ATV

Author: ATVLive

  • BE-ja dhe Britania miratojnë sanksione të reja kundër Rusisë

    BE-ja dhe Britania miratojnë sanksione të reja kundër Rusisë

    Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë miratuar sanksione të reja kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

    Sanksionet e Bashkimit Evropian janë të përqendruara te “flota në hije” e anijeve transportuese të naftës, shkelja e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet hibride, tha kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, raporton gazeta “The Guardian”.

    Në rrjetin X, zyrtarja e lartë evropiane shkroi: “BE-ja e ka miratuar pakon e saj të 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke vënë në shënjestër gati 200 anije të flotës në hije. Masat e reja gjithashtu i adresojnë kërcënimet hibride dhe të drejtat e njeriut.”

    Shefja e politikës së jashtme të BE-së paralajmëroi se blloku është duke shqyrtuar edhe sanksione të tjera. “Më shumë sanksione janë në procedurë. Sa më gjatë që Rusia e vazhdon luftën, aq më e fortë kundërpërgjigjja jonë” – shkroi ajo.

    Qeveria britanike, ndërkohë, njoftoi 100 sanksione të reja kundër Rusisë. Këtu përfshihen ushtria ruse, sektorët financiarë dhe të energjisë dhe ata që po e kryejnë “luftën e Putinit me informata kundër Ukrainës”.

    Në njoftimin për shtyp thuhet se Britania dhe partnerët e saj “gjithashtu janë duke punuar për ta shtrënguar tavanin e çmimit të naftës, duke i kufizuar më tej të hyrat jetike nga karburantet për makinerinë luftarake të Putinit”.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë se po mundohet që të blejë kohë për ta vazhduar luftën. Mendim të njëjtë pati edhe ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius./Nacionale

  • ​Zgjedhjet në Shqipëri, përfundon numërimi i votave nga jashtë

    ​Zgjedhjet në Shqipëri, përfundon numërimi i votave nga jashtë

    Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, bëri me dije sot se ka përfunduar, procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për kandidatët e votimit preferencial në listë të hapur në 12 qarqet e vendit.

    Sipas Celibashit, numërimi për kandidatët preferencial në votimin nga jashtë ka përfunduar në Kukës, Shkodër, Dibër, Durrës, Fier, Tiranë, Berat, Lezhë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan.

    Numërimi i votave të diasporës ka përfunduar po ashtu edhe për subjektet politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

    Nga 246 mijë votues të regjistruar në platformën elektronike PER, më shumë se 200 mijë votues kthyen zarfet me fletët e votimit për subjektet politike dhe kandidatët e votimit preferencial.

  • BE-ja bie dakord për heqjen e të gjitha sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë

    BE-ja bie dakord për heqjen e të gjitha sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë

    Vendet e BE-së kanë dhënë dritën e gjelbër për heqjen e të gjitha sanksioneve ekonomike ndaj Sirisë, në një përpjekje për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta të rimëkëmbet pas rrëzimit të Bashar al-Assadit.

    Ambasadorët e 27 shteteve anëtare të BE-së arritën një marrëveshje paraprake mbi këtë veprim, i cili duhet të bëhet zyrtar më vonë gjatë ditës nga takimi i ministrave të jashtëm në Bruksel, thanë diplomatët.

    Vendimi i Bashkimit Evropian vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi javën e kaluar se Uashingtoni po i heqë sanksionet kundër Sirisë.

    Diplomatët e BE-së thanë se vendimi i ri duhet të përfshijë heqjen e sanksioneve që i përjashtojnë bankat siriane nga sistemi global dhe ngrirjen e aseteve të bankës qendrore siriane.

    Megjithatë, diplomatët thanë se blloku synonte të vendoste sanksione të reja individuale ndaj atyre që janë përgjegjës për nxitjen e tensioneve etnike, pas sulmeve vdekjeprurëse që synonin pakicën alevite në Siri.

    Lëvizja e fundit e BE-së vjen pasi ajo ndërmori hapin e parë në shkurt duke pezulluar disa sanksione mbi sektorët kryesorë ekonomikë sirianë.

    Zyrtarët thanë se masat mund të rivendosen nëse udhëheqësit e rinj të Sirisë shkelin premtimet për të respektuar të drejtat e pakicave dhe për të ecur drejt demokracisë.

  • Kompania Ibër-Lepenc hyn në një objekt që ishte uzurpua te Ujmani

    Kompania Ibër-Lepenc hyn në një objekt që ishte uzurpua te Ujmani

    Punëtorët e kompanisë Ibër-Lepenc kanë hynë në një objekt i cili konsiderohet si pronë e tyre e ku qëndronte Kryqi i Kuq, në liqenin e Ujmanit, në Komunën e Zubin-Potokut.

    Aty ka asistuar edhe Policia e Kosovës.

    Këtë e konfirmoi zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

    ” Kemi asistuar Ibër Lepencin për të hyrë në një objekt në Ujman”, tha Elshani.

    Pjesëtarë të Policisë së Kosovës hynë sot në objektin e Kryqit të Kuq në liqenin e Ujmanit, në Komunën e Zubin-Potokut. Këtë e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

  • ​OBSH miraton Marrëveshjen për pandemitë

    ​OBSH miraton Marrëveshjen për pandemitë

    Në një vendim historik, shtetet anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë miratuan sot me konsensus Marrëveshjen e parë globale për Pandemitë, gjatë Asamblesë së 78-të Botërore të Shëndetësisë.

    Organizata e bëri të ditur në faqen e tyre zyrtare se kjo marrëveshje është rezultat i më shumë se tre viteve negociatash, të nisura si përgjigje ndaj ndikimeve të mëdha të pandemisë COVID-19.

    “Marrëveshja për Pandemitë është një fitore për shëndetin publik, shkencën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

    “Ajo synon të bëjë botën më të sigurt dhe më të barabartë në përballje me pandemitë e ardhshme”.

    Marrëveshja përcakton parimet dhe mjetet për bashkëpunim ndërkombëtar në parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj pandemive – përfshirë qasjen e barabartë dhe të shpejtë në vaksina, terapi dhe diagnostikime.

    Presidenti i Asamblesë, Teodoro Herbosa theksoi se tani që marrëveshja është miratuar, është thelbësore zbatimi i saj, sidomos për të siguruar qasje të drejtë në produktet shëndetësore për të gjitha vendet.

    Marrëveshja garanton se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk do të ketë autoritet për të imponuar masa në nivel kombëtar, si ndalime udhëtimesh, detyrim vaksinimi apo mbyllje.

    Në fazën e ardhshme, do të zhvillohet një sistem për Shkëmbimin e Patogjenëve dhe Përfitimeve, si dhe do të krijohen mekanizma për financim dhe rrjet logjistik për të siguruar shpërndarje të drejtë të produkteve shëndetësore gjatë emergjencave.

    Marrëveshja do të hyjë në fuqi pasi të ratifikohet nga 60 shtete.

    Ky është akti i dytë ligjor ndërkombëtar i OBSH-së sipas Kushtetutës së saj, pas Konventës për Kontrollin e Duhanit, e cila u miratua në vitin 2003 dhe hyri në fuqi në vitin 2005.

  • ​Nesër mund të mësohet kampioni i ri i Kosovës në basketboll

    ​Nesër mund të mësohet kampioni i ri i Kosovës në basketboll

    Finalet e “Play-off”-it të ProCredit Superligës po dhurojnë emocione të jashtëzakonshme, me atmosferë fantastike dhe ndeshje të bukura në parket. Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe luftohet deri në sekondën e fundit për çdo top.

    Seria finale e “Play-off”-it zhvendoset në Mitrovicë, ku përballen Trepça dhe Bashkimi, dy skuadrat që ishin renditur në dy pozitat e para në garat e rregullta, shkruan Kosovapress. Seria finale është 3:2 për ‘Xehetarët’.

    Nëse fiton Trepça, atëherë do të mbrojë titullin e kampionit, ndërsa Portokallezinjtë luftojnë për fitore për të barazuar serinë finale në 3:3, në mënyrë që finalja vendimtare të jetë të dielën në Prizren.

    Ndeshjen e parë e fituan prizrenasit 84:77, e më pas fituan tri takime radhazi mitrovicasit 79:72, 71:88 dhe 80:74, ndërsa sfidën e fundit Portokallezinjtë 85:77.

    Këto dy skuadra u përballën katër herë në edicionin e rregullt me nga dy fitore secila skuadër, e po ashtu ishin përballen edhe në finalen e Kupës, ku triumfuan ‘Xehetarët’.

    Ndeshja zhvillohet të mërkurën në Palestrën ‘Minatori’ nga ora 19:00

  • ​Bajrami akuzon LVV-në se janë kundër çdo biznesi vendor dhe në përkrahje të mafies energjetike

    ​Bajrami akuzon LVV-në se janë kundër çdo biznesi vendor dhe në përkrahje të mafies energjetike

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka komentuar takimin e përfaqësuesve të bizneseve për kabinetin qeveritar në detyrë, duke thënë se janë deputet injorant.

    Ajo ka shkruar në Facebook se nga “duaje tënden” në “shkatërro tënden dhe blej nga importi”, metamorfozë si kjo e LVV-së nuk e njeh historia e re politike e Kosovës.

    Postimi i plotë:

    Dje, disa prej deputetëve të VV-së në Qeveri kishin mbledhur odat dhe shoqatat e biznesit kinse për të dëgjuar brengat e tyre lidhur me liberalizimin e tregut të energjisë, proces ky që po u rrit faturat deri në 260% për rreth 1300 biznese.

    A e dini cila është kërkesa e bizneseve? Kërkesa është që vendimi për liberalizim të tregut të energjisë të shtyhet për një vit – kaq.

    Por, në vend që një kërkesë e tillë të merrej parasysh, ata që ende e quajnë veten ministra paskan thënë se këto biznese do t’i ndihmojnë duke ua subvencionu izolimin e ndërtesave. Merreni me mend: një metal përpunuesi te i cili rryma është 30% e kostos së prodhimit, këta i thonë ta izolojmë ndërtesën dhe të ndihmojnë me vokë ujin. Kaq dinë këta ose kaq mund të thonë, pasi veç prioritet prodhimin vendor nuk e kanë.

    A e dini se si justifikohen për tregtarët, Qeveria thonë “nuk iu subvencion energjinë korporatave që fitojnë qindra miliona euro”. Si injorantë që janë, këta nuk marrin parasysh faktin se ata prapë do të fitojnë qindra miliona euro, por kostot shtesë do t’i paguajnë qytetarët e vendit, ata me të ardhurat më të vogla, sepse çmimet do të rriten – e do të rriten çmimet e produkteve që shiten më së shumti – do të rriten çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm, por as për qytetarët këta nuk mërziten.

    Me hy dhe me i analizu të dhënat e tregtimit të energjisë, çdo kush e kupton se këto politika janë krejt në favor të “mafies energjetike”, për të cilën deputeti Albin Kurti ka folur para se të bëhej kryeministër. Qysh atëherë, deputeti Kurti, si inteligjent që është, e ka ditur në tërësi rrjetin e tyre dhe mënyrën e funksionimit.

    Nga “duaje tënden” në “shkatërro tënden dhe blej nga importi”, metamorfozë si kjo e LVV-së nuk e njeh historia e re politike e Kosovës. Erdhën në pushtet duke rrokullisur kamionë me mallra nga Serbia, hoqën dorë nga pushteti sepse nuk pranonin të hiqej taksa 100% për produktet serbe, e vendosur në kohën kur ishte kryeministër Ramush Haradinaj. Pas më shumë se katër viteve në pushtet, sot janë kundër çdo biznesi vendor dhe në përkrahje të mafies energjetike.

    Kosova ka deficit tregtar rreth 38 miliardë euro për vitet 2001 – 2021 dhe i ka 19 miliardë deficit vetëm gjatë qeverisjes së Kurtit. Deputeti Kurti ka shpërndarë qindra miliona të buxhetit për të blerë paqe sociale e vota, por asnjë veprim nuk ka ndërmarrë për ta ndihmuar ekonominë e këtij vendi, e cila do të ndihmonte mirëqenien e secilit qytetar.

    Shënim:

    Nesër në ora 14:00, ne i kemi ftuar shoqatat e biznesit, ZRRE-në, Autoritetin e Konkurrencës dhe KESCO-n për të argumentuar se tash për tash nuk mund të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë pa konkurrencë në treg, për keqinterpretimin e nenit 37 të Ligjit për Energji Elektrike dhe për t’u zotuar si deputetë se për aq sa është në kompetencën tonë, ne do të merremi seriozisht me këtë çështje. Nëse ka ndonjë shoqatë që s’ka marrë ftesë dhe anëtarët e tyre ndikohen nga ky proces! Jeni të mirëseardhur!

  • ​Serbi, themelohet “Fronti serbo-rus”

    ​Serbi, themelohet “Fronti serbo-rus”

    Një parti tjetër e pakicës kombëtare ruse, e dhjeta në radhë, u regjistrua në regjistrin e partive politike të Serbisë. Po flasim për frontin serbo-rus, dhe përfaqësuesi ligjor është Dobrosav Mariq, një njeri që deri në mars të këtij viti ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Partisë Popullore Serbe të ministrit Nenad Popoviq.

    Nga rruga, ai ka qenë drejtor i degës së Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Beograd për shumë vite, dhe deri vonë ishte edhe anëtar i Bordit Mbikëqyrës të “Taqka kljujanja”, një kompani e themeluar nga Qeveria e Serbisë me rusët dhe në të cilën vendi ynë ka 80 përqind të aksioneve.

    Që kur Partia Progresive Serbe erdhi në pushtet, janë themeluar tetë nga gjithsej 10 parti që supozohet se përfaqësojnë interesat e pakicës kombëtare ruse dhe në shumicën e rasteve nuk kanë pika kontakti me rusët. Vetë përmendja e partisë ruse shkakton dyshime te një pjesë e publikut serb, sepse në jo pak raste është treguar se ata janë satelitë të qeverisë, e cila madje mund të jetë ajo që përcakton fituesin në zgjedhje. Kështu ishte edhe vitin e kaluar në Nish, por më shumë për këtë më vonë,shkruan Nova.rs.

    Partia e re Fronti Serbo-Rus u themelua më 3 prill të këtij viti në Beograd, në adresën Svetozar Miletiqa 8A, në Beograd.

  • ​Bashkimi Evropian ushtron presion mbi SHBA-në pas bisedës Trump-Putin

    ​Bashkimi Evropian ushtron presion mbi SHBA-në pas bisedës Trump-Putin

    Bashkimi Evropian po shton presion mbi Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas një bisedë telefonike dyorëshe mes ish-presidentit Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin, gjatë të cilës Putin shprehu gatishmërinë për një armëpushim, por pa përcaktuar një afat të qartë, duke thënë se nuk do të ishte tani, dhe as brenda 30 ditëve.

    Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, theksoi se Putini “nuk është serioz për paqe” dhe nënvizoi se është më e rëndësishme se kurrë që Bashkimi Evropian të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për Ukrainën. Ai shtoi gjithashtu se duhet të ashpërsohen sanksionet ndaj Rusisë për të shmangur veprimet e mëtejshme të saj pa pasoja, sipas ANSA.

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se SHBA-ja ka paralajmëruar për “reagime të forta dhe pasoja nëse nuk arrihet një armëpushim”, dhe se tani Bashkimi Evropian pret të shohë këto pasoja të vihen në praktikë.

    Trump njoftoi se Ukraina dhe Rusia do të fillojnë negociatat për një armëpushim, por pa dhënë detaje të tjera mbi kohën dhe kushtet. Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi se kontaktet mes palëve janë rivendosur dhe se këto kontakte janë duke u zhvilluar, transmeton KP.

    Ai shtoi se nuk është marrë ende një vendim për vendin ku mund të zhvillohen negociatat, duke përmendur edhe ofertën e Vatikanit për të pritur bisedimet. Peskov theksoi se negociatat janë në fazën e shkëmbimit të projekt-dokumenteve dhe se nuk ka afate të caktuara për arritjen e një memorandumi, pasi palët do të duhet të punojnë më tej për të krijuar një tekst të përbashkët.

  • Trump sugjeron se diagnoza e kancerit të Bidenit u mbajt e fshehur nga publiku

    Trump sugjeron se diagnoza e kancerit të Bidenit u mbajt e fshehur nga publiku

    Presidenti amerikan, Donald Trump komentoi dje në Fox News diagnozën e kancerit të prostatës të ish-Presidentit Joe Biden, duke shprehur ngushëllime, por gjithashtu duke deklaruar se e gjithë situata duhet të sqarohet. Ekipi i Bidenit njoftoi të dielën pasdite se ish-presidenti i ishte nënshtruar analizave për shkak të problemeve në rritje me urinimin dhe mjekët zbuluan kancer në prostatë.

    “Trump e quajti lajmin “vërtet të trishtueshëm” para gazetarëve dje pasdite.

    Trump iu referua përsëri asaj që ai e quan rënie njohëse të Bidenit gjatë mandatit të tij, duke thënë se “të gjithë ata që kandidojnë për president duhet të bëjnë një test njohës”.

    “Ata thonë se është jokushtetuese. Por në këtë rast të veçantë, mendoj se një test i aftësive njohëse nuk do të ishte diçka e keqe”, tha Trump. Ai gjithashtu sugjeroi që publiku nuk ishte informuar në kohën e duhur për gjendjen shëndetësore të Bidenit dhe bëri thirrje për një hetim.

    “Mendoj se dikush duhet të flasë me mjekun ose mjekët e tij,” tha Trump.

    “Pse nuk u fol fare për aftësitë njohëse? Dhe për aq sa mbaj mend, mjeku tha se gjithçka ishte në rregull. Dhe tani rezulton se nuk ishte. Kjo është shumë e rrezikshme.”

    Ai përfundoi duke thënë se diagnoza e kancerit ishte “një situatë shumë, shumë e trishtueshme” dhe shtoi se i vinte “shumë keq për këtë”.

    “Mendoj se njerëzit duhet të përpiqen të zbulojnë se çfarë ka ndodhur sepse nuk e di nëse ka të bëjë me spitalin”, tha Trump.

    Lajmi për formën agresive të kancerit të diagnostikuar te 82-vjeçari Biden tronditi vendin gjatë fundjavës. Pasi mori mesazhe mbështetjeje nga të gjitha palët, Biden falënderoi dje ndjekësit e tij në mediat sociale.

    “Kanceri na prek të gjithëve,” shkroi Biden në Platformën X. “Ashtu si shumë prej jush, unë dhe Jill kemi mësuar se jemi më të fortë kur jemi të thyer. Faleminderit që na ngritët moralin me dashurinë dhe mbështetjen tuaj.”