ATV

Author: ATVLive

  • ​Vazhdon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

    ​Vazhdon periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.

    KQZ thotë se gjatë kësaj periudhe, të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimin e tyre mund ta bëjnë përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org ose përmes postës në kutinë postare të KQZ-së.

    “Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, në momentin e regjistrimit votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: Të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës. Në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës. Informacionet më të detajuara janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Votuesit > Votimi jashtë Kosovës, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/votimi-jashte-kosoves/. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve inkurajon të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës, fillimisht duke u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe më vonë duke votuar”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

  • ​Gashi: Si rezultat i ndërhyrjes së LVV-së në RTK, u shkatërrua besimi

    ​Gashi: Si rezultat i ndërhyrjes së LVV-së në RTK, u shkatërrua besimi

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se partia në pushtet e ka shkatërruar besimin ndaj RTK-së. Për këtë arsye, Gashi shtoi se kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në programacionin e transmetuesit publik.

    Në seancë plenare ku po diskutohet për shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së, ai theksoi se transmetuesi publik do të duhej të mbronte dhe përfaqësonte interesin e qytetarëve.

    “Radio Televizioni i Kosovës dështoi që të ofronte shërbimin e vet si institucion publik, dhënien e lajmit dhe programacionit në interes publik. Si rezultat i këtij dështimi, politizimi dhe kapje nga LVV dhe personi kontrollues që kontrollohet nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës mori vendim dhe refuzoi çdo pjesëmarrje në debate dhe emisione të RTK-së në institucion publik. Duke pasur parasysh se ky institucion është institucion publik dhe ka për qëllim mbrojtjen e interesit publik, pra është pronë e qytetarëve të Kosovës do të duhej të mbronte dhe përfaqësonte interesin e qytetarëve të Kosovës. Kur si rezultat i ndërhyrjes së LVV-së, kapjes së bordit, kapjes së politikës redaktuese dhe dhënies së lajmeve të pavërteta u dëmtua interesi publik, u politizua institucioni, u shkatërrua besimi, ne refuzuam të jemi pjesë e kësaj ndërmarrje”, deklaroi Gashi.

    Më tej, shefi i deputetëve të LDK-së shtoi se “RTK prodhoi informacione të rrejshme kundër kolegëve të tyre”. /kp

  • ​Arsenalit po i largohet shtylla e madhe e ekipit

    ​Arsenalit po i largohet shtylla e madhe e ekipit

    Edu Gaspar pritet të largohet nga Arsenali si drejtor sportiv, raportojnë sot mediat angleze. Në një vendim shokues, braziliani do të largohet nga “Topçinjtë” pas bisedimeve me bordin sipas mediumit anglez “Daily Mail” .

    Më shumë detaje priten në 24 orët e ardhshme të cilat mund të përfshijnë një konfirmim zyrtar. Edu vlerësohet kryesisht me rindërtimin e klubit si një sfidues për titullin pasi ish-mesfushori i Topçinjve u rikthye në vitin 2019.

    Braziliani ka punuar ngushtë me trajnerin Mikel Arteta në grumbullimin e skuadrës së Arsenalit gjatë tre viteve të fundit. Ai ka qenë i lidhur me një kalim në Ligën Pro Saudite në javët e fundit.

  • ​Kuvendi do ta shqyrtojë javën e ardhshme buxhetin për vitin 2025, opozita s’do ta votojë

    ​Kuvendi do ta shqyrtojë javën e ardhshme buxhetin për vitin 2025, opozita s’do ta votojë

    Kuvendi i Kosovës do mbajë seancë plenare më 11 nëntor, ku do të trajtohet buxheti për vitin 2025. Partitë opozitare thanë se nuk do të votojnë Projektligjin për buxhetin, derisa theksuan se i njëjti ka mangësi të mëdha.

    Madje, sipas tyre, ky buxhet ka edhe probleme ligjore dhe kushtetuese, duke përmendur vendimin për rritjen e pagave në sektorin publik.

    Në anën tjetër, në partinë në pushtet, deklaruan se i kanë votat për miratimin e buxhetit, ndërkaq potencuan se i njëjti është proceduar në Kuvend në bazë të afateve dhe procedurave të përcaktuara të legjislativit.

    Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se buxheti për vitin 2025 ka mangësi, mirëpo siç konsideroi ai i njëjti do të jetë jetëshkurtër, pasi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, qeveria e re do të rishikojë atë.

    “Java e ardhshme është përcaktuese për mënyrën se si do të shihet buxheti për vitin e ardhshme. Por sido që të shkojë, ky buxhet do të jetë jetëshkurtër pasi qeveria e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit duhet të rishikojë dhe të jep një buxhet zhvillimor, të jap një buxhet ku do të rriten pagat, mirëqenia dhe ekonomia e Kosovës…Ne nuk e votojmë buxhetin. Ne do të japim vërejtjet tona, propozimet tona dhe nëse merren në konsideratë ne do të shohim si mundësi. Buxheti ka dy probleme ligjore dhe kushtetuese që qeveria e Kosovës i ka propozuar gabimisht. E para ka të bëjë me ndërhyrjen e buxhetit të shtetit në Ligjin për pagat në sektorin publik. Tentojmë me një ligj të karakterit vjetor të ndryshojnë një ligj bazik i cili është Ligji për pagat në sektorin publik. Kjo është e pamundur. Ndërhyrja e dytë e këtij ligji është që të tentojnë që në ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, pasi në ligjin specifik ndryhet me një ligj të karakterit të përkohshme. Të dyja janë shkelje ligjore”, tha Gashi.

    Kritika për buxhetin adresoi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili quajti si Projektligj që konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik dhe që s’ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm për vendin.

    “Buxheti i kësaj qeverie, që po përfundon vitin e katërt është buxheti që e konfirmon mbytjen e zhvillimit ekonomik. Është buxhet i cili ia ka varrosur shpresën 80 mijë njerëzve që punojnë në shtetin e Kosovës për një pagë të dinjiteshme. Është buxhet i cili realisht s’ka asnjë projekt kapital të rëndësishëm dhe është buxhet që nga ne do të kundërshtohet fuqishëm. Është buxhet që duhet të rishikohet në mars të vitit të ardhshëm. E mira e kësaj pune është se 9 shkurt janë zgjedhjet dhe pas 9 shkurtit do të ketë një qeveri tjetër dhe ajo duhet të rishikojë në plotni këtë buxhet. S’ka mundësi ky ligj as me u përmirësuar ma. Me u përmirësuar buxheti i vitit që po vjen së paku duhet të ndodhin nja 50 amendamentime të cilat do të rregullonin prej sistemit të pagave në sektorin publik, deri te çështjet më minore. Ne nuk e votojmë këtë buxhet”, theksoi Tahiri.

    Mirëpo, pavarësisht kritikave, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se mazhoranca i ka votat për miratimin e buxhetit të vitit 2025.

    Sipas saj, vendimmarrja e opozitës është çështje e tyre, mirëpo siç tha ajo ky buxhet është proceduar në Kuvend sipas procedurës dhe në afatet e rregullta.

    “Në asnjë nga miratimet që kanë ndodhur në këtë legjislaturë, opozita s’ka marrë pjesë. Ne e kemi shumicën parlamentare, siç e keni parë edhe javën e kaluar në votimet e thjeshta arrijmë të miratojmë ligje dhe vendime të tjera. Për opozitën, s’kam çka të them, kanë përcaktuar dhe vendosur në një rrugë tjetër. Kjo është çështje e vendimmarrjes së tyre”, deklaroi Kusari-Lila.

    Projektligji për buxhetin për vitin 2025 është miratuar javën e kaluar në qeverinë e Kosovës.

    Përmes këtij projektligji është paraparë edhe ngritja e pagës për punëtorët e sektorit publik.

    Po ashtu, është shtyrë edhe afati për normat e reja tatimore./kp

  • ​Tahiri për deputetin e LVV-së: Këtë margaritar nuk duhet me hjek prej foltores

    ​Tahiri për deputetin e LVV-së: Këtë margaritar nuk duhet me hjek prej foltores

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani deklaroi se transmetuesi publik nuk është kapur nga partia në pushtet, por siç theksoi ai, është ç’kapur nga Partia Demokratike e Kosovës. Kërkesë e kësaj partie për shkarkimin e bordit të RTK-së, Ramadani e konsideroi të pa sinqertë, ku tha se po tentohet të shkarkohen ata që kanë dhënë dorëheqje. Pas kësaj deklarate ka reaguar shefi i GP-së së PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se “këtë margaritar s’duhet me hjek prej foltores”.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani tha se “opozita po tenton të luaj rolin e shenjtorit”.

    “PDK po dëshiron të shkarkojë një bord të RTK-së, ku prej shtatë anëtarëve tre kanë dhënë dorëheqje, ndërsa dy prej tyre ju skadon mandati dhe tashmë konkursi është i hapur për ta. LDK si zakonisht pas PDK-së. Pra, sinqeriteti në këtë kërkesë është zero. Dëshirojnë t’i shkarkojnë ata që kanë dhënë dorëheqje. Nuk bëhet opozita kështu o kolegë. Po e shoh që keni nevojë për vite të tjera të kuptoni se si bëhet opozita, por ne ju mirëkuptojmë. Zgjedhjet janë afër e më në fund do të tentuar të bëhen të zëshëm disi me çfarëdo teme që ju vjen dorësh. Ajo çfarë ne nuk lejojmë ju të bëni është të shiteni si shenjtorë këtu dhe të ngrisni tema tek të cilat halli i juaj është krejt diku tjetër”, deklaroi Ramadani.

    Ramadani tha se halli i Partisë Demokratike e Kosovës është se ju ka humbur kontrolli mbi RTK-në dhe mundësia që të keqpërdorin me kontrata.

    “RTK-në nuk e kemi kapur ne, nuk e ka kapur askush por vetëm e kemi ç‘kapur nga ju. Puna nuk është kapje, puna ka produkt dhe shihet në dritë të diellit. Për këtë arsye ju shqetësimet e juaja mund të ja thoni njëri-tjetrit, por ne nuk jemi të interesuar që të dëgjojmë ato. E besa as qytetarët nuk janë. Prandaj ne po shkojmë tek ta e ju vajtoni mes vete pse nuk e keni të kapur RTK-në. Në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së ju përshëndesim dhe mirë u takofshim në seancat e ardhshme ”, tha ai.

    Pas fjalimit të tij ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili tha se “këtë margaritar nuk duhet me hjek prej foltores”.

    “Me mujt ja kisha shtuar edhe 10 minuta këtij me fol. Këtë margaritar nuk duhet me hjek prej foltores. Ky është përfaqësuesi më i mirë, më i denjë i kësaj mendësie që udhëheq sot Republikën e Kosovës. Ky sot gjithë ditën duhet me lënë në këtë foltore me nejt, me pa qytetarët e Kosovës çfarë mendësie na udhëheq, çfarë mentaliteti dhe çfarë strukture politike dhe çfarë mendimi politik. Por, ke kohë e shkurtër tetë minuta sa foli u desh me nejt, me fol edhe të bëjë replikë edhe pas kësaj”, replikoi Tahiri.

  • ​Të paktën 10 të vdekur pas shpërthimit të vullkanit në ishullin indonezian të Flores

    ​Të paktën 10 të vdekur pas shpërthimit të vullkanit në ishullin indonezian të Flores

    Të paktën 10 persona janë vrarë pasi një vullkan shpërtheu në Indonezi, duke dërguar hirin e dendur në ajër dhe duke rënë shi mbi shtëpitë aty pranë.

    Shpërthimi në malin Lewotobi Laki Laki, në ishullin Flores, pak pas mesnatës të së hënës, hodhi hirin e trashë në ngjyrë kafe deri në 2,000 metra (6,500 këmbë) në qiell.

    Disa shtëpi morën flakë, duke përfshirë një manastir murgeshash katolike, tha zyrtari lokal Firman Yosef.

    Ekipet e shpëtimit po kërkojnë më shumë trupa nën shtëpitë e shembura.

    Të vrarët deri më tani, përfshirë një fëmijë, u gjetën me një rreze prej 2.4 milje të kraterit.

    Të paktën 10,000 njerëz janë prekur nga shpërthimi në gjashtë fshatra të rrethit Wulanggitang dhe katër në rrethin Ile Bura.

    Pushteti vendor po përgatitet të përdorë shkollat si strehimore të përkohshme për të prekurit.

    Niveli i rrezikut u rrit në nivelin më të lartë dhe zona e përjashtimit u dyfishua.

    Një murgeshë në fshatin Hokeng vdiq dhe një tjetër ishte zhdukur, konfirmoi kreu i fondacionit Saint Gabriel Agusta Palma.

    Fotot dhe videot e shpërndara në rrjetet sociale treguan mbeturina vullkanike që mbulonin shtëpitë deri në çatitë e tyre në fshatra si Hokeng.

    Ky është shpërthimi i dytë vullkanik në Indonezi në dy javë.

    Mali Marapi në Sumatrën perëndimore, një nga vullkanet më aktivë të vendit, shpërtheu më 27 tetor, por nuk u raportua për viktima. /Sky News/

  • Vizita e ministrit të jashtëm të Luksemburgut në Kosovë, nis nga takimi me Gërvallën

    Vizita e ministrit të jashtëm të Luksemburgut në Kosovë, nis nga takimi me Gërvallën

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Luksemburgut, Xavier Bettel, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve kosovare, raporton EO.

    Bettel vizitën e tij e fillon me një takim me zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ku diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

    Pas këtij takimi, në orën 13:55, ai do të pritet nga zv.kryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, në ndërtesën e Qeverisë, ku të dy liderët do të zhvillojnë bisedime për marrëdhëniet mes dy vendeve. Në një ceremoni të veçantë, Bislimi dhe Bettel do të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi për forcimin e bashkëpunimit.

    Memorandumi synon të sjellë projekte të reja që do të fuqizojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut. Në fund të vizitës së tij, Bettel do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim zyrtar ku do të diskutohen temat e përbashkëta dhe mbështetja e Luksemburgut për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Kjo vizitë pasqyron përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit.

  • Deputeti Ramadani i kundërvihet propozimit të PDK-së: E vërteta është që ne e kemi çkapur RTK-në

    Deputeti Ramadani i kundërvihet propozimit të PDK-së: E vërteta është që ne e kemi çkapur RTK-në

    Lëvizja Vetëvendosje përmes deputetëve të saj të pranishëm në Kuvend i është kundërvënë propozimit të PDK-së, për shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së, raporton EO.

    Deputeti i VV-së, Valon Ramadani, ka thënë se me ardhjen e kësaj partie (LVV) në pushtet RTK-ja, sipas tij është “çkapur” nga keqpërdorimet që janë bërë në të (RTK).

    Ai ka thënë se më herët në RTK kanë qenë të punësuar mbi 1100 veta e tani, siç ka deklaruar ai, janë 740.

    “PDK po dëshiron që të shkarkoj një bord i cili prej 7 anëtareve, 3 kanë dhënë dorëheqje, ndërsa dy prej tyre ju skadon mandati dhe tashmë konkursi është i hapur për ta. Dëshiron që t’i shkarkoj ata që kanë dhënë dorëheqje. Halli është që këtyre ju ka humbur kontrolli mbi RTK-në që e kanë pasur me vitet të tëra. E kanë hallin që në RTK tani punësohen me meritokraci. Më herët në RTK kanë qenë mbi 1100 persona, tani janë 740, këta kanë qenë militant partiake që janë shërbyer për angazhimin e tyre duke u paguar nga taksat e këtij vendi. Asnjë prej tyre s’ka bërë ankesë për shkëputje të kontratave. E vërteta është që ne e kemi çkapur RTK-në, e për ju çkapja është kapje”, ka thënë ai.

  • ​Hoxha: Për shkeljet në RTK mund të angazhohet edhe prokuroria kompetente

    ​Hoxha: Për shkeljet në RTK mund të angazhohet edhe prokuroria kompetente

    Partia Demokratike e Kosovës po kërkon shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së. Sipas deputetes së kësaj partie, Eliza Hoxha, anëtarët e këtij bordi mbajnë përgjegjësinë kryesore për “nënshtrimin e RTK-së ndaj partisë në pushtet”. Në seancë plenare, ajo ka shpalosur propozimin e gjashtë deputetëve të PDK-së për shkarkimin e anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Përveç shkeljeve, Hoxha tha se adresa për shkeljet në RTK është bordi i transmetuesit publik.

    “Përveç shkeljeve në këtë skandal televiziv, e për të cilin mund të angazhohet prokuroria kompetente konsiderojmë se duhet marrë masat për shkarkimin individual të secilit anëtar të bordit të RTK-së, pasi të njëjtit dështuan për ta mbrojtur RTK-në dhe standardet e kredibilitetin e gazetarisë”, deklaroi ajo.

    Edhe për procesin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Hoxha konsideron se është i jashtëligjshëm, sepse siç tha ajo, ka kaluar vetëm me gjashtë vota.

    “Kujt i shërben RTK-ja sot dhe a është kjo RTK-ja që Kuvendi i Kosovës si themeltar i saj e dëshiron. Këto janë dy pyetje thelbësore që besoj që do të duhej të marrin përgjigje nga prizma të ndryshme për brengën që sot do ta trajtojmë brenda kësaj seance. Arroganca e numrave në këtë Kuvend, mendjet paranojake dhe njerëzit pa ide, vizion dhe pasion për RTK që kanë marrë mandat si bord në këtë Kuvend, na i shpërfaqin në fakt idenë e vërtetë se si Lëvizja Vetëvendosje e dëshiron Radio Televizionin e Kosovës. Përgjatë këtij mandati kemi qenë dëshmitar të përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë dhe të shumicës parlamentare për të cenuar lirinë e medias dhe fjalës së lirë. Dhe kjo është bërë në forma të ndryshme”, deklaroi Hoxha.

    Tutje, Hoxha tha se “RTK nuk e ka kredibilitetin e transmetuesit publik nëse nuk merren masa ndaj drejtuesve të saj”.

    “Këto përpjekje në shumë raste edhe kanë marrë formën e mendimeve nga institucione të dirigjuara dhe menaxhuara nga njerëz që fshihen nën kapela dhe që në hije dirigjojnë institucionet përfshirë edhe RTK-në. Vendimet dhe veprimet e këtilla kundër mediave dhe fjalës së lirë janë ngritur jo vetëm në nivele shqetësuese, por të patolerueshme edhe në RTK, duke e përdorur këtë të fundit si transmetues publik për të trilluar shpifje të pavërteta për mediat e tjera të lira e të pavarura në vendin tonë. RTK dështoi të ju qëndrojë besnik parimeve themelore të gazetarisë dhe të ligjshmërisë për të verifikuara faktet dhe për të cituar burime të besueshme të lajmeve që i transmeton. Në këtë mënyrë, lajmet e rreme në RTK të cilat citonin po ashtu një medium boshnjak, artikulli i cili edhe mund të jetë shkruar në zyrat e LVV-së në Prishtinë, përbëjnë cenim direkt të sigurisë dhe jetës së gazetarëve dhe këtyre mediumeve nga njëra anë por edhe shpërfaqin në anën tjetër fushatën qeveritare kundër mediave dhe fjalës së lirisë”, shtoi Hoxha në seancë plenare.

    Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Eliza Hoxha deklaroi se Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian flet për regres dhe për ndikim politik jo vetëm në fushën e medias por edhe në sektore të tjera. /kp

  • Vazhdon seanca e Kuvendit

    Vazhdon seanca e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës ka vazhduar të hënën seancën plenare, në të cilën janë paraparë të shqyrtohen 20 pika të rendit të ditës.

    Në këtë seancë në rend dite ndër të tjera është edhe propozimi i PDK-së për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Në seancë nuk janë të pranishëm shumica e deputeteve të VV-së.

    Rendi i plotë ditës:

    * Shqyrtimi i propozimit të gjashtë (6) deputetëve nga GP të PDK-së, për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,

    * Zgjedhja e tre (3) drejtorëve të Bordit të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut,

    * Emërimi i anëtarit në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, nga radhët e studentëve,

    * Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-317 për aderim në “Konventën për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja në çështje civile apo tregtare”,

    * Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-318 për aderim në “Konventën për marrjen e provave jashtë vendit në çështje civile apo tregtare”,

    * Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-319 për aderim në “Konventën për zgjedhjen e marrëveshjeve gjyqësore”,

    * Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-312 për ndalimin e përdorimit të pijeve energjike për personat e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjeç,

    * Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-315 për banim social dhe të përballueshëm,

    * Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-320 për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor,

    * Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-322 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,

    * Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-316 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-036 për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit,

    * Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-321 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-032 për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim,

    * Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit nr.06/L-006 të Drejtësisë për të Mitur,

    * Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-049 për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.08/L-034,

    * Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar,

    * Shqyrtimi i Propozimit të shtatë (7) deputetëve nga radhët e komuniteteve tjera që nuk janë shumicë, për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bahrim Shabani,

    * Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës, për vitin 2023,

    * Shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023,

    * Shqyrtimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2023,

    * Miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024, për periudhën kohore, prej 4 korrik 2024 deri në përfundim të mandatit të tij.