20, 1.30 e deri në 1.50. Vështirë, qe sa kohë pa ujë”, tha Njazi Gashi, qytetar.
“S’po kemi ujë fare, po dalim po blejmë, nganjëherë pe marrim me cisterna qashtu”, tha një qytetare.
Përveç ekonomive familjare, vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm kanë edhe sektorët e tjerë.
Habib Gashi, nga po kjo lagje, njësoj thotë se vepron çdo mëngjes për mbesat e tij.
“Po ua paketojmë shishen, po ia fusim në çantë, se ndryshe nuk po kanë qysh me u furnizua”, tha Gashi.
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njoftuan se janë duke pastruar dhe shpërlarë linjat magjistrale dhe sekondare. (Fjalinë e mbuloj me këtë grafikë)
“Shumë shpejt besojmë do të eliminohet kjo. Jemi në mënyrë që të mos mbetet sasi e manganit në tubacione primare dhe sekondare”, thuhet në përgjigjen e KRU “Prishtina”.
Për mungesën e ujit të pijshëm është diskutuar edhe gjatë punimeve të seancës plenare.
“Kjo situatë është pasojë e një neglizhence të qëllimshme, një paaftësie e cila është bërë normë në këtë qeveri që po luan me shëndetin dhe jetën e qytetarëve të saj”, tha Floretë Zejnullahu, deputete e PDK-së.
Dy ditë më parë, për vlerën e lartë të manganit në Liqenin e Badocit u fol edhe në mbledhjen e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Mirëpo, kur Ganimete Musliu, nga PDK-ja kërkoi që Inspektorati të inspektojë të gjitha lokalet e gastronomisë që furnizohen nga ky liqen, Fitore Pacolli nga Vetëvendosja ndërpreu mbledhjen e komisionit.