ATV

Author: ATVLive

  • Hoti: E arritëm mbështetjen ndërkombëtare për dialogun, ku synimi ka qenë vetëm njohje reciproke

    Hoti: E arritëm mbështetjen ndërkombëtare për dialogun, ku synimi ka qenë vetëm njohje reciproke

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, foli për procesin e dialogut me Serbinë gjatë mandatit të tij, duke theksuar se synimi kryesor ishte arritja e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke.

    Hoti tha se bllokimi i dialogut në periudhën e mëparshme kishte krijuar nevojën urgjente për rifillimin e procesit me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë.

    “Në javët e para, kur unë e kam marrë mandatin, kemi lëviz fuqishëm tek aleatët kryesorë që të marrim mbështetjen e tyre për të hyrë në proces të dialogut vetëm për marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke. Dhe këtë e kemi arritur,” tha Hoti.

    Ai theksoi se gjatë procesit u dakorduan disa parime kyçe, përfshirë mosdiskutimin për tërësinë territoriale dhe rendin kushtetues të Kosovës.

    “Dialogu është për njohje reciproke, pikë. Në procesin e dialogut nuk diskutohet për tërësinë territoriale të Kosovës dhe nuk diskutohet për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës,” deklaroi Hoti.

    Intervistën e plotë të Avdullah Hotit në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoti: Kosova ka humbur shumë me moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit

    Hoti: Kosova ka humbur shumë me moszbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka humbur shumw për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Uashingtonit gjatë katër viteve të fundit.

    Hoti tha se ky dokument, i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, është me rëndësi strategjike për Shtetet e Bashkuara dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Nuk besoj që është humbë si rast. Ka humbë Kosova që nuk e ka zbatu gjatë këtyre katër viteve dhe pse kanë qenë zotimet e kësaj administrate. E respektojnë atë marrëveshje sepse është në interesin më të mirë strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qasjen e tyre ndaj Ballkanit Perëndimor,” tha Hoti.

    Ai tha se qeveria e ardhshme duhet ta marrë seriozisht këtë marrëveshje për të shmangur humbje të mëtejshme për vendin.

    Intervistën e plotë të Avdullah Hotit në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Si të festohet Viti i Ri

    Si të festohet Viti i Ri

    Sot dy javë është viti i ri. Kush punon në media, e di saktë çka ka në dhjetor. I gjuajmë dhjetëra mijëra Euro në programe të vitit të ri që i torturojnë kameramanët, grimerët dhe frizerat. I marrim do pare për reklama prej marketeve që i lëshojnë me zbritje birrat dhe artikujt për ruska sallatë dhe mezi presim të kryhet viti, që me qenë depresiv në janar!

    Kuptohet, ka edhe ide tjera, qe njeri:

    Këso deklarimi, s ka verifikues i fakteve n dynja që ta vërteton. Veç, nëse seriozisht jeni kah i mësoni njerëzit që ma mëkat është t’ia urosh dikujt vitin e ri sesa ta përgëzosh për vrasje, kjo nuk e di a është vlerë e hanefive, po e di që nuk është fort normale!

    Për më tepër, ditëve të fundit krejt jemi kah merremi me sondazhe, e me fushatë, sa që kemi harru që agjencitë e udhëtimeve i kanë faqet plot me oferta për festim të vitit të ri në Vjenë, Paris, Prage, Venecia, Dubai, Stamboll…

    OK! Hajde këto në Evropë po i besoj disi, ama Dubai e Stambolli? Tash e a e festojnë myslimanët këtë festë, a jo?

    Nejse, meqë viti i ri është festë zyrtare në Kosovë, qysh është 1 maji, ose 9 maji, e nuk është p.sh. 28 nëntori, hajde të merremi pak me vitin e ri.

    Dikush thotë që këtë festë e ka shty dhe e ka promovuar komunizmi, sepse e ka gjetë balancin që të mos festohen as Krishtlindjet katolike, as ato Orthodoks, e po të futet dicka në mes. Këta mendimtarë pohojnë që pikërisht për këtë arsye televizionet në vendet komuniste kanë investuar shumë pare në programe të vitit të ri, në mënyrë që popullin ta hutojnë nja 3 ditë.

    Komunizmi ka ra, viti i ri ka mbetë, kurse programe të vitit të ri, përveç atyre dhjetëra o qindra mijëra që televizionet i gjuajmë në to, paramennoje, EDHE MË TUTJE, punohen nga produksione të veçanta. Demek, i mbledhë një produksion do njerëz, i lëshon do këngë në playback në një sallë me qira dhe bën program të vitit të ri!

    Ka edhe aso mendimtarë që thonë që Babadimrin e ka shpikë Coca – Cola. Aq shumë ka të tillë që mendojnë kështu sa që në google në internet ka sa të duash shkrime, ku thuhet që kjo NUK është e saktë, por pranohet që ka gati 100 vjet që babadimri është pjesë e marketingut të kësaj kompanie.

    Bile ka edhe aso mendimtarë që thonë që përpara njerëzit një mbledhë rreth flakës në shpella, kasolla ose shtëpi ku kanë jetuar edhe aty kanë treguar e dëgjuar tregime e përralla, derisa flakën nuk e ka zëvendësu televizori e përrallat nuk i ka zëvendësu hollivudi!

    Derisa jemi te teoritë e vitit të ri, ka shumë të tillë që pohojnë që kjo është festë pagane, demek është më e moçme sesa fetë monoteiste, ama civilizimet në atë vakt secila e kanë pasë kalendarin e vet.

    Psh, sipas një versioni të kalendarit kinez jemi dikah në vitin 4722, sipas kalendarit hebre jemi dikah kah viti 5785, kurse sipas kalendarit të majave, është dashtë në 2012-ën me u shkatërru bota me ka krejt, besoj ju kujtohen ata foret e 2012-ës!

    Pra, ky kalendari që i thonë gregorian, me të cilin shërbehet pjesa më e madhe e botës, ka filluar të përdoret dikah në shekullin e XVI-të me urdhër të Papa Gregorit XIII.

    Bile bile, ka edhe aso talentash që mendojnë që toka është rrafshët, nuk rrotullohet, e ata as nuk di, as nuk du me ditë qysh e llogarisin kohën!

    E mira e Kosovës është se në kalendarin zyrtar ka më shumë festa sesa shumë shtete tjera evropiane, e mirë tjetër është se festa dhe ditë pushimi kemi edhe për krishtlindje katolike, edhe për vit të ri edhe për krishtlindje orthodokse dhe tamam kur kryehn pushimet, nisë fushata, eh atëherë kemi festë të vërtetë.

    Kush don, feston! Kudh don, pushon!

    Fundja, nëse ju duket palidhje me besu në babadimër në dhjetor, e besoni në politikanë të Kosovës në janar, gëzuar, urime, përhajr!

  • Ukraina vret njërin prej oficerëve më të lartë rus në Moskë

    Ukraina vret njërin prej oficerëve më të lartë rus në Moskë

    Përgatiti: Bleta Gashi

    Një gjeneral i lartë rus i akuzuar nga Ukraina se ishte përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase, u vra në Moskë. Përgjegjësinë për vrasjen e tij e ka marrë shërbimi i inteligjencës ukrainase, SBU.

    Gjenerallejtënant Igor Kirillov, i cili ishte shefi i Trupave të Mbrojtjes Bërthamore, Biologjike dhe Kimike të Rusisë, u vra jashtë një pallati së bashku me ndihmësin e tij, nga shpërthimi i një bombe të fshehur në një skuter elektrik, që u aktivizua nga distanca, tha Komiteti Hetimor i Rusisë, i cili heton krimet e rënda.

    Shpërthimi, që besohet se ishte rezultat i një operacioni special të shërbimit të sigurisë SBU të Ukrainës, ndodhi një ditë pasi ky shërbim raportoi se prokurorët ukrainas ngritën një akuzë kundër Kirillovit, si përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër trupave ukrainase gjatë luftës së nisur nga pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia.

    Kirillov, 54 vjeç, është oficeri më i lartë ushtarak rus që u vra brenda Rusisë nga Ukraina dhe vrasja e tij ka të ngjarë t’i shtyjë autoritetet ruse të rishikojnë protokollet e sigurisë për drejtuesit e lartë të ushtrisë dhe të gjejnë një mënyrë për t’u hakmarrë për vrasjen e tij.

    Ish-presidenti Dmitry Medvedev, tani një zyrtar i lartë i sigurisë ruse, u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve RIA të ketë thënë se udhëheqja ushtarake dhe politike e Ukrainës tani përballet me një hakmarrje të afërt për vrasjen e Kirillov.

    Kremlini e ka akuzuar edhe Perëndimin për përfshirje në eliminimin e gjeneralit Kirillov.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • As shitje e as përdorim të mjeteve piroteknike para datës 26 dhjetor

    As shitje e as përdorim të mjeteve piroteknike para datës 26 dhjetor

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Krismat nga mjetet piroteknike para festave të funditvitit, mund të mos dëgjohen. Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të ndalojë përdorimin e tyre, para datës 26 dhjetor.

    Për ata që nuk e respektojnë vendimin parashihen edhe gjoba.

    Kushdo që përdor mjetet piroteknike para datës së caktuar nga Ministria mund të gjobitet nga 200 deri në 500. Ndërkaq për ata që i shesin fishekzjarret para kësaj date parashihet dënimi me burgim prej 3 deri në 10 vjet.

    Pas vendimit të ministrisë, komunat kanë filluar të planifikojnë vendin se ku do t’i shesin.

    “Puna e lokacionit do të vendoset dhe së bashku me inspektoratin gjithmonë është caktu lokacioni i përshtatshëm, ndërsa në vende të tjera është ndalu. Inspektorati ka qenë në plotëni respektimit të vendimit edhe pavarësisht numrit të vogël, do tí dalin në krye këtij vendimi”, tha Selim Marevci, zyrtar për media në Komunën e Ferizajt.

    “Qytetarët nuk e mirëpresin veç ligji duhet me u respektua edhe udhëzimi gjithashtu”, tha Naim Miftari, drejtor i Shërbimeve Publike në Obiliq.

    Komunat madje kanë edhe rregullore të veta lidhur me përdorimin e mjeteve pirroteknike.

    “Ndalohet ndezja në vende publike rrugë trotuare sheshe, kjo urdhërese vlenë nga data 20 deri në 3 janar”, tha Mirjeta Duraku, zyrtare për informim në Vushtrri.

    Shtijen e tyre në hapësira publike nuk do ta lejojë as komuna e Gjilanit.
    Madje për të gjithë shkelsit gjoba pritet të jetë 100 euro.

    Deri më 6 dhjetor të këtij viti Kosova importoi mbi 476 mijë kilogramë mjete piroteknike vlera e të cilave llogaritet të jetë rreth mbi 870 mijë euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Blloku B1 në “Termocentralin Kosova B“ serish jashtë funksionit

    Blloku B1 në “Termocentralin Kosova B“ serish jashtë funksionit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Blloku B1 në termocentralin “Kosova B”, nuk prodhoi energji as këtë të martë.

    I njëjti doli nga funksioni një ditë më parë për shkak të rrjedhës së ujit në kaldajë.

    Nga KEK-u konfirmuan për ATV-në se ndalesa ishte e domosdoshme për të mbrojtur pajisjet.

    “KEK aktualisht po operon me dy njësi të TC Kosova A dhe një njësi të TC Kosova B. Në lidhje me ndalimin e njësisë B1, dëshirojmë t’ju informojmë se ndalesa ka ndodhur dje, rreth orës 12:15, për shkak të eliminimit të defekteve të paraqitura në kaldajë (rrjedhjeve të ujit). Ky proces ka qenë i domosdoshëm për mbrojtjen e pajisjeve dhe për të siguruar kushte optimale për operimin e njësisë”, i tha ATV-së, Skender Bucolli, zëdhënës në KEK.

    Dhe kjo nuk është hera e parë që kjo njësi del nga prodhimi.

    Megjithatë nga KEK-u njoftuan se njësia do të kthehet në prodhim të mërkurën.
    Veçse për aq sa zgjatë, rryma duhet të blihet.

    Sipas Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, vetëm në këtë gjysmë muaji, janë importuar gati sa është blerë gjatë tërë muaji të kaluar, apo mesatarisht 1.5 milionë euro në ditë.

    “Importi i realizuar nga KESCO gjatë muajit nëntor është afro 30 milionë euro, ndërkaq importi i realizuar për periudhën 1 – 17 dhjetor, është mbi 26 milionë euro”, thuhet në përgjigjen e KESCO-s.

    Kësisoj vetëm për një muaj e gjysmë shteti bleu rrymë në vlerë prej 56 milionë euro.

    Andaj marrë parasysh koston e lartë të importit, njohës të energjisë thonë se investimet në termocentrale janë të domosdoshme.

    Investimet në fakt do të duheshin të ishin kryer, nëse do t’iu përmbaheshin afateve të caktuara në strategjinë e energjisë që parashihen investime afro 200 milionë euro.

    E si shkak i vjetërsisë dhe mosinvestimeve, të dyja termocentralet, ajo KOSOVA A dhe KOSOVA B patën ndërprerje të prodhimit disa herë muajve të fundit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë shënon një vjetorin

    Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë shënon një vjetorin

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Nga 67 burime të ndryshme, brenda një viti Instituti i Kosovës për Krime lufte arriti të grumbullojë video, audio e fotografi, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

    Rreth 15 terabit material digjital është siguruar, ani pse sipas Drejtorit të këtij instituti grumbullimi i tyre qe i vështirë. Sfidë paraqiti edhe verifikimi i materialit dhe identifikimi i dëshmitarëve.

    Duke folur për rëndësinë e këtyre materialeve dhe drejtësinë e mohuar deri më tani për viktimat, kryeministri, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për glorifikim të dhunës dhe mohim të gjenocidit.

    Pasi Kurti e Hetemi përfunduan fjalimet e tyre, mediat u desh të largoheshin nga salla.

    Më 13 korrik të vitit të kaluar Kuvendi për herë të dytë miratoi Ligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

    Për herë të parë ishte themeluar në vitin 2011, por jetëgjatësia e tij në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës ishte vetëm shtatë vjet, pasi në vitin 2018 u mbyll.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • ASK-ja me raport të veçantë rreth të dhënave të dëmeve të luftës

    ASK-ja me raport të veçantë rreth të dhënave të dëmeve të luftës

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Me një raport të veçantë, Agjencia e Statistikave të Kosovës, do t’i paraqesë të dhënat për dëmet e luftës, të cilat janë grumbulluar në kuadër të regjistrimit të popullsisë.

    Pak detaje për këtë çështje do të bëhen publike të enjten së bashku me të dhënat e regjistrimit të popullsisë.

    “Është një raport i veçantë dhe duhet të jemi të kujdesshëm në këtë aspekt sepse ka një impakt të madh, aty ka pyetje dhe nënë pyetje, raport do të publikohet në pranverë të viti të ardhshëm”, tha kryeshefi i ASK-së, Avni Kastrati.

    Sipas kryeshefit të Agjencisë së Statistikave para se të publikohen të dhënat zyrtare për “dëmet e luftës” ato duhet të verifikohen.

    “Na duhet pak më shumë kohë për më kuptuar të dhënat e sakta, sepse ne e dimë që jo gjithë qytetarët e kanë thënë të vërtetën në për sa i përket dëmeve të luftës”, tha Kastrati.
    Mirëpo, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, e vlerëson të dështuar, përpjekën e ASK-së për t’i llogaritur dëmet e luftës 25 vjet pas përfundimit të saj.

    Megjithatë dëmet materiale që iu shkaktuan Kosovës në luftën gjatë viteve 1998-99, llogariten se kapin vlerën e mbi 20 miliardë eurove.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë:

  • Marrëveshja në Bruksel, reagon Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

    Marrëveshja në Bruksel, reagon Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se sot në Bruksel në takimin e kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ky Komision ka thekson se është një hap i rëndësishëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

    “Pas tre vitesh dialog, bisedimesh të vazhdueshme dhe tendencave të pajustifikueshme për zvarritje nga ana e Serbisë, sot në Bruksel është miratuar formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur. Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tone”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur.

    “Njëkohësisht, do të shërbejë si platformë, ku më në fund do të mund të adresojmë të gjitha shqetësimet tona sa i përket ngecjeve në proces dhe mosadresimit adekuat të këtyre ngecjeve apo pengesave; përfshirë këtu mungesën e bashkëpunimit të Serbisë në Grupin Punues dhe refuzimin për të hapur arkivat përkatëse”, thuhet në njoftim.

    Në fund thuhet se: “Shpresojmë që ky hap të shërbejë si një moment përparimi drejt zgjidhjes përfundimtare dhe të shumë vonuar të fatit të personave të zhdukur dhe lehtësimit të dhimbjes së familjeve të tyre, të cilat për shumë kohë kanë pritur drejtësi dhe të vërtetën”.

    Nga lufta në Kosovë janë më shumë se 1 mijë e 600 persona të zhdukur.

  • Shala e Januzi pranojnë akuzën e frikësimit të një dëshmitari

    Shala e Januzi pranojnë akuzën e frikësimit të një dëshmitari

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Haxhi Shala dhe Sabit Januzi, dy ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengim, sipas një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

    Tani seanca ku do të shqyrtohen marrëveshjet për pranimin e fajësisë do të mbahet të mërkurën më 18 dhjetor.

    Ata do të pyeten nëse i kanë diskutuar pranimin e fajësisë me mbrojtësit, nëse e kanë lidhur marrëveshjen me vullnet të lirë dhe se a e kuptojnë që me aprovimin e marrëveshjes gjykimi nuk vazhdon si gjykim i rregullt.

    “Trupi gjykues do t’ia japë mundësinë z. Shala dhe z. Januzi, nëse dëshirojnë, që të japin deklarata lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, përfshirë këtu çështjen e fajësisë dhe dënimit”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.

    Në vendim gjithashtu thuhet se edhe Ismet Bahtijari do ta pranojë fajësinë.

    Aktakuza e ngritur në tetor 2023, i ngarkon Shalën dhe Januzin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi. Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023.

    Sipas dispozitave ligjore, dënimi për veprën frikësim gjatë procedurës penale mund të jetë nga 2 vjet deri në 10 vjet burgim.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në ATV, në videon më poshtë: