ATV

Author: ATVLive

  • Mesatarisht 10 persona burgosen brenda ditës në Kosovë

    Mesatarisht 10 persona burgosen brenda ditës në Kosovë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Burgjet e Kosovës gati çdo ditë pranojnë të burgosur të rinj. Mesatarisht dhjetë qytetarë në ditë përfundojnë prapa grilave, për vepra të ndryshme penale.

    Nga janari e deri në tetor, plot 3115 qytetarë janë prangosur, sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues.

    Kësisoj në tri vitet e fundit, janë mbi 10 mijë qytetarë të cilët u privuan nga liria.
    Megjithatë, aq sa hyjnë, edhe dalin.

    Brenda një viti, mesatarisht 3650 persona hyjnë në burg, e 3700 përfundojnë vuajtjen e dënimit me burgim.

    Pavarësisht shifrave, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se të burgosurit kosovarë trajtohen mirë.

    Aktualisht në të gjitha burgjet apo qendrat korrektuese, vuajnë dënimin 1749 persona, por nga KMDLNJ-ja thonë se shumica prej tyre meritojnë lirimin.

    Sidoqoftë, për një të burgosur shteti paguan mbi 800 euro në baza mujore, teksa për një vit, të burgosurit në total shtetit i kushtojnë afër 1.4 milion euro.

  • Ministrja në aeroplan, palët në Gjykatë

    Ministrja në aeroplan, palët në Gjykatë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në gjykatë do të duhej të ishte në orën 9:00 për mosdeklarim të pasurisë.

    Por, Ministrja e Punëve të jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz, gjatë kësaj kohe ishte duke udhëtuar. Këtë e konfirmoi avokati i saj.

    “Është në vizitë zyrtare. Një takim i cili është caktu shumë më herët. Me ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë është në Zagreb. Për prokurorin, shtyrja e seancës nuk përbente problem”, tha Arianit Koci, avokat i Donika Gërvallës.

    “Sipas kodit të procedurës, ka mundësi për vazhdimin e seancës. Por nëse e pandehura paraqitet në seancën e radhës, nuk e kundërshtojmë që seanca të shtyhet”, ka thënë prokurori i Shtetit.

    Andaj, gjykatësi edhe vendosi në këtë drejtim.

    Ministrja Gërvalla akuzohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike, në formularin për deklarim të pasurisë, më 22 mars 2021, nuk i ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

  • Tragjedia në Gjilan, gazetari i ATV-së jep detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Tragjedia në Gjilan, gazetari i ATV-së jep detajet e fundit nga vendi i ngjarjes

    Një 37 vjeçar është vrarë sot në Gjilan në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”. Gazetari i ATV-s, Arian Hajdaraj, në një lidhje të drejtpërdrejtë në Edicionin Qendror të lajmeve, ka dhënë detajet e fundit që dihen rreth këtij rasti.

    Ai tregoi se Policia e Kosovës tashmë është duke hetuar rastin në disa pista, por që deri më tani, ende nuk ka rezultuar me ndonjë të arrestuar.

    “Pavarësisht se kanë kaluar disa orë, ende nuk ka ndonjë të arrestuar si të dyshuar lidhur me këtë rast, por se sipas informacioneve të fundit, Policia tashmë është duke punuar në disa pista, për të cilat janë shprehur të rezervuar me qenë se thanë se mund të ndikojnë në vazhdën e hetimeve, por ndërkohë kuptojmë se edhe ka përfunduar ekzaminimi i trupit të pajetë të viktimës 37-vjeçairit, i cili u gjet pa shenja jete pikërisht këtu në rrugën Mërgimtarët e Gjilanit rreth orës 14:00 sot gjatë ditës, ku sipas të dhënave, janë gjetur të paktën dy hyrëse dhe dalëse në trupin e viktimës”, tregoi Hajdaraj.

    Ai tha se ATV ka kuptuar se viktima ka qenë një recidivist i veprave penale, ku edhe kishte vuajtur dënim me burg në shtetin e Shqipërisë.

    “Televizioni kupton po ashtu se i njëjti ka qenë një recidivist i veprave penale, duke theksuar se i njëjti, për një periudhë ka vuajtur edhe dënimin me burg në shtetin e Shqipërisë, për të rikthyer pastaj edhe në Kosovë, pikërisht në komunën e Gjilanit për të vazhduar jetën, por se, sa i përket angazhimit të tij se çfarë punonte dhe diçka tjetër, ende nuk ka informacione. Vlen të theksohet që sipas dëshmitarëve të rastit, me të cilët edhe kemi biseduar, kanë qenë disa persona të cilët e kanë takuar viktimën, pasi i njëjti ka dalë nga dyqani që ndodhet prapa nesh dhe vrasja e viktimës ka ndodhur pikërisht këtu në rrugën Mërgimtarët e Gjilanit, për tu vërejtur pastaj i njëjti i shtrirë në toke, e ku kanë ardhur më pas edhe ekipet e emergjencës për ta konfirmuar vdekjen e tij dhe dërguar pastaj për ekzaminim”, tregoi gazetari Hajdaraj.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • ​Lakuriqët “vampirë vrapojnë” në rutinë, ja si e përdorin ata gjakun për energji

    ​Lakuriqët “vampirë vrapojnë” në rutinë, ja si e përdorin ata gjakun për energji

    Lakuriqët “vampirë” të natës janë “vrapues të shkëlqyeshëm” dhe studiuesit kanë treguar se si metabolizmi i tyre është përshtatur për të punuar në një mënyrë të ndryshme nga shumica e gjitarëve.

    Njëzet e katër lakuriq nate u kapën nga Belize të Amerikës Qendrore dhe u ushqyen me gjak të pasuruar të lopëve në një studim kanadez.

    Studiuesit shikuan dyoksidin e karbonit që nxirrnin në rutinë dhe gjetën gjurmë të aminoacideve, blloqet ndërtuese të proteinave. Raporti i dyoksid karbonit ndaj oksigjenit (raporti i shkëmbimit të frymëmarrjes) qëndroi i njëjtë me të gjitha shpejtësitë.

    Studimi sugjeron që burimi kryesor i energjisë i lakuriqëve të natës ishte vakti i gjakut i pasur me proteina, në vend të karbohidrateve dhe yndyrave të ruajtura të përdorura kryesisht nga shumica e gjitarëve të tjerë.

    “Kjo tregon sa fort mund të formësohet metabolizmi nga një dietë e specializuar, pasi dieta e lakuriqëve ‘vampirë’ është relativisht e ulët në karbohidrate dhe yndyra”, thonë studiuesit.

    Lakuriqët “vampirë” të natës janë vetëm rreth 7-9 centimetra të gjatë, por mund të dyfishojnë peshën e tyre pas një seance të ushqyerjes me gjak.

    Ata dalin natën për të zbuluar prenë duke përdorur sensorë të nxehtësisë në trupin e tyre. Një antikoagulues i fortë në pështymën e tyre ndalon mpiksjen e gjakut të gjahut gjatë një vakti.

    Lakuriqi “vampir” është një nga speciet e pakta që mund të manovrojë me shkathtësi në tokë. Ai e përdor këtë aftësi për t’iu afruar në heshtje gjahut të fjetur, si bagëtia, derrat dhe pulat, përpara se të bëjë një prerje me dhëmbët e tij të mprehtë si brisk.

    Studimi nga Giulia Rossi në Universitetin McMaster dhe Kenneth Welch nga Universiteti i Torontos është publikuar në revistën “Biology Letters”.

  • ​40 majmunë ikin nga objekti kërkimor në Karolinën Jugore

    ​40 majmunë ikin nga objekti kërkimor në Karolinën Jugore

    Dyzet majmunë kanë ikur nga një objekt kërkimor në Karolinën e Jugut, ndërkohë që banorët këshillohen të mbajnë dyert dhe dritaret të sigurta për të parandaluar hyrjen e tyre në shtëpi dhe të raportojnë rastet në polici.

    Kamerat e imazhit termik dhe kurthe janë vendosur për të ri-kapur kafshët, të cilat u çliruan nga zona Alpha Genesis në Yemassee të mërkurën mbrëma.

    Policia lokale në Facebook tha se banorët duhet të mos bien në kontakt me majmunët dhe të lajmërojnë policinë sapo t’i dallojnë ata.

    Alpha Genesis thotë se ofron “produkte jo-njerëzore të primatëve dhe shërbime të kërkimit biologjik” me “më shumë se 100 hektarë karantinë, mbarështim, mbajtje dhe hapësirë kërkimore”.

    Ajo kryen prova klinike, duke përfshirë trajtimet e sëmundjeve të trurit, dhe thotë se ofron “standardet më të larta të kujdesit për të gjitha kafshët”.

    Ndryshe, 19 majmunë kishin ikur nga objekti kërkimor Alpha Genesis në vitin 2016, përpara se të kapeshin gjashtë orë më vonë. /SkyNews

  • ZPS-së i kanë mbetur edhe 43 dëshmitarë për t’i thirrur që të dëshmojnë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    ZPS-së i kanë mbetur edhe 43 dëshmitarë për t’i thirrur që të dëshmojnë në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Nga lista që ka tani, Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) i kanë mbetur edhe 43 dëshmitarë për t’i thirrur që të dëshmojnë fizikisht në sallën e gjyqit në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle i cili tha se numri i mbetur i dëshmitarëve që pritet të dëshmojnë ka ardhur si rezultat i njoftimit të ZPS-së që nuk do të thërrasë 12 dëshmitarë të tjerë e deklaratat e tetë të tjerëve do të pranohen me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 1 nëntor, Prokuroria njoftoi Trupi Gjykues se nuk synon më të thërrasë 12 dëshmitarë nga lista e mëparshme dhe synon të paraqesë deklaratat e tetë dëshmitarëve me shkrim, në vend të dëshmisë gojore në sallë të gjyqit. Në të njëjtin parashtrim Prokuroria thekson se pas këtyre ndryshimeve, numri i dëshmitarëve që japin dëshmi në sallë të gjyqit në kuadër të paraqitjes së provave prej Prokurorisë është ulur në 43”, tha ai gjatë konferencës javore.

    Ndërsa, në rast të ndryshimeve shtesë në këtë listë, ZPS-ja ka njoftuar se do ia bëjë të ditur këtë gjë gjykatës deri në pushimin e dhjetorit.

    “Prokuroria tha gjithashtu se pret, që deri në pushimin e gjykatës në dhjetor, të jetë në gjendje të njoftojë Trupin Gjykues lidhur me ndryshime shtesë për listën e dëshmitarëve”, tha Doyle.

    Ndryshe, ai tregoi se në të njëjtën çështje gjyqësore, dëshmitari i 103-të, Shukri Buja ka dhënë dëshmi gjatë kësaj jave.

    “Dëshmitari, Shukri Buja, dha dëshmi kryesisht në seancë të hapur, megjithëse disa pjesë të seancës ishin të mbyllura”, tha Doyle.

    Doyle ka njoftuar se gjykimi ndaj Sabit Januzit, Imet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës pritet të fillojë më 14 nëntor 2024.

    Sipas Michael Doyle, në seancën e parë të gjykimit do të dëgjohen deklaratat hyrëse të ZPS-së dhe dy prej ekipeve mbrojtës.

    “Gjatë deklaratave hyrëse, palët do të paraqesin argumentet e tyre, përfshirë provat që synojnë t’i parashtrojnë për të mbështetur ato. Në fillim të seancës të së enjtes së ardhshme, do të lexohet aktakuza dhe Kryegjykatësja do të informojë të akuzuarit për të drejtat e tyre, do të pyesë të akuzuarit nëse i kuptojnë akuzat kundër tyre dhe do t’u japë mundësinë për të konfirmuar vetëdeklarimet e tyre fillestare të pafajësisë. Pasi të jenë lexuar akuzat në aktakuzë, Prokuroria do të ketë dy orë për të bërë deklaratën hyrëse, pasuar nga Mbrojtja e Januzit, së cilës i është caktuar një orë dhe Mbrojtja e Haxhi Shalës, së cilës i janë caktuar 30 minuta”, ka thënë Doyle gjatë konferencës javore.

    Ndërsa, sipas tij mbrojtja e Bahtijarit kishte thënë se parapëlqen që të bëjë deklaratat hyrëse pasi prokuroria të përfundojë me paraqitjen e provave të saj.

    “Aktakuza pretendon se midis 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Januzi dhe z. Bahtijari, me udhëzim të z. Shala, u takuan secili më vete me dëshmitarin në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para DHSK-së, ndër të tjera përmes kërcënimit të rëndë dhe premtimit për dhurata ose të ndonjë forme tjetër të përfitimit. Të akuzuarit akuzohen për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe frikësim gjatë procedurës penale”, tha Doyle.

    Ai tha se gjykimi mund të ndiqet në tri gjuhet zyrtare të gjykatës (shqip, anglisht dhe serbisht) në faqen e tyre të ineternetit e cila transmetohet me 45 minuta vonesë.

    Gjithashtu, ai tha se gjykimi mund të ndiqet edhe nga galeria për publikun në ambientet e gjykatës.

    Tutje, Doyle tha se në këtë rast, më 5 nëntor ishte hedhur poshtë një kërkesë e ZPS-së për pranimin në prova dëshmitë e dy dëshmitarëve me shkrim. Arsyeja e hedhjes së kërkesës ishte për shkak se Prokuroria kishte parashtruar kërkesën pas kalimit të afatit për parashtrim.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

  • Prokuroria Speciale mbyll hetimet për Shukri Bujën

    Prokuroria Speciale mbyll hetimet për Shukri Bujën

    Ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, pas pesë vjet hetimesh, është liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo prokurori në mënyrë zyrtare.

    Ai, përmes një postimi në facebook, ka thënë se kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë e tij, por edhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së.

    Postimi i Shukri Bujës në facebook:

    Të nderuar qytetarë!

    Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se pas një procesi të gjatë hetimor që zgjati mbi pesë vjet prej 2019, më në fund jam liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë!

    Kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë time por edhe pastertinë dhe lavdine e UÇK-së.

    Falë avokatëve të mi, Sir Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj, dhe insistimit të tyre për të mbyllur hetimet për mungesë provash, këtë javë mora konfirmimin zyrtar që gjithçka është mbyllur përfundimisht.

    Ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në menyrë zyrtare.

    Besoj se ky rast im do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejtë.

    Lufta jonë, si popull, ka qenë një përpjekje e drejtë dhe legjitime për liri kundër okupatorit serbo-jugosllav, të cilët kanë kryer krime të rënda ndaj popullit tonë. Lufta jonë çlirimtare ishte e imponueshme dhe e drejtë.

    Ky realitet u vërtetua nga rasti im dhe shpresoj se do të vërtetohet gjithashtu edhe nga rasti i bashkëluftëtarëve tanë që po përballen ende me proceset në Hagë.

    Një falënderim i veçantë shkon për familjen time për mbështetje të palëkundur gjatë këtyre viteve, për qytetarët e Republikës së Kosovës që më mbështetën dhe më besuan, si dhe për avokatët e mi për angazhimin dhe kontributin e tyre të pandërprerë deri në epilogun e këtij rasti.

    Me respekt,
    Shukri Buja

  • ​PDK dërgon në Kushtetuese ligjin për zyrtarët publikë

    ​PDK dërgon në Kushtetuese ligjin për zyrtarët publikë

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dërguar sot në Gjykatën Kushtetuese ligjin për zyrtarët publikë.

    Lajmi është bërë i ditur nga shefi i Grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri përmes një postimi në Facebook.

    “Ashtu siç kemi paralajmëruar muaj më parë, sot e dërguam në Gjykatën Kushtetuese ligjin që shumica parlamentare e miratoi javën e kaluar dhe me të cilin ndryshohet dhe plotësohet Ligji në fuqi për Zyrtarët Publik. Sikurse, këtë të fundit, kur dy vjet më parë e dërguam në gjykatë, ashtu edhe tani ndryshim-plotësimin e tij, e kemi dërguar për të pamundësuar politizimin e partizimin e administratës publike dhe për të parandaluar degradimin e sistemit të meritokracisë, karrierës dhe pavarësisë së administratës, detyrë e të cilës është ti shërbej me zell e profesionalizëm të gjithë qytetarëve pa dallim, e mos të kthehet si instrument politik i pushtetit”, ka shkruar ai.

    Tahiri ka thënë se zyrtarët publikë “janë investim afatgjatë i shtetit dhe i partnerëve tanë dhe nuk do të lejojmë që t’i nënshtrohen presioneve e agjendave politike.”

    “Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i verës së vitit 2023, i konfirmoi në tërësi pretendimet tona, ndërsa Kuvendi me këtë rast, ishte i obliguar që brenda gjashtë muajsh ti adresoj të gjitha shkeljet. Sot, rreth një vit e gjysmë pas, jo vetëm që dështuan ta përgatisin më kohë ligjin e ri, por akoma më keq, i përsëritën një pjesë të shkeljeve në të njëjtën mënyrë. Prandaj, kontestimi i këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese nuk është rastësi dhe paraqet, njëkohësisht, edhe një dëshmi të angazhimit tonë konsistent për mbrojtjen e vlerave dhe rendit kushtetues”, ka përfunduar ai.

    Ndryshe, ligji për zyrtarët publikë është dërguar në Kushtetuese edhe nga partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës.

  • ​Biden pas zgjedhjeve: Ne pranojmë atë që zgjodhi populli

    ​Biden pas zgjedhjeve: Ne pranojmë atë që zgjodhi populli

    Presidenti aktual i SHBA-së, Joe Biden, iu drejtua për herë të parë publikut amerikan pas fitores së kandidatit republikan Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

    Ai tha se ka biseduar dje me Trump, duke e uruar atë për fitoren dhe se administrata e tij do të merr pjesë në transferimin paqësor të pushtetit.

    “Kam folur gjithashtu me zëvendëspresidenten Harris, e cila drejtoi një fushatë fuqizuese. Ajo ka një karakter të ndershëm dhe vendos gjithë zemrën e saj në ekip. Lufta për Amerikën ka qenë gjithmonë një debat i vazhdueshëm siç është sot. E di që kjo është një kohë fitoreje për disa dhe një kohë humbjeje për të tjerët”, tha Biden.

    “Fushatat janë një garë, dy vizione konkurrojnë dhe ne e pranojmë atë që zgjodhi populli. Nuk mund ta duash vendin tënd vetëm kur ai fiton, nuk mund ta duash fqinjin tënd vetëm kur je dakord me të, nuk ka rëndësi për kë keni votuar, ne nuk mund ta shohim njëri-tjetrin si armiq, duhet të shkojmë mirë. Sistemi zgjedhor është kompleks dhe transparent dhe duhet respektuar”, theksoi ai.

    “Të gjithë biem ndonjëherë, por është e rëndësishme të ngrihemi. Humbja nuk do të thotë se jemi të mundur, e kemi humbur këtë betejë, por Amerika e ëndrrave tuaja po ju thërret të ngriheni në këmbë. Ne duhet të vazhdojmë dhe duhet të mbajmë besimin”, përfundoi Biden.

  • ​Zelensky thotë se nuk ka ‘alternativë’ për një Evropë të fortë

    ​Zelensky thotë se nuk ka ‘alternativë’ për një Evropë të fortë

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot se nuk ka “alternativë” për një Evropë të fortë, duke bërë thirrje për unitet midis vendeve evropiane për të arritur paqen në mes të luftës së vazhdueshme Rusi-Ukrainë.

    “Paqja është shpërblim vetëm për të fortët. Kështu, nuk ka alternativë për një Evropë të fortë. Dhe uniteti është thelbësor për forcën”, tha Zelensky në samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Budapest.

    Duke shprehur se është folur shumë për lëshime nga Ukraina ndaj Rusisë që nga samiti i fundit i EPC në korrik, Zelensky tha se kjo është “e papranueshme” për Kievin dhe “vetëvrasëse” për të gjithë Evropën.

    “Dhe çfarë është më pas? A duhet Evropa të kërkojë favorin e (Presidentit të Koresë së Veriut) Kim Jong Un me shpresën se edhe ai do ta lërë Evropën në paqe? Asnjë lider i fortë që ndihmoi në ndërtimin e një Evrope të bashkuar, të fortë dhe paqësore nuk do ta imagjinonte as ta bënte këtë”, tha ai.

    Zelensky tha më tej se koncepti i “paqes përmes forcës”, siç përmendet nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka “dëshmuar realizmin dhe efektivitetin e tij” më shumë se një herë.

    “Tani, është e nevojshme edhe një herë,” vuri në dukje ai, duke thënë se nuk duhet të ketë “iluzion” se dikush mund të blejë “vetëm paqe” duke “treguar dobësi ose duke shitur disa pozicione evropiane ose pozitën e ndonjë vendi evropian”.

    Ai vazhdoi të argumentonte se Rusia nisi luftën e vazhdueshme në Ukrainë pasi donte fuqi globale, duke filluar me kontrollin mbi Ukrainën dhe më pas mbi të gjithë Evropën.

    “Ne kemi nevojë për armë të mjaftueshme, jo mbështetje në bisedime. Përqafimet me Putin nuk do të ndihmojnë. Disa prej jush e kanë përqafuar për 20 vjet dhe gjërat vetëm sa po përkeqësohen. Ai mendon vetëm për luftërat dhe nuk do të ndryshojë. Vetëm presioni mund të vendosë kufizime mbi të”, tha ai.

    Ai shtoi se ata kanë ndërtuar një “sistem të qartë diplomatik” të aftë për ta shtyrë Rusinë drejt një “paqeje të drejtë”, duke përsëritur se formula e paqes dhe “plani i fitores” i Ukrainës janë ende në tryezë. /AA