ATV

Author: ATVLive

  • Mustafa: Me Bedri Hamzën kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë gjatë vitit

    Mustafa: Me Bedri Hamzën kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë gjatë vitit

    Shpërndarja e buxhetit nga qeveria aktuale në kohë fushate dëshmon dështimin 4 vjeçar të saj, ka thënë koordinatori për Financa në Partinë Denokratike të Kosovës, Arben Mustafa.

    Ai tha se shpërndarja e 100 eurove për pensionistët është e pamjaftueshme ndërsa theksoi se në qeverinë e udhëhequr nga Bedri Hamza pensionistët do të kenë rritje të përhershme të pensioneve.

    “Me këtë qeveri, pensionistët marrin vetëm 100 euro më shumë gjatë gjithë vitit. Me Bedri Hamzën Kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë brenda një viti, dhe shumë më shumë kushte për përmirësimin e jetës për familjet kosovare”, tha Mustafa.

  • Zëvendësministri i ri i MINT-it i dënuar për keqpërdorim të fondeve, Kurti thotë se ende nuk është shqyrtuar rasti

    Zëvendësministri i ri i MINT-it i dënuar për keqpërdorim të fondeve, Kurti thotë se ende nuk është shqyrtuar rasti

    Agim Hyseni, është emëruar të premten në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në vend të Resul Makreshit, cili u lirua nga detyra, raporton EO.

    Përmes një komunikate ka reaguar Partia Demokratike e Ashkalinjve, që sipas kësaj partie Hyseni ka qenë i dënuar dhe ka vuajtur burgimin për keqpërdorim të fondeve.

    Në një konferencë për media kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ende nuk kanë arritur ta shqyrtojnë atë se çka thuhet për zëvendësministrin e ri.

    “Me partinë e cila i përfaqëson ashkalinjtë në Kuvendin e Republikës dhe në Qeverinë tonë unë jam në koalicion. Prandaj zëvendësministri nga radhët e tyre është si emër i veçantë pjesë e marrëveshjes sonë të koalicionit. Tash ne ende nuk kemi arritur ta shqyrtojmë krejt çfarë thuhet për zëvendësministrin e ri, por kur ta bëjmë këtë do ta marrin veprimin apo vendimin adekuat. Por, tash nuk mund të flasë për këtë gjë. Porsa e emëruam atë”, tha Kurti.

  • Mërgimtarët thonë se po presin deri në 10 orë në Serbi

    Mërgimtarët thonë se po presin deri në 10 orë në Serbi

    Nga e gjithë Evropa, mërgimtarët nisen drejt Kosovës për t’i kaluar ato në gjirin familjar.

    E kjo ka shtuar fluksin në pikat kufitare, sidomos ato me Serbinë.

    Jo pak nga ta ballafaqohen me vështirësi gjatë ardhjes në Kosovës, e më së shumti me kolonat që shkakohen.

    Madje disa nga ta presin edhe me orë të tëra për të hyrë në Kosovë.

    Sipas një lexuesi të Klankosova.tv, atij i ka rënë të presë edhe mbi 10 orë.

    Ai tregoi se po vinte nga Franca për t’i kaluar pushimet në shtëpi.

  • LDK-Qeverisë: Lëmosha e dhënë në fundvit nuk mjafton as për ta paguar rrymën

    LDK-Qeverisë: Lëmosha e dhënë në fundvit nuk mjafton as për ta paguar rrymën

    Pas vendimit të Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për fëmijë dhe pensionistë, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës, raporton EO.

    “Vizion në javën e parë të mandatit, apo panikë në muajt e fundit?”, thuhet në reagimin e LDK-së.

    “Ky pra është dallimi. Sepse LDK e ka programin dhe zotimin e qartë: koeficient të pagave 150 euro – që do të thotë rritje mesatare e pagës për 200 euro – për të giithë shërbyesit publik në javën e parë të mandatit, dhe zgjidhje të qëndrueshme që i përgjegjen vështirësive dhe nevojave të përditshme të qytetarëve”, thuhet në reagim.

    Po ashtu në reagim theksohet se ka dallim të madh me lëmoshën e dhënë në fund të vitit, e cila nuk mjafton as për ta paguar rrymën në këtë dimër.

    “Kjo ka dallim të madh me lëmoshën e dhënë në fund të vitit e cila nuk mjafton as për ta paguar rrymën në këtë dimër. Sepse kjo që pamë sot nga kjo qeveri nuk është asgjë më shumë se shenjë e panikës dhe mungesë e vizionit nga një udhëheqësi e dështuar e cila nuk ka implementuar asgjë të qëndrueshme në 4 vite qeverisje. Qytetarët janë lodhur nga qeverisja e paaftë, dhe ata po na e tregojnë çdo ditë se ata duan ndryshim, dhe e duan atë menjëherë! E këtë ndryshim, me mirëqenie, mundësi e paga të mjaftueshme për të gjithë – dhe atë gjatë tërë vitit, do ta sjell vetëm LDK nën udhëheqjen e Dr. Lumir Abdixhikut dhe ekipit tonë profesionist. Bashkë me qytetarët e vendit do të bëhemi ndryshimi i domosdoshëm për Kosovën!”, thuhet në reagim.

  • “2025, viti i gripit të shpendëve”, shkencëtarët japin alarmin

    “2025, viti i gripit të shpendëve”, shkencëtarët japin alarmin

    Nëntë nga dhjetë gra shtatzëna nuk i mbijetojnë gripit të shpendëve. Ky është alarmi i ngritur nga studiuesit në Institutin e Kërkimeve për Fëmijët Murdoch (Mcri) në Melburn, Australi, të cilët analizuan gjithsej 30 raste të grave shtatzëna të infektuara, 27 prej të cilave humbën jetën. Kjo tregon një shkallë vdekshmërie prej 90% njëqind, ndërkohë që infeksionet njerëzore të lidhura me shpërthimet e viruseve të shpendëve shumë patogjene po rriten globalisht, raporton A2 CNN.

    Ekspertët përsërisin “nevojën për të konsideruar gratë shtatzëna një prioritet në programet e gatishmërisë ndaj pandemisë”. Duke shtuar se “megjithë rrezikun e lartë, kjo popullatë shpesh përjashtohet nga provat e vaksinave dhe has vështirësi në aksesin në programet publike të vaksinimit”.

    Një nga autorët e studimit australian, studiuesja Rachael Purcell, thekson se “një ndryshim paradigme nevojitet për të përfshirë sistematikisht gratë shtatzëna në programet ndaj pandemisë dhe për të shmangur vdekjet “. Studiuesit nënvizojnë se si situata “përkeqësohet nga rritja globale e infeksioneve njerëzore të shkaktuara nga viruset e shpendëve shumë patogjenë”, shkruan a2.

    Raporti më i fundit alarmues erdhi nga Shtetet e Bashkuara, ku rasti i parë i sëmundjes së rëndë të lidhur me gripin e shpendëve A/H5N1, u regjistrua në një pacient të shtruar në spital në shtetin e Luizianës, pasi ra në kontakt me zogj të sëmurë dhe të ngordhur në oborrin e shtëpisë. Kalifornia ka shpallur tashmë një gjendje të jashtëzakonshme kombëtare.

    “Gripi i shpendëve po përparon në Shtetet e Bashkuara dhe po shqetëson gjithashtu Evropën, e cila po grumbullohet me vaksina, përveç Italisë. 2025 rrezikon të jetë vërtet viti i gripit të shpendëve”, paralajmëron Matteo Bassetti, drejtor i sëmundjeve infektive në spitalin poliklinik San Martino në Xhenova të Italisë, i cili apelon autoritet italiane të organizophen dhe të jenë në gatishmëri nga ëprphapja e këtij virusi, që mund të fitojë aftësinë për t’u transmetuar nga njeriu te njeriu, përcjell A2 CNN.

    “Një artikull i botuar në “Science”, thotë se mungon vetëm një mutacion shumë i vogël që virusi të bëjë kërcimin përfundimtar të specieve dhe të fitojë aftësinë për t’u transmetuar nga njeriu te njeriu”, thekson mjeku italian.

  • I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për vrasje

    I dyshuari për sulmin në Gjermani përballet me 5 akuza për vrasje

    Autoritetet gjermane kanë ngritur aktakuzë për vrasje dhe tentim vrasje ndaj të dyshuarit për sulmin vdekjeprurës në tregun e Krishtlindjes në qytetin Magdeburg, ku u vranë pesë njerëz dhe u plagosën 200 të tjerë, njoftoi policia gjermane mëngjesin e së dielës.

    I dyshuari – i identifikuar si Taleb A në përputhje me ligjin për privatësi në Gjermani – ngarkohet me pesë akuza për vrasje, disa akuza për tentim vrasje dhe disa akuza për shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore, tha policia.

    Ai u paraqit para gjykatësit të shtunën në mbrëmje, i cili urdhëroi që ai të dërgohet në paraburgim në pritje të gjyqit.

    Sipas autoriteteve, i dyshuari i përdori korsitë e lira të emergjencës për ta ngarë veturën me shpejtësi të lartë nëpër tregun e Krishtlindjes të premten, ku i shkeli njerëzit që ishin mbledhur për të festuar.

    Katër gra të moshës 45, 52, 67 dhe 75-vjeçare, si dhe një djalë nëntëvjeçar, u vranë në sulm.

    Sulmi shkaktoi tronditje dhe dhimbje jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë botën.

    Hetuesit thonë se i dyshuari veproi i vetëm, pasi tani për tani nuk ka asnjë tregues se ka pasur ndonjë të përfshirë tjetër, sipas gjetjeve të tyre.

    Magdeburg është qytet me rreth 237.000 banorë në landin e Saksoni-Anhalut, rreth 150 kilometra në perëndim të Berlinit.

    Taleb A është mjek 50-vjeçar nga Arabia Saudite, i njohur si aktivist kritik ndaj Islamit.

    Ai ka bërë akuza të çuditshme në rrjetet sociale dhe në intervista, duke pretenduar se autoritetet gjermane nuk po bëjnë mjaftueshëm për të luftuar islamizmin.

    Dikur mbrojtës i grave saudite që largoheshin nga vendi i tyre, më vonë ai këshillonte njerëzit të mos kërkonin azil në Gjermani, duke shkruar në faqen e tij të internetit në anglisht dhe arabisht: “Këshilla ime: mos kërkoni azil në Gjermani”.

    Nuk është ende e qartë çfarë e shtyu atë ta kryejë sulmin, por, pavarësisht natyrës së sulmit, nuk ka asnjë tregues që ai ishte i motivuar nga islami, tha një zyrtar i lartë ligjor.

    Shefi i Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA), Holger Munch, tha për transmetuesin publik gjerman ZDF të shtunën se nuk është e mundur të thuhet përfundimisht se akti ishte i motivuar politikisht, megjithëse ai e pranoi se i dyshuari mbante qëndrime kundër islamit dhe merrte pjesë në platforma të ekstremit të djathtë.

    Kryeprokurori publik në Magdeburg, Horst Ëalter Nopens, tha se motivi mund të kishte të bënte me pakënaqësitë e tij për mënyrën se si trajtohen refugjatët nga Arabia Saudite në Gjermani.

    Munch shtoi se pas marrjes së një paralajmërimi nga Arabia Saudite për këtë person në nëntor 2023, “u iniciua një rast edhe këtu. Policia në Saksoni-Anhalt kreu gjithashtu hetime përkatëse”, tha ai.

    “Ai kishte kontakte të ndryshme me autoritetet, bënte fyerje dhe herë pas here kërcënime, por nuk ishte i njohur për akte dhune”, tha Munch për të dyshuarin.

    Burimet e sigurisë saudite thanë se e kishin paralajmëruar Gjermaninë për sulmuesin e dyshuar dhe kishin kërkuar ekstradimin e tij, por Gjermania nuk ishte përgjigjur.

    Ata thanë se i dyshuari është mysliman shiit me prejardhje nga qyteti Al-Hofuf në lindje të Arabisë Saudite.

    Shiitat janë pakicë në vend, pasi përbëjnë vetëm rreth 10% të popullsisë në një komb me shumicë sunite.REL

  • Rukiqi reagon pasi Qeveria ndau nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët: Keqpërdorim eklatant i parasë publike

    Rukiqi reagon pasi Qeveria ndau nga 100 euro për fëmijët dhe pensionistët: Keqpërdorim eklatant i parasë publike

    Berat Rukiqi nga LDK-ja ka reaguar pasi Qeveria deklaroi sot ndarjen nga 100 euro për secilin fëmijë e pensionist, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publike për blerje të votave.

    Ai tha se ky është keqpërdorim eklatant i parasë publikë që as nuk ndihmon as nuk zhvillon.

    “Asgjë e re. Qeveria në panik, vazhdon përdorimin e parasë publike, për blerje të votave. Ky është keqpërdorim eklatant i parasë publike, që as nuk ndihmon, e as nuk zhvillon. Të njejtat para, me automatizëm, do të shkojnë në faturat e shtrenjta të energjisë elektrike.”, ka shkruar ai.

  • SHBA, përsëritet tragjedia/ Një person futet me automjet mes turmës në Texas, 5 të plagosur

    SHBA, përsëritet tragjedia/ Një person futet me automjet mes turmës në Texas, 5 të plagosur

    Pesë persona u plagosën në Teksas, kur një burrë hyri me kamionçinë mes njerëzve jashtë një qendre tregtare.

    Autori ende i paidentifikuar, u qëllua më vonë për vdekje nga policia. Një nga oficerët që qëlloi ndaj të autorit punonte si roje në qendrën tregtare.

    Mosha e viktimave varionte nga 6 deri në 75 vjeç, tha Washko.

    Autoritetet në Teksas thanë se mosha e të plagosurve varionte nga 6 deri në 75 vjeç, por nuk dhanë detaje të mëtejshme për gjendjen e tyre.

    Forcat e policisë, përfshirë edhe efektivë jashtë detyrës, u munduan ta ndalonin të dyshuarin, i cili ngiste një kamionçinë të zezë, por ai ia doli që të hynte përmes parkingut ne Killeen Mall, duke goditur shumë njerëz.

    Autoritetet po hetojnë nëse ngjarja ishte apo jo e qëllimshme, por sipas departamentit të policisë, nëse nuk do të ishte ndaluar në kohë, përmasat mund të kishin qenë më tragjike.

    Killeen, një qytet me afro 160,000 banorë, ndodhet rreth 70 milje në veri të Austin. / abcnews.al

  • Murati tregon se s’ka nevojë për aplikim për 100 eurot shtesë

    Murati tregon se s’ka nevojë për aplikim për 100 eurot shtesë

    Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se për të përfituar nga kjo ndihmë prej 100 euro pensionistët dhe fëmijët nuk do të ketë nevojë për aplikim, raporton EO.

    Ai tha se brenda një jave do të mundohen t’i ekzekutojnë këto pagesa.

    “Do të mundohemi që gjatë kësaj jave – dhe megjithëse kemi një ditë pune e cila është pushim – t’i bëjmë të gjitha përgatitjet teknike në mënyrë që të ekzekutohen pagesat këtë javë”, tha ai.

  • Policia konfiskon një armë në Vushtrri

    Policia konfiskon një armë në Vushtrri

    Policia e Kosovës e ka konfiskuar një armë në Vushtrri, raporton EO.

    Personi i dyshuar, A.K., 18 vjeç, u arrestua dhe u dërgua në stacionin policor.

    Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.

    “Rreth orës 02:30 të datës 22 dhjetor 2024, policia në Vushtrri ndaloi një automjet dhe, gjatë kontrollit, gjeti një armë tytë-shkurtër të llojit pistoletë dhe 30 fishekë.Personi i dyshuar, A.K., 18 vjeç, u arrestua dhe u dërgua në stacionin policor. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, i dyshuari u lirua në procedurë të rregullt.Arma dhe fishekët u konfiskuan si prova materiale, ndërsa ndaj të dyshuarit është iniciuar procedura për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim i paautorizuar i armëve.”, thuhet në njoftimin e Policisë.