ATV

Author: ATVLive

  • Muzeu i gjenocidit, Çeku: Do të bëhet dokumentimi i krimeve të Serbisë në Kosovë

    Muzeu i gjenocidit, Çeku: Do të bëhet dokumentimi i krimeve të Serbisë në Kosovë

    Qeveria e Kosovës miratoi të mërkurën themelimin e Muzeut të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri. Ekzekutivi tha se në këtë mënyrë synon dokumentimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë.

    Ai do të themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, ndërsa pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muze si institucion, bëri të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

    Në një konferencë për media, Çeku tha se për ndërtimin e këtij institucioni, kanë siguruar buxhetin e nevojshëm.

    “Muzeu i Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri ka për synim dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë. Muzeu fillimisht do të themelohet si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës, ndërsa menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit për muzetë që akutualisht është në proces të hartimit ky institucion ngritët në nivel të një institucioni muzeal të nivelit kombëtar. MKRS do të nis të gjitha hapat përkatës. Për këtë qëllim tashmë kemi siguruar edhe buxhetin e nevojshëm, po ashtu do të vendoset në ndërtesën ku aktualisht vepron MKRS”, tha Çeku .

    Për këtë muze, ai tha se kanë qenë në komunikim edhe me disa shtete që kanë përvojë të dalluar në çështjen e muzealizimit dhe të prezantimin të së kaluarës.

    “Fillimisht si hapi i parë ne fillojmë hartimin e detyrës projektuese që i paraprin shpalljes së konkursit ndërkombëtar për hartimin e projekteve. Pra, ndërtesa ekziston, bëhet detyra projektuese dhe shpallet konkursi për projekt. Momentin që e kemi studion e arkitekturës që kontraktohet fillon periudha e hartimit të projekti që nuk është vetëm arkitekt unik, por e ka edhe komponentën e konceptimit muzeal dhe koraterial, në fund del edhe kostoja për realizmin. Deri tash kemi qenë në komunikim edhe me disa shtete që kanë përvojë të dalluar në çështjen e muzealizimit dhe të prezantimit të së kaluarës atracitcare dhe besoj se në këtë kuptim do të kemi edhe bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar ekspertizën e nevojshme, sepse duam që ta ndërtojmë një institucion që është reprezentativ dhe i nivelit botëror”, nënvizoi Çeku .

    Ai tha ky institucion do të ta ketë ndërtesën kryesore në Prishtinë, në objekt të MKRS-së.

    “Misioni të cilin do ta ketë ky institucion e bënë totalisht të ndryshëm nga nisma e para disa viteve që ka qenë në raport me vendosjen e një institucioni tjetër publik në atë ndërtesë. Natyrisht ne kemi zhvilluar të gjitha konsultimet, ndërsa te vendimi që të zgjedhim pikërisht këtë ndërtese kemi ardhur pasi që i kemi pas në shqyrtim të paktën pesë opsione. Grupi Punues ka diskutuar edhe opsionet jo vetëm në Prishtinë por edhe në vendet tjera, më i përshtatshmi për shkak të qasjes dhe ndodhjes është zgjedhur ndërtesa e Ministrisë së Kulturës”, tha Çeku .

    Në votimin për themelimin e këtij muzeu ka abstenuar ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.

    “Janë disa muze të vegjël në gjithë Kosovën që dokumentojnë këto krime nga e kaluara dhe besojmë mënyra më e mirë do të jetë që të gjitha këto të bëhen pjesë e këtij institucioni të ri muzeal të Kosovës… Ndërsa, sa i përket ministrit Rashiq, ne kemi diskutuar edhe më herët kur është themeluar grupi punues, kemi qenë shumë të kujdesshëm që të trajtojmë në një forme perspektivën e tij në lidhje me këtë institucion, mirëpo pika u pajtohemi të gjithë është që e kaluara jonë është ajo që është dhe detyra jonë është të tregojmë ashtu si është”, tha Çeku.

    Në Kosovë janë vrarë mbi 13.000 civilë në luftën e fundit më 1998-1999. Ndërkaq, mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur./KP

  • Ministri Peci njofton edhe për 14 milionë euro shtesë për bujqësinë

    Ministri Peci njofton edhe për 14 milionë euro shtesë për bujqësinë

    Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci ka deklaruar se në kohën kur e ka marrë drejtimin e kësaj ministrie e kishte gjetur të zhytur në borxh prej 41 milionë euro.

    Ndërsa, pasardhësit në Ministrinë e Bujqësisë, ai ka bërë të ditur se do t’ia dorëzoj ministrinë me 110 milionë euro në dispozicion, raporton Ekonomia Online.

    “Me marrjen e mandatit si Ministër i Bujqësisë, jam përballur me vështirësinë nr. 1 e që ka qenë buxheti i disponueshëm në vlerën 0 euro, ndërsa borxhet e obligimet e lëna nga parardhësit tejkalonin vlerën e 40 milionë eurove. Viti 2022, ka qenë viti i parë ku është shpaguar për së pari herë në tërësi djersa dhe mundi i fermerit”, ka thënë ministri Peci.

    Ai ka shkruar se kjo ka pasuar edhe gjatë vitit 2023 me 0 borxhe ndaj fermerëve, si dhe sipas tij do të përmbyllet suksesshëm edhe për vitin 2024, po ashtu me 0 borxhe ndaj fermerëve në kategorinë e pagesave direkte-subvencioneve.

    “Unë kam patur fat sfidues që në vitin 2021 t’i trashëgoj mbi 40 milionë euro borxhe, obligime e detyrime mirëpo ndihem krenar që si rezultat i përkushtimit dhe menaxhimi të përgjegjshëm të financave publike, Ministri i Ardhshëm i Bujqësisë në vitin 2025, nuk do të trashëgojë obligime mirëpo do t’i ketë në dispozicion 110 milionë euro buxhet. Nga këto, 90 milionë euro janë buxhet nacional, ndërsa 20 milionë euro të siguruar nga donatorët e organizatat ndërkombëtare”, ka theksuar Peci.

    Ai ka falënderuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave Hekuran Murati për mbështetjen e vazhdueshme karshi sektorit të bujqësisë.

    “Nga borxhet, korrupsioni dhe zhvatja tek mundësitë, transparenca dhe mundësitë e barabarta!”, ka përfunduar mesazhin e tij ministri Peci.

  • ​Nesër shpallen më të mirët e vitit në basketboll

    ​Nesër shpallen më të mirët e vitit në basketboll

    Të enjten nga ora 19:00 do të mbahet Gala Mbrëmja “Laureatët 2024”. Në këtë mbrëmje festive, që organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës do të nderohen më të mirët e këtij viti.

    Në “Laureatët 2024” do të shpallen Basketbollisti më i miri i vitit 2024, Basketbollistja më e mirë e Vitit 2024, Top 5 te meshkujt dhe femrat.

    Po ashtu do të shpallen klubet më të mira te meshkujt dhe femrat, Trajneri i Vitit, Gjyqtari i Vitit, Punëtori Sportiv i Vitit, Shpresa e Vitit te djemtë dhe vajzat, kontribuues i basketbollit, veteran dhe veterane, etj.

    Në vitin e kaluar, çmimi i më të mirit i takoi Drilon Hajrizit, derisa më e mira ishte shpallur Arbnore Përquku.

  • ​Kurti: Sulmi në Iber-Lepenc na bëri me dije të forcohemi në aspektin energjetik

    ​Kurti: Sulmi në Iber-Lepenc na bëri me dije të forcohemi në aspektin energjetik

    Për herë të parë në Kosovë sot është hapur ankandi i parë i erës me një kapacitet prej 100 MW. Ky ankand është hapur nga Ministria e Ekonomisë dhe mbështetur nga Korporata Ndërkombëtare Financiare si dhe USAID.

    Gjatë ceremonisë hapëse të këtij ankandi u tha se Kosova po tregon se është e gatshme të kaloj në energji të pastër.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se këtë vit të suksesshëm në sektorin energjetik po e përmbyllin me hapjen e ankandit të parë të erës. Sipas tij, rritja ekonomike në vend duhet të shoqërohet me ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike.

    “Ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejt në rajon me rritje të Bruto Produktit Vendor prej 6.36 për qind mesatarisht tri vitet e fundit 2021-2023. Sot në krahasim me fillimin e mandatit tonë qeverisës kemi dyfishim të eksporteve dhe më shumë se dyfishim të investimeve të huaja direkte… Kjo rritje ekonomike duhet të shoqërohet edhe me ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike, në politikat e energjisë si në çdo vendim të qeverisë tonë jemi përkushtuar për një Kosovë e cila teksa rritet e zhvillohet nga parimi i drejtësisë, drejtësisë ekonomike, drejtësisë shoqërore dhe mjedisore”, deklaroi kryeministri Kurti.

    Kryeministri, Kurti u shpreh se sulmi ndaj infrastrukturës në kanalin e Iber-Lepencit dëshmoi se Kosova duhet të forcohet në aspektin energjetik.

    Kurti tha se Kosova është me fat se ka kapacitete të mëdha për energji të ripërtritshme e veçanërisht për atë të erës.

    “Edhe tash para këtij ankandi që po e lansojmë u përballëm me një rikujtim të ngjashëm, sulmi kinetik ndaj infrastrukturën kritike në kanalin Iber-Lepenc për furnizim me ujë dhe energji na e bëri me dije se sa është e rëndësishme që ne të forcohemi edhe në kuptimin energjetik të qeverisjes dhe jetës sonë. Andaj diversifikimi dhe shumëfishimi i burimeve të energjisë përmes energjisë së ripërtritshme nuk është vetëm zgjidhje për zhvillimin e sektorit energjetik dhe ekonomik, por edhe domosdoshmëri për të mbrojtur pavarësinë energjetike të Kosovës. Këtu jemi me fat Kosova ka kapacitet të madh për energji të ripërtritshme me rrezatim të bollshëm për energji të diellit dhe erërat të forta në malet tona për energji të erës”, theksoi Kurti.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se Kosova ka kapacitete që mundësojnë prodhimin e energjisë me erë. Ajo garantoi një garë transparente, ku siç tha ajo përfituesi kryesor do të jetë qytetari i Kosovës.

    “Kërkesa jonë për energji që është veçanërisht në orët e mbrëmjes dhe veçanërisht gjatë muajve të ftohtë përkojnë shumë mirë me profilin e prodhimit të energjisë nga era. Andaj, ky lloj projekti është veçanërisht i rëndësishëm për gjenerimin dhe ekonominë tonë… Sot po e lansojmë fazën e parakualifikimit të ankandit të erës e cila do të pasoj nga faza e ofertave financiare. Që nga sot e deri në përzgjedhjen e ofertuesit me çmim më të ulët kemi përpara një garë mes kompanive të kualifikuara e të motivuara për investime domethënëse në Kosovë. Këtë garë zotohemi ta udhëheqim në mënyrë të drejtë e transparente siç kemi bërë edhe në ankandin e parë në mënyrë që të sigurohemi që pavarësisht se cili do të jetë konzorciumi që përzgjedhjet përfundimisht për ndërtimin e parkut të erës, fituesi më i madh përfundimisht të jetë qytetari i Kosovës me çmim të përballueshëm, energji të pastër, energji të sigurt dhe përballueshmëri”, tha ministrja Rizvanolli.

    Zëvendës ambasadori gjerman në Kosovë, Martthias Conrad u shpreh se Kosova po tregon që është e gatshme të kaloj në energji të pastër.

    Ai tha po ashtu se shteti gjerman e ka mbështetur këtë projekt me 800 mijë dollarë.

    “Ky është një hap i madh për të krijuar një të ardhme miqësore për dy arsye, e para 100 MË është një sasi domethënë e prodhimit dhe energjisë së pastër dhe kjo e ndryshon këtë përzierjen e prodhimit të energjisë në Kosovë dhe kjo tregon se Kosova e gatshme të kaloj nga prodhimi i energjisë të ndotur në energji të pastër. Dhe me këtë Kosova tregon se beson që do të jetë partneri kryesor për të punuar në energji të pastër. Ky është një drejtim i duhur dhe përgëzoj qeverinë e Kosovës për këto vendime”, theksoi Conrad.

    Drejtori Regjional për Ballkanin Perëndimor i Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC), Nicolas Marquier u shpreh se hapja e ankandit të erës është hap i rëndësishëm drejtë një të ardhme të qëndrueshme.

    Marquier theksoi se me këto kapacitete shtesë të energjisë së erës do të mbulohet rreth 4 deri në 6% e kërkesës për energji.

    “Ky momentum përfaqëson jo vetëm përparimin në sektorin e energjisë, por edhe një hap të rëndësishëm drejtë një të ardhme të qëndrueshme dhe të gjelbër për vendin tuaj dhe Evropën. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Kosovën për të sfiduar problemet socio-ekonomike…ky projekt i veçantë synon të rris ndërtimin e kapaciteteve të energjisë së erës duke 137 në 237 MW që do të mbuloj rreth 4-6 për qind të kërkesës së përgjithshme të Kosovës për energji”, thotë ai. /kp

  • ​Qeveria i hap rrugë themelimit të Muzeut të gjenocidit

    ​Qeveria i hap rrugë themelimit të Muzeut të gjenocidit

    Qeveria e Kosovës ka miratuar konceptin për themelimin e institucionit të Muzeut të gjenocidit dhe përpjekjet për liri.

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se qëllimi është dokumentimi i krimeve të Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë ndaj shqiptarëve.

    Sipas tij, i njëjti synon edukimin e brezave të rinj si dhe prezantimin e të mbijetuarve në mënyrë që historitë e tyre të mos harrohen.

    Krahas kësaj, ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për inspektoratin qendror të shëndetësisë.

    Përmes kësaj u tha se do të themelohet një agjenci që do të ofrojë zgjidhje të qartë dhe afatgjatë për të adresuar shqetësimet e të gjithë inspektorateve shëndetësore.

    Po ashtu, u miratua edhe Projektligji për prodhimin, kultivimin, grumbullimin, përpunimin, tregtimin, kontrollin e duhanit dhe produktet e ndërlidhura.

    Në këtë mbledhje, ekzekutivi emëroi Luan Sylajn drejtor ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë./KP

  • ​Kurti thirrje mërgimtarëve të regjistrohen për votim

    ​Kurti thirrje mërgimtarëve të regjistrohen për votim

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu ka bërë thirrje sërish mërgimtarëve që të regjistrohen për votim në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Ai tha se afati për regjistrim është deri më 26 dhjetor, andaj siç theksoi është e domosdoshme që diaspora të regjistrohet për votim.

    Kurti në mbledhjen e qeverisë të mërkurën foli edhe për heqjen e regjimit të vizave për Bosnje e Hercegovinën.

    “Kanë mbetur më pak se dy javë nga heqja e vizave për qytetarët e Bosnje e Hercegovinës. Kjo do të lidhë qytetarët dhe do të nxitë bashkëpunimin”, tha ai./KP

  • Zjarri në fabrikën e mishit, lëndohet një zjarrfikës

    Zjarri në fabrikën e mishit, lëndohet një zjarrfikës

    Zjarri që ndodhi në një fabrikë të mishit në Obiliq, përveç dëmeve materiale në këtë kompani, gjatë intervenimit një zjarrfikës ka pësuar lëndime.

    Sipas zëvendës komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve, Abdusamed Shkodra, zjarrfikësi ka marrë trajtim mjekësor. Ai për KosovaPress ka dhënë edhe detaj tjera sa i përket zjarrit në këtë fabrikë.

    “Gjatë intervenimit në fabrikën “Apetiti Gropu”, një punëtor i joni, Burim Halili është lënduar ku ka marr lëndime të lehta i cili është dërguar në urgjencë ku ka marrë tretman mjekësor. Ai tani për momentin është në shtëpi. Sa i përket shkaktarit të zjarrit ne nuk i bëjmë hulumtimet e shkaktarit, ende është herët te dihet, duhet të dal në terren inspektori i cili bën vlerësime të shkaktimit të zjarrit dhe mund të vijnë në konstatim se çka ka qenë shkaktari”, thotë Shkodra për KosovaPress.

    Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për dëmet që janë shkaktuar nga ky zjarr në këtë fabrikë.

    “Sot rreth orës 05:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një fabrikë në fshatin Babimovc. Në vendngjarje janë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Për detaje të tjera njoftoheni me kohë”, thotë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahemti për KosovaPress.

    Ekipi i KosovaPress raportoi se në vendin e ngjarjes zjarri është ndal dhe njësia hetuese është duke u marr me rastin ku janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

    Një punëtorë i kësaj fabrike i ka thënë KosovaPress se dyshohet që shkaktar i zjarrit është rryma.

    Ani se nuk është prononcuar pronari i fabrikës, mësohet se djegia ka përfshirë pjesë të depos dhe fabrikës, por jo edhe thertores.

  • ​Sulmi në Ibër Lepenc, Musliu tregon kush qëndron pas

    ​Sulmi në Ibër Lepenc, Musliu tregon kush qëndron pas

    Prapa sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit qëndron Millan Radoiçiq i mbështetur nga Serbia. Kështu tha kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, teksa tregoi se çfarë u tha nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti gjatë raportimit.

    “Diskutuam për të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e vendit. Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile me provokime të mundshme nga Serbia. Folëm për sulmin në kanalin e Ibër Lepencit dhe për çështje tjera. Në bazë të asaj se çfarë u tha nga drejtori i AKI-së, prapa sulmit qëndron Radoiçiq i mbështetur nga shteti serb”, tha Musliu.

    Në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së ka raportuar me dyer të mbyllura drejtori Petrit Ajeti.

  • ​Sekuestrohen armë e municion në Prishtinë, arrestohen tre persona

    ​Sekuestrohen armë e municion në Prishtinë, arrestohen tre persona

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar disa persona dhe ka sekuestruar armë zjarri e sasi të konsiderueshme municioni, në dy lokacione të ndara mbrëmjen e së martës në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, një automjet në “Rrugen B” kishte tentuar t’i shmangej ndalimit policor por Policia e kishte arritur atë dhe aty kishte gjetur dy armë zjarri.

    “Në rastin e dytë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se një i dyshuar posedonte armë, policia me shpejtësi ndërmori një operacion në një lokal në rrugën ‘Kadri Zeka’ në lagjen Kalabria në Prishtinë, me ç’ rast arriti të ndalojë të dyshuarin dhe të sekuestroj një armë zjarri”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me këto raste, Policia e Kosovës ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”.

    Tre të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes prej 48 orësh.

  • ​Lansohet ankandi i parë i erës prej 100 MW

    ​Lansohet ankandi i parë i erës prej 100 MW

    Ministria e Ekonomisë ka lansuar të mërkurën ankandin e parë të erës prej 100 MW në Kosovë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se këtë vit “jashtëzakonisht të suksesshëm për sektorin e energjisë po e përmbyllim edhe me një sukses – hapjen e Ankandit parë të erës prej 100 MW në Kosovë”.

    “Ekonomia jonë po rritet me ritmin më të shpejtë në rajon. Kemi rritje të burto produktit vendor me 6.36 mesatarisht në tri vitet e fundit. Kemi dyfishim të eksporteve dhe dyfishim të investimeve të huaja direkte. Sipas këtij parimi jemi siguruar që qytetarët janë pjesë e politikave tona. Sulmi në Ibër-Lepenc na bëri me dije se sa është e rëndësishme që ne të forcohemi edhe në kuptim energjetik. Kosova ka potencial të madh natyror për energji të ripërtritshme, energji të ripërtritshme të diellit. Deri vitin 2031 jemi zotuar që të arrijmë 1600 MGW nga burimet e ripërtitshme të energjisë”, tha ai.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ky projekt është i rëndësishëm për gjenerimin dhe ekonomin e vendit.

    Zëvendësambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad tha se ky është një hap i madh për të krijuar një të ardhme miqësore dhe se ankandi me 100 MW është me sasi domethënëse të prodhimit të energjisë së pastër.

    Sipas tij, kjo tregon se Kosova është e gatshme të kalojë nga prodhimi i energjisë së papastër ne të pastër dhe se “ky është drejtim i duhur dhe përgëzoj Kosovën, qëllimi i Kosovës është 35% e energjisë se pastër deri në vitin 2031”./KP