ATV

Author: ATVLive

  • Kurti porosi ambasadorëve që të reagojnë shpejt: Serbia me ndihmën e Rusisë po përhapë narrartiva kundër Kosovës

    Kurti porosi ambasadorëve që të reagojnë shpejt: Serbia me ndihmën e Rusisë po përhapë narrartiva kundër Kosovës

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se u shteti i Serbisë me mbështetje të hapur nga Rusia, ka ngritur një rrjet narrativash që synojnë të dëmtojnë Kosovën dhe të pengojnë përparimin e saj drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike.

    Këto komente, kreu i Qeverisë i ka bërë në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve, teksa u ka bërë thirrje korit diplomatik që të vërtetën ta kenë ta gatshme përherë “e mbi të gjitha të jenë të shpejt e të qartë në atë që tregojnë”.

    “Është e rëndësishme që rolin e diplomacisë ta shohim jo vetëm si angazhim me qeveritë e vendeve ku shërbehemi, por edhe si ndërveprim me njerëzit. Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë dhe gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë, sigurisht që kanë rritur dhe forcuar lidhjet mes shteteve dhe popujve tanë”, ka deklarua Kurti.

    “Jemi në epokën e rrjeteve sociale dhe të komunikimit të menjëhershëm e të pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet , dhe për më keq i lë hapësirë propagandës edhe dezinformatës. Raportet që ju tregoni janë posaçërisht të vlefshme kur janë të shpejta, të brehta dhe të sakta, pasi e rëndësishme është saktësia dhe fuqia e fjalëve që dërgoni, më parë se gjatësia e dokumenteve”, u shpreh i pari i qeverisë.

    Duke iu adresuar ambasadorëve të pranishëm, Kurti theksoi rëndësinë e diplomacisë aktive dhe angazhimit të vazhdueshëm me qytetarët e vendeve mikpritëse. Ai e përkufizoi rolin e diplomacisë jo vetëm si një mjet për të lidhur qeveritë, por edhe për të ndërvepruar me studentë, gazetarë, aktivistë dhe ndërmarrësit, duke forcuar lidhjet mes popujve e shteteve.

    “Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se sa tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë e gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë sigurisht se kanë rritur e forcuar lidhjet mes shteteve e popujve tanë”, tha ai.

    Kryeministri vuri theks të veçantë te roli i komunikimit në një botë të ndërlidhur dhe të orientuar nga rrjetet sociale. Ai theksoi se heshtja në këtë epokë mund të keqkuptohet dhe mund të krijojë hapësirë për propagandë dhe dezinformata.

    “Jemi në kohën e rrjeteve sociale dhe komunikimit të menjëhershëm e pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet e, për më keq, i lënë hapësirë edhe propagandës edhe dezinformatave”, theksoi shefi i ekzekutivit.

    Duke iu referuar sfidave hibride dhe propagandës sistematike të Serbisë, me mbështetje të hapur nga Rusia, Kurti e përkufizoi betejën aktuale si një luftë narrativesh, ku koha dhe profesionalizmi janë armët kryesore.

    “Serbia vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha ai.

    Kurti u bëri thirrje ambasadorëve që të veprojnë me vendosmëri dhe qartësi, duke ofruar të vërtetën si kundërargument ndaj çdo genjeshtre të Serbisë. “Për secilën genjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet t’i kemi të gatshme të vërtetat tona”, tha Kurti.

    Ai nënvizoi se përhapja e së vërtetës duhet të jetë një proces i shpejtë dhe i organizuar. Ai theksoi se e vërteta është gjithmonë në favorin e Kosovës, por ajo duhet të prezantohet në kohën e duhur dhe në formatin e duhur.

    “Çdo ngjarje, çdo reformë dhe çdo hap përpara që bëjmë duhet të bëhet i njohur menjëherë, sepse nuk mund të presim që e vërteta të dalë vetvetiu, spontanisht. Ju duhet të kujdeseni që ajo të dëgjohet dhe të mbërrijë aty ku duhet”, shtoi ai.

    Kurti tha se Kosova është një shtet ende i ri për shumicën e vendeve ku shërbejnë ambasadorët, e që po ndërton e formëson pozitën e saj në skenën ndërkombëtare.

    “Avancimi i pozitës tonë, varet nga përkushtimi i secilës dhe secilit prej nesh, puna juaj prandaj nuk është thjesht përfaqësim, por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë. Promovimi i interesave ekonimike, të sigurisë dhe politikës së jashtme janë detyra juaj parësore, kurse demokracia, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut janë parimet dhe të drejtat themelore që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për punën tuaj dhe të gjithë neve”, nënvizoi Kurti.

  • Edhe një vit me mbi 100 mjekë të ikur nga Kosova

    Edhe një vit me mbi 100 mjekë të ikur nga Kosova

    Prej vitesh flitet se si mjekët largohen nga Kosova, por askush nuk e thotë se si të ndalen ata.

    Në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) thonë vetëm se “ata ikin me vullnetin e tyre” – nuk tregojnë nëse kanë ndonjë plan a strategji për t’i joshur që të qëndrojnë.

    Me ankesat për kushtet e punës dhe pagat, në Odën e Mjekëve të Kosovës tregojnë se, gjatë vitit 2024, 109 mjekë e kanë tërhequr certifikatën për të kaluarën etike, e cila u shërben për punësim jashtë vendit.

    Më 2023, kjo shifër ishte 167, ndërsa në periudhën 2018-2022, mbi 650.

    “Largimi i kuadrove të reja shëndetësore e dëmton seriozisht sektorin e shëndetësisë në vend”, thonë në Odën e Mjekëve për Radion Evropa e Lirë.

    Dhe, kjo është e dukshme. Pacientët presin me muaj, nëse jo vite, për disa shërbime, ndërsa shumë aparatura të reja as që shfrytëzohen, sepse nuk ka profesionistë.

    Pse largohen mjekët?

    Dr. Shpendi – emër i vendosur nga redaksia e Radios Evropa e Lirë – është në mesin e 18 mjekëve, që e braktisën Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në vitin 2024.

    I specializuar për gastroenterologji, ai thotë se nuk ka mundur t’i bëjë ballë “burokracisë” dhe “monopolit të hekurt” në klinikë.

    Sipas tij, në QKUK ka kontroll të plotë mbi një pjesë të stafit, që “nuk i mirëpret gjeneratat e reja”, shkaku i konkurrencës.

    “Shefi i klinikës, bashkë me ata të reparteve, nuk na kanë lejuar të punojmë. I kam kryer të gjitha obligimet, të gjitha ato trajnime brenda dhe jashtë vendit dhe nuk më kanë lejuar ta tregoj atë dijeni”, thotë dr. Shpendi.

    Ai shton se përderisa ekziston ky “mentalitet i vjetër” i udhëheqjes së klinikave, stafi nuk do të rrijë aty.

    Doktor Arbër Muriqi është larguar nga Kosova dy vjet më parë, por për një arsye tjetër: paga.

    Në Kosovë, paga e mjekut specialist aktualisht është rreth 1.200 euro.

    Paga mesatare në vend sillet në rreth 570 euro.

    Muriqi thotë se punon në një spital në Tyringen të Gjermanisë, ku paga fillestare ka nisur me 5.000 euro.

    “Kam ardhur këtu… punoj, marr një pagë të dinjitetshme, bëjmë një jetë të mirë dhe i ndihmojmë familjet”, thotë anesteziologu Muriqi për Radion Evropa e Lirë i cili po specializon për neurologji.

    Në spitalin gjerman ku punon, thotë se ka edhe infermierë e mjekë të tjerë nga Kosova.

    Si mund të parandalohet ikja e mjekëve?
    SHSKUK-ja, e cila mbikëqyr QKUK-në dhe shtatë spitalet rajonale të Kosovës, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse ka ose planifikon ndonjë strategji për të penguar ikjen e mjekëve. Ngjashëm as QKUK-ja.

    Hana Xhemajli, specialiste për hulumtim të politikave globale shëndetësore, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë strategji të qartë për sistemin shëndetësor dhe stafin mjekësor.

    Sipas saj, ato duhet të krijojnë politika të tilla që e bëjnë stafin të ndihet i vlefshëm në Kosovë, duke pasur pagë dhe kushte të dinjitetshme pune.

    Po ashtu, duhet të stimulohet zhvillimi profesional i tyre dhe të ofrohen mundësi për avancim.

    Radio Evropa e Lirë ka raportuar shpesh për kushte të mjera në spitale, aparatura të ndryshkura, apo mungesa të gjërave elementare si çarçafë.

    Gjithashtu, mungesa e barnave gati se është problem i zakonshëm dhe i detyron pacientët t’i blejnë vetë ato.

    Xhemajli thotë se Kosova, për më tepër, ka një popullsi në plakje dhe përmirësimi i kushteve duhet të bëhet urgjentisht.

    “Brenda 20 vjetësh, ne do të kemi një popullsi shumë më të vjetër dhe ne nuk kemi asnjë zgjidhje se si ta mbajmë stafin këtu dhe si t’ua mundësojmë këtyre institucioneve që veç i kemi, të jenë më funksionale”, thotë ajo.

    Vendet si Gjermania apo të tjera në Bashkimin Evropian arrijnë t’i adaptojnë shumë shpejt mjekët nga Kosova, për shkak të kushteve që u ofrojnë, sipas saj.

    Zyra Kombëtare e Auditimit në Kosovë ka vlerësuar në raportin e vitit 2023 se mbi 10.000 njerëz, tash e sa muaj apo vite, janë në lista të pritjes për procedura të ndryshme mjekësore – nga operacionet në zemër deri tek ato në sy.

    Për këtë gjendje, Zyra e Auditimit ka fajësuar mungesën kritike të personelit mjekësor, veçanërisht të anesteziologëve.

    QKUK-ja ka Klinikën e Anesteziologjisë me 48 anesteziologë – shumë më pak se 100, sa do t’i duheshin, sipas udhëheqësve të saj.

    Drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se mungesa do të vazhdojë edhe për disa kohë.

    Në vitin 2025, sipas tij, mbi 15 mjekë pritet ta përfundojnë specializimin e tyre në anesteziologji, por është e pasigurt se sa prej tyre do të punojnë brenda sistemit shëndetësor shtetëror, pasi shumë e kanë financuar vetë arsimimin e tyre – çfarë do të thotë se nuk janë të detyruar të punojnë aty.

    Ndaj, pa një qasje të qartë dhe të qëndrueshme për adresimin e këtyre sfidave, Kosova duket se rrezikon të humbasë një brez të tërë profesionistësh shëndetësorë, duke i përkeqësuar edhe më tej kushtet në sektorin e saj të shëndetësisë.

  • “Currit” i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj

    “Currit” i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj

    Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar masën e arrestit shtëpiak Ismet Osmanit, i njohur me nofkën “Curri”edhe për dy muaj.

    Një gjë e tillë u bë e ditur nga zëdhënësja e gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale kundër të pandehurit I.O., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 17.12.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore Prishtinë, ashtu që masa e arrestit shtëpiak të pandehurit I.O., iu është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, e cila masë i llogaritet deri më datë 17.02.2025” thuhet në përgjigje e gjykatës.

    Ndryshe, “Curri” po gjykohet edhe për fajde, në të cilin rast kishte munguar edhe seancën e 1 korrikut 2024, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për t’ia revokuar masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro.

    Por, Gjykata e Apelit pas kthimit dy herë në rivendosje, herën e tretë kishte vendosur të lë në fuqi masën e dorëzanisë, duke i besuar premtimeve të avokatit se Curri se i njëjti do paraqitej në seancën e caktuar më 8 tetor.

    Në këtë rast, Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”.

    Në këtë seancë, avokati i “Currit”, Besnik Berisha kishte kërkuar përjashtimin e kryetares se trupit Gjykues, Medie Bytyqit.

    Mirëpo, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit. Këtë vendim e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit

    Ndryshe “Betimi për Drejtësi”, më 28 shtator ka publikuar hulumtimin “Vendimet kontraverse të gjykatave -Si Curri “shpëton” nga drejtësia përmes falsifikimeve mjekësore?”.

    “Curri”, nga viti 2019 gjendet nën masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro në rastin e fajdesë . Gjykata e kishte njoftuar Currin për pasojat nëse eventualisht nuk do të përgjigjej në ftesat e gjykatës për tu gjykuar. Në rast të shkeljes së kushteve të dorëzanisë, vlera prej 50 mijë eurove do shkonte në buxhetin e shtetit.

    Ndërkohë, janë bërë afër 7 muaj, prej kur “Curri”, po konsiderohet i arratisur. Ai dyshohet të jetë i përfshirë edhe në një tentim vrasje të ndodhur në prill 2024.

    Ai nuk ishte prezent në seancën e 1 korrikut ku po gjykohet për fajde. Mungesën e tij, avokati i tij, Besnik Berisha e arsyetoi me probleme familjare e institucionale, duke aluduar në urdhërarrestin ndaj tij.

    Prokuroria në këtë seancë kërkoi që Currit t’i merren 50 mijë eurot e dorëzanisë për shkak të shkeljes së kushteve mbi të cilat ishte caktuar ajo.

    Avokati Berisha, prokurorinë e quajti hisedarë se pse Curri nuk kishte shkuar në atë seancë.

    Gjykata Themelore vendosi që 50 mijë eurot e dorëzanisë së Currit të shkonin në Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, ndërsa Curri të kthehej në paraburgim.

    Por, Apeli kishte thënë se Themelorja ka bërë shkelje kur kishte vendosur për masën e paraburgimit pasi nuk janë respektuar procedurat për caktimin e kësaj mase.

    Sipas Apelit, shkalla e parë po ashtu nuk ka dhënë arsye lidhur me pretendimet e mbrojtësit se i akuzuari ka munguar për arsye shëndetësore duke thënë se Themelorja nuk ka analizuar disa raporte mjekësore, ndonëse raportet mjekësore ishin paraqitur vetëm në Apel.

    Në rivendosje, Themelorja sërish ka revokuar vendimin për caktimin e masës se dorëzanisë, por nuk kishte caktuar më masën e paraburgimit. Edhe urdherëarrestin për ta dërguar në paraburgim e kishte anuluar duke nxjerrë një urdhërarrest të ri për sjellje me detyrim në Gjykatë. Në këtë aktvendim, ishte theksuar se Gjykata nuk ka pranuar asnjë kërkesë për shtyrje të seancës, siç ka pretenduar avokati Berisha në Gjykatën e Apelit. Duke shtuar se dispozitat janë të qarta se si duhet të njoftohet gjykata apo si duhet drejtuar kërkesat.

    Shkalla e parë kishte thënë se nga vetë shkesat që avokati Besnik Berisha i ka bashkangjitur Apelit, Berisha i është drejtuar prokurorisë për një rast tjetër të Currit për të cilin tashmë ka edhe urdhërarrest aktiv nga kjo gjykatë. Dhe kështu është në dijeni se kundër të akuzuarit ka urdhërarrest dhe mund të konkludohet se ai gjendet jashtë shtetit dhe në arrati.

    Apeli, serish kthen çështjen në rivendosje. Këtë herë Kolegji me kryetar Beqir Kalludra dhe gjykatësit Abudullah Ahmeti dhe Zyhdi Haziri. Duke e quajtur vendimin e shkallës së parë të paqartë dhe kundërthënës. Duke thënë se në shkresat e lëndës gjendet një urdhërarrest i lëshuar në të njëjtën ditë për arrestimin e të akuzuarit dhe i njëjti urdhërarrest po të njëjtën ditë është revokuar gjë që e bën të pa ekzekutueshëm dhe të paqartë tani aktvendimin për caktimin e paraburgimit, megjithëse Themelorja fare nuk ka caktuar paraburgim.

    Apeli ka vlerësuar se Themelorja duhet të bëjë përpjekje për verifikimin e provave materiale lidhur me gjendjen shëndetësore të “Currit”.

    Sipas Apelit, nga shkresat e lëndës rezulton se seanca e radhës është caktuar me 8 tetor 2024 dhe se mbrojtësi i të akuzuarit i ka premtuar gjykatës se i akuzuari mund të jetë i pranishëm në seancë edhe gjatë muajit shtator, duke pasur parasysh faktin se tanimë është anuluar urdhërarresti i lëshuar kundër tij, dhe se janë krijuar parakushtet që ai të jetë i pranishëm në seancë.

    Ndërsa, lidhur me çështjen tjetër që është në procedurë në prokurori (rasti i tentim vrasjes, Kolegji ka thënë se nuk mund të vlerësoj një çështje të tillë.

    Pas kthimit në rivendosje, Gjykata Themelore sërish ka revokuar masën e dorëzanisë. Gjykata Themelore ia ka rikujtuar Apelit, se me aktvendimin e 22 korrikut 2024 nuk është caktuar masa e paraburgimit.

    Lidhur me urdhërarrestin, Gjykata ka thënë se pas rekomandimeve të Apelit herën e parë ka qenë e detyruar të revokoj urdhër arrestin e 2 korrikut 2024 për, ndalimin, arrestimin dhe dërgimin në qendrën e paraburgimit në Prishtinë. Dhe ka nxjerrë urdhër arrest të ri me 17 korrik 2024 për ta sjell me forcë të akuzuarin në Gjykatë.

    Sa i përket asaj që Apeli kishte thënë se ishte hera e parë që i akuzuari mungon, Themelorja ka rikujtuar se kjo gjykatë nuk mund të thirret në arsyen se është hera e parë pasi dispozitat e Kodit të Procedurës Penale janë të natyrës imperative/urdhërore, e jo në rrethana se a mungon herën e parë apo të dytë.

    Në lidhje me premtimet e mbrojtjes se “shpresojnë” që në shtator do eliminohen pengesat, për të cilat Apeli ka thënë të merren parasysh, Themelorja ka sjell në vëmendje se mbarëvajtja e procedurës nuk mund të mbështetet në premtime dhe shpresa të mbrojtjes, po ka ndërmarrë të gjitha veprimet në pajtim me ligjin, duke lëshuar urdhërarrest dhe letër reshtim vendor.

    Apeli, herën e tretë vendos vet duke lënë në fuqi masën e dorëzanisë. Kryetari i trupit gjykues serish Beqir Kalludra, me anëtarët Hashim Çollaku e Abudllah Ahmeti.

    Sipas Apelit, Osmani ka munguar vetëm në një seancë dhe se nga avokati Berisha është kuptuar se i njëjti gjendet jashtë vendit për trajtim mjekësor, duke përmendur serish raportet mjekësore.

    Apeli vjen në përfundime se Themelorja kishte lënë në fuqi masën e paraburgimit, duke thënë se në të njëjtën ditë që ka revokuar një urdhërarrest ka lëshuar një urdhërarrest tjetër. Ndonëse Themelorja nuk kishte caktuar paraburgimin në rivendosje dhe kishte shpjeguar edhe çështjen e urdhëarresteve.

    Raportet mjekësore të cilave Apeli ua kishte falur besimin, tashme janë duke u hetuar nga prokuroria për falsifikim pasi nga një përgjigje që Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë nga spitali “EuroItalia”, në Maqedoninë e Veriut, thuhet se personi me emrin Ismet Osmani asnjëherë s’ka qenë pacient i tyre, nënshkrimet e doktorëve në ato raporte nuk janë të tyre dhe se Spitali i tyre nuk hospitalizon pacientë nga 2022.

    Ndryshe, Osmani po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit së bashku me Sami Nikën, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin. Kurse, Adil Thaçi ngarkohet për veprën penale “Mashtrimit”. Aktakuzën e plotë mund ta lexoni, duke klikuar në këtë link.

    Osmani në një rast tjetër dyshohet për vrasje në tentativë të ndodhur në Graçanicë, në të cilin rast të dyshuar janë edhe djali i tij Armir Osmani, Mentor Beqiri e Behar Halili. Për këtë, ndaj tij është lëshuar një urdhërarrest tjetër.

  • Policia me apel për shoferët: Ngasja e shpejtë, mund të jetë e fundit për ju

    Policia me apel për shoferët: Ngasja e shpejtë, mund të jetë e fundit për ju

    Policia e Kosovës ka kërkuar nga shoferët që të jenë të kujdesshëm gjatë vozitjes dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.

    Në një postim në Facebook, Policia thotë se gjatë festave të fundvitit mesatarisht brenda ditës ndodhin rreth 100 aksidente trafiku.

    “Ngasja e shpejtë, mund të jetë e fundit për ju. Ndal ngasjen e shpërqëndruar”, thuhet në postimin e Policisë.

    Ndryshe, numri i aksidenteve kohëve të fundit është rritur në vendin tonë, ku disa prej tyre përfundojnë edhe me fatalitet.

  • Vdes nëna e heronjve Mujë e Ali Krasniqi

    Vdes nëna e heronjve Mujë e Ali Krasniqi

    Ka ndërruar jetë Shehide Selimi Krasniqit, nëna e heronjve të kombit, Mujë dhe Ali Krasniqi.

    Lajmin e ka bërë të ditur deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi.

    Ajo ka treguar se e ndjera ka qenë edhe halla e Rexhep Selimit, bashkëshortit të saj, i cili prej vitesh po mbahet në paraburgim në Hagë.

    “Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Shehide Selimi Krasniqit, nënës së dy heronjve të kombit, Mujë e Ali Krasniqi, dhe hallës së Rexhës. Ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Krasniqi, farefisit dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e deshën hallen Shehide. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen dhe ua dhashtë forcën për ta përballuar dhimbjen që keni. Kujtimi për të do të mbetet përherë i gjallë në zemrat tona. I përjetshëm qoftë kujtimi për të dhe për bijtë e saj që u flijuan për lirinë tonë!”, ka shkruar Selimi.

  • Opterusha që dy javë problem me energji – Banorët kritikojnë Qeverinë e situatën e krahasojnë me Bangladesh

    Opterusha që dy javë problem me energji – Banorët kritikojnë Qeverinë e situatën e krahasojnë me Bangladesh

    Banorët e fshatit Opterushë të Rahovecit tash e dy javë po përballen me mungesë të madhe të energjisë elektrike. Disa banorë të këtij fshati thanë për Ekonomia Online se si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, po kanë telashe edhe me ujë të pijshëm.

    Banorët thonë se edhe ku ka energji elektrike, ajo nuk është stabile, reduktimet janë të paplanifikuara, ndërsa ngrohjen e bëjnë më dru. Situatën e krahasojnë me një shtet afrikan.

    Ejup Kabashi, banor në këtë fshat ka thënë për Ekonomia Online se defektet janë të shpeshta, sado të fryjë erë e lehtë. Ai ka thënë se si pasojë e mungesës së energjisë, u është vështirësuar edhe jetesa.

    Të dëshpëruar ka thënë se janë edhe mërgimtarët të cilët kanë ardhur në Kosovë këtë fundvit.

    “Po tani veçse nuk ka kufizim për reduktime edhe pse ka një energji të kufizuar, fare nuk ka ngrohje, fare nuk ka ujë të pijshëm pra gjithmonë kemi probleme të tilla si fshat dhe si regjion këndej pari. Po të ishte një furtunë sado e vogël, gjithmonë ka me pas defekte ku mungesa e energjisë elektrike vazhdon me ditë, ndërsa tani është tmerr thuajse gjendje emergjente. Të gjithë mërgimtarët që kanë ardhur janë të dëshpëruar me këtë gjendje për arsye të mungesës së energjisë e ujit të pijshëm. Pra jeta është vështirësuar në masë të jashtëzakonshme dhe po përballemi thuajse që dy javë me këtë gjendje që jemi me energji që na mungon çdo ditë për gjëra elementare”, ka thënë Kabashi.

    Kabashi ka thënë se ky fshat nuk ka mungesë të trafo-stacioneve, pasi ekzistojnë gjashtë të tilla, veçse furnizimi është goxha problem. Kritika kanë edhe në adresë të Qeverisë.

    “Nuk mendoj, sepse trafo-stacione ka kapacitete me furnizua. Diku janë gjashtë trafo të cilat mendojmë që ka kapacitet me furnizua mirë, mirëpo mungesa nga qendra që bëhen lojëra të ndryshme dhe mos-përgjegjësia totale e kushdo qoftë përgjegjës, mendoj duhet të marrin masa emergjente”, u shpreh tutje Kabashi teksa tregoi edhe për veprimet që do t’i ndërmarrin nëse kjo gjendje përsëritet.

    “Detyrohemi t’i shkëpusim këto linja ose të bëjmë zgjidhje tjetër. Protestë patjetër, besoj që do të bëhet një protestë që të sensibilizohet Qeveria dhe njerëzit kompetent. Por bëjmë apel Qeverisë që të kujdeset për qytetarin sepse ka marrë vota për t’u kujdesur. Në këtë rast fare nuk ka përkujdesje, është vështirë të paramendohet se si po jeton ky fshat në këtë gjendje të mjerueshme”, deklaroi ai.

    I frustruar me këtë gjendje është shprehur edhe një banor tjetër. Bahrudin Spahiu ka thënë për Ekonomia Online se familjarë të tij i kanë hedhur gjërat ushqimore pasi ato janë prishur si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.

    “Përbesë tmerr është, jashtëzakonisht jemi të pakënaqur, jashtëzakonisht. Nuk e di çfarë po ndodh. E kemi tensionin e lartë prej vitit 1966 që është vendosur nga Rahoveci e këtu, dikund kanë rënë shtyllat elektrike, tensioni është tmerr. Djali i mixhës ka blerë harxh familjarë 300 euro që ka ardhë prej Gjermanisë, i ka hedhur dje, sepse nuk punon shporeti i rrymës asgjë nuk punon. Nëse vini tek unë, e shihni se çfarë rrymë ka, Bangladesh jemi”, deklaroi ai.

    “Unë personalisht me dru po ngrohemi edhe pse i kam klimat janë por asnjë nuk bën (edhe kur ka energji elektrike)”, u shpreh tutje ai.

  • Ekstradimi i terroristit Milan Radojçiq në Kosovë, peng i trysnisë ndërkombëtare ndaj Serbisë

    Ekstradimi i terroristit Milan Radojçiq në Kosovë, peng i trysnisë ndërkombëtare ndaj Serbisë

    Deklarimet e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, mbi mundësinë e ekstradimit të terroristit Milan Radojçiqit në Kosovë, duke zbatuar Konventën për Ekstradim, ekspertë të sigurisë dhe drejtësisë e shohin si çështje të pamundur, kjo si shkak i mungesës së marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Ekonomia Online.

    Mundësia e arrestimit të Radojçiqit e më pastaj ekstradimi i tij në Kosovë, sipas tyre mund të ndodh vetëm përmes një trysnie më të madhe ndërkombëtare ndaj Serbisë.

    Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thekson se Konventa për Ekstradim është e qartë në përcaktimin e detyrimeve të shteteve, por mungesa e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë e bën zbatimin e saj të pamundur.

    Ai gjithashtu ka shtuar se Radojçiqi është një figurë kyçe në politikat e presidentit serb Aleksander Vuçiq dhe se Serbia nuk ka vullnet politik për të bashkëpunuar.

    “Konventat janë të qarta të përcaktuara në aspektin e veprimit të institucioneve dhe shteteve përkatëse. Pra, në konventë është e përcaktuar qartë që personi, i cili kryen një vepër të ndryshme penale apo terroriste në këtë kontekstin më të rëndë. Shteti në të cilin është i strehuar është i obliguar ta arrestoj përkohësisht dhe më pastaj të pret kërkesat nga shteti në të cilin është kryer vepra penale apo terroriste dhe në bazë të atyre informacioneve bëhet ekstradimi. Pra, kjo është në procesin përcaktues normativ, por që në raport me shtetin e Serbisë kjo do të jetë e pa mundur për arsye se ne me shtetin e Serbisë nuk kemi marrëdhënie as diplomatike, por njëkohësisht mungojnë edhe marrëdhëniet, por edhe marrëveshjet në mes ministrive përkatëse që të bëhet ekstradimi i personave në shtetet përkatëse, nëse kanë kryer një vepër të caktuar penale apo janë në ndjekje nga shteti përkatës. Pra, kjo më shumë i kontribuon çështjes politike dhe assesi nuk mund të presim ndonjë veprim nga ana e palës serbe. Kjo se Milan Radojçiqi është i inkorporuar, është bërthama e zhvillimeve politike edhe në kontekstin politik të Aleksander Vuçiq, jo vetëm në raport me Kosovën por edhe vendet fqinje”, ka thënë ai.

    Ai ka shtuar se një kërkesë e tillë mund të marrë përgjigje negative ose të injorohet, përveçse në rastet kur do të ketë presion të madh ndërkombëtar mbi Beogradin.

    “Një kërkesë e tillë e cila është bërë në vazhdimësi do të marr një përgjigje negative apo fare nuk do të ketë përgjigje nga pala serbe. Një gjë e tillë mund të arrihet vetëm pasi presioni ndërkombëtar të jetë në drejtim të Beogradit, pra çështja e hapjes së kapitujve të jetë një nga kushtet përkatëse në qoftë se diplomacia kosovare do të arrij që të fus një nga element përkatës që të bëhet ekstradimi i tij përndryshe ne do të duhet të presim ekstradimin e tij në rast se kemi marrëdhënie diplomatike”, ka thënë ai.

    Avokati Arbër Jashari, duke analizuar aspektet juridike, thekson se ekstradimi është praktikisht i vështirë për shkak të dy faktorëve kryesorë, e para sipas tij se Serbia se njeh Kosovën si shtet dhe e dyta sepse të dy shtet nuk kanë marrëveshje apo bashkëpunim juridik në çështjet penale ndërkombëtare ashtu si kërkohen sipas ligjit.

    Ai shtoi se Serbia ka qenë historikisht e përfshirë në veprimet destruktive në veri të Kosovës dhe se nuk ka asnjë precedent bashkëpunimi të tillë.

    “Teorikisht edhe është e mundshme, por në praktikë është tepër e vështirë të ndodh ky ekstradim. Kjo për dy arsye, e para sepse Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe Kosovën e sheh si pjesë të juridiksionet të saj. Prandaj, ajo e konsideron vetën si kompetente për të gjykuar ose për të u marr vetë me Radojçiqi. E dyta sepse Kosova dhe Serbia nuk kanë marrëveshje mbi frymën e parimit të reciprocitetit për ekstradim ose transferim të personave, ose nuk kanë një bashkëpunim juridik në çështjet penale ndërkombëtare ashtu si kërkohen sipas ligjit. Deri tash nuk kemi pasur diçka të tillë dhe as nuk është e pritshme që do të ndodh një bashkëpunim i këtij niveli, thjesht një vullnet i Serbisë për ta ekstraduar një shtetas, për një çështje penale që ata e konsiderojnë që është pjesë e juridiksionit të saj e aq më tepër kur ajo për të cilën kërkohet Radojçiqit është një vepër penale tipike që ndërlidhet edhe me Serbinë si shtet. Dihet që Serbia qëndron pas çdo veprimi destruktiv i cili ka ndodhur në veri të Kosovës”, ka thënë ai

    Jashari e konsideron të rëndësishme përdorimin e mjeteve ndërkombëtare nga Kosova, duke përfshirë edhe kërkesën për përfshirjen në listën e Interpolit dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë për të rritur presionin ndaj Serbisë.

    “Unë nuk pres që kjo të ndodh të paktën për se afërmi, mbase me ndryshmin e rrethanave si pasoj e një presioni të madh ndërkombëtar ose kushtëzimi të Serbisë me mjete politike, atëherë edhe mund të vie në një stad që Serbia të lëshoj pe. Por tani për tani e shoh si të pa mundshme që të ndodh një gjë e tillë. Gjithsesi Kosova duhet t’i përdor të gjitha mjetet, është mirë që ajo është në listën e Interpolit edhe Kosova është mirë që të bëjë presion tekë Serbia përmes miqve ndërkombëtarë dhen përmes instrumenteve ndërkombëtare të drejtësisë”, ka thënë ai.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media ka njoftuar se ka bërë kërkesë që emri i Millan Radoiçiqit të futet në listën e të kërkuarve nga Interpoli.

    Sipas ministres, futja e Radoiçiqit në listën e Interpolit, sipas Konventës për Ekstradim, ka fuqinë juridike të kërkesës për arrestim të përkohshëm me qëllim të ekstradimit.

    “Pra, proceduralisht sipas kësaj Konvente, Serbia detyrohet që të arrestojë krye terroristin Millan Radoiçiq dhe terroristët e tjerë dhe brenda 40 ditëve, pra është arrestim i përkohshëm, Kosovës i kërkon që të bëjë kërkesë për ekstradim. Dhe natyrisht që ne do ta bënim, kështu bëjmë me gjithë rastet e tjera, atëherë brenda afatit Serbia detyrohet që ta dorëzojë në Kosovë”, ka thënë Haxhiu të hënën e 23 dhjetorit.

  • Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë rrezik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

    Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë rrezik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rrezikun që paraqet grupi i Milan Radoiçiqit për territorin e Kosovës, përderisa është ende i lirë dhe operon brenda territorit të Republikës së Serbisë.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Maqedonci ka thënë se vazhdimi i organizimit të tyre tregon rrezikun që ky grup paraqet jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    “Është theksuar edhe më herët jo vetëm nga kryeministri Kurti, por edhe nga unë, gjithashtu edhe nga drejtuesit e tjerë të dikastereve të sigurisë nga ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Policisë, rreziku që paraqet fakti që grupi i Radoiçiqit dhe elementët ekstremist dhe terrorist përreth tij mbeten të lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë, edhe më keq mbështeten nga strukturat e Republikës së Serbisë për të operuar dhe për të funksionuar pikërisht brenda territorit të Serbisë”, ka potencuar ministri.

    Sipas ministrit Maqedonci ky grup paraqet rrezik dhe për Ballkanin Perëndimor.

    “Fakti që ky grup vazhdon të mbetet i organizuar po dëshmon në vazhdimësi që paraqet rrezik për vendin tonë dhe jo vetëm, po për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Maqedonci.

    Maqedonci tha se pas sulmit të 24 shtatorit – 2023 në Banjskë, grupi i Radoiçiqit ka vazhduar me sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Sipas tij, këto sulme kanë shkaktuar pengesa për qytetarët që të kenë akses në shërbime esenciale, me qëllim destabilizimin e vendit.

    “Kjo është parë qartazi edhe pas tentimit për aneksim të territorit tonë me 24 shtator të vitit 2023, ky grup ka vazhduar të funksionoi dhe të inkurajojë elementët e tij brenda territorit të Kosovës me sulm të tjera, normalisht që ka ndryshuar natyra e sulmit nga një tentativë për aneksim e është shndërruar në një format të veprimeve terroriste, siç ishte rasti i fundit, elemente të lidhur me këtë grup tentuan që të dëmtojnë shumë infrastrukturën kritike të vendit tonë duke u mohuar qytetarëve qasjen në shërbimet esenciale, duke shkaktuar krizë energjetike me qëllim të destabilizimit të vendit”, ka thënë ai.

  • Hovenier dje u përshëndet me kosovarët pas 3 viteve si ambasador, mesazhet që la në paraqitjet e fundit

    Hovenier dje u përshëndet me kosovarët pas 3 viteve si ambasador, mesazhet që la në paraqitjet e fundit

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, këtë muaj po e përmbyll mandatin e tij në vend. Ditëve të fundit, ai ka zhvilluar takimet lamtumirëse e aktivitetet e fundit zyrtare në këtë post. Hovenier në këto angazhime la porosinë se SHBA do të jetë e përkushtuar ndaj partneritetit me Kosovën dhe se dëshiron që Kosovën ta shohë të përparuar.

    “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve ’90, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm”, tha të premten Hovenier pasi bëri homazhe te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

    Për këtë të fundit, ai tha se ishte i nderuar që “aktin final” të tij si ambasador në Kosovë ta bëjë duke e nderuar figurën dhe këmbënguljen e tij për të drejtat e njeriut.

    “E bëj këtë në kujtim të Presidentit Rugova dhe asaj për çka ai qëndronte, këmbënguljes së tij për të drejtat e të gjithë njerëzve të Kosovës, këmbënguljes së tij për një shtet sovran, demokratik, shumetnik dhe të begatë, këmbënguljes së tij për të ndjekur këto qëllime në përputhje me vlerat më të larta të komunitetit ndërkombëtar”.

    Ai tha se gjatë mandatit të tij “së bashku kemi forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes popullit të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”.

    “Ky dhjetor shënon edhe fundin e shërbimit tim si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Dëshiroj të falënderoj popullin e Kosovës për miqësinë dhe mikpritjen. Ka qenë nder që të shërbej në këtë rol dhe të kontribuoj në përpjekjen e përbashkët mes SHBA-së dhe Kosovës për të avancuar dhe konsoliduar një Kosovë sovrane, demokratike, multietnike dhe të begatshme. Jam krenar që e kemi arritur bashkë”.

    Në planin personal, ai tha se gjithmonë do ta kujtonte kremtimin e 4 Korrikut të 2024-ës në Kosovë “kur të gjithë ne refuzuam të lejonim shiun e rrëmbyeshëm të na pamundësonte të festonim dhe të vallëzonim bashkë”.

    Hovenier, duke thënë se përparimi i Kosovës ishte i padiskutueshëm që nga pavarësia, ai u shpreh optimist edhe për të ardhmen.

    “E le këtë detyrë duke e ditur se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme dhe mezi pres të shoh se çfarë ju populli i Kosovës do të arrini në vitin 2025 dhe më tej”.

  • E shtuna e kthjellët, por mëngjesi me ngrica

    E shtuna e kthjellët, por mëngjesi me ngrica

    Mot kryesisht me kthjellime parashihet të mbretërojë ditën e shtunë, megjithëse në pjesë lindore të vendit vranësira mund të mbeten deri orëve të pasdites. Erërat veriore fillojnë të qetësohen e frynë me intensitet të lehtë dhe mesatarë, 2-6m/s. Temperaturat minimale zbresin në -2C e -4C, e ato maksimale gjatë ditës shkojnë deri në 3C e 5C.

    Ditëve të fundit të vitit 2024 parashihet mot stabil kryesisht me kthjellime e diell. Orëve të mëngjesit do të ketë ngrica, me temperatura minimale që zbresin në -2C e -5C. Temperaturat maksimale në rritje deri në 6C e 7C. Luginave të lumenjve, mëngjeseve mund të shfaqen kushte për mjegull apo mjegullinë. Dominojnë qetësitë, e vetëm pasdite mund të fryjë erë e lehtë drejtimesh të ndryshme.