ATV

Author: ATVLive

  • VV-ja ankohet në Supreme ndaj vendimit të PZAP-së për Listën Serbe

    VV-ja ankohet në Supreme ndaj vendimit të PZAP-së për Listën Serbe

    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-së që urdhëroi KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Ankesa është dorëzuar në Supreme nga zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, shkruan EO.

    Më 25 dhjetor, PZAP-ja aprovoi ankesën e Listës Serbe ndaj vendimit të KQZ-së për të mos ta certifikuar atë.

    Sipas arsyetimit të këtij mekanizmi, Lista Serbe me aplikimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore të kërkuara.

    Anëtari i KQZ-së nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi, të enjten ka thënë se nuk do të ankohen në Supreme, pasi sipas tij edhe ajo do ta ketë të njëjtin arsyetim për këtë çështje.

  • Azemi: Kjo qeveri ka deshtuar la në terr qytetarët e bizneset, s’kanë plan e as zgjidhje

    Azemi: Kjo qeveri ka deshtuar la në terr qytetarët e bizneset, s’kanë plan e as zgjidhje

    Kandidati për deputet i LDK-së, Visar Azemi, ka reaguar pas konferencës që sot ka mbajtur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pas takimit me KOSST dhe KEDS për krizën me energjinë elektrike.

    Azemi ka thënë se kjo qeveri, ka dështuar të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji, duke lënë qytetarët dhe bizneset në terr.

  • Petrit Kryeziu zgjidhet kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren

    Petrit Kryeziu zgjidhet kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren

    Petrit Kryeziu është votuar për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren me mandat katërvjeçar dhe me mundësi kandidimi edhe për një mandat tjetër.

    Votimi i Kryeziut për kryeprokuror e bë në mbledhjen e 260-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Konstatohet se me 10 vota për emërohet Petrit Kryeziu kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren për katër vjet me mundësi edhe një për mandat tjetër” tha kryesuesi Ardian Hajdaraj.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin ku ka theksuar se procesi për përzgjedhjen e kryeprokurorëve – kryesisht ishte meritor dhe transparent, probleme më të theksuara në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Apelit.

  • ​Ngrihet aktakuzë ndaj 5 të pandehurve për vrasjen e 8 civilëve shqiptarë

    ​Ngrihet aktakuzë ndaj 5 të pandehurve për vrasjen e 8 civilëve shqiptarë

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamentin Special ndaj të pandehurve D.C., D.N., M.SH., N.S. dhe S.J., nën dyshimet se gjatë kohës së luftës në Kosovë kanë kryer krime në rajonin e Gjilanit.

    Pesë të pandehurit në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e 8 civilëve shqiptarë.

    Konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drurësh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli, kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe konventave ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.

    Ndërsa, për të pandehurit M.SH. dhe N.S., ekziston dyshimi i bazuar se gjatë zbatimit të urdhër-kontrolleve, janë gjetur në pronësi dhe posedim armë, në kundërshtim me ligjin, me çka të njëjtit kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

  • Limaj: Do ta ndërtojmë termocentralin me 500 megavat

    Limaj: Do ta ndërtojmë termocentralin me 500 megavat

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka quajtur skandaloze shumat e paguara për import të energjisë elektrike.

    Limaj tha se prioritet do ta kenë renovimin dhe transformimin e blloqeve ekzistuese.

    “Statistikat e publikuara në media për shumat marramendëse të paguara për import të energjisë elektrike tregojnë fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie. Për katër vite, sipas raporteve të publikuara janë shpenzuar rreth 560 milionë euro për të blerë rrymë. Kjo më të vërtetë është skandaloze. Prandaj, të nderuar qytetarë, është shumë më rëndësi ta kemi pavarësimin energjetik. Dhe ne do ta bëjmë, nëse na jepni besimin më 9 shkurt’”, tha ai.

    Brenda tri viteve, ia ka premtuar se do ta ndërtojnë termocentealin me 500 megavat dhe do ta zgjidhin një herë e përgjithmonë çështjen e energjisë elektrike.

    “Prioritet i yni është edhe renovimi dhe transformimi i blloqeve ekzistuese”, tha ai.

  • Përurohen renovimet e sporteleve në Klinikën e Kirurgjisë, rreth 400 mijë euro investim

    Përurohen renovimet e sporteleve në Klinikën e Kirurgjisë, rreth 400 mijë euro investim

    Rreth 400 mijë euro është kostoja e renovimit të sporteleve në Klinikën e Kirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, raporton EO.

    Kryeministri Kurti tha se shëndetësia ka qenë prioritet i kësaj qeverie që të ofrohen kushte më të mira për pacientet.

    “Ne kemi qenë gjithmonë prioritet te shëndetësia që t’i bëjmë kushtet më të mira për kujdesin shëndetësor, por gjithashtu edhe kushte më të dinjitetshme për punëtorët shëndetësor, meqenëse shërimi i pacientit varet edhe nga doktorët e infermierët. Me këtë rast, pas përfundimit dhe inaugurimit të sporteleve në Radiologji e Biokimi, sot siç kishit mundur të shihni tek këto pesë etazhe kishim sportelin në Kirurgji plastike, pastaj në Torakale, Kirurgjinë Abdominale dhe këtu ku jemi në Kirurgjinë Vaskulare dhe Neurokirurgji”. Një hapësirë me rreth 1000 metra katror me rreth 400 mijë euro gjithsej”, tha ai.

    Sipas tij për herë të parë është krijuar infrastrukturë moderne me standarde ndërkombëtare për pacientët me aftësi të kufizuara.

    “Tash është bërë lehtësimi i qasjes dhe orientimit i gjithë pacientët, sportelet janë të digjitalizuar dhe për herë të parë kemi krijuar infrastrukturë moderne me standarde ndërkombëtare për pacientët me aftësi të kufizuara”, tha Kurti.

    E ministri i Shëndetësisë, tregoi arsyen e investimeve në klinikat kirurgjike.

    “Kemi filluar me renovimin dhe transformimin e blloqeve operative në shumicën Kirurgjike në QKUK, kemi filluar me digjitalizim të klinikave këtu dhe kjo që po shohim sot, është hapësira jashtë klinikave për familjarë, për pacientë që të kenë një qasje më të mirë”, u shpreh Vitia.

  • Nga janari deri në dhjetor, ATK-ja mblodhi rreth 950 milionë euro në tatime

    Nga janari deri në dhjetor, ATK-ja mblodhi rreth 950 milionë euro në tatime

    Agjencia Tatimore e Kosovës (ATK) ka mbledhur rreth 950 milion euro në tatime, nga janari deri në dhjetor të këtij viti, raporton EO.

    Këtë e bëri të ditur Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një konferencën përmbyllëse të vitit, duke theksuar se në krahasim me periudhën e njëjtë të viti të kaluar ka rritje për 100 milion euro apo rreth 12 %, në raport me vitin paraprak.

    Ai ka thënë se për 25 vite ATK ka mbledhur 8.3 miliard euro.

    “Për gjatë vitit që po e lëmë pas Administrata Tatimore e Kosovës vazhdoi me ngritje të performancës pothuajse në të gjithë indikatorët matës. Në vitin 2024 kemi inkasim të të hyrave tatimore mbi 950 milion euro, që do të thotë se kemi rritur të hyrat mbi 100 mil euro apo rreth 12 %, në raport me vitin paraprak. Krahas rritjes së të hyrave ne vazhduam me reformim institucional, si dhe ngritje të llogaridhënies dhe përgjegjësisë në nivel individual dhe institucional”, ka thënë ai.

    Ai ka thënë se këtë vit është rritur edhe pagesa e tatimeve nga ana e këngëtarëve e cila ka arritur në vlerën e mbi 3.2 milion euro.

    Po ashtu, sa i përket sektorit të gastronomisë, ai ka thënë se tatimet e mbledhura për këtë vit nga ta është mbi 30 milion euro.

    “Këtu mund të shini një dallim të konsiderueshëm të rritjeve tatimore. Në vitin 2023 kishim vetëm 2.7 milion euro, këtë vit kemi 3.2 milion euro. Po ashtu edhe te gastronomia ka një rritje prej 27 milion që ishte në vitin 2023, mbi 30 milion euro”, ka thënë ai.

  • ​Karlos Nasar hyn në Top 10 të anketimit të BTA-së për atletin e vitit në Ballkan

    ​Karlos Nasar hyn në Top 10 të anketimit të BTA-së për atletin e vitit në Ballkan

    Kampioni olimpik, botëror dhe evropian i peshëngritjes Karlos Nasar është në top 10-shen e edicionit të 51-të të anketës së BTA-së për atletin e vitit në Ballkan. Atleti vendosi rekorde botërore në rrëmbim, vrapim dhe ngritje totale.

    Në vitin 2024, Nasar mori titullin olimpik të peshëngritjes për meshkuj në peshën 89 kg në Lojërat e Parisit me një total prej 404 kg. Ai fitoi titullin botëror në Kampionatin Botëror të IWF në Manama me dy rekorde botërore: 183 kg në rrëmbim dhe një ngritje të përgjithshme prej 405 kg.

    Vrapuesja bullgare e 800 metrave Svetla Zlateva është fituese e edicionit të parë të sondazhit të BTA në 1973.

    Fituesi i sondazhit të 2024 dhe renditja do të shpallet në janar.

    Top 10 në sondazhin e BTA:

    Apostolos Christou (Greqi) – not

    Barbara Matic (Kroaci) – xhudo

    David Popovici (Rumani) – not

    Dushan Mandiq (Serbi) – vaterpolo

    Karlos Nasar (Bullgari) – peshëngritje

    Kostas Sloukas (Greqi) – basketboll

    Miltiadis Tentoglou (Greqi) – atletikë

    Nikola Jokic (Serbi) – basketboll

    Novak Gjokovic (Serbi) – tenis

    Yusuf Dikec (Turqi) – gjuajtje

  • ​SPAK me njoftim zyrtar për kryebashkiakun Erion Veliaj, i përgjigjet për kallëzuesin anonim

    ​SPAK me njoftim zyrtar për kryebashkiakun Erion Veliaj, i përgjigjet për kallëzuesin anonim

    Një ditë pasi Erion Veliaj u mor në pyetje për 5 orë nga Prokurorët e Posaçëm, SPAK ka reaguar me një njoftim zyrtar për kryetarin e bashkisë së Tiranës.

    Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024 i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.

    Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u regjistrua procedimi penal i mësipërm.

    Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.

    Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar./TopChannel/

  • Kryediplomati shqiptar: Sovranitetit e integriteti territorial i Kosovës, prioritet kombëtar i Shqipërisë

    Kryediplomati shqiptar: Sovranitetit e integriteti territorial i Kosovës, prioritet kombëtar i Shqipërisë

    Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, tha se marrëdhëniet me fqinjët dhe siguria rajonale janë në fokusin e diplomacisë shqiptare, ndërsa sovranitetit dhe integriteti territorial i Kosovës, sipas tij, janë prioritet kombëtar.

    Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, teksa ka bërë një rezyme të diplomacisë shqiptare përgjatë vitit 2024 që po lëmë pas, ka parashtruar edhe objektivat për vitin 2025.

    Ai tha se Ministri i Jashtëm theksoi gjithashtu se marrëdhëniet me fqinjët dhe siguria rajonale janë në fokusin e diplomacisë shqiptare, ndërsa sovranitetit dhe integriteti territorial i Kosovës, sipas tij, janë prioritet kombëtar.

    “Shqipëria ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të Kosovës në një periudhë të ngarkuar me sfida të brendshme dhe të jashtme.

    Kemi mbështetur gjithmonë dialogun e lehtësuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve dhe arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqësore.

    Ky proces është i domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë të rajonit dhe për integrimin e të dyja shteteve në strukturat evropiane. Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv në këtë dialog, duke inkurajuar palët për të shprehur fleksibilitet dhe angazhim të vërtetë për arritjen e një marrëveshjeje që do të respektojë të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe do të sigurojë një paqe të qëndrueshme.

    Kemi ofruar, gjithashtu, mbështetje të vazhdueshme për Kosovën në këtë proces, duke lobuar për mundësitë që ky dialog të përfshijë përfitime të prekshme për të dyja vendet dhe për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare”, theksoi Hasani.

    Ai shtoi se Shqipëria ka dënuar me forcë çdo formë të dhunës dhe terrorizmit të manifestuar në territorin e Kosovës, duke përfshirë këtu çdo akt të dhunshëm që ka synuar drejtpërsëdrejti destabilizimin e saj dhe më gjerë të Ballkanit Perëndimor.

    Hasani ka bërë të ditur gjithashtu, se ka nisur “bashkëpunimi konkret me NATO-n për organizimin e Samitit të Aleancës në Tiranë në vitin 2027, ku Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të presë një ngjarje kaq të rëndësishme në rajon”.

    Kreu i diplomacisë shqiptare shpjegoi se mbetet prioritet forcimi i lidhjeve me diasporën, ndërsa vuri në dukje se Ministria e Jashtme po eksploron “mundësitë për të rinjtë shqiptarë që të kthehen në atdhe dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit, duke krijuar mundësi për “brain gain” përmes kthimit të njohurive dhe eksperiencave nga jashtë”.