ATV

Author: ATVLive

  • ​Njëzet e gjashtë vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

    ​Njëzet e gjashtë vjet nga masakra e Stagovës së Kaçanikut

    Sot më 21 maj bëhen 26 vjet nga vrasja dhe masakrimi i trembëdhjetë qytetarëve të pafajshëm në fshatin Stagovë të Kaçanikut.

    Atë ditë më njëzet e një maj u vranë mizorisht trembëdhjetë qytetarë të Kosovës nga forcat terroriste të regjimit të Millosheviqit duke mos e kursyer as fëmijën shtatë vjeçar Fitim Gudaqi. Po ashtu në këtë ditë ranë martirë: Hanife Jaha, Selvije Krivanjeva, Baki Bela, Hanife Gudaqi, Ramush Jaha, Ibush Rrushi, Ramadan Dashi, Fahri Mani, Bahrije Elezi, Sevdije Guri, Hamdi Dashi, Brahim Dashi. Në këtë ditë në mbrojtje të civilëve ra dëshmori Ekrem Gudaqi.

    Masakra e Stagovës është në mesin e 15 masakrave më të tmerrshme që ndodhura në Kosovë dhe që për të ish-liderët e regjimit kriminal të Serbisë në krye me kriminelin Sllobodan Millosheviq u akuzuan nga Gjykata për Krime lufte në Ish-Jugosllavi me seli në Hagë, por që askush nuk u dënua për këto krime makabër.

    Për Masakrën e Stagovës, ekipi i Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, në autopsinë e dhjetë trupave të vrarë ka konstatuar vrasjet e tyre dhe se ky rast u hetua në kuadër të hetimeve për krime të luftës në Kosovë, të kryera nga njësitë ushtarake policore të Serbisë.

    Njëzet e një maji 1999 pos që solli dhimbje të pashërueshme për banorët e këtushëm, kjo datë do të mbahet në mend edhe për shkatërrimet, djegiet dhe vrasjen e bagëtive.

    Nga njëqind e tetëdhjetë shtëpi sa kishte ky fshat më njëzet maj, të nesërmen paramilitarët serbë dogjën dhe shkatërruan mbi pesëdhjetë për qind të tyre, apo përkthyer në numra mbi nëntëdhjetë shtëpi.

    Pra këto fakte flasin qartësisht për qëllimet e regjimit serbë të Millosheviçit, që ishte jo vetëm zhdukja fizike, por edhe ajo materiale e qenies shqiptare, që përkufizohet si qëllim gjenocidal ndaj një kombi në këtë rast shqiptarëve të Kosovës.

    Me rastin e 26 vjetorit të rënies së dëshmorëve dhe martirëve të rënë më njëzet e një maj të vitit 1999, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi në bashkëpunim me OVL-në e UÇK-së në Stagovë mbahet manifestim përkujtimor.

    Manifestimi mbahet me fillim nga 11:00 në Shkollën e Fshatit Stagovë të Kaçanikut. Pas përmbylljes së manifestimit do të bëhen homazhe në Kompleksin Memorial te Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik./KosovaPress

  • ​Sonte zhvillohet finalja e Ligës së Evropës

    ​Sonte zhvillohet finalja e Ligës së Evropës

    Finalja e UEFA Europa League 2025 do të zhvillohet sonte, më 21 maj, në stadiumin “San Mamés” të Bilbaos, duke filluar në orën 21:00 sipas kohës lokale. Në këtë përballje tërësisht angleze, Tottenham Hotspur do të ndeshet me Manchester United, me të dyja skuadrat që kërkojnë të shpëtojnë sezonet e tyre të dobëta në Premier League dhe të sigurojnë një vend në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, shkruan KosopvaPress.

    Tottenham arriti në finale duke kaluar AZ Alkmaar, Eintracht Frankfurt dhe Bodø/Glimt në fazat me eliminim direkt. Ndërkohë, Manchester United eliminoi Real Sociedad, Lyon dhe Athletic Bilbao, duke shënuar një fitore të thellë 7–1 në gjysmëfinale.

    Të dyja skuadrat kanë pasur një sezon të vështirë në Premier League. Manchester United përfundoi në vendin e 16-të, ndërsa Tottenham në të 17-tin, duke shënuar sezonet më të dobëta në historinë e tyre në këtë ligë.

    Fituesi i finales do të fitojë 13 milionë euro dhe një vend të drejtpërdrejtë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve për sezonin 2025–26. Gjithashtu, do të ketë të drejtën të luajë në Superkupën e UEFA-s kundër fituesit të Ligës së Kampionëve më 13 gusht.

    Formacionet e mundshme

    Manchester United: Onana; Yoro, Maguire, Lindelöf; Mazraoui, Casemiro, Ugarte, Dorgu; Fernandes, Amad; Højlund.

    Tottenham Hotspur: Vicario; Porro, Romero, Van de Ven, Udogie; Sarr, Bissouma, Bentancur; Johnson, Solanke, Son.

  • ​Dita Botërore e Meditimit

    ​Dita Botërore e Meditimit

    Kur bota përreth jush është e mbushur me “çmenduri”, dhe nuk mund të duket sikur do të gjesh një çast paqeje në stuhinë e ditës, është koha për t’u kthyer prapa dhe për të kujtuar ato momente të lumtura si fëmijë.

    Ky është meditimi dhe sot shënohet Dita Botërore e Meditimit e cila shërben si një thirrje për njerëzit që të gjejnë kohë për këtë praktikë të vjetër mijëvjeçare.

    Meditimi shërben si një mënyrë për lehtësimin e stresit dhe pastrimin e mendjes.

    Dinamika e jetës së sotme e ka bërë meditimin një gjë shumë të nevojshme.

    Hulumtimet kanë treguar se meditimi ka efekte pozitive mendore dhe fizike kur praktikohet.

  • Sot vazhdimi i 19-të i seancës konstituive

    Sot vazhdimi i 19-të i seancës konstituive

    Deputetët do të mblidhen sërish sot për një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e nëntëmbëdhjetë me radhë që prej 15 prillit kur ka filluar seanca konstituive.

    Vazhdimi i seancës konstituive bëhet në orën 11:00, por zhvillimet nuk tregojnë shpresë se do të ketë zhbllokim të situatës.

    Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

    Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit të propozuar ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Në disa seanca, kryesuesi i seancës, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka tentuar që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo nuk është përkrahur nga partitë e tjera parlamentare.

    Që prej 15 prillit, deputetët po mblidhen çdo 48 orë për konstituim të Kuvendit.

    E në mbledhjet e fundit, nga Lëvizja Vetëvendosje u propozua që vazhdimet e seancave të mos bëhen çdo 48 orë – siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por të bëhen një herë në javë. Kjo nuk gjeti mbështetje.

    Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, javën që shkoi, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Në vendin tonë sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

    Vranësirat gjatë ditës parashihen të dendësohen duke krijuar kushte për riga shiu dhe shkarkime rrufesh.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet pesë deri në tetë gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet nëntëmbëdhjetë dhe njëzet e dy gradë Celsius.

    Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i veriperëndimit.

  • Kurti: Do t`i kemi 61 vota për qeveri, por më parë konstituimi i Kuvendit

    Kurti: Do t`i kemi 61 vota për qeveri, por më parë konstituimi i Kuvendit

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti në një intervistë ekskluzive për RTK-në ka zbuluar qëndrimet e tij që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që nesër do të jetë tentimi i 19-të me radhë. Kurti tha se besuan që konstituimi i legjislativit do të bëhej shpejt, derisa për emrin e Albulena Haxhiut, e cila nuk ka arritur t’i marrë deri tash votat e nevojshme për t’u ngjitur në krye të Kuvendit, tha se është propozimi i duhur.

    “Ne kemi besuar që do ta kemi konstituimin e kuvendit shumë të shpejt. Kemi propozuar Albulena Haxhiun që është gruaja më e votuar si deputete në legjislaturën e nëntë. Besoj që është propozimi i duhur, përveçse ne jemi të obliguar që ta kemi propozimin si parti fituese. 57 deputetë ishin për Albulena Haxhiun, nevojiteshin 61, në mesin e tyre nuk janë vetëm të koalicionit LVV- Alternativa e Guxo por edhe deputetë të pakicave. Nuk arritëm t’i kemi 61, provuam disa herë”, tha Kurti derisa një për një foli se si dështoi fillimisht formimi për komisionin për verifikimin e mandateve, e që sipas tij më vonë ata që e kundërshtuan e kuptuan se e kishin gabim.

    Kreu në detyrë i qeverisë tha se duke parë se nuk i kishin 61 vota, provuan që zgjidhjen t’ua jap presidentja.

    “Kryesuesi, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes dhe ajo tha se ju vetë duhet ta gjeni zgjidhjen. Kaluam nga votimi i hapur në përpjekje për votim të fshehtë, mirëpo tash jemi në këtë pikë ku 10 herë është refuzuar komisioni për zgjedhjen me votim të fshehtë. Është për të ardhur keq, meqë aktgjykimi i Kushtetueses në pikat 124 dhe 125 thotë se me votim të hapur ose të fshehtë duhet të bëhet zgjedhja. Ne kaq kemi mundësitë tona, por ajo çfarë po ndodhë është e paprecedentë sepse po pamundësohet kuorumi, sepse aktgjykimi gjithashtu thotë se të gjithë deputetët, secili e secila duhet të votojë për, kundër ose të abstenojë. Por, ajo çfarë kemi tash, jo emri i Albulena Haxhiut tashmë, por kundërshtimin e votimit të fshehtë përmes pamundësimit të kuorumit që është shkelje e aktgjykimit”, tha ndër të tjera, Kurti.

    Ai ka përmendur ftesat që u bëri PDK-së e LDK-së në tentim për të dal nga ngërçi, që sipas tij, takimi trelateral përfundoi me bilateral dhe pa sukses.

    Kurti tha se zgjidhja nuk është t’i imponohen propozimet njëri-tjetrit.

    “Unë besoj që zgjidhja e duhur përpara është që të mos ia imponojmë propozimet njëri- tjetrit, por zgjedhja e kryetarit e nënkryetarëve të shkojë bashkë në paketë e të fillojë numërimi te poshtë për formimin e qeverisë, sepse tash po shkon numërimi përpjetë”, tha Kurti.

    Tregoi se LDK-ja e cila nuk iu përgjigj takimit i kishte thënë se nuk ishte vendi e koha për marrëveshje për procedurë, por se duhej marrëveshje politike, prandaj i ofroi koalicion qeveritar LDK-së, gjë që sipas tij, u refuzua ashpër.

    “Nesër nuk është në pyetje Albulena që është propozimi ynë, por është në pyetje pikërisht komisioni për votim të fshehtë. Nëse opozita janë të sigurt që Albulena nuk fiton përsëri le ta provojnë me votim të fshehtë. Porsa të konstituohet kuvendi, si kryetar i partisë që ka fituar zgjedhjet, do t’i kem 61 vota minimum për qeverinë e re, por paraprakisht na duhet një kuvend i ri”, tha ai.

    Kryeministri në detyrë tha se gjatë mandatit të tij katër vjeçar ka pasur edhe sovranitet shtetëror edhe integritet territorial, e edhe mirëqenie sociale e rritje ekonomike sipas tij, të paparë më herët.

    “6 për qind mesatarisht në vit, asnjëherë pa rënë nën 4 për qind të bruto produktit dhe tash ka ardhur radha ta kemi edhe kuvendin e ri për qeverinë e re në legjislaturën e nëntë. Ne kemi synuar 500 mijë vota siç dihet. Kemi pasur rezultat të mirë me rreth 400 mijë vota, me 48 deputet”, tha Kurti në intervistë për RTK-në.

  • Abdullahu: Lufta në Kosovë s’ka datë të saktë fillimi – unë besoj se nisi në nëntor ‘97

    Abdullahu: Lufta në Kosovë s’ka datë të saktë fillimi – unë besoj se nisi në nëntor ‘97

    Historiani Durim Abdullahu, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se ndonëse flitet shumë për luftën në Kosovë, në aspektin shkencor nuk ka një datë të saktë që konsiderohet si fillimi i saj.

    Sipas tij, data 28 shkurt 1998, që zakonisht përmendet si fillim, është e imponuar nga institucionet ndërkombëtare, por lufta kishte nisur më herët.

    “Zakonisht janë imponu data të cilat janë marrë prej institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë, konkretisht sidomos prej Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë që merr njëzet e tetë shkurtin, për shkak se është data kur ka ndodhë dhe masakra në Likoshan dhe në Qirez, por që kjo nuk do të thotë që është fillimi i luftës,” deklaroi Abdullahu.

    Ai tha se bazuar në hulumtimet e tij, lufta në Kosovë nisi në fund të nëntorit të vitit 1997, me disa përplasje të armatosura në Drenicë.

    “Unë kam vendosur qysh në titullin e librit që kam shkruar për luftën në Kosovë datat 1997–1999 dhe jo 1998–1999, sepse në gjykimin tim lufta në Kosovë ka fillu diku në fund të nëntorit të nëntëdhjetë e shtatës. Është njëzet e pesë nëntori kur një patrullë e policisë serbe në fshatin Vojnik të Drenicës sulmon një lagje, tre vëllezër dhe disa kushërinj i përgjigjen dhe nisin luftimet,” tha Abdullahu.

    Deklaratën e plotë të Durim Abdullahut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Abdullahu: Kosova ka bërë përparim në dokumentimin e krimeve të luftës

    Abdullahu: Kosova ka bërë përparim në dokumentimin e krimeve të luftës

    Historiani Durim Abdullahu, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në dokumentimin institucional të krimeve të luftës, duke theksuar rolin e strategjisë së drejtësisë tranzicionale dhe themelimin e instituteve përkatëse.

    Sipas tij, Kosova është ndër vendet e vetme në rajon me strategji të miratuar për drejtësinë tranzicionale dhe me institute që merren me dokumentimin e krimeve edhe para dhe gjatë luftës.

    “Kosova është vendi i vetëm në rajon, me sa di unë, që ka të miratuar nga institucionet e saj një strategji të drejtësisë tradicionale, e cila është miratuar në qershorin e vitit të kaluar. Ka pak më shumë se një vit, mos gaboj, që është themeluar dhe funksionalizuar Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, mandati i të cilit shtrihet edhe në periudhën më të hershme, pothuajse gjatë gjithë shekullit të njëzetë, që merret edhe me krimet dhe ngjarjet që kanë çuar drejt luftës,” tha Abdullahu.

    Ai tha se dokumentimi i ngjarjeve të luftës mbështetet edhe nga projekte të universiteteve, shoqërisë civile dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

    “Universiteti i Prishtinës, disa prej departamenteve të tij – si Historia, Antropologjia, Fakulteti Juridik – kanë qoftë kurse të veçanta, qoftë projekte në bashkëpunim me institucione e ambasada, ku kanë intervistuar të mbijetuar e dëshmitarë të luftës dhe kanë trajtuar çështje të memorializimit, përkujtimit dhe muzealizimit të ngjarjeve të luftës,” deklaroi Abdullahu.

    Deklaratën e plotë të Durim Abdullahut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Defender Europe 25” nis të dielën, stërvitje ushtarake në Shqipëri e Kosovë

    “Defender Europe 25” nis të dielën, stërvitje ushtarake në Shqipëri e Kosovë

    Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, ka njoftuar se më 25 maj do të nisë një prej stërvitjeve më të mëdha ushtarake shumëkombëshe, e njohur si “Defender Europe 25”.

    Ai ka shkruar në Facebook se stërvitja do të drejtohet nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa shtoi se stërvitje do të zhvillohen edhe në Kosovë.

    “Më 25 maj, Shqipëria mirëpret një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe: Defender Europe 25, e drejtuar nga Komanda Evropiane e SHBA (USEUCOM). Forcat e NATO-s dhe partnere do të stërviten në Shqipëri dhe Kosovë për mbrojtjen e objekteve kritike, operacione sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe për sigurinë në pika kyçe dislokimi. Një test i ndërveprueshmërisë dhe një mesazh i qartë: NATO është e bashkuar”, ka shkruar ministri.

    Për stërvitje në Kosovë pati njoftuar edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

    Ai kishte thënë se përgatitjet për këtë stërvitje masive ushtarake po zhvillohen sipas planit.

  • ​Banka e Australisë ul normën e interesit bankar

    ​Banka e Australisë ul normën e interesit bankar

    Rezervat e Bankës së Australisë (RBA) ulën normën e politikës me 25 pikë bazë në 3.85% të martën, niveli më i ulët në dy vjet, duke përmendur panoramën globale dhe uljen e inflacionit në vend.

    Ky vendim gjithashtu ishte në përputhje me pritshmëritë e tregut, sipas agjencisë Anadolu.

    Banka qendrore tha në një deklaratë se rreziqet e inflacionit kanë rënë, ndërkohë që zhvillimet ndërkombëtare pritet të ushtrojnë presion mbi ekonominë e vendit, transmeton KosovaPress.

    “Inflacioni është në rangun e synuar dhe rreziqet e larta duket se kanë rënë, pasi zhvillimet ndërkombëtare pritet të kenë ndikim në ekonomi”, thuhet në deklaratë.

    Banka paralajmëroi për tronditje të vazhdueshme në ekonominë globale për shkak të politikave tregtare të administratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe përkeqësimit të mjedisit gjeopolitik.

    Parashikimet qendrore janë të ekspozuara ndaj pasigurisë të konsiderueshme për shkak të ndryshimeve të shpejta në politikat e tregtisë botërore.

    “Pa marrë parasysh zhvillimet jashtë vendit, kërkesa private vendase duket se ka filluar të rimëkëmbet, të ardhurat reale të familjeve janë rritur dhe ka pasur një zbutje në disa masa të stresit financiar” njofton Banka.

    Pas vendimit, dollari australian humbi rreth 0.56% të vlerës së tij kundrejt dollarit amerikan deri në orën 07:20 GMT, duke u tregtuar rreth 1.5572.