ATV

Author: ATVLive

  • ​Keqpërdorimi i mjeteve të MKRS-së, arrestohen tre të dyshuar

    ​Keqpërdorimi i mjeteve të MKRS-së, arrestohen tre të dyshuar

    Tre persona janë arrestuar sot pas hetimeve nga Sektori për Hetime Financiare dhe Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë, nën dyshimet se gjatë periudhës 2019-2023 i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në vlerë 87 mijë e 463 euro.

    Hetuesit nga Sektori për Hetime Financiare, pas pranimit të një informate, të njëjtën e kanë trajtuar dhe gjatë mbledhjes së dëshmive, kanë ngritur dyshime se zyrtarët e Federatës së Karatesë të Kosovës (FKK) kanë keqpërdorur mjetet financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

    N.G. (1974), F.M. (1982) dhe I.K. (1968), shtetas të Kosovës, janë arrestuar dhe intervistuar, dhe ndaj tyre është iniciuar rasti mashtrim me subvencione.

    Pas intervistimit, N.G. dhe F.M. u është caktuar masa e ndalimit 48 orë, ndërsa I.K. është liruar në procedurë të rregullt.

    Në rastin e dytë sot Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prishtinë ka arrestuar A.M. (1989), në cilësi të kryetarit të Komisionit për ndarjen e granteve në Obiliq, për ndarjen 9 mijë e 900 euro në formë subvencioni për një klub basketbolli, të cilin ai e kishte themeluar dhe i cili dyshohet se ka qenë jo aktiv.

    Po ashtu është arrestuar edhe A.A. (1977), si monitoruese e implementimit të subvencioneve, duke përpiluar raport të rrejshëm.

    Mbi bazën e gjetjeve është krijuar dyshimi se të dyshuarit kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe konflikti i interesit.

    A. M., me aktvendim nga prokurori, është dërguar në mbajtje 48 orë, ndërsa A.A. është liruar në procedurë të rregullt.

  • ​Mattarella: Pa KFOR-in do të kishte shpërthime të dhunshme në Kosovë

    ​Mattarella: Pa KFOR-in do të kishte shpërthime të dhunshme në Kosovë

    Presidenti i Italisë Sergio Mattarella ka deklaruar se integrimi i të gjithë rajonit të Ballkanit në BE kërkon qetësi dhe se prania e KFOR-it ka parandaluar shpërthime të dhunshme në Kosovë.

    Mattarella ka diskutuar me misionin komandues të KFOR-it italian në Kosovë gjatë një ceremonie të urimeve për kontingjentet italiane që shërbejnë në misionet ndërkombëtare.

    “KFOR-i për 25 vjet është i përkushtuar në këtë mision. Unë i kam kushtuar vëmendje të madhe dhe kam vënë re se klima lokale ndonjëherë nxehet qëllimisht, duke e bërë të vështirë dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Misioni juaj për ta mbajtur atë gjallë është kritik”, tha ai.

    Mattarella theksoi se rreziku i ndërhyrjeve nga jashtë Ballkanit është jashtëzakonisht i lartë dhe se pa KFOR-in “do të kishte pasur shpërthime të dhunshme që do të kishin shkatërruar vendin gjatë këtyre viteve.” /ANSA

  • Sulmi në Ibër Lepenc, asnjëri nga të dyshuarit që po mbahen në paraburgim s’e kanë pranuar fajsinë

    Sulmi në Ibër Lepenc, asnjëri nga të dyshuarit që po mbahen në paraburgim s’e kanë pranuar fajsinë

    Përgatiti: Nora Luta

    Vëllezërit Dragisa e Jovan Vicentijeviq po mbahen në paraburgim nën dyshimet për përfshirje në sulmin që nga Qeveria u cilësua si terrorist, në kanalin e Ibër- Lepencit në Varagë të Zubin Potokut.

    Asnjëri nga ta nuk e ka pranuar përgjegjësinë për sulmin, ndryshe nga ajo çfarë deklaroi publikisht ditë më parë zv.ministri i MAPL-së Arbër Vokrri.

    “Klienti im nuk e ka pranuar fajin ngase s’ka çfarë të pranojë sepse ai s’e ka bërë këtë. Nuk ekziston asnjë dëshmi e cila e lidh me këtë ngjarje dhe ai pa bazë ndodhet në paraburgim. Unë do të doja që ju ta pyesni prokurorin që ai të na tregojë se çfarë dëshmish kanë për këtë rast”, tha Nebojsha Vlaiq, avokat i Jovan Vicentijeviq.

    Edhe Milosh Deleviq, avokat i Dragisa Vicentijeviq, tha nëpërmjet një përgjigje me shkrim për ATV-në, se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.

    Ndërsa, Prokuroria Speciale ka theksuar se janë ende duke mbledhur prova lidhur me rastin.

    “Ju informoj se rasti për të cilin keni pyetur gjendet në fazën e hetimeve, mbledhjen dhe analizimin e provave në Prokurorinë Speciale. Në këtë fazë të hetimeve ky është i gjithë informacioni që mund të bëhet publik”, ka thënë Liridonë Kozmaqi, udhëheqëse e Zyrës për Komunikim Publik në PSRK.

    Njohës të fushës kritikojnë deklaratat e tilla nga zyrtarët shtetërorë rreth rastit, pasi thonë se mund t’i dëmtojnë hetimet.

    Çdo deklaratë e tillë, sipas tyre ndikon negativisht në zbardhjen e rastit.

    Shpërthimi që ndodhi në fund të muajit të kaluar në kanalin e ujit të Ibër- Lepencit shkaktoi telashe në furnizim me ujë të pijes, dhe për KEK-un.

    Lidhur me sulmin ishin sekuestruar një sasi e municionit, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme dhe ishin arrestuar fillimisht dhjetë persona, por në paraburgim janë vetëm vëllezërit Vicentijeviq.

  • SAGA për ndërtimin e spitalit në Ferizaj

    SAGA për ndërtimin e spitalit në Ferizaj

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Në pamje të parë duket objekt i braktisur. Por godina gjashtë-katëshe që filloi së ndërtuari para pandemisë, ishte planifikuar t’u shërbente 300 mijë banorëve të Ferizajt dhe komunave përreth.

    Teksa për gjashtë vjet, janë kryer vetëm punët e vrazhda, Qeveria të mërkurën miratoi inicimin e procedurave për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt me vlerë të përgjithshme prej 27 milionë eurove.

    “Në këtë ri-projekt që na u është dorëzuar neve, duhen investime të cilat do ta përforcojnë strukturën e spitalit dhe për të vazhduar me punët siç është dashur prej fillimit që fatkeqësisht nuk kanë ndodhur”, tha ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

    Sipas Ministrit të Shëndetësisë, raporti i hartuar nga Fakulteti i Ndërtimtarisë, tregon për cilësi të dobët të punimeve.

    “Statika e nuk ofron siguri. Kemi gjetur se një shtyllë ka devijime nga toka në tavan për 13 cm. Po ashtu, pllakat mes kateve nuk kanë sasi të betonit dhe elemente të tjera që ofrojnë siguri”, tha Vitia.

    Por, sipas zëdhënësit të Komunës, arsye kryesore për zvarritjen e punimeve janë inatet politike.

    “Qeverisja aktuale kur erdhi në pushtet nuk e qoj përpara projektin. Ne kemi ofruar mbështetje dhe ofrojmë sepse si komunë na ka takuar vetëm ta ndajmë parcelën. Por kemi vërejtur hezitim pas pandemisë dhe kur kjo qeveri mori pushtetin sepse kryetari i Ferizajt vjen nga PDK-ja”, tha Selim Marevci, zëdhënës i Komunës se Ferizajt.

    Sidoqoftë, spitali i shumë përfolur, kishte përfunduar edhe në Prokurori Speciale.

    Bazuar në kallëzimin penal MSH-ja pretendonte se kjo kompani ka fituar tenderin me çmime manipuluese, meqë çmimet e punëve fillestare janë vendosur shumë më të larta se çmimet reale në treg, kurse për punët finale janë dhënë çmime nen vlerën e tregut.

    Operatori ekonomik, sipas MSH-së, i ka marrë paratë nga pozicionet me çmime të larta, ndërsa kur është dashur t’i kryente ato që janë nën çmim të tregut ka kërkuar rishikim të projektit e 5 milionë euro shtesë. Vlera totale e projektit fillestar ishte 10.235.587.10 euro.

  • Nëntë vjet e gjysmë nga Ujdia, të mbyllyra Izvori dhe Kapia

    Nëntë vjet e gjysmë nga Ujdia, të mbyllyra Izvori dhe Kapia

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në lartësi mbidetare prej 1300 metrash në malet mes Kosovës dhe Serbisë, objekti i ndërtuar për pikë-kalim kufitar, bazuar në marrëveshjen e arritur në dialogun e Brukselit më 21 Maj 2015, zyrtarisht nuk është hapur asnjëherë.

    Rruga fshati Banjskë, ku ndodhi sulmi terrorist paramilitar, deri te pika kufitare e supozuar është 15 kilometra, prej tyre rreth dy kilometra në fillim mbesin të paasfaltuara. Ndërsa, nga kufiri deri në Novi Pazar edhe 20 të tjera.

    Distancë përgjysmë më shkurtër, krahasuar me rrugën që përdoret aktualisht: Banjskë, Jarinjë, Rashkë, Novi Pazar – që tejkalon 75 kilometra.

    E gjendur në zonën kodrinore-malore në mes dy rrugëve nacionale, asaj për Jarinjë dhe tjetrës për Bërnjak, për vite me radhë, ajo ishte një nga vijat kryesore të kontrabandës.

    Ndërsa, një pjesë e saj dhe rruga anësore dyshohet se ishte përdorur nga grupi terrorist i prirë nga Milan Radocic, më 24 Shtator 2023.

    Krahas KFOR-it, që atëherë prani të përhershme ka edhe Policia e Kosovës.

    Pjesë e ujdisë së arritur nëntë vjet e gjysmë më parë në Bruksel, ishte edhe hapja e pikë-kalimit në Kapi të Sfircës.

    Edhe aty, Serbia vazhdon të bllokojë funksionalizimin e pikës kufitare, që do të mundësonte lëvizjen e ndërsjellë Kamenicë-Medvegjë, në një rrugë 38 km.

    Në takimin e 17 Dhjetorit, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova këmbënguli në zbatimin e dakordimit për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.

    Aktualisht, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, funksionale janë gjashtë pika kufitare: Jarinjë, Bërnjak, Merdare, Mutivodë, Dheu i Bardhë dhe Muçibabë.

  • Mosha dominuese në Kosovë 20-24 vjeç, mosha mesatare 34 vjeç

    Mosha dominuese në Kosovë 20-24 vjeç, mosha mesatare 34 vjeç

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Që nga vera kur u prezantuan rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë, është kuptuar se numri i banorëve në Kosovë, ka rënë. Megjithatë popullsia mbetet ende e re.

    Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, mosha që dominon në vend është 20 deri në 24 vjeçare.

    Por mosha mesatare është më e lartë dhe bazuar në të dhënat e ASK-së tani është 34 vjeçare.

    Sipas censusit të vitit 2024, nga mbi 1,6 milionë banorë, 50,2 për qind janë meshkuj dhe 49,8 për qind janë femra.

    Në krahasim me regjistrimin paraprak të popullsisë ndryshime ka edhe në numrin e ndërtesave dhe ekonomive familjare.

    Sipas të dhënave të ASK-së, numri i objekteve të banimit është rritur për 21% krahasuar me vitin 2011, ndërsa un rrit edhe numri i banesave për 41.3 për qind.

    Një ndryshim i madh vërehet edhe në vendbanime. Për dallim nga viti 2011, kur shumica banonin në zona rurale, tani shumica e popullsisë jeton në zona urbane.

    Bazuar në censusin e 2024 ashtu sikurse edhe në atë të vitit 2011, shqiptarët përbëjnë shumicën e popullsisë me mbi 91 për qind. Banorë të nacionalitetit serb janë vlerësuar se janë 36 mijë e 682 persona apo 2.31%.

    Mbi 90 për qind e banorëve janë deklaruar se i përkasin besimi islam ndërsa komunitetet ortodokse dhe katolike përfaqësojnë grupet më të mëdha të minoriteteve fetare.

    Në kuadër të regjistrimit të popullsisë është matur edhe niveli i arsimimit duke marrë për mostër popullsinë e moshës mbi 10 vjeçare. Rënie të numrit të personave analfabetë ka krahasuar me vitin 2011. Këtë vit analfabetë rezultojnë të jenë 30 mijë e 902 qytetarë.

  • Kosova ka popullsi të përgjithshme rezidente prej 1.602.515 banorë

    Kosova ka popullsi të përgjithshme rezidente prej 1.602.515 banorë

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    5 muaj pasi u publikuan të dhënat preliminare për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat përfundimtare për këtë proces.

    Numri i përgjithshëm i banorëve rezidentë në Kosovë është 1 milion e 602 mijë e 515 banorë, përfshirë numrin e banorëve në komunat më shumicë serbe të cilët e bojkotuan procesin.

    Publikimin e të dhënave e ka përshëndetur edhe kryeministri, Albin Kurti.
    Sipas tij të dhënat janë tregues se si dhe ku duhet të punohet e të investohet.

    Në këto të dhënat nuk është përfshirë numri i banorëve në diasporë meqë ky proces i regjistrimit do të vazhdojë deri më 31 dhjetor. Por është njoftuar se deri më tani janë regjistruar rreth 550 mijë persona.

    Tutje sipas të dhënave të ASK-së nga dëmet e luftës janë prekur 154 mijë e 272 ekonomi familjare, me mbi 5 miliardë euro dëme.

    Projekti i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave u realizua nga 5 prilli deri më 24 maj. Procesi ishte paraparë të përfundohej për 4 javë por u shty për 1 javë me kërkesë të disa komunave.

  • Gjykimi për krime lufte në Vushtrri ndaj Zoran Vukotiq

    Gjykimi për krime lufte në Vushtrri ndaj Zoran Vukotiq

    Përgatiti: Nora Luta

    18 prilli i 99-s nisi si ditë e zakonshme për Faton e Burim Mulin, të cilët kishin dalë me biçikletë në Vushtrri. Por, Fatoni në atë kohë vetëm 12 vjeç thotë se kjo datë u kthye në tmerr për të e familjen, pasi Burimi, u vra.

    Për vrasjen e djalit të axhës dhe bashkëmoshatarit, ai para trupit gjykues të Gjykatës së Prishtinës e fajësoi Zoran Vukotiqin.

    Armën, Vukotiqi që tha se ishte me dy policë të tjerë, ia kishte drejtuar edhe Fatonit, i cili kërkoi pushim gjatë dëshmisë për shkak të gjendjes emocionale.

    37-vjeçari, përveç mbrojtjes e trupit gjykues, u ballafaqua me pyetje edhe nga Vukotiq, e njëra ishte e papranueshme nga ana e gjykatës.

    “A jam unë i gjatësisë së njëjtë si në vitin 1999. Qysh nuk e dini?”, tha Vukotiq.

    “Në 2015 në deklaratën e parë keni thënë që distanca ka qenë 20 deri në 40 m, sot thatë 20, a mund të shpjegoni këtë dallim?”, tha Vukotiq.

    Sipas aktakuzës së ngritur në vitin 2017, Zoran Vukotiq nga largësia prej 30 metrash e qëlloi me armë zjarri në gjoks Burim Mulin, rreth orës 15:00, më 18 prill të 99-s.

    Departamenti Special në gusht të këtij viti bashkoi në një proces, dhe nisi gjykimin ndaj Vukotiqit edhe për akuza të tjera, përfshirë dhunë seksuale, dhe vrasje të civilëve në disa fshatra të Vushtrrisë gjatë 2 dhe 3 majit të vitit 1999.

    Ndërsa, Supremja ka vërtetuar dënimin prej 13 vitesh ndaj Vukotiqit në një rast tjetër për dhunë seksuale gjatë luftës.

  • APK-ja lanson aplikacionin online për raportimin e korrupsionit

    APK-ja lanson aplikacionin online për raportimin e korrupsionit

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Tash e tutje ekziston një platformë online për raportimin e korrupsionit.

    Atë e lansoi të enjten Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në mbështetje nga UNDP ne Kosovë.

    “Ne si agjenci, tentojmë të jemi dëshmitarë dhe shembull i mirë i përdorimit të teknologjisë në mbizotërimin e drejtësisë. Ky aplikacion, i cili do të lansohet sot dhe shumë aplikacione tjera, të cilat janë lansuar në të kaluarën, tregojnë që teknologjia mund të vihet në shërbim të sundimit të ligjit dhe parandalimit të korrupsionit…Ne i kërkojmë secilit qytetar të Republikës së Kosovës që të bashkëpunojë me ne, sepse pjesëmarrja qytetare është fuqia jonë”, tha Yll Buleshkaj nga APK.

    “Kemi një partneritet shumë të gjatë në parandalimin e korrupsionit. kemi mbështetur agjencinë në mënyrë që të bëhet identifikimi i rreziqeve dhe digjitalizimi i platformës së raportimit. është bazuar në modelin e republikës së koresë”, tha Dudley Tarlton, zëvendëspërfaqësues i Përhershëm i UNDP-së.

    Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e APK-së, Adnan Rrustemi shtoi se kjo platformë ofron siguri dhe konfidencialitet për qytetarët që raportojnë rastet e korrupsionit.

    “Lansimi i platformës ‘Raporto korrupsionin’, përfaqëson jo vetëm një mjet inovativ, por edhe një shembull të përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e parandalimit të korrupsionit”, tha Rrustemi.

    Më parë, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ka kërkuar edhe rritjen e numrit të punëtoreve pasi, zyrtarët aktual janë të ngarkuar me më shumë se 200 raste në vit.

  • ASK-ja s’i publikoi statistikat rreth papunësisë

    ASK-ja s’i publikoi statistikat rreth papunësisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Agjencia e statistikave të Kosovës, as këtë herë nuk publikoi të dhëna rreth papunësisë në vend.

    Megjithëse raporti përfundimtar shpalosi të dhëna mbi shumëçka, papunësia nuk u përmend askund në raportin 105 faqesh.

    Kjo po shihet si e qëllimshme nga njohës të ekonomisë, pasi vlerësojnë se shifrat reale nuk i përshtaten qeverisë.

    “AKS-ja i shërben politikave qeveritare në nivel të përgjithshëm për arsye se është një institucion që po të publikonte të dhënat reale të cilat janë në bazë të regjistrimit të popullsisë, do të prezantohej një gjendje tjetër në raport me atë që është publikuar nga ministri i financave për shkallën e papunësisë dhe për punësimin”, tha Medain Hashani, profesor i ekonomisë.

    “Vetë fakti që në Kosovë kemi pasur mbi 1.1 milionë qytetarë të aftë për punë dhe sot punojnë vetëm 450 mijë në sektorin privat dhe publik, është një e dhënë që e argumenton në njëfarë forme shkallën e papunësisë”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.

    Në mungesë të përditësimit të statistikave, ASK-ja ende thirret në matjet e brendshme, në bazë të të cilave, papunësia figuron se është 10.7 për qind.

    Por, kjo për një ish-Kryeministër e Ministër të Financave, nuk tregon gjendjen reale në vend, si shkak edhe i migrimit.

    “Janë njerëz që janë larguar nga vendi, pra nuk figurojnë në statistika zyrtare si persona të papunë. Si mund të ulet norma e papunësisë në terma real kur norma e punësimit nuk rritet, norma e pjesëmarrjes në tregun e punës nuk rritet, nëse i sheh statistikat janë të pandryshueshme”, tha ish-kryeministri, Avdullah Hoti.

    Ndryshe, së fundmi janë dhënë shifra të ndryshme sa i përket shkallës së papunësisë në vend. Derisa qeveria thirret në atë se papunësia është 10.7 për qind, një raport i bankës botërore i publikuar muaj më parë, thotë se në Kosovë janë të punësuar vetëm 37 për qind e fuqisë punëtore.