ATV

Author: ATVLive

  • Protestë në mbështetje të punëtorëve teknike të Kuvendit

    Protestë në mbështetje të punëtorëve teknike të Kuvendit

    Përgatiti: Besmire Kluna

    “Punëtorët nuk janë mall”, ishte thirrja që brohoriste për një orë sa zgjati një protestë para Kuvendit.

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja” protestuan edhe një herë në shenjë solidarizimi me punëtoret teknike të cilat hynë në grevë që nga 16 shtatori.

    Sërish u theksua se paga prej 275 eurove sa marrin ato nuk mjafton as për mbijetesë.

    “Përderisa punëtoret ka 2 muaj që po qëndrojnë jashtë në oborrin e Kuvendit, atje brenda deputetët kanë filluar ta shpallin njëri-tjetrin tradhtar në mënyrë që ta projektojnë heroin te vetja, lojë e zakonshme kjo që e bëjnë gjithmonë përpara zgjedhjeve”, tha Yll Islami nga organizata “Përpjekja”.

    Sipas tij, kompania që fitoi tenderin për mirëmbajtjen e Kuvendit ka ofertuar me ofertën me të lirë në kurriz të punëtoreve.

    “Prandaj kur jepen tenderë nga shteti, në kontrata duhet të përfshihen edhe pagat e punëtorëve dhe kushtet e punës. Por tashmë e dimë që pagat e kushtet e dinjitetshme në punë nuk arrihen as nga mëshira e pronarëve parazitarë e as nga pushtetarët hipokritë”, tha Islami.

    Edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, i cili mori pjesë në protestë, shprehu keqardhje rreth gjendjes në të cilën ndodhen këto punëtore.

    “Realisht janë bërë dy shkelje ligjore, e para sepse nuk mbahet në mend që janë mbajtur grevë dy muaj dhe mos të përfundojë procesi i një grevës në rend të parë dhe në rend të dytë, shkelja e vendimit të Kryeministrit të Kosovës, që po shihet se këto vendime janë sa për t’u qitur në opinion sepse ato nuk zbatohet”, tha Azemi.

    Punëtoret teknike të Kuvendit kërkojnë që paga e tyre të rritet në 500 euro.

  • Liderët në gjithë botën e urojnë Trumpin për fitoren

    Liderët në gjithë botën e urojnë Trumpin për fitoren

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Liderët e Kosovës mezi po presin të bashkëpunojnë me Donald Trumpin, i cili do të jetë presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Kështu u shprehën edhe presidentja Vjosa Osmani, edhe kryeministri Albin Kurti, në urimet për republikanin, që e mposhti në zgjedhje demokraten Kamala Harris.

    “Mezi pres të punoj me administratën e re për t’i thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike. Zoti e bekoftë Amerikën, lideren e botës së lirë!”, tha Osmani.

    Edhe Kurti e përmendi aleancën me Amerikën, në urimin për Trumpin.

    Megjithëse, partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e preferonte Harrisin për presidente.

    “Urime president Donald Trump në fitoren tuaj elektorale. SHBA-ja është aleate kyçe, mike dhe partnere e Kosovës dhe presim me padurim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe”, ka shkruar Kurti.

    Fitorja e republikanit u përshëndet edhe nga opozita kosovare.

    Trumpin e ka uruar për fitoren edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili gjithashtu falënderoi presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden, për bashkëpunimin.

    “Pres me kënaqësi privilegjin e madh për të punuar me presidentin e 47-të për të thelluar më tej partneritetin tonë për paqe, prosperitet dhe progres të mëtejshëm”, ka shkruar Rama.

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, shkroi se me presidentin e ri amerikan do të punojë për ta “përparuar paqen përmes forcës në NATO.”

    “Lidershipi i tij do të jetë përsëri kyç për të mbajtur Aleancën tonë të fortë”, ka shkruar Rutte.

    Rezultatet e zgjedhjeve pritet të ndikojnë në politikat globale, kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida të sigurisë. Andaj, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se qasja e Donald Trumpit në çështjet globale mund ta sjellë paqen në Ukrainë.

  • Dëshmia e Shukri Bujës në Gjykatën Speciale

    Dëshmia e Shukri Bujës në Gjykatën Speciale

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në ditën e tretë të dëshmisë në gjykatën speciale, në procesin ndaj Thaçit e të tjerëve, dëshmitari Shukri Buja foli për masa disiplinore që merreshin ndaj ushtarëve të UÇK-së.

    Kushdo që shkelte rregullat e ushtrisë, mbahej përkohësisht në një dhomë.

    “Ka qenë një vend në oborrin e komandës së brigadës por që nuk ka qenë vendndalim. Ka qenë një dhomë ku kanë qëndruar dhe kanë pas të drejtën që të dalin në oborr apo të shkojnë në kuzhinë të punojnë. Kjo ka qenë rregullativa”, deklaroi Buja.

    Në vendin e posaçëm që e kishin brigadat, ushtarët, mund të mbaheshin deri në 20 ditë, sipas Bujës.

    “Me i rreziku ushtarët e tjerë me të shtëna në ndonjë objekt ose ka shkelë ndonjë rregull tjetër disiplinore është marrë masa. Kjo ka qenë kompetencë që e ka shqyrtu zyra ligjore në bazë të asaj rregullore dhe pastaj ia ka sjellë komandantit për nënshkrim”, tha Buja.
    Pas deklarimit për trajtimin e ushtarëve, Buja u pyet edhe nëse ka pasur qendra të ndalimit për palë tjera. Për këtë çështje, ish-ushtaraku tha se ka pasur vetëm kontroll dhe legjitimim, e asnjëherë arrestime.

    “Ka pas raste kur është ndalu edhe vëllai im i cili ka qenë anëtar i kryesisë së LDK-së dhe në kërkesën e tij për të shkuar në Negroc dhe ushtarët kanë dyshuar sepse në Negroc nuk kanë pas arsye”, tha Buja.

    Në pyetjet e prokurorit, Buja tha se nuk i kujtohet ndonjë rast kur ushtarët e UÇK-së kanë kryer ndonjë krim.

  • “Normalizimi i dhunës në familje”, diskutohet në Komisionin për të drejtat e njeriut

    “Normalizimi i dhunës në familje”, diskutohet në Komisionin për të drejtat e njeriut

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Gjatë 24 orëve të fundit, 10 raste të reja të dhunës në familje u raportuan në Polici. Tri raste janë raportuar në Prishtinë, dy në Malishevë, e nga një në Gjakovë, Fushë-Kosovë, Pejë, Shtërpcë e Zveçan.

    Dhuna në familje ishte temë diskutimi edhe në Komisionin për të drejtat e njeriut dhe barazi gjinore, me ç’rast u konstatua se po promovohet në Kosovë nëpërmes një spektakli televiziv.

    Andaj Komisioni i Pavarur për Media ka pranuar ankesa për vendosjen në hapësirë të njëjtë të një ish-çifti bashkëshortor, për të cilin rast burri ishte denoncuar për dhunë në familje e ndaj të cilit deri në shtator pati urdhër mbrojtës.

    “Kemi pranuar 7 kërkesa. Katër prej tyre detyrimi i viktimës për të ndarë hapësirën me dhunuesin, 1 për keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, 1 për komentet e analistit dhe 1 që nuk është emision edukativ”, tha kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.

    Derisa ankesat ende nuk janë trajtuar nga KPM-ja, anëtarët e komisionit kërkuan llogari.

    “Pse nuk keni reaguar, ju jeni palë përgjegjëse, kur keni pasur baza për reagim”, tha Duda Balje, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

    Megjithatë, rregullat për një emision nuk i vendos KPM-ja e as masa penale.

    “Është një kohë shumë e shkurtër dhe ne duhet të ulemi dhe të analizojmë rastin. Nuk do të thotë që nuk do të gjejmë një mundësi të tillë”, tha Luljeta Aliu, anëtare në KPM.

    Nën kritika që dhuna në familje po normalizohet reagoi edhe Ministria e Drejtësisë. Sipas Grupit Ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ky rast ka për qëllim minimizimin e një fenomeni të rrezikshëm, respektivisht të dhunës në familje, me të cilin po përballet shoqëria.

    Megjithatë pas presionit publik dhe angazhimit të organizatave të shumta i akuzuari për dhune ne familje u largua nga spektakli.

  • Ish-futbollistja e kombëtares shqiptare: Falë Agim Ademit futbolli i femrave luhet në Kosovë

    Ish-futbollistja e kombëtares shqiptare: Falë Agim Ademit futbolli i femrave luhet në Kosovë

    Ish-futbollistja e kombëtares së Shqipërisë në futboll, Suada Jashari ka qenë e ftuar në emisionin ‘A PLAY’ në ATV.

    Jashari e cila është paraqitur 22 herë për kombëtaren e Shqipërisë dhe ka qenë pjesë e Kosovës së Prishtinës, ka deklaruar që futbolli i femrave çdo herë e ka pas mbështetjen e Agim Ademit edhe kur ky i fundit nuk ka qenë në postin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës.

    ‘Përveç familjes dhe shoqnisë që nuk na ka paragjykuar na ka mbështet është edhe Agim Ademi, Kryetari i Federatës së futbollit të Kosovës. I cili ka qenë mbështetësi kryesor dhe ndoshta e ka rolin kryesor pse futbolli i femrave është sot këtu ku është. E mbaj mend ka qenë i vetmi në atë kohë që e ka mbajtur klubin Kosova e Prishtinës, pra nuk pasur ndonjë interes e ka mbajtur ekipin dhe sot e kësaj dite futbolli i Kosovës në konkurrencën e femrave vazhdon të luhet’ tha Suada Jashari.

    Kujtojmë që tani Jashari është trajnere të kombëtarja e Kosovës U19.

    Për më shumë ndiqeni emisionin më poshtë.

  • Tahiri: E kemi parë në këto katër vite se sa e dëmshme është izolimi i Kosovës nga Uashingtoni

    Tahiri: E kemi parë në këto katër vite se sa e dëmshme është izolimi i Kosovës nga Uashingtoni

    Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhafer Tahiri, në emisionin COMPAS në ATV, tha se izolimi i Kosovës nga Uashingtoni është e rrezikshme për Kosovën si në aspektin e sigurisë, po ashtu edhe në përparimin si shtet i ri.

    Sipas tij, izolimi i Kosovës nga Uashingtoni në katër vitet e fundit, ka bërë që Kosovë të mos ketë asnjë anëtarësim të ri në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë.

    “Kosova në njërën anë, nuk mund të përballojë dhe të jetë e izoluar nga Uashingtoni. Kjo është e rrezikshme, izolimi i Kosovës nga Uashingtoni është e rrezikshme për të ardhmen tonë, është e rrezikshme për të tashmen dhe të ardhmen tonë, për siguron tonë si Kosovë dhe e pengon përparimin tonë. Në këto katër vite, ne e kemi parë se sa e dëmshme është izolimi i Kosovës nga Uashingtoni, nuk kemi asnjë anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare dhe nuk kemi asnjë njohje të Republikës së Kosovës, ndërkohë si shtet i ri, për neve, për shtetësinë tonë, esenciale është anëtarësimi i jonë në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtarë”, tha Tahiri. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin COMPAS në ATV, në videon më poshtë:

  • Profesori Xhavit Rexhaj shpjegon se si zgjidhet presidenti i SHBA-së

    Profesori Xhavit Rexhaj shpjegon se si zgjidhet presidenti i SHBA-së

    Profesori Xhavit Rexhaj, në emisionin COMPAS në ATV, ka shpjeguar se si zgjedhtë presidenti në SHBA. Ai ka treguar se ai që fiton votat popullore, jo gjithsesi i fiton edhe zgjedhjet presidenciale.

    “Shumica, jo gjithsesi fiton. Ai që fiton shumicën popullore, jo gjithsesi fiton edhe zgjedhjet presidenciale. Pse, sepse në Amerikë quhet një kolegj elektoral, 50 shtetet i dërgojnë diku 540 vota dhe ato, secili shtet, për shembull nëse votohet në shtetin e IOWA-s, ky shtet i ka 6 vota, ai që fiton një votë më shumë në IOWA, ai i fiton të gjitha votat e IOWA-s. Prandaj, mbledhin këto vota, duhet me u ba 271, dhe ai person zgjedhjet president i SHBA-së”, tregoi profesori Rexhaj.

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin COMPAS në ATV, në videon më poshtë:

  • Bislimi: Pavarësisht se kush fiton zgjedhjet në SHBA, përkrahja për Kosovën nuk do të mungojë asnjëherë

    Bislimi: Pavarësisht se kush fiton zgjedhjet në SHBA, përkrahja për Kosovën nuk do të mungojë asnjëherë

    Ish deputeti i Kuvenit të Kosovës, tani që jeton dhe vepron në SHBA, Faton Bislimi, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin COMPAS në ATV, tha se, sa i përket Kosovës, nuk do të mungojë përkrahja e SHBA-së, pavarësisht rezultatit të sotëm në zgjedhjet presidenciale që po zhvillohen atje.

    “Përcaktimi i presidentit të SHBA-së sonte normalisht se do të ketë ndikim jo vetëm për Amerikën, por për gjithë Globin, veçanërisht edhe për Kosovën. Ajo që mund të them me përgjegjësi të plotë, ne do ta kemi përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së, cilido qoftë rezultati zgjedhjeve presidencaiale të ditës së sotme. Këtë e them bazuar në faktet historike që nga vitet 80-ta deri më tani, çështja e Kosovës ka gëzuar përkrahje pa rezervë të të dyja taborëve politike, qofshin ata Republikanë apo Demokratë”, tha Bislimi.

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin COMPAS në ATV, në videon më poshtë:

  • Aktivisti shqiptar në SHBA: Nëse Trump humb zgjedhjet, do të ketë trazira

    Aktivisti shqiptar në SHBA: Nëse Trump humb zgjedhjet, do të ketë trazira

    Aktivisti Naser Nika nga shoqata “State Island” , në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin COMPAS në ATV, duke komentuar çështjen e sigurisë në ditën e zgjedhjeve në SHBA, tha se nëse Donald Trump do të humb, mund të ketë trazira.

    “Nëse Trumpi nuk fiton, gjithçka mundet me ndodh, ndërsa nëse Demokratët humbin dhe fiton Trump asgjë nuk do të ndodh. Nëse Trump humb, 90 për qind se do të ketë trazira”, tha Nika.

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin COMPAS në ATV, në videon më poshtë:

  • Aktivisti shqiptar në SHBA: Besoj se Trump do t’i fitojë zgjedhjet

    Aktivisti shqiptar në SHBA: Besoj se Trump do t’i fitojë zgjedhjet

    Aktivisti Naser Nika nga shoqata “State Island” , në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin COMPAS në ATV, tha se ende është herët të flitet për rezultatet e mundshme të zgjedhjeve në SHBA, por sipas zhvillimeve të fundit, qoftë edhe sondazheve, beson se Donald Trump do t’i fitojë zgjedhjet.

    “Kurrgjë nuk dihet deri në momentet e fundit, por besojmë që Trumpi sipas këtyne zhvillimeve, besoj se Trumpi do ta fitojë”, tha Nika.

    Më shumë detaje i gjeni në emisionin COMPAS në ATV, në videon më poshtë: