ATV

Author: ATVLive

  • Izraeli paralajmëron rebelët Houthi

    Izraeli paralajmëron rebelët Houthi

    Izraeli ka paralajmëruar rebelët Houthi të Jemenit se do të përballen me të njëjtin “fat të mjerueshëm” si Hamasi dhe Hezbollahu nëse vazhdojnë me sulmet me raketa.

    Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, ka thënë se grupi i mbështetur nga Irani do të jetë në shënjestër të ushtrisë izraelite pas sulmeve të fundit nga Houthi në Izrael.

    Ai gjithashtu e paralajmëroi Iranin, i cili i mbështet rebelët jemenas, se Izraeli ka aftësi për ta goditur çdo shënjestër në Lindjen e Mesme, përfshirë në Iran.

    Disa orë pas fjalimit të tij të hënën në mbrëmje, ushtria izraelite njoftoi se e rrëzoi një raketë të shkrepur nga Jemeni, e cila bëri që sirenat të binin në gjithë vendin.

    Rebelët Huthi sulmuan aeroportin “Ben Gurion” afër Tel Avivit dhe një stacion të energjisë elektrike në jug të Jerusalemit duke përdorur një raketë balistike hipersonike dhe një raketë balistike ka bërë të ditur të martën zëdhënësi ushtarak i grupit.

    Ndërkaq, kreu i komitetit suprem revolucionar i Huthit, tha se sulmet ndaj Izraelit nuk do të ndalen.

    Huthit gjithashtu kanë kryer sulme ndaj anijeve tregtare në korridorin e Detit të Kuq, për, siç thonë ata, të treguar solidariteti me palestinezët në Gazë.

    Ndërsa, javën që shkoi, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i paralajmëroi rebelët Huthi se Izraeli “sapo ka filluar”, pas sulmeve izraelite ndaj disa objektivave të lidhura me Huthit në Jemen, përfshirë aeroportin e Sanaas, portet në bregun perëndimor të vendit dhe dy termocentrale. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • “Kontakti me familje”, deri më tani vetëm një rast me linë e majmunit

    “Kontakti me familje”, deri më tani vetëm një rast me linë e majmunit

    Përgatiti: Besmire Kluna

    30 vjeçari nga Prishtina, i infektuar me Linë e Majmunit, është në gjendje stabile.

    Ai vazhdon të jetë i hospitalizuar në Klinike në Infektivë dhe sipas infektologut, Murat Mehmeti, shërimi i pacientit është në fazën përfundimate.

    Ai ishte infektuar në Afrikën Perëndimore, vend në të cilin kishte qëndruar rreth 4 muajve.

    Mirëpo, pavarësisht kontaktit me familjarë e miq, sipas Muratit, deri më tani nuk ka ndonjë rast tjetër pozitiv me linë e majmunit.

    ‘’Tani për tani aq sa kam informata saj përket familjarëve të pacientit nuk është që ka asnjëri prej familjarëve të tij ndonjë simptomë tani për tani. Pacienti tash për tash është në të ashtuquajtrën fazën krustoze ose fazën përfundimtare të ndryshimeve që ndodhin në lëkurë me rastin e kësaj sëmundje dhe ne besojmë që ndoshta brenda javës se ardhshme do të ishte dasht që nëse gjithçka shkon mirë të lirohet nga klinika’’, tha Mehmeti.

    Për ta kaluar këtë sëmundje, infektologu thotë se duhen së paku 3 javë, prej kur identifikohen simptomat e para.

    ‘’Dy deri tri javë rritja e simptomave të përgjithshme nënkuptojn temperaturë ethe plogështi dhimbje muskuj, të rritjes se gjëndrave limfatike’’, tha Mehmeti.

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike pati njoftuar se më 26 dhjetor Laboratori i Mikrobiologjisë ka konfirmuar një rast të importuar të kësaj sëmundjeje. Transmetimi i saj bëhet përmes kontaktit të ngushtë fizik.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Projektligji: Rezervat e detyrueshme të naftës pa prokurim, kontrata 5 vjet

    Projektligji: Rezervat e detyrueshme të naftës pa prokurim, kontrata 5 vjet

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Në fund të mandatit, Qeveria ka dërguar për miratim në Kuvend Projektligjin për Rezervat e Detyrueshme të Naftës – i cili bazuar në rrethanat aktuale pritet të trajtohet tek në legjislaturën e re.

    Sidoqoftë, me qëllim të rritjes së sigurisë së furnizimit dhe mbrojtur sigurinë publike e shtetërore, projektligji parasheh krijimin e rezervave të detyrueshme që duhet të mbulojë së paku 90 ditë të mesatares së importit ditor apo 61 ditë të mesatares të konsumit të brendshëm ditor.

    Bazuar në sasinë mesatare të importit nga vitet paraprake, vlera e përgjithshme e rezervave vlerësohet të arrijë përafërsisht 200 milionë litra naftë dhe benzinë.

    Pos vajrave si lëndë djegëse, produkt tjetër që përbën rezervat e detyrueshme është karburanti për aviacion.
    Sasitë e krijuara, gjithnjë sipas dokumentit, do të ruhen nga një deponues – cili duhet të jetë i pajisur me leje – dhe të cilin do ta zgjedhë Qeveria, përkatësisht Ministria përgjegjëse.

    Projektligji saktëson që “deponimi i rezervave të detyrueshme përjashtohet nga procedurat e prokurimit publik” dhe që “kohëzgjatja e kontratës me deponuesin të është pesë vjeçare”.

    Mbikëqyrjen dhe menaxhimin parashihet ta bëj departamenti përkatës në kuadër të Ministrisë përgjegjëse për tregun e naftës.

    Ndërsa, financimi i rezervave, deponimit, mirëmbajtjes, sigurimit dhe verifikimit të cilësisë, parashihet të bëhen nga buxheti i shtetit.

    Sasitë që nuk i përfshin projektligji janë ato të produkteve të naftës të krijuara sipas ligjit për rezervat shtetërore të mallrave, rezervat e huaja, e as ato të operatorëve ekonomikë.

    Të kontaktuar nga televizioni, disa prej anëtarëve të Komisionit parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti nuk qenë fare në dijeni të procedimit të projektligjit nga Qeveria në Kuvend.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Murati nuk e di sa fëmijë që s’jetojnë në Kosovë përfitojnë shtesa

    Murati nuk e di sa fëmijë që s’jetojnë në Kosovë përfitojnë shtesa

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Ministri i Financave, Hekuran Murati nuk e ka idenë se sa fëmijë të cilët janë përfitues të shestave, nuk jetojnë në Kosovë.

    Ani pse regjistrimi i fundit i popullsisë tregon se deri në moshën 16 vjeçare në Kosovë jetojnë 397 mijë e 140 fëmijë, të dhënat e Ministrisë së Financave thonë se numri i fëmijëve përfitues është mbi 403 mijë.

    Rrjedhimisht rreth 6 mijë fëmijë të cilët nuk janë banorë rezidentë në Kosovë, janë përfitues të skemës së shtesave, por më këtë shifër u shpreh i habitur ministri Murati, ani pse buxhetit të shtetit përfituesit jo rezidentë i kushtojnë rreth 1 milionë e 500 mijë euro.

    Megjithatë, sipas ministrit verifikimi për këto shtesa që ka filluar në shtator është duke vazhduar dhe disa familjeve ju është pezulluar e drejta e përfitimit.

    “Nuk kamë informacione për këto të dhëna, megjithatë verifikimi po tregon sukses dhe ka fëmijë që ju është pezulluar”, tha Murati.

    Por sipas ekonomistit, Jakup Bellaqa verifikimi in këtyre përfituesve është dashur të bëhej qysh moti.

    Kjo masë mbështetëse qeveritare për fëmijët, buxhetit të shtetit në total i kushton 120 milionë euro në vit.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Ish kryeshefi i KEK-ut akuzohet për keqpërdorime në një tender prej 1.6 milionë eurosh

    Ish kryeshefi i KEK-ut akuzohet për keqpërdorime në një tender prej 1.6 milionë eurosh

    Përgatiti: Nora Luta

    Një prej kontratave për të cilën akuzohet ish kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, është ajo me operatorin ekonomik nga Greqia “Ergotem Sa”, në vlerë prej 1 milionë e 621,544.20 euro.

    Në aktakuzën e re të Prokurorisë Speciale, thuhet se operatorit iu dha jashtëligjshëm tenderi për “Pllakat rrëshqitëse në PF-kanalet e mullinjve të thëngjillit”.

    Megjithatë, sipas aktakuzës fillimisht Krasniqi e kishte urdhëruar të akuzuarin tjetër Ymer Draguasha, ish ushtruesin e detyrës së Zyrës së Prokurimit në KEK, që rreth këtij tenderi t’i ftojë në takim dy kompani, SBB dhe Ergotem S.A.

    “I pandehuri Nagip Krasniqi, me datën 15.12.2022, i shkruan SMS të pandehurit Ymer Dragusha dhe e urdhëron që për tenderin që do të shpallet me datën 16.12.2022, të ftohen operatori ekonomik “SBB” dhe operatori ekonomik ‘ ‘Ergotem S.A”‘, duke përcaktuar paraprakisht ofertuesit e tenderit dhe pastaj te njëjtën dite Të bëhet shpallja e njoftimit për kontrate”, thuhet në Aktakuzë.

    Fitues ishte shpallur kjo e fundit, e cila para nënshkrimit të kontratës kishte kërkuar ndryshimin e kushteve të tenderit, gjë që sipas aktakuzës përmes negocimit i ishte mundësuar.

    “Në veçanti lidhur me lartësinë e garancionit bankar që në dosje të tenderit ishte 50% kurse operatori ekonomik kërkonte që të jete 10%, për çka edhe të pandehurit Krasniqi dhe Dragusha me datën 21.03.2023, në zyrat e KEK-ut, mbajnë një takim me përfaqësuesit e OE dhe kundërligjshëm e pranojnë kërkesën, ashtu që garancioni bankar nga 50% zbritet në 15%, me ç ‘rast me datën 07.04.2023, nënshkruhet kontrata nga i pandehuri Ymer Dragusha ndërsa me datën 18.04.2023, nënshkruhet nga i pandehuri Nagip Krasniqi, në shumë 1,621,544.20 Euro”, thuhet më tej në Aktakuzë.

    Sipas dosjes së siguruar nga televizion,i Krasniqi akuzohet edhe për zbulim të fshehtësisë zyrtare, ku sipas aktakuzës ai me dashje në vazhdimësi ka zbuluar të dhëna që nuk ishin publike me Koordinatoren e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje Dejona Mihalin, e cila nuk ka asnjë pozitë zyrtare në KEK.

    Ndërkohë, Krasniqi akuzohet se në bashkëkryerje me Dragushën, keqpërdoren detyrën zyrtare edhe kur lidhën tenderin për riparimin emergjent të kaldajës në njësinë prodhuese A5.

    Gjithnjë sipas PSRK- Dragusha e Krasniqi, zhvilluan negociata me operatorë ekonomik pa qenë anëtarë të Komisionit për vlerësim-negocim, të cilët ishin shpallur të papërgjegjshëm në procedurën e hapur të prokurimit.

    Ndonëse për të një Komision, i cili ishte themeluar nga vet Krasniqi, kishte konstatuar se nuk i plotëson kushtet, “Litëin S.A”e kishte fituar tenderin.

    “20.01.2023, i pandehuri Krasniqi ka themeluar komisionin për vlerësimin-negocimin e ofertës për aktivitetin e prokurimit “Riparimi kapital emergjent i kaldajë blloku AS”, në përbërje të: Remzi Beshiri kryetar i komisionit, Skënder Isufi dhe Emin Tmava, anëtarë, me qëllim të zhvillimit të negociatave me operatorin ekonomik ‘ ‘Litëin S.A” ‘, të cilët në raportin e vlerësimit të datës 25.01.2023, kanë konstatuar se ky operator nuk i ka plotësuar kërkesat në dosje të tenderit si dhe nuk iu ka përmbajtur premtimeve të dhëna gjatë zhvillimit të negociatave duke rekomanduar anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, për shkak se operatorin ekonomik kishte kërkuar ndryshimin e tri kushteve te tenderit dhe atë: zvogëlimin e garancisë bankare, zgjatjen e afatit për kryerje të punëve dhe uljen e përqindjes së penaltive”, thuhet në Aktakuzë.

    Ndërkohë Isuf Zejna akuzohet se i kishte ndihmuar Krasniqit në përgatitjen e tenderit për konsulencë në vlerë 60 mijë euro, në të cilin ishte pjesëmarrës dh e fitoi kompania ku është aksionar. Për këtë tender KRPP-ja, kishte rekomanduar procedurë të hapur.

    “Ashtu që fillimisht i pandehuri Krasniqi ja dërgon njè draft të termave të referencës të pandehurit Zejna, e më pastaj i pandehuri Zejna ia kthen të njëjtin draft të pandehurit Krasniqi, ndërsa ky i fundit draftin e dërgon te Zyra e Prokurimit ne KEK dhe u kërkon inicimin e këtij aktiviteti tè prokurimit me procedurë të negociuar”, thuhet në Aktakuzë.

    Sipas aktakuzës si rezultat i veprimeve të Krasniqit e Dragushës nga korriku i 2022-s deri në maj të 2023-s blloku A5 ishte jashtë funksionit, dhe KEK ishte detyruar që të importoj energji elektrike duke i shkaktuar Buxhetit të Kosovës, dëm në shumë prej 36.349.638.62 Euro.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • KQZ-ja certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

    KQZ-ja certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, kundër certifikimit të partisë, Lista Serbe.

    Lëvizja Vetëvendosje, e kishte kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. PZAP-ja kishte anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikim, pas ankesës së këtij subjekti politik.

    “Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

    Me vendimin e Supremes nuk është pajtuar zv.ministri I Drejtësisë Blerim Sallahu, i cili kishte dorëzuar ankesën. Megjithatë, në reagimin e tij ka theksuar se kanë qenë të vetëdijshëm për pengesat procedurale.

    “Ne kemi qenë të vetëdijshëm për pengesat procedurale, por për shkak të veprimeve të vazhdueshme antikushtetuese dhe antiligjore, në mbrojtje të akteve terroriste, me të cilin është cenuar seriozisht siguria e shtetit ishte dashur që mbrojtja e sigurisë nacionale shtetërore t’i mbivendoset pengesave procedurale dhe kësisoj ankesa jonë të ishte shqyrtuar në mënyrë meritore dhe kështu t’i ndalohej Listës Serbe të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare 2025”, tha Sallahu.

    Menjëherë pas vendimit të Supremes, KQZ-ja në mbledhjen e mbajtur të martën certifikoi Listën Serbe.

    “Vendimi i PZAP-së është i plotfuqishëm. Kjo çështje është mbyllur duke u certifikuar Lista Serbe”, tha kryetari i KQZ-së, Kreshin Radoniqi.

    Ankesën në Supreme, Lëvizja Vetëvendosje e pati dërguar më 27 dhjetor.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Në ditën e fundit të 2024-ës, presidentja viziton veriun e Kosovës

    Në ditën e fundit të 2024-ës, presidentja viziton veriun e Kosovës

    Përgatiti: Pranvera Kransiqi

    Në ditën e fundit të vitit 2024, presidentja Vjosa Osmani, vizitoi veriun e Kosovës.
    Bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Xhveçla dhe Drejtorin e

    Policisë, Gazmend Hoxha, Osmani vizitoi Drejtorinë e Policisë në Mitrovicë të Veriut, dy biznese shqiptare dhe një shtëpi në “Kroin e Vitakut”.
    Qëllimi, sipas saj, është që policët t’i përgëzojë për angazhimin dhe t’ua urojë festat e fundvitit.

    “Në radhë të parë ishim në vizitë në drejtorinë e Policisë për t’i falënderuar policët e të gjitha komuniteteve për shërbimin e tyre të çdo ditshëm në interes të të gjithë qytetarëve në mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre. Për t’i inkurajuar ata që edhe kur ka netë festash dhe ata sakrifikojnë duke qenë larg familjes së tyre dhe për t’iu dhënë gjithë mbështetjen e mundshme institucioneve të Kosovës”, tha Osmani.

    Me këtë rast, urimet më të mira për fundvit i thuri edhe për të gjithë qytetarët.

    “Shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjithë qytetarët e Kosovës të të gjitha etnive për festat e fundvitit duke iu dëshiruar të gjithëve shëndet dhe prosperitet me shpresën që viti 2025 do t’i sjell të gjitha të mirat për shtetin tonë”, tha Osmani.

    Në kuadër të vizitës, presidentja Osmani ka shpërndarë dhurata për fëmijët në veri të Mitrovicës.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Osmani: Kosova duhet të ruajë aleancat me miqtë ndërkombëtarë për të forcuar shtetin

    Osmani: Kosova duhet të ruajë aleancat me miqtë ndërkombëtarë për të forcuar shtetin

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për fundvit në emisionin STUDIO A në ATV, deklaroi se ruajtja e marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë është vendimtare për mbrojtjen e shtetësisë dhe përparimin e vendit.

    Ajo nënvizoi se Kosovën e presin sfida të vazhdueshme, prandaj bashkëpunimi me aleatët duhet “ujitur” vazhdimisht për të siguruar mbështetje të qëndrueshme.

    “Aleancat me miqtë tanë ndërkombëtarë vazhdimisht duhet të ujiten, sepse janë të domosdoshme për sukseset e mëtejme të Kosovës”, tha Osmani.

    Ajo shtoi se mësimi më i rëndësishëm që ka nxjerrë nga përvoja e saj si presidente është se, asgjë nuk duhet marrë si të mirëqenë, sidomos në ruajtjen e lirisë dhe sovranitetit të Kosovës.

    “Liria jonë duhet të mirëmbahet, të mbrohet në çdo moment. Çdo e arritur duhet të mirëmbahet”, shtoi Osmani.

    Intervistën e plotë të Presidentes Osmani në STUDIO A në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Osmani: Viti 2024 ishte sfidues në aspektin e sigurisë, por institucionet e përballuan me sukses

    Osmani: Viti 2024 ishte sfidues në aspektin e sigurisë, por institucionet e përballuan me sukses

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në intervistën e saj për fundvit në emisionin STUDIO A në ATV, tha se viti 2024 ishte i mbushur me sfida të sigurisë, por se institucionet arritën t’i menaxhojnë me sukses.

    Ajo potencoi se, veç problemeve ekonomike, shteti u përball edhe me sulme nga Serbia, por forcat e sigurisë arritën t’i parandalonin pasojat e mundshme.

    “Ka qenë vërtet një vit me sfida të shumta, do të thoja edhe në aspektin ekonomik, shkak të problemeve të mëdha ekonomike globale, me të cilat bota po përballet në këto vitet e fundit. Mirëpo, në Kosovë në veçanti kemi pasur sfida të sigurisë, që e dini që kryesisht kanë filluar në fund të vitit 2023 dhe vazhduan gjatë tërë vitit 2024, sfidat të cilat institucionet tona të sigurisë i kanë përballuar suksesshëm dhe i kanë parandaluar pasojat e mëdha të cilat dëshironte Serbia t’i arrinte nëpërmjet këtyre sulmeve ndaj vendit tonë”, tha Osmani.

    Ajo tha se sukses i madh ishte mbrojtja e çdo pjese të Kosovës, falë përkushtimit të ushtarëve dhe policëve që rrezikojnë jetën për atdheun.

    “Pra, mbrojtja e shtetit, mbrojtja e çdo cepi, çdo pëllëmbe të shtetit tonë nga këto forca të errëta të së kaluarës është suksesi më i madh i shtetit tonë, që tregon qëndrueshmërinë e institucioneve, por mbi të gjitha edhe dashurinë e madhe ndaj vendit që e kanë djemtë dhe vajzat tona në uniformë, të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka edhe jetën, në mënyrë që ta mbrojnë çdo pjesë të Kosovës”, shtoi ajo.

    Intervistën e plotë të Presidentes Osmani në STUDIO A në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Sulmi në Ibër-Lepenc, Kurti: Partnerët tanë nuk po duan ta fajësojnë Serbinë

    Sulmi në Ibër-Lepenc, Kurti: Partnerët tanë nuk po duan ta fajësojnë Serbinë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për qeverisjen e tij katërvjeçare. Për herë të parë kryeministri Kurti foli për Gjykatën Speciale, duke dhënë edhe arsyet se pse nuk shkoi t`i vizitojë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Unë e kam menduar vizitën në Hagë edhe kam qenë i interesuar të shkoj, por faktori kryesor që më ka ndalur të shkoj është fakti që duhej plotësuar shumë dokumente formularë, ku ti nënshkruan në Gjykatën Speciale”, tha Kurti në një intervistë për emisionin RTK Prime.

    Kurse sa i takon sulmit në Varagë të Zubin Potokut, në kanalin Ibër-Lepenc, ai tha se po i duket se gjithçka qon në atë që “partnerët tanë ndërkombëtar nuk po duan ta fajësojnë Serbinë, e neve për sherr në ato qaste nuk patëm një dronë përmbi kanal”.
    Ai foli edhe për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe shtroi pyetjen pse kur tre liderët kryesor të shtetit nuk janë dakord që ky person të bëhet Kryeprokuror, pse insiston ai?

    Ndërsa i pyetur për shumë rastet e hapura, si ai i ambalazhuesve të ujit, afera e vajit dhe grurit, rasti i KEK-ut, të zotit Krasniqi, e raste të tjera Kurti tha se Krasniqi i ka sjell KEK-ut 105 milionë euro.
    “Drejtori, kryeshefi Krasniqi i solli 105 milion fitim KEK-ut për vitin 2022. Ky i ka çmendur kundërshtarët tanë, një pjesë e të cilëve janë në prokurori, dhe ky sulëm është bërë ndaj suksesit të tij, jo për shkak të dështimit të tij”, tha ai
    Kryeministri foli edhe për të arriturat e vendit gjatë qeverisjes së tij.

    “Kemi pasë rritje ekonomike impresive në këto 4 vjet, mesatarja ka qene 6 për qind e bruto prodhimit vendor dhe në të njëjtën kohë kemi të hyra rekord tatimore, që më bënë jashtëzakonisht të lumtur, sepse tregon besimin e qytetarëve në institucione dhe njëkohësisht rritjen e ekonomisë tonë nëpërmjet të lulëzimit tonë privat”.