ATV

Author: ATVLive

  • Arrestohen dy shqiptarë në Luksemburg, të akuzuar për vjedhje në banesa

    Arrestohen dy shqiptarë në Luksemburg, të akuzuar për vjedhje në banesa

    Dy shqiptarë janë arrestuar në kuadër të operacionit “Together” në Luksemburg.

    Mësohet se ata akuzohen për vjedhje me dhunë në banesa në Luksemburg.

    Njoftimi i Policisë:

    Policia e Shtetit/Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FAST Albania kontribuojnë gjatë zhvillimit të operacionit policor ndërkombëtar, të koduar “Together”.

    Operacioni, nga FAST Luksemburgu, në koordinimin e rrjetit ENFAST.

    Si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të informacioneve nga Policia e Shtetit, lokalizohen në Luksemburg dhe vihen në pranga 2 shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me dhunë në banesa në Luksemburg.

    Në kuadër të operacionit “Together”, informacionet e siguruara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FAST Albania, si dhe të shkëmbyera me FAST Luksemburgun, nëpërmjet rrjetit ENFAST, mundësuan kapjen në Luksemburg të shtetasve shqiptarë K. B. alias K. N., 29 vjeç, të lindur në Mirditë dhe K. M., 28 vjeç, të lindur në Pukë.

    2 shtetasit akuzohen për kryerje të vjedhjeve me dhunë në banesa në Luksemburg.

    Policia e Shtetit mbetet plotësisht e gatshme për të bashkëpunuar me homologët, me qëllim goditjen e krimit të organizuar dhe kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht./abcnews.al/

  • Sveçla mbetet pa dhurata për ambasadorët, anulohet tenderi – kjo është arsyeja

    Sveçla mbetet pa dhurata për ambasadorët, anulohet tenderi – kjo është arsyeja

    Ministria e Punëve të Brendshme, që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, ka anuluar tenderin për furnizim me dhurata për ambasada dhe organizata ndërkombëtare me rastin e festave të fundvitit.

    Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 995 euro.

    Për këtë tender kishte ofertuar kompania “BBS Pack L.L.C, Henry dunant blloku U1 nr8, 10000, Prishtinë” Mirëpo, tenderi është anuluar pastaj.

    “Anulon aktivitetin e prokurimit për arsye që oferta e pranuar nuk ka dorëzuar Certifikatë apo dëshmitë e kërkuara të cilat tregojnë apo pohojnë se nuk jeni i diskualifikuar nga ndonjë masë nën Nenin 65 të LPP”, thuhet në vendim.

    Ky Nen është për pranueshmërinë e kandidatëve apo tenderuesve raporton Express.

    Operatori ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose të marrë pjesë në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë punonjës, drejtues, menaxher ose drejtor i saj:

    1.1. ka qenë pjesëmarrës në përgatitjen e njoftimit të kontratës ose dosjes së tenderit, ose në përgatitjen e ndonjë pjese të tyre, që shfrytëzohet nga autoriteti përkatës kontraktues; ose

    1.2. ka pranuar ndihmë për përgatitjen e tenderit ose kërkesës për pjesëmarrje nga një person ose ndërmarrje që ka marrë pjesë në përgatitjen e njoftimit të kontratës ose dosjes së tenderit ose të ndonjë pjese të ndonjë pjesë të këtyre të fundit”, parashihet në Nenin 1 të këtij Ligji.

    Në dosjen e tenderit figuron se këto pako duhej të përfshinin çokolladë të prodhimit vendor dhe gotë porcelain me logo të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    “Furnizim me dhurata per festat e fund vitit per ambasada dhe institucione ndërkombëtare (paketim te kartonit të fortë me dimensione 26*26.5 dhe 10 cm gjerësi, (qokollad e prodhimit vendor 180 gr gotë porcelani 250 ml, me logo të MPB-së)”, thuhet në dosje.

  • ​Ismet Bahtijari bën marrëveshje për pranimin e fajësisë

    ​Ismet Bahtijari bën marrëveshje për pranimin e fajësisë

    Në marrëveshjen për pranimin e fajësisë të publikuar sot, Ismet Bahtijari pranon fajësinë për një akuzë për pengim dhe një akuzë për frikësim.

    Dhomat e Specializuara në njoftim thonë se kjo vjen pas marrëveshjeve të ngjashme për pranimin e fajësisë të publikuara dje, ku dy të pandehurit e tjerë në çështjen gjyqësore gjithashtu pranuan fajësinë lidhur me këto akuza.

    “Marrëveshja për pranimin e fajësisë bazohet në “faktet e pranuara”, me çka Bahtijari pranon se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta”, thuhet në njoftim.

    Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon që Prokurori i Specializuar dhe Mbrojtja të arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila duhet të miratohet nga Trupi Gjykues para se të hyjë në fuqi. Trupi Gjykues është duke shqyrtuar aktualisht marrëveshjet për pranimin e fajësisë në këtë çështje gjyqësore.

    Ismet Bahtijari u arrestua së bashku me Sabit Januzin më 5 tetor në Kosovë dhe u transferuan në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 6 tetor 2023. Në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023 të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e aktakuzës.

    Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes kundër Januzit dhe Bahtijarit me çështjen kundër Haxhi Shalës, i cili u arrestua më 11 dhjetor 2023 në Kosovë.

    Në paraqitjen e tij të parë më 13 dhjetor 2023, Shala nuk u deklarua në lidhje me fajësinë ose pafajësinë. Në paraqitjen e mëtejshme më 15 dhjetor 2023, ai u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

    Më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së për bashkimin e dy çështjeve dhe vendosi që çështja e përbashkët do të quhet Prokurori i Specializuar kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.

    Më 16 shkurt 2024, ZPS-ja dorëzoi, si konfidenciale, dosjen e vet paraprake në çështjen e përbashkët, ndërsa versioni i redaktuar publik u dorëzua më 3 korrik 2024. Mbrojtja e Bahtijarit e dorëzoi dosjen paraprake më 19 qershor 2024, pasuar nga mbrojtja e Haxhi Shalës dhe ajo e Januzit më 2 shtator 2024.

    Versionet konfidenciale të dosjeve paraprake të përditësuara dhe më tej të përditësuara u dorëzuan më 19 gusht dhe më 2 shtator 2024. Versioni publik i redaktuar i dosjes paraprake të Shalës u dorëzua më 2 tetor 2024. Më 21 tetor 2024, Bahtijari dorëzoi versionin e redaktuar publik të dosjes së tij paraprake të përditësuar.

    Paraqitja e mëtejshme e Januzit dhe Bahtijarit u mbajt më 12 korrik 2024. Të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën e re ndaj tyre në aktakuzën e përbashkët të ndryshuar.

    Gjykatësja e Procedurës Paraprake fillimisht caktoi 21 qershorin 2024 si datë për kalimin e dosjes së çështjes te Trupi Gjykues por më vonë e ndryshoi atë në 5 dhe 22 korrik 2024.

    Megjithatë, më 12 korrik 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e anuloi datën e planifikuar më parë.

    Më 23 korrik 2024, gjykatësja përcaktoi se dosja e çështjes do t’i kalohet Trupit Gjykues dy ditë pas dorëzimit të dosjeve paraprake të Mbrojtjes, në qoftë se kanë, ose pas skadimit të afatit përkatës. Më 4 shtator 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.

    Konferencat përgatitore për gjykimin u mbajtën më 7 dhe 8 tetor 2024. Deklaratat hyrëse fillimisht u caktuan për 14 dhe 15 nëntor 2024, por më 12 nëntor 2024, Trupi Gjykues vendosi që këto seanca të mos mbahen, duke lënë datën e fillimit të gjykimit aktualisht në pritje.

  • ​Glavchev: Bullgaria s’ka arsye të tërhiqet nga qëndrimi për hyrjen e Maqedonisë në BE

    ​Glavchev: Bullgaria s’ka arsye të tërhiqet nga qëndrimi për hyrjen e Maqedonisë në BE

    Kryeministri i Bullgarisë Dimitar Glavchev deklaroi sot në Sofje se nuk ka arsye të tërhiqet nga qëndrimi i vendit të tij për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

    Ai po fliste ndërsa qeveria po mbante mbledhjen javore dhe përpara se të nisej për në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor më vonë gjatë ditës.

    “Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin tonë, ai është parimor, është dakorduar me të ashtuquajturin kompromis të vitit 2022. Ne e kemi bërë kompromisin, vetëm se është nënshkruar nga të gjitha shtetet anëtare, përfshirë Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ne. Nuk shoh asnjë arsye për të bërë lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut nga pozicioni aktual bullgar”, tha Glavchev.

    Kryeministri theksoi se nuk është e drejtë që një vend kandidat për në BE të vendosë kushte ndaj vendeve që tashmë janë anëtare të BE-së.

    Ai shpjegoi se zakonisht kur dikush dëshiron të bashkohet diku, ata ndjek rregullat që janë vendosur atje, në vend që të kërkojnë që rregullat të përshtaten për atë që aplikon.

    “Ky do të ishte një precedent absolut dhe në kundërshtim me parimet e BE-së dhe parimet e të drejtave të njeriut, të pakicave. Sepse pengesa më e vogël për Maqedoninë e Veriut është kompromisi i vitit 2022, nëse kjo mund të jetë pengesë”, tha Glavchev duke përsëritur se Maqedonia e Veriut vazhdon të dështojë në përmbushjen e kërkesave të tjera.

    Bullgaria pret nga Maqedonia e Veriut të ndryshojë kushtetutën e saj për të përfshirë bullgarët, përpara se të ndezë “dritën jeshile” për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, dhe kjo u vendos si parakusht nga BE dhe u pranua nga Shkupi.

    Shkupi u tërhoq pasi qeveria ndryshoi dhe qeveria e re pohon se amendamentet kushtetuese që njohin një pakicë bullgare nuk do të vazhdojnë pa garanci paraprake nga Bullgaria për të parandaluar veton e ardhshme. /BTA

  • ​Holanda gjobit Netflix

    ​Holanda gjobit Netflix

    Holanda ka gjobitur Netflix me 4.75 milionë euro për mënyrën sesi platforma e transmetimit menaxhonte të dhënat personale të abonentëve të saj.

    Agjencia holandeze për mbrojtjen e të dhënave AP tha se midis 2018 dhe 2020, Netflix nuk u dha përdoruesve të tij informacion të mjaftueshëm për atë që kompania bën me të dhënat e tyre personale. Informacioni i dhënë nga Netflix ishte i paqartë në disa zona.

    “Një kompani e tillë, me një qarkullim prej (shumë) miliarda e miliona përdoruesish në mbarë botën, duhet t’u shpjegojë siç duhet abonentëve të saj se si i menaxhon të dhënat e tyre personale. Duhet të jetë e qartë. Sidomos nëse përdoruesi kërkon informacion për të. Dhe nuk ishte kështu”, tha kreu i AP, Aleid Wolfsen.

    AP tha se Netflix nuk e bëri të qartë se pse mbledh të dhëna personale, i ndan ato me palët e treta, për sa kohë i ruan ose si garantohet siguria e tij kur dërgohet jashtë Evropës.

    Netflix ka apeluar vendimin, duke vënë në dukje se kishte bashkëpunuar me autoritetet e mbrojtjes së të dhënave dhe kishte ndryshuar tashmë politikat e tij.

    “Qëkur hetimi u hap më shumë se pesë vjet më parë, ne kemi bashkëpunuar me agjencinë holandeze të mbrojtjes së të dhënave dhe kemi zhvilluar në mënyrë pro-aktive informacionin tonë të privatësisë për të ofruar qartësi më të madhe për anëtarët tanë. Kemi bërë ankesë kundër këtij vendimi”, tha një zëdhënës i Netflix.

  • Hovenieri mban takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it

    Hovenieri mban takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it

    Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, zhvilloi takim lamtumirës me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

    Hovenieri tha se ShBA-të janë kontribuues i rëndësishëm në misonin e NATO-së në Kosovë dhe sipas tij mbeten të përkushtuara ndaj tij, duke siguruar mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, duke promovuar stabilitet në rajon.

    Mandati i Hovenierit përfundon së shpejti, teksa ka paralajmëruar se pas përfundimit të misionit të tij në Kosovë, ai do të pensionohet.

  • ​Krimet serbe ndaj shqiptarëve, Kurti: Kosova do të bëhet me muze të gjenocidit

    ​Krimet serbe ndaj shqiptarëve, Kurti: Kosova do të bëhet me muze të gjenocidit

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot në mbledhjen e qeverisë, se Kosova do të ketë një muze të dinjitetshëm ku do të shfaqen krimet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj shqiptarëve.

    Ai tha se në muzeun e gjenocidit do të dëshmohen krimet monstruoze të Serbisë gjenocidiale ndaj Kosovës.

    “Vendi ynë do të ketë një muze të dinjitetshëm ku do të tregohen krimet e ish-Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj popullit tonë. Ky muze është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale dhe dëshmi se Republika e Kosovës ka ngadhënjyer dhe nuk harron”, tha ai.

    Krahas kësaj, Kurti bëri thirrje sërish që mërgimtarët të regjistrohen për votim në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke përkujtuar se afati për regjistrim është deri më 26 dhjetor.

    “Po i drejtohem mërgatës sonë nga mbledhja e qeverisë, sepse vota e tyre ka qenë përcaktuese për përbërjen e kësaj qeverie, siç ka qenë edhe kontributi i saj përcaktuese për fatin e mirëqenien vendit tonë ndër vite. Me qeverinë tonë, për herë të parë, mërgata jonë do të kenë mundësi që të votojë në ambasada e konsullata në shtetet ku jetojnë bashkatdhetarët. Kjo është bërë e mundur sepse e kemi ndryshuar ligjin siç edhe u kemi pas premtuar. Votimi përmes postës brenda vendit dhe në ambasada e konsullata është një fitore e madhe për mërgatën tonë punëtore e patriotike dhe për shtetin tonë demokratik e të pavarur, si dhe një nga arritjet kryesore të qeverisë sonë në shërbim të mërgatës. E drejta e votës është e drejtë e garantuar me kushtetutë… Regjistrimi në faqen e KQZ-së nuk merr më shumë se pesë minuta kohë. Aq merr kohë edhe votimi me postë. Andaj, të gjithë ju që planifikoni të votoni nga jashtë vendit, ju ftoj edhe një herë, që të regjistroheni sa më parë në diaspora.kqz-ks.org. Sepse pa regjistrim, nuk ka votim. Regjistrimi është parakushti i votimit, por njëkohësisht edhe garancia për të drejtën e votimit për mundësinë e votimit, të dashur bashkatdhetarë”, tha Kurti.

    Kreu qeveritar foli edhe për heqjen e regjimit të vizave për Bosnjë Hercegovinën nga 1 janari 2025.

    “Ky vendim do të rrisë lidhjet ndërmjet qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjës, do të shtojë mundësitë për bashkëpunim ndërmjet tyre dhe do të nxisë shkëmbimet e studentëve, ndërmarrësve, sportistëve, artistëve e profesionistëve të të dy vendeve. Veçanërisht më gëzon fakti që nga ky lehtësim do të përfitojnë shqiptarët në Bosnje që kanë familje dhe farefis në Kosovë dhe boshnjakët në Kosovë që mund të mirëpresin familjarët dhe farefisin e tyre nga Bosnja. Rreth 12 mijë shqiptarë jetojnë në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërkaq rreth 27 mijë boshnjakë jetojnë në Kosovë. Nga 1 janari 2025, Kosova do të jetë vendtakimi i tyre, andaj edhe ne do t’i mirëpresim përzemërsisht”, tha Kurti./kp

  • ​Qeveria nis procedurat për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt

    ​Qeveria nis procedurat për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt

    Qeveria e Kosovës nisi procedurat për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt në vlerë 27.9 milionë euro. Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën iu dha drita e gjelbër edhe koncept-dokumentit për zhvillimin e kornizës rregullative të tregjeve financiare të Kosovës dhe dy marrëveshjeve ndërkombëtare në vlerë 70 milionë euro.

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se me ndërtimin e Spitalit të Ferizajt do të rriten kapacitetet infrastrukturore dhe shërbimeve paraklinike në këtë komunë si dhe ato përreth.

    “Me qëllim të rritjes së kapaciteteve infrastrukturore dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve paraklinike në komunën e Ferzajt, Ministria e Shëndetësisë bazuar në Ligjin për buxhetin kërkon aprovimin e propozimvendimit për inicimin procedurave si projekt shumëvjeçarë në vlerën 27.9 milionë euro”, tha ai.

    Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se me miratimin e koncept-dokumentit për zhvillimin e kornizës rregullative të tregjeve financiare do të zhvillohet edhe më tej ekonomia e Kosovës.

    “Ky është hapi i radhës në mënyrë që zhvillohet më tutje ekonomia e vendit. Do të krijohet edhe një katalizator shtesë për mundësi e qasje të reja në financim për bizneset tonë në mënyrë që të rriten përtej produkteve të tanishme financiare siç janë kreditë nga sektori bankar. Në kuadër të zhvillimeve që kemi nisur edhe për themelimin e Bankës Zhvillimore ky vendim paraqet hapin e radhës për ndërtimin e një ekonomie moderne dhe që ka qasje në instrumentet financiare”, tha ai.

    Ai prezantoi edhe dy marrëveshje ndërkombëtare mes ministrisë që drejton, KfW, Frankfurt Am Main dhe kompanisë regjionale Pastrimi për projektin “Zhvillimi Urban i Përshtatshëm për Klimën II.

    Ai tha se njëra marrëveshje është grant kurse tjetra kredi e butë në vlerë 70 milionë euro.

    Por, Murati ngriti shqetësimin se ky projekt mund të dështojë për shkak se Komuna e Prishtinës ka shpall tenderë për kontraktimin e shërbimeve të njëjta që ofron kompania Pastrimi.

    Sipas tij, kryeqyteti duhet të rishqyrtojë ky vendim dhe të mbështetet kompania regjionale Pastrimi për fuqizim të kapaciteteve.

    “Kohëve të fundit ka një problem sa i përket menaxhimit dhe raportit me komunën. Me aq sa jemi në dijeni komuna e Prishtinës ka shpallur tenderë për kontraktim të shërbimeve të njëjta që ofron kompania Pastrimi. Kësisoj vendoset në rrezik projekti në fjalë që është në vlerë 70 milionë euro dhe 50 milionë euro parashihen të jenë grante. Të rishqyrtohet ky veprim në mënyrë që sigurohemi që bashkërisht të mbështesim ndërmarrjen Pastrimi”, nënvizoi Murati.

    Krahas këtyre, ekzekutivi miratoi edhe Projektligjin për inspektoratin qendror të shëndetësisë si dhe Projektligjin për prodhimin, kultivimin, grumbullimin, përpunimin, tregtimin, kontrollin e duhanit, produktet e duhanit dhe produktet e ndërlidhura.

    Po ashtu u emërua Luan Sylaj, drejtor ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë./kp

  • Presidentja sllovene arrin në Kosovë

    Presidentja sllovene arrin në Kosovë

    Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc ka arritur në Kosovë.

    Ajo është pritur nga zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi në aeroportin “Adem Jashari”.

    “Mirësevjen presidente”, ka shkruar Rexhepi në Facebook ku ka ndarë edhe fotografi me Pirc.

    Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca e Sllovenisë thuhet se ajo do të jetë e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura sllovene, gjenerallejtënant Robert Glavash. Aty thuhet se dyshja në fjalë do të vizitojnë pjesëtarët e kontingjentit të 50-të të Forcave të Armatosura Sllovene, pra forcat që shërbejnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

    Pirc do të takohet me shtabin komandues të këtij operacioni dhe do të mësojë për detyrat dhe projektet që Sllovenia po i zbaton në Kosovë.

    Ajo do të marrë pjesë edhe në një koncert të grupit të Forcave të Armatosura sllovene “Naboj”.

    Ndër tjera thuhet se Pirc do të takohet edhe me komandatin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

  • KQZ-ja certifikon 11 subjekte politike dhe mbi 600 kandidatë për deputetë

    KQZ-ja certifikon 11 subjekte politike dhe mbi 600 kandidatë për deputetë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur certifikimin e subjekteve politike, bashkë me listat e kandidatëve të tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për IndeksOnlinen se sot u mor vendimi për certifikimin e 11 subjekteve politike.

    Sipas tij, gjithsej 606 kandidatë janë regjistruar për deputetë.

    Lista e subjekteve politike dhe numri i kandidatëve të certifikuar deri tani (18 dhjetor 2024) është si në vijim: