ATV

Author: ATVLive

  • Mustafa: Masat ndaj Kosovës, të padinjitetshme

    Mustafa: Masat ndaj Kosovës, të padinjitetshme

    Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rrustem Mustafa thotë se masat ndaj Kosovës duhet të largohen sa më parë, meqë siç thekson ai, janë të padrejta.

    Shteti nuk e ka merituar vendosjen e tyre, thotë Mustafa, sipas të cilit Kosova po qëndron në rrugën e saj.

    “Unë nuk e arsyetoj, por e mirëkuptoj një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare që duhet të qëndrojë afër politikave ndoshta edhe bllokut të lindjes të Rusisë, për të ruajtur raportet apo interesat e tyre dhe ata po i përdorin disa mekanizma për të sulmuar vlerat në vendin tonë. Kosova nuk e ka merituar vendosjen e masave. Unë besoj këtë tani e dinë edhe shumë miq tanë sepse ata dëshirojnë dhe shtyjnë faktorët e bashkësisë evropiane për të hequr masat, ata ende nuk kanë lëvizur. Besoj që shpejt duhet të hiqen ato masa nga vendi ynë. Janë të padrejta, janë të padinjitetshme dhe janë shumë të paarsyeshme. Ka një varg orkestrimesh të qarqeve të bashkësisë ndërkombëtare që janë duke vazhduar ende ta sulmojnë Kosovën me çdo mjet. Kosova po qëndron mirë në rrugën e saj. Ne duhet të ecim bashkë me miqtë tonë për zhvillime të mëtutjeshme”, thotë Mustafa.

    Në qershor të vitit të kaluar, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, Bashkimi Evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

    Por, në mesin e këtij viti, ish-përfaqësuesi i lartë i bllokut, Josep Borrell, rekomandoi heqjen e tyre por kjo çështje ende vazhdon të diskutohet nga vendet anëtare të BE-së.

  • Rritet në katër numri i të vdekurve pas sulmit në Gjermani, mbi 200 të plagosur

    Rritet në katër numri i të vdekurve pas sulmit në Gjermani, mbi 200 të plagosur

    Numri i viktimave nga sulmi në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të premten është rritur në 4. Sipas mediave gjermane, rreth 205 persona kanë mbetur të plagosur, 41 prej të cilëve janë më rëndë.

    Siç raporton gazeta “Bild”, autorit i është bërë një test droge dhe ka rezultuar pozitiv.I dyshuari nuk ishte i njohur për autoritetet si një ekstremist islamik, ndërsa postimet në internet duket se sugjerojnë se ai kishte qenë kritik ndaj Islamit.

    Kancelari gjerman Olaf Scholz shprehu ngushëllimet për viktimat. Ai tha se qeveria gjermane qëndron krah njerëzve të Magdeburgut dhe falënderoi ekipet e urgjencës në vendngjarje.

  • Oda e Inxhinierëve të Kosovës mbanë mbledhjen konstituive, licencohen mbi 900 inxhinier

    Oda e Inxhinierëve të Kosovës mbanë mbledhjen konstituive, licencohen mbi 900 inxhinier

    Është mbajtur mbledhja konstituive e Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, si institucion i pavarur për mbrojtjen dhe zhvillimin e profesionit të inxhinierit, ruajtjen e shëndetit, sigurisë publike dhe mbrojtjen e mjedisit, raporton EO.

    Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm ku janë licencuar 910 inxhinierë.

    Aliu ka thënë se janë munduar që të sigurojnë sa më shpejtë licencimi dhe të arrijnë të ndërtojnë një sistem të mirëfilltë siç është në gjitha vendet e botës.

    Ai ka theksuar se nuk mund të ketë asnjëherë zbatim të mirëfilltë të ligjit pa pasur licenca.

    “Po marrim bashkë pjesë në këtë aktivitet mjaftë të rëndësishëm për fushën e inxhinierisë në vendin tonë. Meqë sot po e themelojmë Odën e Inxhinierëve nga inxhinierëve e gjithë vendit tonë dhe sot deri më tani 675 inxhinierë të regjistruar nga 910 sosh të cilët e marrin licencën, licencohen. I bie që kemi një pjesëmarrje masive dhe gatishmëri e vullnet nga të gjithë ju që ta themelojmë dhe të vendosim një rend edhe më të mirë sesa ku që e kemi në fushën e inxhinierisë. Të gjithë kemi qenë të vetëdijshëm dhe e kemi prit me kohën dhe jemi munduar të sigurojmë sa më shpejtë licencimi dhe të arrijmë të ndërtojmë një sistem të mirëfilltë ashtu siç e kanë të gjitha vendet e botës. Kemi qenë të hendikepuar. Nuk mund të ketë asnjëherë zbatim të mirëfilltë të ligjit pa pasur licenca. Licenca është e domosdoshme pasi diplomën është ajo që ti e merr dhe do ta kesh përherë. Ndërsa, licencën është ajo që ti duhet ta bësh në vazhdimësi ta azhurnosh në mënyrë që të jesh në linjë përherë me nivelin e zbatimit të ligjeve në fushën e ndërtimeve dhe të gjithë arritjeve shkencore që bëhen”, ka thënë Aliu.

    Venera Aqifi këshilltare për Qeverisje të mirë në GIZ ka thënë se themelimi i Odës së Inxhinierëve do të luaj një rol shumë të rëndësishme në zhvillimin e shërbimeve publike, duke ndikuar edhe në modernizmin e shërbimeve që do të përmirësojnë jetën e qytetareve por edhe profesionistë në fushën e inxhinierisë.

    “Është një hap thelbësorë për zhvillimin e sektorit të inxhinierisë në Republikën e Kosovës. Ky është një moment shumë i rëndësishme për forcimin e strukturave të inxhinierisë në Kosovë por gjithashtu edhe për sigurimin e mbështetjes së qëndrueshme për zhvillimin e sektorit të inxhinierisë. Themelimi i Odës së Inxhinierëve si hap i parë në këtë proces po besoj që do të luaj një rol shumë të rëndësishme në zhvillimin e shërbimeve publike duke përmirësuar shërbimet publike por gjithashtu duke ndikuar edhe në modernizmin e shërbimeve që do të përmirësojnë jetën e qytetareve por edhe profesionistë në fushën e inxhinierisë. Në kuadër të projekti tonë, të financuar nga BE dhe qeveria Gjermane dhe që implentohet nga GIZ, ne kemi mbështetur MMPHI në zhvillimin e bazës ligjore, dhe ky është hapi themelor që ndikon në themelimin e Odave që po besoj do të jenë përgjegjëse dhe do ta mirëpresin edhe sistemin e licencimit të inxhiniereve që jemi në proces të prokurorimit dhe së shpejti po besoj që gjatë vitit të ardhshme edhe thirrjen e radhës për licencim ta bëjmë përmes sistemit digjital pa pasur nevojë për procedura shtesë, kohë dhe ngarkesë për profesionistët siç jeni ju. Përmes këtij projekti ne gjithashtu jemi në zhvillimi të procedurave për thjeshtësim dhe digjitalizim të më shumë se 30 shërbimeve”, ka thënë ajo.

    Servet Spahiu, Udhëheqës i Departamentit për Planifikim Hapësinor, Ndërtim dhe Banim në MMPHI ka thënë se ideja për të formuar Odën e inxhiniereve të fushës daton që nga vitit 2004, por që për shkak të pengesave të paraqitura, themelimi i kësaj Ode nuk ka qenë i mundur.

    “Në janar të vitit 2022 u miratua Ligji për Odën e Inxhiniereve dhe artitikete i plotësuar pastaj edhe me aktet plotësuese nënligjore duke mundësuar juridike të krijimit të Odave. Roli i Odën së Inxhiniereve është që të mbështes dhe zhvilloj profesionin e inxhinierisë duke siguruar standarde të larta etike dhe profesionale si dhe duke kontribuar në rritjen e cilësisë dhe njohurisë në fushën e inxhinierisë. Oda e inxhiniereve do të jetë përgjegjës për licencimin e inxhinierive, promovimin e standardeve etike dhe profesionale, mbështetjen dhe edukimin profesional, mbrojtën e interesave të profesionistëve të fushës dhe publikut si dhe mundësin e bashkëpunimit dhe këshillimit profesional”, ka thënë ai.

    Xhemail Metolli, Kryesues i Komisionit Ministror për Themelimin e Odes së Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, ka thënë se me ligj themelohen dy oda, Oda e Arkitektëve dhe Oda e inxhinierëve ne fushën e ndërtimit si dy oda të pavarura të cilat ushtrojnë kompetenca të caktuara publike.

    “Themelimi i Odës së Inxhinierëve të Kosovës si institucion i nevojshëm është një rast i rëndësishme në historinë e inxhinierisë dhe zhvillimit profesional në Kosovë për konsolidimin e profesionit të inxhinierëve në Kosovë duke udhëhequr koordinimin e zhvillimit të mëtejshëm të këtij sektori si dhe ngritjen e standardeve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit mes profesionistëve. Siç e dini me ligj themelohen dy oda, Oda e Arkitektëve dhe Oda e inxhinierëve ne fushën e ndërtimit si dy oda të pavarura të cilat ushtrojnë kompetenca të caktuara publike. Një ndër to rregullohet anëtarësimi në oda, përcaktohet selia, statusi i tyre, roli dhe fushe veprimtaria e odave, profesionet, licencat, përgjegjësinë disiplinore dhe edukimin e vazhdueshëm të inxhinierëve në fushën e ndërtimit. Është i rëndësishëm krijimi i mundësie për inxhinierët e rinj që të zhvillohen profesionalisht përmes trajnimeve, për edukim të vazhdueshëm dhe pjesëmarrje në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka thënë Metolli.

  • SHBA heq shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për arrestimin e liderit të ri të Sirisë

    SHBA heq shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për arrestimin e liderit të ri të Sirisë

    SHBA ka hequr shpërblimin prej 10 milionë dollarësh për arrestimin e udhëheqësit de fakto të Sirisë Ahmed al-Sharaa, pas takimeve midis diplomatëve të lartë dhe përfaqësuesve të Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Barbara Leaf tha se diskutimi me Sharaa ishte “shumë produktiv”.

    “Ishte një vendim politik … i përafruar me faktin se ne po fillojmë një diskutim me HTS”, tha Leaf.

    Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit konfirmoi se diplomatët diskutuan “parimet e tranzicionit” të mbështetura nga SHBA, ngjarjet rajonale dhe nevojën për të luftuar kundër IS.

    Delegacioni amerikan mbërriti në kryeqytetin Damask, pasi HTS përmbysi regjimin e Bashar al-Assad më pak se dy javë më parë. Uashingtoni ende e cilëson atë si një grup terrorist.

    Vizita është paraqitja e parë zyrtare diplomatike amerikane në Damask në më shumë se një dekadë. Është një shenjë e mëtejshme e ndryshimeve dramatike që po ndodhin në Siri që nga rrëzimi i Assadit, dhe shpejtësia e përpjekjeve të SHBA-së dhe Evropës, të mbështetura gjithashtu nga vendet arabe, për të provuar të ndikojnë në qeverisjen e saj në zhvillim.

    Vizita pason ato të delegacioneve të ditëve të fundit nga OKB-ja dhe vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë./abcnews.al

  • Joseph ofron planin pesëpikësh për Kosovën

    Joseph ofron planin pesëpikësh për Kosovën

    Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe specialist i Ballkanit, Edward Joseph ka thënë se Kosova duhet të mbrojë sovranitetin e vendit, duke ulur tensionet në veri.

    “Ne nuk e dimë se çfarë do të bëjë Donald Trump. Ne duhet të fokusohemi në atë që mund të bëjë Kosova, dhe ajo që mund të bëjë Kosova është të mbrojë sovranitetin e vendit duke ulur tensionet në vend, duke ndaluar këtë qëndrim konfrontues në veri”, tha Joseph në Kanal 10.

    Joseph ka dhënë detaje të një plani prej pesë pikash që do të ofronte nëse do të ishte kryeministër i ri pas zgjedhjeve në Kosovë.

    “Ajo që do të bëja unë, nëse do të isha kryeministri i ri pas zgjedhjeve, ditën e parë do të ofroja një plan pesë pikësh për një qasje konstruktive dhe pozitive për zhvillimin e veriut. Dhe ky plan do të kishte një komponent sigurie, një komponentë arsimi, një komponent shëndetësie, të kishte të gjitha këto komponentë”, ka thënë Joseph.

    Ndër pikat e para, Joseph ka thënë se do të përfshinte riaplikimin e serbëve në Policinë e Kosovës.

    “Do ta kisha një plan shumë të qartë dhe për këtë ta jap një shembull konkret, shembull në siguri. Do të ftoja të gjithë serbët e Kosovës që lanë policinë, të ri-aplikojnë”, ka thënë ai.

    Joseph ka folur për rëndësinë e integrimit të serbëve si qytetarë të Kosovës.

    “Kjo është në interesin e shqiptarëve. Kujto çfarë thashë, sa më shumë serbët e Kosovës të integrohen si qytetarë. Kjo është kaq e rëndësishme. Sa më shumë të integrohen si qytetarë aq më pak ndikim do të ketë Serbia”, ka thënë Joseph.

  • “Washington Post”: I dyshuari për sulmin në Gjermani kishte “qëndrime anti-islame”

    “Washington Post”: I dyshuari për sulmin në Gjermani kishte “qëndrime anti-islame”

    Ndërsa autoritetet hetojnë sulmin që tronditi qytetin gjerman të Magdeburgut, raportet po dalin se shtetasi saudit, i cili ishte i dyshuari kryesor në sulm, kishte shprehur pikëpamje anti-islame.

    Të paktën 2 persona u vranë dhe 68 u plagosën pasi një makinë u përplas me turmën në një treg Krishtlindjesh.

    Pas sulmit, policia identifikoi Taleb al-Abdulmohsen si të dyshuarin kryesor të sulmit. Mjeku 50-vjeçar nga Arabia Saudite erdhi në Gjermani në vitin 2006 dhe iu dha statusi i refugjatit në vitin 2016. Mes hetimeve, “The Washington Post” citoi një zyrtar gjerman që pohoi se Abdulmohsen kishte ndarë “pikëpamje anti-islamike”.

    Një zyrtar tjetër anonim i tha gazetës amerikane se autoritetet po kontrollojnë shtëpinë e të dyshuarit dhe besojnë se ai mund të ketë qenë nën ndikimin e drogës në momentin e sulmit.

    Abdulmohsen u arrestua menjëherë në vendngjarje.

    Ky zbulim i ri mbi pikëpamjet e të dyshuarit kryesor për sulmin, u bë i rëndësishëm pasi disa liderë të ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën, menjëherë pas sulmit, shtynë retorikën kundër emigracionit dhe anti-islamit.

  • Kosova e Shqipëria nënshkruajnë Marrëveshje për Sigurinë Ushqimore

    Kosova e Shqipëria nënshkruajnë Marrëveshje për Sigurinë Ushqimore

    Të premten në Prishtinë u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit për Sigurinë Ushqimore, Veterinari dhe Fitosanitare mes Kosovës dhe Shqipërisë.

    Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri, Anila Denaj tha se nënshkrimi i marrëveshjes me homologun e saj Faton Peci, është një tjetër angazhim i përbashkët që forcon bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

    “Kjo marrëveshje adreson sfidat e pazgjidhura dhe krijon një kornizë të re për një treg më të sigurt dhe të unifikuar për prodhimet tona, duke mbështetur fermerët dhe fuqizuar tregtinë mes dy vendeve”, tha Denaj.

    Sipas saj, kjo marrëveshje e lidhur mes ministrive do të zbatohet nga institucionet përgjegjëse të varësisë për fushat e përgjegjësisë së lidhjes së kësaj marrëveshjeje.

    Për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Republikën e Shqipërisë do të jetë zbatues Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Instituti i Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (ISUV).

    Për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Republikën e Kosovës do të jetë zbatues Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, (AUV) dhe Laboratori Ushqimit dhe Veterinarisë (LUV).

  • Në veri të Mitrovicës shfaqen grafite me simbolin serb

    Në veri të Mitrovicës shfaqen grafite me simbolin serb

    Një rast për nxitje të përqarjes dhe mosdurimit në Mitrovicë të Veriut është iniciuar nga Policia e Kosovës.

    Sipas njoftimit, një person ka raportuar se në murin e muzeut kishte vërejtur një grafit me simbolin nacionalist të serbëve “C”.

    “Po ashtu edhe në brendi të objektit kishte vërejtur një grafit të ngjashëm”, njoftoi Policia.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori ndërkohë rasti është nën hetime.

  • Federatat do të bëhen me zyrtar të veçantë për raportimin e dhunës

    Federatat do të bëhen me zyrtar të veçantë për raportimin e dhunës

    Të gjitha federatat sportive do të duhet të angazhojnë një zyrtar i cili do të merret me ankesat e sportistëve për dhunë apo dukuri të tjera negative në ngjarjet sportive. Kjo vjen me ndryshimet që po bëhen në Ligjin për sport.

    E kjo po mirëpritet nga drejtuesit e federatave sportive në Kosovë të cilët thonë se një organ i tillë do t’ua lehtësojë sportistëve rrugën e raportimit në rastet kur diskriminohen në aktivitetin e tyre.

    Në Federatën e Volejbollit thonë se janë të gatshëm të zbatojnë këtë pikë të ligjit të ri për sport.

    “Ky person që do të emërohet me siguri që duhet të jetë i komunitetit të volejbollit, të jetë adekuat dhe duhet të jetë fleksibil në mënyrë që të gjithë sportistët t’i shprehin ato shqetësimet e veta që i kanë në lidhje me ngjarjet dhe dukuritë negative në sport”, thotë Valon Nikqi, sekretar i FVK-së.

    Sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi konsideron se ky ligj do t’u shërbejë federatave që të jenë të hapura për raportim të rregullt të dukurive negative në ngjarjet sportive.

    “Kjo gjë është shumë e mirë për shkak se ne duhet të mësohemi që në organizimet tona që i bëjmë të kemi një sistem të raportimit të rregullt të dukurive negative te organet gjegjëse”, deklaron Gashi.

    Ndërsa, edhe pse thotë se në atletikë nuk ka pasur asnjëherë raste të dhunës fizike, kryetari i kësaj federate, Halil Sylejmani deklaron se zyrtari që do të angazhohet brenda federatave do të kujdeset që asnjë sportisti të mos i bëhet e padrejtë në cilën do garë që merr pjesë.

    “Është e mirëseardhur dhe besoj që me një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, me një mbikëqyrje apo sygjerime e këshilla të ndryshme është e mirëseardhur për çdo federatë që tani e tutje ne t’i përmbahemi atyre dispozitave të cilat janë të shkruara me përpikmëri, ta duam sportin, federatat, klubit, atletët sidomos te ne që askush mos t’i hyjë në hak askujt por ta merr atë që e meriton por edhe të jap atë që është i obliguar të jap”, thekson Sylejmani.

    Në fillim të muajit dhjetor u regjistrua rasti i fundit i dhunës në sport ku gjatë ndeshjes së volejbollit ndërmjet Pejës dhe Ferizajt u përleshën lojtarët dhe tifozët.

    Federata e Volejbollit mori vendim për pezullimin e gjashtë volejbollistëve për një kohë të pacaktuar.

  • Mjekimi Intensiv trajtoi afër 600 pacientë këtë vit, sfidë numri i vogël i mjekëve e infermierëve

    Mjekimi Intensiv trajtoi afër 600 pacientë këtë vit, sfidë numri i vogël i mjekëve e infermierëve

    Nga janari deri në mes të dhjetorit, afër 600 pacientë kanë marrë trajtim në Njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror (MIQ), e cila aktualisht i posedon 21 shtretër. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, shefi i Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka.

    Sfidë në këtë klinikë është numri i vogël i mjekëve e infermierëve, ndërsa një numër i madh i pacientëve janë si shkak i lëndimeve në aksidente të komunikacionit.

    Uka ka thënë se numri më i madh i pacientëve ka qenë në muajin shkurt me gjithsej 66 pacientë, trefish më shumë se kapaciteti që posedon kjo klinikë.

    “Nga fillimi i këtij viti e deri më tani, numri i përgjithshëm i pacientëve të cilët janë pranuar dhe kanë marrë trajtim mjekësor në Njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror (MIQ) dhe disa nga të cilët edhe më tutje tani marrin trajtim mjekësor është 588 në total. Numri më i madh i pacientëve të cilët neve i kemi pranuar gjatë një muaji ka qenë 66 në shkurt të këtij viti. Kjo i bie sa trefishi i kapaciteteve të disponueshme në MIQ. Mjekimi Intensiv Qendror disponon me 21 shtretër aktiv, të cilët në këtë kohë derisa ne po flasim, të gjitha janë të mbushur me pacientë dhe nuk disponojmë asnjë shtrat të lirë”, ka thënë Uka.

    Uka ka thënë se pacientët në këtë klinikë kryesisht janë për shkak të traumave, ndërsa nuk përjashtohen as pacientët me lëndime nga armët e zjarrit e therje me thikë.

    “Arsyet që një pacient duhet të marr trajtimin në Njësinë e Mjekimit Intensiv janë të ndryshme. Janë në gjendje të shokut, janë në gjendje të pamjaftueshmërisë së organeve, në të cilët pacienti mundet me përjetua qoftë për shkak të traumave ose për shkak të ndonjë sëmundje tjetër bazë. Në përgjithësi në vitet e fundit varion një numër nga 23 deri në 27 për qind të cilët janë pacientë traumatik, gjegjësisht pacientë të cilët marrin lëndime në aksidente të komunikacionit. Arsyet thash se janë të ndryshme që një pacient detyrohet të marrë trajtim në MIQ. Ne kemi (pacient) me të gjitha sëmundjet tjera të cilët dërgojnë deri në një gjendje të pamjaftueshmërisë së organeve ose në gjendje të shokut”, u shpreh Uka, teksa shtoi se kanë pacientë me gjakderdhje në tru e me lëndime nga armët e zjarrit e armë të ftohta.

    Kujdesi Intensiv ofron nivelin më të lartë të monitorimit dhe mbështetjes në jetë për pacientët me sëmundje kritike, andaj është e domosdoshme edhe përkujdesja maksimale për ta. Por numri i vogël i mjekëve, ka bërë që profesionistët shëndetësor të punojnë 24 orë në çdo të gjashtën ditë.

    “Sa i përket stafit të mjekëve, për momentin jemi më keq se sa kemi qenë më herët. Përpara kemi pas kujdestari të mjekëve të cilët janë të detyrueshme, kemi pas në çdo tetën ditë, tash për shkak të mungesës së mjekëve, jemi të detyrueshëm që kujdestaritë t’i mbajmë çdo të gjashtën ditë dhe atë nga çdo 24 ose 24 orë. Janë kujdestaritë e gjata dhe mjaft të lodhshme. Me një vëllim kaq të madh të punëve dhe me një numër kaq të madhe të pacientëve, duke e ditur edhe seriozitetin e tyre shëndetësore dhe angazhimi që duhet të jetë maksimal në çdo moment, kjo me të vërtetë është e lodhshme”, u shpreh Uka. Ndërsa për infermierë, Uka thekson se gjithmonë kanë mungesë për shkak të largimit.

    “E sa i përket stafit të mesëm, neve kemi pas tash një prurje të re nga QKUK-ja me pesë infermierë të rinj, mirëpo infermierët tek ne janë gjithmonë mungesë. Është staf i ri, janë vajza të reja, disa largohen për shkak të obligimeve familjare, martesa, largime jashtë vendit e disa për arsye të tjera, mirëpo asnjëherë nuk jemi të kompletuar aq sa është dashtë dhe siç ne dëshirojmë të jenë”, theksoi Uka.