ATV

Author: ATVLive

  • Zyrtare: Sergio Conceicao trajneri më i ri i Milanit

    Zyrtare: Sergio Conceicao trajneri më i ri i Milanit

    Milani ka konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar emërimin e Sergio Conceicaos si trajneri i tyre më i ri.

    Conceicao ulet në stolin e ‘Rossonerëve’ duke zëvendësuar Paulo Fonsecan, i cili u lirua nga detyrat e tij gjatë ditës së sotme pasi gjiganti italian ra në pozitën e tetë në tabelë.

    50-vjeçari ka qenë i papunë që prej largimit të tij nga Porto, aty ku qëndroi për shtatë vite dhe u shpall tri herë kampion i Portugalisë.

    Conceicao nuk është i panjohur për kampionatin italian, pasi atje ka fituar Scudetton me Lazion si lojtar teksa ka luajtur edhe tek Parma dhe Interi.

    Ai zakonisht preferon të luajë me sistemin 4-4-2 ose 4-2-3-1 dhe kërkon lëvizje vertikale të topit.

    Skuadrat e tij zakonisht janë përshkruar si të vështira për t’u përballur ndaj tyre dhe që bëjnë një lojë mjaft fizike dhe intensive.

  • Haxhiu thotë se MD-ja gjatë vitit 2024 shënoi epokë ndryshimesh të thella në drejtësi

    Haxhiu thotë se MD-ja gjatë vitit 2024 shënoi epokë ndryshimesh të thella në drejtësi

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë një konference për media, ka theksuar arritjet e kësaj periudhe, duke përmendur reformat e thella dhe përkushtimin ndaj sundimit të ligjit, raporton EO.

    Ajo ka theksuar se janë miratuar mbi 120 akte normative dhe janë arritur rezultate të rëndësishme, përfshirë një zbatim të suksesshëm të strategjive kombëtare.

    Haxhiu foli për progresin në vettingun e sistemit të drejtësisë dhe për sfidat e hasura, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme për të garantuar një drejtësi të pavarur dhe efikase.

    “Këto vite, nuk janë thjeshtë një periudhë angazhimi institucional, por një epokë ndryshimesh të thella dhe reformash që kanë trasuar rrugën drejt transformimit të plotë të sistemin e drejtësisë. Në emër të Ministrisë së Drejtësisë, shpreh mirënjohjen më të thelle për ekipet tona të dedikuara, për partnerët vendor dhe ndërkombëtare, dhe për secilin qytetar që ka mbështetur vizionin tonë për një Kosovë më të drejtë dhe më të barabartë. Kjo punë është dëshmi e qartë se kur vullneti politik dhe përkushtimi kombinohen, arritjet janë të pashmangshme. Duke ndjekur këtë ritëm, zotimi ynë për të ardhmen është i palëkundur: të shtyjmë përpara reforma të reja, të ndërtojmë institucione edhe më të forta dhe të sigurojmë drejtësi për të gjithë qytetarët tanë”, tha ajo.

    Haxhiu tha se kanë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm dhe janë arritur rezultate të prekshme që flasin për përkushtimin e kësaj ministrie ndaj sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesit publik.

    “Mbi 120 akte normative të miratuara në dikasterin qeveritar, mbi 81% zbatimi i Strategjisë për Sundimin e Ligjit (zbatuara plotësisht dhe në zbatim), mbi 85 % zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe në baza Gjinore (zbatuara plotësisht dhe ne zbatim, sipas raportit për zbatim të vitit të fundit), mbi 145 milion euro kursim Buxhetit të Republikës, nga tre fitoret në arbitrazhin ndërkombëtar, mbi 100% rritje e buxhetit, gjegjësisht 3 milion euro për mbështetje financiare për strehimoret dhe OJQ-të që ofrojnë shërbime sociale për vitin 2023 dhe 2024, nga fondi i MD-së, 200 mijë euro më shumë në vit për fëmijët pa përkujdesje prindërore. Kompensimi i viktimave, emërimi i 100 noterëve të rinj (është trefishuar numri i noterëve) një prej hapave më të rëndësishëm ka qenë procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë. Ky proces është themelor për të siguruar një drejtësi të pavarur, të besueshme dhe efikase”, ka deklaruar Haxhiu.

    Ajo theksoi gjithashtu mbështetje për kategoritë në nevojë dhe përpjekjet për të siguruar mbrojtjen e viktimave të dhunës dhe fëmijëve pa përkujdes prindëror.

    Ministria e Drejtësisë gjate këtij mandati, ka hartuar koncept dokumentin për vettingun në sistemin e drejtësisë, ka finalizuar amendamentet për vettingun në sistemin e drejtësisë. Kemi miratuar ligjin për familjen sociale dhe për familjet që janë në nevojë, fondi ishte 800 mijë euro në vitin e ardhshëm do të jetë 2.5 milionë euro. Ministria e Drejtësisë ka përballuar shumë sfida. Një nga sfidat ka qenë përpjeka e vazhdueshme e opozitës për të penguar reformat tona nga ana e Gjykatën Kushtetuese veçanërisht për ligjet tejet të rëndësishme, e cila ka pasur për qëllim ndjekjen e pasurisë së pajustifikueshme. Ministria ka vazhduar të nxis dialogun në vazhdim të reformave. Ata kanë refuzuar të jenë në projektin e Vettingut. Ne vazhdojmë të mbesim të shqetësuar me përqindjen e ulët të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ajo.

  • Dogana e Kosovës, rreth 2 miliardë euro të hyra

    Dogana e Kosovës, rreth 2 miliardë euro të hyra

    Dogana e Kosova ka arritur që gjatë këtij viti të grumbullojë 1.8 miliard euro, 135 milionë euro më shumë apo 9.5%, se në vitin 2022.

    Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Agron Llugaliu, raporton EO.

    Këtë rritje, Llugaliu ia atribuon përmirësimit të Procedurave Doganore, implementimi i teknologjive të avancuara dhe procedurave të thjeshtuara ka kontribuar ndjeshëm në efikasitetin e procesit, Luftës Kundër Kontrabandës.

    “Ky vit ka qenë mjaft i suksesshëm në fushat që zbaton Dogana e Kosovës. Të hyrat doganore sivjet janë 1 miliard e 800 milionë euro, një rritje prej 151 milionë euro dhe kemi kaluar projeksionin prej 50 milionë. Janë disa faktorë që kanë arritur këtë rritje, si zhvillimi ekonomik dhe luftimi i korrupsionit”, tha ai.

    Llugalliu tha se importi nga Serbia është 127 milionë.

    “Sivjet kemi bërë prokurimin e një sofweri që zbaton çarkun doganor dhe kemi arritur që ta kemi aplikimin e Inteligjencës Artificiale i cili do të zbatohet tremujorin e ardhshëm”, u shpreh ai, teksa shtoi se vlera e konfiskimeve arrin në 19 milionë euro.

    “Import nga Serbia është 127 milionë dhe tri vendet e para që importojmë më shumë s’është Turqia, Gjermania dhe Kina. Nga kjo e fundit tregon për mallrat me origjinë. Nga Turqia janë 909 milionë euro dhe Gjermania është afër kësaj shifre që përfaqëson Turqia”, theksoi Llugaliu.

  • Edhe një aktakuzë ndaj Nagip Krasniqit, bashkë me dy persona tjerë i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 37 milionë euro

    Edhe një aktakuzë ndaj Nagip Krasniqit, bashkë me dy persona tjerë i shkaktuan dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 37 milionë euro

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të re ndaj ish kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqi, dhe dy personave tjerë me inicialet Y.D. dhe I.Z.

    Në njoftim thuhet se të pandehurit gjatë periudhës kohore 2021-2023 i kanë shkaktuar dëm buxhetit në vlerë prej 37 milionë euro.

    “Të pandehurit akuzohen se gjatë periudhës kohore 2021 – 2023, me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milion Euro duke kryer veprat penale: Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar, Zbulimi i fshehtësisë zyrtare dhe Ndihmë në Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Ky rast tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për procedurë të mëtutjeshme.”

    Në gusht Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën e parë ndaj Krasniqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

    “Sipas aktakuzës i pandehuri N.K.duke filluar nga data 15 tetor 2021 e në vazhdimësi deri me datë 19 prill 2023,në cilësinë e personit zyrtar, duke e shfrytëzuar detyrën zyrtare, kishte kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtare përcaktuar me nenin 414 par. 2 lidhur me nenin 77 të KPRK-së””, thuhej në njoftimin e Prokurorisë për ngritjen e aktakuzës.

  • Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuza ndaj pesë ish-ministrave, Isufaj: Nuk ka asnjë aktakuzë për ministrat aktualë

    Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuza ndaj pesë ish-ministrave, Isufaj: Nuk ka asnjë aktakuzë për ministrat aktualë

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se deklarimet e qeverisë janë deklarata denigruese dhe fyerjet publike ndaj prokurorëveve dhe institucioneve të prokurorisë minojnë integritetin, cenojnë edhe besimin e publikut dhe sundimin e ligjit, raporton EO.

    Në konferencën për media, ai ka thënë se janë ngritur aktakuza për pesë ish ministra të kabineteve tjera qeveritare dhe se aktualisht nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për ministrat aktual.

    “Dua të ju them se ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetëror. Ju bëjë thirrje të gjitha institucioneve dhe qeverisë të shmangin retoriken që sulmon institucionet e drejtësisë. Prokuroria Speciale dhe sistemi gjyqësor dhe prokuroria nuk janë për të bërë skenare, në punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as nga pozita as nga emri. Unë me sinqeritetin më të madh ju them se nuk kam informacione nëse dikush ndonjëherë është intervistuar në Zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë unë nuk di”, tha ai.

    Isufaj tha se prokuroria punon vetëm në bazë të provave në ligjit dhe kushtetutës.

    “Deklarata denigruese edhe fyerjet publike ndaj prokurorëve dhe institucioneve të prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin, por e cenojnë edhe besimin e publikut dhe sundimin e ligjit. Aktualisht kemi të ngritura aktakuza për 5 ish ministra të kabineteve tjera qeveritare. Nuk e kemi të ngritur asnjë aktakuzë për asnjë ministër aktual. I kemi të hedhura 17 kallëzime penale për ministrat aktualë në detyrë. Unë nuk di cili është argumenti më i madh që ne nuk punojmë në mënyrë selektive. Ne punojmë vetëm në bazë të provave në ligjit dhe Kushtetutës”, tha Isufaj.

  • ​Peshëngritësi shqiptar shpallet kampion aziatik

    ​Peshëngritësi shqiptar shpallet kampion aziatik

    Peshëngritësi nga Cërriku Ertjan Kofsha shpallet kampion në Kampionatin Aziatik të Peshëngritjes në Doha, Katar, me një dy garësh prej 358 kg, 165 kg në stilin e shkëputjes dhe 193 kg në stilin e shtytjes duke përmirësuar rekordin e tij personal me 4 kg.

    Kofsha, një peshëngritës shqiptar, i cili ka treguar përkushtim dhe punë të palodhur për të arritur këtë nivel së bashku me trajnerin e tij z. Leonard Toska dhe me mbështetjen e FSHP-së dhe Presidentit z. Elez Gjoza.

    Në këtë kampionat, Kofsha konkurroi me disa nga peshëngritësit më të mirë në botë, duke treguar forcë dhe teknikë të lartë.

    Ky sukses është një arritje e madhe jo vetëm për Kofshën, por edhe për sportin shqiptar në përgjithësi, duke dëshmuar se me punë të palodhur dhe përkushtim mund të arrihen rezultate të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare.

    Ertjan Kofsha konsiderohet tashmë talenti më i madh i peshëngritjes shqiptare pasi më herët ka fituar edhe titull kampion bote/ Top Channel

  • Haxhiu fajëson kryeprokurorin Isufaj për dështimet në sistemin prokurorial, e akuzon për politizim të ftesës ndaj Kurtit

    Haxhiu fajëson kryeprokurorin Isufaj për dështimet në sistemin prokurorial, e akuzon për politizim të ftesës ndaj Kurtit

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar ftesën për kryeministrin Albin Kurti për t’u paraqitur si dëshmitar në Prokurorinë Speciale, duke e quajtur atë një përpjekje të vonuar dhe duke theksuar se Kurti nuk e ka refuzuar dëshminë, raporton EO.

    Sipas saj, në qeveritë e kaluara ka pasur korrupsion dhe pasurim të shpejtë të politikanëve, por insistoi se nuk ka asnjë akuzë për korrupsion kundër Kurtit.

    Ajo gjithashtu kritikoi vonesën e ftesës për Kryeministrin në lidhje me një çështje të rezervave shtetërore, duke thënë se janë të njohura arsyet e kësaj vonese.

    “Për qeverinë tonë ka rezultate të pafundme, por hajde të flasim për sukseset e Prokurorisë Speciale. Përveç terrorizmit dhe krimeve të luftës, ajo adreson edhe shpërdorimin e parave dhe a ka ndodhur ndonjë rast ku Blerim Isufaj ka pasur sukses. Unë e di që ka prokurorë shumë të mirë, por problemi qëndron tek personat e lartë, te Blerim Isufaj”, tha Haxhiu.

    Ajo theksoi se Kurti nuk ka refuzuar të paraqitet si dëshmitar, por ka ngritur pyetjen se si është e mundur që rasti i rezervave shtetërore, që ka ndodhur vitin e kaluar, po ftohet tani kryeministri.

    “Kurti nuk ka refuzuar të paraqitet si dëshmitar, por si është e mundur që rasti i rezervave shtetërore, që ka ndodhur vitin e kaluar, po ftohet tani? Në ditën kur po bëheshin listat e deputetëve, qëllimet ishin tashmë të qarta. Në qeverinë e kaluar ka lulëzuar korrupsioni, por ne e dimë si janë pasuruar politikanët, askush nuk mund të thotë se kryeministri Kurti është i korruptuar. Por, në të kaluarën janë bërë milionerë politikanët dhe askush nuk merrej me pasurinë e paluajtshme. Kurti nuk ka refuzuar dëshminë, ai ka promovuar ditë dhe datë, dhe ka ndodhur edhe më herët që të pyetet në zyrë”, shtoi Haxhiu.

  • Isufaj për Kurtin: Ka përgjegjësi të paraqitet, sistemi prokurorial nuk bënë skenar por punon sipas Kushtetutës

    Isufaj për Kurtin: Ka përgjegjësi të paraqitet, sistemi prokurorial nuk bënë skenar por punon sipas Kushtetutës

    Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i është përgjigjur kryeministrit Kurti, i cili i ka ftuar prokurorët ta intervistojnë në zyrën e tij në Qeveri.

    “Do luftojmë kundër gjithë atyre që bien ndesh me ligjin pa dallim pavarësisht pozitës që kanë”, tha Isufaj në konferencën për media.

    Isufaj tha se ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës përfshirë dhe zyrtarët e lartë.

    “Çdo person që ftohet ka përgjegjësi të paraqitet”, tha ai.

    “Sistemi prokurorial nuk bënë skenar, por punon sipas Kushtetutës”, tha Isufaj.

    Kurti nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Prokurorisë Speciale për të dëshmuar në këtë organ të akuzës. Prokurorët, i ka ftuar ta intervistojnë në zyrën e tij në Qeveri.

    “Unë guxoj t’ju them s’po vij. Ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, tha kryeministri mbrëmë në podcastin “Rrjedha”.

  • ​Kurti: Ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës, është arritur 10 miliardëshi

    ​Kurti: Ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës, është arritur 10 miliardëshi

    Viti 2024 do të hyjnë në historinë ekonomike të Kosovës, si viti në të cilin është arritur 10 miliardëshi. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën vjetore të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ku u shpalosen mbështetja e bizneseve gjatë vitit 2024 dhe planet për vitin 2025.

    Kryeministri Kurti duke folur për rritjen ekonomike, tha se Kosova ka treguar një rritje mesatare prej 6.6.% përgjatë katër viteve.

    Sipas tij, këtë rritje ekonomike e kanë ndarë me fëmijët, nënat, pensionistët, studentët dhe bizneset.

    “Trendet e viteve të fundit të rritjes ekonomike na dëshmojnë se nga përpjekjet tona të përbashkëta vendi ynë ka treguar një rritje mesatare prej 6.6 për qind të Bruto Produktin Vendor në këto katër vite. Kemi dyfishim të eksporteve, përmirësim të ndjeshëm të raporteve eksport-import prej 1 me 9 para 4 viteve në rreth 1 me 6 tani. Kemi edhe dyfishim të investimeve të huaja, me ç’rast mesatarja e investimeve të huaja gjatë qeverisjes sonë 2021-2023 është 664.3 milionë euro, ose dy herë më e lartë se mesatarja vjetore e periudhës 2007-2020…Në përgjithësi ekonomia e Kosovës është rritur dhe ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës si vit në të cilën është arritur 10 miliardshi i ekonomisë sonë. Me ç’rast kjo i bien një rritje prej 46% afër 50%, krahasuar me vitin 2019 dhe mbi 50% krahasuar me vitin 2020. .. Sivjet 2-24 krahasuar me vitin 2021, kemi një rritje të ekonomisë së vendit tonë për rreth 30 për qind”, tha Kurti.

    Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari u shpreh se Kosova me treguesit ekonomik në rritje është më mira në rajon.

    Si sukses për vitin 2024, ajo e ndau edhe marrëveshjen me CEFTA-në dhe përfaqësimin e Kosovës pa UNMIK-un.

    “Kosova është veçse me treguesit ekonomik në rritje më e mira në rajon me shumë tregues që i përmendi kryeministri kemi edh enjë obligim të madh para nesh që janë integrimet evropiane që janë përmes masave që duhet t’i zbatojmë përmes planit të rritjes përmes BE ku Kosova së bashku me sektorin privat pritet të kontribuoj në industrinë e gjelbër, industrinë qarkore. Prandaj pres nga ju që të keni sa më shumë vëmendje të krijimit i simbiozave si biznese që krijoni sa më shumë ekosisteme që çka është mbetje për një sektor të jetë lëndë e parë në sektorin industrial. Për të lehtësuar eksportet unë sot iu njoftoj se në vendimet e fundit të qeverisë sonë ne morën vendimin për marrjen e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes EFTA”, deklaroi ministrja, Hajdari.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm në KIESA, Zef Dedaj thotë se përgjatë vitit 2024 si KIESA kanë mbështetur rreth 500 biznese në vlerë prej 7.3 milionë euro.

    “Këtë vit derisa buxheti i KIESA-së ishte 13.9 milionë, thuasje 14 milionë e kemi menaxhuar dhe ekzekutuar si në vijim: filluam me mbështetjen e 167 bizneseve prodhuese dhe përpunuese në kuadër të politikës sektoriale dhe mbështetëm 167 biznese në vlerë prej 4 milionë e 455 mijë euro. Pastaj vazhduam edhe me 23 biznese të tjera duke i mbështetur përmes grant skemës për certifikim duke iu mundësuar që t’i certifikojmë me markën CE që target kryesor ka rritjen e eksportit edhe këtë në vlerë prej 500 mijë euro. Pastaj, vazhduam me 62 biznese, ndërmarrje të vogla dhe të mesme në fushën e digjitalizimit dhe 7 në fushën e artizanaleve edhe këto në vlerë prej 500 mijë euro. Shumë e rëndësishme të theksohet për herë të parë zbatuam grant-skemën për inovacion…përfituan 34 ndërmarrje të vogla dhe të mesme prodhues dhe ndërtues dhe të sektorit të teknologjisë informative.. Gjithsej afër 500 biznese të mbështetura vetëm nga KIESA nga këto 308 me grante direkte financiare dhe rreth 150 me panaire”, thotë ai. /KP

  • ​Canavaro merr drejtimin e skuadrës së njohur evropiane

    ​Canavaro merr drejtimin e skuadrës së njohur evropiane

    Ish-mbrojtësi i Italisë, Fabio Cannavaro është emëruar trajner i ri i Dinamo Zagrebit, njoftoi klubi kroat të dielën. Fituesi i Kupës së Botës 2006 dhe fituesi i Topit të Artë rikthehet në menaxhim pas një periudhe të shkurtër me Udinesen në fillim të vitit, ku ai drejtoi skuadrën për vetëm gjashtë ndeshje.

    Ai ishte më parë menaxher i përkohshëm për ekipin kombëtar të Kinës dhe Al Nassr në Arabinë Saudite.

    “Karizmi i tij, origjina e kampionatit dhe uria për sukses e bëjnë atë kandidatin ideal. Ai e njeh ekipin, ligën dhe sfidat përpara ,” thuhet në një deklaratë nga Dinamo, përcjellë KosovaPress.

    Ai zëvendëson Nenad Bjelicën, i cili u shkarkua pas rezultateve të dobëta në Ligën Kroate të Futbollit të nivelit të lartë, ku skuadra është e treta, shtatë pikë prapa Rijekës në krye të tabelës..

    Cannavaro do të marrë përsipër skuadrën pas Vitit të Ri, me ndeshjen e tij të parë me Arsenalin më 22 janar, në fazën e grupeve të Champions League, ku Dinamo është e 24-ta, vendi i fundit në seksionin e playoff-it.