ATV

Author: ATVLive

  • Murati: Sot dalin pagat e sektorit publik dhe shtesat prej 100 eurosh

    Murati: Sot dalin pagat e sektorit publik dhe shtesat prej 100 eurosh

    Ministri i Financave, Hekuran Murati pas mbledhjes së qeverisë ka mbajtur një konferencë për media.

    Ai në fjalën e tij para mediave u shpreh se gjatë ditës së sotme pritet të bëhet shpërndarja e pagave për sektorin publik dhe shtesat prej 100 eurosh.

    “Tashmë është bërë e ditur se sot gjatë ditës do të bëhet procesimi i pagave për sektorin publik e po ashtu do të procesohen shtesat në vlerë prej 100 eurosh për të gjithë pensionistët dhe fëmijët deri në moshën 16-vjeçare”, ka thënë Murati.

    Ky vendim erdhi pasi në mbledhjen e fundit për vitin 2024 të qeverisë, është miratuar propozimvendimi për ndarjen e shtesave të njëhershme me vlerë prej 100 eurosh për fëmijët 0-16 vjeç dhe pensionmarrësit.

  • Familja e Gjyljeta Ukellës e kënaqur me vendimin e Gjykatës: Tani shpirti dhe trupi i pushojnë në paqe

    Familja e Gjyljeta Ukellës e kënaqur me vendimin e Gjykatës: Tani shpirti dhe trupi i pushojnë në paqe

    Edmond Lajqi është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukella.

    E familjarët e Gjyljeta Ukellës kanë bërë të ditur se janë ndarë të kënaqur me vendimin e Gjykatës, duke theksuar se vetëm kështu shpirti i saj do të pushojë në paqe.

    Në një prononcim për Sinjalin, Shpat Ukella, vëllai i të ndjerës Gjyljeta Ukella, ka thënë se ajo është vrarë në formën më mizore, duke pirë kafenë e mëngjesit.

    “I falënderoj gjykatësit për vendimin e dhënë, si familje jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur, e falënderoj prokuroren Valbona Disha Haxhosaj, falënderoj Policinë e Kosovës për punën e bërë deri më tani. Ne Gjyljetën nuk mundemi me e kthy por të paktën i pushon trupi dhe shpirti i saj në mënyrën më të mirë, se është vra në mënyrën më tinzare që mundet me u vra një person, duke e pirë kafenë e mëngjesit”, ka potencuar ai.

  • IKD: Probleme të theksuara në përzgjedhjen e kryeprokurorit të Apelit

    IKD: Probleme të theksuara në përzgjedhjen e kryeprokurorit të Apelit

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) – Departamentit të Shtetit Amerikan, si dhe National Endowment for Democracy (NED) ka publikuar raportin “Përzgjedhja e Kryeprokurorëve-Raport i monitorimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorëve të Prokurorisë se Apelit dhe Kryeprokurorit të pesë (5) Prokurorive Themelore”.

    IKD njofton se ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe pesë Prokurorive Themelore (Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj). Bazuar në gjetjet e monitorimit të IKD, ky proces vlerësohet si proces kryesisht i drejtë dhe meritor, me përjashtim të procesit të Prokurorisë së Apelit ku u evidentuan një numër më i madh i problemeve.

    Raporti thekson se sa i përket proceseve të përzgjedhjes së kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, ky institut gjeti se procesi ishte përgjithësisht i drejtë, meritor dhe transparent. Panelet vlerësuese aplikuan një qasje të barabartë ndaj kandidatëve dhe dallimet në poentime ishin brenda kufijve të vlerësimit të lirë.

    Në lidhje me këto, gjetjet e raportit të IKD-së, vlerësojnë si problematike arsyetimin duke u referuar në performancën e kandidatëve. “Në disa raste, poentimi dhe arsyetimet e dhëna nga anëtarët e paneleve vlerësuese përfshinin vlerësimet e performancës së kaluar të kandidatëve, edhe pse këto janë kritere formale për t’u pranuar në garë dhe jo për të ndikuar në vlerësimin e kritereve për përzgjedhje të Kryeprokurorëve”, thekson raporti.

    Sipas gjetjeve të IKD-së, përdorimi i këtij kriteri paraqet vlerësim të dyfishtë derisa mos aplikimi i këtij arsyetimi tek të gjithë kandidatët paraqet një lloj pabarazie. Për këtë arsye, IKD në raport vlerëson se aplikimi i këtij kriteri duhet të shmanget në të ardhmen.

    “Sa i përket procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, IKD ka evidentuar disa probleme. Fillimisht, IKD ka evidentuar diskrepancë të theksuar në vlerësimin e kandidatëve nga anëtarët e panelit vlerësues, ku për të njëjtin kandidat, pikët për të njëjtat kritere ndryshonin ndjeshëm. “Kjo krijoi perceptimin e preferencave personale të anëtarëve të panelit në raport me kandidatët për kryeprokurorë të Prokurorisë së Apelit. Tutje, sa i përket këtij procesi, IKD evidentoi se në një rast, njërit prej kandidatëve nuk iu parashtrua një pyetje e cila i ishte parashtruar të gjithë kandidatëve të tjerë. Derisa në një rast tjetër, në bazë të monitorimit, IKD vlerëson se një pyetje nuk ishte mjaftueshëm e qartë”, thuhet në raport.

    Sipas raportit, procesi ishte përgjithësisht transparent, me përfshirjen e monitoruesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Megjithatë, panelet vlerësuese nuk siguruan qasje të plotë në arsyetimin e poentimit të dhënë, duke ofruar këto dokumente vetëm në shikim.

    “Raportin gjen se sa i përket barazisë gjinore, pjesëmarrja e grave ishte shumë e ulët, ku nga 15 kandidatë, 5 prej tyre ishin gra dhe 10 ishin burra. Nga gjithsej gjashtë (6) prokurori, vetëm në dy (2) prej tyre pati kandidate gra derisa në katër (4) prokurori të tjera gara zhvillohej në mes të burrave. IKD në raport rekomandon që në të ardhmen, KPK duhet ta adresojë këtë situatë në kuptim të nenit 4 të Ligjit për Barazi Gjinore”, njofton ky institut.

    Përfundimisht, raporti nga monitorimi i IKD-së gjen se procesi ka qenë kryesisht meritor dhe transparent për shumicën e pozitave, me disa probleme më të theksuara në procesin për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit.

  • 40 aksidente e mbi 1000 gjoba për një javë në Gjilan

    40 aksidente e mbi 1000 gjoba për një javë në Gjilan

    Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe Stacionet Policore gjatë periudhës kohore 20.12.2024 – 26.12.2024 në vazhdën e implementimit të planeve operative kanë shqiptuar njëmijë e shtatëdhjetë e shtatë (1077) gjoba.

    Përgjatë një jave në Gjilan, policia ka shqiptuar 1 mijë e 77 gjoba trafiku.

    Sipas të dhënave të policisë, në këtë vazhdë kohore u regjistruan 40 aksidente, ku 23 prej tyre ishin me dëme materiale e 17 me të lënduar.

    Janë shqiptuar edhe masa e ndalimit për mjete motorike për 15 ngasës.

    Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafik, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan apelon tek të gjithë ngasësit që të respektojnë dispozitat ligjore në trafik, bëni kujdes për të siguruar sigurinë tuaj dhe të tjerëve në rrugë:

    -Vendosja e rripit të sigurisë është një nga mënyrat më efektive për të mbrojtur veten në rrugë!

    -Vendosja e rripit të sigurisë zvogëlon rrezikun e lëndimit dhe vdekjes në rast aksidenti!

    Në rast përplasjeje, rripi i sigurisë ju pengon të hidheni nga automjeti, gjë që ulë rrezikun e lëndimeve të rënda ose vdekjes!

    -Ç’do herë sigurohuni që fëmijët të jenë sigurt të akomoduar në automjetin tuja!

    -Mos përdorimi i rripit të sigurisë sanksionohet me ligj!

  • Përfaqësuesi i KOSTT-it: Nuk bëhet fjalë për mungesë energjie, vetëm për ngarkesë

    Përfaqësuesi i KOSTT-it: Nuk bëhet fjalë për mungesë energjie, vetëm për ngarkesë

    Përfaqësuesi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri, pas takimit me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar para mediave se aktualisht nuk ka mungesë të energjisë elektrike në vend. Sipas tij, rrjeti është duke përballuar një ngarkesë të madhe, e cila ka çuar kapacitetet në limitet maksimale, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka theksuar se KESCO, si institucion përgjegjës për furnizimin e energjisë së munguar, është duke importuar energjinë e nevojshme, ndërsa KOSTT-i po shfrytëzon të gjitha kapacitetet balancuese në bashkëpunim me Shqipërinë.

    “Ndërtimi i nënstacionit në Fushë Kosovë tashmë është finalizuar, duke zgjidhur problemet e furnizimit në zonat e Fushë Kosovës dhe Obiliqit. Për nënstacionin në Ferizaj, projekti është në fazën e fundit të punimeve dhe shpresohet të përfundojë deri në fund të këtij viti”.

    “Nuk ka mungesë të energjisë elektrike në kuptimin që prodhimi është maksimum, ne po operojmë me katër blloqe, përveç një blloku që nuk është në funksion. Po ashtu KESCO-ja si përgjegjës për furnizim të mungesës, është duke importuar energjinë e munguar, dhe KOSTT-i është duke i shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e tij balancuese me Shqipërinë që i kemi në dispozicion”.

    “Pra nuk bëhet fjalë për mungesë të energjisë, por ngarkesë e cila ka prekur cepin maksimal të rrjetit. Problemi është i përkohshëm dhe pritet që deri javën tjetër, me uljen e ngarkesës, të mos ketë më vështirësi në furnizim. Çdo prishje, sado e vogël, mund të ketë ndikim, por nuk bëhet fjalë për mungesë energjie, por vetëm për ngarkesë”, ka thënë ai.

  • Osmani përshëndetet me Hovenierin: Një diplomat, karriera e të cilit është lidhur ngushtë me Kosovën

    Osmani përshëndetet me Hovenierin: Një diplomat, karriera e të cilit është lidhur ngushtë me Kosovën

    Presidentja Vjosa Osmani, në takimin lamtumirës me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, ka vlerësuar kontributin e tij për Kosovën, karriera e të cilit, siç tha ajo, është e lidhur ngushtë me historinë e vendit, raporton EO.

    Presdientja ka theksuar rëndësinë e angazhimit të ambasadorit në fazat më të rëndësishme të vendit, “angazhim i pandalshëm që 25 vjet për lirinë dhe pavarësinë tonë”.

    “Një diplomat, karriera e të cilit është lidhur ngushtë me Republikën e Kosovës në shumë momente historike. Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pandalshëm që 25 vjet, duke vepruar si një diplomat i përkushtuar në mbrojtjen e së vërtetës. Fillimisht, si pjesë e ekipit të presidentit Ahtisaari, ai luajti një rol të rëndësishëm në procesin që çoi në propozimin e pavarësisë për Republikën tonë. Më pas, ai vazhdoi kontributin e tij gjatë gjithë procesit të shtet-ndërtimit deri te misioni i tij si ambasador. Ka qenë kënaqësi e veçantë që kemi bashkëpunuar gjatë këtyre tre viteve dhe kemi punuar në interes të qytetarëve tanë”, ka thënë presidentja.

    Ajo kujtoi se si veprimi i tyre i parë së bashku me ambasadorin ishte vendosja e luleve te shtatorja e Ibrahim Rugovës dhe se sot po e përmbyllin këtë bashkëpunim në të njëjtën mënyrë.

  • Tri kërkesat e Rizvanollit karshi KOSTT-it dhe KEDS-it

    Tri kërkesat e Rizvanollit karshi KOSTT-it dhe KEDS-it

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar tri kërkesat e saj karshi operatorëvë energjetik, gjegjësisht Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), raporton EO.

    Pas takimit të përbashkët, Rizvanolli ka thënë se ka kërkuar që ekipet në terren të sanojnë lokacionet ku ka probleme, puna në ndërtimin e nënstatcioneve të vazhdojë intensivisht, si dhe komunim sa më të mirë me qytetarët.

    “Për gjatë takimit, unë i përcolla të gjitha ankesat e qytetarëve që i kemi pasur për furnizimin me energji elektrike, vecanërisht në zonat më të ndikuara. Nga njëra anë, kërkova nga operatorët që të bëjnë maksimumin që ekipet në terren të sanojnë të gjitha lokacionet ku ka probleme, qoftë për shkak të prishjeve apo ngarkesës”.

    “Nga ana tjetër, është tepër me rëndësi që investimet në nivel të transmisionit që janë duke u bërë e që jane afër, si nënstatcioni i Ferizajit, që është rajoni që ka më së shumti problem, të vazhdojnë punimet me intensitet. Sic u informova, pritet që ky nënstatcion të përfundojë brenda disa ditësh ose javësh”.

    “Kisha edhe një kërkesë tjetër, që të kenë komunikim sa më të shpeshtë dhe të qartë me qytetarët”.

  • ​Basketboll/ Viti mbyllet me superduele në Superligën e Kosovës

    ​Basketboll/ Viti mbyllet me superduele në Superligën e Kosovës

    Në fundjavë zhvillohet xhiroja e 14-t e ProCredit Superligës në basketboll apo e fundit për vitin 2024.

    Sfida hapëse është ndërmjet Bashkimit dhe Pejës, dy skuadra me traditë në basketbollin e Kosovës. Prizrenasit janë në vendin e dytë me nëntë fitore e katër humbje, ndërsa pejanët në vendin e tretë me shtatë fitore e gjashtë humbje, andaj pritet një përballje mjaft interesante në Prizren.

    Takimi i dytë i së shtunës është mes Trepçës dhe Borës, që zhvillohet në palestrën ‘1 Tetori’. Kampionët janë në vendin e parë me dhjetë fitore e tri humbje, kurse prishtinasit kanë pasur ngritje të formës, ku tashmë janë në vendin e shtatë me katër fitore e dhjetë humbje.

    Sfidë shumë interesante pritet ndërmjet Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës, të dielën në Gjakovë. Të dy skuadrat kanë nga gjashtë fitore e shtatë humbje, duke bërë që të presim një përballje mjaft interesante.

    Ndeshja e fundit e kësaj xhiro dhe e fundit për këtë vit është ndërmjet Proton Cable Prizrenit dhe Golden Eagle Yllit. Prizrenasit kanë tri fitore e 11 humbje, ndërsa therandasit shtatë fitore e gjashtë humbje.

    ProCredit Superliga-Java 14

    E shtunë

    17:00 Bashkimi – Peja

    19:00 Trepça – Bora

    E diel

    17:00 Vëllaznimi – Sigal Prishtina

    19:00 Proton Cabel Prizreni – Golden Eagle Ylli

  • ​Hovenier: Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë

    ​Hovenier: Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë

    Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën.

    Pas takimit lamtumirës me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, tha se duan ta shohin Kosovën të përparojë.

    Bashkë me Osmanin, ata kanë bërë homazhe të shtatorja e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.

    “Dua të falënderoj popullin e Kosovës. Ka qenë detyra e ëndrrave të mia të shërbej si Ambasador i SHBA-së këtu për këto tre vite dhe të kem këtë mundësi të punoj së bashku me popullin e Kosovës për të ndihmuar avancimin e vendit. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm. Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, tha Hovenier.

    Hovenier pas homazheve pranë shtatores së presidentit Ibrahim Rugova, vlerësoi këmbënguljen e tij për një shtet sovran, demokratik dhe shumë etnik.

    “E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”, u shpreh Hovenier.

    Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani tha se angazhimi i Hovenierit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ka qenë i pandalshëm.

    Osmani theksoi se miqësia me SHBA-të bënë që shteti i Kosovës të ecën përpara në mbrojtjen e plotë të integritetit territorial.

    “Një diplomat karriera e të cilit është lidhur në jo vetëm një rast me Republikën e Kosovës. Angazhimi i tij për lirinë dhe pavarësinë tonë ka qenë i pa ndalshëm qysh para 25 vitesh si një diplomat që merrej me Kosovën dhe kontribuonte për lirinë tonë, për të vërtetën, në veçanti për mbrojtjen e së vërtetë. Pastaj si një diplomat i angazhuar në ekipen e presidentit Ahtisari kur edhe u propozua pavarësia për Republikën tonë dhe në gjithë procesin e shtetndërtimit deri tek misioni i tij këtu në Kosovë si ambasador. Ka qenë kënaqësi e veçantë që të bashkëpunojmë në këto tri vite. Që të punojmë shumë afër në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të SHBA-ve dhe mbi të gjitha në mbrojtjen e themeleve të kësaj aleance ekzistenciale për popullin tonë…Po e përfundojmë sot këtë takim lamtumirës me po të njëjtin veprim duke nderuar presidentin Rugova, atin themeltar të Republikës tonë. Dëshmoj se kur ke miq të fuqishëm pranë, kur ke miqësi që janë të bazuara në vlera, atëherë edhe populli i Kosovës edhe shteti i Kosovës, shteti sovran në mbrojtje të plotë të integritetit territorial ecën përpara”, tha Osmani. /kp

  • ​Qeveria merr vendim për ndarjen nga 100 euro për fëmijët dhe pensionmarrësit

    ​Qeveria merr vendim për ndarjen nga 100 euro për fëmijët dhe pensionmarrësit

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten ka miratuar Propozim-vendimin për ndarjen e shtesave të njëhershme në vlerë prej 100 euro për fëmijët 0-16 vjeç dhe pension marrësit.

    Ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se mjetet tash janë ndarë dhe se bëhet fjalë për rreth 700 mijë përfitues që do të përfitojnë nga këto shtesa.

    “Më duhet të jap edhe një sqarim sepse ka pasur keqkuptime apo hamendje nëse janë të përfshirë edhe skemat e tjera përveç skemës së pensionit të moshës. Pra, të gjitha skemat janë të përfshira, edhe kategoritë e luftës edhe kategoritë e aftësive të kufizuara. I vetmi kusht është që nuk mund të përfitoj dikush nëse është përfitues i më shumë se njërës skemë, nuk mund të përfitoj dy herë, kriteri tjetër është se të ardhurat nga skemat shtetërore, të ardhurat e konsoliduara duhet të jenë nën 700 euro në muaj. Mjete tash janë ndarë, bëhet fjalë për rreth 700 mijë përfitues që do të përfitojnë nga këto shtesa”, tha ai.