ATV

Author: ATVLive

  • ​Aktakuzë ndaj katër të pandehurve për vrasje të rëndë në tentativë

    ​Aktakuzë ndaj katër të pandehurve për vrasje të rëndë në tentativë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave të dyshuar për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Bëhet fjalë për E.K, dhe V.H të cilët dyshohen për të dy veprat penale, dhe për A.H, dhe A.H të cilët dyshohen për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    “Sipas aktakuzës, i pandehuri E.K., me datë 29.01.2025 rreth orës 01:57 minuta në Prizren, në rrugën ‘Tranziti i Ri’, në hapësirat e parkingut të njërës prej pikave të karburantit, me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta të dëmtuarit V.H, A.H. dhe A.H, dhe me atë rast kanë vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit F.T”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

    “I njëjti, pas një mosmarrëveshje paraprake e cila kishte ndodhur me datë 28.01.2025 rreth orës 23:00min në afërsi të lokalit të të dëmtuarit F.T., në mes të pandehurit E.K dhe dëshmitarit Gj.Sh., në një anë dhe të dëmtuarve V.H., A.H.(1), dhe F.T., në anën tjetër, në momentin kur i pandehuri E.K.,dhe dëshmitari Gj.Sh., arrinë me automjet tek pika e karburantit, vërejnë se aty ishte duke i pritur i dëmtuari V.H., i afrohen të njëjtit, bëjnë me gjeste në drejtim të të dëmtuarve A.H.(1), A.H.(2), dhe F.T., që të vijnë në afërsi të tyre, e më këtë rast dëshmitari F.H., arrin te kjo pompë e derivateve dhe takohet rastësisht me ta, kur aty vijnë edhe të dëmtuarit A.H.(1), A.H.(2), dhe F.T., i pandehuri E.K., nxjerrë nga brezi pistoletën e tipit “TT”, fillon të tërhiqet prapa dhe në një distancë nga 1-2 metra, shtie në drejtim të të dëmtuarve V.H., A.H.(1), dhe A.H.(2), me ç’ rast nga të shtënat, të dëmtuarit A.H.(1), dhe A.H.(2), marrin plagë të rënda, njëkohësisht i rrezikohet jeta edhe të dëmtuarit F.T”, thuhet tutje në njoftim.

    Me këto veprime, E.K., ka kryer veprën penale “Vrasja e Rëndë” e mbetur në tentativë.

    Po ashtu, i pandehuri E.K., deri me datë 12.02.2025 në Prizren ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën.

    “I pandehuri V.H., në vend dhe kohë të njëjtë, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin E.K. I njëjti, në momentin kur vëren se nga të shtënat që kishte shkrepur E.K., goditet i dëmtuari A.H.(1), dhe A.H.(2), nxjerrë pistoletën e tij të llojit “Sig Sauer” 9x19mm dhe shtie disa herë në drejtim të të dëmtuarit E.K”, thuhet në njoftim.

    I pandehuri A.H. deri me datë 29.01.2025 në Prizren ka mbajtur në pronësi dhe posedim një pistoletë.

    Po ashtu, në momentin kur ka ndodhur rasti me të pandehurin E.K., i pandehuri A.H e nxjerrë armën nga brezi dhe me të njëjtën ka shkrepur gjashtë herë.

    Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” sipas KPRK-së.

    “I pandehuri A.H.(2), deri me datë 29.01.2025 në Prizren, në kundërshtim me Ligjin për Armët të Republikës së Kosovës, ka mbajtur në pronësi dhe posedim armën, një pistoletë e llojit “TT” me 7 fishekë në karikator, të cilën armë e ka mbajt në brez në momentin kur ka ndodhur rasti me të pandehurin E.K., i pandehuri A.H.(2), e nxjerrë armën nga brezi dhe në momentin kur rrëzohet për toke shkrepë armën njëherë”, thuhet në njoftim.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./KosovaPress

  • ​Kurti fajëson komunat që nuk aplikuan për banim të përballueshëm dhe social

    ​Kurti fajëson komunat që nuk aplikuan për banim të përballueshëm dhe social

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka fajësuar komunat që nuk kanë aplikuar për banim të përballueshëm dhe social, duke thënë se është për të ardhur keq për shkak se çiftet e reja, prindërit vet ushqyes.

    Kurti i bëri këto komente pas vendosjes së gurthemeli për ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm në Podujevë, ku është pyetur edhe për bllokadën në Kuvendin e Kosovës.

    “Prej 38 komunave vetëm 13 kanë aplikuar për banim të përballueshëm dhe social, është për të ardhur keq për arsye se qiftet e reja, prindërit vet ushqyes, kanë nevojë për banim të përballueshëm dhe social. Me këtë rast ne po dëshmojmë se më e madhe është oferta e Qeverisë se sa kërkesa e komunave, i bije që përafërsisht prej tri komunave, vetëm njëra aplikon për banim të banueshëm dhe social dhe dy prej tyre nuk e bëjnë këtë gjë. Fatmirësisht Podujeva e ka bërë aplikimin dhe tash po e fillon realizimin, e për ato çështje të tjera të bllokimeve, janë në Prishtinë, ne jemi për ndërtime këtu”, tha Kurti.

    Fillimin e këtij projekti, kryeministri në detyrë, Albin Kuri e konsideroi lajm të gëzueshëm për llapjanët.

    “Në këto dy lote apo ndërtesa do të ketë në njërën prej tyre 70 njësi, ndërsa në tjetri 63 njëri pra gjithsej 133 njësi banimi prej të cilave 106 janë për banim të përballueshëm, ndërsa, 27 janë për banim social. Katër lloje të banesave do të jenë banesa 53 metra katror, 66 metra katror, 77 metra kaltëror, 87 metra kaltëror me ç’rast më shumë se gjysma 53% do të jenë këso 77 metra kaltëror”, tha Kurti.

    Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi tha se banimi i përballueshëm është ndër projektet më të mëdha që po zhvillohen në këtë komunë.

    Ndërsa, zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Jeton Raka tha se për këtë projekt nga 38 komunat e Kosovës kanë aplikuar vetëm 13 prej tyre. Sipas tij, kjo është papërgjegjësi e disa udhëheqësve komuna të cilat banorët e të atyre komunave po ua mohojnë të drejtën e banimit.

    Projekti për banim të përballueshëm tashmë ka nisur edhe në komunën e Gjilanit dhe atë të Istogut. Ky projekt është bashkëfinancim në mes të komunës dhe Ministrisë së Infrastrukturës.

    Përfituesit do të përcaktohen sipas kritereve të parapara në legjislacionin në fuqi

    Mundësi përfitimi do kenë qiftet e reja ku mosha e njëri nga çifti duhet të jenë nën moshën 37 vjeçare.

    Po ashtu, përfitues do të jenë edhe familjet më të ardhura ta ulëta deri të të ardhurat e mesme, si dhe grupet e cenueshme . /kp

  • Trupat ruse vendosen pranë kufirit të Finlandës

    Trupat ruse vendosen pranë kufirit të Finlandës

    Finlanda mund te jete fronti i ri i agresionit rus. Ky është alarmi që kanë ngritur mediat amerikane. Në bazë të disa imazheve satelitore, të bërë publike nga New York Times, rezulton se forcat ruse kanë përforcuar bazat dhe kanë ndërtuar infrastrukturë ushtarake pranë kufirit finlandez, një lëvizje që mund të zbulojë strategjinë e tyre për atë që do të ndodhë pas luftës në Ukrainë.

    Imazhet, të konfirmuara nga zyrtarët e NATO-s, tregojnë radhë pas radhe tenda të reja; depo të reja që mund të ruajnë automjete ushtarake; rinovime të strehimoreve të avionëve luftarakë; dhe aktivitet të vazhdueshëm ndërtimi në një bazë helikopterësh që kishte qenë kryesisht e papërdorur dhe e mbuluar me bimësi.

    Deri më tani, lëvizjet duket se janë fazat e hershme të një zgjerimi më të madh dhe afatgjatë, dhe zyrtarët e NATO-s thonë se kjo nuk është aspak si grumbullimi përgjatë kufirit të Ukrainës para pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në vitin 2022, thekson New York Times. Për momentin, Rusia, e preokupuar me luftën e saj në Ukrainë, ka shumë pak trupa përgjatë kufirit, dhe finlandezët këmbëngulin se asnjë nga këto nuk përbën ndonjë kërcënim të madh ende.

    Finlanda është një nga anëtarët më të rinj të NATO-s, duke u bashkuar dy vjet më parë, dhe lëvizjet pa dyshim pasqyrojnë perceptimin e Moskës për një kërcënim: Ky kufi prej 830 miljesh është tani vija më e gjatë e kontaktit të aleancës perëndimore me Rusinë. Analistët ushtarakë parashikojnë se mund të bëhet një pikë e nxehtë, veçanërisht me pjesën më të madhe të saj që ndodhet në Rrethin Arktik gjithnjë e më të kontestuar.

    Trupat amerikane dhe finlandeze zhvilluan së fundmi një stërvitje të ndërlikuar lufte në Arktik në këtë rajon, me qindra trupa që vraponin nëpër pyje dhe finlandezët që ecnin me shpejtësi nëpër pemë me ski në terren të hapur. Armiku i supozuar? Rusia.

    Zyrtarët finlandezë të mbrojtjes parashikojnë se nëse faza me intensitet të lartë e luftës në Ukrainë mbaron, Rusia do të rivendosë mijëra trupa në kufirin finlandez. Finlandezët mendojnë se kanë rreth pesë vjet kohë para se Rusia të mund t’i rrisë forcat e saj në nivele kërcënuese. Por ata janë të bindur se kjo do të ndodhë dhe se numri i trupave ruse që do të përballen me ta do të trefishohet.

  • ​Tregjet evropiane me rritje, ato aziatike me rezultate të përziera

    ​Tregjet evropiane me rritje, ato aziatike me rezultate të përziera

    Tregjet evropiane kanë nisur ditën në territor pozitiv, të udhëhequra nga Frankfurt (+0.29%), Parisi dhe Londra (+0.21%), në një kohë kur investitorët po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në ekonominë amerikane pas vendimit të Moody’s për të ulur vlerësimin e kreditit të SHBA-së, shkruan ANSA.

    Në fokus mbesin edhe bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës për një zgjidhje të mundshme të konfliktit. Vëmendja po ashtu është e përqendruar në politikën tregtare të Shteteve të Bashkuara, ndërsa priten lëvizje të reja lidhur me tarifat që parashikohen për Evropën.

    Ndërkohë, tregjet aziatike mbyllën sesionin me rezultate të përziera: Hong Kongu në rritje me +1.5%, Shanghai +0.6% dhe Shenzhen +0.8%. Në anën tjetër, Seuli u dobësua lehtë me -0.06%, ndërsa Mumbai ra me -0.3%. Lëvizje minimale pati në Tokio, ku indeksi u rrit në +0.08%.

    Në tregun valutor, jeni japonez ka ndalur fazën e forcimit ndaj dollarit dhe euros, duke u tregtuar përkatësisht në 144.46 kundrejt dollarit dhe 162.61 ndaj euros.

    Në tregun e obligacioneve, kthimi i bonove 30-vjeçare japoneze u rrit me gjashtëmbëdhjetë pikë bazë, duke arritur në 3.12% – niveli më i lartë që nga viti 1999.

    Sesioni i sotëm karakterizohet nga mungesa e të dhënave makroekonomike, por pritet një sërë deklaratash nga zyrtarë të Bankës Qendrore Evropiane dhe Rezervës Federale të SHBA-së.

  • Kurti pyetet për bllokadën në Kuvend, flet për një objekt banimi

    Kurti pyetet për bllokadën në Kuvend, flet për një objekt banimi

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sërish ka refuzuar të përgjigjet për konsituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Kurti mori pjesë në nisjen e ndërtimeve të objekteve për banim të përballueshëm. Aty u pyet në lidhje me takimin me presidenten Vjosa Osmani dhe nëse ndjehet përgjegjës lidhur me ngërçin politik.

    “Për ato çështjet tjera të bllokimeve janë në Prishtinë, ne jemi për ndërtim këtu”, deklaroi Kurti.

    Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet as dje në përpjekjen e tetëmbëdhjetë. Seanca u ndërpre dhe vazhdimi i saj do të bëhet nesër në orën 11:00. /kp

  • ​Plani i Rritjes, qeveria në detyrë thotë se s’ka kthim në pikën zero

    ​Plani i Rritjes, qeveria në detyrë thotë se s’ka kthim në pikën zero

    Negocimi i marrëveshjes së Kosovës me Bashkimin Evropian në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor nuk mund të kthehet në pikën zero, pavarësisht vonesave për ratifikimin e saj në parlament, thonë në qeverinë në detyrë. Në anën tjetër, në bllok deklarojnë se po presin ratifikimin e marrëveshjes në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të disbursojnë mjetet e para-financimit prej 61 milionë eurosh.

    Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani. Kjo situatë, sipas njohësve të integrimeve evropiane, nëse vazhdon edhe më tutje, do të rrezikojë marrjen e këtyre fondeve.

    Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese. Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882.6 milionë euro fonde të BE-së. Nga kjo shumë totale, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë eurosh janë hua afatgjata.

    Vonesat në marrjen e këtyre mjeteve, sipas Klisman Kadiut, këshilltar i zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi, po ndodhin “si pasojë e bllokimit nga opozita” të rrugës për formimin e institucioneve, e cila, siç thotë ai, ka një dëm të dukshëm për marrjen e fondeve dhe avancimin e reformave të integrimit evropian.

    “Nuk bëhet fjalë për kthim në pikën zero, por për një dëm të dukshëm dhe bllokues të vijimësisë në marrjen e fondeve dhe avancimin në zbatimin e reformave, që po vjen si pasojë e bllokimit nga opozita të rrugës për formimin e institucioneve të reja. Mesa duket për ta, interesat personale dhe partiake janë më të rëndësishme sesa interesat shtetërore dhe krijimi i institucioneve të reja, që do sillte edhe marrjen e para-financimit në vlerën 7% apo 61,2 milionë euro nga shuma totale prej 882,6 milionë euro që do të përfitojë Kosova nga Bashkimi Evropian përmes Planit të Rritjes për 3 vitet e ardhshme”, thotë Kadiu në një përgjigje për KosovaPress.

    Ndërkaq, në Bashkimin Evropian nuk treguan për KosovaPress se – nëse vazhdon vonesa nga ana e Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për Planin e Rritjes – a mund të rikthehet në pikën zero negocimi i saj.

    Megjithatë, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, thotë për KosovaPress se në rastin e Kosovës janë në fazën përfundimtare të hapave procedurale, të cilët pritet të mundësojnë disbursimin e parave paraprake sa më shpejt në vitin 2025.

    “Komisioni e ka vlerësuar Agjendën e Reformës dhe ka konkluduar se ajo është në përputhje me objektivat dhe kërkesat e Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Agjenda e Reformës u miratua më 23 tetor 2024 përmes një Vendimi Zbatues të Komisionit, pas një opinioni pozitiv nga Shtetet Anëtare. Kosova ka kërkuar lirimin e parave paraprake deri në 7% të shumës totale të parashikuar në kuadër të këtij Mekanizmi. Aktualisht, Komisioni dhe Kosova janë në fazën përfundimtare të hapave procedurale, të cilët pritet të mundësojnë disbursimin e parave paraprake sa më shpejt në vitin 2025, në pritje të përfundimit të procesit të ratifikimit nga ana e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e saj për KosovaPress.

    Për shkak të kësaj situate, por edhe nevojave të brendshme, sipas analistit politik Dorajet Imeri, themelimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, është urgjencë.

    “Konstituimi i institucioneve të Kosovës, fillimisht Kuvendi dhe më pas qeveria, nuk është vetëm një urgjencë e brendshme, por edhe në veçanti me raportet me partnerët strategjikë dhe Bashkimin Evropian. Ka miliona euro që janë në pritje të zotimeve që Kosova mund të marrë dhe kjo nuk mund të bëhet pa konstituimin e Kuvendit. Është shumë e rëndësishme për Kosovën që sa më parë që të jetë e mundur të konstituojë Kuvendin dhe të formojë qeverinë, në mënyrë që Kosova t’i japë përgjigje BE-së dhe nevojave të qytetarëve”, deklaron ai.

    Qeveria e Kosovës ka negociuar dhe aprovuar që në tetor të vitit të kaluar Agjendën e Reformave me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes dhe si e tillë ajo është aprovuar si vendim edhe nga Komisioni Evropian.

    Në hapat e radhës, janë dy marrëveshje që duhet të ratifikohen nga Kuvendi. E para është marrëveshja për Instrumentin e Planit të Rritjes, e cila është nënshkruar nga qeveria dhe Komisioni Evropian dhe është dërguar në Kuvend që në dhjetor 2024. E dyta është ajo për ratifikimin e marrëveshjes për hua.

    Konstituimi i Kuvendit ka ngecur, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. Partitë që deri më tash ishin në opozitë po kërkojnë një kandidat tjetër, pasi sipas tyre, Albulena Haxhiu është një emër i papranueshëm./KP

  • Tragjedi rrugore, dy gra vdesin pas aksidentit në Fushë Kosovë

    Tragjedi rrugore, dy gra vdesin pas aksidentit në Fushë Kosovë

    Policia e Kosovës ka raportuar për një vetaksident trafiku që ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku ka qenë e përfshirë një veturë e drejtuar nga një femër kosovare.

    Shoferja dhe pasagjerja, të dyja shtetase të Kosovës, janë dërguar me urgjencë në QKUK, ku mjekët kanë konstatuar se ato kanë ndërruar jetë.

    Me vendim të prokurorit, trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.
    Rasti është në procedurë hetimore.

  • Kallas vjen në Beograd, në tryezë dy tema – marrëdhëniet me Rusinë dhe Kosova

    Kallas vjen në Beograd, në tryezë dy tema – marrëdhëniet me Rusinë dhe Kosova

    Pas më shumë se një muaji nga vizita në Ballkanin Perëndimor, gjatë së cilës e anashkaloi Beogradin dhe Prishtinën, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, këtë javë mbërrin në kryeqytetin serb. Analistët vlerësojnë se gjatë bisedimeve me zyrtarët serbë, dy tema do të jenë në qendër të vëmendjes – marrëdhëniet me Rusinë dhe marrëdhëniet me Kosovën, shkruan gazeta serbe “Blic”.

    Igor Novakoviq, drejtor i kërkimeve në Fondin ISAC në Beograd, ka thënë se këto tema do të jenë të njëjtës peshë me ato që kanë adresuar komisionerja evropiane për zgjerim, Marta Kos, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe se duhet pasur parasysh se këto dy çështje janë shumë të rëndësishme për Kallas.

    Tema e parë është qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe rrjedhimisht edhe pozicionimi i Serbisë në kontekstin e sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Federatës Ruse, si dhe qëndrimi i Serbisë ndaj Ukrainës. Tema e dytë është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Paparaci.

    “Dëgjohen zëra se Kallas është më e interesuar për temën e dialogut sesa përfaqësuesi i mëparshëm. Këtu lind pyetja për qëndrimin e saj dhe se si do të funksionojë kjo në koordinim me përfaqësuesin special për dialogun, z. Peter Sorensen”, ka thënë Novakoviq.

    Pikërisht për këtë temë, Kaja Kallas u shpreh tre ditë më parë në Tiranë, para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian. E pyetur nga gazetarët se çfarë pret nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, ajo kujtoi se BE ka emëruar para disa muajsh përfaqësuesin e ri special për dialogun, Peter Sorensen.

    “Sigurisht, pres normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë ajo para samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë.

    Strahinja Subotiq nga Qendra serbe për Politikat Evropiane ka theksuar se nuk duhet harruar që shefja e re e diplomacisë së BE-së vjen nga Estonia.

    “Ajo me siguri do të hapë çështjen ruse, pasi tashmë ka paralajmëruar se BE-ja nuk e aprovon pjesëmarrjen në paradën në Moskë më 9 maj. Përveç kësaj, ajo do të flasë edhe për detyrimet ndaj Kosovës, duke qenë se pritet që deri atëherë situata politike në Kosovë të stabilizohet”, ka thënë Subotiq, përcjell Paparaci.

    Sipas tij, për Kallas, çdo bashkëpunim me Rusinë është një “vijë e kuqe”.

    “Pikërisht për këtë arsye ajo ka marrë reagime të ashpra nga Viktor Orban dhe Robert Fico, të cilët kanë pretenduar se Kallas “nuk ka mandat” për t’ua lidhur duart vendeve anëtare në politikën e jashtme,” ka thënë Subotiq.

    Branka Llatinoviq, ish-ambasadore në OSBE, pret që vizita e Kaja Kallas në Beograd të sjellë tre tema kryesore, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, rruga evropiane e Serbisë dhe reformat që lidhen me këtë rrugë.

    Sipas burimeve jozyrtare, Kallas mbërrin në Beograd nesër në mbrëmje, ndërsa programi zyrtar i vizitës fillon më 22 maj.

  • Rubio: SHBA-ja është për paqe, Europa po mbështet luftën

    Rubio: SHBA-ja është për paqe, Europa po mbështet luftën

    Marrëdhëniet ndërkombëtare po përjetojnë një kthesë të pazakontë, sipas Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i cili deklaroi se për herë të parë në dekada, është Amerika ajo që po bën thirrje për paqe, ndërsa disa vende evropiane po mbështesin qasjen e përshkallëzimit ushtarak.

    Duke folur në Eventin e Bordit në Qendrën Kennedy, Rubio tha: “U them njerëzve se kemi një president paqeje – Donald Trump. Madje, një nga kardinalët me të cilët u takova një ditë para meshës papnore më tha: ‘Është shumë e pazakontë për ne. Kemi një president amerikan që dëshiron paqe dhe disa evropianë që flasin vazhdimisht për të bërë gjëra lufte.’ Pra, bota është paksa përmbys në mendjet e tyre tani. Dhe zakonisht është e kundërta.”

    Rubio vuri në dukje se fokusi i administratës Trump është ndalimi i konflikteve të mëdha të armatosura, përfshirë luftën në Ukrainë, dhe arritja e zgjidhjeve diplomatike sa më shpejt që të jetë e mundur. Ai theksoi se SHBA-të po bëjnë investime të mëdha në mbrojtje dhe siguri, por objektivi final është që këto mjete financiare të ridrejtohen drejt zhvillimit ekonomik dhe sektorit publik.

    “Ne po forcojmë sigurinë tonë, por një Amerikë pa konflikte do të thotë që mund të investojmë më shumë në arsim, infrastrukturë dhe shëndetësi,” tha Rubio.

    Rubio shprehu shqetësimin se retorika e përshkallëzimit nga disa liderë evropianë mund të çojë në pasoja të paparashikuara.

    Zyrtari i lartë amerikan përmendi gjithashtu se një rikonfigurim i rolit tradicional të SHBA-ve si aktor dominues në konfliktet globale është tashmë i dukshëm: “Presidenti Trump nuk dëshiron luftë – ai dëshiron marrëveshje dhe stabilitet”.

  • Profesori i Kolegjit AAB Naim Telaku promovon librin “Aetos”

    Profesori i Kolegjit AAB Naim Telaku promovon librin “Aetos”

    Dje në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB është bërë promovimi i librit nga profesori i Fakultetit të Psikologjisë Naim Telaku.

    Në promovim morën pjesë kolegët, miqtë dhe të afërmit e profesorit Telaku, të cilët uruan atë për këtë ngjarje.

    Në fjalën hyrëse të tij, poeti i njohur dhe njëherazi profesori Lulzim Tafa, ndau përshtypjet e tij mbi librin, ndërsa tha se e rekomandon të lexohet për shkak të peshës që ka në fushën e psikologjisë.

    Në një panel të përbërë nga psikologu Fitim Uka, profesorët Xhavit Rexhaj dhe Fadil Hysaj, libri “Aetos” mori komente tejet pozitive dhe vlerësime të larta. Ata thanë se libri shërben si një udhëzues për ta njohur mendjen dhe veten tonë, andaj temat që trajtohen i përkasin përditshmërisë dhe kjo e bën edhe më të veçantë.

    Autori i librit “Aetos”, profesori Naim Telaku, falënderoi të gjithë të pranishmit ndërsa tha se shpreson që libri të ketë ndikimin e duhur kudo në shoqëri dhe tek të gjithë lexuesit.