ATV

Author: ATVLive

  • Përkundër vendimit të KQZ-së, MPJD-ja insiston për “vendvotime alternative” në diasporë

    Përkundër vendimit të KQZ-së, MPJD-ja insiston për “vendvotime alternative” në diasporë

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Përkundër se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme përmend vetëm përfaqësitë diplomatike si vendvotime jashtë vendit dhe një vendimi të KQZ-së, Qeveria këmbëngul në kërkesën e saj për “vendvotime alternative”.

    Kërkesën e refuzuar nga KQZ-ja për marrjen e objekteve me qira, MPJD-ja e kishte arsyetuar me numrin e lartë të votuesve në mërgatë.

    “E di që ka një vendim të KQZ-së që është marrë sapo kanë filluar përgatitjet për zgjedhje. Ne jemi në kontakt dhe në biseda të vazhdueshme me KQZ-në. Të jeni të sigurt, që të dyja palët do të bëjmë çmos me qëllim që qytetarët të jenë ata që vendosin si e japin votën, jo t’ju imponohet në njëfarë mënyre… P.sh, vetëm në Stuttgart dhe rrethinë kemi votues më shumë se në Prizren dhe ne jemi të detyruar të gjejmë mënyrë se si t’u mundësohet të japin votën në mënyrën që ata e kërkojnë”, tha ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla.

    Këtë këmbëngulje, drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, e vlerësoi si përpjekje për të shkelur ligjin dhe rregullat – që krahas tri formave të votimit nga jashtë – përcaktojnë edhe numrin e votuesve në përfaqësi diplomatike.

    “Është rrezik i madh sepse tregon se ka tentativë të partisë në pushtet për të manipuluar zgjedhjet në diasporë, sepse me gjasë e ka nuhatur që nuk i ka votat që i kanë pasur në zgjedhjet e kaluara dhe tani mundohen me veprime të kundërligjshme me mbërri me marrë sa më shumë vota në diasporë”, tha Demhasaj.

    Takimet me diasporën gjatë vizitave në vende të ndryshme, për të cilat ka njoftime nga ambasadat dhe partia në pushtet, ministrja refuzoi t’i përfshijë në kuadrin e fushatës – duke thënë se kur ajo të nis “do të ndërroj gjuha”.

    “Takimet e formës së bashkëbisedimit mes kryeministrit dhe mërgatës, të ministres së jashtme dhe diasporës dhe mërgatës, apo të presidentes dhe mërgatës, janë një format që ka qenë edhe në vitet e 90ta. Edhe, është në një traditë të mirë të bisedave të vazhdueshme. Ka raste kur organizohen nga shoqatat, ka raste, si dje, kur organizohen nga misionet tona diplomatike”, tha Gërvalla.

    Kjo formë, ku ambasadat përdoren për njoftime të tilla, sipas Demhasajt, është keqpërdorim i pushtetit.
    “Në këtë rast, Vetëvendosje çka po bën? Apo kryeministri dhe zëvendëskryeministrja? Po i keqpërdorin resurset publike, shtetërore, për agjendat e tyre elektorale. Mendoj se kjo duhet të ndalohet. Në të kaluarën kanë ndodhë disa raste, ka qenë ajo LV-ja që ka ajo që i ka kritiku këto veprime, në anën tjetër tash po i bën vet”, tha Demhasaj.

    Në vendimin e datës 29 Gusht, KQZ-ja përcaktoi se numri i shtetasve që mund të votojnë fizikisht në diasporë është 47 mijë, në 47 vendvotime – secila me nga 1 mijë sish – në 22 shtete të ndryshme.

  • Klubi i karatesë ‘Policia e Kosovës’ fiton medalje të bronztë në turneun memorial “Adem Jashari”

    Klubi i karatesë ‘Policia e Kosovës’ fiton medalje të bronztë në turneun memorial “Adem Jashari”

    Klubi i karatesë “Policia e Kosovës” i themeluar dhe i regjistruar edhe në Federatën e Karatesë së Kosovës ka marrë pjesë në turneun memorial “Adem Jashari” të organizuar nga Federata e Karatesë së Kosovës.

    ‘Policia e Kosovës’ në këtë turne ka fituar medaljen e bronztë në kategorinë Senior -Kata.

    “Së fundi në kuadër të PK-së është themeluar Shoqata Sportive e Policisë së Kosovës dhe deri më tani janë hapur 8 klube në disiplina të ndryshme ndër to edhe Klubi i Karatesë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Si ta mbashë punën, 5 rregulla

    Si ta mbashë punën, 5 rregulla

    Kohë më parë konsiderohej diçka e mirë qëndrimi në të njëjtën punë apo me të njëjtin punëdhënës, për dekada me radhë, por sot gjërat kanë ndryshuar.

    Më parë nëse do të kishit qëndruar me të njëjtin punëdhënës dhe do të ishit ngjitur shkallë-shkallë, ju do të konsideroheshit si ajka e punonjësve, por sot gjërat kanë ndryshuar.

    Shumica e punëdhënësve, për të mos thënë të gjithë, i anashkalojnë personat të cilët kanë qenë me të njëjtin punëdhënës për dekada të tëra sepse shtrojnë këtë pyetjen: “A keni 20 vite përvojë apo keni një vit përvojë të përsëritur 20 herë?

    Duhet të dini se si të qëndroni të punësuar, por nëse qëllimi është që të qëndroni të punësuar gjithmonë në të njëjtin vend është e kotë që të përpiqeni për këtë gjë.

    Të kujdesesh për karrierën tënde dhe të përpiqesh të mos të të heqin nga puna janë dy gjëra të cilat nuk shkojnë bashkë. Në momentin që kujdesesh për karrierën tënde nuk duhet të të frikësojë ideja se mund të të heqin nga puna.

    Njerëzit që janë të punësuar duhet të rrinë gjithë kohën në gatishmëri dhe zgjuar. Shpeshherë mjaftoheni me faktin se u punësuat diku dhe harroni të ndizni motorët.

    Nuk duhet të harroni asnjëherë se të gjesh punë nuk është e vështirë por të përpiqesh ta mbash atë kërkon të ndjekësh disa rregulla.

    1. Mos u përpiqni ta shisni veten si njerëz të zgjuar, por pranoni sugjerime edhe nga kolegët apo menaxherët tuaj.

    2. Nëse jeni të sigurt se mund të gjeni një vend pune në momentin që keni nevojë për të, do të ndiheni më të fuqizuar në punë dhe nuk do të keni frikë të thoni atë që mendoni.

    3. Ju duhet të silleni si punëkërkues edhe kur jeni të punësuar, madje atëherë duhet të silleni më shumë sepse është e rëndësishme të dini talentet tuaja me më shumë vlerë.

    4. Duhet ta mbani rrjetin tuaj të mobilizuar dhe duhet të kuptoni se është shumë e rëndësishme të keni pranë vetes njerëz të zgjuar, të cilët iu shtyjnë drejt përmirësimit.

    5. Është shumë e rëndësishme të rifreskoni profilin tuaj të Linkedin-it me projektet dhe triumfet tuaja në mënyrë që të jeni të gatshëm nëse ju duhet të ndryshoni punë në çdo moment.

  • Kosova dhe Luksemburgu nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e sektorit privat

    Kosova dhe Luksemburgu nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e sektorit privat

    Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Shkëmbimit Tregtar dhe Bashkëpunimit e Veprimit Humanitar të Luksemburgut, Xavier Bettel, dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi për mbështetjen e sektorit privat, raporton EO.

    Memorandumi synon të sjellë projekte të reja që do të fuqizojnë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Luksemburgut.

    Zëvendëskryeministri Bettel, tha se si dy vende mike duke të jenë të dobishëm dhe përkrahës. Bettel tha se kjo vizitë e tij, pasqyron përkushtimin e Luksemburgut për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimit.

    “Kjo është për ta dëshmuar në 25 vjet marrëdhënieve dhe miqësisë që kemi. Miqësi do të thotë të jemi të dobishëm aty ku mundemi. Kjo marrëveshje nuk është diçka e re, të gjitha ndryshojnë tash e 20 vite. Mund të themi se nuk është shpenzim por investim në të ardhmen, për ta parë potencialin”, ka theksuae Bettel.

    E zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takime të tilla tregon përkushtimin e thellimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

    “Takimet dhe bisedat e sotme ishin konfirmim i radhës i përkushtimit tonë për thellimin e marrëdhënieve dhe zgjerimit të mundësive për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët. Dukati i madh i Luksemburgut ka qenë dhe vazhdon të jetë mbështetës i palëkundur i Kosovës në të gjitha proceset tona shtet-ndërtuese. Përmes projekteve të ndryshme financiare Luksemburgu deri më tani ka investuar rreth 100 milionë euro në Republikën e Kosovës, duke kontribuar kështu në zhvillimin dhe progresin tonë ekonomik dhe shoqëror. Sot zëvendëskryeministri Bettel dhe ministrja e MINT, Hajdari sapo nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për dy fonde për mbështetjen e sektorit privat”, ka thënë Bislimi.

  • ​Amerikanët në Kosovë presin proces zgjedhor demokratik në SHBA

    ​Amerikanët në Kosovë presin proces zgjedhor demokratik në SHBA

    Shtetasit amerikanë që jetojnë në Kosovë presin një proces zgjedhor demokratik në Shtetet e Bashkuara. Atje nesër votohet për presidentin e ri ndërkaq sondazhet tregojnë për një garë të ngushtë.

    Për zgjedhjet presidenciale kandidatë janë Kamala Harris nga Partia Demokratike dhe Donald Trump nga Partia Republikane.

    Aaron Sybrant tash e 20 vjet jeton me familje në Krushë të Vogël të Prizrenit.

    Megjithatë, ai tregon për KosovaPress se nuk kanë dashur të mungojnë në këtë proces zgjedhor të cilin amerikanët po e konsiderojnë historik.

    Ata kanë votuar në mënyrë elektronike.

    “Familja ime, bashkëshortja ime dhe unë kemi votuar në mënyrë elektronike përmes një procesi regjistrimi online. Na është dërguar një fletë votimi e siguruar dhe më pas ne e dorëzojmë votimin tonë përmes saj. Dhe për sa i përket zgjedhjeve dhe pritshmërive të mia, mendoj se këtë vit do të jenë vërtet shumë afër dhe nuk jam i sigurt se kush do të fitojë, por thjesht do të besoj dhe besoj në procesin demokratik, që njerëzit e duhur dhe mbështetja e duhur do të jenë përreth për t’i bërë katër vitet e ardhshme katër vitet më të mira që mund të jenë. Pra, do të jetë një [garë] e ngushtë”, tregon ai për KosovaPress.

    Ndërkaq, për Caleb Chesnut është hera e tretë që voton nga Kosova për zgjedhjet presidenciale në SHBA.

    “Kemi votuar ne më herët. Çdo shtet i ka opsionet e ndryshme, përmes postës kur kemi qenë në Amerikë e bën kërkesën që nuk mundemi me qenë në Amerikë në kohën e zgjedhjeve. Përmes shtetit na dërgojnë votimet dhe përmes postës ose përmes ambasadës këtu”, tregon Caleb.

    Amerikani i cili jeton në Orllan tash e dy dekada, tregon për KosovaPress kandidatin e tij të preferuar për president, ku pret se do të zhvillohet ekonomia në Amerikë.

    “Janë gjëra të rëndësishme fillimisht për abortin, ligji që është në Amerikë jam kundër kësaj ideje. Edhe kjo është një prej gjërave më të rëndësishme, gati më e rëndësishmja pse votoj. E dyta është se ekonomia në Amerikë është goxha keq, besoj që Trumpi e kthen ekonominë më mirë”, deklaron ai.

    Kamala Harris është zëvendëspresidente e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e demokratit Joe Biden.

    Ndërkaq, Trump ishte president i SHBA-së në periudhën 2017-2021./kp

  • ​Osmani takohet me Bettel, pas takimit nuk u deklaruan për media

    ​Osmani takohet me Bettel, pas takimit nuk u deklaruan për media

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme, Shkëmbimit Tregtar dhe Bashkëpunimit e Veprimit Humanitar të Luksemburgut, Xavier Bettel.

    Pas takimit, nuk ka pasur konferencë për media.

    Bettel, gjatë vizitës së tij, sot eshtë pritur gjithashtu edhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

  • Një ditë përpara zgjedhjeve, kush kryeson garën presidenciale, Harris apo Trump?

    Një ditë përpara zgjedhjeve, kush kryeson garën presidenciale, Harris apo Trump?

    Votuesit në SHBA shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur presidentin e tyre të ardhshëm.

    Pyetja e madhe tani është – a do të ketë Amerika presidenten e saj të parë grua apo një mandat të dytë të Donald Trump? Kush po udhëheq në sondazhet kombëtare?

    Sipas BBC Harris ka pasur një epërsi të vogël ndaj Trump në mesataret kombëtare të sondazheve që kur ajo hyri në garë në fund të korrikut dhe ajo mbetet përpara – siç tregohet në grafikun më poshtë me shifrat e fundit të rrumbullakosura në numrin e plotë më të afërt.

    Harris pa një rritje në javët e para të fushatës së saj, duke krijuar një epërsi prej afro katër pikë përqindjeje në fund të gushtit.

    Sondazhet ishin relativisht të qëndrueshme në shtator dhe në fillim të tetorit, por ato janë ngushtuar në dy javët e fundit, siç tregohet në grafikun më poshtë, me linjat e prirjeve që tregojnë mesataret dhe pikat për rezultatet individuale të sondazheve për secilin kandidat.

    Kjo për shkak se SHBA përdor një sistem kolegji zgjedhor, në të cilin çdo shteti i jepet një numër votash afërsisht në përputhje me madhësinë e popullsisë së tij. Një total prej 538 votash të kolegjit zgjedhor janë në dispozicion, kështu që një kandidat duhet të arrijë 270 për të fituar.

    Ka 50 shtete në SHBA, por për shkak se shumica e tyre pothuajse gjithmonë votojnë për të njëjtën parti, në realitet ka vetëm një pjesë të vogël ku të dy kandidatët kanë shanse për të fituar. Këto janë vendet ku zgjedhjet do të fitohen dhe do të humbasin dhe njihen si shtete në fushëbetejë ose shtete swing.

    Kush po fiton sipas sondazheve në shtetet e lëkundura

    Për momentin, epërsia në shtetet e lëkundura është aq e vogël sa është e pamundur të dihet se kush është me të vërtetë përpara duke parë mesataret e sondazheve.

    Është gjithashtu e rëndësishme të mbani mend se sondazhet individuale të përdorura për të krijuar këto mesatare kanë një diferencë gabimi prej rreth tre deri në katër pikë përqindjeje, kështu që secili kandidat mund të jetë më mirë ose më keq sesa sugjerojnë numrat aktualisht.

    Në Arizona, Xhorxhia, Nevada dhe Karolina e Veriut, drejtimi ka ndryshuar disa herë që nga fillimi i gushtit, por Trump ka një epërsi të vogël në të gjitha për momentin.
    Në tre shtetet e tjera – Michigan, Pensilvani dhe Ëisconsin – Harris kishte udhëhequr që nga fillimi i gushtit, ndonjëherë me dy ose tre pikë, por sondazhet janë ngushtuar ndjeshëm dhe Trump tani ka një epërsi shumë të vogël në Pensilvani.

    Të tre këto shtete kishin qenë bastione të demokratëve përpara se Trump t’i kthente të kuqe në rrugën e tij për të fituar presidencën në 2016. Biden i rimori ato në 2020 dhe nëse Harris mund të bëjë të njëjtën gjë, atëherë ajo do të jetë në rrugën e duhur për të fituar zgjedhjet.

  • Gërvalla për zgjedhjet në SHBA: S’ka sinjale për ndryshime të mbështetjes për Kosovën

    Gërvalla për zgjedhjet në SHBA: S’ka sinjale për ndryshime të mbështetjes për Kosovën

    Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk sheh asnjë sinjal që mund të ketë ndryshime lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, qoftë nga Republikanët apo Demokratët, raporton Ekonomia Online.

    Në konferencën për media të mbajtur me homologun e saj nga Luksemburgu, Xavier Bettel, Gërvalla ka thënë se miqësia e Kosovës me SHBA-në nuk ndikohet nga zgjedhjet e së nesërmes atje.

    Ndërsa për dialogun me Serbinë, ajo ka thënë se nën udhëheqësinë e Miroslav Lajçakut, nuk ka pasur rezultate të dëshiruara.

    “Si Republikë e Kosovës që përbën popullin në pro-amerikan në botë, jemi me fat që në SHBA kemi pasur mbështetjen e të dyja kampeve, si ai Demokrat edhe kampi Republikan. Prandaj, nuk shoh asnjë sinjal që një gjë e tillë të ketë ndryshuar gjatë rrugës. Miqësia me Amerikën nuk forcohet me fjalë, por me punë. Sa i përket dialogut, shpesh kemi paralajmëruar që dialogu i udhëhequr nga Miroslav Lajçak nuk ka sjellë rezultatet e dëshiruara, prandaj shpresoj shumë se komisioni i ardhshëm të fillojë punën sa më shpejt”, ka thënë ajo.

  • Malisheva fiton derbin ndaj Llapit

    Malisheva fiton derbin ndaj Llapit

    Pas një humbjeje dhe dy barazimeve, Malisheva është rikthyer te fitorja duke e mposhtur Llapin në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë me rezultat 2-1.

    Vendasit kaluan në epërsi pas vetëm tetë minutave lojë me golin e Berishës, ndërsa i njëjti e dyfishoi atë në minutën e 29, raporton KosovaPress.

    Llapi provoi të rikthehet në lojë dhe ngushtoi epërsinë në minutën e 68’, por nuk arritur që t’i barazojë shifra. Madje në minutat shtesë nga loja u përjashtuar Jashari duke e lënë skuadrën em dhjetë lojtarë në fushë.

    Me këtë fitore Malisheva ka shkuar në kuotën e 22 pikëve në vendin e dytë, aq sa ka edhe Ballkani në vendin e parë, ndërsa Llapi është i gjashtë me 15 pikë.

  • ​Haradinaj premton zhvillimin e turizmit malor në Kosovë

    ​Haradinaj premton zhvillimin e turizmit malor në Kosovë

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit AAK-Nisma-Konservatorët-E30, ka shprehur angazhimin e tij për të transformuar bjeshkët e Kosovës në një destinacion evropian të turizmit malor. Ish-kryeministri Haradinaj ka shkruar në Facebook, për nevojën e heqjes së masave kufizuese që aktualisht po pengojnë zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm ekonomik.

    “Nuk ka vend normal që nuk i shfrytëzon resurset që ia ka falë natyra,” deklaroi Haradinaj, duke krahasuar situatën me vendet fqinje si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilat kanë zhvilluar kapacitete të admirueshme në turizmin malor. Ai theksoi se mijëra banorë të zonave malore kanë ndërtuar objekte që mund të shfrytëzohen për qëllime turistike.

    Kandidati për kryeministër premtoi se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndër detyrat e tij të para do të jetë eliminimi i barrierave ligjore dhe administrative që aktualisht po pengojnë zhvillimin e turizmit në bjeshkët e Kosovës. “Të gjitha këto objekte do të hyjnë në fazën e legalizimit dhe do të përfshihen në tërësinë e kapaciteteve turistike,” shtoi Haradinaj, duke nënvizuar nevojën për ndryshime në bazën ligjore, përfshirë edhe planin hapësinor.