ATV

Author: ATVLive

  • Policët do të paguhen më shumë për punë shtesë në organizime publike

    Policët do të paguhen më shumë për punë shtesë në organizime publike

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Është ndeshje futbolli, por Policia garanton siguri.

    Tashmë angazhimi i policëve në këso punë, do të paguhet më shumë, meqë Ministria e Punëve të Brendshme ka përgatitur rregulloren e re, me të cilën parashihet forma e angazhimit dhe kompensimit, kur policët ftohen nga organizatorë të ngjarjeve publike.

    Sipas dokumentit, i cili tashmë është në fazën e konsultimeve publike, organizatori duhet të bëjë kërkesë te institucioni i policisë, 7 ditë para zhvillimit të ngjarjes, dhe paralelisht policia bën organizimin e pjesëtarëve, varësisht llojit të organizimit.

    Për tarifën e angazhimit, do të vendosë drejtori i përgjithshëm i policisë, edhe pse jozyrtarisht ATV-ja kupton se bëhet fjalë për gjysmën e shumës aktuale.

    “Sipas udhëzimit të ri apo normativës së re do të jetë përafërsisht 150 deri në 200 euro aktivitete e caktuara për zyrtarët të cilët do të marrin pjesë në aktivitete të caktuara nën ombrellën e policisë e cila shfrytëzohet si kompani përkatëse, e cila ofron siguri në atë eveniment”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Kompensimi, po ashtu, përfshin të gjitha shpenzimet lidhur me angazhimin shtesë, përfshirë orët shtesë të punës për pjesëtarët e Policisë, shpenzimet për pajisjet dhe materialet e përdorura gjatë angazhimit, si dhe kostot për transportin dhe logjistikën e Policisë në dhe nga vendi i ngjarjes.

    “Kjo në aspektin financiar është profitabile edhe për policinë po njëkohësisht edhe për efektivët të cilët angazhohen në atë plan operativ apo eveniment. Dihet që deri më tani këto punë janë kryer në formë sekondare të cilën e kanë apliku policia por tash me këtë formën e rregullimit padyshim do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë dhe një stimulim”, tha Shala.

    “Zyrtarëve policorë iu takon pagesa për orët shtesë, realisht kjo është e rregulluar edhe me ligjin e punës, prandaj secili rregullim me akte nënligjore është vetëm aprovim dhe respektim i ligjit”, tha Florim Shefqeti, jurist.

    Ndërkaq, sa i përket pagesës, Organizatori është i detyruar që atë ta bëjë brenda 10 ditëve nga përfundimi i ngjarjes.

  • Shumë shkolla e pak psikologë nëpër shkolla

    Shumë shkolla e pak psikologë nëpër shkolla

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Për 36 shkolla në komunën e Vushtrrisë, të angazhuar janë vetëm 8 psikologë.

    Nevoja për praninë e tyre në shkolla vlerësohet të jetë e madhe, megjithatë rritjen e numrit të psikologëve, kjo komunë thotë se e ka të pamundur, për shkak të kufizimeve të Ministrisë së Arsimit, për punësim.

    “Ministria para se me bë thirrje duhet me ua mundësu komunave rritjen e numrit të punësuarve në listën e pagave. Numri nuk është i mjaftueshëm, edhe shkollat kanë nevojë urgjente për psikolog, por kemi problem me kufizimin e punëtorëve që e ka caktu ministria e arsimit, për pranimin e psikologeve të reja”, tha Alabnez Tahiraj nga DKA Vushtrri.

    Numër po kaq të vogël të psikologëve në shkolla, ka edhe komuna e Hanit të Elezit.

    Për pesë shkolla sa numëron gjithsej kjo komunë ka vetëm një psikolog.

    As në këtë komunë për këtë vit nuk planifikohet hapja e ndonjë konkursi.

    “Për vitin 2025, Kemi planifiku nga janari kemi me hap konkursin për psikolog, nevoja është e madhe, do të ishte e duhur që çdo shkollë me pas nga një psikolog”, tha Hisni Luri nga DKA Hani i Elezit.

    Edhe në Komunën e Kamenicës ka të punësuar pak psikologë, krahasuar me numrin e institucioneve shkollore.

    Mirëpo, situatë krejt ndryshe qëndron në Komunën e Pejës. Sipas Drejtorisë së Arsimit, mbi 20 psikologë janë të punësuar.

    Duke pasur parasysh shëndetin mendor, por edhe ndikimin e teknologjisë, përfshirja e psikologëve në shkolla vlerësohet e domosdoshme.

    “Tu e pas parasysh shëndetin mendor të fëmijëve, përdorimin e substancave, një varësi prej teknologjisë, shto faktin edhe performanca akademike, sa më shumë kohë që kalon rëndësia e psikologëve në shkolla po bëhet më e madhe”, tha Naim Telaku, psikolog.

    Kërkesa nga Ministria e Arsimit, për rekrutim të psikologëve e pedagogëve, erdhi pas rasteve të vetëlëndimit të nxënëseve, në komunën e Gjakovës e në atë të Kamenicës.

    Megjithatë, ende nuk dihet, nëse ka ndonjë komunë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së MASHTI-t, ngase zyra për informim e këtij dikasteri nuk ktheu përgjigje ATV-në.

  • Tetë vjet nga vdekja e Astrit Deharit, rasti ende nuk është ndriçuar

    Tetë vjet nga vdekja e Astrit Deharit, rasti ende nuk është ndriçuar

    Përgatiti: Nora Luta

    Vdekja e Astrit Deharit tetë vjet pas, vazhdon të mbetet e pasqaruar.

    Avokati i familjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Tomë Gashi, tha për ATV-në se institucionet kanë dështuar në hetimin e këtij rasti.

    Sipas avokatit, gjatë këtyre viteve u ndërruan katër prokurorë, e të fundit, Gashi thotë se do t’i adresohen zyrtarisht, duke i kërkuar që rasti të mos zvarritet.

    Vetëvendosja, që e udhëheq Qeverinë, katër vjetët e fundit, kishte akuzuar institucionet, duke thënë se kur të vijë në pushtet rasti do të ndriçohet.

    Megjithatë, sipas avokatit të familjes, ekzekutivi nuk ndërhyn në punën e organit të akuzës.

    Prokuroria Speciale vazhdimisht kishte mohuar se ka pasur manipulim të provave, e për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk ofron detaje. Ekspertiza e vitit 2019 e institutit zviceran, kishte konstatuar se nuk bëhet fjalë për vetëvrasje, ndërsa e dyta kishte konstatuar se analizat e ADN-së nuk kanë treguar profil tjetër, përveç atij të viktimës.

    Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në nëntor të 2016-s, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej si i dyshuar për sulm ndaj Kuvendit.

  • Projeksioni i CNN: Harris e nis me 226 vota, Trump 219

    Projeksioni i CNN: Harris e nis me 226 vota, Trump 219

    Qytetarët amerikanë sot votojnë për zgjedhjet presidenciale, për të cilat votuesit janë të ndarë në nivel vendi, por edhe në shtatë shtete kryesore që pritet të përcaktojnë rezultatin mes ish-presidentit republikan, Donald Trump, dhe nënpresidentes demokrate, Kamala Harris.

    Sipas CNN, demokratja e nis me 226 vota garën, ndërsa kundërshtari i saj politik, Trump e nis me 219. Pra siç shihet, Harris është në një avantash relativisht të madh ndaj ish-presidentit republikan.

    Shtetet e lëkundura janë Nevada, Wisconsin, Pensilvania, Michigan, Arizona, Georgia dhe Karolina e Verit, ku në hartë janë në ngjyrë të verdhë.

    Shtetet që pritet të fitojë Kamala Harris janë: Washington, Oregon, California, Minnesota, Illinos, Colorado, New Mexico, Virginia, New York, Maine, New Hampshire, Vermont, Massachusetts, Coneccticut, New Jersey, Delaware, Maryland, Hawai.

    Ndërsa në shtete e tjera pritet të marrë më shumë vota Donald Trump.

  • Zgjedhjet në SHBA: Kandidati republikan Trump shfrytëzon votën në Florida

    Zgjedhjet në SHBA: Kandidati republikan Trump shfrytëzon votën në Florida

    Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale në SHBA, Donald Trump, hodhi votën e tij në shtetin e Floridës, transmeton Anadolu.

    Trump u prononcua për mediat pas votimit me gruan e tij Melania Trump.

    Duke pretenduar se është “mjaft përpara” sipas informacioneve që ka marrë, Trump deklaroi se republikanët kanë votuar fuqishëm.

    “Dëgjoj se po ecim shumë mirë kudo. Unë mendoj se do të kemi sukses të madh sot”, tha ai.

    Në lidhje me atë nëse do të pranonte rezultatet e zgjedhjeve nëse humbet, Trump tha: “Unë mendoj se ata që pretendojnë të kundërtën janë të çmendur. Nëse do të ketë zgjedhje të ndershme dhe unë i humbas, do të jem i pari që do t’i pranoj”.

    – “Dua që Irani të jetë i suksesshëm, por nuk mund të kenë armë bërthamore”

    Trump deklaroi se çështja më e rëndësishme janë kufijtë dhe theksoi se trafikantët e drogës dhe terroristët hyjnë përmes kufirit.

    Lidhur me Iranin, Trump deklaroi se “kushtet janë shumë të thjeshta” dhe se ai nuk dëshiron të dëmtojë Iranin. “Ata nuk mund të kenë armë bërthamore. Unë dua që ata të jenë një vend i suksesshëm, por nuk mund të kenë armë bërthamore. Është kaq e thjeshtë”, tha ai.

    Në zgjedhjet e 60-ta presidenciale, në të cilat përballen republikani Donald Trump kundër demokrates Kamala Harris, fitues do të shpallet kandidati që arrin 270 delegatë.

    Fituesi i garës presidenciale do të bëjë zyrtarisht betimin më 20 janar 2025.

  • ​Ndizen qirinj në nderim të Astrit Deharit

    ​Ndizen qirinj në nderim të Astrit Deharit

    Me rastin e tetë vjetorit të vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari sonte është bërë ndezja e qirinjve te Murali në Prishtinë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla e anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritarë bashkë me familjarë të Astrit Deharit e qytetarë tjerë morën pjesë në këtë përkujtim. I pranishëm ishte edhe avokati Tomë Gashi.

    Ndërkaq, sot në homazhe te varri i Astrit Deharit në Zllatar të Prishtinës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se janë të gatshëm si qeveri, ta ndihmojnë prokurorinë e shtetit për të sjellë drejtësinë pas tetë viteve në zbardhjen e rastit të ish aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

    Të pranishëm në homazhe ishin familjarë, pjesëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë.

  • Kosova nën “ethet” e zgjedhjeve në ShBA, cili kandidatë është më i favorshëm për vendin?

    Kosova nën “ethet” e zgjedhjeve në ShBA, cili kandidatë është më i favorshëm për vendin?

    Kosova po përcjell me vëmendje të madhe zgjedhjet e sotme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtimi i politikës amerikane konsiderohet se do të ketë ndikim të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Njohësit politikë në Kosovë ofrojnë perspektiva të ndryshme mbi atë se kush është kandidati më i favorshëm për Kosovën. Në garë të ngushtë për president të 47-të të ShBA-së janë kandidatja demokrate, Kamala Harris dhe kandidati republikan, Donald Trump.

    Analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për KosovaPress se për Kosovën kandidatja Kamala Harris është më e favorshme për presidente të ShBA-së.

    Sipas tij, kandidati republikan, Donald Trump është një personalitet atipik dhe nuk dihet se cili do të jetë roli i tij në politikën botërore, duke përfshirë edhe Kosovën.

    Ai vë në pah rrezikun që nën administratën Trump të rikthehet ideja e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Për Kosovën kandidate më e përshtatshme dhe kapshme për rrethanat e Kosovës është zonja Harris. Ajo rrjedh nga Partia Demokratike dhe ka një estabilishment dhe në Departamentin e Shtetit që e njohin mirë çështjen e Kosovës, siç është i deleguari për dialogun O’Brien. Kurse në rast që fiton zotëri Trump është një personalitet atipik, që askush nuk e dinë se cili do të jetë roli i tij për politikën botërore dhe regjionale duke përfshirë edhe Kosovën. Ajo çka kanë thënë këshilltarët e tij, sikurse zotëri Bolton më parë është rreziku për kthimin e serishëm të projektit për korrigjim të kufijve që ka qenë më parë”, thotë ai.

    Mirëpo, diplomati, Blerim Canaj, nuk pret ndryshim të politikës së jashtme amerikane karshi Kosovës, pavarësisht ardhjes në pushtet të Donald Trump apo fitores së Kamala Harris.

    Madje, ai thotë për KosovaPress se kandidati republikan, Trump mund të jetë më i hovshëm në vendimmarrje.

    “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë faktikisht shtet me traditë, politika e jashtme e secilës nuk varet nga një kandidat apo një tjetër. Natyrisht mund të jetë që njëri kandidat të jetë më i hovshëm në vendimmarrje, në këtë rast Donald Trump dhe tjetri kandidat mund të jetë më i ngadalshëm. Mirëpo prioritetet në strategjinë afatgjate të Shteteve të Bashkuara të Amerikës as në raport me Kosovën dhe me shtetet të tjera nuk ndryshojnë. Kështu që nuk e besoj se do të ketë kushedi çfarë ndryshimi të madh, përveç ecurisë të shpejtë apo më të ngadalshme të marrjes së vendimeve”, thekson Canaj.

    Qytetarët amerikanë janë duke votuar për të zgjedhur presidentin e ri. Kandidates demokrate Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump u duhen nga 270 vota elektorale për të fituar.

    Zgjedhjet e sotme presidenciale në ShBA i komentoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova është e bekuar që ka përkrahjen e SHBA-së, si nga demokratët ashtu edhe nga republikanët.

    Osmani nënvizoi se ShBA-ja është aleati strategjik i Kosovës dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe pas zgjedhjeve presidenciale./KP

  • Dogana inkason të hyra mbi 1.5 miliard euro

    Dogana inkason të hyra mbi 1.5 miliard euro

    Dogana e Kosovës njofton se fillimi i muajit nëntor shënoi ‘një arritje historike për Doganën’, pasi janë mbledhur mbi 1.5 miliardë euro të hyra. Për Doganën, kjo shifër përfaqëson një rritje të dukshme prej 10.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

    “Gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit 2023, të hyrat e mbledhura ishin 1.36 miliardë euro, ndërsa këtë vit janë mbledhur 146.1 milionë euro më shumë. Ky trend pozitiv, që ka nisur të shfaqet vitin e kaluar, ka vazhduar të përforcohet në vitin 2024, duke konfirmuar përkushtimin e Doganës për të maksimizuar të hyrat”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se Dogana e Kosovës mbetet e angazhuar për të vazhduar kontrollet rigoroze dhe të vazhdueshme, duke bashkëpunuar ngushtë me autoritetet kompetente për të mbrojtur ekonominë dhe sigurinë e vendit.

  • BE fton Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit

    BE fton Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit

    Bashkimi Evropian edhe një herë u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin obligimet e tyre që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit.

    Një thirrje të tillë e ka bërë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për medie. Duke rikapituluar procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Stano ka theksuar se etiketimi i Projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij, derisa ka shprehur keqardhje që një vit pasi palët miratuan dokumentin në parim, nuk u bë asnjë përparim në krijimin e tij në përputhje me draft-statutin evropian.

    “Në vitin 2013, Kosova nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. 11 vjet më vonë, Kosova ende nuk i ka ndërmarrë hapat e nevojshëm drejt krijimit të saj dhe për këtë arsye po dështon në përmbushjen e detyrimit të saj të qartë sipas ligjit ndërkombëtar, i cili më pas u përsërit në marrëveshjet e 2015 dhe 2023”, ka thënë Stano.

    Sipas tij, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të dialogut të 2013 dhe 2015, statuti për themelimin e Asociacionit duhet të hartohet dhe të diskutohet në dialog.

    “Çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së dhe të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Kjo gjithashtu do të thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë statutin jashtë dialogut. Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës”, ka theksuar tutje Stano.

    Ai tutje ka thënë se në tetor 2023, në një përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja – prezantoi zyrtarisht një projekt-statut evropian për krijimin e ASM-së.

    “Ky draft-statut evropian bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Drafti iu dorëzua kryeministrit Kurti personalisht nga ndërmjetësi i BE-së së bashku me këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe Përfaqësuesin Special të SHBA-së. Në një takim të nivelit të lartë në mbështetje të dialogut në prani të presidentit Macron, kryeministres Meloni dhe kancelarit Scholz, të dyja palët pranuan në parim draft-statutin evropian. Në konkluzionet e tij të dhjetorit 2023, Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së”. Ky është një njohje zyrtare e dokumentit nga të 27 Shtetet Anëtare të BE-së”, ka thënë Stano.

    Sipas tij, etiketimi i projektstatutit Evropian si “thjesht një non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dhe vonon më tej perspektivën e krijimit të tij.

    “Na vjen keq që një vit pasi palët miratuan dokumentin në parim, nuk u bë asnjë përparim në krijimin e tij në përputhje me Draft Statutin Evropian. Në përputhje me riangazhimin e saj zyrtar ndaj dialogut dhe zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të dialogut të 20 shtatorit 2024, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të ecë përpara me themelimin e saj pa vonesa të mëtejshme. Serbia pritet të përmbushë obligimet e saj që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, paralelisht me Kosovën që të ecë përpara me themelimin e Asociacionit bazuar në draft-statutin evropian, në përputhje me planin e zbatimit të propozuar nga lehtësuesi i BE-së”, ka nënvizuar Stano.

  • Vendoset një poster në qendër të Prishtinës me fotografitë e Trump dhe Harris

    Vendoset një poster në qendër të Prishtinës me fotografitë e Trump dhe Harris

    Zgjedhjet presidenciale që mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë përcillen me interes të shtuar në Kosovë. Kjo për shkak të raportit tepër specifik që Kosova ka me Amerikën dhe aleancës së fortë në mes të dy vendeve.

    Kosova është vendi më pro-amerikan dhe ka pasur në vazhdimësi përkrahjen e dy taborëve politik të SHBA-së, demokratë e republikanë.

    Për të treguar këtë unifikim të popullit të Kosovës karshi dy krahëve politikë në SHBA, sot në qendër të Prishtinës është vendosur nga “Instituti Octopus” një pankartë me fotografitë e dy kandidatëve për president, Donald Trump dhe Kamala Harris dhe me mbishkrimin “Together we stand in freedom’s land”.