ATV

Author: ATVLive

  • ​Dënohet me 20 vjet burgim i akuzuarin për vrasjen e një personi para një viti në Gjilan

    ​Dënohet me 20 vjet burgim i akuzuarin për vrasjen e një personi para një viti në Gjilan

    Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues prej 20 vjet burgim ndaj të akuzuarit D. T., për vrasjen e një personi para një viti në Gjilan.

    Në njoftimin e Gjykatës thuhet se më 16 dhjetor 2023, rreth orës 20:35 minuta, në fshatin Dobërçan Komuna e Gjilanit, i akuzuari D. T., me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin A. B., në atë mënyrë që fillimisht i akuzuari përmes telefonit e thërret A. i cili me automjetin e markës Golf IV, vjen te rruga ku ishte duke e pritur i akuzuari, i cili hyp në karrigen e parë të automjetit dhe me automjet kishin lëvizur deri afër ordinancës private “Dr. A.”.

    “Aty pas një mosmarrëveshje verbale në automjet, i akuzuari e sulmon me thikë të ndjerin A. njëherë në trup, ndërsa viktima arrin ta ndal automjetin dhe të del nga automjeti duke ikur për t’iu shmangur të akuzuarit, hynë në oborrin e shtëpisë së Xh. B., ashtu që i akuzuari i vihet pas një ndjekje dhe në terasë para derës së hyrjes së kësaj shtëpie, përsëri e godet edhe gjashtë herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa nga kacafytja dhe zhurma e krijuar, nga kjo shtëpi del Xh. B., intervenon për të i ndarë, e kap për trupi të pandehurin dhe e largon nga vendi i ngjarjes, ndërsa tani të ndjerin A. e dërgon në ordinancen private “Dr. A.” aty nga doktori i jepet ndihma e parë mjekësore dhe njëkohësisht mjeku e thërret ndihmën e shpejtë, ndërsa për shkak të lëndimeve të pësuara, tani të ndjerin e hypin në një automjet tjetër deri te rruga e Përplenicës, aty takohen dhe e dorëzojnë A. në automjetin e ndihmës së shpejtë dhe të njëjtën e transportojnë në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilani, ku tani i ndjeri A. për shkak të lëndimeve të pësuara nuk ka mundur të mbijetojë dhe në hyrje të spitalit i njëjti ndërron jetë, ku edhe konstatohet vdekja”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

    Më tej thuhet se me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale; vrasje nga neni 172 e Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Trupi gjykues në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve ka shqiptuar dënim ndaj të akuzuarit D. T. në kohëzgjatje prej njëzet (20) vjet burgim. Të akuzuarit i vazhdohet masa e paraburgimit derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar”, thuhet në njoftim.

    Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

  • Ekipi i arbitrave shqiptarë vendos drejtësi në ndeshjen e Ligës së Konferencës

    Ekipi i arbitrave shqiptarë vendos drejtësi në ndeshjen e Ligës së Konferencës

    Katërshja e arbitrave shqiptarë, Juxhin Xhaja, Arbër Zalla, Rejdi Avdo dhe Albert Doda, janë përzgjedhur për të gjykuar ndeshjen mes Vitória SC dhe Fiorentinas në UEFA Conference League.

    Sfida do të zhvillohet në Estádio D. Afonso Henriques, Guimaraes, Portugali, të enjten më 19 dhjetor, në orën 21:00.

    Juxhin Xhaja është arbitri kryesor. Arbër Zalla dhe Rejdi Avdo do të jenë asistentë të Xhajës, ndërsa Albert Doda është arbitri i katërt. Në Var do të jetë gjermani Robert Schröder, ndërsa si AVAR është caktuar sërish një arbitër shqiptar, Kreshnik Barjamaj.

    Kjo përzgjedhje vjen pas një sezoni intensiv për ekipin e arbitrave shqiptarë, të cilët kanë gjykuar më parë edhe tre ndeshjet në fazën e grupeve të UEFA Europa League: Hoffenheim – FCSB, AZ Alkmaar – Elfsborg dhe Elfsborg – Sporting Braga.

  • Thaçi: ZPS prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë

    Thaçi: ZPS prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë

    Ish-presidenti Hashim Thaçi ka folur edhe njëherë në Gjykatën Speciale në Hagë duke kërkuar respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

    Thaçi po akuzohet për herë të dytë nga Prokuroria e Specializuar në Hagë. ZPS e ngarkon atë me vepra që lidhen me ndikimin në dëshmitarë – derisa ai ndodhet në një proces të tejzgjatur gjyqësor për krime të pretenduar të luftës.

    “Gjithë jetën time kam punuar për lirinë dhe shtetin e Kosovës, me vizionin për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian me raport special të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dëshiroj të ritheksoj dhe nënvizoj domosdoshmërinë e respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në këtë sallë. Mosrespektimi i ligjeve të Kosovës dhe normave të tjera ligjore nga palët, në këtë sallë të shenjtë për drejtësinë, paraqet rrezik për minimin e demokracisë në Kosovë, paraqet rrezik për cenimin e besimit qytetar, prandaj ftoj që të ruhet vetëpërmbajtja institucionale nga të gjithë edhe në këtë sallë”, tha Thaçi në konferencën mbi ecurinë e çështjes më 18 dhjetor”, tha Thaçi.

    Edhe njëherë, Thaçi tha se ai nuk paraqet rrezik në kuptimin politik e as “për ndonjë projekt qeveritar”.

    “Pikërisht në këtë fazë të hershme të këtij procesi, për mbarëvajtjen e rregullt kushtetues dhe ligjor që duhet të ndodh, ju e dini para katër vitesh në nëntor 2020 u ngrit aktakuzë kundër meje vetëm tre muaj para se të rizgjedhësha president i vendit. Tash, para dhjetë ditësh nxitimthi Zyra e Prokurorit prezantoi aktakuzë shtesë vetëm dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Dua të sqaroj edhe njëherë, nuk jam pjesë e garës politike e as nuk kam ndonjë ambicie politike as për president as për kryeministër e as për deputet, e as ndonjë ambicie tjetër për pozitë publike. E ritheksoj se nuk jam pengesë e as nuk paraqes rrezik për askënd në kuptimin politik e as për ndonjë projekt qeverisës”, tha Thaçi.

    Në vazhdimin e kësaj seance, gjykatësja Marjorie Masselot tregoi procedurat që duhet ndjekur për nxjerrjen e materialeve.

    Në konferencën mbi ecurinë e çështjes, që sjell paraqitjen e dytë të Thaçit në rastin e ri ndaj tij – akuzat për ndërhyrje në dëshmitarë – ai u paraqit përmes video-lidhjes nga qendra e paraburgimit në Sheveningen të Hagës.

    Më 6 dhjetor, Specialja konfirmoi aktakuzë të re kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Fadil Fazliut.

    Bëhet fjalë për vepra penale që lidhen me pretendime për “të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve” në rastin gjyqësor “Thaçi dhe të tjerët”.

    Kilaj, Kuçi dhe Fazliu janë deklaruar të pafajshëm, ndërkaq Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar ende.

    Sipas gjykatës, ata kanë afat deri më 7 janar të që bëjnë deklarimin e tyre.

    Aktakuza vjen ndërkohë që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë hyrë në vitin e pestë që ndodhen në paraburgim nën pretendimet për krime lufte.

    Ndaj tyre po zhvillohet një proces gjyqësor që aktualisht ndodhet në fazën e paraqitjes së provave nga ana e ZPS-së. Çështja e prokurorisë pritet të mbyllet në pranverën e vitit të ardhshëm, për t’i hapur rrugë çështjes së mbrojtjes./KP

  • Listës esenciale i shtohen shtatë produkte të reja mjekësore

    Listës esenciale i shtohen shtatë produkte të reja mjekësore

    Listës esenciale të produkteve mjekësore i janë shtuar edhe shtatë produkte të reja për trajtimin e kancerit të gjirit dhe melanomës, kancerit agresiv të lëkurës.

    Këtë e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    “Kam nënshkruar përditësimin e fundit të listës esenciale të produkteve mjekësore dhe materialit shpenzues. U shtuan: 7 produkte të reja bashkëkohore për trajtimin e kancerit të gjirit dhe melanomës, kancerit agresiv të lëkurës. U shtua – Materiali shpenzues për shërbimin e ri të STROKE, i cili shpëton jetën e pacientëve me sulm në tru dhe dëmtime të enëve të gjakut në tru”, ka shkruar Vitia në Facebook.

    Vitia shprehet se kjo u arrit falë buxhetit prej 70 milionë euro për barnat esenciale.

    “Buxheti më i madh ndonjëherë”, është shprehur Vitia tutje.

    “Ky është përditësimi i nëntë brenda 19 muajve. Në vitin 2025, do të vazhdojmë ta përditësojmë më tej listën me produkte të reja për qytetarët tanë. Së shpejti punë e veprime edhe për parandalimin e sëmundjeve”.

  • Rruga Prishtinë – Pejë bllokohet përkohësisht gjatë ditës së mërkurë

    Rruga Prishtinë – Pejë bllokohet përkohësisht gjatë ditës së mërkurë

    Rruga magjistrale Prishtinë – Pejë, në segmentin Kijevë – Dollc, do të bllokohet përkohësisht ditën e mërkurë, për shkak të punimeve që përfshijnë minimimin e pestë të masave shkëmbore në këtë zonë.

    Sipas njoftimit, qarkullimi i trafikut do të ndërpritet plotësisht në segmentin nga udhëkryqi i Gjakovës në Klinë deri tek udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik.

    Ndërprerja do të zgjasë nga ora 15:00 deri në pastrimin dhe hapjen e rrugës.

    Autoritetet përgjegjëse kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë kësaj periudhe dhe falënderojnë për bashkëpunimin.

  • Një tifoz i Cityt humb jetën gjatë derbit me United

    Një tifoz i Cityt humb jetën gjatë derbit me United

    Manchester City ka konfirmuar se një tifoz ka vdekur gjatë disfatës 2-1 të së dielës nga rivalët lokal Manchester United në “Etihad”. Derbi që i dha tri pikë të plota “Djajve të kuq” u la në hije nga vdekdja tragjike e një tifozi të Man Cityt.

    Në një deklaratë nga llogaria e kampionëve të Premier League në mediat sociale thuhet: “Manchester City është në dijeni të lajmit tragjik se një nga tifozët tanë ndërroi jetë pas një incidenti në ndeshjen e djeshme. Mendimet e të gjithëve në klub janë me familjen dhe miqtë e tyre në këtë kohë tepër të vështirë.”

    Homazhet filluan të vërshojnë më pas në mediat sociale, me fansa të panumërt që dërguan ngushëllimet e tyre.

  • ​Inspektorati i Tregut mbyll 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

    ​Inspektorati i Tregut mbyll 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate

    Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut kanë mbyll përkohësisht 34 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate në tërë territorin e Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike.

    Akioni i përbashkët i Inspektoratit të Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim më Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Njerëz, dhe me inspektorët nga ATK, kanë realizuar një aksion të gjerë inspektimi tek operatorët ekonomikë, që ushtrojnë veprimtari tregtare – aktivitete të mirëmbajtjes trupore qendra masazhi dhe aktivitete tjera të argëtimit dhe rekreacionit (muzikë nate).

    “Aksioni i përbashkët ka rezultuar me inspektimin e 126 subjekteve ekonomike, përkatësisht 69 operatorë ekonomikë, të cilët ushtrojnë veprimtari tregtare – aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi) dhe 57 operatorë ekonomikë, që ushtrojnë veprimtari tregtare, aktivitete tjera të argëtimit dhe rekreacionit (muzikë nate). Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave ligjore kanë bërë mbyllje të përkohshme të 34 operatorëve ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës, për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

    Më tej bëhet e ditur se ndaj operatorëve ekonomikë, që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 45 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.

    Për më tepër thuhet se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, konform kompetencave ligjore që ka, do t’i vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë si dhe masa të tjera ndëshkuese sipas legjislacionit aktual në fuqi.

  • Operacion i gjerë i Policisë, arrestohen 21 të dyshuar për prostitucion

    Operacion i gjerë i Policisë, arrestohen 21 të dyshuar për prostitucion

    Policia e Kosovës ka arrestuar 21 persona si të dyshuar për “marrje me prostitucion” ose siç njihen ndryshe “Eskorta”.

    Po ashtu në aksionin e gjerë te policisë, janë arrestuar edhe 7 femra për veprën penale “‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’.

    “Inicimi i 7 rasteve për veprat penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’, ku janë arrestuar 7 femra të dyshuara si dhe janë identifikuar 7 fëmijë lëmoshë kërkues”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Njoftimi i plotë:

    Policia e Kosovës, në vazhdën e angazhimeve të saj sipas autorizimeve ligjore, me synim arritjen e rezultateve sa më profesionale në identifikimin dhe trajtimin e veprave penale dhe dukurive të tjera negative, ka zhvilluar planin operativ “Ditët e veprimit të përbashkët “JAD SEE 2024 ”, i cili ka rrjedhur si planifikim dhe aktivitet i EMPACT-it, në të cilin përveç Kosovës, kanë marrë pjesë edhe shumë shtete tjera si: Shqipëria, Mali i zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Serbia, Moldavia, Ukraina, Rumania, Bullgaria, Spanja, Franca, si dhe përfaqësues nga EUROPOL-i, FRONTEX-i si dhe INTERPOL-i.

    Bazuar në planin e përgatitur, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz, DHTNJ, ka ndërmarrë veprimet siç janë:

    operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikim të fëmijëve në situatë rruge si viktima të mundshme të trafikimit, operacione të përbashkëta me inspektorë të MINT-it, ATK-së dhe inspektorë të punës në inspektimin/kontrollimin e lokaleve, plani taktik lidhur me eskorta.

    Gjatë planit operativ kanë qenë të angazhuar edhe njësi tjera mbështetëse të Policisë së Kosovës si dhe i tërë plani është realizuar në bashkëpunim me inspektorë nga MINT-i, inspektorë të ATK-së, inspektorë nga Inspektorati Qendror i Punës dhe inspektorë komunalë dhe ky bashkëpunim ka rezultuar me aktivitetet si në vijim:

    Inspektimi/kontrollimi i 125 lokaleve të llojeve të ndryshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

    Inicimi i 7 rasteve për veprat penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’, ku janë arrestuar 7 femra të dyshuara si dhe janë identifikuar 7 fëmijë lëmoshë kërkues.

    Gjithashtu janë iniciuar edhe 10 raste ‘marrje me prostitucion’ të identifikuara si ESKORTA, ku janë arrestuar 21 të dyshuar.

    Gjatë këtij plani janë sekuestruar gjithsej 73 dokumente nga personat e huaj, të cilët janë referuar në DMH për verifikim dhe trajtim sipas ligjit për të huaj, ku 1 person gjatë verifikimit ka rezultuar me urdhër arrest aktiv dhe i është dorëzuar stacionit përkatës për procedura të mëtutjeshme.

  • SPAK-u kërkon rikthimin e Sali Berishës në arrest shtëpiak

    SPAK-u kërkon rikthimin e Sali Berishës në arrest shtëpiak

    Ashtu siç e kishte paralajmëruar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ankimuar në Apelin e GJKKO vendimin e lirimit te Sali Berishes, duke kërkuar rikthimin e tij arrest shtëpie.

    Më 27 nëntor, GJKKO hoqi masën e sigurisë ndaj Sali Berishës, duke e lënë atë të lirë. Por menjëherë, po atë ditë reagoi SPAK duke thënë se seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes së privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” vazhdon.

    “Pasi Prokuroria e Posaçme të njihet me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e SPAK.

    Më 27 nëntor, avokati i kreut të PD-së, Genc Gjokutaj, tha për mediat pas vendimit se Berisha nga ky moment “është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij”. Megjithatë ai shtoi se procesi ndaj klientit të tij ishte politik.

    Përgjatë një viti gjykatat e të gjitha niveleve lanë në fuqi masën e arrestit shtëpiak, një masë që GJKKO e mori pasi Berisha refuzoi të zbatojë masën ‘detyrim paraqitje’, duke e cilësuar atë si antikushtetuese.

    Ish-kryeministri është marrë i pandehur me akuzën “korrupsion pasiv” në tetor nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe çështja ka shkuar në gjykatë për shqyrtim.

  • ​KQZ mundëson ndërrimin online të Qendrës së Votimit brenda komunës

    ​KQZ mundëson ndërrimin online të Qendrës së Votimit brenda komunës

    Çdo votues i cili dëshiron të caktojë qendrën e tij të votimit sa më afër vendbanimit të tij, do të mund ta bëjë këtë me anë të telefonit. Mundësia për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës ofrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes platformës elektronike http://qv.kqz-ks.org.

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Përveç kësaj platforme, KQZ mundëson ndërrimin e Qendrës së Votimit edhe duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse të votuesit.

    Në një deklarim për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se afati i fundit për të bërë këto ndryshime është data 26 dhjetor 2024.

    Sipas tij, pas kësaj date, kjo platformë do të vazhdojë të funksionojë për të informuar qytetarët se në cilën qendër të votimit do të mund të votojnë.

    “Deri më 26 dhjetor 2024, çdo qytetar me të drejtë vote, nëse dëshiron që ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës dhe ta caktojë atë sa më afër vendbanimit të tij, mund ta bëjë përmes platformës elektronike të KQZ-së : http://qv.kqz-ks.org ose duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve, në komunën përkatëse të votuesit. Në platformën elektronike është e mjaftueshme që votuesi të shënojë numrin e tij të identifikimit si dhe datëlindjen, dhe menjëherë do të shfaqen të dhënat për qendrën aktuale të votimit. Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë qendrën e votimit brenda komunës, duke e caktuar atë sa më afër vendbanimit të tij, mund të paraqesë kërkesën e tij në të njëjtën platformë dhe brenda një kohe të shkurtër kërkesa do të shqyrtohet nga shërbimi votuesi KQZ-së dhe do të marr përgjigje”, tha Elezi.

    Ai tha se digjitalizimi i këtij operacioni zgjedhor ka ndikuar edhe në numrin e madh të kërkesave të qytetarëve për të ndërruar Qendrën e Votimit brenda komunës së tyre.

    Sipas Elezit, nga 29 gusht e deri më tani, më shumë se 4 mijë votues kanë ndërruar qendrën e tyre të votimit vetëm përmes kësaj platforme elektronike, ndërkaq rreth 700 përmes ndonjërit nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve./kp