ATV

Author: ATVLive

  • ​Çka presin kosovarët nga zgjedhjet në SHBA?

    ​Çka presin kosovarët nga zgjedhjet në SHBA?

    Procesi zgjedhor në Shtetet e Bashkuara po ndiqet me interesim të madh kudo në botë, sigurisht edhe në Kosovë – një prej vendeve aleate të SHBA-së.

    Në garë të ngushtë janë demokratja Kamala Harris përballë republikanit Donald Trump.

    Qytetarët në Prishtinë besojnë se pavarësisht kush do të jetë president i ri i SHBA-së, mbështetja amerikane për Kosovën nuk do të mungojë.

    Për KosovaPress, ata kanë treguar pritjet e tyre nga ky proces zgjedhor i cili do të mbahet nesër më 5 nëntor.

    “Po ai që lufton më shumë për Kosovën [të fitojë], po besoj që Harris do të fitojë. Amerika është gjithmonë e njëjtë për Kosovën [kushdo që do të fitojë], por besoj më shumë në Harris”, thotë Sabit Krasniqi.

    “Është demokrate, pak më mirë për Kosovën…9:19 Ia ka anën pak Serbisë..9:27 Së pari gruan e ka të Sllovenisë dhe ka pak shoqëri më shumë”, thotë Tahir Azemi.

    “Trumpi nuk është politikan si duhet me qenë, Harrisi është më e mirë shumë”, thotë Gëzim Hajdini.

    Qytetarët në Kosovë kujtojnë mbështetjen amerikane qysh prej bombardimeve ndaj caqeve serbe në vitit 1999. Atëbotë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë të NATO-s i dhanë fund luftës në Kosovë.

    Përveç kësaj, qytetarët kujtojnë shpalljen e Pavarësisë së Kosovës më 2008 e cila theksojnë se u bë me mbështetjen amerikane.

    Në rastin e parë në krye të SHBA-së ishte demokrati Bill Clinton. Në të dytin, republikani George W.Bush./KP

  • ​LVV i kundërpërgjigjet kërkesës së BE-së për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese

    ​LVV i kundërpërgjigjet kërkesës së BE-së për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese

    Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po vazhdon të insistojë se Kosova ka institucionet e veta për të hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Duke iu kundërpërgjigjur kërkesës së vazhdueshme të BE-së që Kosova të procedojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga BE-ja, në LVV akuzojnë Serbinë se s’po zbaton marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Në anën tjetër, dy partitë opozitare, LDK dhe AAK akuzuan qeverinë e Kosovës se i ka sjellë vendit marrëveshje të keqe që shkelin rendin kushtetues të Kosovës.

    Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se institucionet e Kosovës janë të afta dhe kanë kompetenca për të hartuar draft-statutin e Asociacionit dhe dërgimin për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    “Qeveria është dakorduar me marrëveshje të Brukselit dhe të Ohrit dhe shkeljet në këtë marrëveshje nuk i bënë qeveria e Kosovës, por dihet se kush i bënë. Prandaj për çështje të tjera të procedurës së zbatimit, besoj se njëjtë siç e tha kryetari i Kuvendit janë institucionet sovrane. Kosova është vend sovran dhe ka të gjitha institucionet e veta të cilat janë në gjendje dhe të afta. Natyrisht kanë edhe kompetencën dhe obligimin kushtetues që t’i kryejnë punët e veta”, tha ajo.

    Mirëpo kritika adresoi shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi, i cili tha përmes marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, qeveria Kurti ka shkel rendin kushtetues të Kosovës.

    Ai vuri në mëdyshje edhe pranimin ose jo të Qeverisë së Kosovës të draft-statutit të Asociacionit.

    “Qeveria e Kosovës e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit dhe ka pranuara marrëveshjen e Brukselit, të cilat janë përtej marrëveshjes së vitit 2013. Në kuptimin tonë janë shkelje e rendit kushtetues dhe problematike për Kosovën. Prandaj sjellja e papërgjegjshme e qeverisë në deklarata dhe veprime po dëmton në vazhdimësi reputacionin e Kosovës, besueshmërinë përballë partnerëve ndërkombëtare dhe po e dëmton pranueshmërinë e Kosovës në sferën ndërkombëtare…Njëherë thonë e pranojmë, tjetrën se pranojnë. Një herë thonë qitna të nënshkruajmë, pastaj thonë të dyja. Mandej bëhet obligim i BE-së dhe thonë jo tash se pranojmë. Po bëhen lojëra të cilat po e dëmtojnë në vazhdimësi Kosovës i rezultat i papjekurisë politike dhe mendjemadhësisë në sjellje, duke menduar se ata janë një superfuqi që vendosin në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

    Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, akuzoi qeverinë se ia ka lënë në ‘derë’ qeverisë së ardhshme marrëveshjen e Brukselit dhe draft-statutin e Asociacionit, të cilat i quajti të dëmshme për vendin.

    “Kjo qeveri e ka pranuar Asociacionin. Ka një letër, e nënshkruar nga kryeministri, kryeparlamentari dhe presidentja. Ekziston po ashtu një letër nga ministrja e Punëve të Jashtme e cila po ashtu e ka pranuar Asociacionin. Asociacionin këta munden me thënë se është non-paper apo jo. Por është pranuar nga qeveria dhe po e them me përgjegjësi të plotë na kanë lënë të dera, mos me lënë një fjalë popullore. Kushdo që vjen, kjo qeveri na ka lënë te dera marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe draft-statutin e Asociacionit”, deklaroi Tahiri.

    Bashkimi Evropian së fundmi i ka kërkuar institucioneve në Kosovë që të procedojnë në Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga vet ata.

    Mirëpo, një gjë e tillë po konsiderohet e papranueshme nga kryeministri Albin Kurti, i cili javën e kaluar tha se kryeministri nuk themelon Asociacione të komunave./KP/

  • Reagon Rizvanolli: Telekomi do të përballojë me sukses goditjen nga kontratat kriminale

    Reagon Rizvanolli: Telekomi do të përballojë me sukses goditjen nga kontratat kriminale

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Telekomi i Kosovës do të përballojë me sukes “goditjen nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qeverisjeve të kaluara”.

    Përmes një postimi, Rizvanolli ka shkruar se ato kontrata qëllim të vetëm e kishin degradimin dhe privatimin e Telekomit, ku sipas saj, u krijonin mundësi të pabesueshme për pasurim të paligjshëm kompanive private.

    “Telekomi do të përballojë me sukses edhe këtë goditje, TË FUNDIT, nga kontratat e dëmshme kriminale që u lidhën në kohë të qeverisjeve të kaluara që të vetmin qëllim kishin degradimin e privatizimin e Telekomit, ndërkohë që u krijonin mundësi të pabesueshme për pasurim të paligjshëm kompanive private në kurriz të Telekomit, e blenin vota përmes punësimeve partiake në masë, pa konkurse”, ka shkruar ajo në Facebook.

  • Bislimi pret në takim kryediplomatin lukesemburgas Bettel

    Bislimi pret në takim kryediplomatin lukesemburgas Bettel

    Pas takimit me zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kryediplomati luksemburgas Xavier Bettel ka nisur një takim me zv.kryeministrin Besnik Bislimi, raporton EO.

    Në takimin dy palësh që po mbahet temë e diskutimit janë marrëdhëniet mes të dyjave vendeve, si dhe thellimi i tyre sidomos në drejtim të planit zhvillimor e ekonomik.

    Bettel vizitën e tij e filloi me një takim me zv.kryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ku diskutuan për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

  • Kushdo që të fitojë, rezultati i zgjedhjeve në SHBA do të jetë historik

    Kushdo që të fitojë, rezultati i zgjedhjeve në SHBA do të jetë historik

    Ne e përdorim shumë fjalën ‘historike’ gjatë zgjedhjeve, por kjo është me të vërtetë pa precedent.

    Nëse Kamala Harris fiton, ajo do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë jo vetëm si presidentja e parë femër amerikane, por edhe gruaja e parë me ngjyrë dhe presidentja aziatike amerikane.

    Dhe për Donald Trump, ai mund të jetë presidenti i parë që nga shekulli i 19-të që fiton pasi ka humbur një shancë për rizgjedhje, dhe i pari i një partie të madhe me një dënim penal.

    Plus, le të shqyrtojmë se çfarë na u desh për të arritur në këtë pikë – tentativat për vrasje ndaj Trump, dhe detyrimi për largim nga gara e Presidentit Joe Biden./BBC/

  • ​Kurti takoi ambasadorin jorezident të Japonisë për Kosovë, Ryuta Mizuuchi, diskutuan marrëdhëniet dypalëshe

    ​Kurti takoi ambasadorin jorezident të Japonisë për Kosovë, Ryuta Mizuuchi, diskutuan marrëdhëniet dypalëshe

    Gjatë qëndrimit në Vjenë për Forumin Ekonomik të Vjenës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në hapësirat e Ambasadës së Kosovës në Vjenë takoi ambasadorin jorezident të Japonisë për Kosovë, Ryuta Mizuuchi, me të cilin diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës dhe Japonisë dhe fushat e bashkëpunimit bilateral.

    “Ai e falënderoi ambasadorin për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë për Kosovën dhe kontributin e rëndësishëm me projekte të shumta që realizohen përmes Agjencisë Zhvillimore JICA në fushën e mjedisit, menaxhimit të mbeturinave e shëndetësisë”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit.

  • Bettel premton rreth 25 milionë euro investime në Kosovë

    Bettel premton rreth 25 milionë euro investime në Kosovë

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Luksemburgut, Xavier Bettel, pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka potencuar se synim i vendeve evropiane është të shmanget çfarëdo lloj lufte në Ballkan, raporton EO.

    Bettel ka thënë se shteti i tij do të jetë çdo herë në krah me Kosovën me investime milionëshe.

    “Ne dihet të bëjmë çmos që ta shmangim luftën. Nëse jemi të dobishëm do ta shmangim çfarëdo lufte dhe është detyrë e jona. Kjo është arsyeja pse rajoni duhet ta ketë një perspektivë evropiane ,por jo pas 200 vitesh”, tha ai.

    Bettel tha se ky rajon ka vuajtur shumë prej vendimeve që i kanë ndërmarrë të tjerët.

    “Jam këtu që për ta ndihmuar Kosovën në fusha të ndryshme dhe do të jenë rreth 25 milionë euro investime që do të këto projekte kreative e në sektorë të IT-së, sepse është e rëndësishme për situatën tuaj ekonomike”, ka thënë mes tjerash ai.

  • Barcelona në alarm për shkak të stuhisë, aeroporti kthehet në “liqen”

    Barcelona në alarm për shkak të stuhisë, aeroporti kthehet në “liqen”

    Stuhitë e forta që shkaktuan përmbytje vdekjeprurëse në Spanjën lindore javën e kaluar tani duket se po zhvendosen në Barcelonë.

    Shërbimi meteorologjik i vendit lëshoi një alarm të kuq për reshje shiu përgjatë vijës bregdetare të Barcelonës , duke paralajmëruar qytetarët që të mos udhëtojnë “nëse nuk është e nevojshme” dhe të jenë vigjilentë.

    Në celularët e qytetarëve janë dërguar mesazhe për “reshje të mëdha dhe të vazhdueshme” në periferitë jugore të qytetit. Alarmi u bëri thirrje njerëzve të shmangin kanionet ose kanalet.

    Rrugët janë bllokuar nga rrëshqitjet e dheut dhe vëllimet e mëdha të ujit, ndërsa drejtuesit e mjeteve që përpiqen të manovrojnë nëpër rrugë gjysmë të zhytura.

    Aeroporti kryesor i qytetit, El Prat është përmbytur. Videot treguan ujin që rridhte në parkingjet e makinave dhe në ndërtesën kryesore, ndërsa udhëtarët shiheshin duke hequr këpucët në sallën e nisjes të kthyer tashmë në një liqen.

    Ministri spanjoll i Transportit Oscar Puente tha se u shtynë fluturimet që do të uleshin në aeroportin El Prat mëngjesin e sotëm për shkak të stuhisë që ka prekur rajonin. Në total, rreth 50 fluturime janë prekur me anulime apo vonesa.

    Shërbimet hekurudhore të Katalonjës janë anuluar, ndërsa stacionet e metrosë dhe rrugët janë mbyllur gjithashtu, pasi autoritetet përpiqen të kufizojnë lëvizjen e njerëzve dhe të shmangin përsëritjen e katastrofës së javës së kaluar në Valencia. /Top Channel

  • Gërvalla: Lukesemburgu dhe Kosova drejt bashkëpunimit të qëndrueshëm

    Gërvalla: Lukesemburgu dhe Kosova drejt bashkëpunimit të qëndrueshëm

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se takimi me homologun e saj nga Luksemburgu ka qenë mundësia e thellimit dhe bashkëpunimit dypalësh.

    “Vizita e tij është një dëshmi e qartë thellimit dhe bashkëpunimit dypalësh dhe për të forcuar marrëdhëniet tona më të ngushta. Ky është një hap i rëndësishëm drejtë bashkëpunimit të qëndrueshëm. Luksemburgu e ka ndihmuar Kuvendin për votimin elektronik”, tha ajo.

    Gërvalla tha se javë më parë në OKB e ka theksuar rrezikun e një fshqinji të rrezikshëm dhe të një Rusie më agresive.

    “Këshilli Evropian ka paralajmëruar kohëve të fundit një paralajmërim që thekson se nëse NATO dhe SHBA nuk ndërmarrin hapa të nevojshëm në këtë drejtim, ekziston mundësia e rikthimit të konfliktit në Ballkan”, ka thënë ajo./EO/

  • Fillon pilotimi i skemës së reformuar së asistencës sociale, Murati: Vetëqëndrueshmëri afatgjate për familjen

    Fillon pilotimi i skemës së reformuar së asistencës sociale, Murati: Vetëqëndrueshmëri afatgjate për familjen

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar fillimin e pilotimit të skemës së reformuar së asistencës sociale.

    Ai ka thënë se nga grupi i parë janë një mijë e 824 familje në nevojë që do të përfitojnë mbështetje financiare si pjesë e pilotimit të reformës së skemës së asistencës sociale.

    “Nga grupi i parë, janë 1,824 familje në nevojë do të përfitojnë mbështetje financiare si pjesë e pilotimit të reformës së skemës së asistencës sociale. Përveç heqjes së kritereve diskriminuese, një gjë tjetër me rëndësi që po bëhet në kuadër të reformës është edhe kërkesa për të gjithë anëtarët e aftë për punë që të regjistrohen në Agjencinë e Punës si punëkërkues. Përmes këtij veprimi, do të sigurohemi që t’i mbështesim ata që të aktivizohen në tregun e punës, dhe familja të krijojë vetëqëndrueshmëri financiare në afatgjatë”, ka shkruar Murati në Facebook.