ATV

Author: ATVLive

  • Tentim vrasje në Gjilan, në vendngjarje gjendet pistoleta e papërdorur

    Tentim vrasje në Gjilan, në vendngjarje gjendet pistoleta e papërdorur

    Një person është sulmuar fizikisht nga disa të tjerë në Gjilan. Ai u dërgua fillimisht në emergjencë në Gjilan dhe më pas është dërguar në QKUK Prishtinë.

    Policia e ka cilësuar veprën si tentim vrasje dhe tha se në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë me gjashtë fishekë e cila nuk është përdorur, si dhe një shkop i drurit i thyer me të cilën dyshohet se është goditur viktima.

    “Gjilan 20.12.2024, 22:40. Është raportuar se është sulmuar fizikisht nga disa persona të dyshuar viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë pistoletë me gjashtë fishekë e cila nuk është përdorur, si dhe një shkop i drurit i thyer me të cilën dyshohet se është goditur viktima. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në emergjencë Gjilan dhe më pas është dërguar në QKUK Prishtinë. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

  • Pritjet deri në një orë për të hyrë në Kosovë nga Merdarja

    Pritjet deri në një orë për të hyrë në Kosovë nga Merdarja

    Pritjet e mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë në pikat kufitare të vendit vetëm se kanë filluar.

    Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, kolona mëngjesin e sotëm ka në Merdarë deri në 1 orë, ndërsa tek Dheu i Bardhë deri në 25 minuta.

    Në pikat e tjera kufitare, pritjet për të hyrë dhe për të dalë në Kosovë nuk zgjasin më shumë se pesë minuta.

  • Shtohet numri i qendrave për kurse në gjuhën gjermane, shkak kërkesat e mjekëve për ikje nga vendi

    Shtohet numri i qendrave për kurse në gjuhën gjermane, shkak kërkesat e mjekëve për ikje nga vendi

    110 mjekë kanë kërkuar certifikatë të kaluarës etike nga Oda e Mjekëve të Kosovës për largim jashtë vendit. Ndonëse ky numër është në rënie, nga Oda e Mjekëve kanë thënë për Ekonomia Online se numri mund të rritet vitin e ardhshëm.

    E si shkak i kërkesës së madhe të tregut gjerman, janë rritur edhe kërkesat për numër më të madh të instituteve që ofrojnë kurse dhe provime për gjuhën gjermane në Kosovë.

    Nënkryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Naser Gjonbalaj, ka thënë për Ekonomia Online se si shkak i rënies së këtij numri është edhe liberalizimi i vizave. Andaj, thekson se numri mund të rritet në vitin e ardhshëm.

    “Këtë vit, numri i mjekëve të cilët kanë kërkuar certifikatë të kaluarës etike deri më tani është 110 mjekë, të cilët kanë kërkuar që pre supozohet që kanë lidhur kontratë pune në Gjermani, por trendi me vitet tjera ka një rënie, por këtu kemi të bëjmë edhe me liberalizimin e vizave dhe ndryshimin e politikave kryesisht në Gjermani që është bërë vitin e fundit. Është edhe trendi i liberalizimit dhe nuk është një numër i saktë dhe vitin e ardhshëm mundet me qenë një kërkesë më e madhe për arsye se kanë ndryshuar politikat kryesisht në Gjermani”, ka thënë Gjonbalaj.

    “Më herët ka qenë që mjekët me marr vizë pune, vizë turistike e me shku me qëndrua dy javë, tani e kanë më të liberalizuar këtë pjesën për të shkuar për ta gjetur një vend ose një punë provuese. Gjermania e ka ulë kriterin e ka bërë një kriter tjetër, megjithatë shpresoj që trendi të jetë në rënie, por këto janë rrethanat”, u shpreh Gjonbalaj.

    Ai shton se kërkesë për certifikatë të kaluarës etike kanë kërkuar mjekë të punësuar dhe të papunë.

    “Janë një miks, nuk janë vetëm ata të cilët janë të papunë. Ata të cilët janë të papunë, kanë gjetur forma edhe të tjera deri në momentet që bëjnë kontrata por është një miks i tyre. Edhe Kosova nuk i ka shpëtuar trendit të gjithë Ballkanit që ka ndodh me liberalizimin e vizave ose me kërkesën e madhe, sidomos në Gjermani. Po flasim për Gjermani, kërkesa është jashtëzakonisht e madhe që ne jemi të preferuar, nuk është që jemi mbrapa në cilësi, megjithatë është shqetësuese për vendin sepse ne akoma në Kosovë kemi mungesë të mjekëve, nuk bëhet fjalë për mungesë të mjekëve vetëm QKUK-ja sepse QKUK-ja nuk është Kosovë, por po flasim për gjithë Kosovën, ka mungesë të mjekëve, mungesë sipas standardëve tona e lëre më sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.

    Në lidhje me këtë dukuri, Ilir Lenjani, mësimdhënës i gjuhës gjermane dhe themelues i Institutit “Deutschzentrum Kosovo”, ka thënë për Ekonomia Online se për të mësuar gjuhën kanë nga profile të ndryshme, por që mbizotëron ai i mjekësisë.

    “Në kurs vijnë të profileve të ndryshme, duke filluar prej nivelit A1 ku kryesisht dominon bashkimi familjar, pra qëllimi i tyre është që të bëjnë bashkim familjar në vendet gjermano-folëse. Pastaj në nivelet e larta kemi kandidatë të ndryshëm. Në kohën e fundit është një trend ku kemi kursantë të cilët e mësojnë gjuhën për t’u punësuar në Kosovë, qofshin ato ‘call center’ apo ndoshta edhe në ndonjë biznes që është gjermano-folës këtu në Kosovë”.

    “Tjetri profil i cili tanimë është shumë i kërkuar në Gjermani ka të bëjë me mjekësi. Aty kemi shumë mjekë e infermierë të cilët pastaj e ndjekin tutje kursin deri në nivelet B2 ose C1. Varësisht prej regjionit ku ata mendojnë të shkojnë duhet edhe niveli”, ka thënë Lenjani, teksa ka treguar edhe për numrin e mjekëve e infermierëve që aktualisht janë në proces të të mësuarit të gjuhës gjermane.

    “Nga tri qendrat që i kemi, nëse e marrin një numër janë afër 150 kandidatë të cilët janë duke e ndjekur kursin dhe që e kanë synim Gjermaninë apo Austrinë, ku për qëllim e kanë punësimin atje si mjekë ose infermierë”, u shpreh Lenjani.

    E njëra prej kandidatëve që mendon punësimin jashtë vendit është Erona Haxholli. Ajo shprehet e zhgënjyer me mungesën e perspektivës së ofruar nga shteti i Kosovës.

    “Kam ardh kurs të gjuhës gjermane për ta perfeksionuar si gjuhë. Arsyeja kam për të bërë bashkim familjar edhe jam duke e mësuar jo veç për bashkim familjar, mirëpo kam synime edhe me vazhdua studimet atje dhe me punu ndonjë punë çfarëdo qoftë ajo. Ende nuk e kam përcaktuar se çka dua, jam në kërkim të asaj mirëpo deri sa ta gjej vetën në njërën prej atyre profesioneve. Besoj se një përqindje e madhe e kanë të njëjtën mendim sikurse unë, për atë arsye edhe shumë studentë e gjenerata të reja janë duke ikur nga Kosova, për shkak të pagave”, ka thënë Haxholli.

  • Borë sot në Kosovë, reshjet pritet të ndalen pasdite

    Borë sot në Kosovë, reshjet pritet të ndalen pasdite

    Temperatura të ulëta javën vijuese, kohë pas kohe me reshje të dobëta dëbore. Viti i ri pa të reshura por i ftohtë.

    Të shtunën priten reshje lokale bore në mëngjes dhe paradite, ndërsa pasdite reshjet do të pushojnë në tërë Kosovën dhe në mbrëmje vonë pritet kthjellim i motit. Mbrëmja dhe nata e ardhshme e kthjellët dhe me acar.

    Javët në vijim, sipas trendeve më të fundit po duket se do të përshkohen me temperatura më të ulëta nga vlerat mesatare, më tipike dimërore.

    Të reshurat e dëborës ka gjasa të paraqiten kohë pas kohe gjatë javës së ardhshme dhe në pjesën e dytë. Temperaturat maksimale shkojnë deri në 2C e 3C, derisa minimalet me gjasë mbesin të ulëta deri në -3C e -4C. Në ditët e fundit të vitit, me kalimin në vitin 2025, po paraqiten kushte anticiklonike.

    Parashihet mot më i thatë, por se ultësirave me siguri që do të ketë më shumë vranësira të ulëta e më pak intervale me diell.

    Temperaturat përreth mesatareve, -3C deri në +3C e +4C.

  • Selishta: Debatet për religjionin janë të panevojshme, fokus të jetë mirëqenia

    Selishta: Debatet për religjionin janë të panevojshme, fokus të jetë mirëqenia

    Sociologu Bekim Selishta, në emisionin COMPASS në ATV, tha se debati mbi religjionin është i tepërt dhe duhet të zëvendësohet me diskutime mbi mirëqenien dhe çështjet ekonomike e sociale, duke theksuar se statistikat e fundit të regjistrimit të popullsisë, që tregojnë se 93.59 për qind janë myslimanë, 2.31 për qind ortodoksë dhe 1.75 për qind katolikë, nuk duhet të shërbejnë si bazë për ndasi apo debate të panevojshme.

    Ai tha se religjioni është çështje e brendshme dhe e shenjtë, ndërsa mirëqenia e qytetarëve kërkon vëmendje më të madhe nga institucionet dhe shoqëria.

    “Religjioni është diçka e brendshme. Ne kemi nevojë të diskutojmë për mirëqenien dhe t’i japim hapësirë profesionistëve që të merren me problemet reale. Debatet për religjionin mes komuniteteve janë të panevojshme dhe shpesh e çojnë shoqërinë në ndasi,” tha Selishta.

    Ai shtoi se duhet shmangur trajtimi i religjionit si temë publike nga individë të pakualifikuar, duke theksuar se institucionet përkatëse janë ato që duhet të merren me këtë çështje.

    Intervistën e plotë të sociologut Bekim Selishta në emisionin COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Selishta: Rritja e emigrimit dhe ulja e natalitetit janë shqetësuese për të ardhmen e Kosovës

    Selishta: Rritja e emigrimit dhe ulja e natalitetit janë shqetësuese për të ardhmen e Kosovës

    Sociologu Bekim Selishta, në emisionin COMPASS në ATV, shprehu shqetësimin e tij për rënien e popullsisë dhe plakjen e saj, duke e cilësuar si një problem që kërkon veprim të menjëhershëm institucional.

    Ai tha se nataliteti në Kosovë është shumë i ulët, ndërsa emigrimi vazhdon të rritet, duke ndikuar negativisht në strukturën demografike të vendit.

    “Është shqetësuese kur e dimë që nataliteti tek ne është shumë i vogël, ndërsa popullsia është plakur me pesë për qind brenda një periudhe të shkurtër. Këto janë dukuri që ndërlidhen edhe me emigrimin e madh,” tha Selishta.

    Sipas tij, mungesa e investimeve shtetërore në infrastrukturë dhe zhvillim social ka ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës demografike.

    Intervistën e plotë të sociologut Bekim Selishta në emisionin COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Përleshje në Lipjan, katër të therur me thikë

    ​Përleshje në Lipjan, katër të therur me thikë

    Katër persona të moshës së mitur kanë pësuar lëndime si pasojë e një përleshjeje sonte në Lipjan ku janë përdorur edhe mjete të mprehta.

    Zëdhënësja e policisë rajonale për Prishtinë, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur për KosovaPress se incidenti ka ndodhur rreth orës 18:00, në afërsi të Shtëpisë së Kulturës.

    “Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast lëndime trupore kanë pësuar katër të mitur. Katër personat e lënduar, dy prej të cilëve dyshohet të kenë lëndime nga arma e ftohtë thikë, janë dërguar për trajtim mjekësor”, ka thënë Ahmeti.

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

  • ​Raportohen sërish dronë në qiellin e Amerikës

    ​Raportohen sërish dronë në qiellin e Amerikës

    Pas një mori të supozuar të dronëve në Nju Xhersi javën e kaluar, njerëzit tani po raportojnë të kenë parë dronë edhe pranë bazës së përbashkët të rezervave ajrore NAS dhe objekteve Lockheed Martin në Teksas.

    Sipas hetuesve që folën për NBC DFW, banorët dhe policia filluan të raportojnë aktivitetin e dronëve pas orës 20:00.

    Dronët e supozuar thuhet se po fluturonin në lartësi prej rreth 30 metrash dhe u panë në White Settlement, afër vendeve të rëndësishme ushtarake.

    Dëshmitarët i vëzhgonin në formacione të ndryshme, herë në grupe prej gjashtë objektesh dhe herë në çifte ose tre.

    E gjithë kjo zgjati dy orë, dhe disa raporte erdhën nga forcat federale të zbatimit të ligjit.

    “Është pak shqetësuese, veçanërisht duke pasur parasysh temat kombëtare për momentin,” tha shefi i policisë së White Settlement, Chris Cook.

    Ndryshe, më shumë se 5 mijë raste të dronëve u raportuan në të gjithë SHBA-në vetëm gjatë muajit nëntor, por FBI thotë se nuk ka zbuluar asgjë të dyshimtë që kur vërshimi i pamjeve në verilindje filloi të ngrejë shqetësime për sigurinë kombëtare dhe të hapësirës ajrore. /USA Today.

  • ​Ia ndaluan shkuarjen në Preshevë, Çeku: Serbia po e vazhdon lojën e ndyrë

    ​Ia ndaluan shkuarjen në Preshevë, Çeku: Serbia po e vazhdon lojën e ndyrë

    Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) Hajrulla Çeku ka akuzuar Beogradin zyrtar për lojë të ndyrë, pasi ky i fundit ndaloi një vizitë të planifikuar në Preshevë, vetëm një orë para kohës së planifikuar.

    Çeku kishte planifikuar takime për sot me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani dhe organizatat rinore e kulturore.

    Qeveria e Serbisë refuzoi vizitën vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes siç parashihet me marrëveshjen e Brukselit.

    “Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë”, ka thënë ministri Çeku.

    “Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për t’u pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë”, ka shtuar ai në një postim në Facebook.

    Përkundër kësaj, ministri Çeku thotë se Prishtina zyrtare do të vazhdojë mbështetjen për shqiptarët e Luginës së Preshevës, pavarësisht se Serbia po dëshmon se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore.

  • ​Në cilin vend evropian keni gjasa më të mira të mbijetoni nga kanceri?

    ​Në cilin vend evropian keni gjasa më të mira të mbijetoni nga kanceri?

    Në vitin 2021, kanceri ishte shkaku i dytë kryesor i vdekjeve në Bashkimin Evropian – 1.1 milion ose 21.6 për qind.

    Profesori Michel Coleman pranë Shkollës së Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër shpjegon se vlerësimet e mbijetesës së kancerit janë probabilitete, jo norma.

    “Një normë është një sasi e varur nga koha, si një normë incidence ose një shkallë vdekjeje.”

    Të dhënat e Euronews Health për mbijetesën e kancerit në Evropë përfshijnë 24 vende të BE-së, pothuajse të gjitha anëtaret përveç Greqisë, Hungarisë dhe Luksemburgut, dhe pesë vende të tjera evropiane: Mbretërinë e Bashkuar, Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Turqinë.

    Sipas OECD dhe Eurostat nga viti 2019, kanceri i mushkërive përbënte 24 për qind të vdekjeve nga kanceri te meshkujt dhe 15 për qind te femrat. Kanceri i zorrës së trashë shkakton 12 për qind të vdekjeve për të dy gjinitë. Kanceri i prostatës përbënte 10 për qind të vdekjeve te meshkujt, ndërsa kanceri i gjirit 16 për qind te femrat. Kanceri i pankreasit shkaktoi 6 për qind të vdekjeve te meshkujt dhe 8 për qind te femrat.

    Mbijetesa e kancerit të mushkërive në Evropë

    Mbijetesa nga kanceri i mushkërive ndryshon ndjeshëm në të gjithë Evropën. Bullgaria është në fund (7.7%), Zvicra dhe Letonia janë në krye (20.4%), ndërsa mesatarja e BE-24 është 15%. Vende të tjera me shifra të konsiderueshme mbijetese përfshijnë Islandën (20.2%), Austrinë (19.7%), Suedinë (19.5%) dhe Norvegjinë (19%).

    Përveç Bullgarisë, një shkallë e ulët e mbijetesës është regjistruar në Lituani (9.9%), Kroaci (10%), Republikën Çeke (10.6%) dhe Rumani (11.1%).

    Ndër pesë ekonomitë më të mëdha evropiane, Gjermania kryeson me një normë mbijetese 18.3%, pasuar nga Franca (17.3%) dhe Italia (15.9%). Megjithatë, Spanja (13.5%) dhe Mbretëria e Bashkuar (13.3%) janë nën mesataren e BE-së.

    Megjithëse vendet nordike përgjithësisht renditen mirë, Finlanda është një përjashtim me një shkallë mbijetese prej 13%.

    Mbijetesa e kancerit të zorrës së trashë

    Mbijetesa nga kanceri i zorrës së trashë varionte nga 51.1% në Kroaci në 72.1% në Qipro, me një mesatare të BE-24 prej 60%. Mbijetesa arriti në 65% ose më shumë në gjashtë vende të tjera Islanda (68.2%), Belgjika (67.9%), Zvicra (67.3%), Norvegjia (66.7%), Suedia e Finlanda me nga 64.9%.

    Sllovakia (51.8%), Rumania (52.2%), Bullgaria (52.4%) dhe Polonia (52.9%) pasojnë Kroacinë në fund të renditjes. Ndër pesë ekonomitë më të mëdha evropiane, Gjermania kishte shkallën më të lartë të mbijetesës prej 64.8%, dhe Mbretëria e Bashkuar kishte normën më të ulët prej 60%.

    Mbijetesa në kancerin e prostatës

    Mbijetesa e kancerit të prostatës është më e lartë në krahasim me shumë lloje të tjera të kancerit. Mesatarja e BE-24 është 87%, dhe 12 vende kanë shkallë të mbijetesës mbi 90%. Qipro raportoi shkallën më të lartë të mbijetesës prej 99.2%, e ndjekur nga Lituania (94.3%) dhe Belgjika (93.8%).

    Mbijetesa më e ulët u regjistrua në Bullgari (68.3%), ndërsa Polonia, Rumania dhe Sllovakia kishin vlerësime nën 80%.

    Mbijetesa nga kanceri i gjirit

    Mbijetesa e kancerit të gjirit është gjithashtu relativisht e lartë, me një mesatare të BE-24 prej 82%. Qiproja kryeson renditjen me një normë mbijetese prej 92.8%, e ndjekur nga afër nga katër vendet nordike, me përjashtim të Danimarkës.

    Ndër pesë ekonomitë më të mëdha evropiane, diferenca në mbijetesë është minimale, duke filluar nga 85.2% në Spanjë në 86.7% në Francë. Lituania dhe Rumania shënuan normat më të ulëta të mbijetesës, të dyja nën 75%.

    Mbijetesa për kancerin e pankreasit dhe mëlçisë

    Mbijetesa për kancerin e pankreasit dhe të mëlçisë në BE mbetet shumë e ulët në krahasim me shumë kancer tjerë. Për kancerin e pankreasit, mbijetesa varionte nga 5.5% në Maltë në 13.7% në Letoni, me një mesatare të BE-24 prej 9%.

    Mbijetesa e kancerit të mëlçisë varionte nga 4.2% në Estoni në 20.7% në Belgjikë, me një mesatare të përafërt të BE-24 prej 12%.

    Mbijetesa në kancerin e stomakut

    Mbijetesa në kancerin e stomakut është më e mirë se në kancerin e pankreasit dhe të mëlçisë, por mbetet relativisht e ulët, rreth 27% në BE-24. Mbijetesa varionte nga 16% në Bullgari në 37.5% në Belgjikë. Qiproja, Austria dhe Gjermania gjithashtu raportuan se mbijetesa tejkaloi 33%. Në të kundërt, mbijetesa ishte 20% ose më pak në Danimarkë dhe Kroaci.

    Mbijetesa nga kanceri i vezoreve

    Vlerësimi i mbijetesës për këtë lloj kanceri në BE-24 ishte mesatarisht 39.2%. Suedia regjistroi shkallën më të lartë të mbijetesës 46.5%, pasuar nga Qiproja, Letonia dhe Norvegjia, ku vlerësimet kaluan 45%. Ndërsa Malta dhe Irlanda raportuan shkallën më të ulët të mbijetesës – nën 33%.

    Mbijetesa nga melanoma

    Mbijetesa nga melanoma ndryshonte ndjeshëm, duke filluar nga 60.7% në Turqi në 93.6% në Zvicër, me mesataren e BE-24 që ishte 83%. Së bashku me Gjermaninë, Austrinë dhe Holandën, të gjitha vendet nordike raportuan norma mbijetese mbi 87%.

    Përveç Turqisë, Bullgaria dhe Polonia janë në fund me vlerësime mbijetese nën 70%.

    Mbijetesa nga kanceri i gjakut

    Mbijetesa nga kanceri i gjakut është mesatarisht 61% në BE-24. Rumania dhe Bullgaria raportuan vlerësimet më të ulëta të mbijetesës – nën 45%, ndërsa Zvicra, Letonia dhe Islanda shënuan norma prej mbi 71%.

    Pse ndryshon mbijetesa në varësi të llojit të kancerit?

    “Këto janë sëmundje shumë të ndryshme. Në varësi të vendit ku shfaqet kanceri dhe organeve të prekura, ato janë pak a shumë vdekjeprurëse, në varësi të llojit të qelizës, përbërjes gjenetike dhe organeve pranë”, tha profesor Coleman për Euronews Health.

    Për shembull, një tumor që formohet në tru ka më shumë gjasa të përfundojë me vdekje sesa ai që formohet në këmbë.

    Megjithatë, hendeku i mbijetesës nuk është vetëm për shkak të dallimeve midis sëmundjeve. Faktorë të tjerë përfshijnë ndryshime në disponueshmërinë dhe përparimin e trajtimit, si dhe fazën në të cilën kanceri është diagnostikuar.

    “Nëse kanceri është në fazë të hershme dhe të lokalizuar, është e arsyeshme që mbijetesa do të jetë më e mirë sesa nëse sëmundja është shumë e avancuar dhe e përhapur kur diagnostikohet,” tha Coleman.

    Pse mbijetesa e kancerit ndryshon ndjeshëm midis vendeve?

    Coleman ofron dy shpjegime kryesore: dallimet në periudhën e diagnostikimit dhe qasja në trajtime të ndryshme që janë pak a shumë efektive gjithashtu ndryshojnë midis vendeve.

    “Për shembull, radioterapia, e cila përdoret si një trajtim kurativ për pothuajse gjysmën e të gjitha llojeve të kancerit, është shumë më e disponueshme në vendet më të pasura të Evropës Perëndimore dhe Veriore sesa në vendet më pak të zhvilluara të Evropës Lindore dhe në disa raste të Evropës Jugore,” tha Coleman.