ATV

Author: ATVLive

  • Bie numri i infermierëve që kërkojnë vërtetim për largim jashtë shtetit – Pagat e ulëta e ngarkesat e mëdha në punë, ankesat e vitit 2024

    Bie numri i infermierëve që kërkojnë vërtetim për largim jashtë shtetit – Pagat e ulëta e ngarkesat e mëdha në punë, ankesat e vitit 2024

    Kryetarja e Odës së Infermierëve të Kosovës, Nexhmije Gori, ka thënë për Ekonomia Online se ka rënë numri i infermierëve që kërkojnë licenca të paplastifikuara dhe vërtetim të Kodit Etik që u shërben për largim jashtë vendit.

    E arsye për largim nga shteti janë pagat e ulëta, mospagesa e vikendeve e ngarkesat e mëdha në punë.

    Gori ka thënë se gjatë vitit 2024, 383 infermierë kanë kërkuar licencë të paplastifikuar, ndërsa 119 të tjerë kanë kërkuar vërtetim të Kodit Etik. Kjo rënie sipas saj ka të bëjë me liberalizimin e vizave, pasi infermierët po i përfundojnë drejtpërdrejt procedurat me punëdhënësin.

    “Kërkesat prej liberalizimit të vizave tashmë ka rënie. Sigurisht që tash nuk po ju nevojitet për të bërë terminë në ambasada apo edhe përmes agjencive, tashmë profesionistët shëndetësor kanë mundësi për ta bërë drejtpërdrejtë me punëdhënësin, kështu që këtë vit licenca të paplastifikuara kanë kërkuar gjithsej 383 infermierë, mami dhe profesionistë tjerë shëndetësor, kurse Kodin Etik kanë kërkuar 119 infermierë. Vlen të theksohet se krahasuar me vitin e kaluar, numri është dukshëm më i vogël, arsyet janë siç i ceka sepse tashmë nuk kanë nevojë me i prit terminët. Çka unë konsideroj është se numri është shumë i madh se sa ky që e kemi ne tashmë të protokolluar”, ka thënë Gori, teksa shton se numri i infermierëve të larguar nuk është i saktë.

    “Po tashmë infermierët shkojnë i bëjnë kontaktet, i bëjnë marrëveshjen me punëdhënësin e kthehen dhe e mësojnë e më pastaj kur ta fillojnë punën iu nevojitet licenca e paplastifikuar dhe vërtetimi i kodit etik, sigurisht që kjo merr kohë”, ka deklaruar Gori.

    Këtë dukuri, kryetarja e OIK-ut e sheh shqetësuese, andaj kërkon veprime nga ana e institucioneve, pasi shtetet evropiane kanë filluar t’i lehtësojnë procedurat për rekrutimin e punëtorëve shëndetësor.

    “Natyrisht që është shqetësuese, unë shpesh e them se vendet e rajonit po na e marrin produktin e gatshëm. Ne duke u nisur si familje, po i rrisim, po i shkollojmë e po e përgatitim për treg dhe të gatshëm po e marrin të tjerët, kështu që është mjaft shqetësuese duke marrë parasysh që ne jemi prej vendeve me një rini më të pastër dhe me moshë më të re, viteve të fundit jo vetëm profesionistët e infermierisë por edhe profesionistë tjerë kanë ndërruar profesionin për arsye se vendet e rajonit i kanë lehtësuar jashtëzakonisht masat për të filluar punën. Andaj jo vetëm që është shqetësuese por duhet të merren masa edhe si shtet duhemi të punojmë më shumë e me i motivua të rinjtë tanë që punën edhe përkushtimin ta bëjmë për vendin tonë”, u shpreh Gori.

    Ankesat që më së shumti kanë pranuar në institucionet që e udhëheq Gori, janë pagat e ulëta, mospagesa e vikendeve e ngarkesat e mëdha në punë.

    “Tashmë veçse janë të njohura të gjitha kërkesat apo ankesat e infermierëve. Sigurisht që pagat me ligjin e pagave janë ranguar jo kënaqshëm, ngarkesat e mëdha në punë, përveç asaj kujdestaritë edhe vikendet që infermierët nuk paguhen ditëve të vikendit. Ka kërkesa dhe ankesa jashtëzakonisht të shumta, po ankesat nuk janë vetëm infermierët e Kosovës. T’u them të drejtën, me pjesëmarrjen në forume kam parë që problematikat e infermierëve në të gjithë Evropën pak a shumë janë të njëjta, përveç që vlen të theksohet që në Evropë nuk e lëshojnë vendin, por e ndërrojnë profesionin, kështu që me ndërrimin e profesionit të tyre, po u jepet mundësi të rinjve tanë që të kenë mundësi të qasen në institucionet shëndetësore kudo nëpër Evropë”, ka thënë Gori.

  • KQZ sot mblidhet nga ora 12:00

    KQZ sot mblidhet nga ora 12:00

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhjen e radhës me fillim nga ora 12:00 në zyrat e KQZ-së.

    Si pjesë e rendit të ditës në këtë mbledhje është edhe rekomandimi për de-certifikimin e kandidatit të subjektit politik të certifikuar Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.

    Po ashtu, do të bëhet shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për caktimin e numrit maksimal të votuesve në vendvotime.

    Rendi i plotë i ditës:

    Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së
    Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes nr. 70 dhe 71/ 2024
    Aktivitetet e Zyrës
    – Rekomandim për de certifikimin e kandidatit të subjektit politik të certifikuar Partia Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar, Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025

    Këshillat e KQZ
    3.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore

    3.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për caktimin e numrit maksimal të votuesve në vendvotime.

    3.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i propozimit për numrin e vendvotimeve në qendrat e votimit me kusht

    3.1.3. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për mospërfshirjen e 915 votuesve pas verifikimit me Departamentin e Pensioneve dhe Agjencinë e Statistikave të Kosovës.

    3.1.4. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për vlerësimin e qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike që kanë numër të vogël të votuesve të regjistruar.

    3.1.5. Shqyrtimi dhe miratimi i raportit të verifikimit të votuesve të regjistruar për votim jashtë Kosovës.

    3.1.6. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për ndryshimin e lokacionit të QV-së 1710 komuna Pejë

    Të ndryshme

  • Guvernatori paralajmëron rënien e normave të interesit të kredive gjatë 2025-së

    Guvernatori paralajmëron rënien e normave të interesit të kredive gjatë 2025-së

    Normat e interesit kanë vazhduar trendin e rënis gjatë viteve të fundit dhe ky trend i njëjtë pritet që të ndodh edhe në vitin 2025, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili.

    Ismaili ka thënë se sipas të dhënave të fundit deri në fund të nëntorit 2024, norma mesatare e interesit për kredi ka rënë në 6.02 për qind, ndërsa hendeku mes normave të kredive dhe depozitave është ngushtuar në 3.15 për qind.

    Ai theksoi se të hyrat nga tarifat dhe komisionet bankare, të cilat dikur përfaqësonin 26% të të ardhurave të përgjithshme të bankave, kanë rënë në 21 për qind gjatë viteve 2023-2024, kjo sipas tij, ka ardhur si rezultat i rritjes së konkurrencës në sektorin financiar dhe bankar, dhe është e mundur, sipas tij, që ky trend të vazhdojë të ulet edhe në vitin 2025.

    “Normat e interesit ndër vite kanë rënë, norma e interesit në periudhën e fundit kur ne kemi të dhënat rreth fundit të nëntorit ka rënë në mesataren 6.02 për qind, pra rreth 6 për qind. Hendeku ose ai dallimi mes kredive dhe depozitave ka rënë në 3.15 për qind. Përderisa trendi është rënës ne ende presim që të vazhdoj të ketë rënie të tillë për shkak të kushteve që reflekton tregu jonë, ku norma e kredive jo përformuese është e ulët edhe ku niveli i pagimeve është i kënaqshëm. Ne presim që bankat të reflektojnë ende në këtë hendekun që ekziston mes depozitave dhe kredive dhe po ashtu ambienti presim që të jetë mbështetës në këtë drejtim. Më lejoni që të theksoj që përderisa normat e kredive ishin në trend rënës në vitet paraprake, ka ekzistuar një trend rritës deri në 2022 i të hyrave nga komisionet dhe tarifat pra të hyrave jo kamatat, jo kreditë. Dhe ky trend nga viti 2023, 2024 dukshëm ka rënë, pra nga 26 për qind që ishte të hyrat nga tarifat dhe komisionet kundrejt të hyrave të përgjithshme të bankës, ai ka rënë në rreth 21 për qind kjo kryesisht për shkak të llogarisë bazike dhe rritjes së konkurrencës në sektorin financiar dhe në bankar, pra ne presim që trendët rënëse në të komisione, tarifa dhe kamat të vazhdojnë që të bien vitin që vjen”, ka thënë ai për EO.

    Rritje e ndjeshme në kreditim, Ismaili vlerësoi rritjen mbi 15 për qind të kreditimit gjatë vitit 2024, duke e quajtur atë një dëshmi të përkushtimit të sektorit bankar për mbështetjen e ekonomisë.

    Ai tha se kreditë gjatë viti 2024 kanë mbërritur në 5.7 miliard euro, prej të cilave 3.4 miliard euro janë për ndërmarrjet, kurse 2.3 miliard euro janë për ekonomitë familjare.

    “Kreditimi ka shënuar një ritëm të kënaqshëm, është mbi 15 për qind rritje e kreditimit që tregon se bankat po vazhdojnë që të mbështesin ekonominë në mënyrën e duhur. Gjithashtu, raporti mes kredive dhe depozitave që njihet ka mbërritur 85 për qind në kohën që po flasim, që i bie ndër nivelet më të larta historikisht, që bankat po mobilizohen maksimalisht pozitat e tyre për të mbështetur ekonominë. Numri i kredimarrësve i përgjithshëm ka kaluar 36 mijë kredi marrës, në raport me rreth 35 mijë që ishin një vit më përpara. Sa i përket vlerës së përgjithshme kreditë kanë mbërritur në 5.7 miliard euro, prej të cilave 3.4 miliard euro janë për ndërmarrjet, kurse 2.3 miliard euro janë për ekonomitë familjare”, ka deklaruar ai.

    Guvernatori Ismaili tha se kreditë për ekonomitë familjare shënuan një rritje prej rreth 20 për qind, duke reflektuar një orientim drejt kredive për qëllime investimi e jo konsumi.

    Për sa i përket ndihmës në ndërmjetësimin financiar, Ismaili tha se normat e kreditimit për bizneset kanë kaluar mesataren e rajonit, duke treguar një nivel të lartë të ndihmës që po ofrohet për ndihmën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Po ashtu, ekonomia familjare është duke arritur nivele të kënaqshme, duke u afruar me mesataren e rajonit.

    “Ritmi i rritjes këtë vit është rreth 9 ose 10 për qind në kredit e ndërmarrjeve, kurse rreth 20 për qind për ekonomitë familjare. Kryesisht rritja për ekonomit familjare ka ardhur për kreditë që kanë shkuar në qëllime jo konsumuese, pra kredi që kanë qenë mbi 5 mijë ose 10 mijë euro, por që me konceptin e diversifikimit të rrezikut në kredit e mëdhaja ka qenë edhe është në përputhje me qasjen që ne e kemi. Gjithashtu në aspektin e ndërmjetësimit financiar, është një normë në ndërmjetësimin financiar që maten kredit me bruto produktin vendor, përderisa kredit e bizneseve për ndërmarrjet kanë kaluar mesataren e rajonit, në kuptimin e ndërmjetësimit. Ekonomia familjare ka qenë dukshëm nën këtë nivel, me këto rritjet e fundit po shkon drejt arritjes së mesatareve që janë të paktën në rajon sa i përket normës së ndërmjetësimit financiar”, ka thënë ai për EO.

    Një tjetër aspekt pozitiv, sipas Ismailit, është ruajtja e cilësisë së portofolit të kredive, me norma historikisht të ulëta të kredive.

    “Ajo çka vlen për të thënë është rritja e aftësisë pagues të klientëve po reflektohet po ashtu, vazhdon me pas cilësi të mirë portofoli i kredive, vazhdon me qenë norma historikisht e ulët e mos kthimit të kredive. Këtë e kemi diskutuar edhe me misionin e FMN-së, ekziston bindja që nuk ka ndonjë shqetësim, nuk është informacion që do të duhej krijuar paqartësi sa i përket ritmit të rritjes në aspektin e kredive si një prej shtuesve të rëndësishme të ekonomisë së vendit”, ka përfunduar Ismaili.

  • Nisin kolonat, 50 minuta pritje në Dheun e Bardhë, Merdarë 20 minuta

    Nisin kolonat, 50 minuta pritje në Dheun e Bardhë, Merdarë 20 minuta

    Në pikat kufitare në dalje të Kosovës këtë të shtune kanë filluar kolonat.

    Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka bërë të ditur se pritjet më të mëdha këtë mëngjes janë tek Dheu i Bardhë deri në 50 minuta, ndërsa pritjet në hyrje janë deri në pesë minuta.

    Ndërsa, pritjet në dalje në Merdarë janë deri në 35 minuta, e në Jarinje deri në 10 minuta.

    Hyrjet daljet në pikat tjera janë deri në pesë minuta pritje.

  • Mësimi gjithë ditor i suksesshëm për kryeqytetin, Lushaku: Ka ngritur nivelin e arsimit dhe ka lehtësuar organizimin familjar

    Mësimi gjithë ditor i suksesshëm për kryeqytetin, Lushaku: Ka ngritur nivelin e arsimit dhe ka lehtësuar organizimin familjar

    Aplikimi i mësimit gjithë ditor për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën në komunën e Prishtinës, gjatë vitit 2024 është mirëpritur jo vetëm nga nxënësit, por edhe nga prindërit, vlerëson drejtoresha e Arsimit për kryeqytetin, Jehona Lushaku Sadriu.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Sadriu-Lushaku, ka bërë të ditur se 90 për qind e nënave e kanë mbështetur këtë iniciativë, duke e konsideruar atë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e fëmijëve të tyre, por sipas saj edhe krijimin e mundësive nënave për të punuar.

    “Kemi adaptuar shumë shpejtë shkolla. E kanë bërë ndarjen fizike të klasave gjashta-nënta dhe te klasat një-pesë. Te klasat një-pesë është aplikuar mësimi gjithëditor ku fëmijët kanë pasur mundësinë që ta kenë një orar më të zgjatur, që paradite të kenë kurrikulat bazë e pasdite aktivitet dhe në mes të kenë një shujtë ditore të ngrohtë, të shërbyer dhe të financuar tërësisht nga kryeqyteti. Ky model ka qenë një model që është implementuar suksesshëm dhe që ka krijuar lehtësira për planifikimin familjar, koston e familjes e ka ulur sepse ka kosto zero për prindërit të cilët më herët është dashur të paguajnë qëndrime ditore për fëmijë. Por edhe e ka ngritur arsimin që kurrikulat bazë, lëndët bazike të realizohen paradite dhe mësuesja i realizon detyrat e shtëpisë, pastaj pasdite me aktivitet që krijojnë më tepër kënaqësi fëmijëve”, ka deklaruar Sadriku-Lushaku.

    Sadriu-Lushaku theksoi gjithashtu se ky model ka përmirësuar cilësinë e mësimit, pasi fëmijët kanë mundësi të mësojnë për një periudhë më të gjatë, duke realizuar më shumë aktivitete që kontribuojnë në zhvillimin e tyre.

    “Ne kemi bërë një pyetësor që kemi marrë një matje, dhe përgjithësisht kënaqeshmëria është tepër e lartë, madje kemi kërkesa edhe nga prindërit e shkollave të tjera që të vazhdojmë sa më shpejtë me shkollat e tjera, mirëpo besoj që kjo do të jetë modeli i duhur për të gjitha shkollat e Prishtinës dhe të gjithë Kosovës. Jo vetëm pse e lehtëson organizimin familjar dhe koston e ulë për shkak se niveli dhe cilësia e mësimdhënies dhe mësimxënies është më e madhe. Nuk është njëjtë sikur mësimi të realizohet për katër orë, si për tetë orë. Për të njëjta libra i kanë fëmijët mundësinë për tetë orë, të marrin të njëjta mësime që japin mundësi të mira fëmijët”, theksoi ajo.

    Sipas saj, mësimi gjithëditor ka lehtësuar organizimin familjar dhe ka ofruar mundësi për gratë me kualifikim të lartë, të cilat mund të punojnë me orar të plotë, duke përmirësuar kështu mirëqenien e familjeve.

    “Mësimi gjithë ditor është mundësi unike për nënat të cilat sakrifikojnë për fëmijët, diku 90 për qind të grave të cilat janë me kualifikim të lartë kanë deklaruar se orari i shkollës është problemi kryesor që kanë ato sepse duhet të rrinë me fëmijët dhe të përfundojnë detyrat e shtëpisë. Me këtë model nënat mund të punojnë me orar të plotë dhe përmirësohet mirëqenia e familjes. Kryeqyteti do ta vazhdojë mësimin tërë ditor edhe në më shumë shkolla. Ne vetëm jemi duke zhvilluar planin për dublifikimin e shkollave për vitin e ardhshëm”, përfundoi ajo.

  • Kina përballet me një pandemi të re të ngjashme me Covid-19

    Kina përballet me një pandemi të re të ngjashme me Covid-19

    Kina po përballet me një fenomen të ri shëndetësor që ka shkaktuar shqetësim të gjerë pasi spitalet duket se janë të mbingarkuar nga pacientë me probleme të frymëmarrjes dhe raporte të pakonfirmuara për rritjen e aktivitetit në krematoriume.

    Videot dhe dëshmitë që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë njësitë spitalore të mbushura me pacientë të veshur me maska ​​dhe radhë të gjata në repartet e pediatrisë.

    Mediat lokale ia atribuuan shpërthimin një virusi më pak të njohur, metapneumovirusit(HMPV), i cili zakonisht shkakton simptoma të buta të ngjashme me ato të ftohjes së zakonshme.

    Megjithatë, autoritetet shëndetësore kineze ende nuk e kanë konfirmuar këtë shkak. Zyrtarisht, Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) raporton se gripi është shkaku kryesor i shpërthimit, me 30% të testeve për infeksionet e frymëmarrjes që rezultojnë pozitive për gripin dhe një në shtatë pacientë me simptoma të rënda janë shtruar në spital për e njëjta arsye.

    Videot po shkaktojnë shqetësim ndërkombëtar

    Siç raporton Daily Mail, videot që u shfaqën në internet rreth Vitit të Ri pretendojnë se tregojnë se spitalet në provincat Hunan dhe rajone të tjera janë të mbipopulluara.

    Një dëshmi nga një fermer në provincën Hunan, botuar nga Aboluowang News, e përshkroi situatën si kritike: “Shumë njerëz janë sëmurë dhe këtë javë rreth shtatë ose tetë njerëz vdiqën në zonën tonë”.

    Një burim tjetër, një menaxher i krematoriumit i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se kërkesa për djegje është rritur ndjeshëm: “Ka radhë të gjata për djegje. Furrat punojnë gjatë gjithë kohës dhe situata është jashtëzakonisht e vështirë”.

    Rritja e incidencës së gripit

    Sipas raportit të fundit të CDC, që nga 29 dhjetori, 7.2 për qind e vizitave ambulatore në provincat veriore të Kinës ishin për gripin, 12 për qind më shumë se javën e kaluar. Në krahinat jugore, shifra përkatëse ishte 5.7%, një rritje prej 21%.

    Edhe pse këto nivele janë më të larta se ato të vitit 2021, ato mbeten më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022 dhe 2023. Megjithatë, autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se shpërthimi kërkon monitorim të vazhdueshëm.

    Në të njëjtën kohë, HMPV regjistron një prani të konsiderueshme, përgjegjëse për 6,2% të testeve pozitive për infeksionet respiratore dhe 5,4% të shtrimeve në spital. Megjithëse këto norma janë më të ulëta se gripi, HMPV tejkalon sëmundje të tjera të ngjashme, si COVID-19, rinovirus dhe adenovirus, në nivelet e transmetimit.

    Qëndrimi i Autoriteteve

    Deri më tani, as qeveria kineze dhe as Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk kanë bërë një qëndrim zyrtar për situatën. Pavarësisht heshtjes së tyre, rritja e infeksioneve të frymëmarrjes të regjistruara nga të dhënat kineze po rrit shqetësimet për mundësinë e një krize më të madhe.

    Ekspertët u bëjnë thirrje autoriteteve të ofrojnë më shumë transparencë dhe të marrin masa në kohë për të adresuar situatën. Kina, e cila u përball me kritika të forta për trajtimin e fazave fillestare të pandemisë Covid-19, është sërish nën mikroskopin e komunitetit ndërkombëtar./dritare.net/

  • Aksidentet ajrore në rritje: A po kthehet fluturimi në një formë të pasigurt transporti?

    Aksidentet ajrore në rritje: A po kthehet fluturimi në një formë të pasigurt transporti?

    Me valën e fundit të aksidenteve ajrore, udhëtarët mund të ndihen më pak të sigurt.

    Por a po bëhet vërtet i pasigurt fluturimi?

    Viti 2024 ka rritur shqetësime për fluturimet, veçanërisht javët e fundit, kur më shumë se 200 njerëz humbën jetën në dy incidente të ndara vetëm disa ditë.

    Tridhjetë e tetë persona vdiqën kur një aeroplan i Azerbaijan Airlines u rrëzua në Kazakistan; katër ditë më vonë 179 humbën jetën kur një fluturim i Jeju Air u rrëzua në Korenë e Jugut.

    Ndërsa ngjarjet e fundit ende janë në mendjet e shumë njerëzve, viti 2024 ishte një vit fatkeqësish në aviacion.

    Bëhet e ditur se në fillim të janarit, një përplasje e zjarrtë në Tokio tronditi botën, duke lënë të vdekur pesë anëtarë të Rojes Bregdetare të Japonisë, megjithëse pasagjerët e aeroplanit të Japan Airlines shpëtuan shëndoshë e mirë.

    Ditë më vonë, një pjesë e një aeroplani ra kur po nisej nga Portland, Oregon, duke lënë një vrimë të hapur në trupin e tij.

    Përsëri, të 177 pasagjerët i mbijetuan uljes emergjente, por pasojat nga ngjarja e kanë parë prodhuesin e madh Boeing në qendër të vëmendjes gjatë gjithë vitit.

    Gjatë verës rrëzimi tragjik i një fluturimi Voepass në Brazil mori jetën e 62 pasagjerëve dhe ekuipazhit.

    Për më tepër, raportet e shumta të aeroplanëve që goditen nga turbulencat e rënda, duke përfshirë një me fatalitet në një fluturim të Singapore Airlines, u kanë dhënë udhëtarëve arsye për t’u shqetësuar për sigurinë e tyre.

    Sipas Rrjetit të Sigurisë së Aviacionit, gjithsej 318 njerëz vdiqën në aksidente aeroplani vitin e kaluar, duke e bërë vitin 2024 vitin më vdekjeprurës në aviacion që nga viti 2018.

    Por a po bëhet me të vërtetë fluturimi më pak i sigurt dhe a duhet të shqetësohemi nëse kemi rezervuar një udhëtim të ardhshëm?

    Fluturimi po bëhet gjithnjë e më i sigurt

    Dr. Hassan Shahidi, president dhe CEO i Fondacionit të Sigurisë së Fluturimeve, një organizatë jofitimprurëse e përfshirë në të gjitha aspektet e sigurisë së aviacionit, i vendos gjërat në perspektivë.

    “Në të gjithë vitin 2023, ka pasur zero vdekje nga aeroplanët komercialë”, tha Shahidi.

    “Deri në përfundimin e vitit 2024, industria e aviacionit kishte transportuar 5 miliardë pasagjerë në mbarë botën. Dhe deri në ditët e fundit, 2024 ishte gati të përsëriste atë rekord sigurie”, shtoi ai.

    Sipas një studimi nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts (MIT), fluturimi sot është më i sigurt se kurrë, shkruan euronews.

    Në periudhën 2018-2022, rreziku i vdekjes nga udhëtimi ajror është llogaritur të jetë 1 për çdo 13.7 milionë hipje pasagjerësh.

    Kjo është në rënie nga 1 për 7.9 milion hipje në 2008-2017 dhe një rënie e madhe nga 1 për çdo 350,000 hipje në 1968-1977.

    Ndërkohë, hulumtimi nga Akademia Aeronautike Embry-Riddle ka treguar se deri në 80% të aksidenteve të aviacionit mund t’i atribuohen gabimeve njerëzore.

    Një gabim nga ana e pilotëve mendohet se përbën 53% të aksidenteve, ndërsa dështimi mekanik u konsiderua si faji në vetëm 21% të rasteve.

    Airbus studioi se cila pjesë e fluturimit ishte më e rrezikshme dhe zbuloi se ngritja dhe ulja ishin kur kishte më shumë gjasa të ndodhnin aksidente.

    Të dy përplasjet e dhjetorit 2024 ndodhën gjatë uljes, megjithëse faktorë të tjerë ishin në lojë.

    Në përplasjen e Jeju Air, për shembull, pati raportime për dëmtimin e një motori pasi goditi një zog, dhe aeroplani, për një arsye ende të panjohur, nuk i kishte vendosur pajisjet e uljes kur u rrëzua.

    Hetimi do të jetë i gjatë dhe kompleks, dhe ka të ngjarë të kalojë pak kohë para se të kuptojmë saktësisht se çfarë ka ndodhur.

    “Ky aksident përfshiu një sërë faktorësh, nga goditjet e shpendëve deri te ulja pa pajisje uljeje”, tha Shahidi.

    “E gjithë kjo do të hetohet tërësisht, do të përcaktohen faktorët dhe do të ndërmerren hapa për të siguruar që kjo të mos ndodhë më”, vazhdoi ai.

    Raportohet se Jeju Air ka inspektuar flotën e saj prej 737 aeroplanësh të gjeneratës së ardhshme.

    Por, asgjë deri më tani nuk sugjeron se ka një problem më të përhapur me llojin e aeroplanit.

    Linjat ajrore këshillohen të shmangin zonat e luftës

    Rrëzimi i aeroplanit në Kazakistan ishte diçka pak më ndryshe.

    Megjithëse hetimet janë në vazhdim, vlerësimet fillestare sugjerojnë se aeroplani mund të jetë goditur nga mbrojtja ajrore ruse, duke shkaktuar uljen e presionit dhe humbjen e kontrollit.

    Ky vlerësim sjellë në mendje një situatë të ngjashme nga një dekadë më parë.

    Në korrik 2014, një aeroplan i Malaysia Airlines u rrëzua nga forcat e mbështetura nga Rusia duke përdorur një raketë tokë-ajër ndërsa po fluturonte mbi Ukrainën lindore.

    Të gjithë 283 pasagjerët dhe 16 anëtarët e ekuipazhit vdiqën.

    Hetimi rekomandoi shtetet e përfshira në konflikte të armatosura të mbyllin hapësirën e tyre ajrore dhe që operatorët duhet të vlerësojnë tërësisht rrezikun kur rrugët kalojnë mbi zonat e konfliktit.

    Ndryshe, Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) publikon Buletinet e Informacionit të Zonës së Konfliktit për të paralajmëruar operatorët ajror rreth kërcënimeve të mundshme të sigurisë.

    Megjithatë, siç shpjegon Janet Northcote, zëdhënëse e EASA, “EASA nuk e mbyll hapësirën ajrore ose nuk ka të drejtë të mandatojë shmangien e hapësirës ajrore.

    Por informacioni i dhënë këtu rrjedh në vlerësimet individuale të sigurisë së linjës ajrore dhe krijon ndërgjegjësim për çdo kërcënim të sigurisë së aviacionit.

    Pra, pse Azerbaijan Airlines po fluturonte mbi një zonë konflikti?

    Megjithëse shumë linja ajrore perëndimore kanë ndërprerë operimet në dhe mbi hapësirën ajrore ruse, shumë linja ajrore të Lindjes së Mesme dhe Azisë vazhdojnë të operojnë në atë zonë.

    Transportuesit nga Turqia, Kina, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera nuk po e shmangin hapësirën ajrore, pavarësisht rrezikut.

    “Udhëtimi ajror në zonat e njohura të konfliktit ka rrezik të konsiderueshëm”, deklaroi Shahid.

    “Linjat ajrore duhet të kryejnë vlerësimin e rrezikut për të siguruar që rreziqet të zbuten dhe të marrin një rrugë alternative”, shtoi ai.

    Sidoqoftë, asnjë linjë ajrore evropiane aktualisht nuk fluturon drejt Rusisë ose përmes hapësirës së saj ajrore, duke marrë parasysh këshillat e EASA dhe agjencive të tjera.

    Çdo aksident ajror e bën udhëtimin ajror më të sigurt

    Rreshtimi i vogël në vitin e tmerrshëm që ka përjetuar aviacioni është se çdo aksident shërben për ta bërë udhëtimin ajror më të sigurt në të ardhmen.

    Siç shkroi Simon Calder, korrespondent i udhëtimeve për gazetën Independent të Mbretërisë së Bashkuar, “Të gjitha ngjarjet dramatike të aviacionit të vitit 2024 – fatale dhe ndryshe – do të analizohen imtësisht për të kuptuar se çfarë mund të mësohet për të rritur sigurinë në të ardhmen”.

    Në rastin e përplasjeve të Jeju Air dhe Azerbajxhanit, “kutitë e zeza” famëkeqe janë gjetur dhe dërguar për hetim.

    Këto dy kuti, të cilat në fakt kanë ngjyrë portokalli të ndezur, janë Regjistruesi i të Dhënave të Fluturimit (FDR) dhe Regjistruesi i zërit në kabinën e pilotit (CVR) dhe hedhin pak dritë mbi atë që ndodhi përpara përplasjes.

    Hetuesit e aksidenteve janë në terren në Kazakistan dhe Korenë e Jugut duke mbledhur më shumë prova, një proces që mund të marrë pak kohë.

    Pas kësaj, të dhënat e mbledhura do të analizohen në një laborator për të përcaktuar shkakun e rrëzimit.

    Një raport paraprak ka të ngjarë të bëhet publik në javët në vijim, megjithëse raporti përfundimtar do të zgjasë më shumë.

    Nga këto raporte do të jepen rekomandime të ndryshme për të shmangur një situatë të ngjashme në të ardhmen.

    Një nga pikat e forta të proceseve të sigurisë së aviacionit është se sa herë që ndodh ndonjë tragjedi, analizohet ajo që ka ndodhur dhe merren veprimet e duhura për të siguruar, në masën e mundshme, që i njëjti lloj aksidenti nuk do të ndodhë më.

    Një përplasje mbi Grand Canyon në qershor 1956, për shembull, midis një TWA Super Constellation dhe një United Airlines DC-7 çoi në forma të përmirësuara të kontrollit të trafikut ajror.

    Pasi TWA Flight 800 shpërtheu në ajër në 1996, u bënë modifikime për të siguruar që karburanti nuk mund të digjej nga një shkëndijë e gabuar.

    Pa tragjedinë e 11 shtatorit, Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA) nuk do të ishte krijuar kurrë.

    Dhe falë aeroplanit (ende) të zhdukur të Malaysia Airlines MH370, të gjithë aeroplanët tani gjurmohen në kohë reale.

    Ndërsa prodhuesit, linjat ajrore dhe rregullatorët punojnë shumë për të ruajtur sigurinë në qiell, udhëtimi i sigurt është një përpjekje ekipore.

  • ​Një person është gjetur pa shenja jete në Prishtinë

    ​Një person është gjetur pa shenja jete në Prishtinë

    Një person është gjetur pa shenja jete mbrëmë në Prishtinë.

    Ai është gjetur në rrugën “Lekë Dukagjini”, në kryeqytet dhe vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

    Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion. Rasti në hetime.

  • ​Tentim vrasje në kryeqytet, plagoset në shpinë një person

    ​Tentim vrasje në kryeqytet, plagoset në shpinë një person

    Një person ka pësuar lëndime në shpinë nga arma e zjarrit, pasi në drejtim të tij ka shtënë me armë zjarri një i dyshuar, i cili është në kërkim nga Policia.

    Ngjarja ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Mine Peza”, në Prishtinë, ku janë gjetur dhe sekuestruar 5 gëzhoja.

    Viktima është dërguar për trajtim mjekësor.

    I dyshuari është në kërkim nga policia. Rasti në hetime.

  • Mot i ftohtë sot, por pa reshje

    Mot i ftohtë sot, por pa reshje

    Sot në Kosovë na pret mot i ftohtë dimëror, me vranësira e intervale kohore me diell. Reshje bore lokalisht mund të ketë ende vetëm orëve të hershme të mëngjesit. Gjatë ditës pritet mot i ftohtë, por pa reshje.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të ndjeshme dhe ajo maksimale parashihet deri në 1 gradë Celsius. Minimalja deri në -8 gradë Celsius.

    Në Shqipëri gjatë natës priten reshje e rrebeshe shiu, ndërsa në veri dhe lindje si dhe në viset malore priten reshje bore. E shtuna në Shqipëri pritet të jetë kryesisht e vranët dhe e ftohtë, ndërsa reshjet do të pushojnë.

    Reshje bore priten sonte përpos Kosovës edhe në veri të Malit të Zi, pastaj edhe në shumë zona në Maqedoninë Veriore, por nesër reshjet pushojnë dhe priten vranësira e në disa zona intervale kohore me diell. Temperaturat shënojnë ulje të ndjeshme. Reshje bore sonte priten edhe në Luginë të Preshevës, ndërsa nesër pa reshje.

    E diela me acar të fuqishëm në mëngjes, por edhe dita do të jetë e ftohtë. Vende-vende mund të kemi rikthimin e mjegullës.

    Nga e hëna zbutje e acarit polar, përpos rajoneve ku eventualisht mund të kemi përqendrim më të madh të mjegullës./MeteoBallkan