ATV

Author: ATVLive

  • 40 minuta po zgjasin pritjet për të hyrë në Kosovë nëpërmjet Dheut të Bardhë

    40 minuta po zgjasin pritjet për të hyrë në Kosovë nëpërmjet Dheut të Bardhë

    Nga 40 minuta po zgjasin pritjet te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë, ndërsa në Jarinjë deri në 15.

    Në pikat tjera nuk raportohet për kolona.

  • ​KQZ sot do t’i certifikoj 17 subjekte politike me 674 kandidatë

    ​KQZ sot do t’i certifikoj 17 subjekte politike me 674 kandidatë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Në mbledhjen e sotme të KQZ-së e cila do të mbahet në ora 13:30 në rend dite është certifikimi i 17 subjekteve politike me 674 kandidatë.

    Javë e kaluar, KQZ ka certifikuar 11 subjekte politike me gjithsej 606 kandidatë për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

    Gjatë periudhës së aplikimit të subjekteve politike (1 shtator – 11 dhjetor 2024), 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë kanë dorëzuar kërkesën për certifikim për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

  • ​Kushtetuesja para 9 vjetësh vendosi për Asociacionin

    ​Kushtetuesja para 9 vjetësh vendosi për Asociacionin

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 23 dhjetor 2015 ka marrë vendim në lidhje me asociacionin/bashkësinë e komunave me shumicë serbe.

    Kërkesa për përputhshmërinë e parimeve të kësaj marrëveshjeje u dërgua në Kushtetuese nga presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga, pasi në marrëveshjen e vitit 2015 në Bruksel mes kryeministrit të atëhershëm Isa Mustafa dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte futur edhe pika që e njëjta të shkojë në Kushtetuese për vlerësim.

    Në vendimin e Kushtetueses thuhej që parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

    “(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendim.

    Asociacioni është ende në diskutim e sipër mes palëve.

  • ​35 vjet nga themelimi i LDK-së

    ​35 vjet nga themelimi i LDK-së

    Në shtator dhe tetor të vitit 1989, një grup shkrimtarësh dhe intelektualësh, në kohën e shqetësimeve më të mëdha politike dhe shoqërore në Kosovë, u pajtuan që të themelonin një parti politike – Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

    Ky grup caktoi kryesinë e LDK-së me kryetar Ibrahim Rugova, sekretar Jusuf Buxhovi dhe anëtarë të kryesisë Fehmi Agani, Bujar Bukoshi, Ali Aliu, Nekibe Kelmendi, Mehmet Kraja e figura të njohura shkrimtarësh e intelektualësh.

    Kuvendi themelues u mbajt më 23 dhjetor 1989 në lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.

    Pas luftës në Kosovë, LDK në krye me Ibrahim Rugovën fitoi zgjedhjet bindshëm.

    Kjo parti thotë se angazhohet për demokraci, e cila do të sigurojë barazinë e plotë juridike e politike të të gjithë qytetarëve. Aktualisht lider i partisë është Lumir Abdixhiku.

  • Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Ky është parashikimi i motit për sot dhe 4 ditët e ardhshme

    Moti nga sot parashihet të jetë i ftohtë dhe me reshje të herëpashershme bore deri të mërkurën, ndërsa nga e enjtja do të mbizotërojë mot i vranët dhe pa reshje.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do të jenë të ulëta, me erëra mesatare deri të fuqishme, kryesisht nga verilindja dhe juglindja.

    Njoftimi i plotë nga IHMK-ja:

    -Të hënën, moti do të jetë i vranët, me riga shiu gjatë ditës, të cilat në orët e vona të mbrëmjes do të shndërrohen në borë. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -2 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të luhaten nga 1 deri 4 gradë Celsius. Do të fryjë erë mesatare dhe lokalisht e fortë nga verilindja dhe veriperëndimi.

    -Të martën, moti do të mbetet i vranët, me reshje të herëpashershme bore. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -1 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 1 deri 2 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-7 m/s.

    -Të mërkurën, moti do të jetë i vranët, me fjolla bore vende-vende. Në mëngjes paraqiten kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të jenë 0 deri 1 gradë Celsius. Era do të jetë e lehtë deri mesatare nga verilindja.

    -Të enjten, moti parashikohet i vranët dhe pa reshje. Në mëngjes, në shumë zona do të ketë kushte për mjegull. Temperaturat minimale do të jenë ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 0 deri 1 gradë Celsius. Era kryesisht do të fryjë nga verilindja, me shpejtësi 1-4 m/s.

    -Të premten, moti do të jetë kryesisht i vranët, me temperatura minimale ndërmjet -3 deri -1 gradë Celsius dhe maksimale nga 0 deri 1 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga juglindja.

  • “Vuçiq ik”, protestë masive në Beograd, studentëve u bashkohen edhe banorë të tjerë, fermerë e artistë

    “Vuçiq ik”, protestë masive në Beograd, studentëve u bashkohen edhe banorë të tjerë, fermerë e artistë

    Dhjetëra mijëra serbë u mblodhën sërish sot në Beograd, me ftesë të studentëve, për të protestuar. “Vuçiq ik” ishte thirrja kryesore.

    Revolta e studentëve në Serbi, një nga më të mëdhatë në dekadat e fundit, filloi me bllokimin e Fakultetit të Arteve Dramatike në kryqytetin serb dhe më pas u përhap në më shumë se 50 fakultete të tjera në të gjithë vendin.Këtë 22 dhjetor, studentët morën edhe më shumë mbështetje. Atyre iu bashkuan fermerë, punonjës të shëndetësisë, artistë, por edhe banorë të Beogradit dhe qyteteve përreth.

    Pakënaqësia e studentëve u përhap me vrull në të gjithë Serbinë dhe është ndier edhe në shumë shkolla të mesme, maturantët e të cilave kanë bojkotuar mësimin derisa të plotësohen kërkesat e tyre.Shkollat ​​në të gjithë Serbinë do të mbyllen për pushimet dimërore një javë më herët se sa ishte planifikuar këtë vit, pasi qeveria e presidentit nacionalist, Aleksandar Vuçiq, kërkon t’i ndalë protestat kundër korrupsionit.

    Studentët kërkojnë të përcaktohet përgjegjësia dhe të ndiqen penalisht ata që janë fajtorë për aksidentin në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku ra një strehë dhe mbyti 15 persona, si dhe të publikohet i gjithë dokumentacioni për rikonstruksionin e atij stacioni. Një nga kërkesat është gjithashtu gjetja e autorëve të sulmeve ndaj studentëve dhe profesorëve gjatë protestave ku ata morën pjesë më herët.

  • Haziri: Kurti ka refuzuar formatin e dialogimit me BE e SHBA, s’i përputhet mendësia politike me atë që kërkon Edi Rama

    Haziri: Kurti ka refuzuar formatin e dialogimit me BE e SHBA, s’i përputhet mendësia politike me atë që kërkon Edi Rama

    Nënkryetari i LDK-së dhe një prej figurave politike që ka qenë pjesë e proceseve politike të bërjes së Kosovës shtet, Lutfi Haziri, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për propozimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që Kosova të vazhdojë me implementimin e një anshëm të obligimeve të marra në Dialog dhe të mos pres fare Serbinë, meqë sipas Ramës kjo do t’i siguronte Kosovës një hap të madh përpara drejt integrimit në BE.

    Haziri ka thënë se kjo është hera e parë që kryeministri Edi Rama zëshëm e thotë diçka të tillë në Kuvendin e Republikës Kosovës, ndonëse s’është hera e parë që e përmend si ide.

    “Nuk është hera e parë, por është hera e parë zëshëm që kryeministri Rama, në Kuvendin e Kosovës, e tha që Kosova duhet njënanshëm të vazhdojë bisedimet, por më herët ka thënë që Kosova njënashëm duhet ta implementojë draft-statutin, që në njëfar forme, ai e ka sjellë një draft- dokument në emër të palëve më herët, por edhe ka besuar që Kosova duhet ta ndërtojë, draftojë e pajtojë me BE-në me SHBA-të një draft-statut i cili njënanshëm mund të implementohet. Kjo, në kuadër të angazhimeve, që ai, si kryeministër dhe si njëri prej liderëve rajonalë me influencë, e ka shtyrë edhe në agjendën e BE-së e edhe me partnerët si SHBA në këtë rast”, ka thënë Haziri për Express.

    Megjithatë Haziri thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përfaqëson një mentalitet plotësisht tjetër politik meqë e ka refuzuar formatin që kërkon kryeministei Rama, pra që Kosova të negociojë me BE si ndërmjetëse dhe SHBA si ndihmëse.

    Haziri shprehet se kryeministri Albin Kurti duke thënë se nuk negocion me Serbinë, ka rënë në gropën e negociimit 100% me Serbinë.

    Haziri në fund thotë se mendësia politike e Kurtit s’përputhet me atë që kërkon kryeministri Edi Rama, prandaj sipas tij, duhet pritur Qeverinë e ardhshme që del nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Tani, z. Kurti përfaqëson mendësi totalisht të kundërt, sepse ai këtë format të bisedimeve e ka refuzuar totalisht, jo me Serbinë, por me BE-në dhe SHBA-në, sepse duke thënë që nuk negociojë me Serbinë, ka ra në gropën e negocimit me Serbinë qind për qind, dhe përfaqësimi i një mendësie, formati e profili tjetër, nuk është i përputhshëm me atë që e ka thënë z. Rama. Në këtë rrafsh, duhet pritur zgjedhjet e ardhshme dhe qeverinë e ardhshme”, ka përfunduar Haziri.

  • Mbyllet stinori vjeshtor në Superligë, kjo është renditja e plotë

    Mbyllet stinori vjeshtor në Superligë, kjo është renditja e plotë

    Me dy ndeshjet e sotme, është mbyllur zyrtarisht stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll.

    Ballkani fitoi 0:2 në derbin lokal ndaj Suharekës, kurse Drita me vështirësi fitoi 2:1 ndaj Feronikelit 74.

    E pas 18 xhirove, Drita prin në tabelë me 40 pikë, e ndjekur nga Ballkani me 33, kurse e treta është Malisheva me 30.

    Në vendin e katërt është Prishtina me 27 pikë, kurse Suhareka e pesta me 25.

    Me nga 21 pikë në vendet 6 dhe 7 gjenden Gjilani dhe Dukagjini.

    Ferizaj është në pozitën e tetë që dërgon në barazh me 20 pikë, kurse Llapi është i parafundit me dy më pak.

    Krejt në fund, është Feronikeli 74 me 10 pikë të grumbulluara.

  • Priten reshje të dendura shiu, Ministria e Mbrojtjes apel bashkive: Të marren masa parandaluese për shmangien e përmbytjeve

    Priten reshje të dendura shiu, Ministria e Mbrojtjes apel bashkive: Të marren masa parandaluese për shmangien e përmbytjeve

    Shqipëria pritet të përfshihet nga mot i keq dhe me reshje të dendura shiu. Ministria e Mbrojtjes ka apeluar për strukturat qendrore dhe vendore, që të jenë në gatishmëri, me qëllim evitimin e përmbytjeve të mundshme.

    Në 23 dhjetor, reshje intensive deri shumë intensive do të përfshijnë pesë qarqe si; Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Kukës dhe Dibër.

    Kurse në zonat e tjera reshjet do të jenë mesatare deri intensive, të shoqëruara me shtrëngata.

    Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

    Bazuar në raportimin e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak dhe IGJEO, Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, u bën thirrje të gjitha strukturave vendore dhe qendrore të marrin masa parandaluese për shmangien e përmbytjeve dhe të jenë në gatishmëri për të reaguar në kohë ndaj çdo situate emergjente.

    Sipas IGJEO dhe SHMU, pjesën e dytë të ditës së sotme priten reshje të dobëta në të gjitha qarqet.

    Në 23 dhjetor, reshje intensive deri shumë intensive do të përfshijnë qarqet Vlorë, Gjirokastër, Shkodër, Kukës dhe Dibër, ndërsa në zonat e tjera reshjet do të jenë mesatare deri intensive, të shoqëruara me shtrëngata.

    Në lartësitë mbi 400 m në Veri, Lindje dhe Juglindje reshjet do të jenë në formë dëbore, duke shkaktuar ngrica dhe vështirësi në transport. Bashkëpunimi dhe veprimi i shpejtë janë thelbësore për të minimizuar pasojat dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve./abcnews.al

  • Meloni: Rusia përbën rrezik në shumë plane ndaj sigurisë së BE-së

    Meloni: Rusia përbën rrezik në shumë plane ndaj sigurisë së BE-së

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha të dielën se Rusia përbën një kërcënim më të madh për sigurinë e Bashkimit Evropian sesa thjesht nga pikëpamja e mbrojtjes pasi Moska mund të përdorë emigracionin e paligjshëm dhe çështje të tjera për të minuar bllokun.

    Kryeministrat e Finlandës, Italisë, Suedisë, Greqisë si edhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së u takuan në fundjavë në Lapland në veri të Finlandës për të diskutuar mbi sigurinë në rajonin nordik dhe Mesdhe, si dhe sfidat e migracionit në Evropën Jugore.

    “Ne duhet ta kuptojmë se kërcënimi është shumë më i madh nga sa mund ta marrim me mend”, tha zonja Meloni në një konferencë për shtyp kur u pyet për Rusinë.

    Rreziku ndaj sigurisë së BE-së nga Rusia apo nga aktorë të tjerë nuk do të zhduket pasi të përfundojë konflikti në Ukrainë dhe BE-ja duhet të jetë e përgatitur për këtë, tha ajo.

    “Bëhet fjalë për demokracinë tonë, për ndikimin që mund të ushtohet ndaj opinionin tonë publik, për atë që ndodh në Afrikë, ka të bëjë me lëndët e para, ka të bëjë me instrumentalizimin e migracionit. Duhet ta kuptojmë se bëhet fjalë për një ide shumë të zgjeruar të sigurisë”, tha zonja Meloni.

    Ajo bëri thirrje që BE-ja të bëjë më shumë për të mbrojtur kufijtë e saj dhe të mos lejojë Rusinë apo ndonjë “organizatë kriminale” të kontrollojë fluksin e emigrantëve të paligjshëm. Disa anëtarë të BE-së, përfshirë Finlandën dhe Estoninë, kanë akuzuar Rusinë se i lejon migrantët e paligjshëm nga Lindja e Mesme dhe vendet e tjera të hyjnë në shtetet e BE-së përmes Rusisë pa kontrollet e duhura, duke minuar sigurinë e BE-së.

    Moska ka mohuar se Rusia po i lejon qëllimisht migrantët e paligjshëm të shkojnë në BE.

    Kryeministri finlandez Petteri Orpo tha se sigurimi i kufirit prej 1,340 km të vendit të tij me Rusinë është “një çështje ekzistenciale” për Finlandën dhe për anëtarët e tjerë të BE-së dhe aleatët e NATO-s.

    Zonja Meloni tha se BE-ja ka gabuar duke e trajtuar çështjen e imigracionit ndër vite thjesht nga këndvështrimi i ndarjes së barrës.

    “Trajtimi i çështjes së imigracionit të paligjshëm vetëm si një debat i bazuar në solidaritet ishte i gabuar,” tha ajo. “Rezultati është që nuk kemi mundur të mbrojmë kufijtë tanë… Ne duam të mbrojmë kufijtë tanë të jashtëm dhe nuk do të lejojmë Rusinë ose organizatat kriminale të minojnë sigurinë tonë.”

    Ndërsa NATO mbetet “gur themeli” i sigurisë së BE-së, blloku është ndeshur me sfida më të gjera, tha zonja Meloni, e cila drejton një qeveri konservatore.

    “Me siguri nënkuptohet gjithashtu infrastrukturë kritike, inteligjencë artificiale, siguri kibernetike, lëndët e para, zinxhirë furnizimi. Nënkuptohet një politikë e jashtme dhe bashkëpunuese e re dhe më efektive, por edhe imigracioni,” tha ajo. /VOA